LIVE UPDATES

Skandali te Onkologjiku/ GJKKO lë në fuqi masat për mjekët, Gashi në merak: Kam pacientët...Pere e inatosur sërish me gazetarët

➤ Mjekët e Spitalit të Onkologjikut janë paraqitur sot të gjithë para Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por asgjë nuk ka ndryshuar. ➤ GJKKO ka lënë në fuqi masat e sigurisë të cilat ishin vendosur nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë. ➤ Seanca për mjekët duhet të kishte nisur që në orën 11.00, por është shtyrë për në 14.00, pasi avokatët kanë kërkuar të njihen me vendimin e kalimit të dosjes në SPAK. ➤ Kërkesa është bërë nga avokatja e Edmond Gashit, e cila pretendon se kjo çështje nuk është kompetencë që të gjykohet nga Gjykata e Posaçme. ➤ Ndërkohë që gjatë seancës së sotme, po avokatja mbrojtëse e Gashit kërkoi lirimin e klientit të saj me pretendimin se duhet të kthehet në spital për t'u kujdesur për pacientët. ➤ Megjithatë pretendimet nuk u morën parasysh. ➤ Tashmë dosja është në dorë të SPAK pasi Prokuroria e Tiranës shpalli moskopetencën. Ndaj të gjithë të arrestuarve rëndojnë akuzat: kontrabandë ilaçes, korrupsion dhe shpërdorim detyre.

4 artikuj për këtë temë.
10 MUAJ ME PARE

Përfundon seanca/ GJKKO lë në fuqi masat, mjekët e Onkologjikut asnjë koment për mediat, Pere 'shtyn' mikrofonat

Skandali te Onkologjiku/ GJKKO lë në fuqi masat për mjekët,
Alketa Pere

TIRANË-GJKKO ka lënë në fuqi masat e sigurisë për mjekët dhe zyrtarë të spitalit Onkologjik, të akuzuar se nuk i ofronin shërbim pacientëve dhe i orientonin ata te klinika private e mjekut Edmond Gashi. Në përfundim të seancës, asnjë nga mjekët e akuzuar nuk ka dhënë koment për mediat, por siç shihet në pamjet më poshtë janë larguar me vrap nga ambjentet e SPAK.

Mjekje Alketa Pere, ish-zv.drejtoresha e QSUT, Brikena Qirjazi, koordinatori i Onkologjikut, Emiljano Lela dhe ish-specialistja Drilona Kishta janë lënë në masën detyrim paraqitje. Ndërkohë, masa arrest në shtëpi është në fuqi për farmacistin Florian Marku, ndërsa Halil Gashi administrator i klinikës Megis është lënë në detyrim paraqitje. 

Ndërkohë, avokatët e të pandehurve kanë kërkuar që çështja ndaj tyre të mos hetohet nga Prokuroria e Posaçme, por t’i kalojë Prokurorisë së Tiranës. Mësohet se nëse kjo kërkesë e tyre rrëzohet, ata kërkojnë masa më të buta sigurie.

Masat në fuqi për të akuzuarit e dosjes 'Onokolgjiku':
-Edmond Gashi, mjek onkolog në spitalin e Onkologjikut– “Arrest shtëpie”
-Alketa Pere Ymeri mjeke onkolog në spitalin e Onkologjikut – “Detyrim paraqitje” 
-Brikena Qirjazi Ish zv.drejtoreshë e QSUT - “Detyrim paraqitje” 
- Emiljano Lela Koordinatori pranë onkologjikut - “Detyrim paraqitje” 
-Drilona Kishta ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë - “Detyrim Paraqitje”
-Halil Gashi administrator i klinikës  Megis, babai i mjekut Gashi – “Detyrim paraqitje” 
-Florian Marku administrator farmacie  – “Arrest shtëpie”

ZËRI ka zbardhur dosjen e Prokurorisë së Tiranës, ku sqaron të gjitha rolet që kanë pasur personat e përfshirë në skemën e mashtrimit, ku ata që e pësonin, ishin pacientët. Pacientët që drejtoheshin pranë dyerve të Onkologjiku, u flisnin për radhë të gjata pritjeje, ndërsa Edmond Gashi, u ofronte zgjidhje, i dërgonte në klinikën private, aty ku ndante fitimin me të tjerët./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Edmond Gashi në merak: Më lironi nga "arresti i shtëpisë", më presin pacientët

Skandali te Onkologjiku/ GJKKO lë në fuqi masat për mjekët,
Edmond Gashi

TIRANË- Mjeku i spitalit Onkologjik, Edmond Gashi ka bërë mbrojtjen e vetes para trupës gjykuese të Gjykatës së Posaçme. Duke qenë se aktualisht është në masën e sigurisë "arrest shtëpie", mjeku Gashi ka kërkuar lirinë me pretendimin se nuk po lejohet që të ushtrojë detyrën dhe të kujdeset për pacientët e tij.

“Ju lutem hiqeni masën e sigurisë, po më pengoni të ushtroj profesionin e mjekut. Janë 50 biopsi që kanë dalë dhe presin ndërhyrje,”-tha ai para Gjykatës. Megjithatë, ishte i njëjti mjek që në përgjimet e zbardhura në Prokurorinë e Tiranës, pasi informohej se pacientët e tij ishin me temperaturë, ai përgjigjej thjesht me: Vari leshtë! Por duket se koha e kaluar në masën e sigurisë "arrest shtëpie" e ka bërë të reflektojë.

Aktualisht ndaj kirurgut është ngritur akuza e “Shpërdorimit të detyrës” dhe Edmond Gashi është lënë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. ZËRI ka zbardhur dosjen e Prokurorisë së Tiranës, ku sqaron të gjitha rolet që kanë pasur personat e përfshirë në skemën e mashtrimit, ku ata që e pësonin, ishin pacientët. Pacientët që drejtoheshin pranë dyerve të Onkologjiku, u flisnin për radhë të gjata pritjeje, ndërsa Edmond Gashi, u ofronte zgjidhje, i dërgonte në klinikën private, aty ku ndante fitimin me të tjerët./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Herën e fundit u ankua për fotot, sot POZOI vetë siç donte/ Gazetarët komplimenta Alketa Peres: Bukur sot!

Skandali te Onkologjiku/ GJKKO lë në fuqi masat për mjekët,
Alketa Pere

TIRANË- Ndryshe nga hera e fundit, mjekja e spitalit Onkologjik, Alketa Pere i ka marrë masat vetë për të dalë "bukur" në pamjet që po filmoheshin nga gazetarët teksa futej në GJKKO. Me një telefon në dorë, ajo ka pozuar për gazetarët, të cilët edhe e komplimentuan për dukjen e saj: Besoj bukur sot!

Alketa Pere është paraqitur sot në ambientet e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku edhe do të njihet me masën e sigurisë për skandalin në pavionin ku ajo ishte e punësuar. Por ndryshe nga dalja e fundit në publik, ku Pere iu ankua gazetarëve se nuk e kishin nxjerrë mirë në foto, kësaj here duket e buzëqeshur./ZËRI

10 MUAJ ME PARE

Skandali te Onkologjiku, mjeku Edmond Gashi mbërrin në SPAK

Skandali te Onkologjiku/ GJKKO lë në fuqi masat për mjekët,
Edmond Gashi

TIRANË- Mjekët e spitalit Onkologjik do të gjykohen nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. I pari që ka shkuar për të marrë pjesë në gjyq ishte mjeku Edmond Gashi. Ai bashkë me kolegët e tjerë që akuzohen për disa vepra penale me shumë gjasë do të njihen sot me masa të reja sigurie, ndryshe nga ato të vendosura nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës. Kjo pasi SPAK ka shtuar akuzat që rëndojnë mbi mjekët, duke përfshirë: kontrabandë ilaçesh, shpërdorim detyre dhe korrupsion. Dy nga veprat penale ishin ngritur edhe nga Prokuroria e Tiranës, e cila shpalli moskompetencë për çështjen, ndërsa me kalimin në SPAK është ngritur edhe një tjetër akuzë ajo e korrupsionit.

Në SPAK, dosja është marrë në dorëzim nga hetuesi Elvin Gokaj, i cili ka dhënë urdhër që të hetohen edhe disa farmaci që dyshohet se kanë kryer kontrabandë ilaçesh. Megjithatë deri më tani nuk dihet se për cilat farmaci bëhet fjalë. Disa prej tyre kanë dalë edhe në hetimin e Prokurorisë së Tiranës, por ndaj tyre nuk është ngritur asnjë akuzë. Të gjithë të akuzuarit janë personel mjekësor, e po ashtu, mungojnë drejtuesit e tyre. 

Çfarë ka ndodhur tek Onkologjiku?

Mjekët e punësuar në spitalin shtetëror "Nënë Tereza", kanë shpërdoruar detyrat, duke mos iu dhënë qytetarëve, shërbimin e nevojshëm në spitalin shtetëror, por duke i orientuar ata në spitale private, për të marrë shërbimet që kërkonin. Në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë, i cili nuk vihej në punë dhe ishte jashtë standardeve, duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit, është bërë e mundur që ky burim të zhvendoset në vendin e përcaktuar. Në kuadër të këtij procedimi është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara të kontrabanduara dhe të falsifikuara, shuma 10 000 euro, si dhe një klinikë mjekësore. Aktualisht, me urdhër të Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” mjekët dhe koordinatori i spitalit të Onkologjikut janë pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve./ZËRI

Poll

MOS HUMB