Kurti humbi 100 mijë vota, PDK dhe AAK refuzojnë koalicion me të; Pasiguri për qeverinë e re në Kosovë

PRISHTINË- Dy parti opozitare në Kosovë, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e hodhën poshtë mundësinë e lidhjes së ndonjë koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje, e cila i fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Bedri Hamza, i cili ishte kandidat i PDK-së për kryeministër, tha se kjo parti nuk do të hyjë në asnjë koalicion që përfshin partinë e kryeministrit Albin Kurti.
“Kemi dallime të mëdha”, tha Hamza në një konferencë për gazetarët, të hënën në Prishtinë.
“Ata [Vetëvendosje] duan pushtet absolut dhe nuk kanë program. Gjatë fushatës ikën nga ballafaqimi edhe në debate televizive. I ofenduan kundërshtarët politikë dhe qytetarët. Nxitën urrejtje, kurse ne bashkim dhe bashkëpunim”, shtoi Hamza.
Me mbi 95 për qind të votave të numëruara, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin me rreth 41 për qind, PDK-ja me rreth 22%, LDK-ja me rreth 17% dhe AAK-Nisma me rreth 7%. Por, për të pasur shumicën në Kuvend, një partie i duhen së paku 61 deputetë nga 120 sa ka ky institucion gjithsej. Më herët, edhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e përjashtoi mundësinë e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se preferon krijimin e një qeverie nga partitë opozitare.
“Me kënaqësi do të kishim bashkëpunuar me subjektet politike opozitare shqiptare, për të krijuar shumicën që realisht është e mundur”, tha Haradinaj, kandidat i AAK-së për kryeministër, në një konferencë për gazetarë.
“Është në nderin tim që ta ndihmoj një qeveri të opozitës - assesi me Vetëvendosjen”, theksoi ai.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, shkroi në Facebook se LDK-ja pret numërimin e plotë të votave përpara se të dalë me qëndrimet e saj politike.
“Në këtë fazë, vazhdojmë me numërimin e votave të mbetura, sidomos ato në mërgatë. Pas numërimit përfundimtar, LDK-ja do t’i ofrojë qëndrimet e veta politike”, tha Abdixhiku.
Ai nuk e komentoi thirrjen e Haradinajt për një qeveri të opozitës. Ngjashëm edhe zyrtarë të PDK-së, që folën për REL-in, thanë se nuk e kanë komentuar idenë e tij në parti.Duke iu drejtuar mbështetësve një natë më herët, Kurti, i cili shërbeu si kryeministër nga viti 2021, tha se partia e tij do të qeverisë edhe në katër vjetët e ardhshëm, por pa dhënë detaje se si apo në aleancë me kë.
Përkundër fitores në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje pësoi humbje të mbështetjes për gati 10%, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021. Rrahman Paçarizi, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, thotë se Kurti nuk është shumë i interesuar për ta bërë qeverinë e re.
“Kurti ka qenë i interesuar për ta ruajtur rezultatin që ka pasur, por me më shumë se 100 mijë vota të humbura, vështirë se do t’i qaset bërjes së qeverisë. Unë mendoj se edhe opozita nuk ka unitet për ta bërë qeverinë”, thotë Paçarizi për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se vendi, “fatkeqësisht, mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme, përmes disa akrobacioneve kushtetuese dhe ligjore, duke e vonuar deri në maksimum konstituimin e Kuvendit, pas certifikimit të rezultateve”. Zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë ishin të parat të rregullta që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008. Pjesëmarrja e qytetarëve në to ishte pak mbi 40 për qind. Bashkimi Evropian e mirëpriti organizimin e zgjedhjeve në, siç tha, atmosferë të qetë./REL
Zgjedhjet/ Haradinaj: Jemi të gatshëm për bashkëpunim me opozitën, jo me Kurtin

PRISHTINË- Kandidati për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka përjashtuar mundësinë për koalicion me kryeministrin Albin Kurti. Në një konferencë për mediat, Haradinaj tha se është i zhgënjyer nga rezultati i zgjedhjeve parlamentare, madje premtoi "reflektim". Po ashtu, u shpreh i gatshëm që të bashkëpunont me partitë opozitare për ta krijuar shumicën paralemtare.
"Ne kemi ruajtur një votë që kishim, në totalin e kësaj vote jemi diku 70 mijë kur të përmbyllet ky proces, nëntë deputet edhe pse jemi në koalicion. Nuk është një rritje por është një ruajtje e besimit që kishim në të kaluarën. Është në nderin tim që të ndihmojë një qeveri të opozitës, asnjëherë me z. Kurti. Me kënaqësi do të bashkëpunonim me subjektet politike opozitare shqiptare për të krijuar shumicën edhe që është e mundshme realisht nëse kemi këtë gatishmëri. Jemi të gatshëm për këtë. Pa asnjë kusht. Nuk kërkojmë asnjë kusht që pengon të ecim përpara,"-tha Haradinaj.
Në lidhje me deklaratën e kryeministrit në largim, Albin Kurti, i cili i quajti opozitarët “hajvanë”, Haradinaj reagoi ashpër.
“Më hajvan se një kryeministër që pas 4 vjetësh qeverisje ka treguar vetëm vica gjatë fushatës, s’ka pasur një program konkret, s’ka të arritura, asgjë. Fatkeqësisht, ky është realiteti ynë,"-u shpreh ai.
Dje, Kosova vendosi për fatin e 4 viteve të ardhshme, ndërsa numërimi i votave vazhdon ende sot. Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po prin me 40.96 për qind apo 316.016 vota, por ka shënuar rënie nga 4 vite më parë. Partia e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 22.42 për qind apo 172.953 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.62 për qind apo 135.976 vota të fituara. Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, Konservatorët dhe Intelektualët kanë fituar 7.56 për qind apo 58.307 vota. Në këto kushte, LVV nuk krijon dot qeveri./ZËRI
A do të pranojë Kurti kolacion? Paqartësi për përbërjen e re në Kuvend

KOSOVË- Rezultatet preliminare për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë krijojnë paqartësi për përbërjen e re në Kuvend, por edhe të ekzekutivit të ri, vlerësojnë njohësit e çështjeve politike.
Në bazë të rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje është partia që ka marrë më së shumti vota. Kjo parti ka fituar rreth 41.29 për qind të votave, duke mos arritur të përsërisë suksesin e zgjedhjeve të vitit 2021, kur mori mbi 50 për qind të votave.
Me 21.83 për qind të votave, e dyta u rendit Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq e treta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.75 për qind të votave.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë fitoi 7.68 për qind të votave.
Lista Serbe ka fituar 3.96 për qind të votave, që nënkupton shumicën e votave të komunitetit serb në garë me pesë subjekte të tjera politike që garuan për votat e këtij komuniteti.
Rezultati përfundimtar i votimeve do të përcaktojë përbërjen e re të Kuvendit me 120 ulëse, ndërkaq deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re.
Komunitetet joshumicë kanë 20 ulëse të garantuara në Kuvendin e Kosovës. Prej tyre, dhjetë ulëse janë të garantuara për komunitetin serb.
“Kalkulimet” pas votave nga diaspora dhe me kusht
Rezultati preliminar aktual krijon situatë të paqartë dhe jopërfundimtare lidhur me atë se sa do të jetë numri i ulëseve në Kuvendin e Kosovës për secilin subjekt politik, si dhe kush do t’i qaset formimit të Qeverisë së re, vlerësojnë nga Grupi Ballkanik për Politika në Prishtinë.
Drejtori i këtij grupi, Naim Rashiti, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultatet aktuale mund të pësojnë ndryshime për cilindo subjekt garues, pas numërimit të votave nga jashtë Kosovës dhe të atyre me kusht.
“[Lëvizja Vetëvendosje] ka [rreth] 42 për qind, që do t’i bie 47 deputetë. Me votat e diasporës [votat nga jashtë] mund të kemi edhe dy ose tre deputetë. Nëse Vetëvendosje arrin në 49-50 [ulëse të Kuvendit] do të kemi kalkulime të tjera. Nëse subjektet tjera e ulin dallimin me Lëvizjen Vetëvendosje, atëherë sërish do të kemi kalkulimet tjera”, konsideron Rashiti.
KQZ-ja ka njoftuar më herët se 104.934 votues janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës dhe 84.525 prej tyre zgjodhën që të votonin përmes postës.
Përderisa numri i votuesve me postë mbetet të verifikohet, në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë kanë votuar 15.552 persona.
Numri i personave që kanë votuar me kusht ende nuk është bërë i ditur nga KQZ-ja.
Rezultati “imponon kompromise”
Edhe njohësi i çështjeve politike, Artan Muhaxhiri, vlerëson se rezultatet aktuale preliminare të subjekteve politike në zgjedhjet e 9 shkurtit, krijojnë paqartësi lidhur me konfiguracionin e saktë të Kuvendit dhe Qeverisë së ardhshme të vendit.
Bazuar në këto rezultate, sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje, ndonëse është fituese e zgjedhjeve, nuk do të mund të qeverisë e vetme, sikurse në mandatin e kaluar.
“Nëse Lëvizja Vetëvendosje vendos që ta bëjë Qeverinë vetëm me pakicat, atëherë kjo do të jetë një qeveri jashtëzakonisht jostabile, pasi që mezi do t’i arrijë 61 vota. Plus, mund të ketë probleme me Listën Serbe”, thekson Muhaxhiri për Radion Evropa e Lirë dhe shton:
“Nëse partitë opozitare mblidhen të gjitha, bashkohen dhe tentojnë të bëjnë Qeverinë, edhe kjo qeveri do të jetë jostabile dhe me pak gjasa për jetëgjatësi politike”.
Lëvizja Vetëvendosje gjatë fushatës zgjedhore ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni paszgjedhor me partitë e deritashme opozitare.
Një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje e kanë përjashtuar edhe dy partitë tjera, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës, e cila sipas rezultateve preliminare është e dyta, nuk e ka vënë “vija të kuqe” për asnjë subjekt politik për koalicionet eventuale pas zgjedhjeve.
Muhaxhiri konsideron se rezultatet preliminare të zgjedhjeve i bëjnë të paqëndrueshme deklaratat e mëhershme të partive politike lidhur me koalicionet e mundshme pas zgjedhjeve.
“Ky rezultat imponon kompromise. Nuk ka asnjë gjasë teorike që të ketë një qeveri të qëndrueshme pa bërë kompromise”, shprehet Muhaxhiri dhe shton se në ditët në vijim, kur rezultatet përfundimtare do të shpallen nga KQZ-ja, “do të kemi pasqyrë më të qartë se cilat janë ato parti më të gatshme për të bërë kompromise”.
Çfarë thanë partitë politike?
Duke iu referuar rezultateve preliminare, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të dielën vonë ka deklaruar se “edhe sikur të bëhen bashkë PDK-ja dhe LDK-ja, ato nuk bëhen sa Vetëvendosja”.
Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojë të qeverisë me partitë Guxo dhe Alternativa, të cilat garuan brenda listës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Jemi të parët e ky është konfirmim për një qeverisje të mirë, të mbarë dhe demokratike. Koalicioni ynë do ta formojë qeverisjen tonë 3… Ne jemi subjekti fitues që do të formojë qeverinë e ardhshme”, tha Kurti.
Partia Demokratike e Kosovës pozicionimin si forca e dytë politike pas zgjedhjeve e ka konsideruar si rezultat të mirë për këtë parti.
Zëdhënësi i saj, Blerand Stavileci ka deklaruar se ky rezultat është “një dëshmi e qartë e besimit të qytetarëve në vizionin tonë për Kosovën”.
Megjithatë, ai nuk u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve nëse PDK-ja është e hapur për koalicione.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka cilësuar rezultatin e zgjedhjeve si “rezultat demokratik”.
Megjithatë, ai e ka pranuar se për LDK-në “rezultati nuk është i kënaqshëm” në përmasat që e ka pritur kjo parti si dhe nuk ka dhënë asnjë deklaratë lidhur me ndonjë koalicion të mundshëm pas zgjedhjeve.
Ndërkaq, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se “opozita i ka fituar këto zgjedhje”, duke shtuar se pret me padurim “që të bashkëpunojmë për krijimin e Qeverisë”, duke iu referuar një koalicioni të mundshëm pas zgjedhjeve të tri partive të deritashme opozitare.
Në anën tjetër, Lista Serbe, e cila ishte në garë me pesë parti të tjera nga komuniteti serb, ka deklaruar se i ka fituar të dhjetë mandatet e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.
Kjo parti, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, që nga zgjedhjet e vitit 2014 dhe në të gjitha proceset zgjedhore të pastajme, ka fituar të gjitha mandatet e garantuara për komunitetin serb në Kuvend si dhe ka qenë pjesë e ekzekutivit, përveç në mandatin e kaluar të cilën e drejtoi kryeministri i deritashëm, Albin Kurti.
A është e domosdoshme Lista Serbe për krijimin e Qeverisë?
Tensionet e shpeshta në veri të Kosovës që nga viti 2022 e deri në zgjedhjet e sivjetme, e kanë pozicionuar Listën Serbe si kundërshtare të Qeverisë aktuale të Albin Kurtit.
Artan Muhaxhiri thotë se mbetet të shihet nga rezultatet përfundimtare nëse Lista Serbe i ka fituar të dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvend.
Por, edhe në rast se Lista Serbe ka fituar jo të gjitha, por shumicën e mandateve të garantuara, atëherë ajo është përfaqësuesja më legjitime e komunitetit serb në Kosovë, e cila, sipas tij, nuk do të duhej të anashkalohet nga përfshirja në qeverisje nga kushdo që e formon ekzekutivin e ardhshëm.
“Nëse bëhet një krahasim në mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partive opozitare aktuale si partnere të Listës Serbe, atëherë pakrahasueshëm më lehtë do ta bëjë Lista Serbe një koalicion me partitë opozitare”, thekson Muhaxhiri.
Por, ndryshe mendon Naim Rashiti. Ai nuk beson që subjektet politike shqiptare, cilado qoftë, nuk do të llogarisin në Listën Serbe për formimin e Qeverisë së re.
“Ky precedent tashmë është krijuar edhe me situatat e fundit kur Qeveria kishte emëruar ministra që nuk vinin nga Lista Serbe. Besoj se Lista Serbe do të mbetet jashtë ekuacionit të formimit të Qeverisë”, thekson Rashiti.
Ai shton se kushdo që do ta formojë Qeverinë e ardhshëm do të llogarisë që të krijojë partneritet me partitë tjera serbe të Kosovës dhe jo me Listën Serbe.
Edhe Rashiti, por edhe Muhaxhiri, kritikuan Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për siç thanë, “joseriozitet” në informimin e opinionit “përmes faqes së internetit”.
Derisa priteshin rezultatet preliminare nga pjesëmarrja në zgjedhje dhe numërimi i fletëvotimeve me rezultatet e partive politike, qasja në faqja e internetit të KQZ-së, disa herë ishte e pamundur.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit për përbërjen e re parlamentare garuan 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur.
Të drejtën për të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit në Kosovë kishin 1 milion e 970 e 944 persona, prej të cilëve kanë marrë pjesë rreth 40 për qind.
Pjesëmarrja në votim shënoi rënie në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, kur votuan mbi 48 për qind e personave me të drejtë vote.
Për herë të parë kanë votuar 125 mijë votues të rinj./REL
Analiza: Lideri sfidues i Kosovës me më pak mbështetje

KOSOVË- Mbështetësve u premtoi angazhim në “cep më cep” të Kosovës dhe ata i dhanë besimin. Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, fitoi zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë me rreth 41 për qind të votave, sipas rezultateve preliminare.
“Ne do t’i vazhdojmë punët e mira që i kemi nisur në katërvjeçarin e kaluar dhe do të bëjmë shumë punë të tjera, në përputhje me zotimet tona, cep më cep Kosovës”, tha Kurti pas shpalljes së fitores.
Kurti udhëhoqi Qeverinë e Kosovës për katër vjet nga viti 2021 dhe për një periudhë disajavëshe në vitin 2020. Krahasuar me zgjedhjet e para katër vjetëve, mbështetja për partinë e tij ra për rreth 10%. Përkundër kësaj, Kurti tha se Vetëvendosje do të jetë në krye të Qeverisë edhe për katër vjet të tjerë. Nëse dhe me cilën forcë politike do të bashkohet kjo parti për të siguruar 61 deputetë në Kuvendin e Kosovës, nuk është ende e qartë, ashtu siç nuk është as politika që do të ndjekë.
Kush është Kurti?
Kurti është një udhëheqës që ngjall reagime të forta në të dyja anët e spektrit politik.
Për mbështetësit, ai është reformator dhe mbrojtës i interesave të vendit, përballë presioneve nga jashtë.
Për kritikët, është ideolog i sertë, mosgatishmëria e të cilit për kompromise ka çuar në tensionimin e marrëdhënieve me aleatët ndërkombëtarë dhe izolimin e Kosovës në skenën botërore.
Kurti është rritur si figurë në vitet 1990, pas organizimit të protestave kundër represionit të Sllobodan Millosheviçit. Për aktivizmin e tij, ai ka kaluar dy vjet në burgjet e Serbisë dhe është liruar vetëm pas trysnisë ndërkombëtare.
Në vitin 2005, bashkë me aktivistë të tjerë të Rrjetit të Veprimit kanë formuar Lëvizjen Vetëvendosje, e cila më vonë është regjistruar si parti politike. Si lider i saj, Kurti ka ndërtuar karrierën duke kritikuar elitat e mëparshme politike për korrupsion dhe nepotizëm dhe duke kundërshtuar ndikimin nga jashtë.
Dikur i njohur për udhëheqjen e protestave në rrugë, e madje edhe për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, Kurti, ndër vite, e ka zbutur retorikën - nuk avokon më për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por për konsolidimin e mëtejshëm të Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Kurti është zgjedhur kryeministër për herë të parë në shkurt të vitit 2020.
Por, ajo qeveri e tij ka qenë më jetëshkurtra në Kosovën e pasluftës.
Mosmarrëveshjet për trajtimin e pandemisë COVID-19 e mbi të gjitha për qasjen ndaj bisedimeve me Serbinë, janë përshkallëzuar në luftë politike. Dhe, më 25 mars, Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngritur një mocion mosbesimi, duke çuar në kolapsin e Qeverisë Kurti.
Më pak se një vit më vonë, në shkurt të 2021-shit, janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe Lëvizja Vetëvendosje ka fituar mbi 50 për qind të votave.
Si kryeministër për herë të dytë, Kurti është zotuar se shëndetësia, arsimi dhe drejtësia do të jenë përparësi të punës së kabinetit të tij.
Çfarë e ka karakterizuar mandatin paraprak të Kurtit?
Kurti ka premtuar qeverisje të fokusuar në transparencë e llogaridhënie dhe ka theksuar, gjithashtu, rëndësinë e ruajtjes së sovranitetit kombëtar.
Pavarësisht kësaj, Qeveria e tij e ka gjetur veten në raporte të Departamentit amerikan të Shtetit për korrupsion qeveritar, apo të Reporterëve pa Kufij për kufizimin e lirisë së mediave.
Papunësia nga viti 2021 ka qenë në trend të rënies, ndërsa rritja ekonomike është sjellë nën 4 për qind.
Pagat dhe pensionet janë rritur, ashtu si edhe investimet e huaja direkte.
Por, ajo që ka përcaktuar më thellësisht qeverisjen e dytë të Kurtit ka qenë diçka tjetër: vendosmëria e tij për të zgjeruar autoritetin e Kosovës në veri të vendit, ku popullata shumicë është serbe dhe, me vite, nuk u është bindur vendimeve të Prishtinës zyrtare.
Me gjithë kundërshtimet dhe protestat e saj, Kurti ka instaluar kryetarë shqiptarë në krye të komunave me shumicë serbe - pas bojkotimit të zgjedhjeve nga komuniteti shumicë, i ka zëvendësuar targat serbe të makinave me targa të Kosovës, ka hequr nga përdorimi dinarin serb dhe ka mbyllur shumicën e institucioneve të Serbisë, të cilat kanë funksionuar që nga paslufta dhe kanë punësuar mijëra njerëz.
Këto vendime, edhe pse qenësore për vizionin e tij për një Kosovë sovrane dhe të bashkuar, kanë pasur kosto të lartë mbi aleancat ndërkombëtare.
Si rrallëherë në publik, zyrtarët e BE-së dhe të SHBA-së e kanë kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës, duke i përshkruar veprimet e saj si të pakoordinuara dhe në kurriz të komunitetit serb.
Kurti, me veprime të tilla, ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara, ka thënë ndihmëssekretari i atëhershëm i Shtetit amerikan, James O’Brien.
Kosova mund të përparojë vetëm me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe duke i marrë parasysh shqetësimet e tyre, ka thënë ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
Për ish-shefin e politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, Kurti ka qenë jobashkëpunues.
BE-ja, për pasojë, i ka vënë disa masa ndëshkuese Kosovës, duke i pezulluar disa ndihma financiare dhe duke i kufizuar takimet e nivelit të lartë me zyrtarët kosovarë.
Sado që Kurti i ka justifikuar vendimet e veta si të ligjshme dhe në përputhje me Kushtetutën e vendit, aleatët kanë insistuar që çdo gjë që lidhet me veriun, të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Ky dialog në nivel të lartë ka ngecur, gjithashtu.
Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, nuk janë takuar qysh në shtator të vitit 2023, edhe pse prej normalizimit të marrëdhënieve mes tyre varet integrimi evropian edhe i Kosovës, edhe i Serbisë.
Pak ditë pas atij takimi, disa serbë të armatosur kanë sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një polic. Në përleshjen që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.
Kurti e ka fajësuar shtetin e Serbisë për këtë sulm, por autoritetet atje kanë mohuar se kanë gisht.
Ai e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me dorëzimin e Millan Radoiçiqit - ish-politikan serb nga Kosova, i cili e ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë.
Por, edhe para kësaj, Kurti ka refuzuar t’u përgjigjet disa kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë, duke marrë hapa drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia kanë bërë marrëveshje në vitin 2013 - shumë kohë përpara qeverisjeve të Kurtit - dhe Serbia ka kërkuar me ngulm që ajo të zbatohet.
Megjithatë, secila qeveri e Kosovës ka ngurruar, nga frika se do të mund të ndikonte keq në funksionalitetin e brendshëm të shtetit.
Ngjashëm edhe Kurti: ai ka insistuar fillimisht në njohjen de facto të Kosovës nga Serbia - gjë që nuk ka ndodhur.
Në një tubim me mbështetësit e tij më 1 shkurt, Kurti ka përsëritur se “Republika e Kosovës, me Qeverinë tonë në udhëheqje, i thotë jo kurrë Zajednicës” - një referencë kjo që Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit e ka përdorur vazhdimisht për Asociacionin.
Me këtë qasje, Kurti sinjalizon një qëndrim të vazhdueshëm sfidues që rrezikon ta thellojë edhe më shumë përçarjen e Kosovës me aleatët e saj perëndimorë.
Por, me fjalët e Charles Kupchanit, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në SHBA, “mund të ndodhë që pas rizgjedhjes, Kurti të jetë i përgatitur për t’i zbutur gjërat”.
“... për të marrë një drejtim që është më pak etno-nacionalist dhe më konstruktiv kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”, thotë Kupchan për Radion Evropa e Lirë./REL
Numërohen 88% e votave! Kryeson LVV, rezultatet e deritanishme për partitë e tjera

KOSOVË-Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë pavarësisht problematikave që ka shfaqur pëgjatë mbrëmjes së diel dhe gjatë orëve të para të mëngjesit me sistemin elektronik dhe tabelat e rezultateve, ka vijuar numërimin e votave dhe shpalljen e shifrave zyrtare. Sipas të dhënave, deri në orën 06:04 janë procesuar 88.04% e vendvotimeve.

Deri më tani janë numëruar 2230 vendvotime nga 2533 në total. Sipas rezultateve që jep KQZ-ja, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet prin me 41.29%. të votave. Në vend të dytë vjen Partia Demokratike e Kosovës me 21.8%, ndërsa e treta është LDK me 17.7 %. AAK dhe Nisma kanë marrë 7.68% të votave nga qytetarët e Kosovës.
Procesi i votimit u zhvillua një ditë më parë më 9 shkurt, dhe u mbyll në orën 19:00. Të drejtë vote në këto zgjedhje kishin 1 milion e 970 mijë e 944 qytetarë. Në garë ishin 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur, si dhe katër kandidatë për kryeministër: Albin Kurti nga LVV-ja, Bedri Hamza nga PDK-ja, Lumir Abdixhiku nga LDK-ja dhe Ramush Haradinaj nga koalicioni AAK-Nisma dhe partnerët e tjerë./ZËRI