'Kafe dhe llafe!' Monika Kryemadhi e nis ditën me kafeinë

TIRANË- Dita nis më mbarë me kafeinë, e kështu duket se vepron edhe ish-kryetarja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi. Edhe pse në seancën e sotme në Kuvend, opozita vazhdoi aksionin duke shkaktuar trazira, Kryemadhi duket se kishte një tjetër prioritet.
Duke konsumuar kafe, ajo u përditësua nga të rejat më të fundit, të cilat ia serviri kolegia e saj, Erisa Xhixho. Nuk i dihet çfarë i ka thënë, por pak është e sigurtë, mori të gjithë vëmendjen e Kryemadhit./ZËRI
Për kë po flasin? Balla batuta me Ballukun në Kuvend

TIRANË- Opozita edhe në seancën e sotme plenare ka mbajtur të njëjtin ritëm duke shkaktuar trazira në sallë. Megjithatë situata e krijuar nuk i ka shqetësuar aspak socialistët, të paktën 2 prej tyre.
Zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla duket se e kanë "shijuar" debatin e krijuar nga opozita. Me njëri-tjetrin kanë shkëmbyer edhe batuta, të shoqëruara me të qeshura. Derisa në një moment, Balla bën një gjest me dorë drejt opozitës. Por me kë e kishte?/ZËRI
Deputetët e opozitës zihen me njëri-tjetrin, Elda Hoti i fik mikrofonin Arbi Agalliut

TIRANË- Sikur të mos mjaftonte beteja që kanë me socialistët, deputetët e grupimeve të opozitës, vijojnë përplasjet mes tyre edhe në sallën e Kuvendit. Edhe në seancën e sotme ka pasur një përplasje mes dy deputetëve të opozitës, Elda Hoti dhe Arbi Agalliu.
Arbi Agalliu, pjesë e deputetëve në grupin e Lulzim Bashës, kishte thirrur një interpelancë me kryeministrin Edi Rama, sa i takon çështjes Ahmetaj. Agalliu kërkoi që të ishte i pranishëm në seancë kryeministri Rama për të zhvilluar interpelancën sipas rendit të ditës.
Por kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla deklaroi se Rama ia kishte deleguar ministres Spiropali përgjigjen për interpelancën, çka nuk u pranua nga Agalliu.
Teksa Agalliu po fliste nga vendi, Elda Hoti ka shkuar dhe i ka tërhequr kartën dhe mikrofonin deputetit të Bashës, duke bërë që zëri i tij të mos dëgjohet në sallë. Në fund të seancës, inteperlanca dështoi, pasi sipas Lindita Nikollës Rama e kishte të pamundur që të ishte në Kuvend, për shkak të axhendës.
/ZËRI
Kalon ligji për Lojrat e Fatit, por pa votat e 2 socialistëve, Braçe dhe Xhafaj kundër

TIRANË- Ligji për Lojrat e Fatit ka kaluar në Kuvend, por pa 2 vota nga radhët e socialistëve. Kartonin "portokalli", atë të abstenimit e kanë ngritur deputetët Erion Braçe dhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Vendimi që ka marrë Braçe ka qenë i paralajmëruar, pasi ai kërkoi shtimin e disa amendamendeve në ligj, të cilat nuk u morën parasysh. Ndërsa vendimi i Xhafaj është marrë sot gjatë votimit në sallë.
Projektligji ishte planifikuar që të votohej gjatë seancës së 8 shkurtit, projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr 155/2045 për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë, të ndryshuar”, por për arsye që nuk u qartësuan kurrë, u hoq nga rendi i ditës në Parlament me kërkesë të Partisë Socialiste. Megjithatë kaloi sot, 5 vite pasi më 1 janar 2019, u ndaluan në Shqipëri. Edhe pse lojrat e fatit ishin të ndaluara me ligj, në të vërtetë aktiviteti nuk ndali kurrë, pasi u gjetën rrugë të tjera për të luajtur online, pa u kontrolluar nga shteti./ZËRI
Mbyllet për ’18 seanca në Kuvend, Nikolla: Më vjen keq që u tërhoqët nga interpelanca, Rama po kthehet nga Brukseli

TIRANË- Është mbyllur për 18 minuta seanca e sotme në Kuvend, ku kaluan të gjitha ligjet e parashikuara në rendin e ditës. Në jëtë seancë dështoi mbajtja e interpelancës së kërkuar nga një pjesë e deputetëve të opozitës, me kryeministrin Edi Rama, i cili nuk ishte i pranishëm në sallë.
Nikolla tha se Rama ndodhej në një vizitë pune në Bruksel, dhe do të kthehet në Shqipëri gjatë mesditës, për të pritur sekretarin amerikan Antony Blinken. Ai ia kishte deleguar inteperlancën ministres Elisa Spiropali.
“Më vjen keq që u tërhoqët nga interpelanca, kryeministri Edi Rama po kthehet nga Brukseli, dhe më pas do të presë sekretarin amerikan Antony Blinken”, u shpreh Nikolla.
Rikthehen bastet sportive, socialistët pa Ramën ngrejnë kartonat

TIRANË- Me sfondin e zhurmave dhe kaosit të krijuar nga një pjesë e deputetëve të opozitës, socialistët kanë kaluar të vetëm rikthimin e basteve sportive.
I vetmi socialist që ka abstenuar në seancën e sotme ka qenë Erion Braçe, i cili ka shprehur kritika dhe gjatë kalimit të projektligjit në Komisione. Seanca e sotme është shoqëruar sërish me kaos dhe tension, ku opozita e përfaqësuar nga Lulzim Basha ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama për Arben Ahmetajn, e cila sipas Nikollës i është deleguar ministres Spiropali. PD kërkoi praninë e Ramës, duke thënë se ai nuk mund të fshihet pas Blinken dhe Spiropalit.
Ka qenë deputeti Agalliu që u shpreh se është kërkuar prezenca e kryeministrit Rama në Kuvend. Sipas tij “Rama sot nuk mund të fshihet as mbas Elisës, as mbas vizitës së sekretarit Blinken”.
Në përgjigje të tij kryeparlamentarja Nikolla theksoi se kryeministri ka angazhime më të mëdha sot.
“Kërkesa e parë nuk përmbushte kushtet e rregullores. Ishte firmosur vetëm nga ju (Agalliu) dhe jo nga 7 deputetë. Pasi erdhi konform rregullores menjëherë u fut në seancën plenare. Kryeministri ka angazhime më të mëdha sot ndaj ia ka deleguar ministres Spiropali zhvillimin e interpelancës. Kjo nuk është sipas dëshirës tuaj, kjo është me rregull”./ZËRI
Ahmetaj/ Rama nuk përballet me opozitën, ia delegon interpelancën Spiropalit

TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur që të mos përballet me opozitën, për çështjen Ahmetaj, pas kërkesës për interpelancë nga deputetët e grupit të Lulzim Bashës. Rama ia ka deleguar të drejtën për t’u përgjigjur Elisa Spiropalit.
“Kryeministri ka angazhime më të rëndësishme gjatë ditës së sotme, dhe për këtë ia ka deleguar fjalën ministres së shtetit për marrëdhënien me parlamentin Elisa Spiropali”, u shpreh Nikolla gjatë seancës.
Ndërkohë që deputeti Arbi Agalliu nuk pranoi që inteperlanca të vijonte me Spiropalin, duke kërkuar praninë e Ramës.
Sipas tij “Rama sot nuk mund të fshihet as mbas Elisës, as mbas vizitës së sekretarit Blinken”.
Në përgjigje të tij kryeparlamentarja Nikolla theksoi se kryeministri ka angazhime më të mëdha sot.
“Kërkesa e parë nuk përmbushte kushtet e rregullores. Ishte firmosur vetëm nga ju (Agalliu) dhe jo nga 7 deputetë. Pasi erdhi konform rregullores menjëherë u fut në seancën plenare. Kryeministri ka angazhime më të mëdha sot ndaj ia ka deleguar ministres Spiropali zhvillimin e interpelancës. Kjo nuk është sipas dëshirës tuaj, kjo është me rregull”.
/ZËRI
Vizita e Blinken, Berisha-Bardhi shpallin ‘armëpushimin’, të përjashtuarit nuk shkojnë në Kuvend

TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Demokratike, ka vendosur gjatë ditës së sotme, që të shamngë përplasjet e përjavshme me punonjësit e gardës në hyrje të Kuvendit. Për këtë deputetët e përjashtuar nga Kuvendi, nuk do të shkojnë në seancë për të shmangur incidentet.
Deputetët e përjashtuar nga Kuvendi janë:
Edi Paloka
Flamur Noka
Gazment Bardhi
Ervin Salianji
Asllan Dogjani
Bledion Nallbati
Petrit Doda.
Ndërkohë që mbetet të shihet se si do të sillen pjesa tjetër e deputetëve në sallë, ndërsa në seancën e sotme është thirrur një interpelancë me kryeministrin Edi Rama, pas deklaratave nga arratia të Arben Ahmetajt. Në rendin e ditës është dhe kalimi i ligjit për rikthimin e basteve online. /ZËRI
Blinken përjashtoi nga axhenda opozitën, Basha: Nuk futem në çorapet e pista të politikës

TIRANË- Lulzim Basha ka mbërritur në Kuvend pak minuta para nisjes së seancën plenare, ku komentoi vizitën e sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken në Tiranë. Basha i uroi mirëseardhjen Blinken, ndërsa u pyet nga gazetarët se pse nuk kishte një takim të zyrtarit amerikan me përfaqësues të opozitës.
“I uroj mirëseraardhjen Antony Blinken, ne kemi pasur dhe do të kemi takime me përfaqësues të politikës amerikane. Nuk futem në çorapet e pista të politikës, që të komentoj më tepër mbi vizitën e zotit Blinken, e cila vjen në një moment të rëndësishëm për Kosovën.
Shpjegimi im nuk lë vend për porta të vogla. Do të dalë sërish. Sot është koha që shqiptarët mos të përtypin cic-micet e ditës që do të ushqejë me lopatë kryeministri, por të shohin përtej momentit”, tha Basha në hyrje të Kuvendit.
Në axhendën e Blinken në Tiranë, nuk parashikohet asnjë takim me përfaqësues të opozitës, ndërsa sekretari amerikan është dhe zyrtari që shpalli non grata Berishën rreth 3 vite më parë. /ZËRI
Sot interpelancë me Ramën për çështjen “Ahmetaj”, a do e lejojë grupimi Berisha-Bardhi të japë ‘’llogari”?

TIRANË- Në seancën e ditë së sotme që do të mbahet në Kuvend, në rendin e ditës është parashikuar një interpelancë me kryeministrin Edi Rama, e thirrur nga një grup i deputetëve të Partisë Demokratike. Kërkesa për interpelancë u bë nga deputeti Arbi Agalliu, për t’i kërkuar llogari Ramës, në lidhje me deklaratat dhe akuzat e bëra nga arratia të ish-numrit 2 të qeverisë Arben Ahmetaj.
Mbajtja e kësaj interpelance është bërë pjesë e rendit të ditës në seancës e sotme, por zhvillimi i saj është në pikëpyetje duke marrë parasysh qëndrimer që mban pjesa tjetër e opozitës.
Nëse aksioni do të vijojë me zhurmë dhe kaos në Kuvend, atëherë me gjasë interpelanca me Ramën do të dështojë, dhe kryeministri sërish nuk do të japë llogari për akuzat që i janë bërë nga Ahmetaj. Ky i fundit e akuzoi Ramën se e nxori në pritë për ti shpëtuar përgjegjësisë për inceneratorët, si dhe tha se Erion Veliaj është pronari faktik i inceneratorit të Tiranës.
Në rendin e ditës së sotme është dhe kalimi i ligjit për rikthimin e basteve sportive online, që javën e kaluar u shty nga socialistët.
RENDI I DITËS:
Interpelancë urgjente me Kryeministrin, zotin Edi Rama, kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Projektligj “Për një shtesë në ligjin nr. 7651, datë 21.12.1992, “Për festat zyrtare e ditët përkujtimore”, të ndryshuar.
Projektligj “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 155/2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
Projektvendim “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 127/2018 “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Institutit të Statistikave, INSTAT”.
Projektvendim “Për miratimin e strukturës organizative, organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve me kohë jo të plotë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”.
Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
/ZËRI