Cila ishte arsyeja e divorcit me Kryemadhin? Ilir Meta: Monika foli në SPAK

TIRANË- Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka treguar edhe njëherë arsyet se përse ka kërkuar divorcin e tij nga Monika Kryemadhi. Në një intervistë të dhënë për "ReportTv" nga selia e Partisë së Lirisë, Meta ka treguar arsyet e ndarjes, ku ndër thekson se një prej tyre ishte deklarata e Kryemadhit në SPAK. Edhe njëherë Meta ka konfirmuar se Kryemadhi e ka marrë vesh lajmin e divorcit nga mediat, pasi presidenti i PL-së thekson se për planin e tij kishte dijeni vetëm i biri dhe e motra, asnjë familjar tjetër. Madje e thekson duke shtuar se me Kryemadhin nuk ka komunikim që prej datës 27 prill.
INTERVISTA E METËS:
Meta: Nuk është se Kryesia nuk kanë qenë në dijeni të vendimi apo marrëdhënieve të tensionuara prej kohësh. Sa i takon vendimit, është marrë pas deklaratave bëra nga ana e zonjës pas pyetjeve të SPAK. Unë e respektoj mendimin ndryshe për çdo çështje. Konventa jonë ishte momenti më i shkëlqyer i transparencës. Në mënyrë formale është bërë dje, në rrugë juridike, është bërë publik në emisionin e kolegut tuaj. Atë e kanë ditur vetëm djali im dhe motra ime.
Ja keni thënë Kryemadhit këtë vendim pasi është shprehur e habitur pas këtij vendimi?
Meta: Që përpara Konventës (27 prill) nuk ekziston asnjë komunikim mes nesh, nuk mendoj se procesi juridik do të jetë problematik, sepse kjo zgjidhje që unë uroj që ti japë qetësi të gjithëve dhe t'i japë fund çdo keqkuptimi apo mjegulle në publik mbi qëndrimet e mia. Njëkohësisht unë besoj se nuk do të ketë asnjë problem pasi gjithçka i përket zonjës Kryemadhi dhe fëmijëve të mi.
Ka shumë njerëz që e lidhin vendimin tuaj me çështjet që keni të hapura me drejtësinë?
Meta: Nuk ekziston asnjë çështje, asnjë akt, asnjë vendim i Ilir Metës dhe për Ilir Metën. Por ekziston një problem madhor për mafian ndërkombëtare dhe mafiozin Edi Rama që është Ilir Meta. Për të goditur Ilir Metën, të gjithë bashkëpunëtorët e mi më të afërt, të gjithë ju e dini investimin për të përdorur njerëz që kanë probleme me ligjin që të më godasin politikisht si një mbrojtës të palëkundur të Republikës së Shqipërisë. Nuk kam pasur asnjë vërejtje për asnjë hetim, jam përpjekur që të jem korrekt dhe në ftesat e tyre, por jam tërësisht i bindur për investimin e tyre kriminale për të marrë peng njerëz pranë meje për t'i përdorur kundër Ilir Metës që të amnistojnë problemet që mund të kenë. Ilir Meta mban përgjegjësi përpara ligjit dhe popullit shqiptar, por nuk mban përgjegjësi për aktet dhe veprimet e cilido qoftë.
Pse keni zgjedhur pikërisht nenin 132 të Kodit të Familjes?
Meta: Unë mendoj që kjo është një zgjidhje e detyruar nga rrethanat. nga ana ime nuk do të ketë asnjë problem që ky proces të përfundojnë. Arsyet janë politike.
Çfarë pengese keni pasur nga zonja Kryemadhi?
Meta: Asgjë nuk do të më pengojë deri në rikthimin e sovranitetit të popullit shqiptar. Mafia ka dhunuar kushtetutën por edhe normat zakonore që na kanë mbajtur të bashkuar edhe kur nuk kishim shtet./ZËRI
'Katerina'/ Kush është gruaja që po e telefon Ilir Metën?

TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dha dje lajmin e bujshëm se kishte nisur një proces divorci me Monika Kryemadhin. Për arsye që ende nuk dihen, Meta zgjodhi që lajmin ta bënte publik në një intervistë që dha për "Çim Peka Live".

Teksa fliste me të pranishmit e tjerë në studio, në një moment Meta ngre telefonin, duke zbuluar se dikush po e telefononte. Telefonata po i vinte nga rrjeti social "WhatsApp", nga një person i quajtur Katerina.
Epo...mesa duket ishte momenti i gabuar për të treguar telefonin./ZËRI
"Nuk e lashë Kryemadhin për një grua tjetër", Meta për divorcin: Iu kërkoj falje fëmijëve të mi

TIRANË- Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur sot në mbledhjen e kryesisë së kësaj force politike lidhur me vendimin e tij për t’u divorcuar nga bashkëshortja.
Ai tha se marrëdhënia e tyre u kris pas vendimit të Kryemadhit për të djegur mandatet e marra në zgjedhjet e 2017, ndërkohë që iu kërkoi falje fëmijëve për shqetësimin që iu ka krijuar.
Meta tha se ndarja nuk ka ardhur për shkak të ndonjë tradhtie bashkëshortore.
Ilir Meta: Ka qenë vendimi më i vështirë në jetën time, është i motivuar nga ndarje të papajtueshme që lidhen me kauza të mëdha që janë etike për vendin. Marrëdhëniet tona kanë pësuar një krisje të forte që nga vendimi i saj si kryetare e LSI për djegien e 19 mandateve. Qëndrimet e saj krejtësisht në krah të kundërt të kauzave që unë mbroj dhe që krijojnë konfuzion duhet të merrrnin fund.
Mirëkuptoj çdo reagim emocional të gjithëkujt. Detyrimet e mia lidhen me kontributin e qindra mijëra njerëzve që kanë besuar te unë. Ky vendim i imi nuk lidhet me raportet me të si grua apo nënë e tre fëmijëve tanë. Nuk po ndahem me një grua për një grua tjetër. U kërkoj shumë ndjesë tre fëmijëve të mi për shqetësimet që u kam krijuar.
“Me të paditurën kemi pasur kontradita”, ARSYET që çuan Metën dhe Kryemadhin drejt divorcit: Na ndau politika

TIRANË- Detaje të reja kanë dalë në dritë, nga padia që Ilir Meta ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, ku kërkon divorcin nga Monika Kryemadhi. Në padinë e dorëzuar në Gjykatë, Meta rendit edhe shkaqet e ndarjes mes çiftit, ku më kryesorja është politika dhe këndvështrimet e ndryshme që ata kanë për këtë rë fundit.
Në kërkesën për divorc që konfirmon fundin e një martesë 26-vjeçare, Ilir Meta thotë se politika është ajo që e ndau me Monika Kryemadhin.
Padia për zgjidhje martese e firmosur prej tij dhe e dorëzuar në krye sekretarinë e Gjykatës civile, Meta shprehet se ka patur marrëdhënie normale dhe me problematika si çdo martesë. Por Meta nuk e lë jashtë martesës edhe bashkëjetesën politike që patën të dy, pasi ata u njohën gjatë aktivizimit të forumit eurosocialist.
“Me të paditurën kemi qenë dhe jemi aktivë në jetën politike të vendit shkak për të cilin kemi ushtruar dhe ushtrojmë funksione të rëndësishme në organet shtetërore, organet përfaqësuese të popullit dhe subjekte politike”.
Ilir Meta aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë i thotë gjykatës se vitet e fundit ka konstatuar fillimisht mos dakordësi dhe kontradikta që kanë ardhur duke u shtuar fillimisht për shkak të qëndrimeve dhe pikëpamjeve të ndryshme në lidhje me zhvillimet në aspektin politiko përfaqësues dhe vendimmarrës.
Me kalimin e kohës kjo ndarje këndvështrimesh, sipas Ilir Metës, i cili në padi ka vendosur adresën e Partisë së Lirisë u bënë prezente edhe në raportin bashkëshortor deri sa kohët e fundit këto mospërputhje qëndrimesh e mendimesh edhe ndaj njëri-tjetrit kanë sjelle si pasojë ‘grindje të herëpashershme duke tronditur thellë marrëdhënien tonë bashkëshortore’.
Aktualisht prej disa muajsh marrëdhënia bashkëshortore është ndërprerë edhe në kuptimin e bashkëjetesës duke sjellë si pasojë humbjen e qëllimit të kësaj martese në të gjitha drejtimet.
Në këto kushte i kërkoj gjykatës caktimin e një dite gjykimi dhe marrjen e vendimit për zgjidhjen e martesës me të paditurën, thotë Ilir Meta, i cili ka shtuar si prova certifikatën familjare dhe atë të martesës.
Rama, Nano, Meta- DIVORCET e bujshme të kryeministrave socialistë

TIRANË- Kryeministrat socialistë ndër vite, duket se i ka ndjekur ‘fati i keq’ në jetën personale, pasi në vite të ndryshme të karrierës kanë deklaruar divorcin nga bashkëshortet. I fundit në radhë ishte Ilir Meta, i cili mbrëmjen e djeshme deklaroi nisjen e procedurave të divorcit me Monika Kryemadhin, e cila përveç se bashkëshortja e tij në shtëpi, ka qenë dhe bashkëpunëtore në politikë, për vite me radhë.
Divorcit nuk i ka shpëtuar as kryeministri në pushtet, Edi Rama, i cili do të divorcohej nga aktorja e njohur Matilda Makoçi, në vitin 1991, kur nuk i ishte futur ende rrugës së politikës. Rama dhe Makoçi ishin prindër të një djali, i cili qëndroi me të ëmën e tij, edhe për shkak të moshës së vogël.
Rreth 20 vite më pas, pas disa historive rozë, që kishin qenë pjesë dhe e mediave të kohës, Rama u martua me Linda Bashën, me të cilën sollën në jetë edhe djalin e tyre Zaho. Rama ka qenë vetëm 27-vjeç në kohën kur është divorcuar nga Makoçi, e cila më pas u largua tërësisht nga jeta publike në Shqipëri, edhe pse ishte në fillimet e një karriere të mrekullueshme si aktore.
Divorci më i bujshëm deri tani ishte ai i ish-kryeministrit Fatos Nano që njësoj si Ilir Meta, deklaroi në një intervistë televizive në vitin 2001 se po divorcohej nga bashkëshortja dhe nëna e dy fëmijëve të tij, Rexhina Nano. Ai tha atëherë në emisionin “Opinion” se martesa e tij prej 27 vitesh kishte ardhur në fund.
“Unë kam iniciuar procedurat e divorcit. Kam formalizuar qëndrimin tim për fat të keq të pakthyeshëm me gjykatën. Janë arsye të gërshetimit të jetës sime familjare me vuajtjen, gëzimin, konsumimin dhe efektin e politikës dhe karrierës së politikës të kryetarit të opozitës dje dhe mazhorancës sot.
Janë mjaft arsye njerëzore që ndodhën, më vjen keq që më ndodhën mua dhe që më çojnë mua tek shfaqja në publik i këtij morali. Unë një raporti të konsumuar i them legalisht dhe publikisht, ndal”, – shprehej në atë kohë Nano.
Në gjykatë Nano mori përsipër peshën e fajit për ndarjen dhe vetëm 1 vit më vonë kurorëzoi dashurinë e tij me Xhoana Nanon, 21 vite më të re në një ceremoni në Kishën Ortodokse të Tiranës. Ndarja dhe martesa e dytë e ish-kryeministrit Nano ishin ngjarje që u përfolën mjaft në atë kohë, edhe për mënyrën vanitoze të jetës së politikanit socialist.
Por nëse divorcet e Ramës dhe Nanos kanë pasur kryesisht një palë publike, ai i Metës dhe Kryemadhit, është padyshim më i përfoluri, për shkak se karriera e gjatë në politikë, i ka servirur të dy ata në sytë e publikut, si karaktere mjaft të forta. /ZËRI
E mësoi kërkesën për divorc nga ekrani? Kryemadhi: Do të flas pasi të lexoj arsyetimin e Metës

TIRANË- Në Shqipëri, ish presidenti i Republikës Ilir Meta, njoftoi te enjten se ka nisur procedurat e divorcit nga bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, pas 26 vitesh martesë e akoma më shumë vite të një bashkëjetese politike. Zonja Kryemadhi i tha Zërit të Amerikës se nuk preferonte për momentin të komentonte vendimin e bashkëshortit të saj dhe se më parë donte të mësonte arsyet që e kishin çuar zotin Meta në kërkesën për divorc, të depozituar të enjten në Gjykatën e Tiranës.
Në mbrëmje, gjatë emisionit “Çim Peka live” në Syri.Tv, ish presidenti Meta, tha se zonja Kryemadhi "është tanimë ish bashkëshortja", dhe se vendimin ai ia kishte komunikuar djalit të tyre Besar Meta, 24 vjeçar, i cili sipas tij, disa herë i kishte kërkuar që të dy prindërit të gjenin “një zgjidhje të qetë, përsa kohë keni shumë tensione dhe probleme. Mendoj se kam gjetur një zgjidhje shumë të qetë”, u shpreh zoti Meta.
Prej disa muajsh zoti Meta nuk jeton në shtëpinë e familjes. Edhe në kërkesën për divorc, ai ka paraqitur si adresë personale, atë të Partisë së Lirisë. Tronditja e marrëdhënieve mes tyre u shpërfaq dhe publikisht, kur riformatimi i strukturave drejtuese të Partisë së Lirisë, la jashtë tyre zonjën Kryemadhi. Të dy shkëmbyen dhe polemika gjatë mbledhjeve të forumeve drejtuese të Partisë.
Ish presidenti nuk dha ndonjë shpjegim për arsyet e kërkesës për divorc, por la të kuptohej qartë se për të kishte qenë i papranueshëm qëndrimi i zonjës Kryemadhi ndaj Prokurorisë së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në një kohë që ajo “ishte në dijeni të gjithë veprimtarisë së SPAK-ut kundër bashkëshortit e të gjithë përpjekjeve për të shantazhuar persona të ndryshëm kundër Metës”, deklaroi ai duke shtuar se “Monika është më afër me SPAK-un se sa me mua. Por SPAK-u nuk e merr dot peng Ilir Metën, as përmes bashkëshortes, as përmes askujt tjetër”.
Javën e shkuar zoti Meta qëndroi për më shumë se tre orë përballë hetuesve në Prokurorinë e Posaçme. Ndërsa nuk u bë e qartë se për cilin hetim ai ishte thirrur, në deklarimet e tij të mëpasshme, zoti Meta la të kuptohej se ishte yetur rreth çështjeve që lidhen me pasurinë e familjes së tij. Ndaj tij dhe zonjës Kryemadhi po kryhet dhe një hetim pasuror. Ish presidenti deklaroi se ai nuk është marrë asnjëherë me çështje pronash apo financash, për të cilat ai ia la përgjegjësinë bashkëshortes Monika Kryemadhi. Të njëjtin qëndrim ai mbajti dhe gjatë emisionit të së enjtes, duke përsëritur po ashtu akuzat ndaj Prokurorisë së Posaçme. Ndërkohë që në deklarimet e saj, pas marrjes në pyetje po në Prokurorinë e Posaçme, zonja Kryemadhi ka qenë tejet e matur duke u shprehur se “prokurorët po bëjnë punën e tyre”.
Zoti Meta dhe zonja Kryemadhi, kanë përfaqësuar një rast të rrallë në Shqipëri, atë të një çifti me një angazhim të lartë politik. Rrugëtimi i tyre, ka nisur që kur ata ishin në drejtimin e organizatës rinore socialiste FRESH, duke vijuar më pas në gjirin e familjes socialiste deri në vitin 2004, ku të dy, së bashku dhe më një grup tjetër socialistësh, u shkëputën, duke themeluar Lëvizjen Socialiste për Integrim. Një parti e drejtuar nga Meta, e ku zonja Kryemadhi mbajti funksione të larta në hierarkinë e kësaj force politike, duke marrë dhe frenat e saj në dorë, pasi verën e vitit 2017, zoti Meta u zgjodh president i Republikës. Dy ditë pas përfundimit të mandatit si Kryetar Shteti, në korrik të 2022, zoti Meta rimori drejtimin e LSI-së duke i ndërruar asaj edhe emrin, në Partia e Lirisë./VOA
“Ishte maskilist”, nga njohja në FRESH, te martesa me dëshmitar Erion Braçen! Jetët e kryqëzuara të Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit

TIRANË- 26 vite pas martesës së tyre në Bashkinë e Tiranës, e cila u bekua me tre fëmijë, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, tashmë kanë nisur procedurat e ndarjes, edhe ligjërisht. Ajo që përflitej prej muajsh, se mes tyre marrëdhëniet ishin ndëprerë, dhe ish-presidenti ishte larguar nga shtëpia, për të fjetur në një hotel në zonën e Liqenit, janë konfirmuar mbrëmjen e djeshme nga vetë Meta, i cili e etiketoi Krymadhin si ish-bashkëshorten e tij, edhe pse procedura e ndarjes do të dojë kohë që të finalizohet.
View this post on Instagram
Një prej çifteve më jetëgjata të politikës, të dy deputetë, kryetarë partish, e deri në kryeministër dhe president, duket se nuk i shpëtuan dot presionit të pushtetit, e së fundi edhe presionit të drejtësisë, që ka hapur letrat për të hetuar pasurinë e tyre. Pasuri të cilën Meta pretendon se është menaxhuar fund e krye nga gruaja e tij, dhe se ai kurrë nuk është marrë me çështje parash.
Nga njohja në FRESSH te martesa me dëshmitar Erion Braçen
Njohja mes Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit ka nisur në ambientet e Partisë Socialiste, në të cilën qëndruan deri në ditën e themelimit të LSI-së. Kryemadhi ka treguar se njohja e saj me Ilir Metën ka nisur në vitin 1993, kur ajo ishte ende 17 vjeç, ndërsa do të lidheshin një vit më vonë, e do të celebroheshin në vitin 1998. Nuk ka qenë një dashuri me shikim të parë, siç Kryemadhi vetë ka rrëfyer, pasi për një grua të brumosur fortë si ajo, Ilir Meta ishte një maskilist, dhe një i ri që nuk e kishte pikën e tij më të fortë të qënurit romantik.
“Unë kam qenë pak e turpshme, por pas fejese jo më. Në fillim nuk e kam pëlqyer atë, se është pak maskilist. Nuk është xhentil, e them këtë në kontekstin e një vajze që ëndërron princin e kaltër. Jemi njohur në nëntor të vitit 1993, kam qenë 17 vjeç, një vit më pas jemi lidhur. Kur më ka sjellë lule kam qëndruar dy javë pa gjumë, për faktin se m’i solli”, tregonte Kryemadhi në një intervistë të pak kohëve më parë.
Martesa e Kryemadhit dhe Metës është zhvilluar në një ceremoni modeste në Bashkinë e Tiranës, teksa dëshmitar të tyre kanë qenë ambasadori zvicerian në Shqipëri, Erion Braçe dhe shefi i kabinetit të Metës Muç Muçi. Në kohën e martesës, Ilir Meta ka mbajtur postin e zëvendëskryeministrit, për të ngjitur më pas të gjitha majat e pushtetit, deri në zyrën e presidencës.
Vitet që pasuan treguan se jeta e Kryemadhit dhe Metës ishte shënjuar për të qenë së bashku. Shpesh Kryemadhi ka qenë pas bashkëshortit të saj, që prej themelimit të LSI në vitin 2004, deri në marrjen e detyrës së saj në krye të Partisë, pasi Meta u zgjodh si president në vitin 2017.
Krisja politike
5 vitet e Metës në zyrën e presidentit, dhanë edhe krisjet e para në marrëdhënien politike dhe personale të çiftit. Përçarja më e madhe mes të dyve, ka ndodhur në vitin 2019, kur Monika Kryemashi, iu bashkua aleatit të saj në opozitë Lulzim Basha, duke djegur mandatet e deputetëve të LSI-së, që asokohe gëzonte pozita të forta edhe në Kuvend. Nga një parti me 17 mandate, në zgjedhjet e ardshme parlamentare të vitit 2021, LSI që drejtohej nga Kryemadhi arriti që të fitonte vetëm 4 karrige në Kuvend, duke e katandisur këtë forcë politike në momentet më kritike që nga themelimi i saj. Pavarësisht angazhimit të Metës, që hodhi pas krahëve dhe kostumit e presidentit dhe u angazhua në mënyrë direkte në fushatë, opozita në tërësi përsoi një humbje spektakolare, duke iu dhënë socialistëve mandatin e tretë qeverisës.
E kjo pikë kritike, është përdorur dhe ripërdorur nga Ilir Meta, deri kur vendosi që të rikthehej në krye të LSI-së, duke ndryshuar emrin e forcës politike që vetë themeloi, dhe duke spastruar nga aty të gjithë besnikët e Monika Kryemadhit. Përmes një manovre statutore, Meta i ndaloi Kryemadhit poste në nivele drejtuese, edhe pse kjo e fundit tentoi që të bënte qëndresë, duke u përballur me bashkëshortin e saj në Konventën e Partisë së Lirisë.
“Mendimet e mia do të jenë të drejtpërdrejta. Unë kam këndvështrim ndryshe sa i përket strukturimit të partisë. Nuk po them që kur kam drejtuar LSI-në kam shkëlqyer edhe të drejtën për të shprehur mendimin tim nuk mund të ma heqë dot. Nuk ka konflikt por një sjellje që ka marrë nga këshilltarët e gabuar”, do të shprehej Kryemadhi.
SPAK-u i dha goditjen finale
Por pavarësisht çështjeve brenda partisë, përçarja mes Metës dhe Kryemadhit u bë dhe më e dukshme, me thirrjet e shpeshta të tyre në Prokurorinë e Posaçme, ku nuk kanë kursyer as familjarët. Ndryshe nga Meta që ka zgjedhur që të hedhë akuza të forta në drejtim të SPAK, dhe kreut të saj Altin Dumani, Monika Kryemadhi nga ana e saj, ka zgjedhur që të shkojë dhe të japë llogari sa herë që i është kërkuar, duke deklaruar edhe publikisht, se kjo pikë e ndan atë nga Ilir Meta. Ky i fundit kërkon të shesë hetimet e Prokurorisë së Posaçme, si një dosje që lidhet vetëm me Kryemadhin, me apartamentet e nënës dhe vëllait të saj, ndërhyrjet estetike, apo shkollimin e fëmijëve. Ndërkohë që në fakt, një prej çështjeve më të nxehta për Metën, është çështja CEZ DIA, ku ai akuzohet se ka ndërhyrë, në kohën kur ka qenë ministër i ekonomisë.
Divorci është një zgjidhje sa kohë që martesa nuk funksionon, por marrëdhënia e Metës dhe Kryemadhit është përtej raportit intim dhe personal. Ata i lidhin shumë çështje edhe me interes publik, për të cilat llogaridhënia në dyert e prokurorive do të vijojë, edhe pse tashmë do të jetojnë jetë të ndara. /ZËRI