Operacioni i SPAK për vizat e paligjshme, Rrumbullaku: Sekuestruam mbi 1 mln euro

TIRANË- Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Muhamet Rrumbullaku, në një deklaratë për mediat dha detaje në lidhje me operacionin ndërkombëtar të trafikut të klandestinëve, ku ishin të përfshirë 26 persona, katër prej të cilëve efektivë policie.
Rrumbullaku theksoi se nga hetimi u zbulua se pesë subjekte tregtare u siguronin kontrata fiktive emigrantëve kryesisht nga Bangladeshi dhe iu siguronin vizat.
“Hetimi filloi bazuar në informacionin e grumbulluar me drejtorinë për hetimet për krimin e organizuar për shtetas dhe subjekte që siguronin kushte për shtetas të vendeve të ndryshme për të mbëritur në vendin tonë që të vijonin në drejtim të vendeve të BE. Hetimi zbuloi aktivitetet e të paktën 5 subjekteve tregtare që siguronin kontrata fiktive për shtetas kryesisht nga Bangladeshi, vijonin me ndjekjen për aplikime për vizë deri në mbërritjen në Rinas për 5 mijë euro. U identifikuan 26 persona të përfshirë, me punonjës të policisë të përfshirë.”, u shpreh Rrumbullaku.
Ai shtoi se në total janë sekuestruar rreth 1 milionë euro cash në kuadër të këtij operacioni.
“Në funksion të operacionit për ekzekutimin e masave, gjatë kontrolleve të ushtruara, janë gjetur dhe sekuestruar 13 automjete, 50 telefona, 3 pistoleta, një cifte, 4 laptopë, 400 mijë euro, 700 mijë dollarë amerikanë dhe dhjetëra dokumente tëe sekuestruara. Rreth 1 milionë euro cash. Hetimi i policisë nën drejtimin e SPAK, ku u vunë nën hetim përvec individë të ndryshëm dhe punonjës, hetimi i shërbeu edhe nismës së policisë edhe për vetëpastrimin e policisë. Në hetimin 1 vjecar të këtij procesimi u angazhuam 380 punonjës policie”, tha Rrumbullaku.
Ja çfarë u sekuestrua:
13 automjete
50 telefonë
3 pistoletë
1 çifte
50 fishkë
4 laptopë
400 mijë euro
700 mijë dollarë amerikane
4 mijë paund
Doza kokaine kanabis
Emrat e policëve të arrestuar
Altin Hasani
Edmond Braja
Arjel Hoxha
Ermal Hoxha
Dumani foli për drejtues policie të lidhur me krimin, Rrumbullaku: Kemi marrëdhëniet më të mira me SPAK

TIRANË- Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka dalë në një konferencë për mediat, ku ka komentuar deklaratat e fundit të kreut të SPAK, Altin Dumani, i cili tha se për disa operacione nuk mund të mbështeten te Policia e Shtetit.
“Mund t'iu them që policia dhe prokuroria e posaçme kanë marrëdhëniet më të mira të besimit, për goditjen e krimit të organizuar. Përtej çdo dyshimi që u ngrit padrejtësisht në ditët e fundit, operacioni është dëshmi e qartë e bashkëpunimit mes Policisë dhe SPAK, i mbvështetur te besimi reciprok. Pavarësisht funksionit që kanë këta persona. Ftoj qytetarët që të vijojnë të mbështesin policinë e shtetit, nga të gjithë ata që cënojnë jetën dhe pronën e tyre.Prokurori ka kompetencën të kontrollojë hetimet, dhe është e drejtë e tij për të deleguar hetimet”, u shpreh Rrumbullaku.
A ju ka vënë në dijeni Dumani?
Rrumbullaku: Drejtuesi i SPAK dhe i policisë së shtetit kanë marrëdhëniat më të mira të bashkëpunimit mes tyre. Përkundrejt të gjitha deklarimeve, që janë bërë.
Rrumbullaku tha se asnjë punonjës policie, nuk ka dhënë dorëheqjen për shkak të përdorimit të aplikacioneve të koduara./ZËRI
'Pse e keni rikthyer në detyrë Ervin Muçën?'/ Përgjigjet Rrumbullaku: Prita vendimin e Gjykatës

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku është përgjigjur lidhur me vartësin e tij, tashmë ish-drejtorin e IT-së, Ervin Muça. Në një konferencë për mediat, Rrumbullaku tha se Muça ka qenë në detyrë, pasi ka pritur vetëm vendimin e Gjykatës së Tiranës. Megjithatë shtoi se deri pak ditë më parë, i pandehuri ka qenë i pezulluar nga detyra. Po ashtu, tha se nga vetëdeklarimi i bërë brenda strukturave të Policisë, asnjë efektiv nuk është përdorues i rrjeteve të enkriptuara "Encrochat" dhe "SkyECC".
PJESË NGA PRONONCIMI:
Sa efektivë policie kanë përdorur SKY&Enchrochat?
Rrumbullaku: Kemi dhënë një njoftim zyrtar dhe AMP është deklaruar se asnjë nga punonjësit e Policisë nuk ka deklaruar se ka përdorur aplikacionit. Nuk kemi asnjë lloj dorëheqje, nëse do kishim pasur do e kishim bërë me dije.
A keni një shpjegim sot për qytetarët se pse e keni rikthyer në detyrë Ervin Muçën?
Rrumbullaku: Ligji parashikon se në momentin që lindin problematika, nëse dotë jeni edhe vetë të mirëinformuar, do të shikoni konkretisht se në raport me problematikën, regjistrimi penal është bërë nga Drejtoria e Përgjithshme. Drejtuesi i IT ka qenë i pezulluar nga detyra. Deri në momentin kur drejtësia u prononcua mbi bazën e një vendimi gjykate, konsomova të drejtën time bazuar në rregulloren e Policisë së Shtetit./ZËRI
SPAK dhe AMP në aksion, mes të arrestuarve shefi i zyrës së emigracionit të paligjshëm. Lëshonin viza për 500-1500 €

TIRANË- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga operacioni i SPAK, për goditjen e grupeve kriminale, që merren me trafikun e qenieve njerëzore. Burime bëjnë me dije se 4 punonjësit e policisë kufitare janë mbajtur prej më shumë se një viti nën vëzhgim nga AMP, ndërsa tashmë është finalizuar dhe ky operacion.
4 punonjës policie janë vënë në pranga, mes tyre dhe shefi i emigracionit të parregullt, Edmond Braja, i cili dyshohet se ka qenë dhe një nga personat kyç, në këtë rrjet të trafikut të qënieve njerëzore. Veç tij në pranga kanë rënë dhe Altin Hasani, Arjel Hoxha dhe Ermal Hoxha, të tre efektivë policie.
Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se personat në fjalë pajiseshin me vizë pune kundrejt shumave nga 500 deri në 1500 euro, dhe më pas e shfrytëzonin Shqipërinë si një pikë kalimi drejt shteteve të BE-së.
/ZËRI
SPAK megaoperacion në të gjithë vendin, lëshohen 26 urdhërarreste, në pranga dhe 4 policë (Emrat)

TIRANË- Një operacion mbarëkombëtar është duke u zhvilluar nga policia, me urdhër të SPAK, në të gjithë vendin, nga ku janë lëshuar 26 urdhërarreste, mes tyre edhe policë. Mësohet se aksioni është shtrirë në disa qytete të vendit, dhe është ndërmarrë në bashkëpunim mes SPAK dhe agjensive të tjera partnere.
Grupi kriminal që është goditur, dyshohet se ka qenë i përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore, por gjatë operacionit janë sekuestruar dhe armë si dhe kokainë. Hetimet për këtë operacion kanë nisur prej më shumë se një viti, ndërsa efektivët e arrestuar janë mbajtur nën vëzhgim nga Agjensia e Mbikqyrjes Policore.
ZËRI ka mësuar emrat e policëve të vënë në pranga, të cilët janë:
Altin Hasani
Edmond Braja
Arjel Hoxha
Ermal Hoxha
Në lidhje me operacionin pritet që të ketë një njoftim në vijim nga ana e Policisë. Efektivët e policisë, dyshohet se kanë pasur lidhje me eksponentë të këtyre grupeve kriminale, duke i toleruar ata në trafikun e qenieve njerëzore. Lajmin për goditjen e këtij grupi të trafikut të qenieve njerëzore e konfirmoi edhe ministri Taulant Balla gjatë një konference për mediat.
“Por ajo që do çmohet më tepër dhe për të cilën po punohet vazhdimisht është të mos lejojmë që këto zinxhirë të krijohen dhe zënë këmbë e duar të vajzave, djemve dhe fëmijëve tanë. Ndaj parandalimin, informimin dhe ndërgjegjësimin e shoqërisë e konsideroj si një element kyç në këtë përpjekje të përbashkët”, u shpreh Balla, në konferencën “Për një qasje të fokusuar në viktimat në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore”.
/ZËRI