LIVE UPDATES

ZGJEDHJET-Përplasja e parë/ 500 euro për votën, arrestohet i riu në Lushnje! PD mohon përfshirjen, PS: Po bëjnë viktimën! Dosja në SPAK

➤ Vetëm 3 ditë pas çeljes së fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ka ndodhur përplasja e parë mes partive. ➤ Përplasja ka nisur në qarkun e Fierit. ➤ Gjithçka nisi pas denoncimit të një qytetari. Muharrem Toska ka shkuar në Komisariatin e Lushnjes, se një person i quajtur Marin Leka i kishte premtuar 500 euro për votën. ➤ Si garanci i kishte marrë kartën e identitetit. Ndaj në momentin e arrestimit të 38-vjeçarit, Leka kishte me vete ID e Toskës. ➤ Ka qenë kallëzuesi ai që pretendon se i prangosuri i kishte kërkuar votën për Partinë Demokratike. ➤ PD dega Fier kërkoi hetim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duke u distancuar nga ngjarja. Ndërsa kreu i PD-së, Sali Berisha, akuzoi drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, si dhe ish-kryepolicin Ardi Veliu, se janë autorët e manipulimit të rastit të Lushnjës. ➤ Po ashtu, Berisha paralajmëroi se edhe personi që është përfshirë në manipulim, nëse i përket strukturave, do përjashtohet përjetësisht nga PD-ja. ➤ Një reagim erdhi edhe nga Partia Socialiste. E dërguara politike në qarkun e Fierit, Belinda Balluku shkruan se PD po përpiqet që të heqin përgjegjësinë nga vetja, duke hedhur baltë mbi të tjerët. ➤Dosja tani është në SPAK, ku pritet edhe thellimi i hetimeve.  

3 artikuj për këtë temë.
1 DITE ME PARE

500 euro për PD/ Çështja kalon në SPAK, demokratët: Sulm i orkestruar nga PS!

ZGJEDHJET-Përplasja e parë/ 500 euro për votën, arrestohet i
Sali Berisha

LUSHNJË- Pas arrestimit të 38-vjeçarit Marin Leka për blerje votash, çështja ka kaluar në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kjo pasi, SPAK dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë nrgitur një task forcë së bashku për të hetuar krimin zgjedhor.

Ndërsa në lidhje me rastin një reagim ka ardhur edhe nga Partia Demokratike në qarkun e Fierit. PD ka mohuar të ketë lidhje me rastin e krimit zgjedhor dhe ka kërkuar hetim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Sipas tyre, e gjitha është një skemë e ngritur nga Partia Socialiste për t'i sulmuar para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.

Deklarata e PD:

Sajesat e turpshme si të Sigurimit të Shtetit as na ndikojnë, as na shfokusojnë nga misioni ynë për të bërë më të mirën për Shqipërinë. Ne distancohemi nga çdo krim elektoral dhe jemi në krye të betejës kundër shkeljeve të ligjit në zgjedhje. Manipulimet e opinionit publik të kryer nga Policia e Shtetit, një bandë në shërbim të Belinda Ballukut, duhet të marrin përgjigje nga Prokuroria e Posaçme. SPAK duhet të hetojë menjëherë rastin dhe të vendosë para përgjegjësisë cilindo që ka shkelur ligjin. Ne kemi besim të plotë tek SPAK për zbardhjen e këtij rasti, ku po keqpërdoret Policia e Shtetit për propagandë bajate kundër PD. Sajesa e trashë, qesharake dhe e turpshme e Policisë së Shtetit është bërë për llogari të PS dhe Belinda Ballukut për të zhurmuar krimin elektoral të detyrimit të administratës për të marrë pjesë në mitingjet e PS. 35 fletëthirrje janë dërguar tek strukturat e Partisë Socialiste për krime zgjedhore vetëm ditën e djeshme për këtë krim elektoral. Ne inkurajojmë Prokurorinë e Posaçme që të vijojë punën për goditjen e çdo krimi zgjedhor në qarkun Fier.

Lidhur me rastin nuk ka munduar as reagimi i kryedemokratit Sali Berisha. Ky i fundit, gjatë një konference me gazetarët tha se këto ngjarje janë të stimuluara nga kryetarja e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni dhe ish-kryepolici Ardi Veliu. Për Berishën, personi që ka kryer denoncimin është rekrutuar prej tyre dhe paralajmëroi edhe përjashtimin e tij nga Partia Demokratike.

"Po të garantoj mijë për mijë, kjo është si rasti i Belerit, këto janë simulime sepse është e tëra e organizuar nga Vlora Hysenaj dhe Ardi Veliu, kategoria e provokatorëve sepse e dinë që fluturojë atje ku e meritojnë pas datës 11 maj, dhe të garantoj se sapo të mësoj emrin e personit që ka marrë pjesë, përjashtohet në mënyrë përfundimtare nga PD. Përjashtohet si agjent i Shërbimit Informativ Shtetëror dhe i policisë kriminale, nëqoftëse është njëri që e ka bërë. Pra ai që e ka bërë, unë do ta përjashtoj nga PD si njeri të rekrutuar nga Vlora Hysenaj dhe Ardi Veliu. Se e kanë si ekspertë të sigurimit të shtetit të vjetër. Në një reagim publik, PD e Fierit, tha se distancohet nga çdo krim elektoral, dhe i kërkon SPAK të vë këdo para përgjegjësisë. Por sipas saj, e gjitha është një histori e stisur nga policia për llogari të Partisë socialiste dhe drejtueses politike në qarkun e Fierit Belinda Balluku,"-shtoi Berisha lidhur me ngjarjen.

Ndërkohë që po sot, kreu i SPAK, Altin Dumani tha se në institucionin që ai drejton ka pasur disa kallëzime lidhur me krimet zgjedhore, të cilat po hetohen nga agjentët./ZËRI

1 DITE ME PARE

Blerja e votave në Fier/ PS: Fushata nuk është arenë shpikjesh e intrigash

ZGJEDHJET-Përplasja e parë/ 500 euro për votën, arrestohet i
Kiduina Zaka, kandidate për deputete e Qarkut të Fierit

TIRANË- Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka bërë një reagim zyrtar lidhur me pretendimet e Partisë Demokratike lidhur me arrestimin e një personi që kërkonte të blinte vota nën logon e PD-së. Në një reagim në rrjetet sociale, Balluku e cila ka edhe detyrën e drejtuesit politik të qarkut të Fierit, shkruan se drejtues të PD po përpiqen të heqin nga vetja përgjegjësinë për kryerjen e krimeve elektorale. Sipas saj, demokratët kështu po përpiqen të justifikojnë humbjen në zgjedhjet e 11 majit. 

Postimi i plotë:

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Belinda Balluku (@belindaballuku)

Fushatë e re, avaz i vjetër! Po të njëjtat skema, po e njëjta situatë me Partinë e Kënetës. Vjedhin, vrasin, shpifin e mallkojnë dhe më pas thonë – jooooooooo nuk i kemi bërë ne, por ata. Akuzojnë burra e gra, pleq e fëmijë për bëmat e tyre, por i ka dal boja prej 12 vitesh tashmë. Po përgatisin skenarin për humbjen historike të Partisë së Kënetës me këto deklarata e veprime të dëshpëruara, ndaj ju mos ia kurseni më 11 Maj shuplakën finale! Të kapur në krim elektoral drejtues të PD Fier përpiqen të heqin përgjegjësinë nga vetja, por shqiptarët e dijnë se kush janë ata që për të arritur qëllimin e mrapshtë janë gati të vrasin dhe njerëz. Ne ju bëjmë thirrje drejtuesve lokale dhe vendor të heqin dorë nga këto tentativa sepse nuk kanë asnjë shans të deformojnë vullnetin e popullit tonë. Këto veprime janë për të justifikuar humbjen e zgjedhjeve të 11 majit për partinë e kënetës dhe partickat që janë hapur. Vota e shqiptarëve do të jetë për të ardhmen amerikane, për pasaportën europiane që duan ta mbajnë peng bufat. PS ju bën thirrje qytetarëve që të denoncojnë pa frikë cdo tentativë për blerje votash. Fushata nuk është arenë shpikjesh dhe intrigash.

Marin Leka, 38 vjeç është arrestuar në Lushnjë pasi dyshohet se i premtoi para një personi për t’i marrë votën në këmbim të 50 mijë lekë të reja. Në banesë i gjetën kartën e identitetit të denoncuesit Muharrem Toska. Sipas këtij të fundit, Leka i kishte kërkuar ID për të votuar për Partinë Demokratike. Për rastin reagoi edhe opozita, duke e cilëuar ngjarjen si inskenim të socialistëve./ZËRI

2 DITE ME PARE

"500 euro për PD"/ Pranga 38-vjeçarit në Lushnjë, e kallëzuan se po blinte vota për opozitën, me vete kishte karta ID

ZGJEDHJET-Përplasja e parë/ 500 euro për votën, arrestohet i
ARRESTIMI

LUSHNJË-Marin Leka, 38 vjeç është arrestuar në Lushnjë pasi dyshohet se i premtoi para një personi për t’i marrë votën. Gjithçka nisi pas denoncimit në komisariat të një qytetari, se një person i quajtur Marin Leka me banim në Lushnjë, i kishte premtuar t’i jepte para, në total 50 mijë lekë të reja nëse ai dhe familja e tij, votonin më 11 maj, për një subjekt politik. Si "garanci" i kishte marrë kartën e tij të identitetit. Në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, efektivët e Lushnjës, kryen kontroll në banesën e 38-vjecarit, ku gjetën kartën e identitetit të denoncuesit Muharrem Toska. Arrestimi i Lekës, siç njofton zyrtarisht Policia, u bë nën dyshimet për dy vepra penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje" dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”.

Vetë i arrestuari Marin Leka mësohet se e ka pranuar që ka marrë kartën e qytetarit, e cila iu gjet në banesë, me premtimin se do i jepte para në këmbim të votës, por nuk ka treguar se për cilin subjekt politik e kërkoi votën e tij dhe të familjes. Pretendimet se vota do të shitej për Partinë Demokratike është bërë nga kallëzuese Muharrem Toska. 

Njoftimi i policisë:

I premtoi një shtetasi, dhënien e një shume parash, dyshohet për t’i blerë votën në interes të një subjekti politik, vihet në pranga 38-vjeçari. Sekuestrohet karta e identitetit e shtetasit që i ishin premtuar paratë.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. L., 38 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje" dhe “Marrja dhe përdorimi i paligjshëm i dokumentit të identifikimit”.

Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dyshohet se shtetasi M. L. i ka marrë një shtetasi, kartën e identitetit, si dhe i ka premtuar dhënien e një shume parash, dyshohet me qëllim blerjen e votës në favor të një subjekti politik, pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprime të mëtejshme.

Krimet elektorale janë në kompetencën e SPAK, ndaj Prokuroria e rrethit Fier e delegoi çështjen pranë Strukturës së Posaçme, ndërsa në lidhje me rastin një reagim ka ardhur edhe nga Partia Demokratike në qarkun e Fierit. PD ka mohuar të ketë lidhje me rastin e krimit zgjedhor dhe ka kërkuar hetim nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion. Sipas tyre, e gjitha është një skemë e ngritur nga Partia Socialiste për t'i sulmuar para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. /ZËRI

Poll

MOS HUMB