LIVE UPDATES

16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në Prishtinë, mesazhe nga Biden dhe Blinken. Busti i Adem Jasharit zbulohet në Mitrovicë

➤Republika e Kosovës shënon sot 16-vjetorin e shpalljes së pavarësisë. ➤Më 17 shkurt 2008, në një mbledhje të jashtëzakonshme Kuvendi shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. ➤Shpallja e pavarësisë kishte ardhur pas propozimi të Martti Ahtisaari, i cili ishte ngarkuar nga OKB-ja për bisedime në mes të Kosovës dhe Serbisë. ➤Pasi propozimi i Ahtisarit nuk mori mbështetjen e plotë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Kosova në koordinim me aleatët perëndimorë, vendosi shpalljen e pavarësisë në mënyrë të njëanshme. ➤Akti i Pavarësisë u njoh menjëherë nga fuqitë e mëdha, duke përfshirë SHBA-të, Britaninë e Madhe, Francën, Gjermanin dhe një numër i madh i shteteve demokratike. ➤Gjatë ditës së sotme ka një axhendë të ngjeshur të festimeve, ndërsa dita ka nisur me homazhe pranë varrit të Ibrahim Rrugovës, dhe heronjve të tjerë të luftës së UÇK-së. ➤Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ka uruar pavarësinë e Kosovës, duke u shprehur se mbështet aspiratat e Prishtinës. ➤Presidenti amerikan Joe Biden ka uruar gjithashtu Kosovën për pavarësinë, duke u shprehur se Prishtina duhet të përmbushë obligimet në dialogun me Serbinë. ➤Edhe kryeministri shqiptar Edi Rama ka uruar pavarësinë e Kosovës, teksa urimin e shoqëroi me një foto të ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova. ➤Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se populli i Kosovës e ka trreguar se më parë e jep jetën sesa i nënshtrohet Serbisë. ➤Sot, në 16-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, u zbulua në qendër të Mitrovicës busti i komandantit të UÇK-së, Adem Jasharit. ➤Një nga deputetët e parlamentit të Kanadasë, Kyle Seeback ka uruar në shqip pavarësinë e Kosovës.

11 artikuj për këtë temë.
1 VITE ME PARE

Deputeti kanadez uron në shqip Pavarësinë e Kosovës

16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në
Kyle Seeback

KANADA – Deputeti i Kanadasë Kyle Seeback ka uruar në shqip ditën e Pavarësisë së Kosovës. Deputeti tha se Kanadaja është ndër të parat vende që e njohu pavarësinë e Kosovës dhe priti mijëra refugjatë nga vendi ballkanik. Fjalën e tij e mbylli me mesazhin në shqip. “Të gjithë kosovarë-kanadezëve iu them Gëzuar Ditën e Pavarësisë”.

“Më 17 shkurt, Republika e Kosovës feston 16 vjetorin e Pavarësisë. Rruga e Kosovës drejt Pavarësisë nuk ishte e lehtë, gjatë luftës së tyre për liri në vitin 1999, dhjetëra mijëra shqiptarë të Kosovës u vranë dhe dhjetëra mijëra të tjerë u kthyen në refugjatë. Historitë e tyre të tragjedisë dhe vuajtjeve janë vërtet të vështira për t’u dëgjuar, por Republika e Kosovës gjithmonë ka pasur një mik në Kanada.

Kanadaja ishte një nga vendet e para që njohu Pavarësinë e Kosovës në vitin 2008, dhe Kanadaja mirëpriti mbi 7.000 refugjatë kosovarë në Kanada, duke përfshirë të fejuarën time dhe të gjithë familjen e saj. Dhe 25 vjet më vonë, ata ish-refugjatë kanë ndërtuar jetën këtu në Kanada. Ata e kanë pasuruar Kanadanë me kulturën e tyre, punën e tyre të palodhur dhe dashurinë e tyre për Kanadanë. Të gjithë kosovaro-kanadezëve u them ‘Urime dita e Pavarësisë!’”, ka deklaruar deputeti kanadez./ZËRI/

1 VITE ME PARE

Surpriza e Pavarësisë! Busti i Adem Jasharit në qendër të Mitrovicës

16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në
Busti i Adem Jasharit

MITROVICË- Komuna e Mitrovicës së Jugut ka mbajtur ceremoninë e inaugurimit të shtatores të komandantit të UÇK-së, Adem Jashari. Busti i komandantit legjendar u vendos në sheshin qendror të qytetit.

Në këtë inaugurim, përveç përfaqësuesve të komunës së Kosovës, morën pjesë edhe Rifat Jashari, Bekim Jashari, si dhe qindra qytetarë.

16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në

16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në

Zbulimi i shtatores së komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vjen në ditën, kur mbushen 16 vite nga Pavarësia./ZËRI/

1 VITE ME PARE

Konjufca: Ne duruam derisa bota demokratike u bind se kemi të drejtë

16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në
Glauk Konjufca

PRISHTINË – Kryetari i parlamentit të Kosovës, Glauk Konjufca, në fjalën e tij në seancën solemne në nder të përjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka rikujtuar rrugën plot mundime të popullit të Kosovës, deri në çlirimin e vendit dhe arritjen e pavarësisë. Konjufca tha se në themelet e shtetit të Kosovës është heroizmi i Jasharajve, urtësia e Ibrahim Rugovës dhe ideali i Adem Demaçit.

“Në themelin e Kosovës qëndron heroizmi i Jasharajve, urtësia e Rugovës dhe ideali i Adem Demaçit”, tha Konjufca ndër të tjera.

Ai ka shtuar më tej se populli i Kosovës ka duruar, derisa bota demokratike u bind se aspirata e Kosovës ishte e drejtë dhe kur e vërejti se populli i Kosovës më parë jep jetën sesa i nënshtrohet Serbisë. Konjufca ka deklaruar se kur ndërkombëtarët e panë se lufta ishte e pastër, e ndihmuan Kosovën që ta largojnë nga Serbia.

“Ne duruam deri kur bota demokratike u bind se kemi të drejtë. Kur bota e pa që më parë e japim jetën sesa nënshtrohemi para Serbisë dhe kur e pa që lufta jonë është e pastër, na ndihmoi për ta larguar diktatorin”, tha Konjufca. “Si popull ne e kemi edhe durimin, edhe guximin”, tha ai.

Glauk Konjufca deklaroi se Kosova nuk i harron miqtë e saj, që e dërguan deri në Pavarësi. “Ne nuk i harrojmë miqtë tanë, pa të cilët rruga jonë do të ishte e pamundur, veçanërisht SHBA-në dhe BE-në. Një falenderim vjen edhe për NATO-n, që ndali gjenocidin e Serbisë në Kosovë”, u shpreh Konjufca./ZËRI/

1 VITE ME PARE

Kurti: Republikës i dalim zot! Nuk negociojmë rezistencën dhe lirinë

16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në
Albin Kurti

KOSOVË– Kryeministri i Kosovës Albin Kurti uroi qytetarët e Kosovës në 16-vjetorin e Pavarësisë së vendit. Kurti, në këtë urim, ka kujtuar të gjithë heronjtë, dëshmorët, martirët, ata që u sakrifikuan, punuan dhe u angazhuan për Republikën e Kosovës.

“Duke i përkujtuar ata, ne përkujtojmë se çfarë çmimi të lartë kemi paguar për të mbërritur këtu, por edhe rrugën, të cilën do ta vazhdojmë sigurisht drejt integrimeve evropiane e euroatlantike dhe për këtë një falënderim iu shkon partnerëve tanë ndërkombëtarë, që na mbështetën e ndihmuan. Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë kaq e fortë, e sigurt, e lirë dhe demokratike”, tha kreu i qeverisë së Kosovës.

Kurti, në fjalimin e tij solemn përpara deputetëve për 16-vjetorin e Pavarësisë, deklaroi po ashtu se nëse Serbia do të ndjente përgjegjësi për gjenocidin që ka ushtruar në Kosovë, do të njihte Pavarësinë, që kur u shpall më 17 shkurt 2018. Përpara ambasadorëve të huaj, Kurti tha dhe njëherë se Serbia po ndjek rrugën e konfliktit me Kosovën. Ai tha se Beogradi po bën pasive adresat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Për Kurtin, shqiptarët në Luginë janë pakica më e diskriminuar në Europë.

“Edhe sot si çdo vit mblidhemi për të uruar ditëlindjen e Kosovës. Me 16 vitet e saj në supe, është shteti më i ri rajon, por me vetëdije të pjekur po aq sa shtetet më të vjetra se ajo. Pavarësia ishte realizim i një aspirate popullore. Kosovën e ka pjekur para kohe qëndresa e popullit tonë ndaj valëve të njëpasnjëshme të pushtimeve dhe gjenocideve. Kosova u bë Republikë në Kaçanik dhe u luftua me pushkë të UÇK-së. Me flijimet që bëri për idenë e Republikës, Kosova fitoi simpatinë e shteteve demokratike që i dolën në krah më 1999. Më 2008 s’kishte mbetur dilemë te ndërkombëtarët se nëse Republika e Kosovës do të vinte. Por diskutohej të vinte në një trajtë të tillë që ishte e pranueshme edhe për armikun më të madh të saj, shtetin serb, që kishte dashur ta mbyste idenë e shtetit të shqiptarëve.

Të gjithë e kemi të qartë se në rast Serbia shtetërore do të ishte ndier sado pak përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë, nëse në politikën e saj do të kishte mbizotëruar arsyeja dhe jo revanshizmi shovinist, ajo duhej ta kishte njohur Kosovën qysh më 2008. Kosova garanton të drejtat më të gjera për pakicat në rajonin tonë, posaçërisht te serbët. Shqiptarët në Luginë janë pakica më e diskriminuar në Evropë, që edhe sot po i nënshtrohen spastrimit, me të ashtuquajturin pasivizim të adresave. Është për keqardhje që fqinji ynë verior ka zgjedhur rrugën e konfrontimit dhe bllokimit të funksionimit të brendshëm të Kosovës dhe njohjeve të jashtme”, tha Kurti përpara 67 deputetëve të pranishëm të parlamentit të Kosovës./ZËRI/

1 VITE ME PARE

Rama uron pavarësinë e Kosovës me foton e Rugovës në sfond

16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në
Edi Rama

TIRANË- Për Pavarësinë e Kosovës, ka uruar edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka uruar pavarësinë, me foton e Rugovës në sfond.

“Gëzuar Pavarësinë Kosovë”, shkruan Rama.

Sot, Kosova festoon 16-vjetorin e Pavarësisë./ZËRI/

1 VITE ME PARE

Biden uron Kosovën: Përmbushni obligimet në dialogun me Serbinë

16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në
Joe Biden

SHBA- Presidenti amerikan Joe Biden ka uruar Kosovën në 16-vjetorin e Pavarësisë së saj. Biden tha se SHBA dhe Kosova ndajnë një partneritet të qëndrueshëm, të forcuar nga vizioni i përbashkët për një rajon më paqësor, më të sigurt dhe më të zhvilluar.

Në një letër dërguar presidentes së vendit, Vjosa Osmani, Biden inkurajoi që Prishtina të përmbushë të gjitha obligimet që ka, në raport me dialogun Kosovë-Serbi.

“Ne vazhdojmë të mbështesim përpjekjet e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja drejt arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë – një hap i rëndësishëm drejt njohjes eventuale reciproke”, tha Biden.

Disa ditë më parë, presidenti amerikan Joe Biden ka uruar Serbinë për ditën e shtetësisë. Ai ka inkurajuar Serbinë, që të bëjë hapa përpara në dialog, duke shtuar se duhet që të mendojnë edhe kompromiset, aty ku është e nevojshme./ZËRI/

1 VITE ME PARE

Blinken uron Kosovën: Mbështesim aspiratet në deklaratën tuaj të pavarësisë

16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në
Antony Blinken

SHBA- Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken ka uruar Kosovën me rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë. Blinken shprehet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë partneritetin e qëndrueshëm, të rrënjosur në mirëkuptimin reciprok, vlerat e përbashkëta dhe miqësinë mes dy popujve.

Blinken tha se SHBA inkurajon Kosovën që të zbatojë zotimet e saj dhe të ecë përpara përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian, për të arritur një marrëveshje reciproke të normalizimit me Serbinë, në rrugën drejt njohjes përfundimtare reciproke.

“Shtetet e Bashkuara besojnë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike. Ne mbështesim aspiratat e përcaktuara në deklaratën tuaj të pavarësisë dhe kushtetutës për të kontribuuar në stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës, duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi”, shkruan Blinken.

Në letrën e Sekretarit Blinken, thuhet se Uashingtoni vlerëson mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës, në luftën e saj ndaj agresionit rus. “Ne mirëpresim mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën kundër luftës brutale dhe të padrejtë të Rusisë dhe jemi mirënjohës për ndihmën bujare të Kosovës për gazetarët dhe të tjerët që kërkuan strehim në vendin tuaj. Mezi pres të thellojmë partneritetin tonë në forcimin e demokracisë dhe krijimin e kushteve që Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj të prosperojnë në një botë më të sigurt, më stabile dhe më të begatë”, thuhet në letër. Në fund, Blinken shton se uron me përzemërsi mikun, partnerin dhe aleatin e SHBA-ve, Kosovën, në Ditën e Pavarësisë së saj. “Paçi një vit të begatë përpara”, shkruan Blinken./ZËRI/

1 VITE ME PARE

Albin Kurti ‘fshin’ historinë? Heq nga video e Pavarësisë Hashim Thaçin, vendos veten dhe Osmanin

16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në
Hashim Thaci dhe Albin Kurti

KOSOVË- Për nder të 16-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka postuar një video urimi. Sipas disa mediave në Kosovë, video e postuar nga Kurti është një retushim i historisë, duke qenë se në të nuk janë përfshirë momente dhe figura shumë të rëndësishme.

Në videon e postuar në profilin e tij në “Facebook”, e cila zgjat 1 minutë dhe disa sekonda, nuk shihet askund momenti i shpalljes se pavarësisë nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Gjithashtu, në video është shmangur edhe përfshirja e ish-kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka lexuar deklaratën e pavarësisë së Kosovës.

Po ashtu në video është përfshirë protesta e studentore e vitit 1997, në të cilën vetë Kurti ka qenë i pranishëm. Përveç vetes, Kurti në video ka përfshirë edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, të cilës i dëgjohet zëri gjatë një fjalimi.

Video fillon me pamje të komandantit legjendar Adem Jashari, i cili dëgjohet duke thënë se “vetëm një vdekje dhe tjetër nuk ka”. Më pas, jepet disa sekuenca të filmave vendor, ku shihet edhe uniforma UÇK-së.

Nga mesi i videos shihet Deklarata e Pavarësisë së Kosovës, shtëpia muze e ish-presidenti Ibrahim Rugova dhe më pas disa bukuri të Kosovës. Aty nuk mungojnë as pamje të ushtrisë dhe policisë së Kosovës.

Në pjesën e fundit të videos, shihen Rita Ora, Dual Lipa, xhudistët kosovarë dhe lojtarët e Kosovës.

Çuditërisht, aty shihen edhe momenti i golave të Xherdan Shaqirit dhe Granit Xhakës kundër Serbisë. Madje, dëgjohet edhe komentimi i këtyre golave nga gazetari Andin Lokaj.

Kolonë zanore e videos është kënga e njohur e Sabri Fejzullahut “Mos i leni dritat fikur”, e cila në video interpretohet nga dikush tjetër.

Video e postuar nga kryeministri Albin Kurti ka nxitur reagime të shumta. Analisti Ilir Mirena e ka kritikuar këtë video, duke e konsideruar si retushim të historisë.

“E paska ba nje video Albin Kurti per 16 vjetorin e Pavaresise se Kosoves, pavaresine te cilen e ka kundershtuar me vite. Ne video qenka kujdes per nje retushim te historise. Seancen historike te Parlamentit te Kosoves kur Hashim Thaçi bashke me deputetet e atehershem e shpallin Kosoven shtet te pavarur nuk e paska perfshi fare. Po ashtu, ne video s’kish asnje imazh te Ibrahim Rugoves… Ama, protestave te 1 tetorit 1997 ku ka marr pjese vet, ia kish lane ca sekonda… Po t’paftyre…”, ka shkruar Mirena./ZËRI 

1 VITE ME PARE

16-vjetori i Pavarësisë, Kurti dhe Osmani homazhe pranë varrit të Ibrahim Rugovës

16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në
Homazhe prane varrit tw Rugoves

KOSOVË- Në 16-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, liderët e shtetit kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe edhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.

Krerët shtetërorë do të vazhdojnë për homazhe edhe në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz.

Në një deklaratë për mediat pas homazheve, Osmani tha se Pavarësia është arritja më e madhe e qytetarëve të Kosovës.

Presidentja Osmani kujtoi edhe ish presidentin Ibrahim Rugova, familjen Jashari dhe të gjithë ushtarët e rënë për liri.

Homazhet i ka paraprirë mbledhja e qeverisë së Kosovës, ku kryeministri Albin Kurti do të uronte qytetarët në këtë ditë të rëndësishme.

“Në 16 vjetorin e pavarësisë, sot shënojmë edhe 26 vjetorin e epopesë së UÇK-së, dhe 25 vjetorin e çlirimit tonë nga okupimi serb. Prejardhja jonë është lufta çlirimtare dhe lëvizja e rezistenca shekullore për liri. Për sa kohë Republika e Kosovës të jetë shembull i ngrohtësisë njerëzore dhe i lëvizjes qytetare, ajo e nderon trashëgiminë e rilindjes kombëtare”, theksoi kryeministri./ZËRI 

1 VITE ME PARE

“Histori suksesi”, Begaj uron Kosovën për 16-vjetorin e Pavarësisë: Jemi dy shtete por një komb

16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në
Bajram Begaj

TIRANË- Kosova feston sot 16-vjetorin e Pavarësisë, ndërsa në këtë ditë të shënuar nuk kanë munguar urimet nga politikanët në të dy anët e kufirit.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka shkruar në rrjetet sociale se Kosova është një histori suksesi në Ballkan në respektimin e të drejtave të njeriut, me kulturën e saj të gjallë dhe energjinë rinore të një populli që sheh përpara.

“Kosova, shtet i pavarur, është një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tonë. Jemi dy shtete, por një komb me një gjuhë e një kulturë”, shkruan Begaj.

Ndër të tjera ai bën thirrje që ta shfrytëzojmë këtë mundësi të artë për të treguar se jemi të aftë të ndërtojmë shtete sipas parimeve demokratike, në bashkërendim me partnerët tanë, SHBA-në dhe BE-në.

Postimi i plotë i Begajt:

Kosova 16 vjet Republikë.

Ajo sot është një histori suksesi në Ballkan në respektimin e të drejtave të njeriut, me kulturën e saj të gjallë dhe energjinë rinore të një populli që sheh përpara.

Kosova, shtet i pavarur, është një faktor pozitiv, paqedashës dhe i rëndësishëm për sigurinë në rajonin tonë.

Jemi dy shtete, por një komb me një gjuhë e një kulturë.

Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi të artë për të treguar se jemi të aftë të ndërtojmë shtete moderne sipas parimeve demokratike, në bashkëpunim e bashkërendim me partnerët tanë, SHBA-në dhe BE-në.

Gëzuar, Kosovë!

/ZËRI 

1 VITE ME PARE

Gëzuar 16-vjetorin e Pavarësisë Kosova jonë!

16-vjetori i Pavarësisë së Kosovës, festë në
Kosova 16 vite e pavarur

KOSOVA- 17 Shkurt 2008! Një prej datave më të rëndësishme në historinë e shqiptarëve në të dy anët e kufirit, teksa Kosova do të shpallte Pavarësinë e saj. Sot 16 vite më pas, Kosova ka bërë dukshëm përparime në nivelin e njohjeve nga shtetet e tjera, ndërsa mbetet e brishtë marrëdhënia me Serbinë, nën diktatin ndërkombëtar. Gjatë ditës së sotme, në sheshet kryesore të Prishtinës valviten flamujt e Kosovës, Shqipërisë, por edhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një prej kontribuesve më të mëdhenj në pavarësinë e shtetit më të ri të Ballkanit.

Qeveria e Kosovës ka publikuar logon zyrtare për shënimin e 16-vjetorit të pavarësisë. “Kosovë ne të dalim zot”, është mbishkrimi që është vendosur në logon zyrtare shtetërore.

“Logoja zyrtare shtetërore për shënimin e 16-të vjetorit të Pavarësisë dhe programi i plotë i manifestimeve shtetërore për shënimin e 16-vjetorit të Pavarësisë, 26-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Aktivitetet e Qeverisë në Ditën e Pavarësisë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka publikuar programin me rastin e shënimit të 16-vjetorit të Pavarësisë.

Më poshtë mund t’i gjeni aktivitetet e planifikuara të Qeverisë së Kosovës

08:00 – Mbledhje Festive e Qeverisë së Republikës së Kosovës

08:20 Ngritja e Flamurit të Republikës së Kosovës

08:30 – Nderime te Monumenti i të Pagjeturve

08:45 – Homazhe te varri i ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova 08:50 Homazhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi

09:50 – Homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz

11:00 – Nderime te Monumenti “Heroinat”

11:15 – Nderime te Monumenti i Policëve të rënë në detyrë

11:25 – Nderime te pllaka e fëmijëve të vrarë gjatë luftës, Oborri i Kuvendit

12:00 – Seanca Solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës

17:00 – Pritje shtetërore nga Presidentja, Kryeparlamentari dhe Kryeministri i Republikës së Kosovës 18:00 Koncerti i Pavarësisë, sheshi i Prishtinës

20:15 – Koncert solem i Filharmonisë së Kosovës, Prishtinë

Ndërkohë nuk kanë munguar urimet nga politikanët më të lartë të Kosovës por edhe Shqipërisë në këtë datë të shënuar për dy vendet tona.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar përmes një fotoje, me në sfond Ibrahikm Rugovë, Kosovën e lirë e të pavarur, ndërsa nuk lë pa përmendur edhe ndihnmën e aleatëve.

“Të duam Kosovë! Të lirë, të pavarur, sovrane e me aleatë. Urime ditëlindjen e 16të”, shkruan Osmani në rrjetet e saj sociale.

Ndërkohë edhe kryeministri Albin Kurti ka uruar Pavarësinë përmes një videoje, e cil padyshim nxjerr në pah dhe luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB