Pengmarrja e Ervis Xhixhës, i përfshirë dhe ish-presidenti i Kamzës, dikur i vendosën tritol te “Hammeri”

TIRANË- Naim Qarri, ish-president i klubit të futbollit të Kamzës, është një prej personave për të cilin Gjykata e Tiranës ka kërkuar masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’, si i përfshirë në rrëmbimin e Ervis Xhixhës, së bashku me 6 persona të tjerë.
Për rrëmbimin e Xhixhës, me banim në Kamëz, ngjarje që dyshohet se ka ndodhur disa muaj më parë Gjykata ka lëshuar 4 masa sigurie arrest me burg, ndërsa 3 të tjerë janë lënën nën masën e arrestit të shtëpisë.
Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se masat e sigurisë arrest me burg janë dhënë për shtetasit: Tori (Hektor) Xheçuka, Aleksandër Osmani, Artan Pirraci dhe Fredi Keta. Ndërkohë që në masën e arrestit të shtëpisë janë lënë shtetasit: Naim Qarri, Sajmir Kolaveri dhe Adem Metkola.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se Xheçuka dhe Keta nuk janë arrestuar nga policia, dhe është bërë shpallja në kërkim e tyre. Ndërkohë që vetë Qarri, përveç angazhimit të tij si president i klubit të futbollit në Kamëz, ka qenë pjesë edhe e lajmeve të kronikës së zezë.
Në vitin 2017, Qarri i shpëtoi një atentati me tritol, ku një sasi lënde plasëse u vendos në mjetin e tij luksoz tip “Hammer”. Vetë Qarri asokohe pretendonte se nuk kishte konflikte apo dyshime mbi autorësinë.
“Unë ndodhesha në objekt të cilin e kam ndërtuar vetë. Dëgjuam një shpërthim. Kujtuam se ishte shkëndijë elektrike. Dolëm jashtë pamë tym. Unë nuk di se nga se ka ndodhur. Është e habitshme, pasi unë nuk kam asnjë konflikt apo problem as debate me ndonjë njeri”, shprehej Qarri 7 vite më parë. /ZËRI
Pengmarrja në Tiranë, Tori Xheçuka me shokë i kërkuan 70 mijë euro Ervis Xhixhës, të dy të skeduar për ngjarje kriminale

TIRANË- Detaje të reja kanë dalë në dritë nga hetimet e Prokurorisë së Tiranës, e cila ka lëshuar 7 urdhër-arreste për rrëmbimin e një 35-vjeçari me banim në zonën e Kamzës. Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se personi që u tentua të rrëmbehej është Ervis Xhixha, një person me precedent të mëparshëm penalë. Gjykata lëshoi masat e sigurisë arrest me burg për shtetasit Tori Xheçuka, alias Hektor Xheçuka, 36-vjeç, Aleksandër Osmani, 37-vjeç, Artan Pirraci, 50-vjeç, dhe Fredi Keta, 49-vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Ndërsa është lëshuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasit Naim Qarri, 52-vjeç, Sajmir Kolaveri, 42-vjeç dhe Adem Metkola, 46-vjeç. Për Xheçukën dhe Ketën masa e sigurisë nuk është ekzekutuar ende, për shkak se dyshohet se ndodhen jashtë vendit. Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë hequr lirinë 35-vjeçarit Ervis Xhixha dhe e kanë kanosur atë për dhënie pasurie. Ata i kanë kërkuar 70 mijë euro përmes kanosjes.
Ervis Xhixha, është një personazh i njohur për drejtësinë, pasi u arrestua në vitin 2019, për shkak se tentoi të vrasë në Zall Herr Bujar Beshirin, pas një konflikti me këtë të fundit, por më pas qëlloi në ajër.
Tori Xheçuka, alias Hektor Xheçuka, është një personazh i njohur i botës së krimit, pasi ishte shpallur edhe më herët në kërkim nga SPAK, teksa akuzohet si i përfshirë në disa vrasje.
Dyshohet se ai ndodhet në Dubai, ndërsa ka qenë i përfshirë dhe në përgjimet e SPAK, në operacionin Revanshi, ku bashkëpunonte me Ervis Martinajn për vrasjen e Durim Bamit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, dhe “Heqja e paligjshme e lirisë”./ZËRI
Pengmarrja në Tiranë, i përfshirë dhe Tori Xheçuka, i dyshuar si vrasës me pagesë. Arratisja ‘spektakolare’ drejt Dubait

TIRANË- ZËRI mëson detaje të reja nga pengmarrja e një 35-vjeçari në Tiranë, ku një prej autorëve është një personazh i njohur i botës së krimit, i cili dyshohet se prej disa kohësh strehohet në Dubai. Gjykata ka lëshuar 4 masa sigurie arrest me burg, ndërsa 3 të tjerë janë lënën nën masën e arrestit të shtëpisë.
Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se masat e sigurisë arrest me burg janë dhënë për shtetasit: Tori (Hektor) Xheçuka, Aleksandër Osmani, Artan Pirraci dhe Fredi Keta. Ndërkohë që në masën e arrestit të shtëpisë janë lënë shtetasit: Naim Qarri, Sajmir Kolaveri dhe Adem Metkola.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se Xheçuka dhe Keta nuk janë arrestuar nga policia, dhe është bërë shpallja në kërkim e tyre.
Hektor alias Tori Xheçuka u ka shpëtuar sërish autoriteteve shqiptare në vitin 2022, teksa ishte lënë nën masën e arrestit të shtëpisë, i dyshuar për vepra të rënda penale. Në momentin që efektivët e policisë i kishin shkuar në banesë, kanë konstatuar se Xheçuka nuk ndodhej aty dhe ishtelarguar në drejtim të Dubait.
Efektivët e policisë të komisariatit nr.2, shkuan në Qershor të vitit 2022 në banesën ku qëndronte Xheçuka, por nuk e kanë gjetur aty. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e familjarëve të tij në Kamëz, por as atje nuk është gjetur. Që prej janarit 2022, brenda një periudhe 5 mujore Xheçuka, rezulton të jetë larguar dy herë nga banesa e tij, duke thyer masën e sigurimit “Arrest në shtëpi”.
Për rastin e largimit të parë, policia mundi ta arrestojë në zonën e spitalit “Nënë Tereza”. Për këtë thyerje të masës së sigurisë, Xheçukës ju vendos nga gjykata e Tiranës, dhe një masë e dytë “arrest në shtëpi” për akuzën e “Largimit nga vendi që i ka caktuar gjykata”. Por, ai e përsëriti të njëjtin gabim.
Hektor alias Tori Xheçuka është dënuar për plagosjen e Enrik Metrës, ngjarje kjo e ndodhur në zonën e Burrelit. Hektor Xheçuka u arrestua në 5 tetor të 2018-së dhe u akuzua si vrasësi i Emiljano Boçit. Policia e Tiranës tha në atë kohë se kishte prova të pakundërshtueshme për të, duke shtuar se Xheçuka dyshohet si një vrasës me pagesë i rrezikshëm, që mund të kishte lidhje edhe me disa vrasje të tjera të ndodhura në Tiranë e në qytete të tjera të Shqipërisë.
Xheçuka u akuzua se kishte ekzekutuar Boçin për llogari të një grupi rival në fushën e trafikimit dhe shitjes së lëndëve narkotike me operim në Holandë, aty ku dyshohet të ketë patur aktivitet dhe grupi i Boçit. Por pesë muaj pasi u arrestua, Xheçuka u lirua nga burgu, më 25 prill të vitit 2019. Zyrtarisht u deklarua se nuk ishin gjetur prova bindëse për të akuzuar Xheçukën për vrasjen e Emiljano Boçit. Hetimet për vrasjen e Emiljano Boçit u rikthyen në pikën zero./ZËRI
E rëndë në Tiranë, merret peng 35-vjeçari, 2 në pranga, 2 në kërkim, 3 në arrest shtëpie

TIRANË- Një 35-vjeçar është marrë peng nga 7 persona në Tiranë, ndërsa dyshohet se i është bërë presion dhe kanosje për dhënie pasurie.
Burime bëjnë me dije për ZËRI-n se Gjykata ka lëshuar masat e sigurisë arrest me burg për shtetasit: Tori (Hektor) Xheçuka, Aleksandër Osmani, Artan Pirraci dhe Fredi Keta.
Ndërkohë që në masën e arrestit të shtëpisë janë lënë shtetasit: Naim Qarri, Sajmir Kolaveri dhe Adem Metkola.
Masat e sigurisë për Xheçukën dhe Ketën nuk janë ekzekutuar ende.
NJOFTIMI I POLICISË:
Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, operacioni policor i koduar "The debt".
Ekzekutohet masa e sigurimit personal "Arrest në burg", për 4 shtetas, dhe masa e sigurisë "Arrest në shtëpi", për 3 të tjerë.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacioni policor të koduar "The debt". Në kuadër të këtij operacioni: u ekzekutua masa e sigurisë "Arrest në burg", për shtetasit: T. Xh., alias H. Xh., 36 vjeç, A. O., 37 vjeç, A. P., 50 vjeç, dhe F. K., 49 vjeç, të gjithë banues në Tiranë.
Po ashtu u ekzekutua masa e sigurisë "Arrest në shtëpi", për shtetasit: N. Q., 52 vjeç, S. K., 42 vjeç dhe A. M., 46 vjeç.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, i kanë hequr lirinë një 35-vjeçari, dhe e kanë kanosur atë për dhënie pasurie.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprat penale "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie", dhe "Heqja e paligjshme e lirisë", parashikuar nga nenet 109/b dhe 110/2 të Kodit Penal./ZËRI