Amnistia Penale mori dhe votat e grupit të Bashës, ja kush e "tradhtoi" kryetarin e PD

TIRANË-Kuvendi miratoi me 110 vota pro Amnistinë Penale në një seancë maratonë që ka nisur prej orës 10.00 të mëngjesit. Socialistët morën dhe votat e demokratëve të Rithemelimit, ndërsa grupimi zyrtar i Lulzim Bashës votoi kundër. Por amnistia është votuar dhe nga dy deputete që i përkasin Partisë Demokratike zyrtare, grupimi i përfaqësuar nga Lulzim Basha.
Kanë qenë Ori Nebijaj dhe Eralda Tase Bano, të cilat i janë bashkuar shumicës dhe kanë ngritur kartonin jeshil për ti thënë 'PO' projektligjit për Aministinë Penale. Ndërkohë vetë Basha dhe një pjesë e deputetëve u larguan nga salla e Kuvendit në momentin kur po votohej amnistia penale.
110 deputetë votuan pro Amnistisë Penale këtë të enjte ndërsa kundër votoi Agron Shehaj, ndërsa Ermonela Felaj, abstenoi. Nga kjo amnisti do të përfitojmë 1100 të dënuar, nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë ndërkohë 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi. Ndërkohë pas miratimit të amendamentit të Gazment Bardhit, po ashtu përfitojnë edhe ish-drejtorë e funksionarë të dënuar nga GJKKO.
Amnistia/ Alibeaj: Manja mbrojti marrëveshjen "PS-Rithemelim", fundi i botës
TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj ka folur për mediat pas miratimit të Amnistsë Penale me 116 vota pro. Alibeaj shprehu keqardhje të madhe dhe u shpreh se me miratimin e projektligjit dolën kundër publikut. Sipas tij me këtë projektligj është goditur SPAK.
Alibeaj: Bashkuan votat me Ulsiu, me Taulant Ballën, me Edi Ramën. Shpresa e vetme mesa duket sot është vetëm SPAK dhe GJKKO. Sot SPAK-ut iu dha një goditje nën brez, ky është turpi më i madh, ky ishte testi që duhet të kalonim. Sot dolën kundër publikut. Kjo është keqardhja më e madhe. Të mbrohet marrëveshja PS-Rithemelim nga Ulsi Manja, ky është fundi i botës. Ky është qëndrimi moral që gjithsecili duhet të mbajë.
Në fund të seancës Kuvendi miratoi me 110 vota pro, 1 abstenim dhe një kundër, projektligjin e amnistisë penale. Amendamenti i Enkelejd Alibeajt u rrëzua me 72 vota kundër dhe u votua pro amendamentit të Gazment bardhit.

Braçes i shket goja: Një shoqja ime mbeti mbi Kar...dhiq!

TIRANË- Deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe i ka shkitur goja në një moment "delikat". Teksa fliste për koncensionet e Kardhiqit, në një moment (të gabuar) e ka zënë kolla dhe fjala ka dalë nga kuptimi. E gjitha ndodhi teksa Braçe akuzonte qeverinë e ish-kryeministrit Sali Berishës se kishte dhënë numrin më të madh të koncesioneve.
"Ato 1000 faqe letra ishin këtu. Ishte një shoqja ime që kishte marrë letrat për koncension për Kardhiq 1, Kardhiq 2, Kardhiq 3, Kardhiq 4, Kardhiq 5, Kardhiq 6, Kardhiq 7. Dhe unë nuk arrija të kuptoja se përse kjo zonja rrinte gjithë kohën mbi Kar...dhiq. Rrinte mbi Kardhiq, gjithë kohës! Ishte një hall shumë i madh. Kështu ka mbetur edhe sot,"-tha Braçe.
MOMENTI ME VIDEO:
U miratua në Kuvend/ Çfarë parashikon Amnistia Penale, kush përfiton

TIRANË- Mijëra të burgosur prej muajsh kanë qenë me sytë nga Kuvendi, për të përfituar nga amnistia penale. Të dënuarit dhe ata në proces gjyqësore nuk i ndalën letrat dhe peticionet drejtuar Kuvendit, duke iu kërkuar deputetëve të miratonin projektligjin për amnistinë penale. Projektligji u kthye në 'mollën e sherrit' mes forcave politike, ndërsa u zvarrit prej afro 4 muajsh. Vetëm pasi Partia Socialiste dhe Rithemelimi gjetën dakordësinë për miratimin e amnistisë penale, u fut në rendin e ditës në Kuvend. Kundër dakordësisë mazhorancë-opozitë ishte PD zyrtare e Lulzim Bashës. Në seancën e sotme u miratua Amnistina Penale, ku 700 të dënuar do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Po ashtu pas miratimit të amendamentit të Gazment Bardhit, përfitojnë edhe ish-drejtorë e funksionarë të dënuar nga GJKKO.
Kush përfiton nga amnistia?
Përfitojnë burrat e dënuar me 4 vjet ose më pak vite burg, për dënime të dhëna dhe që kanë marrë formë përfundimtare deri më 31 mars 2023, ndërsa gratë përfituese do jenë ato që kanë deri në 5 vite dënim. Sipas kritereve të përcaktuara në draft përjashtohen nga vuajtja e dënimit edhe burrat kur në datën e hyrjes në fuqi të amnistisë, u ka mbetur pa kryer deri në 4 vjet burg, ndërsa grave kur u ka mbetur 5 vjet. Përfshirë gjobën apo dënimet alternative. Përfitues nga amnistia janë gratë mbi moshën 50 vjeç ose mbi këtë moshë, ndërsa për burrat efekti do të jetë kur janë mbi 65 vjeç.
Lirohen (me përjashtim të veprave të ndaluara)
Burrat me dënim deri në 4 vjet (Dënimet të jenë dhënë deri më 31 mars 2024)
Burra të dënuar me mbi 4 vjet (që u ka mbetur deri në 4 vjet pa kryer)
Gratë me dënim deri në 5 vjet, ose me mbi 5 vjet (që u ka mbetur pa shlyer deri në 4 vjet)
Gratë që janë 50 ose mbi 50 vjeç kur amnistia hyn në fuqi
Burrat që janë 60 ose mbi 60 kur amnistia hyn në fuqiLirohen (me përjashtim të veprave të ndaluara)
Personat që kur kanë bërë veprën penale kanë qenë 18 vjec ose nën mbi 18 vjeç
Veprat penale që përfitojnë ulje dënimi pas nga kjo Amnisti:
Neni 244, Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike
Neni 245, Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë
Neni 245/1, Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike
Neni 257/a, Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë…
Neni 258, Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike
Neni 259, Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike
Neni 259/a, Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë,
Neni 260, Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë
Neni 312, Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit
Neni 319 Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë dhe pikat pasuese të tij.
Kush përjashtohet nga amnistia?
95% e veprave penale nuk përfshihen në këtë projektligj amnistie. Nuk përfitojnë falje të dënimit përqindja më e madhe e veprave penale, që përfshin ato më të rëndat që nisin që nga krime kundër njerëzimit, krime kundër jetës, krime kundër autoritetit të shtetit ku përfshihet edhe korrupsioni, terrorizmi dhe shumë e shumë kategori veprash penale, mbi 240 të tilla. Nuk përfitojnë amnisti, as falje e ulje të dënimit dhe as përjashtim nga ndjekja penale të atyre që i janë shmangur drejtësisë.
Kategoria që nuk përfiton
Kategoria e subjketeve që nuk përfitojnë, mund të përfitojnë uljen e dënimit. Me propozimet e bëra mund të përfitojnë ulje të dënimit 1 vit e gjysmë burrat dhe 2 vite gratë./ZËRI
Amnistia 'përplas' 2 PD/ Bardhi: I përdorën protestuesit, tani i braktisën. Basha: Sinjal kundër SPAK

TIRANË- Amnistia penale ka përplasur sërish 2 palët e Partisë Demokratike. Fillimisht, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhit, i cili prezantoi amendamentet e tij, deklaroi edhe votën pro të opozitës. Por në fjalën e tij nuk i ka kursyer 'kunjat' ndaj Lulzim Bashës duke i kujtuar protestuesit e burgosur, duke shtuar se ishin përdorur si "mish për top". Përgjigjen e mori nga vetë Basha. Në fjalën e tij në parlament, deklaroi se amnistia penale është një pazar i ndyrë mes qeverisë dhe Rithemelimit. E gjitha për njohjen në Gjykatë si drejtues legjitimë të selisë blu. Ndërsa për maxhorancën tha për qëllim kishin lehtësimin e zyrtarëve të dënuar për korrupsion dhe për t'i dërguar një mesazh Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
DEBATI MES TYRE:
Gazment Bardhi: Kemi analizuar të gjitha ligjet për dhënie amnistie. Rezulton që amnistia është në fakt një amnisti që përfshin një numër më të ngushtë. Të tjerët kanë hedhur baltë për këtë vendim dhe janë njerëz që janë drejt largimit të politikës. Dëgjova përalla nga më të ndryshmet në mëngjes. Nuk ka pasur asnjë përjashtim, as për vrasësit, krimin e organizuar apo funksionarë të lartë të dënuar për korrupsion. Por në nisje të legjislaturë kanë shpallur dhënien fund të kulturës së pandëshkueshmërisë, dhe dhënia e këtij mesazhi për SPAK e GJKKO, do duhej ta përcillnim edhe përmes aktit të amnistisë. Dëgjova pse nuk falen protestuesit... në fakt kur i përdor si mish për top dhe më pas i le rrugëve, sigurisht që nuk e di pse janë dënuar dhe pse vuajnë gjatë këtyre viteve në dyert e gjykatave. Numri dërrmues ka qenë në maj-qershor 2019 kur ne nisëm aksion për të ndërprerë zgjedhjet lokale. Ata janë për bllokim të qarkullimit të mjeteve dhe pengim të subjekteve zgjedhore. E bëra këtë sqarim për t’i garantuar secili protestues, dhe të shoqërisë civile që janë përndjekur pse kanë protestuar, se sipas kësaj amnistie dhe propozimit të opozitës, çdo çështje e hapur dhe dënim i dhënë amnistohet sipas neneve të këtij projektligji, ndaj kemi vendosur ta votojmë pro.
Lulzim Basha: Sot është e qartë për këdo që merr mundimin të shohë se çfarë po i vihet përpara të kuptojë 2 fakte; në këtë propozim ka njësërë veprash penale që kanë të bëjnë me korrupsionin e zyrtarëve, me korrupsionin e prokurorëve, me korrupsionin në tendera dhe atë zgjedhor, nuk përjashtohen nga përfitimet e kësaj amnistie. Këto nuk janë imagjinatë, janë fakte të publikuara nga PD. Këto vepra penale nuk mund të përfitojnë amnisti. Nuk i bashkangjiten hallit të atyre që kanë nevojë. Gënjeshtra për protestuesit, është fakti i njohur nga PD dhe jo nga përfituesit në sofrën bujare të qeverisë, tek shumica e protestuesëve ndiqen veprat penale, e cila parashikon dënim mbi 2 vjet. Është jashtë parashikimit të kësaj amnistie. Këto janë faktet. Është e qartë loja që po luhet dhe pazari. Njëra palë ka hallin ti njihet etiketa falso, tjetra ka hallin zyrtarëve të korruptuar që po bien në burg. Po ç'ka të bëjë kjo kur kemi vendosur një kufi? Mesazhi që i dërgohet SPAK është që ju i denoni, ne i lirojmë. Kështu do shpëtojmë edhe peshqit e mëdhenj që përfitojnë me kushtet aktuale. Këto janë faktet. Janë të pakontestuara nga çdo kush me sy në ballë./ZËRI
116 'kartona jeshilë', kalon Amnistia Penale, kundër vetëm Agron Shehaj. 17 s'votuan fare

TIRANË- Kuvendi ka miratuar në parim me 116 vota pro projektligjit, ndërsa 17 ligjvënës të pranishëm nuk votuan. E vetmja votë kundër ishte nga deputetit, tashmë jashtë radhëve të Partisë Demokratike, Agron Shehaj. Ndërsa 17 deputetë vendosën që të mos merrnin pjesë fare në votim. Megjithatë 116 vota janë të mjaftueshme për të votuar amnistinë penale, duke shënuar edhe "suksesin" e parë të marrëveshjes së arritur mes Partisë Socialiste dhe Rithemelimit.

Më pas, deputetët miratuan me 110 vota pro, 1 abstenim dhe 1 kundër amendamendeve të propozuara nga Gazment Bardhi për aministinë penale. Ashtu si dhe në votimin në parim Agron Shehaj ishte i vetmi deputet që votoi kundër projektligjit të Amnistisë Penale, ndërsa Ermonela Felaj abstenoi. Gjithashtu u miratuar me 111 vota pro amendamenti i propozuar nga Gazment Bardhi për ndryshimin e nenit 3 për projektligjin e amnistisë penale. Ndërsa amendamenti i Enkelejd Alibeajt është rrëzuar me 72 vota kundër dhe 2 absetenime Ferdinat Xhaferaj dhe Flamur Noka.

Para votimit, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja bëri me dije se nuk do të përfitojë asnjë i dënuar nga Gjykata e Posaçme, ndërsa theksoi që 700 të dënuar do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi. Ministri theksoi se do të pushohen menjëherë 232 çështje të protestuesve të opozitës. Por pas fjalës së tij, pati replika dhe akuza mes Lulzim Bashës dhe Gazment Bardhit./ZËRI
Amnistia penale, Manja: Janë 232 çështje penale që do të përfitojnë nga ky projektligj

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, nga Kuvendi ka folur për Amnistinë Penale, e cila ka marrë aprovimin tashmë për votë pro edhe nga opozita dhe që pritet të votohet sot. Manja ka treguar se kush përfiton nga ky projektligj, duke treguar se janë 232 çështje penale. Ministri i Drejtësisë ka njoftuar gjithashtu se dhe të burgosurit që nuk përfitojnë nga amnistia do të mund të përfitojnë një ulje dënimi nga 1 deri në 1 vit e gjysëm.
Manja: Amnistia është zbatuar si lehtësuese, për ata që kanë kryer vepra penale. Është një akt për një mundësi të dytë për tu rinitegruar në shoqëri. Po ashtu nga varianti fillestar, përfitojnë të dënuarit burra që iu ka mbetur më pak se 4 vjet, të dënuarat gra që iu ka mbetur 5 vite nga dënimi. Personat gra baraz ose nën moshën 50 vjeç. Ka edhe disa kufizime të këtij ligji. Jemi kujdesur që kategoria e subjekteve që nuk përfitojnë nga amnistia të kemi një parashikim të mundshëm për ulje të dënimit. Ulja të shkojë 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysëm për gratë. Janë 232 çështje penale që do të përfitojnë nga kjo amnisti. Kjo amnisti është për 1100 të dënuar me burg, 700 prej tyre do lirohen menjëherë ndërsa 400 përfitojnë ulje dënimi dhe 2700 në shërbim prove do jenë përfitues nga amnistia. Nuk do përfitojnë ata që janë të dënuar me burg përjetë, ata që i shmangen dhe i janë shmangur drejtësisë, as ulje dhe as nga amnistia, ata të dënuar nga Gjykata e Posaçme.
PERLA! Lulzim Bashës i ngel karrigia në dorë

TIRANË- Lulzim Basha ka shkaktuar të qeshura sërish në Kuvendin e Shqipërisë. Jo për ndonjë gafë si zakonisht, por sepse ka shkatërruar karrigen e tij në sallën e Kuvendit. Teksa po tentonte që të ulej mes Jorida Tabakut dhe Gazment Bardhit, Bashës i ka ngelur karrigia në dorë.
Edhe pse për momentin janë "armiq", as Tabaku dhe as Bardhi nuk i kanë mbajtur dot të qeshurat. Madje demokratja i ka dhënë edhe diçka, por nuk kuptohet./ZËRI
Gogu i kujton Nokës vilën 786 mijë euro: Jep llogari për akuzat e Gazit, pastaj për ata që janë në SPAK

TIRANË-Teksa në Kuvend po diskutphej për ligjin për koncensionet, nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Toni Gogu, i ka kujtuar Flamur Nokës akuzat e Gazmend Bardhit pë fshehjen e vilës mbi 700 mijë euro. Gogu i ka kërkuar të japë llogari për akuzat që i referohen dhe të mos merret me të tjerët që ndodhen në SPAK.
"Kjo sallë nuk është vendi ku bëhen provat për mintingun e nesërm, për mitingjet e rrugicave të pashpresës e të dëshpërimit. Të mos dallosh rëndësinë e instrumentave financiarë dhe t'i anatemosh ato, përmes së cilave janë ndërtuat vepra madhore europiane është njësoj si të mos i japësh llogari shqiptarëve për akuzën që të ka bërë kreu i grupit tënd parlamentar për vilën 786 milionë euro. Hajde jep njëherë llogari për këtë, pastaj merru me ata persona që janë duke dhënë llogari përpara SPAK-ut që ti anatemon", deklaroi Gogu.
"Dosja ishte arkivuar me urdhër politik", Majko përplaset me Nokën: Përgënjeshtrimi, humbje kohe!

TIRANË-Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, gjatë fjalës së tij në Kuvend është ndalur te dosja e laboratorit të drogës në Xibrakë, ku tha se 45-vjeçari i paidentifikuar është vëllai i kryeministrit Edi Rama. Noka tha se dosja u arkivua me prova të gjalla, me urdhër politik, ndërsa i drejtohet kryeministrit Edi Rama duke i thënë se edhe i vëllai ka ngrënë kumbulla e dardha pas shpinës së tij.
Nga ana tjetër deputeti socialist, Pandeli Majon, i është kthyer Flamur Nokës, duke i thënë me ironi se nuk e përgënjeshtron sot sepse është i papërsëritshëm, në lidhje me akuzat se SPAK i ka përgjuar telefonin. Majko tha se opozita është një grup anti-sistem, ndërsa i pyet se ku duan ta çojnë karrocën që e quajnë e djathta shqiptare.
“Dëgjova me vëmendje numrin dy të fraksionit kryesor të PD-së duke përsëritur që SPAK është një organizatë kriminale dhe pastaj vazhdoi duke thënë që edhe ty Majko SPAK për një bisedë telefonike të regjistruar me 300 mijë dollarë etj etj , euro më fal, e bëjmë edhe 3 mln nuk ka problem. Kjo organizatë kriminale më ka mbyllur dosjen, dmth unë miqësisht edhe si koleg, se na solli koha në këtë sallë, si mendoni ju se zgjidhet drejtësia. Jeni thjesht një grup anti-sistem. Ca doni këtu ju? Si e keni mor miqtë e mi? Flamur, unë nuk të përgënjeshtroj se je i papërgënjeshtrueshëm. Je i papërsëritshëm në ato që thua Të përgënjeshtrosh ty është më shumë se një humbje kohe. Por unë e kam me kolegët e mi që janë njerëz të nderuar, të cilët ti del aty dhe thua SPAK është një organizatë kriminale, dilni me këtë gjuhë. Supozoheni se jeni shpresa e shqiptarëve për ndryshim në Shqipëri. Ku doni ta çoni këtë karrocë që e quani e djathta shqiptare?!”,- tha Majko.
“Shko pyet Saliun poshtë ballkonit”, Balla-Bardhit: Ai e di kush është bruni 45-vjeçar

TIRANË-Laboratori i kokainës në Xibrakë është shndërruar në mollë sherri në seancën e sotme në Kuvend, ku Gazment Bardhi përsëriti akuzat e tij për përfshirjen e vëllait të kryeministrit Edi Rama, në këtë aktivitet kriminal. Në mungesë të Ramës në sallën e Kuvendit, ishte Taulant Balla ai që do të përgjigjej për këto akuza nga radhët e Partisë Socialiste. Balla tha se kjo dosje është një histori e vjetër akuzash politike, që risillen tashmë për interesa politike. Ai u kthye pas në kohë në vitin 2015, kohë dhe kur u zbulua laboratori i kokainës në Xibrakë, dhe tha që Sali Berisha tentoi që të implikonte pikërisht Ballën me këtë çështje.
Balla la të kuptohej se dhe vetë ai e di kush është personi i paidentifikuar, duke aluduar se ka lidhje me një person të Partisë Demokratike.
“Sali Berisha, pronari i SHQUP-it më akuzoi mua për laboratorin e Xibrakës. Saliu kërkoi të sulmohesha unë që isha në Mirakë, jo në Xibrakë, se Xibraka është në Elbasan, jo Miraka. Ata e dinë fare mirë se kush është bruni flokëshkurtër 45 vjeçar. Shko pyet Saliun. Shko poshtë ballkonit dhe pyete Saliun, se Saliu e ka thënë këtu, është një i lidhur me një deputet të partisë tënde. Unë të dëgjova (i drejtohet Bardhit). Ti ke një problem të madh, je vetëm zhurmues, nuk u bëre njëherë drejtues i grupit parlamentar, prit të mbaroj unë.
U kthyet ju pas 9 vitesh te kjo fabul. Ju e dini fare mirë që nuk është Olsi Rama, është hetuar për këtë. Kush po iu paguan ju ta riktheni këtë çështje? Fola si një dëshmitar politik prej shumë vitesh këtu në parlament. Si ministër i Brendshëm dua të hetoj si ka mundësi që politika e këtij krahu nuk ka vendosur mend të shpërdorohet nga interesa ekonomike, financiare dhe të vijë këtu e të artikulojë për gjëra të qarta, që janë hetuar. M.q.s ju keni besim te SPAK, pse nuk keni besim që ta hetojë edhe këtë çështje? Të takon për detyrën që mban. Detyrën e kryetarit të grupit parlamentar e kam bërë edhe vetë, duhet t’i qëndrosh fjalës, bëj kallëzim, jo informim, njoftim. Për kallëzim të rremë shkon në kokërr të burgut, shko bëj kallëzim dhe e mbyllim këtu. Shko te Saliu, Saliu e di kush është ai 45-vjeçari, kaq, ta thonë edhe ata të rreshtit të fundit", tha Balla, teksa foli dhe për spastrimin në radhët e policisë së shtetit.
"Në 8 muaj nuk pretendoj të spastroj Policinë e Shtetit menjëherë, por dua t’ju shpreh të gjithë angazhimin tim dhe shumë shpejt do të vij këtu tek ju, të kërkoj edhe mbështetjen tuaj, të opozitës, për një ligj të ri të Policisë së Shtetit. Nuk kam asnjë dyshim që ka pnponjës që ditën janë me uniformë dhe natën tradhtojnë besimin e qytetarëve. Jam duke bashkëpunuar ngushtësisht me agjencitë parntere, INTERPOL, EUROPOL se falë këtyre kemi arritur të identifikojmë drejtues të lartë që sot janë pas hekuraee. E papranueshme që policia shkon të arrestojë një prej personave më të rëndësishëm të botës së krimit, personi të jetë në kontakt me një shef komisariati, është arrestuar shefi i komisiariatit edhe bosi i heroinës është arrestuar”, tha midis të tjerash Balla.
/ZËRI
‘Kush i zhduku fotot?!’, Bardhi akuza Ramës për Xibrakën: SPAK të rihapë dosjen, aksioni u dekonspirua

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, ka folur në Kuvend për dosjen ‘Xibraka’, pas refuzimit që kryeministri Edi Rama i bëri interpelancës parlamentare për këtë çështje. Bardhi i bëri thirrje drejtuesit të prokurorisë së posaçme Altin Dumani, që të rihapë këtë dosje, dhe të vihen para drejtësisë të gjithë personat e përfshirë në laboratorin e kokainës në Xibrakë. Bardhi akuzoi punonjësit e policisë dhe prokurorisë që kanë fshehur provat për implikimin e Olsi Ramës në këtë veprimtari të paligjshme.
“Do të doja shumë që siç Kushtetuta e detyron, kryeministri Edi Rama të ishte në seancë, por dëshira pëe tiu fshehur të vërtetës, e bën gjithmonë të ikë dhe të mos japë llogari. Zoti Altin Dumani, gjatë raportimit në KLP ka thënë se e ka të pamundur që të bashkëpunojë me Policinë e Shtetit, për shkak se drejtuesit e policisë janë anëtarë të bandave kriminale. Unë kam nxjerrë nga arkivat e prokurorisë një dosje, për një person të paidentifikuar.
Edi Rama e quajti këtë një trillim, do të ishte e ndershme që të vinte dhe të thoshte këtu atë që ka thënë vëllai i tij, që kjo dosje është mbyllur në mënyrë përfundimtare. Kjo nuk është një çështje e hetuar dhe gjykuar në mënyrë përfundimtare, ajo dosje prej disa vitesh flinte e qetë në arkivat e Prokurorisë së Posaçme, duke lënë pa zbuluar një pjesë të organizatës kriminale, në laboratorin e parë të kokainës në Shqipëri, atë të Xibrakës.
Do të doja shumë që të vinte dhe të thoshte këtu se personi 45 vjeç, nuk ka qenë përdorues i makinës me targa AA 653 DM, por nuk vjen dot, këtë nuk e kam thënë unë, e ka thënë dosja. E thotë dosja dhe nuk e them unë, që personi i paidentifikuar me mjetin me targa AA 653, ka hyrë në apartamentin e personave të dënuar për laboratorin e drogës në Xibrakë. Do të doja shumë që të vinte dhe të thoshte që këtë automjet, nuk e kanë përdorur anëtarët e tjerë të organizatës kriminale. Janë të dhënat e sistemit TIMS, nuk e thotë Gazment Bardhi. Do të doja që të vinte këtu dhe të thoshte është e vërtetë, që Olsi Rama, njësoj si Gentian Xhixha, ka pasur hyrje dalje të shpeshta, gjatë kohës që po ngrihej laboratori i kokainës në Xibrakë.
Do të doja që të vinte këtu dhe të thoshte që dy prokurorët që kanë pasur në dorë këtë dosje, nuk janë promovuar nga Edi Rama. Pse nuk është publikuar fotoja e personit, që hodhën fall dhe i gjetën vetëm moshën? Kush ishte ky person, nuk ka raport të Forcave Operacionale, pa prova me foto dhe me video. Pse nuk u shfaqën këto pamje, dhe më pas të ndihmonin qytetarët në identifikimin e këtij personi. Dokumentet tregojnë të kundërtën, i bëj thirrje zotit Dumani, që të hetojë deri në fund këtë çështje, të vlerësojë rolin e punonjësve të policisë që kanë prishur provat, dhe të hetojë rolin që kanë pasur këtë dosje, dhe më pas e varrosën”, u shpreh Bardhi.
/ZËRI
‘Ministre e ndërtimit’, Kumbaro në interpelancë me Zhupën për zonat e mbrojtura: Na qoftë rruga e mbarë drejt Shqipërisë 2030

TIRANË- Në seancën e sotme në Kuvend, është mbajtur një interpelancë mes deputetes Ina Zhupa, dhe ministres së Mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro, për ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Zhupa tha se ndryshimi i ligjit është bërë me qëllim për të favorizuar ndërtimet në këto zona, ndërkohë që etiketoi ministren si ‘Ministre e Ndërtimit’.
Duke iu referuar mënyrën se u adresua ndryshimi në ligjin për zonat e mbrojtura, Zhupa tha se kërkesa është bërë nga kryebashkiakë socialistë, që në fakt kanë sipërfaqe të papërfillshme, të zonave të mbrojtura.
“Para pak javësh ka kaluar ligji i zonave të mbrojtura duke e kthyer atë në një kantierin ndërtimi dhe betonizimi dhe vendimarrja për këta zona varet vetëm nga kryeministri dhe ministrat e tij. E kam thirrur Kumbaron në interpelancë për ta na sqaruar se si me një truk qeveritar ata futën një projekt ligj me firmën e 12 deputetëve të mazhorancës të cilët nuk e dinë se çfarë kanë firmosur dhe shumica prej tyre nuk kanë folur ndonjëherë në parlament. Atë ligj që pasi e ndryshuat me një propozim të qeverisë pompa e kaluar në konsultim publik.
Deputetë u shprehen se spunton e morën nga një shkresë e ardhur nga kryebashkiakët socialistë të cilët ishin të shqetësuar se nuk po shfrytëzonin zonat e mbrojtura dhe nuk kishin të ardhura. Kryebashkiaku i Cërrikut ishte shqetësuar shumë se nuk shfrytëzonte zonat e mbrojtura kur nuk kishte fare në territor zona të mbrojtura.
Ligji ishte me porosi që Butrintin, Velipojën, Divjakën ta jepnin për ndërtim. Një ministre mjedisi që njeh vetëm betonin nuk e meriton më të quhet ministre e mjedisit por ministrja e nderimit”, u shpreh Zhupa.
Ndërkohë që Kumbaro nga ana e saj, tha se ndryshimet në ligj ishin të nevojshme, dhe sipas saj gjatë qeverisjes së socialistëve sipërfaqet e zonave të mbrojtura kanë njohur një rritje të konsiderueshme.
“Ligji i amenduar është në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes së mjedisit siç janë ato të IUCN dhe direktivave Europiane përkatëse, dhe mbi të gjitha me frymën e kohës, për të arritur ekuilibrin e nevojshëm mes mbrojtjes së natyrës, biodiversitetit.
Juve s’kemi ç’tju bëjmë, kur s’jeni të bindur e s’e dini as ju pse s’jeni, madje edhe kur doni të bindeni nuk dini as se kujt duhet t’i bindeni. Nga unë keni thjesht mirëkuptim për hallin… po nuk jua zgjidhim dot ne. Sa ta zgjidhni ju mes vedi, ne do vazhdojme të punojmë fort, të ecim shpejt, dhe vizionin e Shqipërisë Turistike, Shqipërise së gjelbër, dhe Shqipërisë kampione të Ballkanit të vitit 2030, nuk e lëshojmë! Neve na qoftë rruga e mbarë për të mirën e popullit shqiptar dhe juve u vaftë mbarë sa të gjeni kush do beje çfarë për të mirën e demokracisë shqiptare!”, tha mes të tjerave Kumbaro.
Më shumë sesa përgjigje për ligjin që është miratuar, Kumbaro bëri një renditje të veprave që sipas saj kanë bërë socialistët në këto vite, në mbrojtje të mjedisit.
“75 milionë dollarë është marrëveshja me Bankën Botërore për trajtimin e ujërave të zeza që derdhen në Vjosë. E kemi shpallur mjedisin prioritet kombëtar, 480 km të Vjosës plus tre degët e lumenjve janë 12 mijë hektarë zonë e mbrojtur. Përmes vendimmarrjes racionale dhe një bashkëpunimi shembullor me shoqërinë civile dhe partnerë ndërkombëtar, duke krijuar një model dinjitoz se si mund ta kthejmë biodiversitetin në një kartë vizite për Shqipërinë.
Është kjo mazhorancë që ka vendosur moratoriumin e gjuetisë duke kthyer gjallesat në shtëpinë e tyre. Lejlekët na u kthyen edhe këtë vit në Gjirokastër dhe ky është një lajm i mire.
Është kjo mazhorancë politike që vendosi kritere dhe kontroll në mbrojtje të territorit, është kjo qeveri që, në vijim të vendimeve të Këshillit Kombëtar të Territorit të vitit 2020, duke nisur nga janari i vitit 2022 i dhamë për herë të parë Vjosës statusin e zonës së mbrojtur për ta shpallur në atë kohë Park Natyror; luginën e Shalës po ashtu e bëmë pjesë për herë të parë të zonave të mbrojtura me statusin Park Natyror; bashkuam Thethin, Valbonën, Lumin e Gashit duke krijuar Parkun Kombëtar Alpet e Shqipërisë, nga Shkodra e Malësia e Madhe deri në Tropojë, me një sipërfaqe të dyfishuar; shpallëm Malin e Munellës Park Natyror; Syrin e Kaltër po ashtu nga thjesht monument natyre, i dhamë statusin e Parkut Natyror të gjithë zonës duke e zgjeruar përreth në një sipërfaqe 290 hektarë;
Po kështu u zgjerua Parku Natyror i Ulzës; Parku Natyror i Zagorisë që më parë nuk ka qenë fare zone e mbrojtur. Pra për ta thënë shkurt, u rrit sipërfaqja e zonave të mbrojtura nga 17,5% në 21,5% të territorit të Shqipërisë, me 12 Parqe Kombëtare, 718 Monumente Natyre, 23 Parqe Natyrore. Dhe arsyeja se përse po i përmend shumë shkurtimisht, është vetëm për të kujtuar se mbrojtja e pasurive natyrore të Shqipërisë ka qenë dhe vijon të jetë vizion i kësaj qeverie, është vullnet, është ekspertizë dhe sigurisht është guxim. Sepse nuk është e lehtë që, në një vend të vogël si Shqipëria, me nevoja të jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik e punësim dhe me plagë të rënda sociale për shkak të kusureve të historisë, të mbrosh zona të tëra natyrore. Ky është vizion drejt zhvillimit të qendrueshëm dhe një shenjë emancipimi e maturie shoqërore e politike e vendit”, tha Kumbaro.
‘I paske thënë lamtumirë zanatit’, Manja replikon me Bashën: Ke filluar e lexon ligjin mbrapasht

TIRANË- Amnistia penale ka përplasur deputetët e Partisë Socialiste dhe asaj të opozitës, me Lulzim Bashën që e ka quajtur pazar mes Rithemelimit dhe PS-së.
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, iu përgjigj akuzave të Lulzim Bashës, se nga amnistia do të përfitojnë dhe subjekte të GJKKO-së, gjë që sipas socialistëve nuk është e vërtetë.
Manja ironizoi duke thënë se Lulzim Basha “i ka thënë lamtumirë është zanatit të juristit”, teksa shtoi “mos e merrni serozisht”.
“Me këtë që tha Basha i ka thënë lamtumirë është zanatit të juristit. Më vjen keq po këtë kam, mirë që nuk e ka lexuar ligjin por e lexon edhe nga e prapa. Tani paska i thënë mirupafshim këtij zanati, tani as vetë ai nuk e di çfarë është politikan, jurist. Mos e merrni seriozisht. Të dalësh dhe të thuash që përfitojnë të dënuarit nga GJKKO, kur është e shkruar e zeza mbi të bardhë, duhet të jemi serioz. Gjithçka ka limit”, iu drejtua Manja.
Më herët Basha tha se amnistia po kalohet me nxitim, në kurriz të interesit publik.
“Amnistia nuk ka qenë në rendin e ditës, doni ta fusni sot pa e futur në Komisioni e Ligjeve.
Na ftoni që çfarë kemi ta themi në sallë, pse? Sepse nuk doni që qytetarët të kenë mundësinë të njihjen me një Amnisti që shpërblen zyrtarët të korruptuar dhe zyrtarë të dënuar nga GJKKO dhe ndëshkon opozitarë dhe protestues të tjerë.
Kategoritë që përfitojnë janë zyrtarë të dënuar apo hetuar për korrupsion. Është Pazar i qartë, përjashtohen protestuesit e opozitës. Ky është një pazar i ulët anti-SPAK”, u shpreh Basha.
/ZËRI
Quajti Berishën të marrë, Vokshi kërkon përjashtimin e Spiropalit. 2 sekonda më vonë-Braçes: Po rri ti mo, grindavec

TIRANË- Vijojnë debatet në seancën plenare, ku në rendin e ditës u fut dhe amnistia penale, ndërsa frika nga SPAK, ka përplasur deputetët. Ministrja Elisa Spiropali, e quajti Berishën të marrë, dhe kjo nxiti reagimin e deputetes Albana Vokshi, që kërkoi që kryeparlamentarja të merrte masë ndaj saj. Por pak sekonda më vonë, vetë ajo do t’i drejtohej Erion Braçes me një fjalor të papërshtatshëm.
Spiropali: Lini akrobacitë me shpifje. A mendoni ju që i shkoni poshtë ballkonit atij të marrit, është apo nuk është organizatë kriminale SPAK? Dakord të mençurit. Se marrëzia dhe mençuria i ndan një fill i hollë. Drejtësinë e kishit një hyzmetqare të tekave të pushtetit tuaj, të gjitha inkoherencat tuaja, të gjithë mungesën e arsyes, çohet njëri të arrestojë më shumë, ju nuk dini ç’thoni se me drejtësinë ju ka zënë rrota bishtin dhe kokën, Basha sa është zgjuar nga gjumi që thotë do amnistoni të dënuarit nga gjykata speciale, në publik duam të shohim, e kemi bërë kur e kemi parë të arsyeshme, politika jonë penale nuk duhet të frymëzohet nga e vjetra për dy paket cigare, por një shoqëri që është e vetëdijshme, por meqë jeni të akuzuar dhe akuzues.
Vokshi: Zonja kryetare kërkoj që të merrni masë për ministren Spiropali, me një fjalor të papranueshëm, kërkoj që të merrni masë menjëherë. Po rri ti mo, mos fol ti mo, grindavec, si është e mundur (iu drejtua Braçes).
/ZËRI
FOTOT/ “Xibraka” shkon në Kuvend, deputetët mbushin tavolinat me targën ‘’AA 653 DM”

TIRANË- Deputetët e opozitës, e kanë zhvendosur në sallën e Kuvendit, çështjen ‘Xibraka’. Pasi Rama refuzoi që të përgjigjej në interpelancë për akuzat që janë bërë ndaj vëllait të tij, deputetët e opozitës kanë vendosur në tavolinat e tyre, targën me të cilën sipas tyre ka lëvizur Olsi Rama, me makinën e trafikantëve.
“AA 653 DM”, është targa, që sipas opozitës vërteton lidhjen mes Olsi Ramës, dhe personave të dënuar për laboratorin e kokainës në Xibrakë.
/ZËRI
Majko ‘kryqëzon’ Bardhin: Ngrihesh dhe lavdëron SPAK-un, ndërkohë shkon poshtë dritares së Berishës që e quan organizatë krimale

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko, është përplasur me Gazmenr Bardhin, për qëndrimet e dyfishta që ai mban në raport me Prokurorinë e Posaçme. Nga njëra anë tha Majko, Bardhi në Kuvend lavdëron punën e SPAK, dhe nga ana tjetër bëhet pjesë e mitingjeve poshtë dritares së Berishës, që e quan Prokurorinë e Posaçme një organizatë kriminale.
“Lidhur me akuzat që grupi i PS po hesht, ne nuk po heshtim, thjesht po ju shohim si kacafyteni, për të tregtuar se kush është opozita e vërtetë. Keni kaq muaj miqtë e mi, që e keni bërë këtë sallë cirk. Kam një pyetje për zotin Bardhin, ju me të drejtë thatë që e keni parë me vëmendje që nga aministia mos të përfitojnë subjektet e GJKKO.
Kam një pyetje unë, ju shkoni në protestat që bëhen poshtë dritares së doktor Berishës. Drejtuesi juaj e quan SPAK organizatë kriminale, kam një pyetje, kjo organizatë kriminale a jep drejtësi në këtë vend apo jo. Gjërat duhen thënë! Jo njëri ngrihet dhe e quan SPAK-un organizatë kriminale, dhe tjetri ngrihet dhe e lavdëron SPAK-un. Ngrihet pas 25 vitesh Tritan Shehu dhe kërkon rezolutë për gjenocidin në Kosovë. Ndërkohë që PD nuk ka qenë fare në parlament në kohën e luftës, hapi deklaratar që kemi bërë para 25 vitesh”, u shpreh Majko gjatë fjalës së tij në Kuvend.
Ndërkohë që nuk vonoi as përgjigja e Bardhit.
“Sa i takon SPAK, shko pyet Edi Ramën se për llogari të kujt e goditit SPAK për portin e Limonit. Nëse doni të bëni politikë me drejtësinë, padyshim dimë ne më mirë se gjysma e qeverisë është një ditë po një ditë jo në SPAK. Por ne nuk bëjmë politikë me SPAK, GJKKO apo me drejtësinë. Për ju drejtësia është e re sa herë goditet kundërshtarët politikë dhe e vjetër sa herë ju preken bashkëpunëtorët. Ne e mbështesim drejtësinë kur veprohet sipas ligjit, por ne nuk jemi hipokritë që të mbyllim sytë sa herë amnistohet Ilir Beqaj, që amnistohet Veliaj. Nuk mund të vjedhin 5 drejtorë pa dijeninë e kryetarit”, u përgjigj Bardhi kolegut Majko.
/ZËRI
“Je edhe jurist”, Manja përplaset me Alibeajn: Lexo ligjin për amnistinë, nuk përfiton asnjë i dënuar nga GJKKO

TIRANË- Ministri i drejtësisë Ulsi Manja, i është përgjigjur akuzave të grupimit të Lulzim Bashës, se nga amnistia penale, do të përfitojnë dhe personat e dënuar nga GJKKO. Manja tha se përmes amendimit të Gazment Bardhit, këta të dënuar nuk do të përfitojnë, ndërsa ftoi Enkelejd Alibeajn të mos bëjë politikë nga salla e Kuvendit.
“E para njëherë dua të përshëndes votimin në rendin e ditës së sotme, që është në nderin e të gjithëve për ta votuar. Zoti Alibeaj është shumë komode që të bësh politikë nga kjo sallë, se je dhe jursit. Hapni sytë dhe lexoni ligjin, asnjë i dënuar nga GJKKO, as nuk do të përfitojë ulje dënimi, dhe as do të përfitojë liri. Madje janë pranuar edhe kërkesat e opozitës për të gjithë përfituesit. Kur të vijë radha për ta diskutuar nen për nen, të marrë amandamentin e zotit Bardhi, dhe ta lexojë, nuk kemi bërë ndonjë shpikje. Kemi marrë në konsideratë të gjitha veprat e ndaluara, ku është përfshirë edhe fjala, asnjë nga të dënuarit e GJKKO, kemi 30 vite që kemi bërë amnisti në Kuvend. Bëhet fjalë për vetëm 5% të veprave penale. Merru me punët e jashtme ti, ç’punë ke me amnistinë”, u shpreh Manja.
Alibeaj, njësoj siç bëri dhe më herët Lulzim Basha, akuzoi se Rithemelimi ka bërë pazar me amnistinë.
“Kjo pamje sot kur të gjithë heshtin dhe bëhen gati të miratojnë një akt që ka brenda amoralitetin më të madh politik. Fundi i mandatit është i tillë sfidë a do jen më në këtë foltore. Si e si të ruajnë karrigen e tyre. E para dështuat reformën zgjedhore, dyta gjasme komisionet hetimore e treta është kjo sot. Do jepet vota për ti ulur dënimi 1 vit e gjysëm burrave dhe 3 vite grave që janë dënuar nga drejtësia e ere. Testi i parë i hidhur ri kësaj marrëveshjeje. Detyrimi jua zonjë më së pari të bëni transparencë ta ktheni edhe një herë tek komisioni i ligjeve që edhe publiku ta kuptojë se çfarë gatuhet në këtë seancë. Votë për amnisti nga SPAK. Shqiptarët duhet ta kuptojnë që nesër t’ju ndëshkojnë me votë. Ta ktheni në komision ta diskutojmë të bëjmë transparencë dhe të shohim interesat individuale. Janë 3 amendamente që godasin drejtpërdrejtë SPAK”, deklaroi më herët Enkelejd Alibeaj.
/ZËRI
“Ja ku u katandis revolucioni”, Basha i qëndron versionit për aministinë: U hapën petët e lakrorit

TIRANË- Lulzim Basha i qëndron versionit të tij se nga amnistia penale që pritet të kalojë sot në Kuvend, do të përfitojnë dhe zyrtarët e korruptuar, të dënuar nga GJKKO. Edhe pse gazetarët e pyetën Bashën se ku i mbështet këto pretendime, sa kohë që Bardhi i mohoi, demokrati i ftoi ata që të lexonin pretendimet e nxjerra dje nga grupi i ekspertëve pranë tyre.
‘Për një kohë të gjatë kjo aministi u mbajt për të dënuarit ordinerë, në mënyrë që të përfitonin zyrtarët e korruptuar. Është një aleanca antispak, sepse sinjali është që ju i dënoni dhe ne i lirojmë me amnisti. Duke amnistuar drejtorët dhe zyrtarët, dalin hapur petët e lakrorit, shqetësimi i vetëm janë të dënuarit për korrupsion. Kjo është një komerdare shpëtimi për Edi Ramën, Partia Demokratike e refuzon këtë pazar’.
Ku i mbështesni këto akuza?
Pothuajse asnjë përfitues nuk përfiton, për këtë mjafton që të shihni analizën që ka bërë PD, shumica dërrmuese e përfituesve nuk përfiton. Ndërsa që përfitojnë me këtë propozim drejtorë dhe zyrtarë të dënuar, shihni shënimin tim, se buron nga analiza e grupit tonë juridik. Ja ku u katandis revolucioni.
Ku ndryshon analiza e sotme nga ajo e 2014
Lëreni mor atë… Do kemi mundësinë pas seancës të ulemi përsëri.
Basha e akuzoi për pazar me PS-në/ Bardhi: Nga amnistia nuk do të përfitojë asnjë subjekt i GJKKO-së

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, i është përgjigjur akuzave të Lulzim Bashës, se po bëhet pazar mes Rithemelimit dhe PS-së për çështjen e amnistisë.
“Sot është një ditë e rëndësishme për Kuvendin, kryeministri duhet të ishte në Kuvend, dhe të jepte llogari për dosjen Xibraka. Ju jeni dëshmitarë, që për amnistitë ka pasur gjithnjë një dakordësi me bazë të gjerë, ne jemi kujdesur që ky draft të jetë i njëjtë, me atë që ka votuar edhe opozita kur drejtohej nga zoti Basha. Me ndryshimin që asnjë zyrtar dhe asnjë anëtar i krimit të organizuar nuk do të përfitojë asnjëlloj aministie. Janë përfshirë të gjitha rastet e protestuesve të opozitës, nuk ka asnjë zyrtar të arrestuar që do të përfitojë nga kjo amnisti. Mazhoranca u tërhoq nga variant që u miratua në Komisionin e Ligjeve, dhe pranoi amandamentet tona”, u shpreh Bardhi.
Bardhi tha se nuk do të përfitojë asnjë zyrtar i lartë, apo drejtor, të cilët janë subjekt i deklarimit të pasurive.
‘Në vitin 2014 ka pasur ulje dënimi për cilindo, në këtë rast asnjë zyrtar i nivelit të lartë nuk përfiton nga amnistia. Kjo çështje është për trajtuar për të shmangur vëmendjen nga çështja kryesore që është ajo e Olsi Ramës. Ne jemi human me njerëzit e zakonshëm, por ne i japim fund pandëshkueshmërisë”, vijoi Bardhi.
/ZËRI
Sot pritet të kalojë amnistia penale pas marrëveshjes mes PS-së dhe Rithemelimit, Basha: Pazar

TIRANË- Kjo e enjte pritet që të risjellë tensionet në sallën e Kuvendit, me Lulzim Bashën që akuzon për pazar mes socialistëve dhe grupit të Rithemelimit. Shkak për këtë është bërë dakordësia në parim që palët kanë arritur gjatë ditës së djeshme për të votuar në Kuvend Aministinë Penale, e cila ende nuk është zyrtarisht pjesë e rendit të ditës.
Sipas Bashës palët kanë rënë dakord, që të përfitojnë ulje dënimi dhe personat e hetuar nga SPAK dhe dënuar nga GJKKO për korrupsion. Ndërkohë që sipas Bashës nga aministia përjashtohet te gjithë protestuesit kundër korupsionit dhe kriminalizimit të shtetit, gjë që sipas Bardhit nuk është e vërtetë, pasi lirimi i protestuesve dhe përjashtimi nga amnistia i të dënuarve nga GJKKO, ishin dy kushtet e vendosura nga opozita për votimin e amnistisë.
“ULET DËNIMI PËR TË KORRUPTUARIT E DËNUAR NGA SPAK! PËRJASHTOHEN NGA AMNISTIA PROTESTUESIT KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMINALIZIMIT TË SHTETIT! Shihni për cilat vepra ulet dënimi:
Veprat penale që përfitojnë ulje dënimi 1.5 vite për meshkujt dhe 2 vite per femrat e dënuara me vendim të formës së prerë:
Neni 244 - Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike
Neni 244/a -Korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë
Neni 245 - Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë
Neni 245/1 -Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike
Neni 257/a-Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë…
Neni 258-Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike
Neni 259-Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike
Neni 259/a-Korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë,
Neni 260-Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë
Neni 312-Korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit
Neni 319-Korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë dhe pikat pasuese të tij.
Neni 319/a-Korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare
Neni 319/b-Korrupsioni aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj
Neni 319/c-Korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja
Neni 319/ç-Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë
Neni 319/d-Korrupsioni pasiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare
Neni 319/dh-Korrupsioni pasiv i arbitrit vendas dhe të huaj
Neni 319/e-Korrupsioni pasiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja
Neni 328 - Korrupsioni aktiv në zgjedhje
Neni 328/a -Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore
Përjashtohen nga amnistia protestuesit që kanë protestuar kundër korrupsionit qeveritar dhe kriminalizimit të shtetit”, shkruan Basha në postimin e tij.
Opozita kërkoi dje që që të vendoset një klauzolë ligjore që nga “Amnistia”, qoftë në falje apo ulje dënimi, të mos përfitojë asnjë person që është dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
“Kemi propozuar amendamentin me katër nene për shqyrtim në seancë plenare, me miratimin apo aprovimin e të cilave do të votojmë pro amnistisë penale për të burgosurit”, tha demokrati Gazmend Bardhi në një deklaratë gjatë ditës së djeshme.
Burime bëjnë me dije për ZËRIN se amendamenti “Bardhi” do të pranohet, duke prodhuar në këtë mënyrë edhe numrin e duhur të votave për miratimin e amnistisë nga e cila përfitojnë rreth 700 të burgosur dhe 2 mbi dy mijë persona në shërbim prove. Për kalimin e amninistisë duhen të paktën 84 vota që socialistët nuk i kanë, dhe për këtë shkak iu duhej një marrëveshje me një prej grupimeve të Rithemelimit.
Kjo dakordësi është në vijim të marrëveshjes që dy palët kanë arritur më herët dhe për ngritjen e Komisioneve Hetimore Parlamentare, që kthyen në normalitet edhe sjelljen e opozitës në Kuvend, që mbahej i bllokuar që nga muaji Tetor i vitit të kaluar.
/ZËRI