“Plumbi i Artë 2” zbardh vrasjen e Andi Zylyfit dhe atentatin e Irfan Hazizit
TIRANË-Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur dhe vrasjen në rrethana misterioze të Andi Zylyfit, i cili kishte lidhje familjare me Endrit Alibeaj, i cili u ekzekutua në rrethrrotullimin e Bradasheshit bashkë me dy persona të tjerë. Nga dosja hetimore rezultoi se Fatos Gosa i arrestuar në saj të operacionit “Plumbi i Artë”, ka qenë informatori i vrasësve me pagesë. SPAK ka zbardhur dhe atentatin e mbetur në tentativë ndaj biznesmenit Irfan Hazizi në Nëntor të vitit 2020 në Berat para një karburanti.
Vrasja e Andi Zylyfit 13 dhjetor 2019
Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Përparim në rrugën nacionale Elbasan-Peqin. Edhe pse 26-vjeçarit u tentua t’i jepej ndihma e shpejtë, ai mbërriti pa shenja jete në spital. Ndërkohë, nga të shtënat me breshëri, mbeti i plagosur rëndë edhe Ardit Uruçi, 23- vjeç, banues në fshatin Përparim.
Atentati ndaj dy të rinjve u bë teksa ishin së bashku në një makinë tip ‘Golf’, ndërsa dyshohet për larje hesapesh mes bandash. Fatos Gosa, ka qenë duke luajtur domino me babanë e Andi Zylyfit, kur e ka parë këtë të fundit teksa lëvizte dhe u ka treguar autorëve vendndodhjen e saktë të tij, ku më pas edhe u ekzekutua. Pas atentatit, autorët u larguan në drejtim të pa ditur. 26-vjeçari Andi Zylyfi, i cili humbi jetën nga plagët e marra, ka lidhje familjare me dy personat që kanë mbetur të vrarë në atentatin e Bradasheshit të Elbasanit.
Konkretisht, Andi Zylyfi ishte, djali i hallës së Endri Alibej, ku ky i fundit u ekzekutua për pazare droge, Andi Zylyfi kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga emigrimi kur u vra. Të akuzuar për këtë vrasje janë Talo Çela (koka e grupit), Nuredin Dumani, Klevis Alla, Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva.
Atentati ndaj Irfan Hazizit
Ngjarja ndodhi në Nëntor të vitit 2020 në Berat para një karburanti. Talo Çela (koka e grupit), Nuredin Dumani, Klevis Alla, Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva janë të akuzuar për “Vrasje me paramendim”, të mbetur në tentative kundrejt Irfan Hazizit.
Operacioni i SPAK, zbardhet atentati ndaj vëllezërve Klevi dhe Eraldo Baho në Elbasan

TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur dhe atentatin e bërë ndaj dy vëllezërve Baho në Peqin, ku njëri prej tyre Klevi Baho, mbeti i vdekur, ndërsa vëllai tjetër, Eraldo (Aldo) Baho, u plagos rëndë. Ngjarja ndodhi mesnatën e 1 korrikut 2019, vetëm 1 muaj pasi Klevi Baho kishte dalë nga një burg në Belgjikë.
Por si ka ndodhur ngjarja?
Sipas raportimeve, autori i është afruar dy vëllezërve: Ti je Kevi...?,"-i ka thënë asokohe 22-vjeçarit. Por ky i fundit i është përgjigjur shkurt: Nuk jam unë…! Është larguar dhe në atë moment i ka telefonuar vëllait të tij, i cili ka mbërritur menjëherë me automjetin tip “Audi” me targë AA 33 AZ. Të dy kanë hipur në makinë dhe janë larguar në drejtim të banesës së tyre që ndodhet më shumë se dy kilometra larg nga rruga nacionale.
Sapo dy vëllezërit kanë marrë rrugën drejt shtëpisë, pas tyre është vënë një tjetër automjet, një Benz, i cili ka nisur të qëllojë me armë teksa makinat ishin në ecje. Me plumba në kokë dhe trup, Klevi Baho ka mundur të dalë nga makina, ndërsa vëllai i tij ka mbetur aty dhe ndihmën e parë ja kanë dhënë familjarët që dolën menjëherë pasi dëgjuan të shtënat. E kanë dërguar me urgjencë pranë spitalit kirurgjik në Elbasan nga ku raportohet se ka marrë tre plumba në shpatull, ndërsa prej afro 40 minutash nuk kanë mundur të gjejnë djalin e vogël të tyre./ZËRI
Aksioni i SPAK/ Zbardhet masakra e Bradasheshit dhe vrasja e Klevis Kapllanit

ELBASAN- Detaje të reja janë mësuar nga aksioni që po zhvillohet nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për kapjen e disa eksponentëve të botës së krimit. Mësohet se hetuesit e SPAK kanë zbardhur autorët dhe porositësit e masakrës së Brasheshit, por edhe vrasjen e Klevis Kapllanit.
Si ndodhi MASAKRA E BRADASHESHIT
Tre ditë para ndryshimit të viteve në dhjetor të 2018-ës, 3 persona, mes tyre edhe një shtetas turk, u vranë me breshëri kallashnikovi brenda makinës tip “Range Rover”. Dy shqiptarët e vrarë ishin Endrit Alibej 34 vjeç; Arben Dylgjeri, 56 vjeç, të dy kushërinj me njëri-tjetrin dhe Erdal Durunay, 51 vjeç. Shqiptarët sapo ishin kthyer për të kaluar festat e fundvitit me familjarët e tyre, kur në afërsi të Kombinatit Metalurgjik një makinë u ka zënë pritë dhe i ka qëlluar pa mëshirë. Famtmirësisht plumbat kanë kursyer makinat para ‘Range-t’ me targa rumune, ku po udhëtonin gratë e fëmijët e të vrarëve. Në 3 makinat ndodheshin 5 gra dhe 3 fëmijë.
Vrasja e Klevis Kapllanit
Klevis Kapllani ishte miku i tij i ngushtë, por nuk u kursye nga Nuredin Dumani, i cili e ekzekutoi me armë zjarri në Rrogozhinë, vetëm 200 metra larg banesës së tij. Nuredin Dumani dhe Klevis Kapllanaj kanë qenë miq të ngushtë mes njeri-tjetrit, por pas vrasjes së Emiljano Ramazanit, Dumanit i ‘shkoi’ në mendje ta eliminonte bashkëpunëtorin e tij për të mbuluar ekzekutimin në Elbasan. Ky plan i Dumanit u përforcua më tej, kur u fut në sherr me Kapllanin për një sasi parash. Kështu që armën që deri dje e kishte drejtuar ndaj kundërshtarëve të tij, nuk ia kurseu as shokut në 2020. Por asokohe emri i tij nuk ishte aq i njohur, madje konsiderohej thjesht si një ish-drejtues i një grupi prostitucioni./ZËRI
Operacioni i SPAK/ Arrestohet ish-shefi i Krimeve në Pogradec, Agostin Cinari

POGRADEC- Detaje të reja janë mësuar nga aksioni i SPAK. Në pranga raportohet se ka përfunduar edhe ish-shefi i Krimeve në Pogradec, Agostin Cinari.

EMRAT- Kë po kërkon SPAK? Nga Çopjat tek Talo Çela, 10 janë "zhdukur"

TIRANË- Zbardhen emrat e personave për të cilët janë prerë urdhërarrestet nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. SPAK kërkon prangosjen e: Hajdar Çopja, Martin Musaj, Pajtime Fetau, Mikael Qosja, Guri Biba, Renato Masuku, Armis Stafa, Maksim Koci, Erzen dhe Franc Çopja, Leonard Rragami, Altin Kamami, Rexhino Doçi, Arben Lamçja, Eljo Bitri, Dorian Dyli, Matilda Hoxholli, Denada Todi, Flobenc Meçja, Arsen Mema, Elvis Daka/Dragoviç.
Por po ashtu, raportohet se masë sigurie është lëshuar edhe për dy oficerë policie, por emrat e tyre nuk janë bërë ende me dije. Gjithsej në Elbasan janë mbi 10 persona që janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre. Por me shumë gjasa agjentët e SPAK dhe Policia e Shtetit nuk do t'i gjejë, pasi janë eksponentë të rrezikshëm të krimit, që prej kohësh po fshihen në Dubai./ZËRI
Aksioni i SPAK/ Arrestohet Martin Musaj, zv.drejtori i burgut të Bradasheshit

ELBASAN- Prangat i janë "tundur" sot para fytyrës edhe zëvendësdrejtorit të burgut të Bradasheshit, Martin Musaj. Ky i fundit është vendosur në pranga pasi dyshohet se ka lidhje me bandat e Elbasanit. Emri i tij raportohet se ka dalë nga përgjimet e zbardhura në aplikacionin "SkyECC", por edhe nga të penduarit e drejtësisë që kanë zbuluar autorët dhe porositësit e disa ngjarjeve kriminale në qytetin e Elbasanit./ZËRI
MEGAAKSIONI I SPAK/ U arrestua në Dubai, 'urdhërarrest' edhe për “Darin e Elbasanit”, do vriste me 300 mijë euro "Krymin"

ELBASAN- Detaje të reja janë mësuar nga aksioni që po zhvillon Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mësohet se një masë sigurie është "prere" për Hajdar Bakon, alias Hajdar Çopja, i cili gjithashtu njihet me nofkën "Dari i Elbasanit”. Bako u arrestua më 22 maj të këtij viti në Dubai pasi është i dënuar me 4 vite burg për plagosje me dashje. Emri i tij më herët është përmendur nga i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, që e akuzon për përfshirjen në disa ngjarje kriminale në qytetin e Elbasanit.
Kush është Dar Çopja?
Hajdar Çopja është një personazh i njohur në Elbasan dhe Dubai për shkak edhe të përplasjes me vëllezërit Alibej. Ai rezulton në dosjen e SPAK mbi Nuredin Dumanin dhe deklarimet e tij para prokurorëve. I shpalluri në kërkim dhe vëllezërit e tij, Ervini dhe Francis Bako së fundmi u përmendën edhe në dëshminë e dhënë në SPAK nga Nuredin Dumani, i cili ekspozon si financues, për vrasjen e Arjan Spahisë në Belgjikë, ekzekutimin e trefishtë në Bradashesh dhe planet për të vrarë Erion Alibejn.
“…Arjan Spahiu, që mbeti i vrarë në Belgjikë, ka qenë në listë për tu ekzekutuar nga vëllezërit Çopja, të cilët janë financuesit. Talo Çela, më ka thënë mua që nëse kryeja vrasjen e Arjan Spahisë, do më jepte 300 mijë euro…,”-ka treguar Dumani.
Duke qenë se aksioni i sotëm është i bazuar në zbardhjen e bisedave në "SkyECC", ka dyshime se urdhërarresti për të është prerë pasi akuzohet për tentativën e vrasjes së "Krymit", Erion Alibejt në Elbasan./ZËRI
SPAK zhvillon megaoperacion në vend, arrest shtëpie për ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu

TIRANË- Një aksion i drejtuar nga SPAK po zhvillohet aktualisht në disa qytete. Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën për 30 masa sigurie të kërkuara nga SPAK. Një prej tyre është edhe për ish-gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu. Gazetarja Anila Hoxha bën me dije se ish-gjyqtarja e shkarkuar nga Vettingu, është vendosur në masë sigurie "arrest shtëpie".
Ish-gjyqtarja e Elbasanit Pajtime Fetahu dha vetë dorëheqjen duke mos iu nënshtruar filtrit të Vettingut, duke i dhënë fund karrierës së saj nga sistemi i drejtësisë. Në dorëheqjen e saj 2 vite më parë, ajo ka pretenduar se është e sëmurë. Por dorëheqja e saj përkonte me thirrjen që i kishte ardhur një ditë më parë nga Komisioni i Vettingut, ku i kërkohej që të paraqitej për t’u njohur me rezultatet e hetimit gati dyvjeçar./ZËRI
RENEA&FNSH zbarkojnë në Tiranë, Elbasan e Durrës/ SPAK në AKSION, 30 masa sigurie, kush ka rënë në "rrjetë"?

TIRANË- Një aksion ka nisur nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në kuadër të aksionit të nisur nga SPAK, forcat RENEA dhe FNSH po zhvillojnë një aksion në Tiranë, Durrës dhe në Elbasan, por edhe në disa qytete të tjera. Aksioni po zhvillohet kundër krimit të orgnaizuar, por ende nuk dihet se kush është në listë për t'ju vënë prangat nga SPAK.
vijon...