Kuvendi VENDOS! Çështja Xhaçka nuk shkon në Kushtetuese, PS abstenon

TIRANË- "Turp, turp, t'ju vijë turp!,"-kështu u mbyll votimi për mandatin e deputetes së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka. Me 65 vota abstenim, 25 pro dhe 9 kundër, Kuvendi i Shqipërisë vendosi që të mos e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dosjen për shqyrtimin e mandatit të ish-ministres Xhaçka. Votat kundër nga PS u dhanë nga Bullari, Çela, Çyrbja, Gjiknuri, Sterkaj dhe Çuçi, ndërsa vetë Xhaçka nuk ishte fare në sallë në momentin e votimit.
Vendimi u mor pas kalimit në votim në seancë plenare të dy raporteve, një nga opozita dhe tjetri nga mazhoranca. Para votimit, në fjalën e tij, kreu i Grupit Parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, shprehu pakënaqësinë e tij për mosleximin e raporteve në seancë, duke pretenduar se maxhoranca po mban dy qëndrimet të ndryshme, duke krahasuar rastin e kryedemokratit Sali Berisha me atë të Xhaçkës.
Bardhi: Sipas rregullores, pas përfundimit të shqyrtimit nga Këshilli i Legjislacionit, ose raporti i përbashkët, ose i veçuar i mazhorancës dhe opozitës i prezantohet seancës plenare. Nuk ka ndodhur kurrë që Këshilli Legjislacionit të mos prezantojë pasi i ka paraqitur raportin kryetares së Kuvendit. Keni burgosur kryetarin e opozitës me pretekstin se s’ka zbatuar një vendim të shkallës së parë dhe krekoseni këtu me dy raste për të mos zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Dilni për zot votës tuaj në shkelmin të kushtetutës së Shqipërisë.
Spiropali: Siç e theksova raportet janë në faqe dhe janë bërë pjesë e rendit të ditës që u janë shpërndarë deputetëve. Dy raportet s’kanë mendime të ndryshme, rekomandojnë kalimin e çështjes për votim.
Ndërsa ndryshe nga Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Niko Peleshi, zgjodhi që të mos e komentonte çështjen para se të kalonte për votim.
Kjo është hera e tretë në dy vite që mandati i Xhaçkës kalon në Kuvend. Mocioni ndaj ish-ministres u ndërmor nga opozita në qershor 2022 pasi bashkëshorti i saj, Artan Gaçi u shpall investitor strategjik dhe iu dha me vendim qeverie e drejta e përdorimit të brigjeve të detit para hotelit. Edhe pse prona në fjalë është tashmë subjekt i Prokurorisë së Posaçme, kjo nuk i bën socialistët që ta lënë në dorë të drejtësisë mandatin e Xhaçkës. Në korrik, herën e fundit që u votua për mandatin e saj, Xhaçka foli për sulm politik nga opozita dhe sulmoi mediat e gazetarët si; “inkuizitorë”, “gjobaxhinj” dhe “snajperistë”.
Çështja e mandatit të Xhaçkës ka krijuar një precedent në marrëdhëniet mes Kuvendit dhe Gjykatës Kushtetuese, duke shmangur praktikën e mëparshme parlamentare, kur Kuvendi ka vendosur që të dërgojë për interpretim në gjykatë mandatet e deputetëve në rastet kur ndaj tyre ka pasur akuza apo indicie se kanë shkelur nenin 70 të Kushtetutës, që i ndalon ata të përfitojnë nga të mirat publike.
Ishte Gjykata Kushtetuese që doli në përfundimin se mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa dhe se deputetët janë të detyruar të votojnë e ta dërgojnë atë sa më shpejtë. Në daljet publike, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ia bëri të qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj./ZËRI
'E kam unë radhën'/ Rama në Kuvend, kërkon fjalën nga Spiropali, paqe PS-PD, Bardhi ‘konsultohet’ me Peleshin dhe Nasip Naçon

TIRANË- Seanca e sotme solli debate të shumta në Kuvend, ku një prej tyre ishte ajo mes deputetit të Partisë Demokratike Gazment Bardhit dhe Kryeministrit Edi Rama. Por para se të niste debati mes tyre, nga fotot e mëposhtme duket sikur Rama ka kërkuar radhën e fjalës nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali. Në foto të tjera, pas debatit me Ramën, Bardhi është kapur duke konsultuar me Niko Peleshin dhe Nasip Naçon.
View this post on Instagram
Megjithatë seanca nuk ka pasur vetëm debate. Duket se në të majtën, situata është pozitive pasi deputetët shihen duke komunikuar me njëri-tjetrin e duke buzëqeshur. /ZËRI
'S'ka ilaçe tek Onkologjiku'/ DEBAT në Kuvend, deputeti: Mjekët gënjejnë, mos qesh ministre! Koçiu: Mos bërtit se dëgjoj

TIRANË- Mungesa e barnave në spitalin Onkologjik është kthyer sërish në vëmendje të publikut. Disa ditë më parë, gazetari Osman Stafa zbuloi disa biseda në "chat-et" private të një mjeku dhe një kryeinfermieri, ku diskutonin për një mungesë të rëndësishme. Këto biseda i lexoi në Kuvend deputeti i pavarur Agron Shehaj duke kërkuar një sqarim nga ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu. Nga kjo e fundit, teksa Shehaj fliste, nuk i kurseu disa mimika dhe të qeshura në momentin kur Shehaj pati problem të shqiptonte emrin e ilaçit për të cilin mjekët dhe infermieri ankoheshin. Madje jo vetëm ankoheshin, por kishin planifikuar uljen e kohës së kurës.
DEBATI NË KUVEND:
Agron Shehaj: Patetizmi në këtë sallë nga maxhoranca është skandaloz. Një gazetar i guximshëm ka bërë publike disa chat-e ku komunikojnë mjekët e Onkologjikut. Nuk e di e keni parë apo jo.
*Shehaj lexon bisedat
AR(Kryeinfermieri): Edhe Gemzari mbaroi nuk ka me gjendje farmacia!
SS(mjek onkolog): Po mbaroi gemzari na fiku
BK(mjek onkolog, përgjegjës njësie): Edhe kur te jene mbaruar të gjitha, ilaçet qetësia ( e korridorit) dhe fjala e mjekut do të jene trajtimi me i mirë.
AP(mjek onkolog): Ate thashe dhe une.te vije gemzari ne janar.deri ne janar do ulim numrin e shtrimeve. Anullohen ditet e 8.
Agron Shehaj: Si mund t'u thoni mjekëve që të gënjejnë pacientët? Se mjekët nuk e bëjnë nga qejfi. I thoni gënjejini, shkurtoni trajtimin nga 8 ditë në 7 se nuk kemi ilaçe. Ajo që po bëni ju është mashtrimi i radhës. I njëjti gazetar thotë se para 5 ditësh ju ka njoftuar ju se vazhdojnë mungesat në Onkologjik, mungon irinotekani, mungon carboplatin. Nuk ka për të qeshur zonja ministre! Po flas për ilaçet që mungojnë tek spitali. Mungojnë ilaçe, kjo është kriminale. Po flas për ilaçet. Janë komunikimet e mjekëve që thonë gënjejini.
Ministrja Koçiu: Mos bërtit se të dëgjoj.
Agron Shehaj: E kuptoni që kjo gjë është kriminale? E kuptoni që mjekët duhet që të thotë të vërtetën sepse pacienti mund të gjejë një zgjidhje tjetër? Shëndetësia është ministria ku vidhet më shumë. Të gjitha pa përjashtim. Të gjitha PPP janë nën hetim nga SPAK për korrupsion. Keni zhdukur para me kompani offshore. Merrni masa që të ketë ilaçe jo vetëm mjek. Dera është e mbyllur tek Onkologjiku sepse nuk ka ilaçe, jo sepse nuk ka mjekë.
BISEDAT E PLOTA MES MJEKËVE:
----------------------------
Gemzari apo gemcitabina është medikament kimio.
Trishtues fakti që mjeku onkolog BK, u kërkon mjekëvë të tjerë që edhe pasi të jënë mbaruar të gjitha ilaçet, ata të sillen sikur s’ka ndodhur gjë përpara pacientëve, duke u mohuar të vërtetën. Një e vërtetë që i çon ata drejt progresimit të sëmundjes, e deri në fatalitet.
-------------------------------------
Komunikimet në grupin e punës të mjekëve në Whatsapp.
[18.11.21, 11:41:45 AM] AR(Kryeinfermieri): Edhe Gemzari mbaroi nuk ka me gjendje farmacia!
[18.11.21, 12:36:27 PM] SS(mjek onkolog): Po mbaroi gemzari na fiku
[18.11.21, 12:41:57 PM] BK(mjek onkolog, përgjegjës njësie): Edhe kur te jene mbaruar të gjitha, ilaçet qetësia ( e korridorit) dhe fjala e mjekut do të jene trajtimi me i mirë. ????
[18.11.21, 12:43:42 PM] RB(mjek onkolog): ????????????
[18.11.21, 12:46:36 PM] AP(mjek onkolog): Ate thashe dhe une.te vije gemzari ne janar.deri ne janar do ulim numrin e shtrimeve. Anullohen ditet e 8
[18.11.21, 2:41:17 PM] AR(kryeinfermieri): Pacli erdhi
[18.11.21, 2:41:40 PM] RB(mjek onkolog): Great!????
[18.11.21, 2:45:34 PM] AP (mjek onkolog): Uaa
[19.11.21, 9:18:22 AM] AR(kryeinfermieri): Mirmengjes! Gemzari vazhdon te jete mungese!
[19.11.21, 9:22:29 AM] EC(mjek onkolog): Ka ndonje shprese se nuk dime c’tu themi…
[19.11.21, 9:23:59 AM] AR(kryeinfermier): Per sot sbesoj
[19.11.21, 9:39:25 AM] RB(mjek onkolog): Thnx
[19.11.21, 10:06:45 AM] BK:(mjek onkolog, përgjegjës njësie) Mmgj. Gemcitabine nuk do të kete për 2 jave. Mos e lëshoni veten ????
[19.11.21, 10:07:19 AM] SS(mjek onkolog): ????????????
[19.11.21, 10:08:50 AM] RB(mjek onkolog): ????????????
Por edhe pas fjalës së Shehajt, ministrja Koçiu zgjodhi të mos replikonte dhe as të mohonte lajmin e nxjerrë nga gazetari./ZËRI
'Më duhet Mondi një dimër...'/ "Tërmeti" që shkaktoi denoncimi i Bardhit në Kuvend, a e pret demokratin një marrje në pyetje?

TIRANË- Një bisedë e shkëputur nga aplikacioni "SkyECC" ka sjellë debate në Kuvend dhe reagimin e një prej zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit. Nga Foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi lexoi një bisedë që sipas tij është shkëmbyer në aplikacionin e koduar për emërimin e Edmond Sulajt në krye të Policisë së Shkodrës. Bashkë me bisedën, Bardhi lexoi edhe kodet nga ku ishte marrë bashkëbisedimi, duke zbuluar se një prej tyre ishte biznesmeni Pëllumb Gjoka. Tjetëri, bazuar në të dhënat që ka nxjerrë vetë SPAK, u konfirmua nga ZËRI se ishte Ardit Hasanbegaj, i cili në datën 16 shkurt 2020 mbante postin e zv/drejtorit të Policisë Shkodër.
Por çfarë përmbanin bisedat?
Në fjalën e tij në Kuvend, Bardhi lexoi një bisedë duke treguar se ajo ishte një panoramë e mënyrës sesi ishte bërë zgjedhja e drejtorit të Policisë së Shkodrës. Sipas tij, Sulajn e zgjodhën nga bandat kriminale.
"E dija që ishe ekspert i inceneratorë, por që të ishe ekspert i mbetjeve të rrezikshme këtë nuk na i kishte marrë mendja. E meqë fole që zotrote ja di mirë punëve të shtetit, Rai të akuzoi që je i lidhur me krimin e organizuar. Unë po të pyes; si ta quajnë drejtorin e policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush ta ka emëruar. Kodi pin i Sky EÇ, DGLXJM: O vëlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti? Përgjigjet kodi sky 7142D9: Po por kam frikë se nuk e bën! Ndërhyn prapë kodi DGLXJM: Mua Mondi më duhet një dimër aty vëlla. Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër që u emërua një muaj pasi ky miku i ministrit të Brendshëm është përfaqësues i një prej bandave më të rrezikshme në vend u bë ministër i Brendshëm,"-tha Bardhi në Kuvend.
Përgjigjia e parë kundër tij erdhi vetëm disa orë më pas, nga vetë ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha. Nga Kuvendi, ministri i ri i cilësoi si gënjeshtra pretendimet e demokratit, duke shtuar se Sulaj është një prej drejtuesve më të mirë të policisë, ndërkohë që shërben prej 27 vitesh në radhët e uniformave blu. Ndërkohë ZËRI kishte kërkuar një prononcim edhe nga kryepolici i Shkodrës, por ky i fundit zgjodhi që të përgjigjej zyrtarisht në rrjetet e tij sociale. Në përgjigjen e tij, Sulaj paralajmëroi një kallëzim penal kundër Bardhit. Por debati nuk mbeti me kaq!
Sërish në Kuvend tema u hap sërish nga deputeti Erion Braçe, i cili gjithashtu doli në mbrojtje të drejtuesit të Policisë. Edhe ministri Hoxha ndërhyri duke i cilësuar gënjeshtra fjalët e Bardhit, ndërsa ky i fundit u vuri në dukje kohën që iu desh për ta replikuar. Por pa e llogaritur se në momentin që bëri denoncimin, në fakt ishte në interpelancë me kryeministrin Edi Rama. Në fakt edhe pse interpelanca ishte për mbetjet toksike që ishin nisur drejt Tajlandës, denoncimit i Bardhit eklipsoi çështjen për të cilën ishin mbledhur. Por pritet që çështja të bëhet më e madhe se kaq. Një kallëzim nga Sulaj mund ta vërë Bardhin para përgjegjisë për të dhënë shpjegime për mënyrën sesi i ka siguruar mesazhet e "SkyECC" të cilat i janë dorëzuar vetëm Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nga partnerët e huaj.
Sigurisht që demokrati nën petkun e një deklarate politike mund të mbrojë veten dhe të mos tregojë burimin nga ku i ka siguruar mesazhet, por ndoshta nuk mund t'i shpëtojë një marrjeje në pyetje. Kjo situatë në fakt, ngjason me atë të ish-kryedemokratit Lulzim Basha, i cili gjithashtu nga Foltorja e Kuvendit denoncoi mbërritjen e 3.4 mln eurove të fshehura në një mjet "Toyota Yaris". Asokohe Basha u mor në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda (e cila u shkri pas krijimit të SPAK) për të mësuar sesi dhe nga kush ishte informuar Basha për kalimin e parave. Ndoshta, llogari për "burimin" e tij do duhet të japë edhe Bardhi, sidomos nëse Sulaj i qëndron premtimit të tij publik dhe i depoziton kallëzim./ZËRI
“Një nga djemtë më të mirë”/ Debate në Kuvend për Sulajn, Bardhi-ministrit: T'u deshën 5 orë të përgjigjeshe! Hoxha: Gënjen!

TIRANË- Vijojnë debatet në Kuvend, mes përfaqësuesve të opozitës dhe mazhorancës, pas akuzave të ngritura nga Gazment Bardhi, se drejtori i Policisë së Shkodrës Edmond Sulaj është emëruar në këtë pozicion nga bandat. Bardhi lexoi dy biseda në sky, ku Pëllumb Gjoka dhe një person tjetër diskutonin për emërimin e një ‘Mondi’ në krye të Policisë së Shkodrës.
Në përgjigje të tij, Erion Braçe tha se bisedat në SKY i përkasin vitit 2021, ndërkohë që Sulaj është emëruar në krye të Policisë së Shkodrës në Tetor të vitit të kaluar. Edhe ministri iu brendshëm Ervin Hoxha e quajti gënjeshtër pretendimin e Bardhit, duke thënë se Sulaj është një prej drejtuesve më të mirë të policisë, ndërkohë që shërben prej 27 vitesh në radhët e uniformave blu.
DEBATET
Braçe: Një deputet u çua këtu dhe lexoi disa kode dhe e bën këtë në emër të prokurorisë dhe ngriti gishtin dhe ulëriti: Mondi i përfshirë në krimin e organizuar dhe kush është Mondi tha? Drejtori i Policisë së Shkodrës. Mondi, drejtori i policisë së Shkodrës është emëruar në tetor 2023. Mondi ai që njoh unë dhe që është drejtori i policisë Shkodër është një nga djemtë më të mirë që ka policia e shtetit, një nga djemtë më të ndershëm që ka policia e shtetit dhe që sot në Shkodër nuk kapardisët në hotelet apo restorantet e luksit por ha në mensën e FNSH atj. Mondi është një nga zyrtaret e Policisë që ka vënë para përgjegjësisë çdokënd të përfshirë në ngjarjen e Peshkëpisë pas vitesh harrese. Mondi është ai që merr kërcënimi për familjen dhe kurrë nuk ndalet dhe kurrë nuk i lë policët vetë atje.
Hoxha: Ajo që tha zoti Bardhi është gënjeshtër.
Bardhi: T’u deshën 5 orë që të kordinoje mesazhet me Pëllumb Gjokën. Nuk e dija që Pëllumb Gjoka i paska shtuar zëdhënësit në këtë sallë. Sa i takon kreut të Gardës, ju ndryshuar kriteret, sepse kishte përcaktuar zgjedhjen e Ermal Onuzit, vini dhe lexoni këtu sms-të e oligarkëve. E kemi denoncuar me emër dhe me mbiemër se kush do të ishte kreu i Gardës që do të zgjidhet.
Erion Braçe: Sa për zëdhënës të filan banditi, mos më bëni të hap libra. Po hapa libra, po hapa libra… dyqani i të mbathurave nuk do të vlejë për ta mbushur. /ZËRI
‘Thumanë-Kashar u ndryshua për llogari të një oligarku’, deputetja e PD-së nuk i përmend emrin! Balluku: Zgjidhjen ua dhashë banorëve

TIRANË- Është mbajtur sot në Kuvend, interpelanca ndërmjet ministres Belinda Balluku, dhe një pjese të deputetëve të opozitës, për autostradën Thumanë-Kashar, pas protestave të vazhdueshme të banorëve që nuk kanë dalje dhe rrugë alternative.
Deputetja e PD Elda Hoti hodhi një sërë akuzash ndaj ministres Belinda Balluku sa i takon koncesionit Thumanë-Kashar, që është kompania Gener 2, por në fakt vetë përfaqësuesja e opozitës në Kuvend, nuk e përmendi në asnjë rast biznesmenin përfitues. Demokratja e cilësoi aferë galopante procedurën e ndërtimit të kësaj autostrade. Ajo renditi disa shkelje, që nga ndryshimi i afateve te kontrata e deri te izolimi i banorëve të zonës.
“Projekti fillestar i rrugës Thumanë-Kashar u ndryshua. Projekti kishte nyje në Thumanë, por e ndryshuat. Projekti u ndryshua për llogari të një oligarku. Bllokimi i aksesit të aksit të vjetër është kriminale. Thumanë-Kashar është një kontratë e hapur korrupsioni. Rruga Thumanë-Kashar është 800 milionë vjedhje ndaj qytetarëve.
Rruga në Shqipëri ka kushtuar më tepër se në Çeki. Duhet të veprojë drejtësia, sepse kemi të bëjmë me abuzim barbar. Autostrada Thumanë-Kashar është projekt vjedhjeje dhe u bë për pasurim të oligarkëve të Ramës. Cilësia e punimeve është tepër e dobët, aty është afera e radhës korruptive e qeverisë suaj”, tha ndër të tjera Hoti.
Nga ana e saj Balluku u shpreh se me banorët është gjetur një zgjidhje, deri në ndërtimin e një nyje kalimi pranë Thumanës.
Balluku tha se sot Shqipëria ka nisur ta ndërtojë infrastrukturën e saj rrugore me parametrat e BE.
“Kur flitet për autostrada Ministria e Infrastrukturës dhe Eenergjisë dhe qeveria shqiptare sot mund të shprehen krenarë se Shqipëria ka filluar të ndërtojë infrastrukturën e saj rrugore me parametrat e BE. Duhet të kemi parasysh që sot Shqipëria kryeson listat e destinacioneve turistike si një nga vendet me interesin më të madh të të huajve. Infrastruktura është një nga kolonat mbajtëse të zhvillimit ekonomik të vendit e sidomos turizmit që sot është kontributor kryesor në ekonominë e vendit”, tha ajo.
Sipas Ballukut, nuk ka pasur asnjë ndryshim të projektit të rrugës Thumanë-Kashar. Nyjet e parashikuara në projekt, sipas zv/kryeministres janë ndërtuar.
“Thashë që për shkak të kërkesave për sigurinë rrugore dhe për të ruajtur nivelin e certifikimit të rrugës ka pasur ndërhyrje të shumta të cilat kanë qenë publike, kanë qenë transparentë. Ky është projekt i dezinjuar nga ËBIF. Ka qenë një projekt që është ndarë në forume të ndryshme dhe nuk ka qenë i fshehtë për askënd. Megjithatë duhet thënë që 4 nyje Thumanë-Kashari nuk i ka pasur, e nderuar. Thumanë-Kashari ka dy nyje që janë pjesë e projektit.
Pjesë e studimit kanë qenë 3 nyje dhe ajo e Gramëzës. Dy nyjet e Kasharit janë të ndërtuara dhe nuk ka asnjë ndryshim nga projekti fillestar i miratuar nga Këshilli Teknik i ARRSH. Bëhet fjalë për hyrjen e Rinasit dhe hyrjen e Kasharit. Ajo nyje që do zgjidhë problemin e Thumanës, e si rrjedhojë Fushë Krujë dhe Krujës është nyja e Thumanës që ndodhet si pjesë e projektit që do vazhdojë. Pra nga Thumana në Milot dhe është vetëm 4 kilometra larg mbikalimit ekzistues sot, sepse ka një mbikalim në Gramëz. Ky i fundit për t’i dhënë një zgjidhje provizore”, tha Balluku.
Ajo u shpreh se është takuar me banorët e Thumanës dhe u ka dhënë atyre një zgjidhje.
“Kështu që në orët e vona apo në orët e hershme unë banorët e Thumanës, i kam takuar, i kam dëgjuar dhe i kam dhënë dhe zgjidhje. Ndryshe nga çfarë thoni ju qeveria Rama ka veshë për të dëgjuar dhe sy për të parë. Ka dëshirën për të adresuar kërkesat e komuniteteve, por sigurisht duke kuptuar mirë që interesi i një individi nuk mund të prevalojë interesat e komuniteteve apo interesat e rajoneve, apo edhe të gjithë vendit.
I kemi dhënë një zgjidhje provizore banorëve të Thumanës, të cilët këtë duhet ta dish sepse the gjëra të pavërteta ndaj mirë është të sqarohesh, ka rrugë alternative dhe ajo video që vure këtu për të dëgjuar duke kopjuar liderin tënd suprem, të të sqaroj që nuk i lëviz asnjë fjalë. Është parim që të gjitha rrugët që do të ndërtohen me pagesë duhet të kenë rrugë alternative. Sot që flasim Thumana ka rrugë alternative. E di kush është kërkesa? Që rruga alternative është e gjatë dhe nuk është në gjendje të mirë dhe kjo është e vërtetë. Të gjitha rrugët alternative janë të gjata.
Do të ketë një nyje të dedikuar në hyrje të Thumanës e cila është pjesë e projektit Thumanë-Milot që nis menjëherë. Jemi në fazën e firmosjes së kësaj kontrate. Ndërkohë në orët e vona kur takoj njerëzit dhe ti shqetësohesh për orët e vona, kemi sqaruar që në mënyrë provizore ata do të aksesojnë mbikalimin ekzistues të Gramëzës me një rampë të dedikuar që do të ndërtohet për ta në javët në vazhdim duke zgjidhur kështu deri ditën kur do të kemi rrethrrotullimin dhe mbikalimin në zonën e hyrjes së Thumanës dhe atëherë do të pushojë të kemi zgjidhjen provizore”, tha Balluku. /ZËRI
Incidenti me gazetaret, Pandeli Majko kërkon ndjesë

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko ka kërkuar ndjesë për incidentin me gazetarët teksa po futej në sallën e Kuvendit.
“Kërkoj ndjesë për shtyrjen e mikrofonëve të gazetarëve, në veçanti gazetares që ishte shtatzënë”, tha Majko.
Para nisjes së seancës parlamentare, Majko u pyet nëse ndihet i rrezikuar që ai do të jetë në listën e hapur të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Fillimisht zgjodhi të mos flasë, por më pas Majko reagoi duke i hequr me forcë mikrofonin gazetarëve që ishin të pranishme aty.
Sjellja e tij u denoncua nga deputetet e opozitës në Kuvend, dhe pas kësaj, Majko e ndjeu të nevojshme që të kërkonte ndjesë. /ZËRI
Ndërpritet me një orë Kuvendi, deputetët e PD-së do të kryejnë homazhe pranë varrit të Azem Hajdarit

TIRANË- Është ndërprerë për një orë seanca plenare që po mbahej në Kuvend me kërkesë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Pas aprovimit nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u njoftua se seanca do të ndërpritet për 60 minuta dhe do të rinis në orën 13:15. Kjo kërkësë erdhi pasi PD do të zhvillojë disa homazhe në memorialin e Azem Hajdarit dhe tek Varrezat e Dëshmorëve.
Sot shënohen 26 vite nga vrasja e deputetit demokrat Azem Hajdari, më 12 Shtator 1998, afër selisë së PD-së. Në këtë përvjetor, Partia Demokratike, opozita dhe familja e tij mbajnë homazhe te memoriali i “Pishtarit të Demokracisë”, për të kujtuar veprën e tij. / ZËRI
‘Mondi më duhet një dimër aty vëlla’, Bardhi nxjerr në Kuvend përgjimet e SKY: Si u emërua drejtori i Policisë së Shkodrës
TIRANË- Është zhvilluar me tone të forta interpelanca e thirrur nga Gazment Bardhi, me kryeministrin Edi Rama, për çështjen e kontejnerëve me mbetje të rrezikshme që dyshohet se janë nisur nga Shqipëria drejt Kinës dhe Tajlandës. Gjatë debateve, Bardhi akuzoi Ramën për lidhje me krimin e organizuar, ndërkohë që lexoi një bisedë në SKY se si u bë zgjedhja e drejtorit të Policisë së Shkodrës, nga bandat kriminale.
“E dija që ishe ekspert i inceneratorë, por që të ishe ekspert i mbetjeve të rrezikshme këtë nuk na i kishte marrë mendja. E meqë fole që zotrote ja di mirë punëve të shtetit, Rai të akuzoi që je i lidhur me krimin e organizuar. Unë po të pyes; si ta quajnë drejtorin e policisë së Shkodrës, e di emrin? Ta them unë kush ta ka emëruar.
Kodi pin i Sky EÇ, DGLXJM: O vëlla ka llafe për atë mikun tënd ministër të Brendshëm. Di gjë ti?
Përgjigjet kodi sky 7142D9: Po por kam frikë se nuk e bën
Ndërhyn prapë kodi DGLXJM: Mua Mondi më duhet një dimër aty vëlla.
Në fakt Mondi është drejtori aktual i policisë Shkodër që u emërua një muaj pasi ky miku i ministrit të Brendshëm është përfaqësues i një prej bandave më të rrezikshme në vend u bë ministër i Brendshëm. Dhe vjen ti këtu dhe akuzon opozitën, se të thotë që je i lidhur me krimin e organizuar? Patjetër që do japësh llogari”, tha Bardhi.
Aktualisht në krye të drejtorisë së Policisë së Shkodrës, qëndron Edmond Sulaj, që sipas Bardhit i shërben grupit të Bajrave në Shkodër. Rama nuk preferoi që t’iu përgjigjej akuzave të Bardhit, duke u larguar më pas nga salla e Kuvendit, pasi sipas Spiropalit, do të priste kryeministrin e Izraelit. /ZËRI
Çfarë e acaroi Majkon? Shtyn me forcë gazetaren shtatzënë, kyç gojën para medias për një pyetje elementare

TIRANË- Një incident ka ndodhur në oborrin e Kuvendit të Shqipërisë ku deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, u përfshi në një sjellje të papranueshme ndaj një gazetareje. Gjatë një përpjekjeje për të marrë një prononcim nga deputeti, gazetarja e Eksiola Shehu u shty me forcë nga Majko.
Para nisjes së seancës parlamentare, Majko u pyet nga gazetarët nëse ndihet i rrezikuar që ai do të jetë në listën e hapur të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Fillimisht preferoi të mos flasë, por pas këmbënguljes së gazetarëve, Majko reagoi duke i hequr me forcë mikrofonin e gazetares së Euronews, Eksiola Shehu e cila është në një pritje të ëmbël.
Pyetje: Zoti Majko ndihen të rrezikuar për të kandiduar në listë të hapur në qarkun e Kukësit?
Gazetarja: E para mos shtyni, keni të drejtën mos të përgjigjeni
Gazetari: Jeni të inatosur me zgjedhjen e kryeministrit Rama.
Heshtje...
Kjo sjellje e tij është diskutuar në Parlament nga deputetja Ina Zhupa dhe Jorida Tabaku të cilat e cilësuan këtë veprim si të pajustifikueshëm
"Të sillet rezoluta për mbrojtjen e grave ndaj dhunës dhe gazetarëve. Dhe ju si kryetare Kuvendi ta sillni dhe ta votojmë. Dhe mos bëhet standard për akte të përsëritura dhune”, tha Zhupa.
Rama ‘shpërthen’ ndaj Bardhit: Kishe kallëzuar ‘noc rrokun’ vëllanë tim, ngelët si balerina te pallati i Saliut

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që ta kalojë në sulme personale, interpelancën me Gazment Bardhin, për çështjen e mbetjeve që dyshohet se janë nisur nga porti i Durrësit, drejt Tajlandës dhe Kinës. Rama tha se Bardhi dikur kishte për tutor Bashën, dhe tashmë ka Berishën, për të cilin dikur kishte thënë se do të largohej nga partia, në rast se ai do të rimerrte PD-në. Rama iu rikthye edhe çështjes Xibraka, ku tha se Bardhi nuk ka bërë asnjë kallëzim për të vëllanë e tij, Olsin.
Rama: Mua më doli malli i të shkretit Lul, tutorit të mëparshëm të këtij që foli përpara. Besoj të gjithë e shohin dallimin mes nesh dhe këtyre, e thashë nga fillimi në fund, që ato mallra nuk hyjnë në kategorinë e mbetjeve të rrezikshme.
Unë ul kokën, dëgjoj dhe mësoj nga ekspertët, zotërisë i futet ekspertiza në gojë nga lart, e përtyp dhe fillin e pështyn këtu. Nëse unë nuk gaboj, është zotëria që ka thënë se po erdhi Saliu këtu, unë iki bashkë me flamur. Por nuk iku! Problemin më të madh këtu e ka ai që nuk ngeli balerinë pa i shkuar te pallati.
Kishte kallëzuar vetëm Noc Rrokun, për Olsi Ramën, se do kishte vepruar si babale Salianji. Unë duroj shumë, do duroj deri kur SPAK-u të nxjerrë të vërtetën dhe më pas kemi dhe një ballafaqim tjetër bashkë. Pështymën që do merrni vitin tjetër nga shqiptarët do e keni më keq se në 97-tën. /ZËRI
Minatorët protestë para Kuvendit: PS na gënjeu në vitin 2013 për statusin

TIRANË- Teksa po mbahet interpelanca e kërkuar nga Gazment Bardhi, me kryeministrin Edi Rama, për çështjen e kontejnerëve me mbetje të rrezikshme që janë bllokuar dhe pritet të kthehen pas nga Kina dhe Tajlanda, përpara Kuvendit, po zhvillohet një protestë nga minatorët, të cilët kërkojnë miratimin e statusit të tyre. Minatorët janë mbledhur për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë, duke akuzuar Partinë Socialiste për mashtrim.
Minatorët deklaruan se PS i ka gënjyer që prej vitit 2013, kur premtoi zbatimin e statusit të minatorit, por premtimi nuk është mbajtur. "Na kanë gënjyer. PS na gënjeu që në vitin 2013, kur na tha se do të zbatohet statusi i minatorit," thanë ata. Minatorët gjithashtu shprehën shqetësimin e tyre për pensionet e ulëta, duke theksuar se ato nuk mjaftojnë as për ilaçet që u nevojiten./ ZËRI
A prodhohen mbetje të rrezikshme në Shqipëri? Rama: Sigurisht që PO

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka vijuar fjalën e tij për mbetjet e rrezikshme, ku tha se padyshim që edhe industria në Shqipëri prodhon të tilla. Rama tha se mbetjet e rrezikshme përpunohen sipas ligjit në fuqi, por nuk dha detaje se ku ato realisht depozitohen dhe ku bëhet asgjesimi i tyre përfundimtar.
Edi Rama: A prodhohen mbetje të rrezikshme në Shqipëri? Sigurisht që po, siç ka prodhuar politika mbetje, ashtu prodhojnë edhe industritë. A ka një kontroll të këtyre lëndëve të rrezikshme? Patjetër që ka. Mbetjet e rrezikshme sipas ligjit 10463, trajtohen përmes metodave ligjore të përcaktuara, grumbullohen, transportohen dhe më pas asgjesohen nga kompanitë përgjëgjëse.
Keni thënë që mbetjet e dyshuara do të vijnë në Shqipëri bashkë me fundin e botës. Është në çdo rast fajtor shteti, dhe gjithë shqiptarët që sipas jush mbajnë në pushtet një regjim kriminal. Që të respektoj kohën, dua të them që Shqipëria, ka sot në portin e Durrësit, një kosto inspektimesh dhe certifikimesh sistematike, nga autoritetet europiane që e bëjnë portin e Durrësit një vend të sigurt, dhe ku e bëjnë që së shpejti të kemi dhe portin e NATO-s.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, tha se mbetjet e rrezikshme mund të transportohen vetëm në rast se vendi pritës ka dhënë dakordësinë, pasi në të kundërt, kjo klasifikohet si tregti ndërkombëtaresh mbetje.
Bardhi tha se shqiptarët sot nuk kanë një përgjigje se ku përfundojnë mbetjet e rrezikshme të Kurum dhe Sokolaj SHPK, ndërsa pyeti Ramën nëse qeveria ka marrë ndonjë masë ndaj këtyre kompanive, që janë kapur disa herë në shkelje. /ZËRI
Mbetjet në Tajlandë dhe Kinë/ Rama: Telenovelë, edhe sikur të ishin të rrezikshme, transporti nuk është i ndaluar

TIRANË- Është duke u zhvilluar në Kuvend interpelenca mes kryeministrit Edi Rama, dhe kreut të grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, për kontejnerët me mbetje të rrezikshme, që dyshohet se janë nisur nga Shqipëria drejt Azisë.
Duke folur për herë të parë publikisht për këtë çështje, Rama tha se qeveria dhe autoritetet portuale nuk kanë asnjë përgjegjësi për transportin e mbetjeve, dhe subjektet private kanë detyrimin që të përshkruajnë llojin e mallrave që transportohen.
Kryeministri tha në Kuvend, se edhe nëse mbetjet në fjalë janë të rrezikshme, transporti i tyre nuk është i ndaluar.
Gazment Bardhi: Me ju aty sipër (i drejtohet Spiropalit), mesa duket i vetja duket vetja Skënderbe ka marrë guximin që të vijë në seancë. Qeveria duhet ta kishte sqaruar pa qenë nevoja që opozita të thirrtë interpelancë pasi ngjallte panik tek qytetarët dhe lidhej me jetën dhe shëndetin e tyre.
Dy anije nga Porti i Durrësit po transportonin lëndë të rrezikshme drejt Azisë pa konfirmimin se Tajlanda do ti pranonte. Ngarkesa në fjalë ishte pluhur i furrës produkte mbetjesh të rrezikshme që vjen nga riciklimi i skrapit të çelikut, që janë të dëmshme për shëndetin e mjedisin.
Kërkon trajtim të kushtueshëm dhe për këtë arsye kompanitë që e prodhojnë, e transportojnë atë për shkak se përpunimi i tyre kërkon shpenzime marramendëse. Sipas informacioneve, dy anije me 100 kontejnerë që përmbajnë rreth 816 ton mbetje brenda tyre po kthehen në Portin e Durrësit.
Tregojnë se hiri i eksportuar i takon firmës Sokoloaj shpk licensuar nga kjo qeveri dhe mbetjes kanë të bëjnë me fabrikën Kurum. Në muaj prill nga porti i Durrësit janë nisur për në Kinë disa ton mbetje që janë bllokuar dhe pritet të kthehen. Në këtë mënyrë ka dyshime se Shqipëria ka shkelur konventën e Bazelit. Nuk kemi të bëjmë me një ngjarje të izoluar, por aktivitet kriminal.
Kujt i përkasin mbetjet e rrezikshme, çfarë veprimet kanë kryer aktivitet përgjegjëse janë lejuar të eksportohen pa leje përkatëse, kush i ka lejuar të hyjnë dhe të dalin përmes portit të Durrësit, Qeveria ta kishte sqaruar menjëherë. Kur kapesh si kriminel në shkelje të ligjit nuk bën transparencë.
Edi Rama: Jam këtu sot për tiu përgjigjur një kërkese për interpelancë, në shfrytëzim abuziv të rregullores, pas fantazive malinje, për të vazhduar helmimin e shqiptarëve, përmes kanalizimeve të botës dixhitale. Burimi i kësaj tjetër telenovele, që u shfaq paralelisht me vrasjen e Pogradecit, ishte një sinjalizim për një transport mbetjesh të rrezikshme nga Shqipëria drejt Azizë. Vetë organizata që ka ngritur shqetësimin, e ka bërë këtë në bazën e dyshimeve, pa asnjë provë. Sidoqoftë qysh në çastin e sinjalizimit, agjensitë i kanë ndjekur këto shqetësime, me vullnetin për të hetuar bashkë me agjensitë europiane. Goja e urrejtjes politike, ka ngritur akuzat dhe ka gjetut fajtorët, që janë kriminelët imagjinarë, me mua në krye, më kanë vendosur akuzën e 1313. Iu është bërë si rregull që ndaj meje të ngrini një akuzë në javë. Shqiptarëve po iu flitet për një gropë të rrezikshme, që po helmon edhe Kinën. Jam këtu për të sjellë disa fakte të thjeshta?
A është kryer transport i mbetjeve të rrezikshme? Në çdo deklaratë që është dorëzuar nga subjektet private, se eksportet në fjalë nuk janë mbetje të rrezikshme, që kanë me vete edhe analizat që janë kryer në një laborator europian. Mallrat e deklaruara si okside, hidrokside hekuri, janë transportuar nga porti i Durrësit, në portet europiane, bashkë me të gjitha dokumentet e nevojshme. Askush nuk i ka penguar që të qëndrojnë përkohësisht në vendet e BE, mallra me klasifikim të tillë, nuk klasifikohen si të rrezikshme. Këto mallra nuk bëjnë pjesë në kategorizimin e mallrave të rrezikshme. Aludimi për mosveprim të autoriteteve portuale dhe detare, është psikopatologjik, i artikuluar nga të njëjtat burime ndotëse të Tiranës politike dhe mediatike.
Edhe sikur këto mallra të ishin të rrezikshme, transporti i tyre nuk është i ndaluar. Në zbatim të kodeve ndërkombëtare detare, që janë të njëjta dhe në portet shqiptare. Procedurat e transportit të mbetjeve, i referohen Konventës së Bazelit, ku Shqipëria është anëtare që prej vitit 1999. Është tërësisht absurd pretendimi që përgjegjësitë që ligji dhe konventa ia ngarkojnë subjekteve private, të thashethemohet ligësisht si një përgjegjësi e institucioneve publike.
/ZËRI
Bardhi ngre zërin në Kuvend: Drejtori i ri i Gardës është zgjedhur me porosi të një oligarku

TIRANË- Ka nisur me debate seanca e sotme në Kuvend, ku kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka denoncuar zgjedhjen e kreut të ri të Gardës së Republikës, Ermal Onuzi, i cili u prezantua dje nga ana e ministrit të brendshëm Ervin Hoxha. Sipas Bardhit, ministri ka gënjyer kur tha se ka pasur një konkurs për zgjedhjen e kreut të ri të Gardës, pasi opozita e ka përmendur emrin e tij që në muajin Mars të këtij viti, i sponsorizuar nga një oligark.
Bardhi kërkoi që të ngrihet një Komision Etike në Kuvend, për të hetuar zgjedhjen e Onuzit.
"Për Drejtorin e ri të Gardës së Republikës. Do të kërkoj diçka se për ju korrupsioni politik nuk është procedure. Opozita e ka denoncuar që në muajin Mars, kur ju miratuar ndryshimet e kritereve për Gardën e Republikës, që në krye të Gardës do të vinte nga jashtë sistemit.
Ju e votuat ligjin e ri me porosi të Edi Ramës, ndërkohë që emri i drejtorit të ri të Gardës vjen si investim i një oligarku. Ligjet me porosi janë kthyer rutinë dhe normalitet. Duhet të shikohet si u votua dhe pse ligji, ky është një rast korrupsioni. Ngrini një komision etike për këtë rast”, u shpreh Bardhi në Kuvend.
Të njëjtin denoncim, Bardhi e bëri edhe gjatë ditës së djeshme në rrjetet sociale, teksa Hoxha prezantoi drejtorin e ri të Gardës.
“Ligjet me porosi janë shkalla më e lartë e korrupsionit politik, por që tashmë janë kthyer në rutinë për mazhorancën socialiste!
Në 22 Mars 2024 Edi Rama ndryshoi në ligjin “Për Gardën e Republikës” kriteret që duhet të plotësojë Drejtori i Përgjithshëm i Gardës së Republikës. Ndryshimet e porositura synonin që të emëronin në krye të Gardës, porositësin e ndryshimeve ligjore. Me emër dhe mbiemër në atë seancë plenare denoncova arsyet e ndyshimeve në ligj. Edi Rama dhe deputetët e tij e mohuan.
Por, denoncimi ishte i vërtetë dhe koha e provoi.
Në 10 Shtator 2024, Edi Rama emëroi në krye të Gardës së Republikës porositësin e ndryshimeve ligjore. Me firmë personale të Edi Ramës, në krye të Gardës së Republikës është emëruar Ermal Onuzi, që sipas ligjit të pandryshuar nuk i plotësonte kriteret ligjore.
Të ndryshosh një ligj, në interes privat të vetëm një njëriu, me porosi dhe paramendim, është korrupsion i konsumuar në sytë e çdo shqiptari. Ky korrupsion i konsumuar në bashkëpunim nga Edi Rama dhe deputetët e tij nuk mund të mbetet i pandëshkuar. Ndryshe vijon qetësisht parimi: “Një drejtësi për Edi Ramën, dhe një drejtësi tjetër të ndryshme për këdo tjetër”!”, denoncoi dje Bardhi. /ZËRI
Një orë para Kuvendit, Gazment Bardhi mbledh deputetët në seli

TIRANË- Një orë përpara nisjes së seancës plenare, Gazment Bardhi ka mbledhur grupin parlamentar të PD-së në seli, ku do të dakordësohen në lidhje me qëndrimet që do të mbajnë në seancën e sotme.
Mbledhja ishte parashikuar që të mbahej ditën e djeshme, por u shty, për shkak se deputetët dhe eksponentët e lartë të PD-së ishin dje në mesditë përpara SPAK, në mbështetje të Sali Berishës, i cili u mor zyrtarisht i pandehur.
Deputetët demokratë do të dakordësojnë qëndrimet që do të mbajë grupi i tyre në Kuvend, në një kohë ku sot pritet të jetë seancë e ngjeshur me punimet e saj.
Fillimisht pritet të ketë një interpelancë me kryeministrin Edi Rama dhe më pas Belinda Ballukun. Por po ashtu sot do të diskutohet edhe për një çështje që është bërë debat prej kohësh mes palëve politike, ajo për mandatin e Olta Xhaçkës.
RENDI I DITËS NË KUVEND
Në mbështetje të urdhrit nr. 59, datë 10.9.2024 të Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, rendi i ditës është si më poshtë vijon:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 2.9.2024. (Neni 44, pika 2 e Rregullores së Kuvendit)
2. Njoftime (Neni 44, pika 3 e Rregullores së Kuvendit)
3. Interpelancë urgjente me Kryeministrin e Shqipërisë zotin Edi Rama, kërkuar nga deputeti Gazment Bardhi.
4. Interpelancë urgjente me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë zonjën Belinda Balluku, kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
5. Akt normativ nr. 2 datë 1.8.2024.”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.123/2014, “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë”.
6. Akt normativ nr. 3 datë 28.8.2024.”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024””, të ndryshuar.
7. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Një hua për politika publike për të mbështetur aftësinë përtëritëse dhe zhvillimin e gjelbër të Shqipërisë””
8. Projektligj “Për ratifikimin e letrës së pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për Qendrën Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride””.
9. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar.
10. Projektligj “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
11. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”
12. Projektligj “Për një shtesë në ligjin nr. 43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë””.
13. Projektvendim “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.
14. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
/ZËRI
Rama ‘i jep’ llogari Bardhit për anijet me mbetje, në interpelancë edhe Balluku. Kuvendi vendos sot për mandatin e Xhaçkës

TIRANË- Seanca e sotme në Kuvend pritet që të shoqërohet me debate të forta mes palëve, pasi në rendin e ditës parashikon dy interpelanca të thirrua nga deputetët e opozitës, me kryeministrin Edi Rama dhe me ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku. Interpelanca me Ramën është kërkuar nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, për anijet e nisura nga Porti i Durrësit, të dyshuara se po transportonin lëndë të rrezikshme drejt Kinës dhe Tajlandës.
Gjithashtu një interpelancë do të ketë edhe zv.kryeministrja Belinda Balluku, e kërkuar nga deputetët e Partisë Demokratike, për ndërtimin e segmentit Thumanë-Kashar dhe aksin “Rruga e Kombit”, me akuzat që bllokojnë aksesin e qytetarëve që banojnë në zonat pranë. Përpara seancës së sotme, Balluku ka arritur një marrëveshje me banorët që protestojnë prej javësh.
Në rend të ditës do të jetë edhe mandati i Olta Xhaçkës, “për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit”.
Projektvendimi për mandatin me Xhaçkën është shoqëruar me dy raporte të ndryshme të shumicës dhe pakicës parlamentare në Këshillin e Legjislacionit.
Sipas dokumenteve të publikuar të mërkurën në faqen e Kuvendit, socialistët në pushtet i referohen vendimit të Gjykatës Kushtetuese si ‘detyrues’, por nuk i sugjerojnë Kryetares së Kuvendit që t’u bëjë të ditur deputetëve detyrimin për të votuar pro.
“Është seanca plenare si organi vendimarrës i Kuvendit, që duhet të vendosë dërgimin e çështjes së papajtueshmërisë së mandatit të deputetes Olta Xhaçka në Gjykatën Kushtetuese, referuar nenit 70, pika 4 të Kushtetutës dhe urdhërimeve të Gjykatës Kushtetuese në dispozitivin dhe arsyetimin e vendimit të saj nr.55, datë 10.07.2024,” thuhet në rekomandimin e anëtarëve socialiste të këtij këshilli.
Ndërsa opozita në raportin e saj thekson faktin që deputetët janë të detyruar të ekzekutojnë vendimin e gjykatës, duke votuar për dërgimin e këtij mocioni në këtë gjykatë.
Anëtarët e PD-së në Këshillin e Legjislacionit i rekomandojnë Kryetares së Kuvendit që “të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin PRO…”.
Ky votim do të jetë i treti për këtë çështje dhe i dyti që vjen si detyrim i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
RENDI I DITËS
Në mbështetje të urdhrit nr. 59, datë 10.9.2024 të Kryetares së Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, rendi i ditës është si më poshtë vijon:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 2.9.2024. (Neni 44, pika 2 e Rregullores së Kuvendit)
2. Njoftime (Neni 44, pika 3 e Rregullores së Kuvendit)
3. Interpelancë urgjente me Kryeministrin e Shqipërisë zotin Edi Rama, kërkuar nga deputeti Gazment Bardhi.
4. Interpelancë urgjente me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë zonjën Belinda Balluku, kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
5. Akt normativ nr. 2 datë 1.8.2024.”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.123/2014, “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë”.
6. Akt normativ nr. 3 datë 28.8.2024.”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024””, të ndryshuar.
7. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Një hua për politika publike për të mbështetur aftësinë përtëritëse dhe zhvillimin e gjelbër të Shqipërisë””
8. Projektligj “Për ratifikimin e letrës së pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për Qendrën Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride””.
9. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar.
10. Projektligj “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
11. Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”
12. Projektligj “Për një shtesë në ligjin nr. 43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë””.
13. Projektvendim “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.
14. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
/ZËRI