LIVE UPDATES

Zjarret "pushtojnë” Shqipërinë"! 14 vatra ende aktive, "luftë" nga toka dhe ajri, 2 të arrestuar në Fier

♦Situata e zjarreve në vend vijon të jetë problematike. ♦ Ministria e Mbrojtjes ka publikuar pilancin e 20 orëve të fundit, ku janë raportuar 44 vatra, 14 vatra mbeten aktive. ♦ Shkodra, Dajti, Dibra, Lezha dhe Berati janë ndër zonat ku vijon përballja me flakët. ♦Qarku i Shkodrës po vijon luftën me flakët që prej mbrëmjes së djeshme, ku në disa zona vatrat vijojnë të jenë aktive. ♦Në Pukë situata paraqitet problematike, në Malin e Tërbunit, ku vija e flakëve shtrihet në mbi 10 kilometra në kurorën pyjore. ♦ Ndërkohë, në Fier janë arrestuar 2 persona për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa janë proceduar 2 të moshuar.

4 artikuj për këtë temë.
2 ORE ME PARE

Si paraqitet situata nga zjarret? "Mbrojtja": 44 vatra në 24 orët e fundit, 14 ende aktive

Zjarret "pushtojnë” Shqipërinë"! 14 vatra ende
foto ilustruese

TIRANË- Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 44 vatra zjarri, 14 prej të cilave vijojnë të jenë aktive.

Sipas njoftimit të Mbrojtjes, situatat kryesore janë në Shkodër, Tiranë, Dibër, Lezhë dhe Berat, ku vijon përballja me flakët. Ndërkohë, në qarqe të tjerë disa vatra janë shuar plotësisht e disa tjerë nën mbikëqyrje.

Në terren janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 329 efektivë, mjete të shumta, 6 operacione me helikopterë, 1 avion Air Tractor dhe 1 dron.

Njoftimi i plotë:

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 44 vatra zjarri, nga të cilat 14 mbeten aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 21 janë shuar.

Në operacione janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 329 efektivë, mjete të shumta, 6 operacione me helikopterë, 1 avion Air Tractor dhe 1 dron.

Situatat kryesore aktive janë:

* Shkodër: vijon aktive vatra Bardhaj–Myselim, me angazhim nga toka e ajri, përfshirë 71 efektivë dhe 2 helikopterë të FA. Aktive janë gjithashtu vatrat në Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit, ku janë angazhuar edhe 50 forca ushtarake. Zjarri në Bërdicë është nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për banesat.

* Tiranë: aktive vijojnë zjarret në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit. Në Dajt janë angazhuar 82 efektivë dhe 1 helikopter i FA, ndërsa në Kryezi është përdorur edhe 1 avion Air Tractor.

* Dibër: aktive janë vatrat në Vajkal, Lundre–Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë. Vatra Lundre–Madhesh po mbështetet edhe nga FA.

* Lezhë: aktive mbeten vatrat në Gallatë dhe Kalivaç–Zimaj–Kashnjet; në këtë të fundit janë angazhuar edhe 63 efektivë dhe 2 helikopterë të FA. Nuk raportohen banesa në rrezik.

* Berat: aktive vijon vatra në Vokopolë, ndërsa zjarri në lagjen Kala është shuar.

Në qarqet e tjera, disa vatra janë shuar ose mbahen nën mbikëqyrje, përfshirë ato në Korçë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe Kukës.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit.

3 ORE ME PARE

Ndezën zjarre në Fier, kapen "mat" dy persona dhe arrestohen nga policia, nën hetim 2 të moshuar

Zjarret "pushtojnë” Shqipërinë"! 14 vatra ende
pamje nga policia

FIER- Dy persona janë arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohen se kanë ndezur zjarre në zona të ndryshme të qarkut.

Sipas njoftimit të Policisë, njëri prej tyre, 60-vjeç është kapur në fshatin Eskaj të Lushnjës, teksa dyshohet se po i vinte zjarrin tokës që kishte marrë me qira. Ndërsa në fshatin Hasturkas, në pranga ka rënë një 25-vjeçar, i dyshuar për zjarrvënien në grykëderdhjen e lumit Seman.

Ndërkohë, Policia ka nisur procedim penal edhe ndaj dy personave të tjerë, 71 dhe 77-vjeç, të dyshuar se kanë ndezur zjarre në tokat e tyre në Varibop dhe Çërrilë të Mallakastrës.

Njoftimi i Policisë:

Fier/Ndezën zjarre në fshatrat Eskaj dhe Hasturkas, kapen dhe vihen në pranga dy shtetas, të dyshuar si autorë

Procedohen penalisht dy shtetas të tjerë për zjarre të shkaktuara nga pakujdesia, në Varibop dhe Mallakastër

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier dhe të Komisariateve në varësi të saj, në vijim të punës dhe në zbatim të detyrave të lëna nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për shtimin e masave me qëllim parandalimin e zjarrvënieve, identifikimin dhe arrestimin e autorëve, kanë intensifikuar monitorimin e territorit.

Si rezultat i monitorimit, u konstatuan duke vënë zjarre dhe u arrestuan në flagrancë 2 shtetas, konkretisht:

-Në fshatin Eskaj, Lushnjë, shtetasi K. B., 60 vjeç, i cili u konstatua duke ndezur qëllimisht zjarr në tokën e marrë me qira prej tij;

-Në zonën e mbrojtur Divjakë-Karavasta, në fshatin Hasturkas, shtetasi E. S., 25 vjeç, banues në Fier, u arrestua pasi dyshohet si autor i zjarrvënies në grykëderdhjen e lumit Seman, ku zjarri ka përfshirë bimësi dhe një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllëzuar, pjesë e zonave të mbrojtura.

Gjithashtu, u proceduan penalisht, për shkak të moshës, dy shtetas, përkatësisht 71 dhe 77 vjeç, pasi dyshohet se kanë ndezur zjarre në tokat e tyre, në fshatin Varibop, Fier, dhe në fshatin Çërrilë, Mallakastër. Si pasojë e erës së fortë, zjarret kanë dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe me bimësi.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, në ngarkim të shtetasve të mësipërm.

Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.

Në mënyrë të veçantë, Policia apelon për banorët që djegin mbetje bujqësore apo kryejnë pastrimin e tokave dhe territoreve nëpërmjet djegies, që të shmangin këto praktika, pasi mund të shkaktojnë përhapjen e pakontrolluar të zjarreve dhe do të përballen me përgjegjësi ligjore.

4 ORE ME PARE

Qarku i Shkodrës në “luftë” me flakët, situatë problematike në Malin e Tërbunit në Pukë

Zjarret "pushtojnë” Shqipërinë"! 14 vatra ende
zjarri ne malin e terbunit

SHKODËR- Qarku i Shkodrës vijon të jetë në “luftë” me zjarret, teksa disa vatra mbeten aktive në zona të ndryshme. Gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit, forcat operacionale kanë vijuar ndërhyrjet për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa fokusi kryesor ka qenë mbrojtja e banesave dhe zonave të banuara.

Vatra aktive vijojnë të jenë në disa zona të qarkut. 

Zjarri vijon të jetë aktiv në Bardhaj–Myselim, në Shkodër, duke djegur sipërfaqe pyjore. Mjetet zjarrfikëse ndodhen në terren, pranë banesave, për të parandaluar përhapjen dhe riaktivizim të vatrave. 

Zjarri vijon të jetë aktiv në Mnelë të Madhe, në Bashkinë Vau Dejës. Era e fortë favorizon flakët dhe përhapjen e tyre, ndërëa forcat në terren janë të angazhuara kryesisht për mbrojtjen e zonës së banuar.

Një tjetër vatër zjarri është raportuar në Naraç, ku situata po monitorohet nga strukturat e emergjencave.

Pukë situata paraqitet problematike, në Malin e Tërbunit. Sipas autoriteteve, era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit, ndërsa vija e flakëve shtrihet në mbi 10 kilometra në kurorën pyjore, megjithëse nuk raportohet rrezik për banesat.

Ndërkohë, në Fushë-Arrëz, një vatër e shuar dhe një tjetër aktive. Zjarri është shuar plotësisht në Kulumri, ndërsa zona vijon të mbahet nën monitorim për të parandaluar ndonjë riaktivizim të mundshëm.

Ndërkohë, në Iballë–Fierzë, zjarri vijon aktiv në një terren të vështirë dhe të paaksesueshëm, duke kufizuar ndjeshëm mundësinë e ndërhyrjes nga toka.

Forcat zjarrfikëse, ushtria, shërbimet pyjore dhe strukturat e emergjencave civile vijojnë të jenë në terren për përballimin e situatës, me fokus kryesor mbrojtjen e banesave dhe banorëve. Autoritetet po monitorojnë vazhdimisht vatrat aktive dhe po koordinojnë ndërhyrjet, ndërsa kushtet e motit dhe era e fortë mbeten faktorë që mund të ndikojnë në përhapjen e flakëve./ZËRI

4 ORE ME PARE

Shqipëria digjet, por...vetëm 23 bashki kanë buxhet kundër zjarrit! Tirana e Durrësi i lënë fondet në arkë

Zjarret "pushtojnë” Shqipërinë"! 14 vatra ende
foto ilustruese-zjarret ne shqiperi

TIRANË- Teksa zjarret këtë verë kanë shkrumbuar dhjetëra hektarë pyje dhe kullota në të gjithë vendin duke krijuar dëme që llogariten ne miliarda lekë, bashkitë dhe pushteti vendor nuk arriti të investojë dhe të përdorë edhe ato pak fonde që kanë në dispozicion.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se vetëm 23 bashki kanë përllogaritur në buxhetet e tyre fonde për mbrojtjen nga zjarri me një vlerë totale rreth 729.6 milionë lekë për këtë vit.

Teksa shpenzimet faktike deri në fund të qershorit ishin vetëm 75.7 milionë lekë me një nivel realizimi prej vetëm 10.4% të fondeve të programuara.

Nga 23 bashki që kishin të parashikuara investime në programin e mbrojtjes nga zjarri dhe mbrojtjes civile, vetëm 11 kishin regjistruar shpenzime deri në qershor, ndërsa 12 të tjera nuk kishin realizuar ende asnjë pagesë, sipas të dhënave zyrtare.

Diferenca më e madhe mes fondeve të parashikuara dhe realizimit vihet re në Bashkinë e Tiranës. Kryeqyteti ka rreth 356.8 milionë lekë të programuara, ose pothuajse gjysmën e të gjithë fondit të 23 bashkive të marra së bashku.

Por deri në fund të qershorit, shpenzimet faktike të Tiranës ishin vetëm 164.9 mijë lekë, duke e çuar realizimin në rreth 0.05% të buxhetit total.

Edhe Bashkia e Durrësit, e dyta ndër bashkitë e mëdha për fondet e programuara në këtë sektor, kishte rreth 104 milionë lekë buxhet, por deri në qershor nuk rezultonte të kishte realizuar asnjë shpenzim.

Vetëm Tirana dhe Durrësi përqendrojnë mbi 63% të të gjitha fondeve të programuara nga 23 bashkitë, ndërsa së bashku deri në qershor kishin shpenzuar vetëm rreth 165 mijë lekë. Kjo ndikon ndjeshëm në nivelin e ulët të realizimit në shkallë vendi.

Në kahun tjetër, Himara kryeson për vlerën e shpenzimeve faktike. Bashkia kishte realizuar 46.8 milionë lekë, nga 143.8 milionë lekë të programuara, ose rreth 32.5% të fondit. Pothuajse e gjithë shuma e realizuar nga Himara lidhet me blerjen e një automjeti zjarrfikës, me vlerë 46.8 milionë lekë, projekt që rezulton i paguar në masën 100%.

Pas Himarës renditet Pusteci, me rreth 10.8 milionë lekë shpenzime nga 18.9 milionë lekë të parashikuara. Pjesa kryesore lidhet me blerjen e një mjeti për shërbimin e MZSH-së.

Kukësi kishte një nga nivelet më të larta të realizimit. Nga 8.46 milionë lekë të programuara, ishin shpenzuar rreth 8.44 milionë lekë, ose 99.7%. Rreth 7 milionë lekë janë përdorur për blerjen e një automjeti zjarrfikës.

Edhe Librazhdi kishte realizuar praktikisht të gjithë fondin prej rreth 4.55 milionë lekësh, ndonëse pjesa më e madhe e tij lidhet me ndërhyrje të mbrojtjes civile dhe jo drejtpërdrejt me pajisje zjarrfikëse.

Në total, vetëm Himara, Pusteci dhe Kukësi përbëjnë rreth 87% të të gjitha shpenzimeve faktike të evidentuara deri në qershor për 23 bashkitë.

Ndërkohë, përveç Durrësit, nuk rezultonin ende shpenzime në bashki si Kavaja, Kruja, Vlora, Bulqiza, Malësia e Madhe, Gramshi, Puka, Përrenjasi, Këlcyra dhe Dropulli, megjithëse në buxhet kishin fonde të parashikuara për këtë program.

Të dhënat i referohen situatës deri në fund të qershorit 2026, ndaj ato tregojnë ecurinë e realizimit në gjysmën e parë të vitit dhe jo rezultatin përfundimtar të shpenzimeve vjetore./Monitor

Poll

MOS HUMB