LIVE UPDATES

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët! Qindra viktima (Zhvillimet)

➤ Rripi i Gazës është ndezur sërish! ➤ Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është "në luftë" pasi militantët e Gazës filluan një sulm të befasishëm të shtunën, duke lëshuar mijëra raketa dhe duke hyrë nga toka, deti e ajri. ➤ Të paktën 40 persona kanë vdekur dhe rreth 800 janë plagosur në Izrael. ➤ Pas sulmit ka nisur dhe kundërpërgjigjia e Izraelit që ka regjiatruar të paktën 160 viktima. Avionët ushtarakë kanë sulmuar bazat e militantëve në Rripin e Gazës. ➤ Në Gaza, të paktën 198 palestinezë janë vrarë të shtunën, me 1,610 të plagosur, tha ministria palestineze e shëndetësisë. ➤ Izraeli u kundërpërgjigj dhe filloi sulmet ajrore në Gaza, pasi Netanyahu u zotua se "armiku do të paguajë një çmim të madh". ➤ Forcat e Mbrojtjes të Izraelit thanë se trupat e saj po luftojnë në të paktën gjysmë duzinë vendesh. ➤Disa banorë në Izrael thanë se militantët po përpiqeshin të hynin në shtëpitë e tyre. ➤ Hamasi pretendoi se kishte kapur disa ushtarë izraelitë pranë kufirit. ➤ Sulmi i së shtunës vjen në 50-vjetorin e Luftës së 1973, në të cilën shtetet arabe sulmuan Izraelin në Yom Kippur, ditën më të shenjtë të kalendarit hebre.

16 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Biden bisedë telefonike me Netanyahun: Mbështetja jonë për Izraelin, e palëkundur

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu

IZRAEL – Presidenti amerikan Joe Biden ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Biden ka deklaruar se SHBA dënon pa mëdyshje këtë sulm ndaj Izraelit. Kreu i shtetit amerikan ka siguruar Neyanyahun, se Shtetet e Bashkuara mbeten një aleate e palëkundur e shtetit izraelit.

Mesazhi i Biden në bisedën telefonike me kryeministrin izraelit, Netanyahu: Terrorizmi nuk justifikohet kurrë. Izraeli ka të drejtë të mbrojë veten dhe popullin e tij. Shtetet e Bashkuara paralajmëron çdo palë tjetër armiqësore ndaj Izraelit, që kërkon të përfitojë nga kjo situatë.

Mbështetja e administratës sime për sigurinë e Izraelit është e fortë dhe e palëkundur.

Unë dhe administrata amerikane po ndjekim nga afër zhvillimet dramatike që po ndodhin në Izrael. Uashingtoni është aleati juaj më i madh.

Sot, grupi militant palestinez Hamas ka sulmuar me raketa disa qytete izraelite, duke vrarë më shumë se 100 persona. Izraeli u hakmor, duke vrarë së paku 198 palestinezë e plagosur 1600 persona të tjerë./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

Izraeli: Do vrasim çdo terrorist, njerëzit do çlirohen nga terrori

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Sulmi me raketa nga Izraeli në drejtim të grupit të Hamas

GAZA – Izraeli ka njoftuar se pas sulmeve raketore, do të përdorë ‘mjete të rënda tokësore’ dhe se ‘do të vrasë çdo terrorist, që cënon jetën e njerëzve’.

“Territori izrealit duhet të pastrohet njëherë e mirë nga terroristët. Pas sulmeve ajrore, do të përdorim mjete të rënda tokësore. Do të vrasim çdo terrorist, që cënon jetën normale të njerëzve.

Qëllimi ynë është që të çlirojmë jetën e njerëzve nga terrori dhe të gjithë të jetojnë në paqe”, thanë autoritetet e sigurisë së Izrelit, në një deklaratë për mediat.

Ministria e Mbrojtjes e Izraelit ka njoftuar se po kryen luftime në 22 vendbanime të ndryshme.

Izraeli ka konfirmuar raportimet e mëhershme të mediave lokale, për rrëmbime të Hamas-it.

Autoritetet e Izraelit janë shprehur se militantët e Hamas kanë rrëmbyer ushtarë dhe civilë izraelitë. Por, Izraeli nuk ka saktësuar sesa persona janë rrëmbyer nga grupi militant palestinez.

Grupi militant Hamas sulmoi sot befasisht Izraelin, duke vrarë së paku 100 izraelitë. Autoritetet izraelite janë hakmarrë menjëherë, duke vrarë 198 palestinezë dhe plagosur mbi 1610 të tjerë. /Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

Izraelitët rrëfejnë ferrin që përjetuan: U mbyllëm në shtëpi, terroristët i binin derës

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Një izraelit, duke parë nga dritarja, pasi militantët e Hamas 'pushtuan' zonën e banuar nga hebrenjtë

IZRAEL- Për orë të tëra, njerëzit në Izrael kanë telefonuar në radaksitë e lajmeve, duke thënë se janë bllokuar në shtëpi, pasi militantët palestinezë hynë në qytetet dhe fshatrat e tyre, në një sulm të madh të befasishëm.

Shumë prej izraelitëve janë fshehur, pasi kanë thënë se kanë dëgjuar të shtëna armësh, ndërsa të tjerët janë ankuar, teksa thanë se nuk mund të gjenin dot të dashurit e tyre.

"Terroristët po përpiqen të hyjnë në shtëpinë time," tha Ayelet Hachim për Channel 12, nga shtëpia e saj në qytetin Kibbutz Be'eri, afër Rripit të Gazës. “I dëgjoj zërat e tyre dhe po i bien derës. Jam me dy fëmijët e mi të vegjël”, deklaroi banorja e qytetit izraelit me zërin duke iu dridhur.

Izraeli u ka bërë thirrje civilëve pranë kufirit që të qëndrojnë në vendet e strehimit. Por në Kibbutz Be'eri, banorët thanë se militantët palestinezë po përpiqeshin të futeshin në shtëpi, edhe në vendet e strehimit. Një banor që jeton në qytet tha për Channel 12: "Ka të shtëna që ndihen në të gjithë vendin, jam në shtëpi dhe i dëgjoj jashtë shtëpisë sime”.  

23-vjeçarja Ella, banore e qytetit Kibutz Be’eri tha se ka dëgjuar se “terroristët janë në strehimore”, duke shtuar se ka dëgjuar breshëri plumbash automatiku. Të gjitha shtëpitë në Izrael janë të detyruara me ligj të kenë strehimore dhe ka gjithashtu strehimore edhe në vende publike.

Një tjetër banore rrëfeu tmerrin e përjetuar. "Unë kam qenë në strehë me foshnjën time disa javore për më shumë se dy orë, ndërsa shtëpia ime po merrte flakë”. Banorët e tjerë kanë bërë thirrje për ndihmë në rrjetet sociale.

“Urgjentisht, ju lutemi ndihmoni. Duhet të shpëtojmë nipat e mi që janë fshehur. Nëna dhe babai i tyre kanë vdekur në Kfar Aza”, deklaroi një izraelit.  

“Nuk kam qenë kurrë kaq e frikësuar”

Në një vendbanim tjetër, një grua e quajtur Adele shkroi në Facebook: "Na është thënë të mbyllim dyert, të mos largohemi nga strehimoret. Ne nuk po e ndezim as kondicionerin, nga frika se mos duket se ka njerëz në shtëpi. Dëgjoj shumë të shtëna, edhe pse muret e trasha të dhomës më japin pak siguri. Më duhet të shkoj në tualet, por nuk guxoj. Nuk kam qenë kurrë kaq e frikësuar".

Në Kibbutz Nir Oz, në Izraelin jugor afër kufirit me Gazën, një banor i quajtur Yoni shkroi në Facebook: "Ata rrëmbyen vjehrrën time dhe u larguan me të. Më duhet urgjentisht të kontaktoj me ushtrinë dhe të kërkoj ndihmë në media".

Ofir, një banore i qytetit të Sufas, tha: "Ne jemi mbyllur në strehën tonë, ushtria nuk është këtu. Burri im është me ushtrinë duke luftuar jashtë. Ata po qëllojnë mbi ne në shtëpitë tona, duke u përpjekur të hyjnë në shtëpitë tona”.

Sulmi i paprecedentë nga Hamasi filloi herët në mëngjesin e së shtunës, pasi luftëtarët e grupit palestinez kanë qëlluar qytetet izraelite me raketa. Militantët pretenduan se kishin lëshuar mijëra raketa, me disa prej tyre që synonin qytete si Tel Aviv dhe Jerusalemi.

Gazetari anglez Gideon Levy, i cili ndodhet në Tel Aviv, shpjegoi situatën për BBC: "Rrugët janë krejtësisht bosh. Restorantet, kafenetë çdo gjë është e mbyllur dhe ka një ndjenjë të rëndë befasie, tronditjeje dhe frike. Këtu sapo është kaluar një ngjarje e tmerrshme”.

Izraeli nisi një valë sulmesh ajrore në Rripin e Gazës si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të mëhershme të Hamas. Sipas zyrtarëve lokalë, sulmet në Gaza kanë vrarë 161 palestinezë dhe kanë plagosur rreth 1 600 të tjerë./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

50 vite nga lufta e Yom Kipurit, pse sulmi nisi sot dhe kush e tradhëtoi Izraelin

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Izrael

IZRAEL- Nga Frank Gardner, korrespondenti i sigurisë së BBC-së

“Nuk e kemi idenë se si mund të ketë ndodhur kjo”. Ky është reagimi që kanë dhënë sot zyrtarët izraelitë kur i pyes se si, me gjithë burimet e saj të mëdha, inteligjenca izraelite nuk e Parashikoi këtë sulm që po vinte. Dhjetëra persona të armatosur palestinezë ishin në gjendje të kalonin kufirin e fortifikuar mes Izraelit dhe Rripit të Gazës, ndërsa mijëra raketa u hodhën nga Gaza në Izrael.

Me përpjekjet e kombinuara të Shin Bet, inteligjencës së brendshme izraelite, Mossad-it, agjencisë së saj të jashtme të spiunazhit dhe të gjitha aseteve të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, është sinqerisht befasuese që askush nuk vuri re asgjë.

Ose nëse e kanë bërë, nuk kanë arritur të veprojnë...

Izraeli ka pa dyshim shërbimet më të gjera dhe më të mirëfinancuara të inteligjencës në Lindjen e Mesme. Ka informatorë dhe agjentë brenda grupeve militante palestineze, në Liban, Siri e kudo.

Në të kaluarën, Izraeli ka kryer atentate në kohën e duhur të liderëve militantë, duke i ditur nga afër të gjitha lëvizjet e tyre.

Disa here, këto sulme janë bërë me dron, pasi agjentët kanë vendosur një gjurmues GPS në makinën e një individi; ndërsa herë të tjera janë përdorur edhe telefona celularë për të mundësuar shpërthimin.

Në terren, përgjatë gardhit të tensionuar kufitar midis Gazës dhe Izraelit ka kamera, sensorë të lëvizjes në tokë dhe patrulla të rregullta të ushtrisë.

Gardhi me tela me gjemba supozohet të ketë qenë një "pengesë e zgjuar" për të parandaluar pikërisht atë që ndodhi sot.

Megjithatë, militantët e Hamasit ia dolën ta ‘thyejnë’. Për t'u përgatitur dhe kryer një sulm i tillë i koordinuar, kompleks, e që përfshin grumbullimin dhe lëshimin e mijëra raketave, pikërisht nën hundën e izraelitëve, duhet që Hamasi të ketë marrë nivele të jashtëzakonshme të sigurisë operacionale nën kontroll. Kush tradhëtoi?

Ajo që duhet theksuar është që ky sulm vjen në një datë domethënëse, në 50-vjetorin e një sulmi tjetër të befasishëm nga armiqtë e Izraelit në atë kohë, lufta e Yom Kipurit e ndodhur në tetor të vitit 1973.

Zyrtarët izraelitë më thonë se ka filluar një hetim i madh lidhur me këtë gjë.

Por, tani shqetësimi më i madh për Izraelin është ky: si do t’ia dalë të ndalojë që të tjerët t'i përgjigjen thirrjes për armë të Hamasit dhe të shmangë përhapjen e luftës në Bregun Perëndimor dhe ndoshta edhe të tërheqë luftëtarët e Hezbollahut të armatosur rëndë përtej kufirit të tij verior me Libanin?

1 VITE ME PARE

Sulmet me raketa të Izraelit vrasin 198 palestinezë, plagosen 1 610 të tjerë

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Sulmi me raketa në Izrael

GAZA - Të paktën 198 palestinezë u vranë në Gaza të shtunën, dhe 1 610 të tjerë janë plagosur. Shifrat janë bërë me dije nga Ministria Palestineze e Shëndetësisë.

Ministria nuk dha një vendndodhje, se në cilin rajon u shënuan vdekjet dhe nëse vdekjet përfshinin militantë të Hamasit ose civilë në Gaza.

Vdekjet vijnë pasi Forcat e Mbrojtjes së Izraelit kryen sulme në përgjigje të një breshërie raketash nga Hamasi gjatë mëngjesit të sotëm. Zyrtari i lartë i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, i ngarkuar me aktivitetet në territoret palestineze, gjeneral major Ghassan Alian, tha se Hamasi kishte "hapur dyert e ferrit" me sulmin e tij të befasishëm.

“Hamasi ka hapur portat e ferrit në Rripin e Gazës. Hamasi e mori vendimin dhe ajo organizatë do të mbajë përgjegjësinë dhe do të paguajë për veprat që ka kryer”, tha Alian. 

Retorika luftarake e Alian vjen pas komenteve të mëparshme të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili tha se “armiku do të paguajë një çmim të lartë për atë që ka bërë, të paparë ndonjëherë”.

Pritet që Netanyahu të ketë një takim me presidentin amerikan, Joe Biden, në lidhje me situatën në Rripin e Gazës. Sot, në një sulm të befasishëm, Hamas sulmoi me raketa Izraelin, duke vrarë 100 izraelitë. Hakmarrja nga Izraeli ishte e menjëhershme./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

240 viktima! Ç’ka ndodhur deri më tani në Rripin e Gazës (Harta)

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Harta

IZRAEL- Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se vendi i tij është në luftë, pasi militantët palestinezë e sulmuan me një breshëri raketash vdekjeprurëse dhe dërguan njerëz të armatosur në territorin izraelit në një përshkallëzim të madh të konfliktit afatgjatë midis dy palëve  .

Autoritetet izraelite thonë se të paktën 40 persona janë vrarë dhe rreth 800 të tjerë janë plagosur në sulmin e papritur herët në mëngjes. Autoritetet palestineze thanë se rreth 200 njerëz u vranë pasi Izraeli nisi sulmet ajrore. Luftimet vazhdojnë ende në terren.

Detajet kryesore:

Hamasi merr përgjegjësinë: Hamasi, lëvizja militante palestineze që drejton Gazën, ka marrë përgjegjësinë për inkursionin. Militantët hodhën më shumë se 2000 raketa nga Rripi i Gazës në Izrael, sipas ushtrisë izraelite, ndërsa luftëtarët e Hamasit hynë në Izraelin jugor nga toka, deti dhe ajri, duke përdorur paragliderë. Hamasi thotë se ka kapur disa ushtarë izraelitë pranë kufirit, por ushtria izraelite nuk i ka konfirmuar zyrtarisht raportet.

Përgjigja e ushtrisë izraelite: Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) nisën sulme kundër një numri objektivash të Hamasit në Gaza, thanë udhëheqësit ushtarakë. Forcat e IDF po luftojnë në terren në të paktën gjysmë duzinë vendesh, duke përfshirë disa fshatra, dy baza ushtarake dhe pika kufitare, tha një zëdhënës.

Çfarë thotë Netanyahu: Kryeministri izraelit është zotuar se Hamasi do të "paguajë një çmim që nuk e ka ditur kurrë" për sulmin. “Qytetarë të Izraelit, ne jemi në luftë, jo në një operacion, jemi në luftë,”- tha ai në një video-mesazh.

Skena në terren: Banorët e dy komuniteteve izraelite i thanë stacionit televiziv Channel 12 se sulmuesit nga Gaza po përpiqen të hyjnë në shtëpitë e tyre. Ata janë lutur vazhdimisht në TV për ndihmë nga ushtria izraelite. Ndërkohë, IDF ka publikuar video, ku pretendhet se duken sulmet ajrore ndaj objektivave të Hamasit në Gaza.

Alarm në të gjithë botën: Zyrtarët amerikanë e kanë parë me shqetësim sulmin në shkallë të gjerë. Presidenti i SHBA Joe Biden dhe Netanyahu pritet të flasin së shpejti .

Një datë domethënëse: Sulmi i befasishëm erdhi në 50-vjetorin e Luftës së 1973, në të cilën shtetet arabe sulmuan Izraelin në Yom Kippur, ditën më të shenjtë të kalendarit hebre.

Një hartë e vendit ku po zhvillohen luftimet:

1 VITE ME PARE

Luftimet në Rripin e Gazës/ Anulohen fluturimet, mbyllen shkollat

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Ushtarë izraelitë në Rripin e Gazës

GAZA – Një bilanc lufte u shënua nga sulmet me raketa të Hamas dhe më pas të Izraelit në afërsi të Rripit të Gazës.

Kjo ka bërë që autoritetet të marrin masa. Ministria e Arsimit në Izrael tha se shkollat do të mbyllen, së paku deri të dielën.

Një numër i madh linjash ajrore kanë anuluar fluturimet drejt Izraelit, për shkak të sulmeve të Hamasit.

“Një linjë ajrore gjermane ndërpreu fluturimet për në Izrael pas një vale sulmesh palestineze”, tha një zëdhënës për AFP.

Edhe disa linja ajrore austriake dhe turke kanë ndërpreë udhëtimet drejt Izraelit.

Sot në mëngjes, Hamas sulmoi fillimisht Izraelin dhe vrau 40 persona dhe plagosi mbi 500 persona.

Ndërsa, kundërpërgjigja nga Izraeli ishte “e egër”. Raketat izraelite kanë vrarë së paku 198 palestinezë dhe plagosën mbi 1000 të tjerë./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

Si po reagon bota ndaj luftimeve në Izrael

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Izrael

IZRAEL- Liderët botërorë po reagojnë ndaj sulmit të papritur të Hamasit ndaj Izraelit të shtunën në mëngjes. Shumë prej tyre, siç ka ndodhur gjatë konflikteve të mëparshme, bëjnë thirrje për qetësi dhe përmbajtje.

Çfarë thuhet në Lindjen e Mesme:

Egjipt: Shpesh, ndërmjetësi midis dy palëve, Egjipti tashmë po përpiqet të gjejë një mënyrë për të ndaluar gjakderdhjen. Ministri i Jashtëm Sameh Shoukry tha se ai është në komunikim “intensiv” me kolegët dhe zyrtarët ndërkombëtarë për të “ndaluar përshkallëzimin e vazhdueshëm”, tha ministria në një deklaratë.

Turqi: Duke folur në një konferencë politike, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se vendi i tij u bën thirrje "palëve të veprojnë me përmbajtje në dritën e ngjarjeve në Izrael këtë mëngjes dhe të qëndrojnë larg hapave impulsivë që do të përshkallëzojnë tensionin".

Arabia Saudite: Mbretëria tha se po ndjek nga afër situatën "të paprecedentë" dhe u bëri thirrje "të dyja palëve të ndalojnë menjëherë përshkallëzimin". Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite tha në një deklaratë se po përsërit "paralajmërimet e saj të mëparshme të përsëritura për rreziqet e shpërthimit të situatës si rezultat i okupimit të vazhdueshëm dhe privimit të popullit palestinez nga të drejtat e tij legjitime".

Iran: Një këshilltar i liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei shprehu mbështetje për sulmin militant palestinez ndaj izraelitëve të shtunën, tha ISNA e lidhur me shtetin iranian.

Ja si kanë reaguar zyrtarët e Bashkimit Evropian:

Ursula von der Leyen: Presidentja e Komisionit Evropian tha në X, e njohur më parë si Tëitter, se ajo dënon "pa mëdyshje" sulmin. "Është terrorizëm në formën e tij më të neveritshme. Izraeli ka të drejtë të mbrohet kundër sulmeve të tilla të neveritshme."

Charles Michel: Presidenti i Këshillit Evropian dënoi gjithashtu “sulmet pa dallim të nisura kundër Izraelit dhe popullit të tij këtë mëngjes, duke shkaktuar terror dhe dhunë ndaj qytetarëve të pafajshëm. Mendimet e mia janë me të gjitha viktimat. BE qëndron në solidaritet me popullin izraelit në këtë moment të tmerrshëm.”

Çfarë thonë liderët evropianë:

Presidenti francez Emmanuel Macron: Unë dënoj fuqishëm sulmet terroriste që po godasin aktualisht Izraelin. Shpreh solidaritetin tim të plotë me viktimat, familjet dhe të dashurit e tyre.

Kancelari gjerman Olaf Scholz: Sot na vijnë lajme tronditëse nga Izraeli. Shpërthimi i raketave nga Gaza dhe dhuna në rritje na tronditin thellë. Gjermania i dënon këto sulme të Hamasit dhe qëndron në krah të Izraelit.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak: Jam i tronditur nga sulmet e mëngjesit të sotëm nga terroristët e Hamasit kundër qytetarëve izraelitë. Izraeli ka të drejtë absolute për të mbrojtur veten. Ne jemi në kontakt me autoritetet izraelite dhe shtetasit britanikë në Izrael duhet të ndjekin këshillat e udhëtimit.

Kryeministri holandez Mark Rutte: Imazhe të tmerrshme nga Izraeli. Organizata terroriste Hamas po kryen një sulm të paprecedentë ndaj Izraelit. Civilët e pafajshëm po sulmohen nga terroristët. Kjo dhunë duhet të ndalet; Izraeli ka çdo të drejtë të mbrojë veten.

Si reaguan Rusia dhe Ukraina:

Zëvendësministri i Jashtëm i Rusisë dhe i dërguari për Lindjen e Mesme Mikhail Bogdanov i tha RIA Novosti të shtunën se Rusia është në kontakt me zyrtarët izraelitë dhe palestinezë dhe u bën thirrje të dyja palëve për një armëpushim të menjëhershëm.

Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës tha në një deklaratë se Ukraina dënon fuqishëm sulmet terroriste të vazhdueshme kundër Izraelit, duke përfshirë sulmet me raketa kundër popullatës civile në Jerusalem dhe Tel Aviv.

“Ne shprehim mbështetjen tonë për Izraelin në të drejtën e tij për të mbrojtur veten dhe popullin e tij”, shtoi ai.

Zyrtarët amerikanë e shohin gjithashtu të alarmuar shpërthimin e dhunës në Izrael

Kryediplomati amerikan në Izrael, Stephanie Hallett: Unë dënoj lëshimin pa kriter të raketave nga terroristët e Hamasit kundër civilëve izraelitë. Unë jam në kontakt me zyrtarët izraelitë dhe mbështes plotësisht të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur nga akte të tilla terroriste.

Presidenti i SHBA Joe Biden, i cili foli për herë të fundit me kryeministrin Benjamin Netayanhu gjatë një takimi në shtator, ka mbrojtur prej kohësh të drejtën e Izraelit për t'u mbrojtur dhe pritej të monitoronte nga afër konfliktin gjatë gjithë ditës.

1 VITE ME PARE

Pse grupi Hamas nisi një sulm ndaj Izraelit? Gjithçka që duhet të dini

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Sulmet me raketa në qytetet e banuara nga izraelitët

GAZA - Izraeli dhe Hamasi duket se janë në prag të një tjetër konflikti, pas një sulmi të befasishëm të shtunën që përfshinte operacione ajrore, detare dhe tokësore, të iniciuara nga grupi palestinez në Rripin e Gazës. Izraeli u përgjigj me një bombardim të rëndë të enklavës bregdetare, e cila është e bllokuar.

Çfarë ndodhi dhe kur?

Grupi i armatosur palestinez Hamas ka nisur Operacionin “Al-Aksa Flood" kundër Izraelit në konfliktin më serioz, që kur Izraeli dhe Hamasi zhvilluan një luftë 11-ditore në 2021.

Hamasi tha se kishte lëshuar 5 000 raketa, ndërsa Izraeli konfirmoi se luftëtarët e grupit kishin hyrë në territorin izraelit.  Daniel Hagari, një zëdhënës i ushtrisë izraelite, tha se grupi HAMAS sulmoi nga toka, deti dhe ajri.

Raketat e para u lëshuan në orën 06:30 të mëngjesit me orën lokale. Ushtria izraelite tha gjithashtu se nisi operacionin “Shpata të Hekurta" kundër grupit të Hamasit në Rripin e Gazës. Sulmet nisën herët në mëngjes, gjatë ditës së sotme, kur izraelitët po festonin festën e Simchat Torah, një festë e cila shënohet në përfundim të festivalit një javor hebre, i njohur si Sukkot.

Ku ndodhën sulmet?

Raketat u hodhën deri në Tel Aviv. Hamasi dërgoi gjithashtu luftëtarë në Izraelin jugor. Mediat izraelite thanë se persona të armatosur kishin hapur zjarr ndaj kalimtarëve në qytetin Sderot dhe pamjet që qarkullonin në mediat sociale tregonin përleshje në rrugët e qytetit. Një raport pretendonte se luftëtarët e Hamasit kishin marrë kontrollin e qendrave të shumta të popullsisë civile izraelite, ku banorët po luteshin për ndihmë nga qeveria e tyre.

Ushtria izraelite thotë se dhjetëra avionë luftarakë po kryejnë sulme ndaj objektivave të Hamasit në Rripin e Gazës. Aktualisht, betejat me armë po zhvillohen rreth qyteteve Kfar Aza, Sderot, Sufa, Nahal Oz, Magen, Be'eri dhe bazën ushtarake Re'im, raportoi Times of Israel.

Sa viktima janë nga ana e Izraelit dhe sa nga ana e Palestinës?

Të paktën 22 izraelitë janë vrarë, thanë mediat lokale, duke cituar shërbimet e urgjencës. Më shumë se 500 izraelitë janë plagosur, citon Reuters të ketë thënë Ministria e Shëndetësisë e vendit.

Të paktën katër palestinezë janë vrarë dhe pesë janë plagosur në konfrontimet mes ushtrisë izraelite dhe grupeve palestineze në zonën kufitare të Rripit të Gazës.

Pse Hamasi sulmoi Izraelin?

Zëdhënësi i Hamasit Khaled Qadomi i ka thënë Al Jazeera-s se operacioni ushtarak i grupit është në përgjigje të të gjitha mizorive, me të cilat janë përballur palestinezët gjatë dekadave. “Ne duam që komuniteti ndërkombëtar të ndalojë mizoritë në Gaza, që zhvillohen kundër popullit palestinez, vendeve tona të shenjta si Al-Aksa. Të gjitha këto janë arsyet për fillimin e kësaj beteje”, tha ai.

"Kjo është dita e betejës më të madhe, për t'i dhënë fund pushtimit të fundit në tokë," tha Mohammed Deif, komandanti ushtarak i Hamasit. Ai shtoi se HAMAS ka lëshuar sot 5000 raketa. “Të gjithë ata që kanë një armë duhet të luftojnë. Sot është dita për ta bërë këtë gjë”, tha Deif.

Hamasi u bëri thirrje "luftëtarëve të rezistencës në Bregun Perëndimor" si dhe "kombeve arabe dhe islamike" që t'i bashkohen betejës. Kjo thirrje u postua në Telegram.

Çfarë thotë qeveria izraelite?

Ushtria izraelite paralajmëroi hebrenjtë, që jetojnë pranë Gazës të qëndrojnë në shtëpitë e tyre ose të shkojnë në vende të sigurta. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se vendi i tij është në një luftë që "do ta fitojë". Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant tha se Izraeli "do ta fitojë këtë luftë". Ai tha se Hamasi kishte bërë një “gabim të rëndë këtë mëngjes dhe kishte nisur një luftë kundër shtetit të Izraelit”.

Çfarë po ndodh në terren?

Ushtria izraelite po lufton luftëtarët e Hamasit në shtatë vendndodhje në jug të Izraelit, pranë kufirit me Rripin e Gazës, raporton Times of Israel. Kabineti izraelit pritet të mbajë një mbledhje në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes. Ministria e Shëndetësisë në Gaza ka bërë thirrje për dhurim gjaku në spitalet që ndodhen në enklavën e rrethuar.

Cilat janë reagimet ndërkombëtare deri tani?

Qeveria çeke e ka dënuar Hamasin për fillimin e “sulmeve terroriste” ndaj aleatit tradicional të Pragës, Izraelit. Shefi i Punëve të Jashtme i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, shprehu solidaritet me Izraelin.

Ministria e Jashtme franceze tha se Franca dënon "sulmet terroriste që po ndodhin kundër Izraelit dhe popullsisë së tij" dhe se Franca shpreh solidaritetin e saj të plotë me Izraelin. Mbretëria e Bashkuar tha se "dënon pa mëdyshje" një sulm të befasishëm nga grupi islamik palestinez Hamas ndaj Izraelit.

Egjipti u shpreh se mund të ketë "pasoja të rënda" në rast se situata përshkallëzohet. Shteti egjiptian bëri thirrje për "shmangien e ekspozimit të civilëve ndaj rrezikut ".

Grupi libanez Hezbollah lëshoi një deklaratë të shtunën duke thënë se po ndiqte nga afër situatën në Gaza dhe ishte në "kontakt të drejtpërdrejtë me udhëheqjen e rezistencës palestineze"./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

A dështuan sot shërbimet inteligjente izraelite?

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Bobardimet e Hamas mbi territoret izraelite

IZRAEL – Mediat ndërkombëtare raportojnë se forcat e HAMAS kanë mundur të kryejnë sot një sulm ndaj forcave izraelite, duke vrarë së paku 22 ushtarë izraelitë. Raportohet se palestinezët kanë marrë nën kontroll tanke të Izraelit. Mediat lokale palestineze shkruajnë se janë marrë pengje disa ushtarakë izraelitë.

Por, a dështoi shërbimi inteligjent izraelit, në këtë goditje të HAMAS? BBC shkruan se Izraeli ka një nga rrjetet më të sofistikuara të shërbimeve sekrete, që ka shtrirje jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në shtete si Libani, Siria etj.

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Makinë duke u djegur në një qytet izraelit

Në të kaluarën, Izraeli ka qenë në gjendje të vrasë liderët militantë, qoftë me sulme precize me dron apo edhe me telefona të telekomanduar.

Por, sot, kur mbaroi një festë hebreje, vigjilenca duket të ketë humbur. Hamasi ka qenë në gjendje të planifikojë dhe të nisë këtë sulm të koordinuar me kujdes ndaj Izraelit, në fshehtësi të plotë. Izraeli ka thënë se do të hakmerret ndaj sulmit.

HAMAS ka sulmuar sot ushtrinë izraelite, duke vrarë dhjetëra persona dhe plagosur qindra të tjerë. Militantët e HAMAS kanë hyrë në disa qytete izraelite./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

Palestinezët marrin nën kontroll tanket e ushtrisë izraelite

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Foto nga sulmi i Hamas ndaj ushtarëve izraelitë

GAZA – Izraeli ka deklaruar gjatë ditës së sotme se është "në luftë", pasi dhjetëra persona të armatosur nga grupi militant palestinez Hamas goditën në Gaza forcat izraelite, në një sulm të paprecedentë, që ka lënë së paku 22 izraelitë të vdekur.

Militantët kaluan kufirin herët në mëngjes, ndërsa breshëri raketash u lëshuan mbi Gaza-n.

Nga sulmi me raketa, përpos të vrarëve, ka dhe të plagosur. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar se Hamasi do të "paguajë për atë që ka bërë”.

Ushtria izraelite ka thënë se dhjetëra avionë luftarakë po kryejnë sulme ajrore në vendet e kontrolluara nga Hamasi në Gaza dhe se ka mobilizuar dhjetëra e mijëra ushtarë rezervistë. Të paktën një palestinez është vrarë nga sulmet.

Breshëritë e raketave në Gaza, e cila qeveriset nga Hamasi,  filluan menjëherë pas mëngjesit të së shtunës. Sirenat u dëgjuan në të gjithë Izraelin, ndërsa autoritetet kanë thënë se “terroristët janë infiltruar në të gjithë territorin izraelit”. Sipas mediave të huaja, autorë të sulmit kanë qenë një grup militantësh palestinezë të armatosur rëndë, të veshur me rroba të zeza. Militantë kanë shkëmbyer zjarr me forcat izraelite në rrugë, në një zonë, që është vetëm 1.6 km (1 milje) nga Gaza.

Ka gjithashtu raportime të pakonfirmuara në mediat palestineze se një numër izraelitësh janë kapur rob nga militantët dhe po ashtu militantët kanë marrë automjete të ushtrisë izrtaelite.

 

Këshilli Rajonal Shaar HaNegev njoftoi se udhëheqësi i tyre, Ofir Liebstein, u vra në një shkëmbim zjarri me militantët, kur ai shkoi të mbronte qytetarët. Breshëritë me raketa ndërkohë vazhduan gjatë gjithë mëngjesit të së shtunës. Mediat izraelite raportuan se më shumë se 2 500 predha ishin lëshuar deri tani drejt Izraelit.

Më vonë, një spital në qytetin jugor të Ashkelon tha se po trajtonte 68 persona që kishin marrë plagë nga sulmi, ndërsa një spital tjetër në Beer Sheva raportoi 80 pacientë të tjerë. “Qytetarë të Izraelit ne jemi në luftë, jo në një operacion, jo në një përshkallëzim, por në një luftë”, tha kryeministri Netanyahu në një deklaratë. "Këtë mëngjes Hamasi filloi një sulm të papritur vrastar kundër shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij."

“Mblodha krerët e sistemit të sigurisë, para së gjithash porosita që të pastrohen vendbanimet nga terroristët. Në të njëjtën kohë, urdhërova një mobilizim të gjerë rezervistësh dhe një luftë hakmarrëse, me një forcë dhe shtrirje që armiku nuk e ka njohur kurrë”, tha Netanyahu. Ndërsa një komandant i Hamas, iu ka bërë thirrje palestinezëve që të luftojnë./Zëri.ai/

1 VITE ME PARE

BE për sulmet e HAMAS: Terrorizmi dhe dhuna nuk zgjidhin asgjë

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Joseph Borrel dhe Charles Michel

BRUKSEL- Bashkimi Europian ka reaguar pas sulmeve në Izrael të kryera nga militantët e Hamasit. Përmes një reagimi në rrjetet sociale kryediplomati i BE-së Joseph Borrell ka shprehur solidaritetin e tij me Izraelin në këto momente të vështira.

Joseph Borrell: Ne po ndjekim me ankth lajmet që vijnë nga Izraeli. Dënojmë pa mëdyshje sulmet e Hamasit. Kjo dhunë e tmerrshme duhet të ndalet menjëherë. Terrorizmi dhe dhuna nuk zgjidhin asgjë.

Po ashtu, Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel ka kritikuar ashpër sulmet ndaj Izraelit dhe ka shprehur solidaritetin me popullin izraelit në këto momente të vështira.

Charles Michel: Dënojmë fuqishëm sulmet pa dallim të nisura kundër Izraelit dhe popullit të tij këtë mëngjes, duke shkaktuar terror dhe dhunë ndaj qytetarëve të pafajshëm. Mendimet e mia janë me të gjitha viktimat.

Nga sulmi i përgjakshëm kanë humbur jetën të paktën 22 persona ndërsa janë plagosur më shumë se 500 të tjerë. Bilanci pritet të rëndohet në orët në vijim. Pas ngjarjes, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu është shprehur se vendi i tij tashmë është në luftë dhe ka paralajmëruar mobilizimin e ushtrisë. Sulmi është kryer në tre fronte ndërsa pamjet që vijnë nga Izraeli tregojnë godina të shembura e njerëz të plagosur që marrin mjekim./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Sulmi në Izrael/ Presidenti palestinez: Është e drejta jonë për t'u mbrojtur

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Mahmoud Abbas

PALESTINË- Presidenti i Palestinës Mahmud Abbas ka reaguar pas sulmit me raketa në OIzrael të kryer nga militantët e Hamasrit. Sipas tij populli palestinez ka të drejtë të mbrohet.

Mahmud Abbas: Kemi nevojë për të siguruar mbrojtje për popullin tone. Është e drejta e popullit palestinez për të mbrojtur veten kundër terrorizmit dhe forcave pushtuese.

Nga sulmi i përgjakshëm kanë humbur jetën të paktën 22 persona ndërsa janë plagosur më shumë se 500 të tjerë. Bilanci pritet të rëndohet në orët në vijim. Pas ngjarjes, kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu është shprehur se vendi i tij tashmë është në luftë dhe ka paralajmëruar mobilizimin e ushtrisë. Sulmi është kryer në tre fronte ndërsa pamjet që vijnë nga Izraeli tregojnë godina të shembura e njerëz të plagosur që marrin mjekim./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Sulmi në Izrael/ Netanyahu: Jemi në luftë!

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Benjamin Netanyahu

IZRAEL- Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu ka reaguar në lidhje me sulmin e kryer në Gaza nga militantët e Hamasit, sulm nga i cili, mbetën të vrarë 22 persona dhe u plagosën mbi 200 të tjerë. Bilanci pritet të rëndohet në orët në vijim.

Netanyahu shprehet se tashmë vendi i tij është në luftë dhe se armiku do e paguajë shtrenjtë. Po ashtu ai bën me dije se ka urdhëruar një mobilizim të gjerë të rezervave ushtarake

Benjamin Netanyahu: Ne jemi në luftë, jo në një operacion, jo në raunde, por në luftë. Këtë mëngjes, Hamasi hapi një sulm të papritur vrastar kundër shtetit të Izraelit dhe qytetarëve të tij. Unë mblodha krerët e sigurimit, kam udhëzuar fillimisht që të pastrohen fshatrat nga terroristët që u infiltruan. Kjo po ndodh tani. Përveç kësaj, urdhërova thirrjen e rezervistëve. Ndërkohë, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Izraelit që t’u binden rreptësisht udhëzimeve të ushtrisë dhe udhëzimeve të komandës së brendshme. Ne jemi në një luftë dhe do ta fitojmë atë./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Izraeli nis kundërpërgjigjen ndaj Hamasit

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Banorët në Rripin e Gazës ikin nga shtëpitë e tyre

IZRAEL- Në kundërpërgjigje të sulmeve të njëpasnjëshme të militantëve të Hamsasit në Gaza, ushtria izraelite ka nisur kundërpërgjigjen. Raportohet se dhejtëra avionë luftarakë janë ngritur në fluturim dhe po shënjestrojnë një numër të madh objektivash të grupit militant.

Ndërkohë ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant deklaroi se pavarësisht çdo gjëje, Izraeli do ta fitojë këtë luftë. Mësohet se militantët e e Hamsasit kanë hyrë në Gaza nga ajri, toka dhe deti duke shënjestruar objektiva të qarta.

Nga sulmi deri më tani 6 persona ka humbur jetën ndërsa të paktën 200 persona janë plagosur. Situata mbetet e rëndë ndërsa konflikti tashmë është në “Alert”./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Militantët e Hamasit sulmojnë me raketa Gazën! 1 viktimë! Izraeli përgatitet për kundërpërgjigje

Palestina sulmon me raketa Izraelin, kundërpërgjigjen izraelitët!
Pasoja nga sulmi

IZRAEL- Një i vdekur dhe mbi 15 të palgosur është bilanci i sulmeve në zonat jugore rreth Gazës dhe në zonën më të madhe të Tel Avivit. Raportohet se grupi militant i Hamsit ka sulmuar me raketa Gazën. Ndërkohë që situate pritet të përkeqësohet në orët në vijim. Izraeli po përgatitet për kundërpërgjigje.


Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, është nisur për në Tel Aviv për një takim urgjent me zyrtarët e sigurisë. Ndërkohë ministri i Mbrojtjes ka autorizuar që të thirren në detyrë rezervistët e ushtrisë.  Sulmi vjen në kohën kur në Izrael po shënohet një festë fetare hebreje.

Presidenti izraelit Isaac Herzog tha se Izraeli "po përballet me një moment shumë të vështirë”.

“Shteti i Izraelit po përballet me një moment shumë të vështirë. Dëshiroj t'u ofroj forcë komandantëve dhe ushtarëve të IDF (Forcave të Mbrojtjes së Izraelit) dhe të gjitha forcave të sigurisë dhe shërbimeve të shpëtimit”, shkruan Herzog në X./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB