Zjarri në Nikël/ Flakët i afrohen banesave, rrezikon edhe depua e ushtrisë
NIKËL- Situata nga zjarret në Njësinë Administrative Nikël vijon të mbetet kritike, pasi flakët po përhapen me shpejtësi dhe po afrohen pranë zonave të banuara, duke vënë në rrezik edhe depot e ushtrisë dhe ish-magazinat e zonës.
Për përballimin e emergjencës janë angazhuar ekipe zjarrfikëse në terren, ndërsa një helikopter po ndërhyn nga ajri për të frenuar avancimin e flakëve.
Era e fortë po e vështirëson operacionin e shuarjes, duke favorizuar përhapjen e zjarrit në disa drejtime. Autoritetet vijojnë ndërhyrjen me synimin për ta vënë situatën nën kontroll dhe për të mbrojtur banesat dhe objektet që ndodhen pranë vatrës./ZËRI
Levani në flakë, tre banesa përfshihen nga zjarri, banorët evakuohen
FIER- Flakët kanë përfshirë tre banesa ne Levan dhe kanë detyruar banorët të largohen nga zona për arsye sigurie. Ekipet zjarrfikëse vijojnë operacionin në terren për të izoluar vatrën aktive dhe për të penguar përhapjen e mëtejshme të flakëve drejt banesave të tjera.
Autoritetet po monitorojnë situatën, ndërsa ndërhyrja vazhdon në një zonë ku era po e vështirëson shuarjen e plotë të zjarrit./ZËRI
Zjarr në Levan të Fierit, flakët djegin stallën dhe makineritë bujqësore
FIER-Dëme të mëdha ka shaktuar zjarri në Levan të Fierit, pasi flakët kanë përfshirë një stallë bagëtish dhe kanë shkrumbuar pajisje bujqësore që ndodheshin brenda saj. Sipas informacioneve nga vendngjarja, zjarri ka djegur edhe sasi të konsiderueshme ushqimi të rezervuar për bagëtitë, duke rritur dëmet materiale të shkaktuara nga flakët.
Në terren ndërhynë menjëherë ekipet e shërbimit zjarrfikës, të cilat punuan për izolimin e vatrës dhe shmangien e përhapjes së mëtejshme të zjarrit në zonën përreth. Falë ndërhyrjes së tyre, u bë e mundur shpëtimi i më shumë se 20 krerëve të lopëve, duke parandaluar pasoja edhe më të rënda për fermën.
Autoritetet vijojnë punën për neutralizimin e plotë të vatrës së zjarrit dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara./ZËRI
Zjarr i madh në Levan të Fierit, digjet një banesë dhe evakuohen familjet (VIDEO)
FIER- Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë zonën e Radostinës në bashkinë e Fierit, ndërsa flakët janë përhapur në drejtim të Levanit, duke rritur rrezikun për banesat dhe bizneset pranë vatrës së zjarrit. Gjatë avancimit të flakëve është djegur një ndërtesë e pabanuar, ndërsa disa banesa të tjera kanë qenë të rrezikuara, për arsye sigurie jan evakuar familjet.
Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me ullishte dhe shkurre, ndërsa era ka favorizuar përhapjen e tij në disa drejtime. Flakët iu afruan edhe dy lokaleve pranë Qafës së Koshovicës, duke e bërë ndërhyrjen edhe më të vështirë. Për shkak të situatës së krijuar, është ndërprerë përkohësisht edhe qarkullimi në linjën hekurudhore Fier–Vlorë, ndërsa tymi i dendur ka mbuluar zonën përreth.
Shërbimet zjarrfikëse dhe autoritetet vijojnë operacionin në terren për izolimin e vatrave aktive dhe vënien e plotë të zjarrit nën kontroll./ZËRI
Zjarr në Gostimë të Cërrikut, ndërhyrja e shpejtë shmang rrezikun për banesat (VIDEO)
CËRRIK- Pasditen e kesaj te premteje në lagjen Hoxhalinj të fshatit Shtepanjë në Njësinë Administrative Gostimë të bashkisë Cërrik, eshtë regjistrua një vatër zjarri duke ngritur shqetësime për përhapjen e flakëve pranë zonës së banuar. Pas sinjalizimit të bërë, shërbimi zjarrfikës reagoi menjëherë dhe nisi operacionin për izolimin e vatrës së zjarrit.
Në terren u angazhuan dy ekipe me dy automjete zjarrfikëse dhe gjashtë efektivë, të cilët punuan për të frenuar avancimin e flakëve dhe për të mbrojtur banesat përreth. Falë ndërhyrjes në kohë, zjarri u vu nën kontroll, duke parandaluar përhapjen e tij drejtë banesave dhe sipërfaqeve të tjera me bimësi. Puna e ekipeve u përqendrua në shuarjen e plotë të vatrës dhe eliminimin e çdo rreziku për riaktivizim të flakëve./ZËRI
Zjarr në Bilaj të Krujës, flakët afrohen pranë banesave
KRUJË- Një zjarr është përhapur në fshatin Bilaj të Krujës, duke krijuar rrezik për banesat që ndodhen pranë vatrës së flakëve. Sipas informacioneve nga terreni zjarri ka rënë në një zonë me shkurre, ferra dhe bimësi të dendur, ndërsa era po ndikon në përhapjen e tij me shpejtësi drejt zonës së banuar.
View this post on Instagram
Në momentet e para të ngjarjes nuk janë konstatuar në vendngjarje forcat zjarrfikëse apo ekipet e emergjencave. Ndërkohë, oficeri i Policisë së zonës ka ndërhyrë menjëherë, duke u përpjekur me mjete rrethanore të frenojë avancimin e flakëve deri në mbërritjen e ndihmës.
Banorët e zonës vijojnë të ndjekin me shqetësim zhvillimin e situatës, ndërsa pritet ndërhyrja e shërbimeve zjarrfikëse për neutralizimin e plotë të vatrës së zjarrit./ZËRI
Tym dhe flakë në kodrat e Radostinës, zjarri rrezikon lokalet në Levan, pronarët evakuojnë stafin: Duhet ndërhyrje nga ajri
FIER-Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë kodrat e Radostinës. Flakët po përhapen me shpejtësi drejt zonës së Liqenit të Levanit, duke rrezikuar bizneset dhe banesat. Zjarri ka prekur kurorën mbi lokale dhe ndodhet rreth 200 metra larg tyre.
Pronarët e lokaleve kanë nisur të largojnë stafin dhe klientët, ndërsa po nxjerrin nga ambientet edhe disa mjete dhe orendi, për të shmangur dëmet e mundshme në rast se flakët arrijnë tek objektet. Ata kanë kërkuar ndërhyrje nga ajri për të shmangur dëmet e mundshme në rast se flakët arrijnë tek objektet.
Zjarrfikësit po punojnë për shuarjen e flakëve që favorizohen nga era e fortë duke vështirësuar ndërhyrjen. Një tjetër problem për ekipet zjarrfikëse mbetet terreni i thyer.
Zjarri në Lezhë jashtë kontrollit, kërkohet ndërhyrje nga ajri! 10 shtëpi të djegura, 200 hektarë tokë e shkrumbuar
LEZHË-Vijon 'lufta' me flakët për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë fshatrat Kalivaç dhe Zimaj, në Njësinë Administrative Ungrej, Bashkia Lezhë. Situata mbetet problematike ku një vatër zjarri me intensitet të lartë është shtrirë në tri pika.
Në fshatrat Kalivaç e Zimaj, raportohet paraprakisht të jenë djegur 200 hektarë. Shkalla e plotë e dëmeve është ende në vlerësim, ndërsa sipas verifikimeve janë konstatuar 10 shtëpi të djegura. Forcat vijojnë punën për izolimin e vatrave dhe shuarjen përfundimtare të zjarrit, ndërsa është kërkuar edhe ndërhyrje nga ajri.