TIRANË- Replika të ashpra janë shkëmbyer në Kuvend mes kryedemokratit Sali Berisha dhe deputetit socialist, Erion Braçe. Shkak e përlasjes mes tyre janë bërë protestat e zhvilluara në Tiranë kundër qeverisë, ndërsa në debat është përfshirë edhe protesta e paralajmëruar për 28 nëntorin.
Gjatë fjalës së tij, Braçe iu drejtua me ironi Berishës, duke e cilësuar si një “luan” dhe i kujtoi atij thirrjet e protestuesve gjatë tubimeve në kryeqytet: “Rama në burg, Berisha në burg”. Nga ana tjetër, Berisha iu përgjigj me tone ironike deputetit socialist, duke i thënë: "Ik vish fustanin e Spiropalit", ndërsa bëri thirrje që të mos i provokojnë protestuesit.
Pjesë nga debati:
Braçe: "Luanin që sapo degjova nuk arrij ta kuptoj pse këtu nuk thërret ‘Rama në burg Berisha në burg’, por e bën atje, dhe këtu nuk e bën. Cila është arsyeja që një luan trim nuk bërtet edhe këtu? Ky është një problem moral. Si mundet një pedagog të vijë këtu të thotë ‘po do ta djeg ministrinë e Arsimit se e dua’, ky është një problem i madh moral. Dhe të thuash që me 28 nëntor protesta është madhështore kur ajo nuk ka ndodhur është një problem logjik që nuk më rri".
Berisha: "Kam vetëm një këshillë, shko e vish fustanin e Elisës, se ajo meriton ato të tjerat. Me ty e kam. Mos provokoni qytetarët, keni filluar provokacione të ulëta, ju fyeni qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë. Çfarë do të thotë kjo ngritja e trotuarëve që po bëni? Keni frikë se protestuesit do marrin pllakat e trotuarëve. Pse i provokoni protestuesit, ata kanë qenë paqësor. Pse po çoni kudo trotuaret? Po e bëni për të nxitur dhunë, por çmimin më të lartë ju do e paguani. Ngrini trotuarët tani. Nëse ndonjë nga vajzat apo djemtë e protestës zgjedh pemë për të hedhur vezë, do prisni pemët e Tiranës? Ndaloni urgjentisht ngritjen e trotuarëve, mos prekni trotuarët".