LIVE UPDATES

3-vjeçari ndërron jetë tek dentisti, familjarët duan drejtësi! Mjeku mohon akuzat: Djali doli zgjuar nga klinika

➤ Një ngjarje e rëndë do të trondiste këtë të enjte kryeqytetin, një fëmijë 3 vjeç, Brian Spahiu humbi jetën pasi u mjekua në një klinikë dentare në “Rrugën e Kavajës”. ➤ Klinika ishte në pronësi të mjekut Roland Xhaxho. ➤ Prindërit e fëmijës kanë kallëzuar në Polici, Xhaxhon. Policia ka nisur hetimet. ➤ Shkaku i vdekjes së 3-vjeçarit deri më tani dyshohet të ketë qenë mbidoza e anestezisë. ➤ Pasi ka mbaruar trajtimin fëmija është ndjerë keq, ndërsa familjarët tregojnë se kanë telefonuar klinikën por kjo e fundit nuk u është përgjigjur. ➤ Më pas, fëmija është dërguar në Urgjencën Pediatrike, por pavarësisht përpjekeve të mjekëve ai nuk ia ka dalë dot. ➤ Për mediat, daja dhe gjyshi i Spahiut kanë kërkuar nga drejtësia që të bëjë punën e saj ose në të kundërt paralajmërojnë ata, do të bëjnë vetëgjyqësi. ➤ Do të jetë ekspertiza mjeko-ligjore ajo që do të zbardhë shkakun e vdekjes. ➤ Nga ana tjetër mjeku Roland Xhaxho mohon akuzat e familjarëve. Përmes një deklarate ai shprehet se fëmija ka dalë i zgjuar nga klinika dhe në krahët e të atit. ➤ Po ashtu ai ka dhënë detaje se pse u përdor anestezi në rastin e të miturit. ➤ Ai shprehet se 3-vjeçari kishte lindur me një problem në zemër dhe çdo infeksion do ia dëmtonte atë. Prandaj duhej ndërhyrë vetëm me një seancë të vetme në të gjithë zonën e infektuar, që të mos përhapej.

4 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Vdekja e 3-vjeçarit/ Mjeku mohon akuzat: Nga klinika doli zgjuar në krahët e të atit

3-vjeçari ndërron jetë tek dentisti, familjarët duan
Brian dhe mjeku Xhaxho

TIRANË- Mjeku Roland Xhaxho ka dalë me një reagim publik lidhur me vdekjen e 3-vjeçarit Brian Spahiu, pasi kishte marrë shërbim në klinikën e tij dentare. Përmes një letre për mediat, mjeku tregon se djali kishte lindur me një problem në zemër dhe çdo infeksion, siç ishte ai iu dhëmbëve do ti shkaktonte infeksion në zemër.

Prandaj vijon ai ishte e detyrueshme që të ndërhyhej brenda një seance të vetme.

“Djali ka lindur me defekt në zemër, për të cilin është operuar rreth dy vite më parë. Rekomandimi kryesor në këto raste është evitimi i çdo vatër infeksioni tek këta fëmijë sepse shkaktojnë infeksione të rënda në zemër. Në këtë rast fëmija kishte infeksione të dhëmbëve të cilat në mënyrë absolute duheshin kuruar brenda një seancë në mënyrë që të evitohej përhapja e infeksioneve”, thotë ai.

Referuar deklaratave të prindërve, gjyshit dhe dajës së të miturit se ai ka dalë nga klinika në gjendje të rëndë dhe pastaj Xhaxho nuk është përgjigjur në telefon, ky i fundit hedh poshtë akuzat. Sipas tij djali ka dalë i zgjuar nga klinika.

“Djali ka dalë nga klinika i zgjuar në krahët e babait të tij duke kërkuar të takonte vëllain më të vogël. Në shtëpi, djalit i janë dhënë ilaçet e rekomanduara nga ne, kështu që fëmija patjetër që ka qenë i zgjua”, deklaron ai.

Sipas tij, djali ka qenë në gjendje të mirë 24 orët e para por më pas është përkeqësuar.

“Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm në 24 orët e para, por më pas fatkeqësisht është rënduar, pavarësisht përpjekjeve të pafundme. Unë nga ana profesionale kam bërë çdo gjë të mundur edhe në QSUT bashkë me kolegët e mi, për të shpëtuar jetën e fëmijës”, shtoi ai.

DEKLARATA:

Djali ka lindur me defekt në zemër, për të cilin është operuar rreth dy vite më parë. Rekomandimi kryesor në këto raste është evitimi i çdo vatër infeksioni tek këta fëmijë sepse shkaktojnë infeksione të rënda në zemër. Në këtë rast fëmija kishte infeksione të dhëmbëve të cilat në mënyrë absolute duheshin kuruar brenda një seancë në mënyrë që të evitohej përhapja e infeksioneve.

Djali ka dalë nga klinika i zgjuar në krahët e babait të tij duke kërkuar të takonte vëllain më të vogël. Në shtëpi, djalit i janë dhënë ilaçet e rekomanduara nga ne, kështu që fëmija patjetër që ka qenë i zgjua.

Këtë informacion ma bëri të ditur personalisht gjyshi i djalit, i cili erdhi më takoi në klinikë në orën 12:00 të natës.

Gjendja e tij shëndetësore u përmirësua ndjeshëm në 24 orët e para, por më pas fatkeqësisht është rënduar, pavarësisht përpjekjeve të pafundme. Unë nga ana profesionale kam bërë çdo gjë të mundur edhe në QSUT bashkë me kolegët e mi, për të shpëtuar jetën e fëmijës.

Më vjen sinqerisht keq për djalin, më dhemb zemra sidomos për ata prindër që nuk do e kenë më, por nga ana ime profesionale garantoj që ka qenë në maksimum në çdo moment.

Ngjarja e rëndë tronditi këtë të enjte kryeqytetin. Brian Spahiu, 3 vjeç humbi jetën pasi u mjekua në një klinikë dentare në “Rrugën e Kavajës”. Prindërit e fëmijës kanë kallëzuar në Polici pasi sipas tyre shgkaku i vdekjes së djalit ka qenë mbidoza e anestezisë. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

I biri vdiq pas vizitës tek dentisti, flet babai

3-vjeçari ndërron jetë tek dentisti, familjarët duan
Brian Spahiu dhe Roland Xhaxho

TIRANË- Guri Spahiu, babai i 3-vjeçarit Brian Spahiu, i cili humbi jetën pas një vizite në një klinikë dentare në “Rrugën e Kavajës” ka treguar si u perkeqësua gjendja e të birit. Ai tregon se e ka dërguar të birin tek klinika e mjekut Roland Xhaxho, klinikë e specializuar më parë për sëmundjet e zemrës por së fundmi kishte filluar të aplikonte dhe stomatologjinë.

Guri ka treguar se pasi mjeku ka përfunduar ndërhyrjen dentare nga klinika i është kërkuar ta dërgojë djalin në banesë.

Pasi djali është ndjerë keq ai fillimisht ka telefonuar klinikën por kjo e fundit nuk i është përgjigjur. Më pas e ka dërguar në Urgjencën e Pediatrisë. Menjëherë ai është futur në reanbimacion, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve i vogëli nuk ia doli dot.

Lidhur me ngjarjen familjarët kanë kallëzuar në polici mjekët Roland dhe Ina Xhaxho. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen.  

Duke foluur për mediat daja dhe gjyshi i vogëlushit kanë kërkuar që shteti të bëjë drejtësi ose në të kundërt ata do të “marrin masa” personalisht, duke paralajmëruar kështu gjakmarrjre. Gjyshi i të miturit është shprehur se mjeku Xhaxho nuk iu ka hapur telefonin familjarëve të të miturit, pasi vunë re që gjendja e tij nuk po përmirësohej./Zëri.ai

1 VITE ME PARE

“Vrasësit janë Roland dhe Ina Xhaxho”, vdes i mituri në klinikën dentare, iu dorëzua familjarëve në koma

3-vjeçari ndërron jetë tek dentisti, familjarët duan
I mituri qe humbi jeten, Roland dhe Ina Xhaxho

TIRANË- Një 3-vjeçar i identifikuar si Brian, ka humbur jetën pas një ndërhyrje që ka kryer për dhëmbët e tij në klinikën “Splendent” në afërsi të rrugës së Kavajës në Tiranë, ndërkohë që familjarët e tij kanë hedhur akuza të forta në drejtim të dy mjekëve Roland dhe Ina Xhaxho. Të dy nuk janë emra të panjohur, pasi Roland Xhaxho ka dhe një spital zemre me emrin e tij, dhe në klinikën dentare të së bijës, ai ofronte ekspertizë, në rastin e aplikimit të anestezisë. Klinika në fjalë në përshkrimin për aktivitetin e saj, thotë se ofron shërbim te dedikuar për fëmijët që kanë frikë nga dentisti, por edhe për ata me aftësi ndryshe.

Vdekja e të miturit ka ndodhur disa ditë më parë, ndërkohë që familjarët e tij, kanë dhënë më shumë detaje mbi ndërhyrjen e rëndë. Daja i Brian tregon se i mituri iu ishte ankuar se kishte probleme me disa dhëmbë dhe për këtë shkak nuk konsumonte dot ushqim, por pas ndërhyrjes me anestezi të plotë që i është bërë nga mjekët, fëmija ka përfunduar në gjendje kome.

Roland dhe Ina Xhaxho, ua kanë dorëzuar fëmijën në gjumë familjarëve me pretendimin se kjo ishte diçka e zakonshme pas aplikimit të anestezisë, por pasi e kanë çuar të miturin te shërbimi i pediatrisë, mjekët janë shprehur se 3-vjeçarit i ishte shkaktuar dëmtim i rëndë në mëlçi.

“Jam daja i djalit, kishte 3-4 dhëmbë të prishur, na ankohej se nuk hante bukë. Pyetëm shumë veta me anestezi, mjekë zemre, shkuam te Roland Xhaxho dy tre herë, bashkë me gocën i kanë trajtuar 14 dhëmbë djalit, e mbajtën nga ora 10 deri në 7 në sallë dhe na e dhanë çunin në gjendje kome, të rënduar. Na tha që ishte një gjendje normale për shkak të anestezisë. Kur e çuam te pediatria e futën direkt te reanimacioni pa puls. Mjeket bënë ta pamundurën, thanë se nëse do e kishim çuar më parë do kishte shpëtuar, i ishte helmuar mëlçia. Vrasësit janë Roland dhe Ina Xhaxho, do të bëjmë të pamundurën që ai të mos e kalojë kaq lehtë”, ka denoncuar daja i të miturit.

Ndërkohë që gjyshi i të miturit është shprehur se mjeku Xhaxho nuk iu ka hapur telefonin familjarëve të të miturit, pasi vunë re që gjendja e tij nuk po përmirësohej.

“Duam drejtësi. S’ka pas asnjë problem djali. A mund të ndërhyhet me një fëmijë për të mbushur 14 dhëmbë. Kjo s’ishte gjëja më e rëndë që na ka ndodhur. Shkuam në shtëpi dhe mjeku na tha s’ka asnjë problem, filloi u zverdh djali. Djalit filloi që t’i rritej temperatura sapo erdhi në shtëpi. E morëm mjekun në telefon dhe as nuk na hapte as telefonin”, ka denoncuar gjyshi i Brian.

I vogli ka qëndruar 3 ditë në koma në reanimacionin e pediatrisë në QSUT dhe më pas ka ndërruar jetë. Prindrit e të miturit kanë bërë kallëzim penal në komisariatin nr.4 në Tiranë, ndërkohë që policia njofton se kanë nisur hetimet për akuzën e ‘mjekimit të pakujdesshëm’.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për shtetasin R. Xh., 70 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Mjekimi i pakujdesshëm", pasi ka bërë kallëzim shtetasi B. S. se shtetasi R. Xh. ka mjekuar në mënyrë të pakujdesshme në klinikën e tij private, djalin 3-vjeçar të shtetasit B. S., i cili pas mjekimit në këtë klinikë ka shfaqur komplikacione dhe pas 3 ditësh, ka humbur jetën, në spital".

Familjarët kanë deklaruar se vogëlushi nuk vuante nga asnjë sëmundje dhe se kishin marrë vazhdimisht garanci nga doktori Xhaxho se nuk do të kishte asnjë komplikacion nga narkoza. /Zëri.ai

1 VITE ME PARE

Vdes 3-vjeçari në Tiranë pasi u mjekua tek dentisti

3-vjeçari ndërron jetë tek dentisti, familjarët duan
Klinika

TIRANË- Një fëmijë vetëm 3 vjeç ka ndërruar jetë në Tiranë, pas një ndërhyrjeje në një prej klinikave dentare në ‘Rrugën e Kavajës’ në kryeqytet. Zëri.ai raporton se i mituri i është nënshtruar një ndërhyrjeje në klinikën dentare, por pas injektivimit të narkozës, nuk është ndjerë mirë.

I vogli është dërguar në spital, ku ka qëndruar 3 ditë në koma dhe më pas ka ndërruar jetë.

Prindrit e të miturit kanë bërë kallëzim penal në komisariatin nr.4 në Tiranë, por ende nuk ka një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e në fjalë. Nuk dihet nëse dentist është shoqëruar për tu marrë në pyetje apo jo.

Poll

MOS HUMB