Studentët e Mjekësisë nuk dorëzohen, bllokojnë qarkullimin te 9-katëshet

TIRANË- Një ditë pasi Universiteti i Mjekësisë nxori tarifën e studimeve prej 2.4 milionë lekësh për studentët e Mjekësisë që nuk pranojnë marrëveshjen me qeverinë, për punën e detyrueshme në Shqipëri, të rinjtë kanë pushtuar sërish sot rrugët e kryeqytetit.
Studentët e Mjekësisë shprehen kundër tarifës, ndërkohë që kanë nisur marshimin nga Universiteti i Mjekësisë në drejtim të Ministrisë së Arsimit. Në një moment të protestës së tyre studentët janë ulur në mes të rrugës dhe kanë bllokuar qarkullimin.
Thirrjet e studentëve kanë qenë të shumta, si: Ne studimet nuk i lëmë, por dorëheqjet duhen dhënë. Ata kanë kërkuar dorëheqjen e zëvendësministres së arsimit Albana Tole, për shkak të deklaratave të saj, se studentët që nuk kanë mundësi të paguajnë tarifën e plotë, të lënë studimet në mes, ose të nënshkruajnë marrëveshjen.
Studentët e viteve të para- Punësim i detyruar për 5 vite në Shqipëri, nuk kanë të drejtë zgjedhje
Studentët nga viti i 2-të deri në vitin e 5-të- 3 vite punësim i detyruar në Shqipëri, ose tarifë 2.4 milionë lekë
Studentët e vitit të 6-të- 2 vite punësim i detyruar në Shqipëri, ose tarifë 2.4 milionë lekë
Prej dy javësh studentët e Mjekësisë kanë bojkotuar auditoret, me shpresën se protesta e tyre do të dëgjohet, por megjithatë shanset që kjo të ndodhë janë të pakta, pasi Universiteti ka vijuar me procedurat e përpilimit të kontratave. Studentët edhe dje protestuan dhe marshuan në drejtim të Ministrisë së Arsimit, ndërkohë që mbetet në pikëpyetje vijimi i vitit akademik. /Zëri.ai