'Një deputeti i kanë marrë vëllanë në Gjermani për trafik droge', Braçe akuza opozitës, replika me Bardhin

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe ka qenë i ashpër gjatë fjalës së tij në Kuvend me deputetët e opozitës sa i përket akuzave të ndërsjellta për korrupsion. Gjatë fjalës së tij, Braçe tha se para vitit 2013 korrupsioni në Shqipëri ishte i “përgjakshëm”, ndërsa akuzoi kryedemokratin Sali Berisha dhe familjen e tij, si të lidhur me afera korruptive.
Erion Braçe: Korrupsioni deri në 2013 ka qenë i përgjakshëm dhe ka marrë jetë, jo për shkaqe ekonomike, por fizike njerëzisht. Ka marrë jetë njerëzish përfshira gra shtatzëna dhe fëmijë në bark të nenave. Korrupsioni ishte shenja më e qartë, materializmi i strategjisë vidh duke vrarë dhe vrit për të vjedhur. Nuk ishte vepër 5 D, por strukturë 1F, familja. Korrupsioni ishte i përgjakshëm, dhe i pa ndëshkueshëm. Nga 2017 e këtej, korrupsioni prezent, por i hutueshëm i dënueshëm në shumë nivele. Është e vështirë ta përtypësh këtë që po ndodh. Më tregoni një ministër, një kryetar bashkie, një kryeplak, që keni marrë ju përfshi edhe ata në Himarë që kanë grabitur toka nga mëngjesi në darkë. Ky është ndryshimi kultural që po ndodh. Është ngulitur në kokë kjo që ne jemi të paprekshëm. Na mbron ai nuk ka si ai, ai për të na mbrojt ne vrau, në mes të bulevardit. Kjo diferencë kulturash, nuk mund ta kuptoni ju. E keni të ngulur gozhdën në kokë, sikur jeni të paprekshëm, s’duhet të na thërrasë njeri. Ne nuk jemi të barabartë para ligjit. Janë pjekur të gjatë 26 veta. Për 21 janarin ende nuk ka drejtësi. Për privatizimin e ALB Janë 8 ndërmarrje të tjera, ku kanë rënë me kokë dy oligarkë nga ata që kishit ju dhe vazhdojnë të bëjnë biznes dhe që e kanë vjedhur CEZ.
Po ashtu nuk munguan as replikat me kreun e grupit demokrat Gazment Bardhi. Braçe gjatë fjalës së tij tha se një deputeti i kanë arrestuar vëllanë në Gjermani për trafik droge.
Erion Braçe: Po pyes, kujt i kanë marrë vëllain në Gjermani muaj më parë për trafik droge? Kujt?.
Ndërkohë Bardhi flet nga vendi pa mikrofon dhe nuk dëgjohet./ZËRI
Mbyllet seanca! Ratifikohet marrëveshja e huasë me kFW, për transportin e gjelbër! Miratohen dhe 2 pr.ligje

TIRANË- Pas 10 orësh diskutime është mbyllur seanca planare e kësaj të enjteje. Në fund janë miratuar dhe projektligjet që ishin në rendin e ditës. Kështu me 77 vota pro e 9 kundër, u miratua pr/ligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi), përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe KFË Frankfurt am Main (KfW), për financimin e projektit “Transporti i gjelbër i Tiranës”. Projekligj që solli dhe debate mes opozitës dhe mazhorancës në sallë.
Ndërkohë, me 93 vota pro, asnjë kundër, asnjë abstenim, u miratua pr/ligji për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në programin “Qytetarët, barazia, të drejtat dhe vlerat”.
Po me 93 vota u miratua dhe pr/ligji për ratifikimin e Konventës Lubjanë – Hagë për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Hetimin dhe Ndjekjen Penale të Krimit të Gjenocidit, Krimeve kundër Njerëzimit, Krimeve të Luftës dhe Krimeve të Tjera Ndërkombëtare”./ZËRI
VIDEO/ Seancë e gjatë në Kuvend, Felaj nuk 'duron' dot, 'thyen urinë'! Disa ministra largohen

TIRANË- Seancat plenare nuk janë të lehta, sidomos kur zgjasin shumë, si kjo e kësaj të enjteje. Kështu, siç shihet dhe nga pamjet, nënkryetaren e Kuvendit Ermonela Felajn e ka marrë uria dhe në pamundësi për të lëvizur nga karrigia ku po zëvendëson Kryeparlamentaren Lindita Nikolla, ka vendour ta marrë ushqimin lart. Ajo shihet duke ngrënë, ndërsa sërish nuk e humbet vëmendjen nga ajo që ndodh përballë saj. Ndërkohë shumë deputetë dhe ministra janë larguar tashmë nga Kuvendi dhe ashtu si dhe në herë të tjera do kthehen për të votuar projektligjet që janë në rëndin e ditës./ZËRI
FOTO/ Çfarë nuk u pa në Kuvend? Noka i 'nxehur', Kryemadhi e Doda bisedojnë, Bardhi me Kushtetutë në dorë

TIRANË- Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvend, e cila vijon ende ishte e mbushur me tensione të forta dhe debate mes deputetëve. Gjithçka nisi kur po diskutohej Amnistia Penale dhe akuzat e grupit të PD-së të drejtuar nga Lulzim Basha ndaj ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, se kanë përfituar dhe eksponentë të lartë të dënuar nga Gjykata e Posaçme e më pas me diskutimet politike në sallë.






Por mes gjithë zhurmës që prodhojnë seancat polenare, duket sikur disa deputetë e kishin marrë më me qetësi. Kështu në fotot e LSA shihet deputetja e PDIU-së që flet me kolegen e PL-së Monika Kryemadhi në këmbë. Ndërkohë Jorida Tabaku duket e buzëqeshur. Agron Gjekmarkaj flet në telefon, ndërsa Gazment Bardhi mbante në dorë Kushtetutën./ZËRI
Berisha gjen mënyrën për të 'shkuar' në Kuvend, fut në 'sherr' Ballën e Vokshin

TIRANË- Pavarësisht se qëndron në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, Sali Berisha e ka gjetur një mënyrë për të shkuar në Kuvend. Kjo është bërë dhe “mollë sherri”, mes ministrit të Brendshëm Taulant Balla dhe deputetes demokrate Albana Vokshi. Kjo e fundit, sëbashku me kolegen Sorina Koti dhe deputetë të tjerë, kishin veshur një T-shirt që mbante të stampuar një foto të Sali Berishës ku shkruhej “Free Berisha”. Sipas Ballës, kjo nuk është normale.

Gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se nuk mund të shkohet në Kuvend dhe të flasësh për luftën ndaj korrupsionit duke mbajtur të stampuar një T-shirt me fytyrën e Berishës të stampuar. Një thirrje Balla e kishte dhe për drejtuesit e Kuvendit.
Taulant Balla: Më duket më shumë se qesharake të jesh në Kuvend dhe të flasësh për luftën kundër korrupsionit dhe të mbash në gjoks një person të dënuar për korrupsion. Një qytetar që sheh nga TV, edhe sheh strishën e lajmeve që deputeti filan po flet për korrupsionin dhe sheh bluzën e personit të dënuar për korrupsion. Kursejani qytetarëve këtë dhe mund ta bëni çdo ditë poshtë ballkonit. Ju kam parë edhe tek protesta te bashkia. Nuk e gjej dot shpjegimin pse duhet të shkosh të protestosh te bashkia me bluzën: Lironi Saliun! Nuk e gjej dot përgjigje. Liro Saliun tek bashkia, çlidhje ka? Minimalisht, edhe një sugjerim në formë kritike për drejtuesit e Kuvendit. Kuvendi ka një kod etike, ku deputetët duhet ta respektojë dhe me veshjen. Do ta quaja fyerje prezencën e disave prej juve këtu./ZËRI
Noka dhe Gogu 'përplasen' për korrupsionin

TIRANË- Një debat i ashpër është zhvilluar këtë të enjte në Kuvend mes demoktratit Flamur Noka dhe deputetit socialist Toni Gogu. Gjatë fjalës së tij, Noka akuzoi qeverinë dhe zyrtarë të Bashkisë së Tiranës. Këtu Noka ndalet tek Toni Gogu, të cilit i kujtoi kohën që ishte pjesë e Bashkisë së Tiranës. Pas fjalës së Nokës, Gogu, iu drejtua duke e quajtur nxënës mediokër.
Pjesë nga debati:
Flamur Noka: O Shals, harabeli që vjedh me lezet ti, harabeli i Arjolës mund të përfitojë siç përfitoi nga inceneratori. Duhet t’u themi qytetarëve se Veliaj ose lali vjedhësi jo vetëm është zhytyr vetë te afera e incneratorit por ka zhytur edhe zonjën e tij. Ti (Toni Gogu) si drejtor bashkie që ke qenë, e di se të djeg shumë, por kjo është. Ne u themi partnerëve bëni kujdes kur u jepni para këtyre hajdutëve se këta jo vetëm vjedhin këtu por vjedhin edhe taksat e qytetarëve europianë.
Toni Gogu: Sot po të drejtohem i nderuar zoti Noka por gjithmonë ke për të ngelur nxënës mediokër, Mediokër është mesatar. Erdhe këtu na lexove fjalimin e kolegut Berisha. E di se të mungon por nuk na e sjell dot këtu. Çfarë ju mund të sillni është bashkëpunimi për të forcuar organet në drejtësi. Ty të duhet të japësh përgjigjie për disa pyetje që të ka bërë kryetari i grupit, mos u merr me Erionin se ka punët e veta./ZËRI
'Të ngelën lesht e mia në gojë'/ Basha mërzitet me Manjën se i përmendi flokët: Merresh me gjëra personale

TIRANË- Nga amnistia penale diskutimi në Kuvendin e Shqipërisë ka përfunduar tek modelet e flokëeve. Teksa në Kuvend po mbahet interpelancë mes deputetit të PD-së, Enkelejd Alibeaj dhe ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja, mes tyre nuk kanë munguar replikat, ironitë dhe akuzat. Gjatë fjalës së tij, Manja duke folur për amnistinë penale, ironizoi Bashën, duke i përmendur stilin e flokëve. Prekja në "çështje personale" ka acaruar Lulzim Bashën, i cili mori fjalën në Foltore dhe i kërkoi Manjës që të mos merrej me flokët e tij.
BATUTAT ME VIDEO:
DEBATI NË KUVEND:
Manja: Ti je i pakënaqur dhe me veten, ti kur nuk u kënaqe kur të bëri Berisha ministër Drejtësie, nuk ke për tu kënaqur kurrë. Tregoni vullnetin tuaj për të mbështetur SPAK. Ai që është pas teje (Basha) të shkojë në SPAK dhe të thotë unë vihem në dispozicion që të hetohem për rrugën e kombit sepse i kam shpëtuar me raport mjek. Kam një çështje të lobimit rus, ma hetoni ju. Kjo është dashnia për SPAK. Ky është dallimi, ti thinjesh, mua më bien flokët. Kujdes me bojën, herë tjetër nxiji më shumë.
Alibeaj: Të shkojmë ne atje? Po të bëj edhe unë një ftesë, hiqni imunitetin. Krijojani mundësinë SPAK-ut, vijnë vete ata me pranga në dorë. Votoni Vettingu-n, kjo është mënyra sesi i shërbehet drejtësisë. Të shkojmë atje kokëulur pa komente
Basha: Kaq rëndë je Ulsi, një njeri që nuk ka argumenta dhe merresh me gjëra personale. Merresh me lesht e mi, të ngelën lesht e mi në gojë. Edhe atij që mungon sot. Ke hallin e Durrës-Kukës, bëje pra. Unë kam kërkuar heqjen e imunitetit për veten time. Ju jeni mashtrues. 21 janari? A nuk jeni ju që i bëtë kryetarë bashkie gardistët. E puthët dhe e vutë në fron sebepin e 21 janarit, e bëtë president. Apo e ke fjalën për rastin kur kryeministri ka korruptuar një zyrtar të një shteti aleat (McGonigal)? Këto të gjitha janë gjëra të stërkonsumuara dhe nuk u thua shqiptarëve pse i gënjeve kur amnistove të korruptuarit. ti dhe shefi yt jeni nona e korrupsionit.
Manja: Basha, nuk kam ndonjë merak dhe nuk merrem me gjëra personale, por më dhimbset vetja se jemi moshatarë. Ty të shtohen flokët dhe mua më bien më vjen mirë që ti je këtu. E dyta, tani se kush thotë të vërtetën këtu në këtë sallë...por ndryshe nga ti kur të tuttë thonë që kur pyetesh për orën gënjen, të mitë nuk e thonë për mua. Ditën kur ta thonë, do iki nga politika. E kam deklaruar se është bërë refren dosja 184, unë jam gati, ti je gati? Kaq është, të tjerat janë retorikë. Kjo maxhorancë ka meritën e madhe që vuri në gojën e shqiptarëve fjalën SPAK./ZËRI
Interpelanca për amnistinë/ Alibeaj 'merr në pyetje' ministrin, Manja: U liruan vetëm 8 të dënuar nga GJKKO

TIRANË- Enkelejd Alibeaj dhe Ulsi Manja kanë mbajtur të dy fjalën e tyre në lidhje me çështjen e amnistisë penale. Seanca e sotme plenare nisi me interpelancën e kërkuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike (të vulës) me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja. I pari që u ngjit në Foltore ishte Alibeaj, i cili adresoi disa pyetje ndaj Manjës, duke pretenduar se nga amnistia janë liruar mbi 100 të dënuar për korrupsion. Ndaj edhe ngriti dyshime se miratimi i amnistisë është bërë vetëm për arsye politike dhe për të favorizuar të dënuarit nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
"Sipas të dhënave të bëra publike, rezulton se nga ligji 33/ 2024, amnistia pra, kanë përfituar 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm të cilët përfitojnë falje dënimi, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera, apo shpërdorimi i dëtyrës, përfitojnë ulje dënimi. Zyrtarët që përfitojnë ulje dënimi, rezultojnë 16 fuksionarë publik të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë të dënuar për shkelje të barazisë në tendera, 7 gjyqtarë, prokurorë të dënuar gjithashtu të dënuar për vepra penale të korrupsionit. Këta kanë dalë nga burgu ose kanë përfituar ulje dënimi,"-tha Alibeaj.
Si përgjigje, ministri i lexoi emrat dhe inicialin e parë të mbiemrit të 8 personave që ishin liruar nga burgu prej amnistisë, të gjithë të dënuar nga GJKKO, duke shtuar se asnjë prej tyre nuk është simbol i korrupsionit, ashtu siç pretendon opozita. Për Manjën, 8 përfituesit janë shtetas të zakonshëm ose nënpunës publik, të cilët nuk kanë pasur poste të larta në administratë.
“Nuk kam mashtruar askënd por kam shprehur publikisht qëndrimin e qeverisë për të mos amnistuar asnjë zyrtar apo ish zyrtar të lartë të dënuar apo hetuar për korrupsion. Ata që kanë përfituar nga amnistuar me ulje dënimi dhe që janë dënuar nga GJKKO për korrupsion, janë shtetas të zakonshëm ose nënpunës në shërbim publik, janë vetëm 8 dhe asnjë prej tyre nuk është simbol i korrupsionit,"-tha Manja.
Por kush janë 8 të dënuarit e GJKKO që u liruan?
LISTA E ULSI MANJËS:
Edmond Z. I, se kam idenë çfarë zyrtari ka qenë, i janë falur 13 ditë
Maringlen M. i dënuar shkelje të barazisë së tenderave i janë falur 5 muaj
Marvin M, i dënuar 2 vite, i janë falur 9 muaj
Admir B, i janë falur 3 muaj e 25
Eduard. R, është dënuar me 3 vite e 6, i është falur 1 vit burg
Hamza. T, i dënuar me 1 vit, i janë falur 4 muaj
Ibrahim G, i dënuar 8 muaj, i janë falur 26 ditë
Erion.B, i janë falur 14 ditë
Lulzim Ç, është dënuar për ushtrim të ndikimi të paligjshme 1 muaj e 8 ditë
FJALA E SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM DHE DEPUTETIT TË PD, ENKELEJD ALIBEAJ, NË INTERPELANCËN ME MINISTRIN E DREJTËSISË
Gëzuar ditën e Europës, të Europës të sundimit të ligjit, të Europës të demokracisë funksionale, të europës që mbron liritë dhe të drejtat e njeriut. Nuk ka më mirë sot ta fillosh me këtë interpelancë për të dhënë sqarime për publikun dhe për këdo tjetër se cilat ishin arsyet që në 4 prill, natën, 110 deputetëtë e disa bashkuan votat për të nxjerr të korruptuarit nga Burgum bashkuan votat për të lënë protestuesit në burg. E kam kërkuar këtë interpelancë me ministrin e Drejtësisë, se kështu e do rregullorja, duke qenë fare i ndërgjegjshëm që nuk është vetëm përgjegjësia e tij, është përgjegjësia është e këtij tjetrit. Në fakt e patë fare mirë se cila ishte përgjgejësia eale, me atë që patë se çfarë ndodhi dy ditë më parë. Unë nuk do të jap asnjë statistik nga ato të cilat mund të jenë pjesë e kerkesave, apo shpikjeve apo invencioneve politike, por i bazohem thjsht dhe vetëm asaj se çfarë media në këto 1 javë apo 2 javë menjëherë pas miratimit të amnistisë, mori në formë zyrtare. Sipas të dhënave të bëra publike nga mediat, dhepo i them në respekt e në nder të tyre INA Media, BIRN, janë dz nga mediat më serioze të cilat i kanë marrë këto të dhëna dhe i kanë bërë publike. Sipas të dhënave të bëra publike, rezulton se nga ligji 33/ 2024, amnistia pra, kanë përfituar 40 të dënuar për ushtrim të ndikimit të paligjshëm të cilët përfitojnë falje dënimi, ndërsa 60 të tjerë të dënuar për vepra penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera, apo shpërdorimi i dëtyrës, përfitojnë ulje dënimi. Zyrtarët që përfitojnë ulje dënimi, rezultojnë 16 fuksionarë publik të dënuar për korrupsion, 11 të tjerë të dënuar për shkelje të barazisë në tendera, 7 gjyqtarë, prokurorë të dënuar gjithashtu të dënuar për vepra penale të korrupsionit. Këta kanë dalë nga burgu ose kanë përfituar ulje dënimi. Ajo se çfarë publiku është i interesuar të di, çfarë detyrimi moral dhe politik i këtij parlamenti bash për t’i shërbyer publikut, ishte përse? Dhe përsenë do doja ta merrja si përgjigje nga përfaqësuesi i qeverisë nëse ka dinjitetin dhe merr kohë për t’i dhënë përgjigje këtyre pyetjeve: Cilët ishin propozuesit e amendamendamenteve që u shqyrtuan dhe u miratuan në komisionin e ligjeve dhe në seancë plenare? Kujtoj këtu në komisionin e ligjeve u paraqitën disa amendamente, nga Ministria e Drejtësisë dhe asnjëri nuk i doli për zot. Cilat kanë qenë arsyet se përse u sygjerua dhe u miratuan këto amendamente? Cili ka qenë qëndrimi i Ministrisë së Drejtësisë në lidhje me këto amendamente? A është kërkuar mendimi i institucioneve të drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit Gjyqësorë, SPAK-ut? Në lidhje me amendamentet e propozuara kujtoj këtu që një nga pyetjet e para që i kam bërë në seancat online në komisionin e ligjieve lidhur me amnistinë ministrit të Drejtësisë, ka qenë a e ka konsultuar versionin fillestar dhe përgjigjja ka qenë po. Po amendamentet a u konsultuan me instititucionet e drejtësisë? A është analizuar nga Ministria e Drejtësisë numri i personave që do të përfitonin nga amendamentet e propozuara dhe të miratuara? A i janë përcjellë komisionit të ligjeve ose sancës të dhënat mbi numrin e përgjithshëm të personave që do të përfitonin nga drafti fillestar i projektligjit për amnistinë dhe nga amendamentet e miratuara? Kujtoj këtu që në mbledhjet e komisionit të ligjeve i kam kërkuar unë si anëtar i komisionit të ligjeve që të sillte listën e të gjithë të dënuarve që do mund të përfitonin nga amnistia dhe premtimi ishte po do ta sjell. Sot që flasim, si anëtar i komisionit të ligjeve, unë nuk e kam./ZËRI
Një 17 Maj i dytë për super-komisionin e propozuar nga Rama? Basha: Barra e provës është e PS-së

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike zyrtare Lulzim Basha, nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me Edi Ramën dhe socialistët, për Komisionin e Posaçëm kundër korrupsionit të propozuar nga shumica qeverisëse.
“Partia Socialistë të lërë mënjanë taktikat paraelektorale dhe të fokusohet tek veprat konkrete”, u shpreh Basha, duke mos dhënë një përgjigje të qartë për propozimin e socialistëve që deri tani ka marrë dhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.
Basha theksoi se nëse nuk sillen në Parlament aktet e propozuar nga partia e tij, si vettingu i politikanëve dhe heqja e imunitetit të ligjvënësve, iniciativat e PS-së mbeten vetëm fjalë, duke nënkuptuar se ai nuk mund të bashkëpunojë me PS nëse nuk plotësohen kushtet e tij.
“Propozimi ynë për ligjin për vetingun e politikanëve, i ndan fjalët nga veprat. T’i japim pushtetet një ILDKPI-je të reformuar që të bëjë vit për vit të njëjtin proces që i kërkohen magjistratëve apo oficerëve të policisë që është kontrolli i pasurisë së tyre me parimin “ndiq paranë” dhe kontakteve të tyre të papërshtashme. Presim me shumë kërshëri si do të pozicionohen ata që gojën plot luftë kundër korrupsionit, por votat i japin për të liruar të korruptuarit.
Pjesë e procesit të luftës kundër korrupsionit është PD-ja. E vetmja parti që vepron me transparencë është PD-ja, e vetmja që ka mbajtur qëndime të qarta është PD-ja, siç është propozimi për amandamentet për të forcuar SPAK-un. Qëndrimet e faktorit ndërkombëtar i shoh si mbështetje të PD-së. PD është me propozimin për vetingun e poltikanëve që si duket pas 6 muajsh duan ta fusin në parlament. Nëse PS do të jetë e gatshme të votojë, ky bashkëpunim duhet të jetë transparent dhe PD e gatshme të punojë për interesin publik në mënyrë transparente.
Interesi publik është që politikanët t’i nënshtrohen kontrollit të thelluar të pasurisë vit për vit dhe të kontakteve të papërshtashme. Duhet të sillet dhe propozimi për heqjen e imunitetit të politikanëve. PD qëndron qartë, prerë dhe fortë në propozimet. Nëse Rama ka vullnet, atëherë barra e provës është tek ai për t’i dhënë fund bllokadës që i ka bërë akteve të PD-së për t’i votuar me konsensus të plotë”, u shpreh Basha.
Gjatë ditës së djeshme, edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi, la një përgjigje disi evazive sa i takon bashkëpunimit me socialistët në Komisionin e Posaçëm kundër korrupsionit dhe thellimin e reformave në vend, me qëllim përshpejtimin e procesit integrues. /ZËRI
Minatorët protestë para Kuvendit: Pensioni nuk na del as për ilaçet

TIRANË- Një grup minatorësh janë mbledhur sot para Kuvendit të Shqipërisë për të protestuar. Edhe sot ata kërkojnë miratimin e statusit të minatorit dhe kushte më të mira pune, e cila shpesh herë u ka rrezikuar edhe jetën. Edhe pse të mbledhur dhe me megafon në dorë, asnjë prej deputetëve deri më tani nuk u është afruar, të paktën për t'i dëgjuar.
Një prej pjesëmarrësve në protestë i ka bërë thirrje Kuvendit të votojnë statusin e veçantë, ndërsa është shprehur “nëse nuk e bëni, ju vraftë gjaku i rënë i minatorëve”.
MOMENTI ME VIDEO:
Po ashtu, ata kanë kërkuar të futen në godinën e Kuvendit ndërsa synuan takimin me deputetët përfaqësues, por janw penguar nga frocat e Policisw sw Shtetit, pasi seanca plenare kishte nisur nw sallw.
“Nuk jemi këtu për të bërë luftë. Duam të takojmë deputetin përfaqësues,”- tha njëri prej tyre.
Por kjo nuk është hera e parë që minatorët protestojnë. Që në dhjetor të 2020 minatorët përmes Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, minatorët i dorëzuan Kuvendit një peticion me 10 mijë 680 firma për Statusin e Minatorit, por ende Kuvendi nuk e ka përfshirë në rend dite. Statusi i Minatorit shërben për minatorët dhe familjet e tyre. Nëse minatori vritet, aksidentohet apo ka një sëmundje të rëndë, familja apo minatori marrin mbështetje financiare përmes statusit. Po ashtu, marrin edhe një dëmshpërblim me vlerë 6 milionë lekë në rast aksidentesh me pasojë vdekjen në vendin e punës. Gjithashtu sipas draftit që aktualisht ndodhet në Kuvend, familjarët e viktimave duhet të marrin një pension të barabartë me 100% të pagës dhe bursa studimi për fëmijët. Në draft-propozimin e sindikatës, dëmshpërblim kërkohet edhe në raste aksidentesh me pasojë pamundësinë për punë apo aksidente më të lehta.
Sa i përket pagës, sipas propozimit minatori nuk duhet që të paguhet më pak se 235% e pagës minimale zyrtare. Me pagën aktuale minimale, minatorët kërkojnë rreth 61 mijë lekë pagesë bazë, shtesë në pagën bazë për vështirësi pune dhe paga e 13-të. Për minatorët në pension, kërkohet rritja në 35 mijë lekë. Një tjetër ndryshim kërkohet edhe për moshën e pensionimit. 53 vjeç duhet të pensionohen ata që kanë punuar për 11 vite, ndërsa ata që kanë 10 vite, 55 vjeç. Të gjithë kërkojnë kujdes shëndetësor të dedikuar, përfshirë barna 100% të rimbursueshme./ZËRI
Seanca në Kuvend, Rama mungon prej javësh, Manja do të japë llogari për amnistinë

TIRANË- Në seancën e sotme që pritet të mbahet në Kuvend, pjesa kryesore e diskutimeve do të lidhet me interpelanën e ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, e kërkuar nga disa deputetë të opozitës që mbështesin Lulzim Bashën.
Interpelanca është kërkuar për amnistinë penale, nga e cila sipas opozitës përfituan edhe 100 të dënuar nga GJKKO. Akuzat janë bërë nga Lulzim Basha, dhe nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike zyrtrare.
Më herët vetë Manja, por edhe grupimi i Rithemelimit, kanë deklaruar në Kuvend se nga projektligji që u miratua me shumicë votash nuk përfituan subjektet e Gjykatës së Posaçme.
Sipas një reagimi më herët të SPAK, 100 persona të dënuar nga GJKKO përfituan nga aministia penale, një pjesë e të cilëve përfituan falje dënimi kurse pjesa tjetër ulje.
Nga ana tjetër për të disatën javë me radhë, në seancën e sotme nuk do të jetë i pranishëm kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në një vizitë në Gjermani. Gjatë ditës së sotme, Rama së bashku me zëvendëskancelarin gjerman, Robert Habeck, do të jenë oratorët kryesorë në ceremoninë e ndarjes së Çmimit të Karlit të Madh për vitin 2024. Ky event prestigjioz do të mbahet më 9 Maj në Sallën e Kurorëzimit të Ndërtesës së Bashkisë së Aachenit.
Që nga viti 1950, Çmimi i Karlit të Madh ka nderuar individë dhe institucione që kanë kontribuar në bashkimin dhe përparimin e Evropës. Ndër fituesit e mëparshëm janë figura të tilla si presidenti ukrainas, Volodimir Zelesnki, presidenti francez, Emmanuel Macron apo Papa Françesk. Këtë vit, çmimi i jepet kryerabinit Pinchas Goldschmidt, President i Konferencës së Rabinëve të Evropës, për rolin e tij të rëndësishëm në promovimin e dialogut dhe tolerancës ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare në Evropë.
Oliver Rolofs, zëdhënës i eventit, i tha DË-së se “Pjesëmarrja e Kryeministrit Rama thekson përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për integrimin evropian."
Opozita prej kohësh ka kërkuar një përballje në Kuvend me kryeministrin Edi Rama, për disa çështje të nxehta, si dosja Xirabak, apo reportazhi në RAI 3, por kreu i qeverisë i ka refuzuar të gjitha interpelancat e kërkuara nga deputetët demokratë. /ZËRI