Largimi i Rrumbullakut, PD: E shkarkuan me ceremoni, e njëjta skemë që u përdor me Gledis Nanon

TIRANË- Partia Demokratike përmes deputetit Ervin Salianji, ka komentuar largimin e Muhamet Rrumbullakut nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. Salianji tha se nuk ka pasur asnjë dorëheqje, dhe Rrumbullaku ka qenë i detyruar për t’u larguar, duke theksuar se “ai është shkarkuar me ceremoni”.
“Jam i bindur që është shkarkim me ceremoni. Largimi i detyruar, ka pasur një drejtor të përgjithshëm dy vite më para që nuk pranoi të jepte dorëheqje, është e njëjta skemë. Tre drejtorët e fundit, Ardi Veliu, e detyruan të dorëhiqej dhe e shpërndau letrën ministria, e patë që nuk dinte të shkruante. Gjithashtu edhe Gledis Nano, doli lajmi se u dorëhoq dhe doli e tha që se kam dhënë dorëheqjen. Sot kemi dy drejtorë të përgjithshëm që paguhen me taksat e shqiptarëve”, u shpreh Salianji.
Mbrëmjen e djeshme, në media u njoftua dorëheqja e Rrumbullakut, ndërsa sot largimi i tij u etiketua nga ministri Ervin Hoxha, si dorëzim i stafetës, për shkak të ligjit të ri të Policisë së Shtetit, që synon reformimin e kupolës drejtuese. /ZËRI
Hapet gara për drejtuesit e rinj të policisë/ Hoxha: Të kandidojë çdokush që ka ambicie, do përzgjidhen në bazë të vlerave

TIRANË- Struktura e policisë së shtetit, do të ndryshojë e gjitha, të paktën në nivelin drejtues. Në një konferencë të paralajmëruar për mediat, ministri i brendshëm Ervin Hoxha lajmëroi ndryshimet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, por edhe drejtoritë vendore. Emri i parë që u sakrifikua ishte ai i Muhamet Rrumbullakut, i cili do të zëvendësohet përkohësisht nga vartësi i tij Sokol Bizhga. Sipas ministrit, përzgjedhja e drejtuesve të rinj do të bëhet në bazë të profilit të tyre profesional dhe meritës në punë, ndërkohë që ftoi të gjithë personat e interesuar dhe që kanë ambicie të bëhen pjesë e garës.
“Të nderuar përfaqësues të lartë dhe punonjës të Policisë së Shtetit, Ju drejtohem publikisht pas marrjes së kësaj detyre të lartë 30 ditë më parë dhe një pune intensive, së bashku me ekipin drejtues të Ministrisë së Brendshme, për të piketuar segmentin e ri të rrugës sonë drejt Shqipërisë 2030.
Unë vij nga radhët tuaja, ku pas studimeve të larta në Turqi dhe Gjermani, kam hyrë që në moshë fare të re dhe kam pasur mundësinë të punoj e të mësoj nga më të mirët e trupës suaj. E kam ndjekur rritjen e kësaj trupe, vështirësitë dhe sfidat e saj, nga brenda, në pozicione të ndryshme, dhe më pas nga jashtë, si një dashamirës besnik që kam pasur gjithnjë mes jush një pjesë të zemrës dhe të mendjes time.
Në harkun e 22 viteve, qëkur unë vetë vesha për herë të parë me emocion të paharrueshëm uniformën e rëndë të mbrojtësit të rendit e të sigurisë publike, e kam parë këtë trupë në ditë shumë të këqija dhe në ditë shumë më të mira se ato të fillimeve të mia. Besoj se jam një dëshmitar mjaftueshëm objektiv për të thënë sot se, përparimi i dekadës së fundit është i jashtëzakonshëm, po të merret parasysh pika kritike ku ishte katandisur Policia e Shtetit dhe ndjenja dëshpëruese e braktisjes që përjetohej në radhët tona deri përpara 10 viteve.
Të papaguar, të paushqyer, të paveshur, të pambështetur me mjete dhe fuqi motorike dhe më e keqja fare, të tradhtuar në orët më kritike të operacioneve me rrezik jete, punonjësit e kësaj trupe bënin sa mundnin, po nuk bënin dot kurrsesi sa mundeshin.
Ishte koha kur rënia në krye të detyrës e drejtuesve dhe punonjësve të Policisë bënte pjesë në të përditshmen tonë dhe kur mesatarja e vrasjeve në Shqipëri, gjatë një viti, ishte mbi 100 persona, ose një i vrarë në tre ditë.
Nuk jam këtu për të bërë historinë e viteve të shkuara dhe as për të ulur peshën e asnjë ngjarjeje të rëndë që ndodh në ditët tona, kur shifrat e vrasjeve dhe të kriminalitetit në tërësi janë si dita me natën.
Referimi tek pikënisja e transformimit historik të Policisë së Shtetit në dekadën e fundit, nuk na duhet për të kërkuar lëvdata, por është i nevojshëm për të kuptuar se asnjë objektiv, sado ambicioz, nuk është i pamundur për ne.
Ambicia jonë për Policinë e Shtetit 2030, si një trupë e denjë e Bashkimit Europian është një ambicie e mbështetur në potencialin konkret që kemi për ta ngritur Policinë në një nivel të ri, duke konsoliduar më tej tendencën në rënie të kriminalitetit dhe rritur më shpejt cilësinë e shërbimit policor në çdo aspekt.
Dua të përgëzoj sinqerisht punën e deritanishme të drejtuesve të Policisë së Shtetit, me në krye dikur eprorin dhe sot mikun tim, Drejtorin e Përgjithshëm, Muhamet Rrumbullaku. Mirënjohje për të dhe për të gjithë ata që e sollën stafetën deri këtu me profesionalizëm dhe përkushtim ndaj uniformës, duke e thelluar më tej transformimin e Policisë së Shtetit.
Sot, është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët falë punës kolosale të bërë deri këtu, nuk do ta fillojnë rrugën e tyre nga gremina e vitit 2013, por nga një lartësi e arritur me mundin e me kohën e një dekade dhe nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian.
Kam bindjen se ata që do të dorëzojnë stafetën udhëheqëse të kësaj trupe, që nga Drejtori i Përgjithshëm dhe të gjithë të tjerët, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e jashtëzakonshme të fituar në gjithë këto vite në vijën e parë, për të mbështetur ngjitjen e mëtejshme të trupës së policisë drejt majës së Shqipërisë 2030.
Unë u thirra në këtë detyrë nga Kryeministri Rama pa e menduar ndonjëherë se mund të isha një ditë Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë.
Vënia e dorës mbi Kushtetutë kur bëra betimin përpara Presidentit Begaj ishte momenti më emocionues i jetës time profesionale.
Votimi i emrit tim në Kuvendin e Shqipërisë për të marrë këtë detyrë kaq të lartë ishte nderi më i madh që mund të më bëhej si qytetar i kësaj Republike dhe shpërblimi i gjithë këtij betimi është borxhi më i madh ku mund të futesha në jetën time si një njeri i këtij vendi.
As nuk e dyshoj se plot të tjerë mund të kishin kredenciale më të forta për të qenë në vendin tim, që nga ato politike dhe deri tek kredencialet e lidhjeve miqësore. Ky fakt ma bën edhe më të rëndë peshën e përgjegjësisë për ta merituar vlerësimin që mu bë, duke ma besuar këtë detyrë.
Uroj që kështu ta shohin promovimin në karrierë edhe Drejtori i ri i Përgjithshëm dhe drejtuesit e rinj të qarqeve e të strukturave kyçe të Policisë së Shtetit, në këtë kohë historike të Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian.
Ata do të zgjidhen në javët në vijim me të njëjtën frymë dhe kredenciale, të njëjta të profilit të tyre profesional dhe meritës në punë.
Asgjë nuk do të ndikojë në procesin e përzgjedhjes së tyre, veç meritës e integritetit.
Ligji i ri i sapomiratuar i Policisë së Shtetit, merita kryesore për përmbajtjen shumë të mirë që i takon paraardhësit tim të nderuar Taulant Balla dhe drejtuesve aktual të Policisë së Shtetit, është një platformë e shkëlqyer për reformimin dhe modernizimin e mëtejshëm të trupës sonë policore.
Në bazë të këtij ligji kam nxjerrë Udhëzimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të tij, në detyrën e përkohshme të drejtuesit të lartë të Policisë, do të komandohet Zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga.
I ftoj të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm. Nëse e kanë këtë ambicie të mos ngurrojnë. Procesi është i hapur dhe zgjedhja do të jetë e pandikuar nga asgjë tjetër, përveç vlerave individuale të çdo kandidature.”-tha ministri Hoxha./ZËRI
Ervin Hoxha ‘përcjell’ Rrumbullakun: Dikur eprori im, sot miku im, dorëzon stafetën (Ish-drejtori shfaqet i prekur)

TIRANË- Muhamet Rrumbullaku ngjiti sot për herë të fundit shkallët e Ministrisë së Brendshme, në cilësinë e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, edhe pse mbrëmjen e djeshme u servis lajmi se ai kishte dhënë dorëheqjen. Lëvizje e cila ka qenë e detyruar për shkak të ndryshimeve në ligjin e ri për Policinë e Shtetit, që pritet të prekin disa drejtori të rëndësishme. Lajmi u bë me dije nga ministri Ervin Hoxha, i cili nuk e fshehu vlerësimin për eprorin e tij të dikurshëm, ndërsa dukshëm Rrumbullaku u shfaq i prekur nga largimi.
“Dua të përgëzoj punën e Policisë së Shtetit, me në krye dikur eprorin tim, sot mikun tim, Muhamet Rrumbullakun. Sot është dita për ta kaluar këtë stafetë në një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët do ta nisin punën jo nga gremina e vitit 2013, por nga lartësia e një pune të bërë përgjatë një decade. Kam bindjen që ata që do të dorëzojnë stafetën nuk do a kursejnë dijen dhe përvojën e fituar në këto vite për të mbështetur ngjitjen e mëtejshme të trupës së policisë drejt majës së Shqipërisë 2030”, u shpreh Hoxha mes të tjerave gjatë fjalës së tij.
Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, që vetë u emërua në këtë detyrë një muaj më parë, ftoi të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji, të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm. Sipas ministrit, përzgjedhja e drejtorëve të rinj do të bëhet në bazë të profilit të tyre profesional dhe meritës në punë./ZËRI
Ministri Hoxha konfirmon ‘furtunën’: Rrumbullaku dhe të tjerët dorëzojnë stafetën, kush do e drejtojë përkohësisht Policinë e Shtetit

TIRANË- Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka konfirmuar ndryshimet në radhët e drejtuesve të policisë së shtetit, duke nisur nga Muhamet Rrumbullaku, i cili do të zëvendësohet përkohësisht nga vartësi i tij, Sokol Bizhga.
Teksa fillimisht u ndal te marrja e detyrës së Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha tha se vendosja e dorës për t’u betuar mbi Kushtetutë ka qenë momenti më emocionues në karrierën e tij. Ai u ndal te ndryshimet që ka pësuar në dekadën e fundit struktura e policisë së shtetit, për të cilën tha se ka nevojë për një reformë të mëtejshme. Për këtë shkak për të gjitha pozicionet drejtuese në polici, do të hapet një konkurs, dhe në javët në vijim do të përzgjidhen edhe emrat e rinj në krye të strukturës.
Ervin Hoxha: Unë vij nga radhët tuaja, kam hyrë në moshë fare të re, dhe kam pasur nderin që të mësoj nga më të mirët e kësaj trupe. Kam qenë një dashamirës besnik që kam pasur mes jush një pjesë të mendjes dhe zemrës sime. E kam parë gjithë këtë trup në ditë shumë të këqija dhe të mira, përparimi i dekadës së fundit është i jashtëzakonshme, po të mendosh se ku kemi nisur 10 vite më parë.
Punonjësit e kësaj trupe bënin sa mundeshin, ishte koha kur rënia në detyrë e punonjësve ishte pjesë e punës sot, ndërkohë që vrasjet ndodhnin njëherë në 3 ditë. Sot ngjarjet kanë ndryshuar si dita me natën. Asnjë objektiv nuk është i pamundur për ne, ambicia jonë për policinë e 2030, mbështetet në ambicien tonë për rënien e kriminalitetit.
Dua të përgëzoj punën e deritanishme, mirënjohje për Muhamet Rrumbullakun, që e thelluan transformimin e policisë së shtetit. Sot është dita që ta kalojmë stafetën te të tjerë drejtues. Kam bindjen që ata që do të dorëzojnë stafetën, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e jashtëzakonshme që kanë pasur në këto vite. Unë u thirra në këtë detyrë, pa e menduar ndonjëherë se mund të isha ministër i brendshëm. Vendosja e detyrës në Kushtetutë ishte momenti më emocionues në karrierën time. Nuk e dyshoj që plot të tjerë mund të kishin kredenciale më të forta për të qenë në vendin tim, kjo bën që pesha e detyrës për mua të jetë më e rëndë. Deri në përzgjedhjen e drejtuesve të rinj në bazë të ligjit të ri për policinë e shtetit, në krye të këtij institucioni do të qëndrojë Sokol Bizhga.
Kryeministri Rama nga ana e tij, njoftoi në llogarinë e tij në Facebook se konkursi hapet në zbatim të ligjit të ri për Policinë e Shtetit dhe do të pasohet menjëherë nga procesi ligjor dhe meritokratik i ripërtëritjes së të gjithë skuadrës së drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit./ZËRI
Dorëheqje apo shkarkim- Prapaskenat që çuan në largimin e Muhamet Rrumbullakut, ministri mbledh sot në takim vartësit

TIRANË- Nga mbrëmja e djeshme Muhamet Rrumbullaku nuk do të jetë më drejtues i policisë së shtetit, ndërkohë që në media u tha se ai kishte dhënë dorëheqjen nga ky post. Dorëheqja e Rrumbullakut që u njoftua vetëm në mbrëmje vonë, u parapri nga disa lajme, për një rrokadë dhe një furtunë në radhët e policisë së shtetit, ndërsa u njoftua dhe një takim që ministri Ervin Hoxha do të kishte me vartësit paraditen e kësaj të premteje.
Por ndryshe nga sa u servis, se Rrumbullaku mund të ishte një prej kokave të prera nga Hoxha, në fakt ministri i brendshëm nuk ka tagër për shkarkimin e drejtorit të policisë, dhe ai vetëm mund t’ia propozojë këtë kryeministrin. Në mesin e kësaj gjullurdie informacionesh, që kishin për burim herë qeverinë dhe herë Ministrinë e Brendshme, Muhamet Rrumbullaku njoftoi dorëheqjen, dukshëm i detyruar, ndërsa nuk ka ende një letër publike nga ana e tij ku të shpjegojë motivet.
Ndërkohë që sot në orën 10:00 të paradites, ministri Hoxha do të mbledhë vartësit e tij, ku dhe priten të tjera ndryshimesh në nivel drejtorish. Në këtë takim ministri Hoxha do të njoftojë dhe hapjen e garës për drejtuesin e ri të policisë së shtetit, ndërsa do të bëhen publike dhe kushtet që ai do të duhet të plotësojë.
Muhamet Rrumbullaku qëndroi për dy vite në krye të Policisë së Shtetit, teksa zëvendësoi në atë pozicion Gledis Nanon. Rrumbullaku nuk iu shpëtoi akuzave, qoftë nga politika, qoftë nga opinion publik, dhe u bë protagonist në mbulimin jotransparent të disa ngjarjeve, më e fundit vrasja e Egli Progës në Pogradec./ZËRI