VIDEO- 'Përplasja’ e trafikantit të kokainës me agjentët e antidrogës, grupi hetimor mbledh provat

TIRANË- Pamjet e sigurua tregojnë vendin e ngjarjes ku Eneo Sulejmanaj mbeti i plagosur gjatë orëve të vona të një nate më parë pasi është qëlluar nga një efektiv i Policisë së Shtetit. Ngjarja ka ndodhur në rrugën "Mihal Duri", pasi i riu që drejtonte një mjet tip "Volkswagen Tiguan" pasi nuk iu është bindur urdhrit për të ndaluar ka tentuar të përplasë efektivët.
Forca të shumta policie mbërritën në vendin e ngjarjes, madje edhe vetë drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. Grupi hetimor po mbledh provat për të zbardhur ngjarjen.
Personi i plagosur është Eneo Sulejmanaj, kryetar i shoqatës së transportit ndërqytetas. Ai mori një plumb në kofshë nga një prej efektivëve të antidrogës, ndërkohë që ndodhet në gjendje jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës në Tiranë, ku i është komunikuar dhe arresti. Bashkë me të u arrestuan dhe shtetasit Igli Begaj dhe Shkëlqim Osteni. Të tre të rinjtë dyshohet se ishin furnizues kokaine, të disa grupeve që shpërndajnë drogë në doza të vogla në zonën e Xhamllikut në Tiranë./ZËRI
Plagosja e Eneo Sulejmanajt, AMP: Po hetohet nëse ka tejkalim të kushteve të mbrojtjes nga policët

TIRANË- Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka reaguar pas ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku gjatë një aksioni antidrogë të policisë mbeti i plagosur shtetasi Eneo Sulejmanaj.
Sipas AMP nga hetimet e deritanishme rezulton se gjatë kryerjes së veprimeve policore, me qëllim arrestimin e personave të dyshuar, punonjësit e Policisë u kanë bërë disa herë thirrje personave të dyshuar të ndalonin tentativat për t'u larguar dhe në kushtet kur drejtuesi i mjetit nuk është bindur, duke kryer manovra me rrezikshmëri të lartë për jetën e punonjësve të Policisë, është përdorur armë zjarri për neutralizmin e mjetit.
Në deklaratën e AMP thuhet se për shkak të veprimeve intensive të punonjësve të Policisë si dhe lëvizjeve të çrregullta të automjetit, predha e armës, ka shpuar pjesën e derës së drejtuesit të automjetit, dhe si rezultat është plagosur Sulejmanaj.
NJOFTIMI I AMP:
Në datë 21.03.2024, në Rrugën “Mihal Duri’ Tiranë, strukturat për Hetimin kundër Narkotikëve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, gjatë veprimeve policore në funksion të një procedimi penal, me qëllim arrestimin e disa personave të dyshuar për veprën penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, e kryer në bashkëpunim, kanë hasur në kundërshtimin dhe mosbindjen e disa shtetasve, ku njëri prej tyre, duke drejtuar automjetin tip “Tiguan”, në tentativë për t’u larguar, ka kryer manovra të rrezikshme duke goditur dhe duke u bërë rrezik serioz për jetën e disa punonjësve të policisë, si dhe ka shkaktuar dëme materiale një automjeti të Policisë së Shtetit.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, po kryen të gjitha veprimet e nevojshme hetimore procedurale përfshirë këqyrjen dhe analizimin e pamjeve filmike të vendit të ngjarjes, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e proporcionalitetit të veprimeve policore, nëse ato kanë qenë në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se gjatë kryerjes së veprimeve policore, me qëllim arrestimin e personave të dyshuar, punonjësit e Policisë u kanë bërë disa herë thirrje personave të dyshuar të ndalonin tentativat për t'u larguar dhe në kushtet kur drejtuesi i mjetit nuk është bindur, duke kryer manovra me rrezikshmëri të lartë për jetën e punonjësve të Policisë, është përdorur armë zjarri për neutralizmin e mjetit.
Për shkak të veprimeve intensive të punonjësve të Policisë si dhe lëvizjeve të çrregullta të automjetit, predha e armës, ka shpuar pjesën e derës së drejtuesit të automjetit, dhe si rezultat është plagosur shtetasi E.S., i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin e Traumës, jashtë rrezikut për jetën.
Lidhur me ngjarjen, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka arrestuar në flagrancë tre shtetas, me iniciale E.S., SH.O., I.B., si edhe u shpall në kerkim shtetasi M. H., si të dyshuar për veprat penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë".
Vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./ZËRI
Plagosja e Eneo Sulejmanajt nga efektivi/ AMP nis hetimet! Kreu i Transportit Ndërqytetas u kap me kokainë

TIRANË- Agjencia e Mbikqyerjes Policore (AMP) ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar një natë më parë në Tiranë, ku një efektiv i Policisë ka qëlluar në drejtim të një mjeti që drejtohej nga Eneo Sulejmani. Sipas AMP, efektivi ka mbrojtur veten dhe nuk ka kryer shkelje por hetimet e thelluara po vijojnë dhe në përfundim të tyre AMP do të dalë me deklaratë zyrtare.
Efektivi i Policisë u detyruar të qëllonte pasi Sulejmani ka tentuar ti shtypë duke u rrezikuar jetën. Ai është vënë në pranga. Ndërsa bashkë me të në makinë kanë qenë dhe dy persona të tjerë, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj. Dhe këta të fundit janë vënë në pranga. Ndërkohë në makinë tip “Volswagen Tiguan”, u gjet një pako, brenda së cilës kishte rreth 1 kg kokainë.
Eneo Sulejmani rezulton të jetë kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas. Sulejmanaj, rezulton që të jetë një aktor kyç në shpërndarjen e kokainës./ZËRI
Kush i ka në dorë qytetarët? Pas NARCO taksive, në pranga kreu i shoqatës së transportit ndërqytetas

TIRANË- Kreu i shoqatës së transportit ndërqytetas, Eneo Sulejmanaj u vu në pranga mbrëmjen e djeshme, gjatë një operacioni antidrogë, ku rrezikoi dhe jetën e policëve, dhe ku për pasojë njëri prej efektivëve e qëlloi me pistoletë në këmbë për ta neutralizuar.
Sulejmanaj, rezulton që të jetë një aktor kyç në shpërndarjen e kokainës, ndërkohë që policia vuri në pranga dhe dy miqtë me të cilët ai po lëvizte në momentin e operacionit. Arrestimi i tij rikthen në vëmendje shqetësimin që ZËRI ka ngritur për muaj me radhë, se në dorë të kujt ka rënë transporti publik i qytetarëve në Shqipëri.
Pas NARCOTAXI-ve, ku u dokumentua me zë dhe me figurë, sesi taksistë të kompanive të ndryshme ishin shndërruar më shpërndarës droge, duket se ky fenomen nuk është i kufizuar dhe i panjohur dhe për linjat e transportit ndërqytetas.
Arrestimi i Sulejmanajt, vërteton atë shprehjen e famshme që ‘peshku qelbet nga koka’, e të paktën këtë herë shpresojmë që policia të mos e kufizojë operacionin vetëm me prangosjen e tij, por të zbulojë nëse përmes tij janë hedhur themelet e një rrjeti të organizuar të shpërndarjes së kokainës.
Sa i takon Sulejmanajt, policia ka dyshime se ai furnizonte me kokainë disa grupe kriminale në zonën e Xhamllikut në Tiranë, ndërsa mbrëmjen e djeshme do të bëhej dhe shitja e lëndës narkotike. Në momentin e arrestimit tre të rinjve iu gjet një sasi prej 1 kilogramësh kokainë, e cila kap një vlerë prej mijëra eurosh në treg. /ZËRI
Tentoi që të përplaste efektivët, kapet me kokainë kreu i shoqatës së transportit ndërqytetas, plagoset nga policia

TIRANË- Detaje të reja mësohen nga ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Tiranë, ku u arrestuan 3 të rinj, njëri prej të cilëve u plagos nga një efektiv i policisë gjatë operacionit.
Personi i plagosur është Eneo Sulejmanaj, kryetar i shoqatës së transportit ndërqytetas. Ai mori një plumb në kofshë nga një prej efektivëve të antidrogës, ndërkohë që ndodhet në gjendje jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Traumës në Tiranë, ku i është komunikuar dhe arresti.
Bashkë me të u arrestuan dhe shtetasit Igli Begaj dhe Shkëlqim Osteni. Të tre të rinjtë dyshohet se ishin furnizues kokaine, të disa grupeve që shpërndajnë drogë në doza të vogla në zonën e Xhamllikut në Tiranë.
Të rinjtë ishin nën vëzhgim prej dy muajsh nga efektivët e antidrogës, ndërsa operacioni u finalizua mbrëmjen e djeshme, teksa shkëmbenin lëndën narkotike në një rrugë pa krye, ku kishin lënë vendtakimin.
Në momentin që u përballën me patrullën e policisë, ata lëvizën mbrapa, duke përplasur makinën e efektivëve dhe duke rrezikuar policët që ishin në këmbë. Në këtë moment njëri prej efektivëve qëllon në drejtim të Sulejmanajt, duke e lënë të plagosur në kofshë.
Hetimet për veprimet e kryera nga efektivët e policisë në vendin e ngjarjes janë duke u kryer nga Agjensia e Mbikëqyrjes Policore.
/ZËRI
Me kokainë në makinë dhe tentoi të përplasë efektivët, polici plagos autorin! Balla: Zbatoi ligjin (DINAMIKA)

TIRANË- Eneo Sulejmanaj ka mbetur i plagosur gjatë orëve të vona të një nate më parë pasi është qëlluar nga një efektiv i Policisë së Shtetit. Ngjarja ka ndodhur në rrugën "Mihal Duri", pasi i riu që drejtonte një mjet tip "Volkswagen Tiguan" pasi nuk iu është bindur urdhrit për të ndaluar ka tentuar të përplasë efektivët.
Në këtë moment efektivi ka qëlluar në drejtim të makinës duke e lënë të plagosur në kofshë. Më pas është dërguar në spitalin e Truamës. Bashkë me të në makinë ishin dhe dy persona të tjerë. Këta të fundit po merren në pyetje në Policinë e Tiranës. Në automjet është gjetur një pako kokainë me peshë rreth 1 kg.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar dhe Ministri i Brendshëm Taulant Balla. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla shprehet se efektoivi i Policisë së Shtetit ka zbatuar ligjin.
Taulant Balla: Ndërsa Policia e Shtetit vijon goditjen e trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike #PaketaeSigurisënëshkolla #Tempulli2 pak momente më parë gjatë një operacioni të njësisë për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, personat e dyshuar për trafikimin e një sasie të konsiderueshme lënde narkotike në përpjekje për tu larguar kanë rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit. Policia e Shtetit ka vepruar sipas ligjit duke iu kundërpërgjigjur sulmit. Si Ministër i Brendshëm duhet të rikujtoj se kushdo që nuk i bindet urdhërit/thirrjes së ligjshme të punonjësit të policisë, ose më rëndë akoma e kundërshton me forcë, guxon ta fyejë, ta agresojë, ta kanosë, ta godasë apo larg qoftë t’i rrezikojë jetën (siç ndodhi sonte) në ushtrim të detyrës apo për shkak të detyrës, duhet ta ketë të qartë që toleranca është ZERO. Policia e Shtetit ka gjithë mbështetjen për të vijuar goditjen e krimit, në të gjitha format e tij.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë. Sot më datë 21.03.2024, në vendin e quajtur rruga “Mihal Duri”, gjatë një operacioni policor të strukturës për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, kanë qenë duke kryer veprime operacionale në kuadër të procedimit penal nr. 496 te vitit 2024, veprime të autorizuara nga organi i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë. Gjatë momentit që stuktura operacionale ka tentuar të ndalojë automjetin tip "Volksëagen Tiguan" me ngjyrë të bardhë me targë AB 780 MP, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave të policisë për të ndaluar dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe duke përplasur me qëllim shmangien automjetin e sherbimit të policisë.
Gjatë tentativës për t'u larguar një nga punonjësit e policisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit dhe për pasojë është plagosur shtetasi E. S., i cili është dërguar menjëherë në spitalin e traumës nga punonjesit e policisë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Në automjet janë konstatuar dhe dy persona të tjerë të cilët janë shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë.
Në automjet është konstatuar një pako me peshë rreth 1 kg brenda së cilës dyshohet se lende narkotike kokainë. Janë njoftuar strukturat e AMP-se të cilat do të kryejnë veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. AMP, pas kryerjes së veprimeve të para në vendngjarje dhe sqarimit të të gjitha rrethanave do të bëjë njoftim të plotë mbi këtë ngjarje./ZËRI