Merr fund TERRORI në Korçë! RENEA i vendos prangat 71-vjeçarit, brenda në banesë kishte kallash

KORÇË- Policia e Korçës ka dhënë detaje lidhur me neutralizimin e 71-vjeçarit Edmond Naska, i cili terrorizoi sot qytetin duke qëlluar me armë zjarri nga ballkoni i banesës së tij. Me një njoftim zyrtar, Policia e Korçës ka bërë me dije se 71-vjeçarin është dorëzuar pas negociatave me forcat RENEA dhe aktualisht është dërguar në ambientet e Komisariatit të Korçës. Pasi i moshuari është larguar nga banesa, uniformat blu kanë kontrolluar banesën e tij, ku edhe është gjetur arma e zjarrit kallashnikov, me të cilën qëlloi i moshuari.
NJOFTIMI I PLOTË:
Korçë
RENEA neutralizon dhe vë në pranga 71-vjeçarin që qëlloi me armë zjarri, në ajër, nga ballkoni i banesës së tij. Sekuestrohet arma e zjarrit kallashnikov, me krehër me municion luftarak. Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e sotme, i cili bën fjalë për ngjarjen e ndodhur në lagjen nr. 16, ku shtetasi E. N., 71 vjeç, me probleme të shëndetit mendor, qëlloi me armë zjarri, në ajër, nga ballkoni i banesës së tij, ju bëjmë me dije se: Me mbërritjen e njësive speciale RENEA, është krijuar perimetri i afërt i sigurisë, si dhe është negociuar me 71-vjeçarin, për t’u dorëzuar. Pas negociatave, 71-vjeçari është dorëzuar dhe më pas është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale. Gjatë kontrollit në banesën e tij është gjetur arma e zjarrit kallashnikov, me krehër me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për dokumentimin e rrethanave të këtij rasti./ZËRI
Merr fund ngujimi i 71-vjeçarit në Korçë, RENEA pret kangjellat për të hyrë në banesë

KORÇË- RENEA ka vënë në pranga 71-vjeçarin Edmond Naska, i cili për rreth tre orë terrorizoi lagjen 15 në qytetin e Korçës duke qëlluar me armë zjarri. Uniformat blu dhe shërbimet e Repartit Special RENEA rrethuan zonën pasi 71-vjeçari u mbyll në banesën e tij. Pas disa orësh është bërë e mundur nxjerrja nga banesa e të moshuarit.
Forcat RENEA arritën të hynin brenda banesës duke shkulur kangjellat e ballkonit dhe më pas duke thyer xhamat, pasi i moshuari kishte mbyllur derën./ZËRI
71-vjeçari me kallash ngujohet në banesë, fqinji: Nuk dilte, rrinte i mbyllur. Zihej me ata që parkonin para pallatit

KORÇË- Vijon që të qëndrojë i ngujuar në banesë, 71-vjeçari Edmond Naska, i cili qëlloi sot me breshëri arme në Korçë, fatmirësisht pa pasoja në njerëz. Tashmë efektivë të RENEA-s po negociojnë për neutralizimin e tij, ndërkohë që fqinjët tregojnë se në disa raste ai ishte konfliktuar me persona që parkonin përpara ballkonit të tij. Markeljan Dhimitri duke folur për mediat, tha se pasi kanë dëgjuar të shtënat janë larguar me shpejtësi nga banesa.
“Ngjarja ndodhi rreth orës 10, 10 e çerek. U dëgjuan disa të shtëna. Mora nusen dhe djalin se u trembën dhe ikëm nga shtëpia. Banojmë në të njëjtin pallat. E dija tip të qetë, nuk dilte se rrinte mbyllur. Jetoj prej 3 vitesh në këtë pallat. S’e dinim që ishte kaq i rrezikshëm, duhej të ndodhte kjo gjë. Shpresojmë që të mbyllet gjithçka mirë, që të kthehemi në shtëpi se kemi frikë. Dukej tip i qetë. Veç kur ndodhi sot ngjarja që shtiri me armë. Nuk mund të kthehemi në shtëpi. Jemi të tronditur. Kur parkonin makinat para ballkonit të tij bëhej agresiv, zihej. Me armë gjuajti në ajër ai.”, tha ai.
71-vjeçari Edmond Naska ka qëlluar me armë zjarri, tip kallashnikov në ajër nga ballkoni i ndërtesës së tij. Por fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka persona të plagosur. Policia e Korçës ka shkuar menjëherë në banesën e tij, ku edhe ka rrethuar personin e armatosur. Prej disa minutash po zhvillohen negociata me të dhe pritet dorëzimi i tij, megjithatë deri më tani nuk dihen detaje të tjera. /ZËRI
Të shtëna me armë në Korçë, i moshuari terrorizon lagjen me kallash, kyçet në shtëpi! Policia negociata që të dorëzohet

KORÇË- Një 71-vjeçar ka terrorizuar lagjen nr.15 të qytetit të Korçës. 71-vjeçari Edmond Naska ka qëlluar me armë zjarri, tip kallashnikov në ajër nga ballkoni i ndërtesës së tij. Por fatmirësisht, nga të shtënat nuk ka persona të plagosur. Policia e Korçës ka shkuar menjëherë në banesën e tij, ku edhe ka rrethuar personin e armatosur. Prej disa minutash po zhvillohen negociata me të dhe pritet dorëzimi i tij, megjithatë deri më tani nuk dihen detaje të tjera.
PAMJE NGA VENDI I NGJARJES:
"Sot, rreth orës 10:20, në lagjen nr. 16, dyshohet se shtetasi E. N., 71 vjeç, me probleme mendore, ka qëlluar me armë zjarri nga ballkoni i banesës së tij (në katin e parë të një pallati). Shërbimet e Policisë vendore kanë ndërhyrë mënjëherë duke krijuar perimetrin e sigurisë dhe kanë evakuuar banorët e zonës. Nga të shtënat nuk ka asnjë shtetas të lënduar. Në drejtim të vendit të ngjarjes po shkojnë shërbimet e Repartit Special RENEA, për të ndërhyrë për neutralizimin e shtetasit E. N., i cili ka mbyllur derën e banesës. Ndërkohë, shërbimet e Policisë, me masa sigurie për jetën e tyre, po mbajnë të rrethuar banesën. Aktualisht nuk ka asnjë rrezik për jetën e banorëve,"-bën me dije Policia.
Edhe pse po zhvillohen negociata për dorëzim, efektivët duket se po bëhen gati edhe për të ndërhyrë në banesën e 71-vjeçarit, pasi kanë nisur që të veshin jelekët anti-plumb. Gjithashtu, nuk dihet nëse brenda në banesë ka persona të tjerë, të cilëve mund t'u rrezikohet jeta nga vetë i moshuari, apo nëse Policia vendosë që të hapë zjarr.
/ZËRI