LIVE UPDATES

BILANCI 2023/ Dumani: Prokurorët e SPAK të kenë të drejtë rikandidimi! Të rritet edhe kufiri për korrupsionin

➤ Kreu i SPAK, Altin Dumani ka kërkuar disa herë para anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ndryshimin e ligjit për prokurorët e strukturës që ai drejton. ➤ Në fjalën e tij, pasi lexoi bilancin e vitit 2023, Dumani nguli këmbë në rishikimin e ligjit, që prokurorët e SPAK me qëllim që ata të kenë mundësi për rikandidim pas mbarimit të mandatit. ➤ Por në kërkesën e tij kishte vetëm një kundër, Tartar Bazajn. ➤ Po ashtu, kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kërkoi ndryshim të kompetencës lëndore lidhur me korrupsionin. Pra kufiri sipas tij duhet të jetë më i lartë se prej 50 mijë lekë. Ky kufi duhet të jetë shumë më i lartë. ➤ Në fund, bëri apel për më shumë hetues në radhët e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

6 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Altin Dumani: Kam ndërhyrë vetëm në 2 çështje

BILANCI 2023/ Dumani: Prokurorët e SPAK të kenë të
Altin Dumani

TIRANË- Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani tha se ka ndërhyrë vetëm në 2 çështje që kanë hetuar kolegët e tij. Në fjalën e tij, teksa raportonte në KLP punën për vitin 2023, Dumani tha se në të dyja rastet ka ndërhyrë me udhëzime, dhe jo më detyrim ndaj prokurorit që kishte dosjen. Por nuk dha detaje se për cilat dosje kishte ndërhyrë. Sa i përket bashkëpunimit me Byronë Kombëtare të Hetimit, tha se puna ishte e mirë, por që edhe në radhët e tyre, kishte persona që nuk ishin aq të aftë në punën e tyre. 

PJESË NGA KONFERENCA: 

Ledina Riza: I përgjigjet BKH kërkesave tuaja? Jeni në mes të mandatit tuaj, në raport me pritshmëritë që keni pasur, si e mendoni punën tuaj?

Dumani: Në shumicë absolute përgjigjen. Por jo të gjithë janë të aftë njësoj, jo të gjithë janë të përkushtuar për punën. Bërja me dashuri e asaj pune se ne të gjithë mësojmë në punën tonë. Por në shumicë absolute përgjigjen. Por edhe në radhët tona nuk janë të gjithë njësoj, ndaj edhe në radhët e BKH mund të ketë persona që lënë për të dëshiruar. Do të shikojmë procedin e rivlerësimit. Prokurorët janë ofruar për të rritur personalisht hetuesit me të cilët punojnë. Institucioni i SPAK ka vetëm 4 vjet e 3 muaj. Konsiderohet një institucion i ri dhe nuk nxjerr dot përfundime lidhur me paraqitjen e institucioneve. Këto 4 vjet kanë treguar se SPAK është maturuar dhe është në një fazë ku është në gjendje që të kryejë hetime dhe të përfaqësojë akuzën, pavarësisht pozitës. Kjo vlen edhe për subjekte të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sapo kemi nisur të ecim, duhet kohë që të vrapojmë. A jam i kënaqur? Jam pjesërisht, jam shumë kërkues ndaj vetes dhe kolegëve të mi. Por kemi dhënë shenja që jemi të aftë që mund të përballemi me çdo lloj subjekti. Patjetër që me kalimin e viteve të shkojmë atje dhe të arrijmë qëllimin për të cilin u krijua ky institucion. Po punojmë. 

Nurihan Seiti: Në çfarë faze jemi tani me BKH? Keni arritur në ndonjë konkluzion që gjatë rrugës bëhen edhe gabime? Shikoni ndonjë negativitet në rrugën tuaj…? Figura juaj ka të bëjë edhe me organikën tuaj si drejtues, keni pasur kundërshtim nga prokurorët tuaj për ndonjë element të veçantë, po jam shumë e interesuar ta di, si janë prokurorët e tjerë a ka gjurmë në dosje kur ju analizoni?

Dumani: Marrëdhënia me BKH ka qenë konstruktive, kemi pasur diskutime, do vazhdojmë të kemi, por kryesisht ka qenë marrëdhënie konstruktive. Vazhdojmë të komunikojmë dhe bashkëbisedojmë. Patjetër jo gjithmonë do të biem dakord. Përpiqemi! A bëhen gabime gjatë rrugës? Patjetër, nuk është shkencë ekzakte. Mund të kemi dhe gabime, por e rëndësishme është që të mos jenë të qëllimshme. Por përgjithësisht institucioni nuk mund të gjejë ndonjë gjë. Me prokurorët kam komunikim shumë të mirë. Vetëm me 2 çështje kam ndërhyrë me udhëzim jo detyrues. Patjetër ka qenë një diskutim shumë profesionist mes kolegësh, është shumë i pritur. Mendimet janë të ndryshme sepse jemi të gjithë juristë. Por është trajtuar me profesionalizëm nga ana e prokurorëve dhe nga ana ime. Punojmë me njëri-tjetrin pa qejfmbetje./ZËRI

1 VITE ME PARE

DEBATE për "fatin" e hetuesve të SPAK/ Bazaj: Po sikur të bëheni të rrezikshëm? Dumani: As nuk duhet ta mendoni!

BILANCI 2023/ Dumani: Prokurorët e SPAK të kenë të
Altin Dumani

TIRANË- Altin Dumani është përplasur me anëtarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Tartar Bazaj. E gjitha nisi pasi ky i fundit u shpreh kundër çështjes që ngriti kreu i SPAK për të zgjatur mandatin e prokurorëve të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në mbledhjen e KLP-së, Bazaj tha se një vendim i tillë mund të kthente prokurorët në një rrezik shoqëror, pasi kanë pushtet të pakufizuar, por ndërhyrja e Dumanit ishte e ashpër, duke drejtuar gishtin nga gjyqtarët e GJKKO-së. Sipas tij, janë këta të fundit ata që kanë mandat të pakufizuar, ndërsa hetuesit e SPAK janë personat më të kontrolluar në Republikën e Shqipërisë. 

DEBATI TEK KLP:

Arta Mandro: Si e shikoni komunikimin me Këshillin e Lartë të Prokurorisë?

Dumani: Është shumë korrekt. Sa i përket procedit të rekrutimit iu falenderova. Në një kohë të shkurtër arritët me një listë dhe renditje. Ka një paqartësi se ku do të shkojmë. është investuar kaq shumë për ngritjen e tyre profesionale, unë mendoj që janë aset për t'u shfrytëzuar dhe pastaj pas 9 vitesh shkon në një Prokurori të Juridiksionit të Përgjithshëm. Nga përvoja ime, ne nuk e kemi luksin që këto asete t'i çojmë në një vend tjetër. Ne nuk kemi aq shumë burime njerëzore dhe aq prokurorë të kualifikuar saqë të plotësojnë boshllëkun që do të lëmë pas. Do ikin 9 prokurorë njëherësh. Si do mbushet boshllëku? Sepse kemi dhe kritere të veçanta. Ky është mendimi im, nuk jam për një emërim automatik, por të paktën të jepet mundësia që të kandidoj për një mandat të dytë 9-vjeçar. Unë mund të jem i lodhur dhe mos të vazhdoj më, por ka të tjerë që duan. Duhen parë të gjitha gjërat. 

Bazaj: Thatë që pak prokurorë janë me integritet, unë ata që njoh kanë integritet.

Dumani: Nuk thashë atë.

Bazaj: Mos ndodh që këta prokurorë që duan mandat, të shkelin të drejtat e njeriut? Po marr krahun e kundërt të kësaj medalje? A paraqet rrezikshmëri shoqërore dikush?

Dumani: Pse gjyqtarët nuk bëhen të rrezikshëm që e kanë pa mandat? Le të bëhet me rivlerësim, nuk thashë automatik. Rrezikshmëria e prokurorëve, si qenka kjo? Prokurori është palë. 

Bazaj: A mund të paraqesin rrezikshmëri këta prokurorë se me gjyqtarët nuk janë në të njëjtën pozitë? Nuk diskutojmë...por nësë Altin Dumani do të ishte 70 vjeç, kaq produkt do të jepte? Edhe ndërkombëtarët kështu e kanë parë të arsyeshme. Jeni energjik në punë, unë këtë e di. Ju punoni natë e ditë, unë kam shumë miq atje. Por a mundet që nesër këta persona të bëhen të rrezikshëm për shoqërinë?

Dumani: Tani të gjithë biem dakord se energjitë bien me kalimin e moshës. Altini para 20 vitesh nuk është si sot, por ama bëhesh më profesionist. Nëse kemi hetues të mirë, puna jonë lehtësohet. Prokurori nuk kryen vetë hetime. Ne jemi kthyer në punëtorë krahu. Bëjmë çdo gjë vetë. Patjetër konsumohesh, lodhesh. Rrezikshmërinë nuk e shpjegoj dot, ne jemi më të kontrolluarit. SPAK është ndër më të kontrolluarat. Në çdo vendimmarrje dhe kërkesë, ne kontrollohemi nga gjyqtarët. Na verifikon gjyqtari çdo gjë. Ne kontrollohemi përditë sa i përket integritetit. Na monitoroni. Drejtuesi i SPAK raporton në Kuvend, në Komisionet e Integrimit. ILDKPI na kontroll, pastrimi i parave, komunikimet tona. Ne jemi njerëzit më të kontrolluar, nuk ka si të vijë rreziku. 

Bazaj: Nëse do të jeni pjesë e grupit të punës tek Komisioni i Ligjeve, si do e argumentoni këtë pyetje që iu bëra për rrezikshmërinë. Psh. Tarat Bazaj kandidon për deputet në Vlorë, ju i regjistroni procedim për ta penguar...

Dumani: Kjo as ndodh, as nuk duhet ta mendosh. Kjo nuk do të ndodhë kurrë./ZËRI

1 VITE ME PARE

'Jeni hermetik me mediat'/ Dumani-kreut të KLP: Se pranoj, disa çështje i kemi sekret! Ku mbetet befasia pastaj?

BILANCI 2023/ Dumani: Prokurorët e SPAK të kenë të
Altin Dumani

TIRANË- Altin Dumani nuk e ka pritur mirë konstatimin e kreut të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Alfred Balla, se është hermetik me mediat. Në takimin e sotëm, Dumani u shpreh se ka zhvilluar takime me gazetarët e kronikës, ndaj edhe nuk e pranoi konstatimin. Por theksoi se është përpjekur të kufizojë rrjedhjen e informacionit në kanale jozyrtare. Sipas kreu të SPAK, nuk ka detyrim që të njoftojë sa herë regjistrohet një çështje penale, pasi kështu nuk sigurohet befasia e hetimeve.

PJESË NGA BISEDA: 

Alfred Balla: Jeni bërë pak më shumë hermetik me median, a mundemi që t'ua përcjellim informacionet që nuk janë sekret për të justifikuar edhe besimin që kanë qytetarët? Referuat që është shtuar numri i hetimeve kryesisht, këto vijnë nga BKH apo dhe nga prokurorët?

Altin Dumani: Kemi komunikim korrekt me median. Gazetarët e kronikës kanë qenë disa herë në ambientet e SPAK ku kanë mbajtur disa herë takime off-record. Është një premtim i mbajtur nga ana ime. Kemi bërë disa takim vitin e shkuar. Kanë qenë takime shumë të hapura, ata janë vetë këtu dhe mund ta pohojnë këtë gjë. Unë i jam përgjigjur pyetjeve por kam ruajtur sekretin e hetimit. I kemi furnizuar me informacionin që kanë kërkuar por për çështje që janë pushuar, gjykuar apo mosfilluar, pra atje ku nuk ka më sekret. Nuk e pranoj se jam hermetik. Kam kufizuar rrjedhjen e informacionit në kanale jozyrtare. Nuk ka të bëjë me mosqenien transparent.

Alfred Balla: Preceptimi im nuk është personal, por është nga gazetarët. Mbase vjen nga kjo prerja...

Dumani: Jo, nuk u shpreha ashtu unë. Nuk thashë prerë... Denoncimi mund të jetë publik, por regjistrimi nuk është publik. Po e thashë ku shkoi befasia e hetimit. Regjistrimi i procedimit penal është një moment shumë i rëndësishëm, shumë diskret. Unë e kuptoj median, por edhe media të më kuptojë mua në punën time ligjore. Nuk e gënjej dot. Pyesni gazetarët e kronikës, jam i hapur për çdolloj teme diskutoj, por duke ruajtur sekretin.

Pika tjetër, hetimi kryesisht nis me një pjesë nga BKH dhe SPAK, por ka raste që furnizohemi me informacion nga media nga denoncime të ndryshme. Por ka edhe denoncime të bëra nga politika. Patjetër, ka grup personash që merren në SPAK që merren me këto denoncime, i sjell tek drejtuesi i SPAK dhe unë i adresoj tek shefat e seksioneve. Ne bëjmë verifikimet tona. Denoncimi nuk mafton për të regjistruar procedim penal. Ne krijojmë një shtrat të mjaftueshëm për procedim penal, ne nuk ecim verbërisht. Bëjmë një verifikim shumë të zgjeruar dhe më pas e regjistrojmë si procedim penale. Ka raste që është bërë denoncimi, por nuk ka rezultuar se nuk ka bazë për regjistrim penale./ZËRI

1 VITE ME PARE

Dumani "plas bombën": Drejtues të Policisë bashkëpunëtorë me krimin e organizuar (VIDEO)

BILANCI 2023/ Dumani: Prokurorët e SPAK të kenë të
Nuredin Dumani

TIRANË- Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, gjatë raportimit për veprimtarinë vjetore të SPAK para KLP-së, ka bërë sot një nga deklaratat më tronditëse. Në fjalën e tij, Dumani tha se kanë një bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Shtetit, por nuk mund të veprojnë me ta për të hetuar çdo çështje. Kjo pasi, në disa raste, hetimet kanë zbuluar se disa eksponentë të lartë të Policisë së Shtetit rezultojnë se kanë bashkëpunuar me anëtarë të grupeve kriminale. 

“Në raste të caktuara, sidomos ato të krimit të organizuar, nuk bashkëpunojmë dot me policinë sepse na rezulton se ka policë të përfshirë dhe është në nivele te larta. Hetimet tona kanë treguar që eksponentë të policisë së shtetit, madje me funksione të larta kanë bashkëpunuar me krimin e organizuar, referuar dhe cështjeve që kemi hetuar, dhe çështjeve që kemi në hetim e sipër,"-tha Dumani para KLP-së.

Ndër të tjera Dumani ngriti shqetësimin se institucionet shtetërore nuk po bashkëpunojnë me SPAK për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Duhet nënvizuar se bashkëpunimi i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar është shqetësues. Nisur nga numri i referimit të veprave penale nga institucionet publike, duke përjashtuar policinë e shtetit ky numër është mjaft i ulët për vitin 2023 me vetëm 12 raste të referuara. Referimi nga këto institucione ka një tendencë të fortë rënie, që shkon deri në 40% krahasuar me vitin 2022. SPAK ka mbajtur të njëjtën qasje në 3 vitet e fundit”, tha Dumani.

Ndërkohë në raportin e publikuar nga SPAK për vitin 2023 rezulton në bazë shifrash se telefonat e 1899 personave janë përgjuar për hetime në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ndërkohë që 1436 persona janë përgjuar për korrupsion. Gjithashtu janë evidentuar grupe me aktivitet kriminal në Tiranë, Durrës, Vlorë, Gjirokastër, Fier, Shkodër, Elbasan, Kurbin dhe Fushë-Krujë.

/ZËRI

1 VITE ME PARE

Më shumë prokurorë? Dumani thotë JO: 20 mjaftojnë. Pafajësitë? GJKKO vendos ç'kërkojmë ne

BILANCI 2023/ Dumani: Prokurorët e SPAK të kenë të

TIRANË- Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka pranuar se 20 prokurorë janë të mjaftueshëm për institucionin që ai drejton. Por ka kërkuar, në mbledhjen që po zhvillon me KLP, që të shtohet numri i hetuesëve të Byrosë Kombëtare të Hetimiet. Kjo, sipas tij, do ta lehtësonte punën e prokurorëve të SPAK. Po ashtu, kërkoi që të rishikohet ligji, duke u shprehur se nuk mund të merren me çështje që dyshemenë për korrupsionin e kanë 50 mijë lekë të vjetra. 

PJESË NGA BISEDA: 

Vatë Staka: Unë desha të filloj me një falenderim të veçantë për punën e bërë. Ndjej kënaqësi të madhe. Kisha një pyetje; jeni 20 prokurorë në organikë, nëse do ndodheni para 2 dilemave, shtimit të numrit të prokurorëve, apo një pjesë e dosjeve të kalojnë me ndryshim të dispozitave penale për të kaluar në juridiksionin e përgjithshëm? Do të doja mendimin tuaj!

Dumani: Faleminderit! është një punë jo e lehtë, me shumë ngarkesa, por ka qenë zgjedhja jonë dhe jemi të angazhuar në përmbushjen e punës tonë. Ju falenderoj për reagimin kur prokurorët e SPAK kanë qenë të kërcënuar. Lidhur me pyetjen, mendoj që numri i prokurorëve, numri 20 është mjaftueshëm. Mendoj të shtohet numri i hetuesëve. Ka vend për t'u riparë kompetenca e SPAK e lidhur kryesisht me korrupsionin, kur flasim për kufirin monetar prej 50 mijë lekësh të vjetra. Ky kufi duhet të jetë shumë më i lartë. Ky kufi monetar, kalimi i të cilit na bën ne kompetentë nuk më duket i arsyeshëm. Ndoshta ka vend për t'u parë edhe kompetenca të tjera. Nevoja për hetues është shumë e madhe.

Staka: Ka 8 pafajësi, si e komentoni?

Dumani: Ka qenë vetëm një person arrest me burg. Në Apel në morëm fajësinë. Nga këta vetëm një ishte në arrest me burg nga ata që morën pafajësinë. Edhe në këtë numër, 3 të tjerë kanë marrë fajësinë në Apel. Nuk është alarmues, por unë e shoh duke bërë krahasimet me një vit më parë, se duhet ta bëjmë edhe për ato që nuk janë aq të mira. Çdo rast pafajësie është ankimuar nga prokurorët dhe afërmendsh që gjykatat vendosin gjithmonë, …çfarë kërkojmë ne. Qoftë edhe në lidhje me deklarimet fajtorë të subjekteve që dërgojmë ne për rigjykim. Situatën nuk do e quaja problematike, por duhet të ndalemi dhe ta rishikojmë.

Staka: Kërkesat që bëhen në Gjykatë, raporti i kërkesave me vendimet, si është?

Dumani: GJKKO në shumë raste ka vendosur ndryshe nga kërkesat e prokurorit. Shumë! Por është në diskredicionin e gjykatës që të vendosë. GJKKO ka disponuar ndryshe nga kërkesat e prokurorit. Totali i masave në përqindje është 49%, sepse është krijuar ide sikur SPAK jep vetëm masa sigurie "arrest me burg". Është krijuar një ide sikur aplikohet vetëm kjo masë. është krijuar ideja sikur SPAK nuk njeh gjë tjetër po vetëm 238, kështu thuhet në zhargon./ZËRI

1 VITE ME PARE

BILANCI i 2023/ Dumani në KLP: Kemi sekuestruar 41 mln euro pasuri, institucionet s'bashkëpunojnë. Shqetësuese!

BILANCI 2023/ Dumani: Prokurorët e SPAK të kenë të
Altin Dumani dhe Aida Hajna

TIRANË- Kreu i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani po bën bilancin e vitit 2023 në KLP. Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Dumani është i shoqëruar nga dy zëvendësdrejtuesit e tij Adnand Xholi dhe Klodian Braja, por jo vetëm. E pranishme është dhe drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit Aida Hajnaj. Gjatë fjalës së tij për bilancin e vitit 2023, Dumani bëri me dije se SPAK ka konfiskuar 41 milionë euro pasuri, por theksoi edhe problematikat. Sipas tij, SPAK po lihet vetëm në këtë betejë pasi institucionet nuk po bashkëpunojnë për të denoncuar rastet e korrupsionit.

"Duhet nënvizuar se bashkëpunimi i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar është shqetësues. Nisur nga numri i referimit të veprave penale nga institucionet publike, duke përjashtuar Policinë e Shtetit,"- tha Dumani.

Përgjimet janë përdorur në 109 procedime për vepra penale të korrupsionit dhe 77 procedime për krimin e organizuar, ndërsa fjalimin e tij e mbylli me shqetësimin për shqiptarët që streohen në Emiratët e Bashkuara Arabe. 

PJESË nga FJALA E DUMANIT:

Dumani: Për 2023, SPAK ka njohur një rritje cilësore, këto të cituara edhe në Progres Raporti i publikuar në nëntor 2023. SPAK ka arritur të krijojë besueshmeri tek autoritetet partnere. Përfaqësues të DEA dhe FBI janë atashuar pranë SPAK. Kemi krijuar kontakt direkt me autoritete të vendeve të Amerikës Latin. Vlera e pasurive të konfiskuara përllogaritet 41 milionë euro. Për vitin 2023 dallohet rritja e procedimeve penale me 16%. Por duhet nënvizuar se bashkëpunimi i institucioneve publike në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar është shqetësues. Nisur nga numri i referimit të veprave penale nga institucionet publike, duke përjashtuar policinë e shtetit ky numër është mjaft i ulët për vitin 2023 me vetëm 12 raste të referuara. Referimi nga këto institucione ka një tendecë të fortë rënie, që shkon deri në 40% krahasuar me vitin 2022. Gjatë 2023 janë regjistruar 67 procedime kryesisht, të ndara për korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Vetëm gjatë vitit 2023 janë ngritur 10 skuadra të përbashkëta hetimore. Ka një rritje me 95% për ndihmë juridike. Ndaj zyrtarëve të lartë janë regjistruar 8 procedime penale me 18 persona në hetim. Mes tyre, ish-kryeministër, ish-ministër Shëndetësie, Financas, kryebashkiak, kandidat për kryebashkiak, etj. Kemi 5 kërkesa për të vendosur të burgosur në regjim të posaçëm, kemi vendosur 2 të dënuar. Një tregues tjetër është numri i pafajësive, është rritur. Ky duhet të jetë produkt analize. 905 e tyre janë në shkallën e parë, një pjesë e tyre është fituar fajësia në Apel. Janë organizuar analiza të përgjithshme të karakterit organizativ. 

Është e paqartë statusi i prokurorit të SPAK pas përfundimit të detyrës. Do të cënohej edhe vazhdimësia e hetimeve të nisura nga SPAK. Me përfundimin e mandatave të tyre do vihet në vështirësi puna e SPAK dhe përfundimi i hetimeve që ndiqen nga ata. Problematike është edhe ngarkesa e shtuar që shtohet duke marrë parasysh pikën 8, ku drejtuesit të SPAK i bie që të përfaqësojë komisionerin publik në KPK. Krahas detyrave të tjera duhet të përballuar edhe kjo detyrë. Drejtuesi i SPAK duhet që të ndjekë 150 seanca gjatë periudhës, janar 2025-qershor 2026. Rritet volumi i punës, ndërkohë që kushtet janë të njëjtat. Problem mbetet edhe mos ekstradimi i shqiptarëve të arrestuar në Emirate./ZËRI

Poll

MOS HUMB