VD-Tifozi serb zbret në fushë, 3 stjuartë nuk e ndalën dot, mezi e nxorrën jashtë

GJERMANI- Ndeshja mes Serbisë dhe Sllovenisë u mbyll me rezultatin 1-1, por kjo nuk do të thotë që nuk kishte trazira. Shfaqjen e ka "vjedhur" një tifoz i Kombëtares serbe, i cili u fut në fushë me shpejtësi në fushë.
Ai tundte fanellën e Serbisë, ndërsa sigurimi (stjuartët) tentoi që për disa sekonda që ta nxirrte nga fusha. E më në fund ia dolën...por jo pa mund!
MOMENTI ME VIDEO:
Mirlind Daku mori megafonin dhe i ofendoi, Federata e Futbollit e RMV-së: Të kërkojë falje

SHKUP- Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut ka reaguar ashpër këtë të enjte ndaj futbollistit kuqezi Mirlind Daku, pas veprimit të këtij të fundit një ditë më para, pas ndeshjes mes Shqipërisë dhe Kroacisë. Duku mori megafonin dhe iu drejtua tifozave kuqezi, me thirrje nacionaliste dhe fyese ndaj RMV-së. Për këtë veprim, Federata e Futbollit e Maqedonisë së Veriut ka kërkuar nga Daku që të kërkojë falje. FFM-ja shprehet se sjellja e Mirlind Daku është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat bazë të sportit dhe respektit të ndërsjellë që promovon futbolli.
Reagimi:
Shprehim shqetësimin tonë të thellë dhe dënojmë thirrjet nacionaliste të futbollistit të Shqipërisë Mirlind Daku drejtuar kundër shtetit të Maqedonisë pas ndeshjes së djeshme ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë në Kampionatin Europian. Një sjelljee tillë është e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat bazë të sportit dhe respektit të ndërsjellë që promovon futbolli. Sporti, veçanërisht futbolli, është baza e një bashkëpunimi dhe respekti ndërmjet Kombësive të ndryshme. Retorika nacionaliste, megjithatë, i minon këto parime, duke nxitur ndarjen dhe armiqësinë midis tifozëve dhe shoqërive.
Parimet politike janë të përfshira në rregulloret e shoqatave ndërkombëtare si FIFA dhe UEFA. Federata e Futbollit të Maqedonisë do t'i dërgojë një letër zyrtare UEFA-s për këtë sjellje skandaloze. I bëjmë thirrje futbollistit shqiptar Mirlind Daku që të kërkojë falje publike për sjelljen e tij dhe për dëmin që ka shkaktuar. Gjithashtu u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse që të hetojnë këtë incident dhe të marrin masat e duhura disiplinore për të përforcuar standardet e sjelljes që priten nga të gjithë sportistët. Angazhimi ynë për të promovuar unitetin, respektin dhe lojën e ndershme në sport mbetet parësor./ZËRI
A e komentoi vërtetë Jose Mourinho Shqipërinë?

TIRANË- Prej disa orësh në rrjet qarkullon lajmi i "madh" se "Speciali", Jose Mourinho ka komentuar skuadrën e Shqipërisë. Kudo në rrjet qarkullon një postim i bërë në platformën "X" nën emrin e llogarisë "Iconic_Mourinho", ku Shqipëria cilësohet si surpriza e "Euro2024".
Në postimin e plotë shkruhej: Shqipëria është një skuadrat më të forta që kam parë. Në grupin e vdekjes, pritshmëri zero, stadiume plot, lojëra të mira, trajner i rastësishëm brazilian, gola në 20 sekonda, gola në minutën e fundit, janë ende gjallë. Nuk e kemi parë një skuadër të tillë që nga Kosta Rika 2014. Kulmi i futbollit.
Por mos u emociononi!
Edhe pse llogaria është e verifikuar, kjo nuk do të thotë që i përket "The Special One". Në bion e faqes shkruhet: • Portugal • Sporting CP • José Mourinho • Rúben Amorim (tjetër trajner portugez). Që në prezantim kuptohet që nuk është faqja e Mourinhos pasi ky i fundit nuk është në krye të klubit të Sportingut, por tek Fenerbahce në Turqi. Po ashtu, edhe kontenti i faqes është i përbërë me "meme" dhe informacione të ndryshme lidhur me futbollin ose me karrierën e portugezit për të cilin flitet vetëm në veten e tretë.
E fundit, dhe më e rëndësishmja, Jose Mourinho nuk ka një llogari në "X". Kështu që nëse u ekzaltuat nga ky lajm, u ka shkuar huq!/ZËRI
Qazim Laçi, emigranti që nuk pranoi të ndryshonte emrin në Greqi
TIRANË- Qazim Laçi, autori i golit të parë në ndeshjen e Shqipërisë përballë Kroacisë, është historia e një prej shumë fëmijëve të lindur e rritur nga familje emigrante shqiptare, që japin gjithçka për të veshur fanellën e kombëtares kuqezi. Futbollisti me origjinë nga Dibra, është rritur në Greqi, ku u ka rezistuar presioneve për të ndryshuar mbiemrin. Ai është grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren Shqiptare në vitin 2020, nga Edi Reja, ndërkohë që fitoi edhe besimin e Silvinjos. Laçi luan me Spartën e Pragës në Çeki.
Askush si Shaqiri, sulmuesi shqiptar pjesë e rekordeve botërore
TIRANË- Shqiptari Xherdan Shaqiri, me golin e shënuar në ndeshjen mes Skocisë dhe Zvicrës që i dha një pikë përfaqësueses helvede, është bërë i pari lojtar në historinë e futbollit që arrin të shënojë në 6 turne të mëdhenj radhazi. 32-vjeçari ka shënuar në Kupën e Botës 2014, në Euro 2016, në Botërorin e 2018, në Euro 2020, në Kupën e Botës 2022 si dhe në eventin aKtual, Euro 2024. Shaqiri numëron 123 ndeshje dhe 31 gola.
Sllovenia e pëson në fund, Serbia barazon në minutat shtesë

GJERMANI-Serbia ka arritur të barazojë 1-1 me Slloveninë, takim i vlefshëm për Grupin C të Kampionatit Europian 2024. Të parët që shënuan ishin Sllovenët me anë të mbrojtësit Karniçkiç dhe morën avantazhin që arritën ta administronin deri në sekondën e fundit të takimit. Në minutën e pestë të kohës shtesë, Joviç arrinë të shënojë me kokë për ta kthyer baraspeshën, dhe mbajtur gjallë ëndrrën e kualifikimit nga grupi për Serbinë.
REZULTATI:
SLLOVENI 1-1 SERBI
Karnicnik 69′ / Jovic 90+6′
GOLI I JOVIC
GOLI I KARNICNIK
Sllovenia shkon në kuotën e 2 pikve dhe për momentin ndodhet në vendin e dytë, ndërsa Serbia ka 1 pikë dhe renditet e katërta e grupit. Sllovenët do të përballen me Anglinë në ndeshjen e fundit të grupit ndërsa serbët kundër Danimarkës.
Mbyllet ankandi i fanellave kuqezi kundër Italisë, mësoni sa u shit e Bajramit

GJERMANI- Do të befasoheni nga rezultati përfundimtar i ankandit të hapur pas ndeshjes së parë me Italinë, ku u nxorën në shitje të gjitha fanellat e kuqezinjve për atë ndeshje. Ankandi me fanellat e kuqezinjëve është mbyllur. Fanella e Nedim Bajramit shitet në ankand për 5792 euro. Fanella e dytë më e shitur ishte ajo e Armando Brojës, që kapi vlerën 825 euro.

Nedim Bajrami hyri në historinë e Kampionatit Evropian me golin e shënuar ndaj Italisë, në ndeshjen debutuese të Shqipërisë në eventin e futbollit që po zhvillohet në Gjermani.
PERLË! S'ka bileta, ministri gjerman bën çdo gjë për të qenë në stadium

GJERMANI- Biletat janë një pasuri e madhe për UEFA-n. Aq shumë të kërkuara janë për të ndjekur këtë Kampionat Europian, saqë të gjitha vendet pjesëmarrëse po "vuajnë" për të përmbushur kërkesat e tifozëve.
Nuk dihet nëse ky ishte motivi që e shtyu ministrin gjerman të Punës, Hubertus Heil të dilte vullnetar në Europianin e këtij viti. Ai është fotografuar në ndeshjen e djeshme të Gjermanisë ndaj Hungarisë, teksa e ndiqte ndeshjen nga tribuna e stadiumit të Shtutgartit i veshur me veshjet e gjelbra të vullnetarëve.

Mesa duket vërtetë ka dashur që të jetë në stadium dhe ka gjetur mënyrën e tij për të marrë pjesë. Megjithatë ndryshe nga Heil, kancelari Olaf Scholtz e pa ndeshjen nga tribuna zyrtare, pranë Viktor Orban./ZËRI
VIDEO/ Kylian Mbappe nis stërvitjen pas thyerjes së hundës, por a është gati të luajë kundër Holandës?

Një tjetër ditë ankthi për gjendjen shëndetësore të Kylian Mbappe mbizotëron në radhët e francezëve. Kapiteni i skuadrës goditi në shpatull austriakin Kevin Danzo gjatë ndeshjes së tij të parë në Euro 2024 në një sfidë ajrore për topin, duke rezultuar në një thyerje të hundës, e cila e kishte mbajtur jashtë fushës deri dje.Megjithatë, pasditen e së mërkurës vonë, sulmuesi i Real Madridit mori pjesë në një stërvitje individuale, 30 minuta pasi pjesa tjetër kishte nisur stërvitjen.
Siç shihet edhe në videon e përgatitur nga “blutë” për yllin e tyre, Mbappe mban vetëm një fashë speciale në hundë në mënyrë që plaga të mund shërohet. Diçka e tillë sigurisht që do të ndryshonte në kushte normale konkurrence, pasi duket e pamundur të mos i duhen pajisjet shtesë nëse dëshiron të konkurrojë.
View this post on Instagram
Ndeshja e radhës e kombëtares franceze të premten ndaj Holandës. Për momentin nuk ka asnjë deklaratë zyrtare se çfarë do të ndodhë me rastin e tij, por supozohet se nëse ai stërvitet normalisht sot, atëherë nesër do të luajë patjetër në një moment nëse do t'i duhet gjatë ndeshjes. Sigurisht që nuk përjashtohet që ai të nisë normalisht, një përgjigje që logjikisht do ta japë Didier Deschamps në momentin e fundit në konferencën e planifikuar për shtyp, në mënyrë që t'u jepet fund gjithë këtyre kontradiktave që janë dëgjuar në 24 orët e fundit./ZËRI
Manaj: Me Spanjën, është ndeshje o brenda, o jashtë

GJERAMNI- Sulmuesi i Shqipërisë, Rey Manaj doli në konferencë ditën e sotme. Manaj, u shpreh se kuqezinjtë do të luftojnë deri në fund për kualifikimin, edhe pse ky mision duket mjaft i vështirë, pasi përballë do të jetë Spanja. Sa i përket ndeshjes me Kroacinë, e cila u mbyll me barazim, lojtari kuqezi u shpreh se mund të kishin marrë tre pikë. Gjithsesi ekipi është i kënaqur me barazimin dhe 27-vjeçari shprehet se do të japin maksimumin në përballjen me Spanjën.
Rey Manaj: Kur mbaroi ndeshja filluam të mendonim. Mund të kishim arritur 3 pikët. Goli i dytë mund të jepej faull, por gjyqtari tha që nuk kishte asgjë nga VAR-i. Pak pishman, pasi mund të kishim fituar. Tani duhet të fitojmë ndaj Spanjës. Kemi më shumë shanse nëse fiton sonte Spanja. Shpresoj të bëjmë historinë. Me Spanjën rëndsi ka të fitojmë dhe të kalojmë grupin. Nuk ka rëndësi kush e bën golin. Ekipi është shumë i motivuar. Është ndeshje o brenda o jashtë, duhet të jemi të përqëndruar. Emocionet janë të mëdhaja. Mund të kalojmë grupin. Po rrafi sot Italinë do të kemi më shumë shpresa. Kanë lojtarë me shumë kualitet si Rodri, Lamine Yamal apo Morata. Të bëjmë ndeshjen tonë dhe të japim 100%, nga minuta e parë deri te e fundit. Me Kroacinë në pjesën e dytë mund ta menaxhonim më mirë situatën, por jemi të kënaqur me barazimin. Rëndësi ka që kombëtarja të eci para.
Sulmuesi, Rey Manaj u aktivizua si titullar në duelin Kroaci-Shqipëri 2-2, sfida e dytë e kombëtares shqiptare në grupin B të Euro 2024. Shqipëria arriti që të merrte një pikë përballë Kroacisë, duke shpresuar në një mrekulli në ndeshjen me Spanjën, që mund të na siguronte kualifikimin përtej fazës së grupeve. /ZËRI
Çfarë gjesti! Skuadra e Danimarkës refuzon rritjen e pagës, kërkojnë të njëjtat kushte edhe për ekipin e femrave

GJERMANI- Euro 2024 ka nisur pak ditë më parë dhe 24 ekipe skuadra futbolli nga Evropa po garojnë në fushat e Gjermanisë për kualifikimin në fazën tjetër. Por një skuadër ka edhe një mision tjetër veç kualifikimit. Bëhet fjalë për Danimarkën. Skuadra e djemve po lufton që edhe skuadra e vajzave të kenë të njëjtat paga si ata, duke treguar solidaritet me koleget e tyre.
Në kuadër të këtij "misioni", skuadra daneze e futbollit për meshkuj refuzoi rritjen e pagave të propozuar nga Federata Daneze e Futbollit, me arsyetimin se e njëjta gjë duhet që të ndodhë edhe për futbollistet femra, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani. Federata propozoi që të zvogëlohej buxheti për ekipin e meshkujve dhe të ndaheshin para për ekipin e femrave, por anëtarët e të dy ekipeve i thanë jo këtij propozimi, duke kërkuar një buxhet të veçantë për ekipin e femrave.
Kontrata e re mes sindikatës së lojtarëve dhe Federatës do të jetë 4-vjeçare dhe do të hyjë në fuqi pas përfundimit të Euros. Ndaj edhe ekipi i meshkujve qëndron i palëkundur në vendimin se kushtet duhet të përmirësohen për të dyja palët. Anëtarët e skuadrës së meshkujve kërkuan gjithashtu, nëpërmjet përfaqësuesit të tyre, që të blihet një godinë që mund të përdoret nga të gjitha ekipet kombëtare, e cila do të përmirësojë kushtet e stërvitjes dhe përgatitjes për ngjarje të mëdha./ZËRI
New York Times: Shqipëria, skuadra që po i bën rivalët e “grupit të ferrit” të djersijnë

GJERMANI- Përpara se të zbrisnin në fushë, kroati Luka Modriç kishte paralajmëruar se ky do të ishte "më i vështiri turne". Me siguri ka pasur në mendje përballjen me Italinë dhe Spanjën, pa e konsideruar fare Shqipërinë në grupin e vdekjes. Skuadra kuqezi, e menaxhuar nga ish-mbrojtësi i krahut të Arsenalit, Barcelonës dhe Brazilit, Sylvinho është goxha fizike dhe është gati që të shfrytëzojë çdo hendek me kros dhe kundërsulme të papritura. Kësaj skuadre iu deshën 23 sekonda për të shënuar në "Euro 2024" duke bërë që Nedim Bajrami të vendoste rekord për golin më të shpejtë të shënuar ndonjëherë në historinë e një Kampionati Europian. Edhe pse Shqipëria e humbi me rezultatin 2-1 ndeshjen me Italinë, goli i tyre shërbeu si paralajmërim: mos e nënvlerësoni këtë ekip!
Ishte një paralajmërim që Kroacia u përpoq ta dëgjonte. Takimi mes tyre ishte patjetër një ndeshje argëtuese. Shqipëria edhe kësaj here doli herët në avantazh pasi Qazim Laci tundi rrjetën që në minutën e 11-të. Në pjesën e parë, Kroacia kishte në 69% të kohës topin në këmbët e tyre, por Shqipëria kishte shanset më të mira të lojës. Kristjan Asllani dhe Rey Manaj trembën disa herë kroatët, por pa sukses.
Kjo ka qenë një temë kryesore për skuadrën e Sylvinhos, të cilëve u mungon rrjedhshmëria sulmuese në disa momente decizive të lojës.
Lëndimet e Manajt dhe Armando Brojës gjatë ndeshjeve kualifikuese nënkuptuan se asnjë sulmues nuk kishte krijuar atë lloj kimie të lojës që i nevojitet skuadrës për të qenë një skuadër e fuqishme kundër-sulmuese. Vendimi i menaxherit për të lënë jashtë skuadrës prej 26 lojtarësh për turneun, Myrto Uzuni, Keidi Bare dhe Sokol Cikalleshi gjithashtu bëri bujë. Cikalleshi nuk ishte golashënuesi më pjellor, por loja e tij e qëndrueshme i dha Shqipërisë një terren të vlefshëm në ndeshjet kualifikuese.
U deshën një 'grusht' ndryshimesh në pjesën e dytë që Kroacia të ndryshonte lojën në favorin e saj. Marcelo Brozoviç dhe Lovro Majer u zëvendësuan nga Mario Pasaliç dhe Luka Suçiç në pjesën e parë. Kroacisë iu rrit vetëbesimi. Mbrojtësit e tyre të krahut depërtuan gjithnjë e më tej në fushë, derisa gjetën golin në minutën e 74-të. Dy minuta më vonë, u shënua goli tjetër. Më konkretisht, një autogol nga mesfushori mbrojtës i Shqipërisë, Klaus Gjasula. Shqipëria mund të ishte shembur, por ata gjetën disi golin e dytë.
Te Asllani kanë një mesfushor të kompozuar kur është në zotërim të topit. 22-vjeçari po e tregon se vlen të jetë zëvendësuesi i Brozoviç tek Interi.
“Duhet të luftojmë për çdo pikë. Për vendin dhe për federatën tonë,”- ky ishte vlerësimi i Sylvinhos pas ndeshjes për lojën.
Braziliani shpesh përmend djersën dhe respektin. Puna e palodhur është minimumi dhe përbërësi më i rëndësishëm për këtë skuadër, këtë e tregon edhe fakti se ata mund të jenë të egër para portës ( Mirlind Daku u ndëshkua sepse humbi topin dhe goditi Josko Gvardiol në anën e kokës).
Megjithatë, në një mënyrë apo tjetër, e gjetën golin e dytë në minutën e 94. Gjasula u bë lojtari i vetëm që shënon autogol dhe gol në të njëjtën ndeshje, duke i dhënë skuadrës së tij një shans të vogël për të kaluar në raundin e 16-të.
“Kjo është Shqipëria; është pak e çmend,”- tha Asllani pas barazimit 2-2.
Tani djemtë e Sylvinhos do të duhet të jenë në maksimumin e tyre për të marrë një rezultat të mirë kundër Spanjës në ndeshjen e tyre të fundit në grup, por ata janë një ekip që nuk ka pasur kurrë frikë nga puna e vështirë. Shqipëria nuk tërhiqet dhe kjo e bën një kundërshtar të vështirë në këtë turne./ZËRI
Marrë dhe përkthyer nga NYT
MEME SËRISH! Ish-futbollisti kundër Hysajt: Ka lojtarë më të mirë, përsëriti të njëjta gabime

GJERMANI- Pavarësisht një barazimi, që u trajtua dhe festua si të ishte një fitore, në ndeshjen e Shqipërisë kundër Kroacisë nuk munguan gabimet. Disa prej tyre kishin për protagonist, të njëjtin futbollist, Elseid Hysajn. Ky i fundit, edhe pse bëri disa gabime në ndeshjen përballë Italisë, u fut në lojë që nga minuta e parë, edhe pse alternativat në stolin kuqezi nuk mungojnë.
Ish-futbollisti Sokol Kushta i ftuar në “Breaking”, tha se Hysaj bëri të njëjtat gabime edhe në pjesën e dytë të ndjeshjes. Madje Kushta kritikoi edhe vendimet e trajnerit, ku u shpreh se kishte futbollistë më të mirë se Hysa për të futur në fushë që mund të siguronin dhe fitoren e Kombëtares sonë.
Sokol Kushta: Hysaj bëri të njëjtat gabime dhe në pjesën e dytë. Bëri pothuajse të njëjtin gabim. Megjithatë lojtari është vetëm një pjesë, ai që balancon, a që rregullon është trajneri. Trajneri e shikon ku ai po çedonte. Ti ke një lojtar shumë të mirë, merre fute se më keq se Hysaj nuk do të ishte. Megjithatë trajneri duhet të bëjë analizat, na iku një mundësi e artë.
Në fund të ndeshjes me Kroacinë, pavarësisht momentit jo të mirë që është duke kaluar, Hysaj shkoi i vetëm drejt tifozëve kuqezi që ishin të pranishëm në stadium, për t’i falenderuar për mbështetjen e dhënë për kombëtaren në këtë europian. /ZËRI
"T'q****a maqedonsit"/ Mirlind Daku "trazon" Serbinë me korin e tij, media: SKANDAL! UEFA ta përjashtojë (VIDEOJA)

GJERMANI- Shqipëria shpëtoi veten nga humbja nga Kroacia me një gol në minutën e 95-të (2:2), por kjo nuk e kushtëzoi festimin nga tifozët kuqezi që ndodheshin në stadium për të parë "live" përballjen. Në fund të ndeshjes, grupimit të tifozëve iu bashkuan edhe futbollistët, të cilët me megafon në dorë iu bashkuan koreve të turmës në shkallët e stadiumit. Por një moment i Mirlind Dakut ka "nxehur" keq mediat serbe, të cilat kanë nisur që të bëjnë thirrje për përjashtimin e tij si masë disiplinore.
Ja çfarë shkruajnë:
"Ndeshja u karakterizua me mesazhe provokuese nga tribuna por një skandal më të madh shakktoi Mirlind Daku që shau Serbinë dhe Maqedoninë pas ndeshjes. Daku në vend që të qetësonte pasionet e tifozëve si sportist, i ndezi edhe më shumë pasionet dhe udhëhoqi thirrjet poshtëruese. Ai mori megafonin në dorë dhe nisi që të bërtiste bashkë me turmën "të **** maqedonsit". Kështu, Federata Serbe e Futbollit kërkoi një reagim edhe nga UEFA. Për shkak të fanellës “Kosova është Serbi”, Milorad Čavić u pezullua nga një Kampionat Evropian, ndërsa Daku tregon flamurin e UÇK-së terroriste, dhe UEFA nuk ka asnjë reagim,"-shkruajnë mediat serbe lidhur me episodin e Dakut.
VIDEOJA E DAKUT:
Po ashtu, nuk ndalen me kaq, por edhe theksojnë faktin se tifozët kroatë dhe ata shqiptarë brohoritën së bashku thirrje nacionaliste kundër grekëve dhe serbëve. Megjithatë deri më tani, pavarësisht thirrjeve të mediave dhe Federatës serbe, nga ana e UEFA-s nuk ka asnjë masë ndëshkimore ndaj Dakut. Por kjo nuk do të thotë që nuk do të merret asnjë e tillë, gjë që do të ishte në dëm të ekipit që po lufton për mbijetesë në grupin "B"./ZËRI
Serbia kërcënon UEFA-n: Ose dënoni Shqipërinë dhe Kroacinë, ose largohemi nga Europiani

GJERMANI- Pavarësisht se tifozët shqiptarë kanë qenë ekselentë me sjelljen e tyre në Gjermani, në dy ndeshjet e para të Kombëtares, pretendimet e serbëve nuk mund të mungonin.
Federata Serbe e Futbollit ka deklaruar se do t’i kërkojë UEFA-s të dënojë Shqipërinë dhe Kroacinë për këngët që kënduan në kor tifozët shqiptarë dhe kroatë në ndeshjen e së mërkurës Kroaci-Shqipëri që u mbyll me rezultatin 2 me 2.
Para ndeshjes, gjatë ndeshjes dhe pas ndeshjes, tifozëritë shqiptare dhe kroate festuan e kënduan së bashku në harmoni mes tyre si dy popuj miq.
Por Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Serbe të Futbollit, Jovan Surbatoviç, ka thënë se tifozët shqiptarë e kroatë kënduan dhe bënë thirrje së bashku kundër serbëve. Ai kërkon që dy kombëtaret të dënohen, ose në të kundërt Serbia nuk do të marrë pjesë në Kampionatet Europiane.
“Kjo është skandaloze. Federata do t’i kërkojë UEFA-s që të marrë sanksione. Kjo kërkon dënimet më të rënda në mënyrë që të mos përsëritet më. Do kërkojmë që UEFA të ndëshkojë rëndë grupet e Shqipërisë dhe Kroacisë. Ne nuk do të marrim pjesë në kompeticionin europian nëse nuk dënohen keqbërësit. Presim dënime rigoroze”, tha Surbatoviç.
Ai u shpreh se ka besim që UEFA do të reagojë, njësoj siç bëri me gazetarin nga Kosova që i hoqi akreditimin në Euro 2024 pasi bëri simbole shqiptare kundër serbëve në stadium.
Sekretari i Federatës Serbe vlerësoi edhe tifozët e Serbisë, që sipas tij janë treguar xhentëllmenë me sjelljen. Kur në fakt, tifozët serbë u përfshinë në rrugë në sherr të dhunshëm me tifozët anglezë para ndeshjes Angli-Serbi. Kujtojmë gjithashtu se Serbia u dënua nga UEFA për sjellje antisportive të tifozëve brenda në stadium, raste të cilat Jovan Surbatoviç i konsideron të izoluara.
Racizmi në Gjermani, zv.presidentja e Bundestagut: Imagjinoni sikur në fushë të kishte vetëm lojtarë të bardhë

GJERMANI- Gjermania festoi fitoren 2-0 kundër Hungarisë, duke kaluar e para në raundin tjetër, me 6 pikë të grumbulluara në total. Nënkryetarja e Bundestagut Katrin Göring-Eckardt (58, Partia e Gjelbër) gjithashtu dëshironte të lavdëronte ekipin gjerman - por formulimi i saj shkaktoi zemërim, dhe mori mijëra komente.
Menjëherë pas bilbilit final, Göring-Eckardt shkroi në një postim të fshirë më vonë në X: “Ky ekip është vërtet i mrekullueshëm. Imagjinoni për një moment sikur të kishte vetëm lojtarë të bardhë gjermanë”.
Përdorues të shumtë të X madje akuzuan Göring-Eckardt për racizëm pas postimit të saj në Twitter.
“Kushdo që diskuton ngjyrën e lëkurës së lojtarëve në kombëtaren gjermane është duke u përfshirë në racizëm, pavarësisht nga motivimi që qëndron pas tij,” shkruan eksperti dhe publicisti i Lindjes së Mesme, Ahmad Mansour, për postimin në Tëitter të Göring Eckardt.
Nënkryetari i FDP, Wolfgang Kubicki, e quan "me të vërtetë shqetësuese kur njerëzit në Gjermani gjykohen në bazë të ngjyrës së lëkurës së tyre". Ai shpresonte se Göring-Eckardt do ta fshinte shpejt postimin e saj në Twitter.
Dhe Manuel Ostermann, nënkryetari i Sindikatës së Policisë Gjermane, qorton politikanen e Gjelbër: “Vlerësoni njerëzit bazuar në karakteristikat e tyre vizuale. Diçka e tillë do të ishte raciste sipas përkufizimit tuaj.”
Brenda një kohe shumë të shkurtër, postimi i Göring-Eckardt në Twitter mblodhi më shumë se 4000 komente dhe u shpërnda shumë herë.
Ajo që Göring-Eckardt ndoshta po i referohej me komentin e saj: sondazhi i diskutueshëm i ARD. Një në pesë persona thanë se do të ishte më mirë nëse do të kishte më shumë lojtarë të bardhë në ekipin gjerman. 17 përqind e gjermanëve mendonin se ishte turp që kapiteni kishte rrënjë turke.
Sondazhi shkaktoi zemërim dhe trajneri i kombëtares Julian Nagelsmann e quajti pyetjen "çmenduri".
Por pavarësisht ironisë, me postimin e saj në Tëitter, Göring-Eckardt tani po ndjek pikërisht këtë qasje, duke bërë dallimin midis vetë lojtarëve bazuar në ngjyrën e lëkurës së tyre.
Çfarë autogol! Pas më shumë se 8100 përgjigjesh kryesisht të indinjuara, politikani e kuptoi këtë. Göring-Eckardt e fshiu postimin në Tëitter 4 orë më vonë, duke shkruar: “E fshiva tweetin tim. Më vjen keq për mënyrën se si e kam shprehur. Ajo që më emocionoi ishte se 21% e gjermanëve do të mendonin se do të ishte më mirë nëse do të kishte më shumë “të bardhë” në kombëtare. Jam krenar për këtë skuadër dhe shpresoj që të mund të bindim edhe 21 përqindëshin.”/ZËRI
Kush e fiton "Euro 2024"? Kompjuteri bën përllogaritjet, Shqipëria s'ka shanse, lë pas vetëm Gjeorgjinë

GJERMANI- Kampionati Europian i Futbollit ka nisur prej thuajse një jave dhe të gjithë apasionuarit pas këtij sporti janë gozhduar para televizionit për të ndjekur skuadrat e tyre të zemrës. Skuadrat e forta të kompeticionit, Gjermania, Spanja, Italia, Anglia, Franca, Holanda dhe Portugalia bënë "detyrën" duke fituar ndeshjet e para në grup. Madje mikpritësit e këtij turneu, Gjermania, siguruan kualifikimin për në raundin tjetër.
Por ka ende kohë për t'u njohur me fituesin absolut të këtij turneu. Një parashikim e ka bërë superkompjuteri "BETSiE" i Bettingexpert që rendin Anglinë si favorite kryesore, pavarësisht performancës së saj jo bindëse kundër Serbisë. Sipas kompjuterit, lojtarët e Southgate kanë 20.97% shanse për të fituar trofeun prestigjioz.
Nga ana tjetër, për Shqipërinë, nuk ka ndonjë përllogaritje mbreslënëse. Duke marrë parasysh që ende nuk dihet nëse kuqezinjtë kalojnë apo jo grupin, edhe për fitoren shifrat nuk janë pro nesh. Shqipëria listohet e parafundit, duke lënë pas vetëm Gjeorgjinë, me 0.01% shanse që të fitojë Kupën Europiane. Gjeorgjia nga ana tjetër, shanset i ka 0./ZËRI
Barazimi mes Shqipërisë dhe Kroacisë lë të hapura llogaritë në grup, sot superpërballja Itali-Spanjë

GJERMANI- Dita e sotme e Kampionatit Europian, rezervon 3 sfida interesante, ku përballja më e rëndësishme është ajo e mbrëmjes, në grupin që bën pjesë edhe Shqipëria, mes Spanjës dhe Kroacisë. Aktualisht të gjitha ekipet janë ende në lojë për të siguruar kualifikimin, edhe pse Spanja dhe Italia, janë dukshëm më favoritë edhe në letër.
Dy nga ekipet kombëtare më të kurorëzuara nga UEFA zbresin në fushën e Gelsenkirchen, ndërsa tri herë fituesja e Kampionatit Evropian Spanja takohet me mbajtësen aktuale të titullit, Italisë në turneun e pestë radhazi.
Kombëtare të cilat kanë marrë maksimumin në duelet e para, me Spanjën që po përjeton një moment të mirë, me 7 fitore e një humbje, ndërsa rekordi ndër vite kundër Italisë është i dukshëm, 13 fitore, 16 barazime e 11 humbje. Kjo është paraqitja e tetë radhazi e Italisë në finalet e kompeticionit dhe një fitore do të sigurojë një ecuri të pestë radhazi në raundet e eliminimit.
Spanja ka shënuar dhjetë gola në pjesën e parë në katër ndeshjet e fundit. Sa u përket formacioneve të mundshme, nuk priten ndryshime në asnjë kamp, pra do të jenë të njëjtat 11-she startuese si në ndeshjet me Kroacinë (Spanja) dhe Shqipërinë (Italia).
Spanjë-Itali, formacionet e mundshme:
Spanja (4-3-3) – Unai Simon, Carvajal, Le Normand, Nacho, Cucurella; Pedri, Rodri, Fabian Ruiz; Yamal, Morata, Nico Williams.
Në dispozicion: Raya, Remiro, Vivian, Merino, Joselu, Olmo, Ferran Torres, Grimaldo, Laporte, Alex Baena, Zubimendi, Oyarzabal, Jesus Navas, Fermin Lopez, Perez.
Trajner: Luis de la Fuente.
Itali (4-2-3-1): Donnarumma; Di Lorenzo, Bastoni, Calafiori, Dimarco; Jorginho, Barella; Chiesa, Frattesi, Pellegrini; Scamacca.
Në dispozicion: Vicario, Meret, Gatti, Buongiorno, Mancini, Darmian, Bellanova, Cambiaso, Cristante, Fagioli, Folorunsho, El Shaarawy, Zaccagni, Retegui.
Trajner: Luciano Spalletti.
Gjyqtar: Slavko Vinçiq
Ndërkohë që dy sfidat e tjera të ditës së sotme, janë ajo mes Serbisë dhe Sllovenisë, që do të luhet në orën 15:00 dhe ajo me Anglisë dhe Danimarkës që do të luhet në orën 18:00. /ZËRI
PROFILI i Qazim Laçit- Emigranti shqiptar që nuk pranoi të ndryshonte emrin në Greqi, priti vite të grumbullohej me Kombëtaren

GJERMANI- Qazim Laçi, autori i golit të parë në ndeshjen e Shqipërisë përballë Kroacisë, është historia e një prej shumë fëmijëve të lindur e rritur nga familje emigrante shqiptare, që japin gjithçka për të veshur fanellën e kombëtares kuqezi.
Futbollisti 28-vjeçar, me origjinë nga Dibra, është rritur në shtetin grek, ku shpesh është përballur me paragjykime dhe presione për të ndryshuar mbiemrin, gjë të cilën nuk e pranoi kurrë, dhe sot e ka shkruar emrin në historinë e kampionatit europian.
Ai është grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren Shqiptare në vitin 2020, nga tekniku Edi Reja, ndërkohë që fitoi edhe besimin e Silvinjos, për ta grumbulluar në listën e Kombëtares për ndeshjet e këtij kampionati europian.
Laçi së fundi luan me Spartën e Pragës në Çeki, e cila këtë vit ka zhvilluar një sezon tepër të mirë, duke fituar njëkohësisht edhe Kampionatin vendas edhe Kupën, ndërsa talenti i kombëtares kuqezi ka luajtur një rol të rëndësishëm për ekipin.
Krenarinë e grumbullimit me kombëtaren, Laçi nuk e ka fshehur në asnjë moment, ndërsa pas ndeshjes së djeshme, karikoi djemtë e tjerë të ekipit që të mund të shpresojnë për një rezultat pozitiv, në ndeshjen e fundit në grup, atë përballë Spanjës.
“Ashtu si shkoi ndeshja me atë gol në fund, ne e meritonim të paktën një pikë. Ishte performancë shumë e mirë. Jam shumë i lumtur për golin, por më shumë rëndësi kanë pikët sepse tani kemi më shumë besim, për ndeshjen me Spanjën që do të jetë shumë e vështirë dhe pse jo më pas të mos tentojmë për vendin e dytë apo të tretë”, u shpreh Laçi pas ndeshjes me Kroacinë. /ZËRI
Xherdan Shaqiri shënon eurogol dhe vendos një tjetër rekord ‘shqiptar’! As Ronaldo nuk e ka arritur

GJERMANI- Ndeshja e mbrëmjes së djeshme mes Zvicrës dhe Skocisë e vlefshme për Grupin A të Europianit Euro 2024, është mbyllur me rezultatin 1-1. Kjo pikë e marrë në këtë takim e çon Zvicrën me 4 pikë në total, në pritje të ndeshjes së fundit në fazën e grupeve me Gjermaninë.
Skocezët arritën të shënin të parët me Tominay që në minutën e 13 të takimit, por zviceranët reaguan menjëherë duke barazuar me Xherdan Shaqirin, i cili tashmë bëhet një rekordmen i vërtetë.
Mesfushori Xherdan Shaqiri bëhet zyrtarisht lojtari i parë në futboll që ka shënuar në 3 Europianët e 3 Botërorët e fundit. Kombëtarja e tij Zvicra e ka nisur mbarë Euro 2024, me një fitore bindëse 3 me 1 ndaj Hungarisë, ndërkohë që Skocia pësoi plot 5 gola prej gjermanëve.
Goli i tij sonte ndaj Skocisë, e bëri ish-futbollistin e Liverpool që “mposhtë” Cristiano Ronaldon. Ylli botëror ka shënuar në pesë turnetë e fundit, por nuk ka mundur ta gjejë rrjetën në fitoren e Portugalisë ndaj Republikës Çeke të martën.
Shaqiri ka shënuar plot 32 gola për Zvicrën dhe e ka përfaqësuar kombin në 4 Kupa Botërore dhe 3 Kampionate Evropiane./ZËRI