LIVE UPDATES

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore! 'Zgjedhorja' përplas 2 grupimet e opozitës, Nikolla përjashton Bashën

➤Në një seancë maratonë prej gati 12 orësh, Kuvendi i Shqipërisë sot ka miratuar ngritjen e dy komisioneve hetimore të kërkuara nga opozita. ➤Është miratuar me shumicë votash ngritja e komisionit hetimor për shëndetësinë dhe për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS. ➤Me 95 vota është miratuar ngritja e komisionit hetimor për shëndetësinë dhe me 96 vota pro për ngritjen e komisionit për sistemin TIMS. ➤Komisionet Hetimore përbëhen nga 15 anëtarë, nga të cilët kryetari dhe 6 anëtarë janë të PD dhe 8 anëtarë të PS dhe do të zhvillojë veprimtarinë e tij në një afat kohor 4-mujor, nga data e miratimit të këtij vendimi. ➤ Në seancën e sotme nuk ka qenë i pranishëm kryeministri Edi Rama. ➤Lulzim Basha gjatë fjalës së tij e vendosi theksin te Reforma Zgjedhore, ku Komisionit të Posaçëm i përfundon sot mandati. ➤Debate në Kuvend ka krijuar edhe Porti i Durrësit, ku opozita kundërshtoi që të futej me procedurë të përshpejtuar projektligji.

14 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Debate për Portin e Durrësit/ Opozita: Thatë ‘zero lekë’ nga buxheti! Qeveria: Po godisni një projekt strategjik

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Në seancën e parë pas rikthimit të paqes në Kuvend, diskutimi më i rëndësishëm ishte ai i aktit normativ për ndryshimet në buxhetin e vitit 2024, ku vendimi më i rëndësishëm është ai i financimit të Portit të ri tregtar në Durrës me buxhetin e shtetit. Ky vendim nuk ka kaluar pa debate mes deputetëve të opozitës dhe qeverisë.

Opozita kundërshtoi që të futej me procedurë të përshpejtuar projektligji për portin e Durrësit. Për opozitën Qeveria duhet të japë llogari se pse gënjeu kur tha se asnjë lek nuk do të jepej nga buxheti i shtetit. Në fjalën e tij, Enkelejd Alibeaj u shpreh se kushton 2 miliard e 100 milionë euro dhe kërkoi të mos miratohej me shpejtësi në parlament pa u bërë transparencë për nenent. Ndërsa kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla u shpreh se PD duhet të vendosë që të mos i shkojë mbrapa Sali Berishës. Për opozitën Qeveria duhet të japë llogari se pse gënjeu kur tha se asnjë lek nuk do të jepej nga buxheti i shtetit.

“A keni thënë që nuk do të jepnit asnjë lek për portin që iu dha një privati. Kjo është pyetja. Sot duhet të mbani përgjegjësi për fondet publike nga buxheti i shtetit, nga taksat e rritura, që po shkojnë për portin e Durrësit që e ka marrë privati?”- tha Tabaku.

“400 milionë dollar për një port I cili nëse nuk do të kishte bërë kontratën hiperkorruptive, antikushtetuese; që ia dha një kompanie private; porti i Durrësit nuk kishte nevojë të ndryshonte vend dhe nuk kishte nevoje me një akt normative qeveria tu grabisë qytetarëve 400 milionë dollar për vetëm 3 vitet e para, faza e parë. Të gjitha vlerësimit shkojnë nga .2 miliardë në 1.7 miliardë, ndoshta shkon dhe 2 miliardë porti I ri. Ndërkohë që në kemi një port i cili ekziston prej më shumë se 2700 vjetësh aty. Është porti që ka krijuar qytetin”, tha Bylykbashi.

Deputeti socoialist Erion Braçe iu përgjigj akuzave të Rithemelimit nga foltorja e Kuvendit, lidhur me Portin e Durrësit. Sipas tij në kohën e qeverisjes së Berishës, porti shfrytëzohej nga një firmë koncesionare qesharake që nuk paguante rrogat e punonjësve.

“'Prisja të flisnim për buxhetin. Por për cilin port flisni? Për Portin e Durrësit i cili në 90% ishte dhënë me koncesion,. Dhe qeveria merrte një firmë qesharake që nuk paguante as rrogat e atyre që punonin aty. Për portin ku shërbimet ishin koncesionuar mbi 90% sipas KLSH. Për këtë flisni? Për atë port që nuk shtrinte krahun e vinçit sepse binte mbi hotelin në krah. Çfarë po kërkojmë, apo çfarë akuzoni: që po ndërtojmë një port publik shtetëror me para publike, që rrit jo vetëm pasurinë por ofron shërbime më të gjëra. E për të konkurruar ato porte. Në cilët interesa flitet këtu? Po ndërtojmë një Port publik, shtetëror me para publike. Ne kemi rënë dakord që të bëhet baza e NATO-s.. Apo do thoni pastaj si në Kuçovë se nuk na dhatë as karrige atje në bazën e NATO-s. Prapë për këtë do të flisni. Unë nuk kam besim që do të zgjidhet problemi i evazionit gjigand që është në sektorin e turizmit. Do të duhet një skemë tjetër. Të rrisim subvencionin gjithëpërfshirës për bujqit dhe blegtorët. Paratë janë duhet ta bëjmë këtë gjë. Është themelore nëse ne duam të marrim diçka nga turizmi. Duhet reformë e plotë e pensioneve, plakja e popullsisë, evazioni fiskal. Duhet reformë. Nuk mund të vazhdojmë më me premtime. Zgjidh padrejtësitë që janë bërë me reformat e pensioneve”- u shpreh Braçe.

"Sot në Portin e Porto Romanos do të jetë një bazë e NATO-s dhe duhet të investojë shteti shqiptar për të mbajtur pronësinë e atij aseti. Është një vendim strategjik së bashku me partnerët. Ka pasur një vendim për këtë projekt në selinë e NATO-s. Nuk mund të japim një port që do të shërbejë edhe për arsye tregtare për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e veriut duke pasur aty edhe një aset kombëtar në kuadër të aleancës”- tha ministrja Balluku.

Zhvendosja e portit të Durrësit në zonën e Porto Romanos dhe veçanërisht marrëveshja për ndërtimin e portit të jahteve nga investitori Muhamed Alabar prej vitesh është në qendër të aksionit të opozitës. Për më tepër opozita marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe investitorit Alabar e ka goditur edhe në SPAK dhe në Gjykatën Kushtetuese./ZËRI

1 VITE ME PARE

VIDEO/ Basha 'moral' kolegëve në Kuvend, Bardhi e ironizon: Hajde djegim mandatet

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
Gazment Bardhi dhe Lulzim Basha

TIRANË- Teksa kryedemokrati i Partisë Demokratike (i vulës), Lulzim Basha mbante një fjalë në Foltoren e Kuvendit, kolegët po e dëgjonin. Derisa në një moment ka ndërhyrë Gazment Bardhi. Basha fliste, ndërsa Bardhi i thoshte nga vendi: Hajde djegim mandatet hajde!

Megjithatë, Basha ka bërë sikur nuk e ka dëgjuar komentin e demokratit tjetër, duke vijuar me fjalimin e tij./ZËRI

1 VITE ME PARE

“E keni.... brenda”, pse Ervin Salianji kërkoi përjashtimin e Lulzim Bashës, debati pa mikrofona

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
Lulzim Basha dhe Ervin Salianji

TIRANË-  Në seancën e sotme në Kuvend, Lulzim Basha mbrojti qëndrimin e opozitës në Komisionin për Reformën Zgjedhore, që sipas tij prodhoi dy paketa me produkte konkrete.

Basha akuzoi disa herë për pazar mes PS-së dhe Rithemelimit.

“Produktin e keni brenda, e para kundër vjedhjes së votës, ndëshkimin e praktikave korruptive dhe paketa e dytë që e keni brenda që s’keni dëshira as ta votoni dhe as të bëni transparencë”, tha Basha.

Pikërisht duke iu referuar shprehjes së Bashës “e keni produktin brenda”, deputeti demokrat, Ervin Salianji i kërkoi kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla ta dënojë kreun e PD-së për gjuhën e përdorur.

“Pse nuk e dënon për gjuhë jo parlamentare”, iu drejtua Salianji Nikollës.

Megjithatë Basha u përjashtu disa minuta më pas nga Lindita Nikolla, për shkak se bllokoi për minuta të tëra foltoren e Kuvendit./ZËRI 

1 VITE ME PARE

FOTOLAJM/ Bashën s'e lë kurioziteti, spiunon telefonin e Bardhit. Gjekmarkaj me mendjen tek Berisha

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi

TIRANË- Kuvendi i Shqipërisë i është kthyer sot normalitetit, duke shënuar ditën e parë të qetësisë mes demokratëve dhe socialistëve. Tensionet e vetme ishin mes kampit "blu", pasi dy “armiqtë”, Gazmend Bardhi dhe Lulzim Basha janë ulur pranë njëri-tjetrit.

Nga fotot e kapura nga LSA, të dy ishin të zënë duke shëmbyer mesazhe, ndoshta dhe mes tyre. Por në një moment, Basha i dorëzohet kuriozitetit dhe zgjat sytë nga telefoni i Bardhit.

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
Gazment Bardhi dhe Lulzim Basha

Ndoshta për të mësuar se më kë po shkuan ai...

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
Gazment Bardhi dhe Lulzim Basha

Ndërsa pak më tutje qendronte i qetë Agron Gjekmarkaj, i cili duket se e ka humbur fjalimin e Sali Berishës dje nga dritarja e shtëpisë së tij.

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
Agron Gjekmarkaj

Kështu që po përfiton nga koha në Kuvend, po e lexon qëndrimin më të fundit të kryedemokratit./ZËRI

1 VITE ME PARE

Alibeaj flet, Bashën nuk e zë vendi, pret me padurim fjalën

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
Lulzim Basha në Kuvend

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të vulës, Enkelejd Alibeaj iu përgjigj komenteve të Bledi Çuçit lidhur me Reformën Zgjedhore. Por teksa Alibeaj fliste, edhe Lulzim Bashën nuk e mbante vendi, madje u çua në këmbë duke pritur që kolegu i tij të lironte Foltoren e Kuvendit të Shqipërisë. Priti disa minuta me padurim në këmbë dhe sapo Alibeaj përfundoi fjalën e tij, shkoi thuajse me vrap për të marrë fjalën. Edhe njëherë kërkoi nga mazhoranca të tregojë nëse është pro apo kundër listave të hapura.

VIDEOJA NGA MOMENTI: 

1 VITE ME PARE

Lindita Nikolla përjashton Lulzim Bashën nga Kuvendi

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
Lulzim Basha

TIRANË- Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla ka përjashtuar nga Kuvendi Lulzim Bashën, për shkak se ky i fundit zaptoi foltoren. Pasi Basha nuk pranoi që të largohej nga foltorja e Kuvendit, Nikolla vendosi 5 minuta pushim nga seanca plenare. 

Nikolla i bëri thirrje Bashës disa herë me radhë që të mos fliste jashtë procedurës së Kuvendit, dhe të lironte foltoren e Kuvendit.

“Ju lutem lironi foltoren se do ju përjashtoj nga seanca. Ju lutem lejoni foltoren. Nuk ua jap fjalën. Kur shoh që nuk i përmbaheni procedurës kam të drejtën t’iu heq fjalën sipas rregullores. Mos pengoni rendin e ditës. Do vijojmë me rendin e ditës. Jeni i përjashtuar nga seanca për zaptim të Foltores. Jeni i përjashtuar”, tha Nikolla, ndërkohë që Basha refuzoi që t’i përgjigjej thirrjeve të saj për lirimin e foltores.

Tashmë është Basha ai që ka marrë në dorë frenat e opozitës rebele, pas qetësimit të toneve nga ana e grupimit të Rithemelimit me në krye Gazment Bardhin./ZËRI 

1 VITE ME PARE

Kuvend dhe telefona, ç'po lexojnë ministrat?

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
Pamje nga Kuvendi

TIRANË- Edhe pse në sallë duket se ministrat e kabinetit të kryeministrit Edi Rama janë të zënë edhe me punë të tjera. Siç duket edhe në pamjet e sjella nga ZËRI, teksa seanca vijon, ministrat janë në telefon.

Përjashtim bëjnë Ogerta Manastirliu dhe Blendi Gonxhja. Të dy duket se janë në një diskutim me njëri-tjetrin, arsyeja për të cilin nuk dihet. Ndoshta janë duke diskutuar për ndonjë ligj, apo ndonjë nismë të re.

ME VIDEO NGA SALLA:

 

1 VITE ME PARE

‘Nuk pijnë ujë lojërat e fjalëve’, Basha dhe Bardhi akuzojnë njëri-tjetrin për pazare me ‘Zgjedhoren’

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
Lulzim Basha

TIRANË- Seanca e sotme në Kuvend është duke u shoqëruar me debate për Reformën Zgjedhore, pasi sot përfundon mandati i Komisionit të Posaçëm. Gazment Bardhi dhe Lulzim Basha akuzuan njëri tjerin për pazare. Basha dhe Aliebaj mbrojtën rolin e opozitës në Komisionin për Reformën Zgjedhore, duke thënë që PD doli me propozime konkrete, ndërsa Bardhi ishte i pari që hodhi akuza për pazare me socialistët. 

DEBATET:

Bardhi: Nuk kisha ndërmend t'i kthehesha këtij debati, por dua t’ju them që ne jemi të interesuar për një Kuvend normal. Koha kur ju nxisnit oooizitën të bojkotonte Kuvendin dhe të digjte mandatet është e shkuara e Partisë Demjokratike. E tashmja është përballja me Edi Ramën me çdo formë. Kemi kërkuar që të mbaheshin përgjegjës ata që e bllokuan për dy vite Reformën Zhgjedhore, pasi kishte një pazar të qartë që shqiptarëve të mos iu mundësoheshin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj kemi kërkuar arbitrin ndërkombëtar që është OSBE-ODHIR, ky komision nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje, ky Kuvend duhet ti mbajë përgjegjës për dështimin e Reformës Zgjedhore.

Alibeaj: Për interes të publikut dhe npër të gjithë ata që kanë humbur kujtesën, dhe bëjnë sikur nuk kanë qenë këtu. Në dhjetor 2022 ne kemi dorëzuar paketën e parë që adresonte rekomandimet e OSBE-ODHIR. Që ky këtu të mos përdorte administratën për të blerë zgjedhjet. Zoti Çuçi bën sikur nuk e di që në atë kohë Komisioni i Reformës ka pasur produktin e vetë, ju doni ta vidhni votën, këtë e di unë. Ka dy vendime të Gjykatës Kushtetuese që ju detyron ju për listat e hapura dhe votat e diasporës. Nëse doni pazar gjejeni diku tjetër, se e kuptojmë që jeni duke e përgatitur këtë pazar. Në dy vite nuk sollët asnjë projekt, do mbani listat e mbyllura ju, do rrëzoni votën e diasporës. Shqiptarët të na gjykojnë ne me lista të hapura.

Basha: Zonja kryetare për dikë që ka pasur për dy vite rolin e bashkëkryetarit të Reformës Zgjedhore, duhet të kishit pasur më shumë durim. Lojërat e fjalëve nuk pijnë më ujë, shqiptarët duan të dinë se çfarë mendimi keni ju për propozimet tona. Produktin e keni aty, kundër vjedhjes së votës, kundër përdorimit të administratës, dhe paketa e dytë që po ashtu e keni brenda për listat e hapura, shqipërinë një zonë zgjedhore, për votimin dhe numërimin elektronik. Ka një pazar të heshtur për tu mbërthyer pas karrigeve. Unë kam kërkuar dhe kërkoj ndjesë si kryetar i Partisë Demokratike, për ndryshimet kushtetuese të 2008-tës. Kjo nuk është demokraci, ky është momenti, 6 muaj, është koha që ti jepni fund të këtij teatri. Është koha që të flisni tani për propozimet tona, a jeni pro apo jeni kundër listave të hapura, a jeni pro apo kundër votës së diasporës?

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

'Ç'duhet të bëj?!'/ Nikolla i jep fjalën Bardhit, justifikohet tek Braçe: Sot kemi paqe

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!

TIRANË- Paqja është vënë mes socialistëve dhe demokratëve duke shënuar sot seancën e parë pa përplasje pas 6 muajsh. Por kjo nuk do të thotë që nuk do të ketë asnjë debat. Për marrjen e fjalës nga nënkryetari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ndërhyri socialisti Erion Braçe, i cili mesa duket gjithashtu ka kërkuar fjalën.

"Po çfarë duhet të bëj moj, çfarë duhet të bëj?,"-tha Braçe. Përgjigjen e mori nga kolegia e tij, kryeparlamentarja Lindita Nikolla, e cila kërkoi më shumë mirëkuptim...

"Unë po respektoj meqë kemi vendosur paqen sot meqë kemi rikthyer normalitetin. Po ndjek radhën që kam në ekran,"-iu përgjigj Nikolla. Ndërkohë që Nikolla i kthente përgjigje Braçes, edhe Lulzim Basha kërkoi fjalën i revoltuar. 

MOMENTI ME VIDEO:

1 VITE ME PARE

Reforma Zgjedhore, Basha kërkon Komision të ri, Çuçi: Vetë e çuat në kapitullim, nuk pati asnjë produkt

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
Bledi Cuci

TIRANË- Reforma Zgjedhore ka qenë kryefjala e seancës së sotme në Kuvend, ku Lulzim Basha dhe Enkelejd Alibeaj hodhën akuza për Rithemelimin dhe PS-në, që kanë bërë marrëveshje në kurriz të saj. Lulzim Basha kërkoi që të ngrihej një komision i ri për Reformën, pasi komisionit aktual i përfundon sot mandati, pa asnjë produkt përfundimtar. Përgjigjen për këtë nga socialistët e dha kreu i grupit parlamentar të PS-së Bledi Çuçi, i cili tha se Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, më i zgjaturi në kohë, nuk ka arritur që të prodhojë asnjë produkt.

“Sigurisht që e përshëndes fundin e kësaj marrëzie që bënë 4 muajt e fundit, si duket kanë nisur të lexojnë dhe disa sondazhe. Pavarësisht arsyeve është për tu përgëzuar, në lidhje me dy thirrjet, e para e drejtpërdrejtë ajo e zotit Basha, dhe e dyta jo e kapitullimit të komisionit të Reformës Zgjedhore nga zoti Alibeaj.

Sot mbaron afati i këtij komisioni, por nga deklarimet e vetë zotit Alibeaj, duket që nuk do të kemi një produkt. Çfarë komisioni dypalësh mund të ngrihet me opozitën që dorëzon një draft dhe thotë po deshët miratojini po deshët jo.

Ne do të mbajmë një qëndrim këtu në parlament, a i do PS listat e hapura apo jo, ne jemi ata që kemi thënë që emigrantët duhet të votojnë, ne presim raportin  përfundimtar të këtij komisioni që ka funksionuar më gjatë si asnjë komision tjetër, dhe nuk ka asnjë produkt si asnjë komision tjetër”, u shpreh Bledi Çuçi.

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

VD- Basha e Bardhi gjithë siklet, s'flasin por ulen pranë njëri-tjetrit, Tabaku mes 2 'zjarresh'

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi

TIRANË- Dy kundërshtarët, Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi janë të "detyruar" që të ulen pranë njëri-tjetrit në Kuvend. Ndryshe nga disa vite më parë, kur të dy ishin bashkëpunëtorë të ngushtë, sot asnjë prej tyre nuk mban qëndrime të njëjta, kështu që kanë zgjedhur vetëm që të injorojnë njëri-tjetrin në sallë. Teksa Basha fliste, Bardhi qeshte me Jorida Tabakun, e më pas, kur Basha kthehet në vendin e tij, deputeti kthen kokën mbrapa, duke e injoruar. Por edhe kryedemokrati nga ana e tij, nuk bën asnjë koment dhe thjesht ulet në vendin e tij. 

Të paktën nga sa duket, mes tyre mbizotëron heshtja! Ndoshta s'kanë asgjë për t'i thënë njëri-tjetrit...

VIDEO nga MOMENTI: 

1 VITE ME PARE

Kuvendi në normalitet pas 5 muajve, Basha: Mos përsërisni 2008-ën

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
Lulzim Basha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike të vulës, Lulzim Basha ka nisur fjalën e tij në Kuvend me një koment për pjesën tjetër të Partisë Demokratike që sot i është kthyer normalitetit në sallë. Me ironi, Basha pyeti nëse ishin të njëjtët persona, duke aluduar se kishin bërë një "pazar" për të finalizuar marrëveshjen me socialistët. Në fund, edhe njëherë Basha kërkoi që të ngrihej një tjetër Reformë Zgjedhore, pasi afati i Komisionit aktual, përfundon sot. 

"Tek dëgjon fillimin e kësaj seance harron 6 muaj, të kaluara ashtu siç kaluan. Pyetja e parë që çdo shqiptar bën 'a ishin këta more?'. Për shqiptarët ka rëndësi një Kuvend vërtetë funksional. Por çfarë çmimi kanë paguar shqiptarët? 7 mld euro do të dalin nga xhepat, por sesi do të shpenzohen, këtë nuk patëm shansin ta diskutojmë. Ligji për komisionet hetimore u ndryshua. Zonja dhe zotërinj, dëmi më i madh ishte ai që nuk duket. Pas një viti vendi do të jetë në fushatë zgjedhore. Kodi Zgjedhor është sakrifica më e madhe në emër të 6 muajve denormalizim. Kam një thirrje; hiqni dorë nga axhendat tuaja dhe jepni shqiptarëve një Komision të Reformës Zgjedhore me parametra siç kanë qenë gjithmonë dhe mos përsërisni skandalin e 2008,"-tha Basha./ZËRI

1 VITE ME PARE

Kuvendi i rikthehet normalitetit, në seancë shkojnë disa prej ambasadorëve

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
Makinat e ambasadoreve

TIRANË- Seanca në Kuvend i është rikthyer sot normalitetit, me opozitën që ka hequr dorë nga skenari i kaosit, pas marrëveshjes për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare. Në seancën e sotme do të jenë të pranishëm ambasadori gjerman Karl Bergner, zv.ambasadorja e Britanisë dhe ambasadori i Bullgarisë, Ivaylo Kirov.

Në nisje të seancës së sotme, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, kërkoi që të anulohej procesverbali i seancës së kaluar, për shkak se kanë konfirmuar prezencën vetëm 68 deputetë.

Në seancën e sotmë nuk është i pranishëm kryeministri Edi Rama.

Pavarësisht përplasjeve mes tyre, Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi janë ulur krah njëri-tjetrit në Kuvend.

Në rendin e ditës së seancës së sotme është përfshirë ngritja e dy komisioneve hetimore, komisionit hetimor për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimin Publik të Check-Up në Shëndetësi dhe komisioni për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS.

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

Kuvendi rikthehet pas 5 muajsh në normalitet, miratohet sot ngritja e dy komisioneve hetimore parlamentare

Kuvendi gati 12 orë seancë! Miratohen 2 komisionet hetimore!
Kuvendi

TIRANË- Pas 5 muajsh tensione, Kuvendi do të mblidhet sot në normalitet, pas marrëveshjes së arritur mes socialistëve dhe Rithemelimit, për ngritjen e dy komisioneve hetimore parlamentare. Miratimi i këtyre dy komisioneve është pjesë e rendit të ditës së sotme në seancën plenare.

Kuvdendi do të miratojë përbërjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Shërbimin Publik të Sterilizimit dhe Shërbimit Publik të Check-Up në Shëndetësi si dhe projektvendimin për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për Trajtimin e të Dhënave të Sistemit TIMS.

Emrat e anëtarëve të këtyre komisioneve hetimore parlamentare, u bënë dje publike nga të dyja forcat politike.

Gjithashtu në rend të ditës është edhe Akti normativ nr.1, datë 21.2.2024 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024””.

Kuvendi do të shqyrtojë edhe disa projektligje si ai “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”, projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, veterinerëve, farmacistëve dhe mamive në kontekstin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore”, si dhe projektligjin “Për sigurinë kibernetike”

Po ashtu, Kuvendi pritet të diskutojë edhe projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 33/2021 “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”.

Në rend të ditës në seancën e sotme është edhe projektvendimi “Për zgjedhjen e një anëtari të bordit të Entit Rregullator të Energjisë”, projektvendimet për emërimin e dy anëtarëve të Këshillit të Statistikave si dhe projektvendimi “Për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Drejtues të Radiotelevizionit Shqiptar”.

Gjithashtu Kuvendi do të shqyrtojë edhe projektvendimin “Për miratimin e disa ndryshimeve në vendimin e Kuvendit nr. 43/2017 “Për miratimin e strukturës dhe organikës së Autoritetit të Konkurrencës””./ZËRI 

Poll

MOS HUMB