Biden thotë se Shërbimi Sekret ka nevojë për “më shumë ndihmë”, pas atentatit ndaj Trumpit

SHBA-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të hënën se Shërbimi Sekret ka nevojë për “më shumë”, një ditë pasi agjentët e parandaluan një tjetër përpjekje për ta vrarë ish-presidentin Donald Trump. Trump shpëtoi pa u dëmtuar pas një “tentimi për ta vrarë atë” në klubin e tij të golfit në Floridë më 15 shtator, tha Byroja Federale e Hetimeve, FBI.
Ky incident, i cili ndodhi vetëm nëntë javë pasi Trumpi i mbijetoi një atentati në Pensilvani, ka ngritur pyetje për sigurinë e kandidatit të republikanëve për president vetëm 50 ditë para zgjedhjeve tejet të polarizuara presidenciale në Shtetet e Bashkuara. FBI-ja dhe shteti i Floridës janë duke hetuar se si një i dyshuar 58-vjeçar ishte në gjendje të afrohej disa qindra metra afër Trumpit me një pushkë dhe dylbi.
FBI-ja tha se është duke e kryer një hetim ndaj “asaj që duket të jetë një tentim për ta vrarë ish-presidentin Trump” dhe për votimet e mundshme.
Presidenti Biden tha për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë të hënën: Një gjë dua ta bëj të qartë, Shërbimi [Sekret] ka nevojë për më shumë ndihmë, dhe mendoj se Kongresi duhet t’u përgjigjet nevojave të tyre, tha Biden.
“Falë Zotit presidenti është mirë. Mendoj se kemi nevojë për më shumë personel”, shtoi ai.
Pas incidentit, Trump i lartësoi Shërbimin Sekret dhe policinë, duke i quajtur “patriotë të guximshëm dhe të përkushtuar” për garantimin e sigurisë së tij. As FBI-ja, e as policia nuk e kanë bërë të ditur emrin e të dyshuarit, por mediat amerikane si, CNN, Fox News, CBS News dhe New York Times, e kanë identifikuar atë si Ryan Wesley Routh, një 58-vjeçar banor i Havait.
Routh është punëtor ndërtimi me një histori të gjatë telashesh me policinë, sipas të dhënave publike. Ai u zhvendos në Havai disa vite më parë nga Karolina e Veriut dhe ka shprehur mbështetje për demokratët dhe për Ukrainën në llogaritë e veta në rrjetet sociale, përfshirë duke kërkuar grumbullimin e të hollave për mbrojtjen e Ukrainës.
Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka thënë se ndihet i lumtur që Trumpi nuk është dëmtuar dhe që tani është i siguruar.
“Është gjë shumë e mirë që i dyshuari për tentim vrasje është arrestuar shpejt”, tha Zelensky në X.
Në Moskë, Kremlini tha se lidhjet e të dyshuarit me Ukrainën tregojnë se Uashingtoni po “luan me zjarrin” me politikën e saj mbështetëse për Kievin, i cili po lufton për t’i zmbrapsur forcat pushtuese të Rusisë. Mediat amerikane raportuan se Routh ka postuar shpesh në rrjetet sociale për luftën në Ukrainë dhe ka pasur uebsajte ku ka kërkuar grumbullimin e të hollave dhe rekrutimin e vullnetarëve për të shkuar në Kiev për t’iu bashkuar luftës kundër pushtimit të plotë të Ukrainës, që Moska e nisi në shkurt 2022./REL
Çfarë dihet për Ryan Wesley Routh, e vetmja e dhënë e fortë që FBI ka për sulmin ndaj Trump

SHBA- Ryan Wesley Routh, një ish-kontraktor ndërtimi është i dyshuari kryesor në përpjekjen për të vrarë kandidatin e republikanëve për president, Donald Trump. Ky i fundit në momentin e ngjarjes, po luante golf në Palm Beach. Është hera e dytë që Trump përballet me një atentat dhe Shërbimi Sekret nuk arrin të mbrojë ish-presidentin republikan.
Ryan Wesley Routh nuk ka asnjë trajnim ushtarak, megjithëse u përpoq të rekrutonte vullnetarë për të luftuar kundër forcave ruse që pushtuan Ukrainën.
"Unë jam i gatshëm të fluturoj në Krakov. Jam i gatshëm për të dalë vullnetar, për të luftuar dhe për të vdekur,"-postoi Routh në X (ish-Tëitter) në fillim të vitit 2022.
Si ndodhi ngjarja?
Agjentët e Shërbimit Sekret po lëviznin prapa dhe përpara mjetit që po përdorte në fushën e golfit, kur vunë re një tytë pushke që kishte marrë drejtimin e tyre. Pa humbur asnjë sekondë, roja qëlloi.
"Kishte katër të shtëna,"- zbuloi Rafael Barros, një agjent special i vendosur në Miami.
Pasi iu kundërpërgjigjën me të shtëna, Routh e braktisi armën e tij, bashkë me dy çanta shpine dhe një kamerë GoPro që kishte me vete dhe hipi në kamionin e tij të zi "Nissan". Në atë moment, një banor i zonës ka bërë një foto, të cilën e vendosi në dispozicion të autoriteteve vendore.
Pak më vonë, 60 kilometra larg klubit të golfit, Routh u arrestua në autostradën I-95.
Në kohën e sulmit, Trump po luante golf me Steve Witkoff , një investitor i pasurive të paluajtshme në Nju Jork. Kur u dëgjuan të shtënat, të dy miqtë ishin në vrimën e gjashtë dhe po flisnin për fushatën presidenciale. Pa humbur asnjë sekondë, roja i shërbimit sekret mbrojti Trump dhe ëitkoff me trupin e tij.
Shërbimi Sekret përforcoi ekipin e mbrojtjes së Trump pas atentatit në Butler, Pensilvani, më 13 korrik. Ky përforcim, i cili përfshin agjentë shtesë dhe inteligjencë më të mirë në terren, mund të kishte luajtur një rol kyç në parandalimin e një sulmi të drejtpërdrejtë ndaj ish-presidentit.
Një zëdhënës i administratës Biden tha se ende nuk ka ende indikacione që e lidhin Routh me një organizatë politike ose një komplot nga jashtë vendit. 7 javë para zgjedhjeve , siguria e Trump u bë çështje shtetërore. Kandidati republikan deri më tani ka qenë shënjestra e dy atentateve në një kohë të shkurtër dhe kontrollet e sigurisë kanë dështuar herë pas here.
Aktualisht, Routh është në paraburgim dhe po merret në pyetje nga agjentët e FBI-së./ZËRI
Sërish atentat ndaj Donald Trump? Kush është i dyshuari i arrestuar për sulmin me armë pranë fushës së golfit të ish-presidentit
UASHINGTON- FBI ka arrestuar një person si të dyshuarin kryesor për atentatin në tentativë ndaj kandidatit republikan për president Donald Trump. Sulmi ndodhi dje pranë fushës së tij të golfit, teksa ai po luante në West Palm Beach, Florida. Mësohet se i dyshuari është 58-vjeçari Ryan Wesley Routh nga Hawaii.
Sherifi i Qarkut Palm Beach tha në një konferencë për shtyp se personi i armatosur po fshihej në shkurre pranë fushës së golfit kur agjentët e Shërbimit Sekret, të cilët po kontrollonin terrenin përpara se Trump të zbriste në fushë, panë tytën e armës. Agjentët qëlluan në drejtim të tij dhe ai hodhi një armë të tipit AK-47, dy çanta shpine dhe sende të tjera dhe u largua me një Nissan të zi.
Një dëshmitar e pa sulmuesin dhe arriti të bënte një foto të makinës dhe targave të tij, gjë që bëri që zëvendësit e sherifit ta dallonin dhe ta ndalonin atë në një qytet fqinj.
“Ai është aktualisht në paraburgim”, tha Sherifi i Qarkut Palm Beach, Ric Bradshaw.
Trump u dërgua në siguri sapo u vu re sulmuesi. Ai më pas ka bërë të ditur vetë në rrjetet sociale se është mirë. Një zyrtar i policisë, i cili foli në mënyrë anonime, tha se Trump ishte 300-400 metra larg nga sulmuesi.
Ndërsa, djali i të dyshuarit, Oan Routh, tha se babai i tij është një njeri i dashur që nuk do të bënte diçka të tillë.
“Unë nuk e di se çfarë ndodhi në Florida dhe shpresoj se gjithçka është e ekzagjeruar. Ai nuk është një njeri që do të bënte diçka të tillë. Ai është një baba shumë i dashur dhe i përkujdesshëm”, tha Oran në një deklaratë për CNN.
BBC Verify zbuloi profile të mediave sociale që përputhen me atë emër. Routh ishte një person që rekruetonte ushtarë të shkonin në Ukrainë për të luftuar forcat ruse. Në profilin e tij ka gjithashtu mesazhe pro-palestineze, pro-Tajvanit dhe anti-kineze, duke përfshirë akuzat se Covid-19 u krijua nga Kina. /ZËRI