LIVE UPDATES

Akuzat e Metës për Dumanin ‘zhvendosen’ në Kuvend, Spiropali: Po kafshoni SPAK-un! Bardhi: Ju duhet të keni frikë

➤ Mbyllet seanca plenare e kësaj të enjteje. Me 96 vota pro dhe asnjë kundër, deputetët kanë miratuar projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës, për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë.” Ndërkohë vetëm me votat e mazhorancës ka kaluar dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2016, “Për prefektin e qarkut”. ➤ Ndërkohë 27 deputetë kanë votuar kundër. ➤ Seanca ka nisur me debate seanca e sotme në Kuvend, ku është rrëzuar kërkesa e opozitës për mocion me debat për çështjen Xibraka. ➤ Sipas Bledi Çuçit, kjo është një çështje e ezauruar nga sistemi i drejtësisë, ndërsa Bardhi akuzoi socialistët se po bëhen avokatë të OIsi Ramës. ➤Në sallë nuk munguan replikat për akuzat e Ilir Metës në drejtim të kreut të SPAK, mes Elisa Spiropalit dhe Bardhit. ➤Lulzim Basha nga ana e tij vijoi akuzat për bashkëpunim mes Rithemelimit dhe socialistëve, që sipas tij është shndërruar në një Pazar.

9 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Miratohet projektligji për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë! Votohet edhe pr.ligji për ‘Prefektin’

Akuzat e Metës për Dumanin ‘zhvendosen’ në Kuvend,
Kuvendi i Shqipërisë

TIRANË- Mbyllet seanca plenare e kësaj të enjteje. Me 96 vota pro dhe asnjë kundër, deputetët kanë miratuar projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kolegjit të Evropës, për hapjen e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë.”

Ndërkohë vetëm me votat e mazhorancës ka kaluar dhe projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 107/2016, “Për prefektin e qarkut”. Ndërkohë 27 deputetë kanë votuar kundër./ZËRI

1 VITE ME PARE

Akuzat ndaj SPAK/ Braçe sulmon Metën: Vetëm Cosa Notra kritikon drejtësinë

Akuzat e Metës për Dumanin ‘zhvendosen’ në Kuvend,
Erion Braçe

TIRANË-Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe, në fjalën e tij në parlament, ka komentuar deklaratat e ish-presidentit Ilir Meta ndaj SPAK. Braçe theksoi se vetëm politikanët mafiozë dhe organizata si Cosa Nostra mund ta sulmojnë drejtësinë.

“Unë nuk mendoj që një institucion dështon një herë, dy herë duhet të shkrihet. Duhet të jetë primar, parlamenti duhet t’i shkojë deri në fund kësaj gjëje, duhet të ndalem se po shikoj shumë heshtje, ditëve të fundit ka tension shumë të madh mes politikës dhe institucioneve të drejtësisë. Institucionet e drejtësisë së re, nuk e kuptoj, reforma e drejtësisë ka këtë qëllim, politikanët në rolin e tyre dhe organet e drejtësisë në rolin e tyre. Politikanët nuk kanë asgjë më shumë se sa qytetarët në këtë aspekt, të hetojnë të ngrenë akuzë në mënyrë të barabartë, pse ka kaq mllef përkundrejt këtyre institucioneve dhe lincim, ditët e fundit lincimi ka hyrë në eter. Ka shkaktuar një tronditje të thellë në opinionin publik. Duhet të bëjmë hapa pas të gjithë bashkë të kuptojmë rolin tonë, nuk kemi asgjë më shumë në raport me drejtësinë i cili duhet të jetë i barabartë para ligjit”, u shpreh Braçe.

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, nuk i ka ndalur sulmet në drejtim të kreut të SPAK, Altin Dumanit. Meta ka akuzuar Dumanin, se po bën gjithçka për të manipuluar dosjen CEZ-DIA. Kreu i PL ka deklaruar se nuk i trembet asgjëje dhe do ta vijojë luftën e tij me SPAK edhe nga burgu. Më herët i ftuar në “Opinion” dhe në deklarata të vazhdueshme, Meta e ka akuzuar Dumanin se është i kapur nga kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj. SPAK-un, Meta e ka konsideruar organizatë politike që merret me kryedemokratin Sali Berisha për të shkatërruar opozitën dhe me Ilir Metën për llogari të krimit të organizuar. Po ashtu, Meta e ka akuzuar Dumanin se ka zhvilluar dhe takime me Charles McGonigal./ZËRI

1 VITE ME PARE

Ndërmarrjet ushtarake në duart e të huajve? Peleshi: Synojmë investitorë seriozë

Akuzat e Metës për Dumanin ‘zhvendosen’ në Kuvend,
Nasip Naco dhe Niko Peleshi

TIRANË- Në seancën e sotme në Kuvend, është zhvilluar interpelancë mes deputetit socialist Nasip Naço dhe ministrit të mbrojtjes Niko Peleshi, në lidhje me disa çështje të rëndësishme në fushën e mbrojtjes. Përfshirë dhe mundësinë e investimeve të huaja, në këtë sektor, dhe vënien në funksion të uzinave të vjetra të periudhës komuniste.

Naço: Zoti Minister cilat janë politikat e mbrojtjes pas Luftës në Ukrainë, dhe është menduar nga ju rivënia në punë e ndërmarrjesh shtetërore ushtarake. A ka patur propozime për të marrë me koncension nga kompani të huaja? Prej disa muajsh ju keni propozuar një ligj për likudtim e pagave të prapambetura të punonjësve të Poliçanit, dua të di se çfarë është bërë në lidhje me këtë projektligij?

Sa i takon pyetjeve të ngritura nga Naço, Peleshi tha se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s e ka detyrim tashmë rritjen e kapacitetit mbrojtës, dhe për këtë do të kërkojë ndihmën e investitorëve të vendeve aleate, që kanë eksperiencë në fushën e prodhimit të armatimit. Peleshi tha se me konfliktet e fundit në disa shtete të ndryshme, është gjithnjë dhe më urgjente, edhe për Shqipërinë që të shtojë kapacitetet në fushën e mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes ka sot si trashëgimi 3 ndërmarrje shtetërore që përbëjnë atë që quhet ish-industria ushtarake e Shqipërisë. Bëhet fjalë për Kombinatin Mekanik të Poliçanit, Uzinën e Lëndëve Plasëse të Mjekësit dhe Uzinën e Armëve të Gramshit. Tashmë këto asete, qeveria shqiptare synon t’i rijetëzojë. Peleshi argumentoi se kjo vjen edhe si pasojë e situatës gjeopolitike që po kalon bota dhe detyrimeve që ka Shqipëria ndaj NATO-s ku është aleate.

Peleshi: Do të doja ta vendosja këtë set pyetjesh në një kontekst më të gjerë. Dua t’ju rikujtoj disa fakte që janë të njohura pjesërisht, Shqipëria ka qenë një nga vendet më të milatirizuara në botë në periudhën komuniste. Shpenzonim deri në 25% të GDP-së për ushtrinë, kemi kaluar një periudhë të një paranoje kombëtare gjë që mbështeti këtë militarizim ekstrem. Më pas erdhi rrëzimi i komunizmit, trashëguam një stok mjaft të madhe municionesh, të cilën shpatullat e një ushtrie të zvogëluar nuk e mbanin dot. Kanë kaluar më shumë se 30 vite, unë mund të them se një pjesë e madhe e infrastrukturës është një çështje për tu zgjidhur, që sot FA kanë në përmbushje dhe përputhje me objektivave të kapaciteteve dhe të strategjisë së NATO.

Filluam me mbështetjen e SHBA, OSBE dhe NATO një periudhë demiteralizimi. Ministria e mbrojtjes ka sot në përbërje si trashëgimi dhe tre ndërmarrje shtetërore, ish-ndërmarrje ushtarake, pasi ato sot nuk janë në prodhim. Kombinati mekanik i Poliçanit, që filloi punë në vitet 60-të për prodhimin e municioneve. Uzina e lëndëve plasëse të Mjekësit u ndërtua në vitin 1962 për prodhimin e eksplozivëve. Uzina mekanike e Gramshit filloi ndërtimin e 1962 për pushkë, kallashnikovë, karabinë, automatikë, armë gjahu. Pra kjo është trashëgimia që kemi nga komunizmi, sot ato janë inekzistente, edhe për shkak të periudhës së demirtarilizmit.

Prej dy vitesh situata politike ka ndryshuar, për fat të keq vatra konflikti janë duke u ndezur, ne jemi sot në një periudhë ku paqja është më e kërcënuar se kurrë. Kjo situatë sfidoi bazën e paqes së botës, dhe kërkesën për rritje të armatimeve. Në kuadër të menazhimit, shtetet e NATO-s vitin e kaluar mbështetën planin e veprimit për prodhimet e mbrojtjes. Shqipëria si gjithë vendet aleate ka detyrim të rrisë kapacitete e mbrojtjes. Në këto kushte rijetësimi i industrisë ushtarake, është strategjike. Po hyjmë në një epokë të re, ku si aleatë të NATO, duhet të rijetësojmë industrinë ushtarake. Rijetësimi do të rrisë inovacionin edhe me aktorë ndërkombëtarë, privatë. Industria nuk do të bëhet përmes ndërmarrjeve shtetërore por duke tërhequr investime serioze. Kjo strategji do të rrisë kontribuon e vendit tonë në zonë euroatlantike, si dhe do të rrisë zhvillimin ekonomik. Kemi nevojë edhe për sektorët e tjerë, si edukimi profesional, pasi na duhen fuqi punëtore.

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

‘Ne të opozitës vetëm fjalën kemi’, Felaj i kthehet Korreshit: Mos bëni si gjynahqar

Akuzat e Metës për Dumanin ‘zhvendosen’ në Kuvend,
Saimir Korreshi dhe Ermonela Felaj

TIRANË- Batuta në Kuvend, mes deputetit të Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, dhe drejtueses së seancës Ermonela Felaj. Deputeti demokrat, teksa kërkoi fjalën për procedurë, u shpreh se opozitës i ka mbetur vetëm e drejta për të folur, ndërsa akuzoi mazhorancën se po vjedh buxhetin e shtetit.

“Ne nga fusha nuk kemi të drejtë të flasim? Apo vetëm ata nga mali. Ju po vidhni gjithë buxhetin e shtetit, ne nuk po themi gjë. Ne të opozitësn vetëm fjalën duam, na lini të vjedhim dhe ne nga fjalët”, tha Korreshi.

Felaj: Po bëni si gjynahqar. Po kështu është kur je në opozitë. Kemi qenë dhe ne, por kështu e ka demokracia.

1 VITE ME PARE

Akuzat e Metës për Dumanin, Spiropali: Njëri nga baballarët e opozitës kafshon kreun e SPAK nga ekrani

Akuzat e Metës për Dumanin ‘zhvendosen’ në Kuvend,
Altin dumani dhe ilir meta

TIRANË- Në seancën e sotme në Kuvend, ka ardhur dhe reagimi i parë nga qeveria, për akuzat e Ilir Metës, në drejtim të kreut të SPAK, Altin Dumani. Ishte ministrja për marrëdhëniet me parlamentin, Elisa Spiropali, ajo që akuzoi opozitën, se hesht përballë deklaratave të dy prej ‘baballarëve të saj’.

“A keni një opinion për dy baballërët në majë të thanës ku jeni ngjitur të tërë? Njëri në majë të pallatit që bërtet kundër SPAK dhe njëri në majën e delirit të madhështisë ku kafshon kreun e SPAK në ekrane, dhe ku t’i dalë para. Bëni prokurorin e akuzatorit këtu.

Gjuhën e dalë nga binarët e mendjes së dy baballarëve tuaj as nuk e përmendni, të dy presidentë të kësaj republike, kryeministra, bela të këtij populli, për të cilët ju nuk shpreheni e doni të bëni këtu sherr e rrëmujë e të na thoni çfarë opinioni keni për ulërimat e tyre, sepse nuk janë dy kokë dele por baballarë të opozitës tuaj. Na drejtoni gishtat për drejtësisë ju që jeni kokë e këmbë me vetëm dy gishtat lart

Hani thana në pemët e tyre dhe t’i vilni votat në kopështin e popullit. Duke i mbajtur të dy ata mbi supe sic mbanin shërbëtorët mbretërit. Këtu vini e kërkoni sherr duke u përpjekur të mbani peng Kuvendin për hallin tuaj. Dilni thoni qartë SPAK për ju është organ i drejtësisë apo jo?”, u shpreh Spiropali në Kuvend.

Ndërkohë që Gazment Bardhi, u shpreh se frikë nga SPAK duhet të kenë ministrat e qeverisë, që sipas tij, janë thirrur shpesh në këto muajt e fundit në prokurorinë e posaccme.

“Ju foli ndërgjegja juaj dhe e quajtët trafikant Olsi Ramën. Nëse do të kishin vijuar hetimet dhe nuk do të ishin mbyllur, kjo çështje do të kishte një përfundim tjetër. Ajo është çështje e hapur dhe do të duhet të hetohet nga SPAK. Babai jot Elisa, i të gjitha qëndrimeve, ka atë qëndrim, që kur goditet opozita nga SPKA thotë; fitore, por kur i sekuestrohen projektet e veta, thotë; kush jeni ju!

Sa për dëlir madhështie, e kanë nga babai yt. E dëgjove si tha; më marrin çdo ditë liderët botërore, ndaj nuk vjen dhe këtu, se i marrin mendim për hallet e mëdha që ka bota. Por ai ka vetëm një hall, ato që i ka bërë këto 11 vite Shqipërisë. Për interesa korruptive të një ish-ministri, bashkëpunëtore e ngushtë e Ramës, grisët një vendim dhe e hodhët në kosh, e futët në kosh një institucion të ri të drejtësisë”, tha ai.

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

Xibraka sërish mollë sherri në Kuvend! Bardhi: Po bëheni avokatë të Olsi Ramës. Çuçi: Është ezauruar

Akuzat e Metës për Dumanin ‘zhvendosen’ në Kuvend,
Bardhi, Cuci, Rama

TIRANË- Ka nisur me debat seanca e sotme në Kuvend, ku opozita ka kërkuar që të pranohet kërkesa e tyre për mocion me debat, për çështjen Xibraka. Kërkesë e cila sipas mazhorancës është e papranueshme. Bardhi tha se socialistët po bëhen avokatë të Olsi Ramës.

“Në shkelje të plotë të rregullores së Kuvendit anashkaluat një çështje që është shqyrtuar në konferencën e Kryetarëve, në kundërshtim me rregulloren keni vendosur që mos ta sillni në seancë plenare. Do të duhet të respektoni atë dispozitë që aplikuar në Konferencë. Grupi parlamentar ka paraqitur kërkesë me debat sa i takon prodhimit dhe shitjes së lëndëve të trafikut të drogës në vendin tonë.

Ne kemi sjellë shembullin e lëshimit nga policia, të bashkëpunimit të Olsi Ramës për rastin e Xibrakës. Ju keni vendosur që të bëheni palë dhe ta mbroni, të bëheni avokat të Olsi Ramës. Ju nuk e keni sjell këtë mocion në Kuvend. Nuk mund të mbyllni këtë rast se nuk është mbyllur hetimi për Xibrakën”, u shpreh Bardhi gjatë fjalës së tij në Kuvend.

Ndërkohë sipas Bledi Çuçit, çështja Xibraka ështe ezauruar, sa kohë që ka një vendim gjyqësor për këtë çështje.

“Ne nuk pranuam as rendin e ditën për ta diskutuar këtë çështje sepse është e ezauruar gjerësisht nga drejtësia dhe Kuvendi. Në kërkesën e grupit duken qartë referencat që nga grupi Habilaj që është hetuar dhe marrë vendime nga drejtësia italian, për të vijuar me Xibrakën për të cilën ka një vendim i formës së prerë. Për këto çështje është bërë edhe një debat për këto çështje, madje kemi pasur edhe një komision hetimor. Për ne nuk ekziston më kjo çështje", u shpreh Çuçi. 

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

"Po kaloi Olta... jepjani"/ Asllan Dogjani me dhuratë për Xhaçkën, i çon çadër plazhi

Akuzat e Metës për Dumanin ‘zhvendosen’ në Kuvend,
Asllan Dogjani

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani ka një "dhuratë" për ish-ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Duke qenë se në intervistën e fundit, ajo tha se statusin si "investitor strategjik", i shoqi e kishte që askush nga mali të mos i ngulte shezlogun para hotelit, kështu që Dogjani duket se bëri pikërisht këtë. Tentoi që të fuste në sallë një çadër plazhi, të cilën duket se kishte për qëllim t'a linte në ulësen e Xhaçkës, si mesazh, por nuk kishte mundur që ta fuste brenda në sallë.

Akuzat e Metës për Dumanin ‘zhvendosen’ në Kuvend,
Asllan Dogjani
Akuzat e Metës për Dumanin ‘zhvendosen’ në Kuvend,
Asllan Dogjani

Në kushte të tilla, deputeti nga Kukësi, kërkoi ndihmë nga gazetarët që t'ja jepnin ata çadrën ish-ministres, në momentin që do ta pikasnin duke u futur në Kuvend. Por pa fat, sot ish-ministrja nuk ndodhet në sallë./ZËRI

1 VITE ME PARE

“Bëjnë si i bukuri shejtan”, Basha kritika Bardhit, gazetarët e pyesin: Po ju vetë do bëni ndonjë gjë?

Akuzat e Metës për Dumanin ‘zhvendosen’ në Kuvend,
Lulzim Basha

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike zyrtare, Lulzim Basha, ka vijuar akuzat e tij në drejtim të Gazment Bardhit dhe Rithemelimit, që sipas tij janë në pazar me Edi Ramën. Basha akuzoi gjithashtu kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla, që sipas tij, jo vetëm që ka shpërdoruar detyrën, por ka bllokuar të gjitha iniciativat ligjore të opozitës.

‘Kalojnë vendime të rëndësishme pa opozitë dhe bëhen bashkë për një amnisti që amniston të korruptuarit dhe jo protestuesit që u ngitën kundër të korruptuarve. Për 5 muaj me radhë janë ngritur duke pretenduar se po mbronin interesat e qytetarëve, dhe tani bëjnë si i bukuri shenjtan, se janë të kapur. Kryesorja është bllokimi i iniciativave, që është vetingu i politikanëve, dy interplelanca me Edi Ramën. Pritshmëritë për këtë parlament janë zero’, tha Basha.

Ju vetë do të bëni ndonjë gjë në parlament?

Basha: Padiskutim që unë do të flas këtu dhe në parlament, do i bëjmë të ditur opinionit publik se ku qëndrojmë ne. Revolucionarët nuk ngrihen për një krizë kushtetuese, siç ishte ajo e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. 

E cila iu prek edhe juve, jo vetëm zotin Bardhi…

Basha: Ne jemi ngritur dhe kemi thënë se ku qëndojmë ne dhe ata. Ju e kuptoni se pse, ata janë bashkë për interesat e tyre. Thirrja ime për deputetët është që distancohen me shpejtësi nga ai grup, dhe të bashkohen me PD-në zyrtare.

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

Përplasjet në PD, Lulzim Basha kallëzon në SPAK Lindita Nikollën

Akuzat e Metës për Dumanin ‘zhvendosen’ në Kuvend,
Lulzim Basha dhe Lindita Nikolla

TIRANË- Partia Demokratike që përfaqësohet nga Lulzim Basha, ka kallëzuar në SPAK, kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla. PD e akuzon Nikollën për shpërdorim detyre, për shkak të vendimmarrjes së fundit, që Kuvendi njohu vendimin e Gazment Bardhit për të kthyer në grupin e PD të gjithë deputetët e përjashtuar nga Basha.

Akuzat e Metës për Dumanin ‘zhvendosen’ në Kuvend,
Dokumenti

Në kallëzim Nikolla akuzohet se ka shpërdoruar detyrën në disa raste duke mos njohur shkresat e depozituara nga PD zyrtare. Sipas dokumentacionit që është dorëzuar në Prokurori, kryeparlamentarja është njohur me kërkesa të njëpasnjëshme, si zëvendësim të kryetarit të grupit, të përbërjes së grupit, këshilltarëve të grupit etj.

PD zyrtare ka njoftuar dhe trupin diplomatik mbi ngërçin e krijuar në funksionimin e grupit parlamentar të PD. Sipas PD që drejtohet nga Basha, Nikolla po pamundëson funksionimin e grupit parlamentar në Kuvend.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB