A ishte Alma e sëmurë kronike me depresion? Neuropsikiatri rrëzon pretendimet e familjarëve të Erdgysit

SHKODËR- Ndryshe nga pretendimet e familjarëve të Erdgys Arrazit, Gjon Preçi, (neuropsikiatër) shef shërbimi i psikiatrisë komunitare Shkodër, ka hedhur poshtë aludimet se Alma Arrazi vuante nga probleme të shëndetit mendor. Në një reagim për mediat, Preçi shprehet se 39-vjeçarja, tashmë e ndjerë është kuruar vetëm për çrregullim të humorit dhe ankth. Sipas tij kjo diagnozë nuk hyn te problemet e mëdha psikiatrike, të cilat mund të çonin në veprime që ajo të mund të ishte e rrezikshme për veten apo për persona të tjerë. Mjeku psikiatrër thotë se Alma nuk ishte klasifikuar si e sëmurë kronike, dhe këtë ia kishte komunikuar dhe prokurorit që po ndjek hetimet për tragjedinë në Shkodër.
“Interesimit të mediave dhe publikut i jam përgjigjur duke thënë se me kalimin e kohës kanë dalë të dhëna plotësuese. Nuk ka qenë paciente me probleme të shëndetit mendor. Para pak vitesh ka marrë shërbim për çrregullim të humorit me ankth.
Nuk ka qenë paciente me probleme madhore psikiatrik se po të ishte e tillë do ndiqej nga ne dhe do kishte kartelë dhe do trajtohej. Ajo ka marrë një shërbim për një problem të caktuar siç mund të marrë çdo kush dhe nuk ka qenë paciente kronike me probleme madhore të shëndetit mendor.
Patjetër që ka gjithmonë zhvillime të papritura por dy vjet më përpara që kam patur një kontakt më të nuk e di se si janë zhvilluar gjërat tek ajo dhe nuk është konfirmuar nga shërbimet tona se mund të ketë patur probleme që e kanë çuar drejt atij vendimi.
Para dy vitesh ka marrë shërbimin e fundit dhe këtë ma kanë kujtuar familjarët sepse unë nuk e mbaj mend si paciente. Mjekimi që ka patur nuk ka qenë i karakterit të një sëmundshmërie kronike. Duhet që të kalojë një periudhë e caktuar që një person të quhet kronik.
Nëse ka ankth, pagjumësi apo të tjera si këto dhe fakto se ka një recetë nuk presupozohet se ka qenë me një paaftësi të rëndë rreziku për veten apo të tjerët. Në gjithë botën tentohet ti fshihet dokumentacioni zyrtar për një shërbim të caktuar kur nuk është kronik, kjo edhe nga rreziku i stigmatizimit në shoqëri ku mund ti thonë ik se je i marrë, apo e marrë. 50% apo 60% e rasteve nuk dokumentohen në gjithë botën dhe kjo është statistikë.
Ne i regjistrojmë në raste të tjera kur kërkojnë të punësohen, për një biznes apo kërkesa të tjera atëherë ne i themi prit se ka këtë kusht. Natyrisht që palët paraqesin në gjykatë dokumente që mendojnë se vlejnë.
Kam patur një telefonatë nga prokurori dhe i kam thënë më jep kohë sa ta sqaroj dhe në bisedat me stafin tim nuk është konfirmuar si person i regjistruar dhe i trajtuar nga ana jonë dhe ja kam dhënë këtë përgjigje”, ka sqaruar mjeku.
/ZËRI
Tragjedia në Shkodër, Erdgys Arrazit i refuzohet leja për të marrë pjesë në varrimin e fëmijëve

SHKODËR- Ndryshe nga sa u raportua fillimisht, Erdgys Arrazi nuk do të marrë pjesë në varrimin e fëmijëve të tij. Edhe pse drejtoria e burgjeve i kishte dhënë leje Arrazit të merrte pjesë në ceremoninë mortore, policia nuk e ka marrë përsipër shoqërimin e tij.
Ditën e djeshme, Erdgys Arrazi u la në burg nga gjykata e Shkodrës ndërsa ai vetë deklaroi se ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe se do të flasë në një moment tjetër.
Arrazi kishte kërkuar leje që të ishte dhe në varrimin e vajzës së madhe, Ergesës, por nuk ishte lejuar nga ana e policisë.
Ndërkohë me vullnetin e familjarëve të saj, trupi i Alma Arrazit do të prehet në qytetin e Durrësit, dhe jo pranë tre fëmijëve të saj të mitur.
/ZËRI
Dy ceremoni mortore të ndara! Alma Arrazi do të prehet në Durrës, fëmijët në Shkodër

SHKODËR- Alma Arrazi, nëna e tre fëmijë që dyshohet se u vetëhodh së bashku me 3 të vegjlit e saj në lumin Buna, do të prehet larg tyre. Kjo për shkak se familjarët e Almës, kanë tërhequr mbrëmjen e djeshme trupin nga morgu, dhe e kanë dërguar atë në qytetin e Durrësit, ku do të bëhet dhe ceremonia mortore. Ndërkohë që trupat e 3 fëmijëve pritet që të varrosen sot në qytetin e Shkodrës, ndërsa babait të tyre i është refuzuar leja për të marrë pjesë në varrim.
Trupi i Almës dhe djalit 3-vjeçar u gjetën ditën e djeshme, duke përmbyllur kështu dhe operacionin e kërkimit në lumin Buna, që zgjati për 3 ditë. Alma Arrazi dhe 3 fëmijët e saj dyshohet se janë vetëhedhur në lumë në datën 2 Maj, ndërkohë që një ditë më vonë u deklaruan të zhdukur në polici nga ana e babait të tyre Erdgys Arrazi. Ky i fundit mbahet nën masën e arrestit me burg, nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes.
Sipas prokurorisë dhe policisë, Erdgys Arrazi ka ushtruar dhunë psikologjike të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, për shkak të lidhjeve jashtëmartesore që ai ka pasur. Teksa doli dje në ambientet e Gjykatës së Shkodrës, Arrazi nuk pranoi që të jepte asnjë deklaratë, duke thënë që ishte në gjendje të rënduar psikologjike.
Mbrojtja e tij ka pretenduar se Alma Arrazi ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, dhe ka marrë mjekim të vazhdueshëm për depresionin. Pavarësisht kërkesës për lirimin e kryefamiljarit, për shkak se sipas mbrojtjes mungojnë provat për dhunën e pretenduar, Gjykata vendosi lënien e tij në masën e sigurisë arrest me burg. /ZËRI