“Shqipëria Bëhet” çel fushatën në Vlorë: Mos na lini vetëm, s’mund të ketë Republikë të pasur me njerëz të varfër

VLORË- Koalicioni “Shqipëria Bëhet” kanë zgjedhur Vlorën për të çelur fushatën për zgjedhjet e 11 majit. Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani mbajtën fjalën e tyre përpara mbështetësve, të cilëve u kërkuan votën më 11 maj me premtimin se do të sjellin ndryshime në ekonominë e vendit. Koalicioni “Shqipëria Bëhet” premtoi një minimum jetik prej 200 eurosh si dhe u ndal tek korrupsioni e bujqësia që siç duket janë kryefjala e programit të tyre. Lapaj u shpreh se do të ketë ulje të taksave ndaj biznesit si dhe subvencione në bujqësi e blegtori.
“Do e çojmë paranë te ata që i kanë duart me kallo dhe ballin me rrudha. Këta me xhetona nga Tirana që më thonë mua sikur kam qenë unë në qeverisje për 34 vite, këta që bëjnë pallate e kulla, unë u them se unë nuk do ndalem. Këta të baltës ndihen të kërcënuar sepse e dinë. S’mund të ketë Republikë të pasur me njerëz të varfër. Këta duan të na sjellin njerëz nga Bangladeshi, por ky vend duhet të jetë i shqiptarëve. Mos na lini vetëm,”- tha Lapaj ndër të tjera.
LaCivita për Berishën: Ka programin e ngjashëm me atë të Reagan dhe Trump

TIRANË- Drejtuesi i fushatës së kryedemokratit Sali Berisha, Chris LaCivita ka mbajtur fjalën e tij në Pallatin e Kongreseve. Përpara demokratëve, ai u shpreh se Berisha është një mik i vërtetë për familjet shqiptare dhe ka një program të vërtetë për të ulur koston e jetesës për familjet shqiptare dhe një plan të mirëfilltë konservator. Programin e Berishës, ai e krahasoi me atë të Presidentëve Ronald Reagan dhe Donald Trump.
Fjala e Chris LaCivita:
Të gjithë e dimë se 12 vitet e fundit nën drejtimin e Edi Ramës kanë qenë një dështim i plotë dhe i madh.
Një dështim në drejtimin e qëndrueshëm dhe një dështim për familjet shqiptare. Ndërkohë kemi Dr. Berishën, një mik të vërtetë për familjet shqiptare. Ai ka një program të vërtetë për të ulur koston e jetesës për familjet shqiptare dhe një plan të mirëfilltë konservator, ashtu si Presidentët Ronald Reagan dhe Donald Trump. Është një plan real për të ulur taksat, një plan real për rininë shqiptare, për punësim dhe mundësi. Kjo fushatë ka të bëjë pikërisht me këtë: udhëheqjen konservatore dhe të qëndrueshme të Dr. Berishës përballë një socialisti të paqëndrueshëm që fshihet pas hijes së vet. Një fitore për Dr. Berishën është një fitore për familjet shqiptare. Faleminderit! Fitore! Fitore!
Berisha për programin e PD: Mu deshën 3 vite ta përgatisja, do ringremë Shqipërinë

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha deklaroi se i janë dashur plot tre vite për të përgatitur programin me të cilin kërkon të vijë në pushtet. Në fjalën e tij që mbajti në Pallatin e Kongreseve, Berisha tha se ky projekt do të rehabilitojë dhe do ngrejë Shqipërinë nga pasojat që solli rilindja në 12 vite. Dhe për të nxjerrë programin e realizimit, kryedemokrati tha se ka patur mbështetjen e ekspertëve të të gjitha fushave në Shqipëri. Ai përmendi dy fondacionet më të mëdha konservatore në botë, Konrad Adenauer dhe Heritage Foundation që dhanë kontributin e tyre dhe ekspertizën e tyre në këtë program.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Janë dashur tre vite të plota për të hartuar projektin e Shqopërisë Madhështore. Ditën që iu përgjigja thirrjes për t’u rikthyer në mbrojtje të demokracisë, atë ditë unë mora një vendim.
Unë nuk rikthehesha për pushtet, nuk rikthehesha për pasuri, as për luks, nuk kam qenë i interesuar për to as në rininë time, kur unë i jam rikthyer betejës për dinjitetin tim. Aq më pak mund të jem unë në vjeshtën e bukur të jetës sime dhe pas një karriere të përmbushur, nëse do rikthehesha, vendosa të bëj çdo gjë për një trashëgimi të re të PD, të opozitës shqiptare, të konservatorëve shqiptarë. Dhe me arritjen e mëparshme, pluralizmin politik gjatë Berishës së parë, NATO-n gjatë Berishës së dytë, kërkoja diçka që Berisha i tretë të tejkalonte tërësisht të parin dhe të dytin disa herë. Dhe kjo diçka duhet t’u jepte përgjigje halleve dërrmuese të shqiptarëve. Ndaj dhe ne bëmë këtë projekt, duke ditur situatën e rrezikshme ku gjendet Shqipëria. Shqipëria sot po vuan pasojat e një pushtimi nga vjedhja që iu është bërë shqiptarëve këto 12 vjet. Ne jemi në kushtet e një pabarazie të madhe ekonomike. Arsimi është rrënuar siç tregon testi i PISA-s. Shëndetësia është shkatërruar siç tregon skandali i Spitalit Onkologjik. Çmimet e larta dhe korrupsioni e kanë bërë ndërtimin e jetës të pamundur për të rinjtë. 45 përqind e shqiptarëve kanë ikur dhe 84 përqind e tyre që kanë mbetur, duan të ikin. Prandaj PD gërmoi në histori për të gjetur se çfarë programesh kanë përdorur vendet që janë gjetur në rrënoja siç gjendet sot Shqipëria pas 12 vitesh narkodiktaturë. Të frymëzuar nga këto projekte, ne hartuam projektin e Shqipërisë Madhështore, si projektin që do të rehabilitojë dhe do ngrejë Shqipërinë nga pasojat që solli rilindja në 12 vite. Por këtu, modestish unë nuk do bie dakord me ata që thonë se politika është arti i të mundshmes. Jo, për mua dhe për ju që realizuam pluralizmin, që realizuam anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ne me politikën tonë kemi realizuar të pamundurën. Ndaj dhe ne, këtë projekt e nisëm me të njëjtën formulë të përdorur në arritjet e mëparshme. E nisëm me një ëndërr dhe kjo ëndërr quhet Shqipëria Madhështore. Prandaj ne pyetëm veten: si do e bëjmë këtë ëndërr realitet? Dhe për të nxjerrë programin e realizimit patëm një staf të jashtëzakonshëm, ekspertë të shkëlqyer të të gjitha fushave në Shqipëri, por edhe ekspertë ndërkombëtarë,veçanërisht dy fondacionet më të mëdha konservatore në botë, Konrad Adenauer dhe Heritage Foundation dhanë kontributin e tyre, ekspertizën e tyre në këtë program. Me ndihmën e tyre ne kthyem projektin e Shqipërisë Madhështore në një plan konkret, plotësisht të realizueshëm në 4 vite. Tani unë do të njoh shqiptarët me projektin e Shqipërisë Madhështore, që për 29 ditë, do të jetë ëndërr e bërë realitet me fitoren e forcave opozitare.
Berisha: PS na kopjoi programin! Por kopja mbetet kopje, si Nokia me iPhone-n

TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha ka prezantuar sot programin e Partisë Demokratike. I pranishëm në Pallatin e Kongreseve, Berisha tha se kryeministri Edi Rama u ka kopjuar programin, duke parë se sa i mirë dhe i vlefshëm ishte për të ardhmen e Shqipërisë. Megjithatë, ai bëri një krahasim duke u shprehur se edhe Nokia tentoi të kopjonte Iphonen, por nuk ia doli dot. Sipas Berishës, tashmë Rama e ka pranuar se nuk ka një projekt dhe se mënyra e tij për të marrë pushtetin, është vetëm duke vjedhur.
Pjesë nga fjala e Berishës:
Miqtë e mi, dy ditë Shqipëria përjeton një festë të vërtetë. Përjeton festën e shpresës, festën e optimizmit, festën e dinjitetit, festën e cila është e gjithë energjia e fitores së 11 majit. Sot ne jemi mbledhur këtu për të prezantuar një projekt që në 34 vite, Shqipëria nuk e ka pasur kurrë ndonjëherë. Një projekt aq i mirë, sa edhe PS, e cila qeverisi 12 vite me mashtrime me vjedhje, u kthye ta vlerësojë, të vjedhë dhe ta kopjojë. Ndonëse kundërshtarët politikë, Edi Rama e pranoi se nuk ka projekt, apo më mirë të themi, projekti i tij është vetëm dora për të vjedhur. Por miqtë e mi, kopja mbetet kopje e shëmtuar. Asnjë nuk gënjehet. E mbani mend, Nokia tre dekada më parë ishte në zenitin e teknologjisë, por Apple nxori iPhonen e parë, shumë herë më lart se Nokia. Nokia tentoi të kopjojë iPhonen, dështoi. Apple nuk ia përmendi kurrë kopjen Nokias, por vazhdoi të përmirësojë iPhonen e saj.
Sepse kopja mbetet kopje, nuk rritet, nuk shitet, nuk pranohet.
Zyrtarisht në fushatë! Berisha kërkon pushtetin, Rama mandatin e katërt

TIRANË- Ka nisur zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kryedemokrati Sali Berisha kishte rezervuar sheshin “Nënë Tereza” një natë më parë, nga ku prezantoi të gjithë kandidatët për deputetë. Krah kryedemokratit Sali Berisha ishte Chris LaCivita, strategu i fitores së presidentit Donald Trump. Kolona zanore që ka shoqëruar Berishën që mesa duket është përzgjedhur për këtë fushatë ishte “Eye of the tiger” nga Survivor, këngë që gjithashtu na kujton filmin e Rocky Balboa dhe që flet për një ringritje. Kjo është dhe ajo që kërkon Partia Demokratike të bëjë, të rimarrë pushtetin pas 12 vitesh.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste kërkon një mandat të katërt duke premtuar pasaportën evropiane. Fushata e Ramës do të shoqërohet nga një këngë e bërë posaçërisht nga reperi Rigels Rajku, i njohur gjerësisht si Noizy.
Një natë më parë, Partia Socialiste zhvilloi një takim me gratë kandidate për deputete në të 12 qarqet e vendit, ndërsa sot, në orën 12:00 u mblodhën të gjithë në sheshin “Skënderbej”. Në fjalimin e tij Rama u fokusua në integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ndërkohë që atmosfera mbizotëronte me këngë të të gjitha krahinave shqiptare, pasi kishte të ftuar këngëtarë të ndryshëm. Gjithçka kulmoi me ngjitjen e Noizyt në skenë, i cili dhe në një postim në rrjetet sociale ka shpjeguar bindjen e tij. Reperi thotë se nuk sheh programet e partive, por individët dhe se ndonëse dikur familja e tij ka qenë e djathtë, sot nuk ia mbush askush mendjen përveç Ramës.
Fushatën e kanë hapur edhe partitë e vogla. Partia "Mundësia" e drejtuar nga politikani Agron Shehaj, e çeli duke lëvizur me autobus nga veriu në jug të vendit. Koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet” e hapi në Vlorë, ndërsa "Lëvizja Bashkë" e Arlind Qorit do të hapë zyrtarisht fushatën elektorale më 13 prill në Fier, 10:30, te Teatri Bylis.
PD prezanton programin, LaCivita mbërrin në Pallatin e Kongreseve, momenti kur shtrëngon duart me të pranishmit

TIRANË- Partia Demokratike po prezanton sot programin në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 11 majit 2025. I pranishëm është edhe strategu i fushatës elektorale të PD, Chris LaCivita. Ai ka mbërritur në Pallatin e Kongreseve ku shihet teksa takon dhe përshëndet aleatët e Partisë Demokratike, mes tyre dhe kreun e Partisë Republikane, Fatmir Mediu. E pranishme në sallë është e gjithë struktura e opozitës.
Këngë për fushatën e PS-së, Noizy: PD-ja më kujton errësirën, askush s’ma mbush syrin përveç Ramës

TIRANË- Reperi Rigels Rajku, i njohur gjerësisht si Noizy ka shpjeguar arsyet që e kanë bërë të mbështesë Partinë Socialiste në këto zgjedhje. Në një postim në rrjetet sociale, Noizy thotë se nuk sheh programet e partive, por vetëm individët. Ai shton se pavarësisht se dikur familja e tij ka qenë e djathtë, ajo kohë i kujton vetëm errësirën. Ndërsa sot, nuk ia ‘mbush syrin’ askush tjetër përveç Ramës.
"Shiko, po e them një herë e mirë se çfarë mendoj dhe besoj. Familja ime dikur ishte me PD-në. Mirëpo unë personalisht kam kujtime dhe eksperienca jo të këndshme nga ajo periudhë më kujton një rrëmujë, një errësirë dhe as nuk dua ta imagjinoj të jetoj asnjë ditë si ajo kohë. Me të thënë të drejtën, unë as nuk i shoh programet e partive. Sepse për mua, kushdo ta fitojë, unë prapë i njëjti jam dhe i njëjti do të mbetem: ai që fle i fundit dhe zgjohet i pari, ai që fle më pak se 5 orë gjumë gati çdo ditë, ai që shkon në punë pa orar, për të arritur atje ku asnjë artist rap shqiptar s’ka arritur kurrë. Unë shoh individët kush drejton cilën parti dhe kush janë ministrat e deputetët e secilës parti. Dhe a mund t’u besoj unë këtyre individëve t’u jap votën time për vitet e ardhshme? Deri tani, me të thënë të drejtën, s’ma mbush syrin askush përveç Ramës. Këta dy të rinjtë që dolën në protestë përballë bashkisë, ja nisën duke u kapur me grushta mes vete, nuk u habita, të them të drejtën. E sa i përket këtyre të tjerëve, as që bëhet fjalë. Sepse unë dua ndryshim, por ndryshimi s’ka kuptim nëse s’ka përmirësim. Nuk e kemi luksin të rrimë në vend, e lëre më të shkojmë mbrapa. Kështu që, deri kur dikush të ma mbushë mendjen, unë votoj publikisht PS-në,”- shkruan në postim.

Noizy ishte kryefjala e hapjes së fushatës së Partisë Socialiste në sheshin “Skënderbej”, pasi prezantoi dhe këngën zyrtare, me të cilën kryeministri Edi Rama do të bëjë turin e tij nëpër Shqipëri.
Rama thirrje qytetarëve: Braktisni profetët e rremë dhe qeniet qesharake

TIRANË-Kryeministri Edi Rama në hapjen e fushatës elektorale të PS, e mbylli fjalimin e tij duke kërkuar votën e të gjithë shqiptarëve pa dallime partiake me qëllimin e vetëm për Shqipërinë në BE në vitin 2030.
Edi Rama: Do të meritojnë më në fund, dhe nuk e kanë merituar shumë e kanë marrë peng këtë vend dhe e kanë kthyer me sytë nga Azia, do të meritojnë ngaëzillimin e tyre që më bukur se kurdo tjetër shprehet me fjalët e pavdekshme të Gjergj Fishtës, si erdh turrej mendja e shqiptarit për të gëzuar lirinë jetike, trashëgim lanë atij prej të parit e sa u ba gjaku dhe sa rrena e tradhëtia, derisa dul Shqipëria më veti, s’i premtue kish perëndia. Më pas vjen fjalia rrënqethëse, të falesh Shqipëri, ti shpirtim tem dashuri. Besojini kësaj profecie shqiptare me bindjen, besojini këtij momenti ndryshe se është ndryshe jo për ne dhe as për ju, por për Shqipërinë tonë të përbashkët dhe bashkoni me shumicën tonë. Besojini Shqipërisë në BE. Braktisini profetët e rremë, qeniet qesharake që predikojnë madhështira qesharake apo ofrojnë barna popullore për hallet tuaja, të cilat duhet t’i zgjidhim vetëm së bashku për të qenë të lartësuar në historinë e Shqipërisë me Evropën dhe të Evropës me Shqipërinë. Sot është koha për këtë besim të lartë, besim shumë i lartë. Më shumë se kurrë sot është dita që Naimi e pa dhe u ngazëllye... Besojini se Shqipëria bëhet kur ne bijtë dhe bijat e saj t’ia vendosim në kokë kurorën me 12 yjet që flamuri evropian ia huazoi kurorës së zojës lart në qiell, nënë e pepelgrinëve që shpresojnë që si pajtore e Shqipërisë.
“Latif eja se po më rrahin”, Rama për LaCitiva: Bravo i qoftë ka gjetur budallenj, iu merr para

TIRANË-Kreyminstri Edi Rama në fjalën e tij gjatë hapjes së fushatës ironizo Këshilltarin e fushatës së PD, Chris LaCivita. Rama i është përgjigjur postimit të Chris LaCivita, i cili shpërndau një video në platformën X, ku shfaqet një buf që ha një mi. Kryeministri e quajti LaCivita “një latif” duke shpjeguar edhe kuptimin e saj.
“Një latif nga Amerika, latifi për të gjithë ne që jemi rritur në lagjet e Tironës të kujton atë të fortin e lagjes që qullësi poshtë pallatit shkon e thërret i thotë ‘hajde latif se ata do të më rrahin’,”- deklaroi kreu i qeverisë.
Rama theksoi se Chris LaCivita “gjeti budallenj që e paguajnë”, duke ngirtur dyshime mbi origjinën e parave.
Edi Rama: Këneta thotë se anëtarësimi në BE nuk është prioritet dhe ai do të ndodhë, por prioritet sipas tyre është kthimi i bufit për të 3 herë në krye të vendit se në 2 herët e fundit nuk e shkatërroi mjaftueshëm vendin. Ndaj solli bufi një Latif nga Amerika me paratë që kush e di nga i gjeti. Latifi të kujton të fortin e lagjes që qullësi poshtë pallati i thërret e i thotë eja se do të më rrahin. Latifi publikoi dje një buf që hante një mi. Atij bravo i qotë se ka gjetur budallenj e iu merr para.
/ZËRI
Rama hap fushatën elektorale të PS: Kush hyn në BE nuk luan dot kukafshehti me qytetarët e vet

TIRANË-Kryeministri Edi Rama në hapjen e fushatës elektorale të Partisë Socialiste, deklaroi se 11 maji është pikë ndarëse mes dy rrugëve: drejt Bashkimit Europian apo kthimit në gropë. Rama theksoi se Shqipëria ka bërë përparime të dukshme gjatë mandatit të tij, duke përmendur reformat që kanë sjellë zhvillim konkret, siç është krijimi i një sistemi të drejtësisë të pavarur. Rama tha se vetëm në BE garantohet pathyeshmëria e reformës në drejtësi, duke thënë se nuk mund të lihet në dorë të çdo orvatje e kënetës.
Edi Rama: Sa më të bashkuar e të vetëdijshëm për fatin që na ka ardhur në dorë, por jo përgjithmonë se takimi me historinë nuk pret dhe as nuk shtyhet dot pas qejfit tonë, duhet t’i shkojmë rrugës së hapur të fatit pa paragjykime dhe tundime për budallallëqet e radhës. Nëse duam t’i japim fund historisë së një populli i mbetur si i dorës së dytë, dhe tu dorëzojmë fëmijëve tanë edhe brezave që vinjë, një vend brenda kufijve të BE ku mes shqiptarit e italianit, grekut apo gjermanit të mos ketë më asnjë dallim. Por të mos ketë edhe asnjë shans për ta parë shqiptarin nga lart poshtë. Shqipëria sot nuk është gjëkundi njësoj me atë që ishte kur ne morëm detyrën në asnjë fushë përveçse në kënetën e opozitës dhe mediave rreth saj, kur për hir të së vërtetës sitiata është më keq seç ishte kur ne morëm detyrën. Nuk ka asnjë dyshim se Shqipëria sot nuk do të jetë njësoj gjëkundi me Shqipërinë 2030. Mbase edhe këneta opozitare do të jetë tharë deri atëherë por kjo ështe e vetmja gjë që ka në dorë pakica dhe jo shumica e shqiptarëve. Shqipëria 2030 do të jetë Shqipëri e re, vend me një tjetër pozicion e tjetër fuqi si shtet anëtar i një familjeje të madhe lirish, të drejtash e mundësish që sot s’i kemi akoma dhe që as nesër s’mund t’i kemi pa u bërë pjesë e asaj familjeje. Kush hyn në atë shtëpi nuk luan do më kukafshehti me qytetarët e vet. Në atë familje askush s’e vë dot në pikëpyetje bazarinë para ligjit për qytetarët e vet. Barazinë para ligjit populli shqiptar nuk mund ta lë në dorë të qeverive, por duhet ta marrë vetë në dorë. Duhet ta mbrojë, duke nisur nga 11 maji. Zgjedhja nuk është mes sa partive, por mes Shqipërisë 2030 në BE dhe Shqipërisë drejt e në gropë përsëri. Me ne, ose me kënetën madhështore dhe me shitësit e qilimave fluturues të pazarit të moçaleve të vegjël rreth saj, që kanë edhe lloj emrash, jo bëhet jo s’bëhet, jo bashkë jo veç. Vetëm Shqipëria 2030 në BE e blindon përfundimisht pa asnjë mundësi prapakthimi themelin e barazisë para ligjit që PS pati kuarjon ta hedhë dhe deri kur ne ta fusim zonjën Shqipëri në sallonin e madh, kryesor të BE, vetëm shqiptarët e bashkuar me mua dhe ju mund të mbrojë drejtësinë e re nga çdo orvatje e kënetës. Mund të mbyllim negociatat me BE brenda 2 vitesh.
Kënga e fushatës së PS! Rama në skenë me Noizy-n: Solla një çun problematik, hajde boss

TIRANË-Kryeministri Edi Rama u ngjit në skenë me reperin Noizy, i cili zbuloi edhe këngën që do të shoqërojë PS gjatë fushatës, kushtuar Bashkimit Europian.
Edi Rama:Unë kam sjellë surprizë një çun problematik, të cilit i kërkova të vijë këtu para jush edhe nga ky shesh të flasë ashtu sic ai di të flasë përmes fjalësh dhe tingujsh dhe e ftoj. Hajde bos… Para ca ditësh isha në studion e tij dhe dëgjova një këngë të re. Duke qenë se Noizy është i joni, i imi dhe i juaji, i thashë hajde se unë do ngelem vetë me zërin tim, ndërkohë që të tjerët vijnë me këngë dhe valle. Ja ku është këtu.
/ZËRI
Tirana prezantohet me këngën e Parashevi Simakut dhe 'Napolonin'! Manastirliu: Motor i zhvillimit të Shqipërisë

TIRANË-Qarku i Tiranës është prezantuar në fushatën elektorale të PS-së me këngën e Parashevi Simakut. Ndërkohë që pas kësaj këngë, ka kënduar 'Naplonin' Eranda Libohova.
Drejtueset politike të qarkut të Tiranës, Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali mbajtën fjalën e tyre në çeljen e fushatës elektorale të PS. Manasterliu dhe Spiropali theksun se shqiptarët kanë zgjedhur të ecin përpara me krenari dhe vizion evropian.
Manastirliu: Këto nuk janë 30 dit fushate, janë 30 dit vendimtare për të vulosur një zgjedhje që ka nisur prej kohësh, që Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së. Tirana është shëmbëlltyra e këtij transformimi falë vizionit dhe punës të Edi Ramës. Në çdo cep të Tiranës ndihet ndryshimi. 30 ditë për numrin 5, 30 ditë për Edi Ramën, për Partisë Socialiste. Fitore.
Spiropali: Betejat elektorale ashtu si dhe betejat e tjera nuk fitohen në sprintin e fundit. Sot ka filluar sprinti i fundit 30 ditë deri në fitore. Fiton në maratonë dhe në këto 3 mandate Edi Rama dhe socialistët kanë treguar se janë maratonomak.
Fushata e PS- Lezha me lahutë! Elbasani me 'Ecim përpara’, Mazniku: E kemi ndarë mendjen me Ramën drejt BE

TIRANË-Qarku i Lezhës në çeljen e fushatës së PS me Luhutën e Malësisë. Drejtuesi politik i qarkut të Lezhës, Ulsi Manja tha se duan të paktën 4 mandate.
“Nuk do flas gjatë, Shqipëria ka qenë prej moti në Europë, por me Ramën dhe PS më 11 maj ne do ta sjellim Europën në këtë shesh për të folur shqip edhe ne njëlloj si gjithë të tjerët në familjen europiane. Votojmë PS për të marrë jo më pak se 4 mandate nga 7 që ka qarku i Lezhës”, tha Manja.
Ndërkohë qarku i Elbasanit u prezantua me këngën “Ne ecim përpara”, kënga që shoqëroi fushatën e PS gjatë zgjedhjeve të kaluara, e shkruar nga Petrit Vullkani. Drejtuesi politik i këtij qarku, Arbjan Mazniku shprehu bindjen se PS do të marrë 9 mandate.
"Ashtu si gurët e këtij sheshi që kanë ardhur nga çdo cep i Shqipërisë, sot nga çdo cep Shqipëria është bashkë, e qartë për drejtimin që do të marrë. Përpara kemi sfidat që Shqipëria ka pasur ndonjëherë, bërja më në fund realitet e ëndërrës së shqiptarëve për të qenë të barabartë si qytetarë si të Evropës. Dhe sot si gjithë Shqipëria, Elbasani e ka ndarë mendjen me PS dhe Ramën drejt Evropës për zhvillimin e turizmit, për automotorparkun. Librazhdi e ka ndarë mendjen me PS dhe Ramën drejt Evropës për zhvillimin e turizmit, gramshi e ka ndarë mendjen drej Evropës me PS dhe Ramën për rivitalizimin e industrisë së mbrojtjes. Cërriku e ka ndarë mendjen për t’i dhënë zhvillimin që duhet bujqësisë. Peqini e ka ndarë mendjen për t’u ndërlidhur me autostradat e reja dhe lonijat e trenit që po lidhin tashmë Elbasanin. Përrenjasi e ka ndarë mendjen drejt Evropës për të rivitalizuar turizmin dhe industrinë minerare. I gjithë Qarku i Elbasanit e ka ndarë mendjen i sigurt se duhet të ecë drejt Evropës. Qarku i Elbasanit i vendosur se do të vijë me 9 mandate, rezultatin më të mirë që PS ka pasur ndonjëherë për të siguruar ndonjëherë për të siguruar që jo vetëm Elbasani por edhe gjithë Shqipëria të ketë rezultatin më të mirë që ka pasur PS.”, u shpreh ai.
Prezantohen me këngë ekipet e PS- Fieri me "'Free Mc's", Kukësi me valle, Durrësi me 'Ricchi e Poveri'
TIRANË-Partia Socialiste ka hapur zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e 11 Majit. Një fushatë ndryshe, ku në sheshin ‘Skënderbej’, 12 qarqet po prezantohen sipas radhës me këngë e valle tradicionale.
Drejtuesi politik i qarkut të Dibrës, Blendi Klosi, mbajti fjalën i pari në hapjen e fushatës së PS. Gjatë fjalës së tij Klosi tha se PS do të merrë 1 mln vota. Pas qarkut të Dibrës, i cili hapi dhe fushatën elektorale, ka ardhur qarku i Fierit. Në prezantimin e qarkut të Fierit, PS-ja ka marrë grupin muzikor elitë të Fierit, 'Free Mc', të cilët kanë kënduar këngën 'Vish Fustanin me Toka'.
Për të prezantuar ekipin e Durrësit, PS ka vendosur që të këndojnë këngën e grupit legjendar italian 'Ricchi e Poveri' 'Sarà perché ti amo'. Pasi përfundoi kënga, ka marrë fjalën drejtuesja e këtij qarku Emiriana Sako./ZËRI