Zbulohet ‘truri’ i pastrimit të parave të Çopjave, Miklen Mici me Exchange pranë Bankës së Shqipërisë dhe kompani ndërtimi

TIRANË- Maklen Mici, dyshohet se ishte truri financiar dhe pastronte milionat e organizatës kriminale të drejtuar nga vëllezërit Franc Çopja dhe Hajdar Çopja (Bako), i njohur si Dari i Elbasanit. ZËRI ka mësuar se ndaj Micit është firmosur urdhër arrest me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), pasi janë siguruar të dhëna që ka trasferuar përmes exchange që ndodhet në afërsi të Bankës së Shqipërisë, miliona euro të klanit kriminal.
Nga kërkimet e bëra në Qendrën Kombëtare të Biznesit rezulton se Mici është ortak me një tjetër person, Bashkim Lika, në kompaninë “B&M Construction”, kompani ndërtimi me seli në rrugën e Dibrës.
Nuk dimë të themi nëse Exchange të npronësi të Micit është një prej subjekteve që i është hequr licensa nga Banka e Shqipërisë pas monitorimit të zhvilluar që pasoi me ndëshkimin e 17 prej tyre.
Megjithatë, në dosjen e SPAK thuhet se ai ishte personi që merrte vlerat e konsiderueshme të parave të dërguara kryesisht nga Franc Çopja, të cilat më pas i investon në pasuri të paluajtshme dhe jo vetëm.
Një tjetër biznes është në fushën e gjelltores dhe bar-kafesë në rrugën Myslym Shyri. Siç duket Mici, përmes parave të Çopja zgjidhjet vendet më pranë qendrës së Tiranës për të investuar.
"Plumbi i artë"/ VOA: Arrestohet një figurë e rëndësishme në pastrimin e parave (MISTERI I EMRIT)

TIRANË- Vrasje të rivalëve, urdhëra për vrasje me pagesë e tentativa të shumta për vrasje e pastrim parash, si dhe përfshirje në vjedhjen e 10 milionë eurove në pistën e aeroportit të Rinasit në vitin 2019. Pas të gjitha këtyre qëndrojnë, sipas hetimit të Prokurorisë së Posaçme, vëllezërit nga Elbasani Franc dhe Hajdar Çopja, organizata e të cilëve ishte në qendër të operacionit të organizuar të mërkurën me 33 urdhëra arresti, nga të cilët u ekzekutuan 13 në Shqipëri, ndërsa dy të tjerë janë arrestuar më herët jashtë vendit. Pjesa tjetër e personazheve të përfshirë rezulton të jenë larguar prej kohësh nga Shqipëria. Hetimet e Prokurorisë së Posaçme u çuan përpara falë bashkëpunimit me Eurojust, Europol dhe autoritetet holandeze, belge dhe franceze.
“Hetimet kanë provuar se kjo organizatë kriminale dallohet për shkallën e veçantë të strukturimit, qëndrueshmërisë, kohëzgjatjes së saj, qëllimit për kryerjen e disa vepra penale dhe fuqisë së saj financiare,"- deklaron Prokuroria e Posaçme në një njoftim të shpërndarë të enjten, ku detajohet i gjithë historiku i saj, që nga vitet 2006 – 2007, kur nisën shpërndarjen e drogës në Itali, deri në fuqizimin shkallë-shkallë të organizatës, e cila vitet e fundit kishte arritur të pastronte paratë përmes skemave të sofistikuara.
“Me kalimin e viteve u rrit potenciali i tyre ekonomik dhe si rrjedhojë pozita e tyre në raport me grupet e tjera ndryshoi, pasi ata krijuan kontakte të cilat ju dhanë më pas mundësi për të krijuar lidhje të drejtpërdrejta me eksponentë të rëndësishëm të trafikut të narkotikëve”, shpjegon Prokuroria e Posaçme, duke shtuar se “për të zotëruar tregun dhe për të krijuar hegjemoninë e tyre ndaj grupeve të tjera, kjo organizatë kriminale në vitin 2018 filloi eliminimin e kundërshtarëve (nëpërmjet vrasjeve me pagesë), të cilët kishin një rol të rëndësishëm në trafikun e drogës në Evropë dhe më gjerë”.
Vëllezërve Çopja iu atribuohet vrasja e trefishtë në dhjetor të vitit 2018, ku mbeti i vrarë dhe Endrit Alibej, në vendin e quajtur rrethrrotullimi i Bradasheshit në Elbasan.
“Qëllimi i kësaj vrasje ka të bëjë me konkurencën për zotërimin e tregut të kokainës. Vrasja e shtetasit Endrit Alibej (eksponent i njohur në trafikimin e kokainës) u pasua me urdhërimin dhe të vrasjeve të disa personave të afërm me të”, bën të ditur Prokuroria e Posaçme.
Sipas hetimit ka rezultuar se të ardhurat nga aktivitetet e paligjshme, grupi i dy vëllezërve i ka investuar kryesisht në tregun e pasurive të paluajtshme (nëpërmjet blerjes së pronave të ndryshme si apartamente, vila, bare e restorante dhe sipërfaqe toke), në qytetet Tiranë, Elbasan dhe Durrës.
“Evidentohet përdorimi i sektorit të ndërtimit nga organizata kriminale, ku nëpërmjet personave të tretë ka injektuar dhe investuar shuma monetare të konsiderueshme cash për realizimin e punimeve të godinave të banimit në proces ndërtimi si dhe në ndërtimin e godinave/komplekseve të banimit prej fillimit. Rezulton se, organizata kriminale ka investuar në çeljen e operatorëve ekonomik si dhe përdorimin e operatorëve ekonomik ekzistues me aktivitet në Shqipëri, të cilët “de jure” janë regjistruar në emër të lidhjeve të tyre shoqërore, miqësore dhe bashkëpunuese, duke mos ekspozuar poseduesit “de facto” dhe përdorimin e tyre si kamuflim/fshehje të natyrës së vërtetë të burimit dhe aktivitetit, me qëllim pastrimin e parave të cilat rrjedhin nga aktiviteti kriminal”, shpjegon Prokuroria e Posaçme sipas të cilës Franc Çopja, ”në raste të përsëritura ka realizuar transferimin e vlerave monetare të konsiderueshme cash nëpërmjet përdorimit të zyrave të këmbimit valutor (Exchange) brenda dhe jashtë vendit, duke ia dërguar personave të tij të besuar me qëllim, ndërmjet të tjerave edhe kryerjen e pagesës së vrasjeve të porositura si dhe kryerjen e investimeve për llogari të tyre në Shqipëri dhe jashtë saj”.
Prokuroria nuk ka bërë të ditur emrat e personave të arrestuar, mes të cilëve mësohet se janë dhe zyrtarë e ish-zyrtarë, përfshirë ish-gjyqtaren e Elbasanit Pajtime Fetahu, ndaj së cilës është dhënë masa e arrestit në shtëpi, ndërkohë që mësohet të jetë arrestuar shefi i krimeve në Durrës Agustin Çinari si dhe nëndrejtori i Burgut të Bradasheshit Martin Musaj. Urdhëra arresti ka patur dhe për dy punonjës të tjerë policie, ndërkohë që rezulton e përfshirë dhe një punonjëse e administratës gjyqësore të Gjykatës së Elbasanit.
Ndërsa në një njoftim të Europol-it, flitet dhe për “arrestimin e një figurë të rëndësishme në pastrimin e parave me qendër në Tiranë, i cili i ka ofruar shërbimet e tij grupeve të ndryshme kriminale të nivelit të lartë, të përfshirë në rrafsh ndërkombëtar, në vrasje, korrupsion e trafik droge në shkallë të gjerë”. Ka qenë Europoli që bazuar në analizat e komunikimeve në aplikacionin e koduar SKY, të përdorur gjerësisht nga organizatat kriminale, arriti të përftojë të dhëna të bësueshme mbi aktivitetin e grupit të dy vëllezërve nga Elbasani. Falë këtyre të dhënave, Prokuroria e Posaçme hapi hetimet, duke patur mbështetje të vazhdueshme me ekspertizë ga qendra të specializuara të Europolit.
Në përfundim të operacionit janë sekuestruar 42 pasuri, midis të cilave 38 pasuri të paluajtshme, si apartamente, vila, tokë arë, pallat në ndërtim 4- katësh dhe katër llogari bankare, si dhe janë sekuestruar 1 milion euro cash të gjendura gjatë kontrollit në 8 banesa./VOA
Kishte ardhur nga Italia për përvjetorin e vrasjes së vëllait/ SPAK urdhër-arresti edhe për motrën e Regis Runajt, punonte si sekretare në Gjykatë

TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni "Plumbi i artë 2". Në pranga ka përfunduar edhe motra e të ndjerit, Regis Runaj, i cili u vra pak vitë më parë në qytetin e Elbasanit. Gazetari Elton Qyno bën me dije për "OraNews" se në pranga është edhe një sekretare gjyqësore e quajtur, Denada Toda alias Runaj. Kjo e fundit ka shërbyer më shumë se 10 vite si sekretare pranë gjyqtares Pajtime Fetahu. Por prej disa kohësh ajo është larguar me dorëheqje nga gjykata e Elbasanit, duke u vendosur në Itali.
Urdhëri për arrestimin e Denada Toda alias Runaj është kryer pikërisht në të njëjtën datë kur Regis Runaj është vrarë. Në 29 korrik 2024, familja Runaj ka bërë homazhe në varrin e Regisit, duke e përkujtuar atë në 4-vjetorin e vrasjes së tij, ku në derë i ka ardhur urdhërarresti për të motrën. Sipas SPAK, kjo e fundit gjatë periudhës Shtator-Tetor 2020 kur shërbente si sekretare në gjykatën e Elbasanit, ka dërguar dokumenta sekrete në drejtim të personave të ndryshëm dhe për këtë shkak është vendosur masa e sigurisë për akuzën e “zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete”.
Vrasja e Regis Runaj, në 29 korrik 2019 është vlerësuar në gjykatën e Posaçme SPAK, si një nga ngjarjet më të rënda dhe më makabre, të kryera nga grupi i Erjon Alibej dhe Nuredin Dumanit. Kjo pasi trupi i të riut Runaj, është masakruar me mbi 100 goditje thike, duke lënë i pajetë mes një pellgu gjaku. Runaj, është vrarë para derës së një Teqeje Bektashiane në Elbasan, teksa udhëtonte me motor së bashku me Euglen Halilin. Urdhërin e vrasjes së Runaj e ka dhënë Erjon Alibej (Krymi), i cili ka paguar Xhuljano Hoxhën me 30 mijë euro. Ndërsa pjesëmarrës në krim është dhe Euglen Halili. Halili u shpall fajtor dhe u dënua për këtë vrasje dhe ekzekutimin e Emiljano Ramazanit me burgim të përjetshëm. Por për shkak të statusit të bashkëpunëtorit të SPAK, ai është dënuar përfundimisht me 17 vite burgim. Ndërsa personi tjetër Xhuliano Hoxha, është deklaruar fajtor dhe dënuar me burgim të përjetshëm.
Masakrimi me mbi 100 goditje thike i Regis Runaj, kishte ardhur vetëm pas dyshimeve të Arjan Spahisë, se Runaj dhe Emiljano Ramazani, kishin ndjekur në disa momente në Elbasan, Arjan Spahinë. Runaj po ashtu ishte edhe djali i dajës së Mikael Qoses, alias “Keli i Kicit”, lidhje shumë e ngushtë e vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja./ZËRI
SPAK "zbërtheu" grupin e Çopjave, Klodiana Lala: 200 mln euro investuan në Dubai, një figurë 'qëndrore' u pastron paratë në Shqipëri

TIRANË- Gazetarja e kronikës së zezë në Shqipëri, Klodiana Lala ka analizuar aksionin e SPAK, të koduar "Plumbi i artë 2", i cili zbërtheu grupi kriminal të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja. Në fjalën e saj në "Çim Peka Live", Klodiana Lala u shpreh se aksioni i kishte dhënë një goditje të fortë, një prej organizatave kriminale më me influencë në Shqipëri. Ndër të tjera në fjalën e saj, Lala foli edhe për një "figurë qëndrore" që u pastronte paratë në Shqipëri dy vëllezërve nga Elbasani. Por nuk përmendi emra.
Klodiana Lala: Për krimin e organizuar SPAK ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm. Kam bërë dy emisione për vëllezërit Çopja. Franc dhe Hajdar Çopja konsiderohen sot për sot dy nga personat më të rëndësishëm të krimit të organizuar. Grupi Alibej dhe Çopja janë dy grupimet më të ashpra dhe më të rrezikshme që kanë vepruar në Elbasan. Për çfarë arsye? Masakra e Bradasheshit ku u vra Endrit Alibej ishte një masakër e ashpër dhe problematike. Kur e kam nxjerrë faktin për herë të parë që ishte rrahur një roje në Britaninë e Madhe, ishte masakruar, ka pasur një sulm frontal ndaj meje nga të dy grupimet. Erion Alibej për vrasjen e të vëllait urdhëroi gjithë spastrimin e grupit kundërshtar dhe bëri të paktën 6-7 vrasje. Nga ana tjetër Çopjat mendohet se në Dubai kanë investuar 200 milionë euro. Vetëm në Shqipëri u kapën 1 mln euro cash. Në Shqipëri kanë hyrje në të gjitha fushat e shoqërisë. Belgët kanë qenë të interesuar...kur kërkuan ekstradimin e Franc Çopjas, kanë bërë një marrëveshje sepse e deshëm me çdo kusht. Sepse kanë një figurë shumë qëndrore që pastron paratë në Shqipëri, faktet do të dalin ditë pas dite.
Operacioni i zhvilluar zbardhi katër atentate që lanë pas 6 të vdekur. Bëhet fjalë për masakrën e Bradasheshit, ku u vranë Endrit Alibej, Albert Dylgjeri dhe Erdal Duranay; vrasjen e Klevis Kapllanit; atentatin ku mbeti i vrarë Klevin Baho dhe vrasja e Andi Zylyfit, ngjarje të cilat rezulton se janë urdhëruar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Gjithashtu me urdhër të dyshes numërohen dhe 16 tentativa të dështuara, 4 për të vrarë Erion Alibej, dy për Nuredin Dumanin, atentati i dështuar kundrejt Kei Pikut e Irfan Azizi dhe tentativat e tjera për të tjerë personazhë, rivalë të tyre që ende nuk u janë zbardhur emrat. Vëllezërit Çopja sipas SPAK kanë qenë dhe truri i grabitjes së Rinasit. Dyshja ndihmoheshin dhe nga punonjës në institucione të drejtësisë, përmendim këtu gjyqtaren Pajtime Fetahu që është lënë në masën “arrest shtëpie” dhe një punonjëse të administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë që u kalonte të dhëna sekrete. Vëllezërit Çopja kishin rekrutuar dhe dy punonjës policie në grupin e tyre. Gjatë operacionit janë sekuestruar 1 mln euro kesh dhe 42 pasuri, mes tyre prona e llogari bankare. Vetë Franc Çopja ndodhet ndodhet i arrestuar në Belgjikë, ndërsa Hajdar Çopja i prangosur në Dubai. Në total janë lëshuar 33 masa sigurie, por janë ekzekutuar vetëm 15./ZËRI
'Plumbi i artë 2'/ Edhe Elio Bitri foli...SPAK vajti në Bruksel dhe i mori dëshminë...shpërblimi? Pasaporta belge

TIRANË- Dëshmitë e Erion Alibej, Nuredin Dumanit dhe Eljo Bitrit, së bashku me bisedat e marra nga aplikacioni "SkyECC" nisën një valë të re arrestimesh dhe "skanimin" e organizatës kriminale të vëllezërve, Hajdar dhe Franc Çopja në qytetin e Elbasanit. Gazetari Elton Qyno shkruan për "Ora News" se të gjitha bisedave që janë marrë nga Franca, Belgjika dhe Holanda, i është shtuar edhe dëshmia e Eljo Bitrit. Ky i fundit është arrestruar në Leiden të Holandës pasi është kapur me armë zjarri.
Gjatë qëndrimit në qeli ka pranuar të flasë për drejtësisë belge, e cila e cilëson si person që ka marrë pjesë në vrasjen e kunatit të Erion Alibej në Belgjikë, Arjan Spahiut. Po në Belgjikë, Bitri është marrë në pyetje edhe nga hetuesit e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Përballë tyre ka treguar ka treguar për pjesëmarrjen e tij në ngjarje kriminale në "katrorin": Tiranë, Durrës, Rrogozhinë, Peqin dhe Elbasan.
"Dëshmia e tij është administruar dhe në dosjen e SPAK, ku Bitri është vetë i akuzuar në një seri atentatesh me armë. Belgët e akuzojnë Bitrin dhe djalin e tezes së tij, Elton Roçi që në Elbasan njihet me nofkën “Fat Katnari”, për vrasjen e kunatit të Erion Alibej, Arjan Spahiu. Për të njëjtën ngjarje, në kërkim është edhe autori, i cili dyshohet se është Mikael Qosja, që fshihet në Dubai. Ndërsa për këtë krim është ekstraduar në Dhjetor 2023 nga Dubai në Belgjikë, Franc Çopja,"-shkruan gazetari.
Eljo Bitri, në muajin Maj 2022 u shpall në kërkim gjatë operacionit “Plumbi i artë”, pasi emri i tij u përmend nga i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Henrik Hoxhaj, si i përfshirë në disa vrasje. Për Dumanin, Bitri vrau Anxhelo Avdinë dhe Dorian Shkozën, e po ashtu ishte personi që e lidhi me anëtarët e grupit "Çapja”, që e porositën për të vrarë dhëndrin e ish-kryebashkiakut të Elbasanit Qazim Sejdini, Sokol Sanxhaktarin. Po sipas Dumanit, kushëriri i Eljo Bitrit, Elton Roçi që njihet si “Fat Katnari” ka qenë personi që ka dhënë informacione lidhur me vendndodhjen e Spahiut në Belgjikë.
Megjithatë, për kontributin që Briti ka dhënë me rrëfimet e tij, ka marrë pasaportë belge./ZËRI
“Plumbi i Artë 2″/ GJKKO lë në fuqi masën “arrest në shtëpi” për ish-gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetau shpërthen në lot: Pse më akuzoni?

TIRANË- Ish-gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit, Pajtime Fetahu është paraqitur sot në ambientet e GJKKO-së. Sot në Gjykatën e Posaçme u bë vlerësimi i masave të sigurisë për të arrestuarit në kuadër të operacionit ‘Plumbi i artë 2”, aksion që zbuloi veprimtarinë e plotë të dy vëllezërve, Hajdar dhe Franc Çopja në Elbasan dhe jo vetëm. Ndaj saj u konfirmua masa, e pikërisht në këtë moment, ish-gjyqtarja ka shpërthyer në lot.
"Nuk e di se për çfarë më akuzoni,"-tha ajo gjatë seancës.
Operacioni i zhvilluar nga SPAK, zbardhi katër atentate që lanë pas 6 të vdekur. Bëhet fjalë për masakrën e Bradasheshit, ku u vranë Endrit Alibej, Albert Dylgjeri dhe Erdal Duranay; vrasjen e Klevis Kapllanit; atentatin ku mbeti i vrarë Klevin Baho dhe vrasja e Andi Zylyfit, ngjarje të cilat rezulton se janë urdhëruar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja. Gjithashtu me urdhër të dyshes numërohen dhe 16 tentativa të dështuara, 4 për të vrarë Erion Alibej, dy për Nuredin Dumanin, atentati i dështuar kundrejt Kei Pikut e Irfan Azizi dhe tentativat e tjera për të tjerë personazhë, rivalë të tyre që ende nuk u janë zbardhur emrat. Vëllezërit Çopja sipas SPAK kanë qenë dhe truri i grabitjes së Rinasit.
Dyshja ndihmoheshin dhe nga punonjës në institucione të drejtësisë, përmendim këtu gjyqtaren Pajtime Fetahu që është lënë në masën “arrest shtëpie” dhe një punonjëse të administratës gjyqësore të Gjykatës së Shkallës së Parë që u kalonte të dhëna sekrete. Vëllezërit Çopja kishin rekrutuar dhe dy punonjës policie në grupin e tyre. Gjatë operacionit janë sekuestruar 1 mln euro kesh dhe 42 pasuri, mes tyre prona e llogari bankare. Vetë Franc Çopja ndodhet ndodhet i arrestuar në Belgjikë, ndërsa Hajdar Çopja i prangosur në Dubai. Në total janë lëshuar 33 masa sigurie, por janë ekzekutuar vetëm 15./ZËRI