Ngarkesa e dosjeve? Braho: SPAK të mos hetojë korrupsionin me vlerë 50 mijë lekë...
TIRANË-Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Braho u pyet në lidhje me ngarkesën e punës në Prokurorinë e Posaçme, nëse stafi i prokurorëve ishte i mjaftueshëm si dhe për fashën e ligjit për çështjet e korrupsionit, në lidhje me shifrën 50 mijë lekë.
Në përgjigje të pyetjeve, Braho tha se, pavarësisht ngarkesës së lartë të punës, numri aktual prej 20 prokurorësh vlerësohet i mjaftueshëm për funksionimin e strukturës. Braho tha se këtë vit do të rekrutohen 40 hetues të tjerë, ndërsa nënvizoi se duhet rishikuar kufiri i veprës penale të korrupsionit. Sipas tij pragu aktual prej 50 mijë lekësh është shumë i ulët dhe sjell një numër të madh çështjesh në SPAK, ndaj duhet rritur.
Anëtar i KLP, Vatë Staka: Ngarkesa juaj e punës është mjaft e madhe dhe këtë nuk e diskuton njeri. Keni paraqitur problematikë për ngarkesën. Por çfarë mendon sot për këtë ngarkesë? A duhen bërë ndryshime në procedurë? Që duhet të liroheni ju më shumë nga kjo detyrë dhe prokurorët tuaj?
Klodian Braho: Ngarkesa është e madhe dhe mendoj se do të vijojë të rritet. Por numri i prokurorëve, që është 20, mendoj se është i mjaftueshëm. Duke marrë parasysh dhe shifrat në vend. Duhet të kemi preokupim drejt çështjeve që kemi në dorë dhe të lehtësohet puna e prokurorëve. Do të fillojmë rekrutimin e 40 hetuesve të tjerë në BKH që do të ndikojë në uljen e ngarkesës. Ka përfunduar dhe procesi i rekrutimit të 10 oficerëve të Policisë Gjyqësore. Ky do të kontribuojë në përshpejtimin e hetimeve. Nuk shoh ndonjë diçka që është gabim në këto momente për t’u ulur ngarkesa e punës. Përveç atyre diskutimeve që kemi bërë më parë, për çështje penale që lidhen me korrupsionin pasiv dhe aktiv. Ajo fasha 50 mijë lekësh do duhet parë, por është proces që duhet parë. Duhet të jetë më e lartë, kjo e rrit ngarkesën e çështjeve e njëjta gjë edhe për veprat penale që lidhet me prokurimet, është fashë e vogël në vlerësimin tonë.
Puna e SPAK: Braho në KLP: 45.4 mln euro pasuri të sekuestruara, 1.1 mln i përket zyrtarëve të lartë
TIRANË-Në mbledhjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë po bahet seanca ku kreu i SPAK, Klodian Braho po raporton për punën e bërë nga ky institucion për vitin 2025. Braho ka pasqyruar me shifra dhe goditjen e krimit të organizuar dhe sekuestrimit apo konfiskimit të pasurisë të ardhura nga krimi.
Kreu i SPAK theksoi se vlera e pasurive të sekuestruara për 2025 kap vlerën e 45.4 mln euro, përfshirë këtu edhe kriptovalutat. Braho ka raportuar se sa i takon çështjeve që lidhen me zyrtarët e lartë vlera e pasurive të sekuestruara është 1.1 mln euro.
Klodian Braho: Janë hetuar persona dhe janë zbuluar skema komplekse të pastrimit të parave. Kemi nisur të ndjekjen e parave paralelisht me ndjekjen penale dhe kemi bllokuar mbi 24 milionë euro, përfshirë 12.4 milionë euro kriptovaluta. Bashkëpunimi kombëtar, SPAK po bashkëpunon me të gjithë partnerët ndërkombëtarë. 18% çështje të reja për korrupsion. 6 procedime te reja për zyrtare të lartë. Kemi zbatuar parimin e ndjekjes së parave paralelisht me hetimin penal. Vlera të sekuestruar dhe të konfiskuara arrijnë shifrën 45.4 mln euro, ku përfshihet edhe sekuestrimi i kriptovalutave me vlerë ekuivalente prej 14.5 mln dollarë ose 12.4 mln euro. Sa i takon çështjeve që lidhen me zyrtarët e lartë vlera e pasurive të sekuestruara është 1.1 mln euro, ndërsa konfiskimi për këtë vit ka qenë në shumën 100 mijë euro.
SPAK gjatë 2025-ës! Klodian Braho në KLP: Korrupsioni mbetet shqetësues, 'arresti me burg' pësoi ulje me 53.4%
TIRANË-Kreu i SPAK, Klodjan Braho, ndodhet sot para Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të raportuar mbi raportin vjetor të institucionit që ai drejton. Braho deklaroi se gjatë vitit të kaluar janë regjistruar 870 procedime penale, ndërsa vendimet e fajësisë përbëjnë 87% të totalit, duke e cilësuar këtë si një tregues të efektivitetit të lartë të institucionit.
Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, Braho tha së në vitin 2025 ka pasur ulje të çështjeve të regjistruara për këtë vepër penale. Në vitin 2024 u regjistruan 101 çështje kundrejt 74 çështjeve të regjistruara vitin e kaluar. Ai shtoi gjithashtu se masat e sigurimit “arrest me burg” kanë pësuar rënie krahasuar me vitin 2024. Nënvizoi se rekurset në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion janë ulur ndjeshëm.
Klodian Braho: Korrupsioni mbetet shqetësues dhe përfshin zyrtarë në disa fusha. Nga 186 në 220 çështje për korrupsion. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë, gjysma janë dërguar në gjykatë dhe 10 janë dënuar me vendim të formës së prerë. Sa i përket hetimit financiar, punojnë 12 hetues dhe priten edhe 4 të tjerë. Raporti evidenton se gjatë 2025, SPAK ka vepruar në funksion të rritjes së efikasitetit, përdorimit të teknikave speciale të hetimit, janë përmbushur rekomandimet e kuvendit, Këshillit të Ministrave dhe progres raportit të BE. SPAK ka hetuar 870 procedime penale, krahasuar me 2024. Rritja e hetimeve proaktive, në krahasim me 2024, ky raport është dyfishuar nga 19.8% në 37% në 2025. Raporti mes procedimeve penale të reja, është 294 dhe hetimeve të përfunduara në shifrën 2016 ka pësuar rritje prej 7%. Arresti në burg mjeti i fundit. Masa e sigurisë arrest në burg ka pësuar rënie me rreth 53.4%. Për vitin 2025, lidhur me veprat penale të korrupsionit, kjo masë zë vetëm rreth 3.45% të totalit të personave nën hetim (rreth 5% në vitin 2024), ndërsa për krimin e organizuar, kjo masë sigurie zë 21.4% të personave nën hetim (nga rreth 31% në vitin 2024).
Raporti vjetor i SPAK, Klodian Braho para KLP
TIRANË-Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Klodjan Braho, do të dalë sot para Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) për të paraqitur raportin vjetor të institucionit që ai drejton. Braho do të raportojë mbi ecurinë e punës së SPAK për vitin 2025.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë organizon ditën e Hënë, datë 27.04.2026, ora 10.00 seancën dëgjimore me Drejtuesin e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z. Klodjan Braho, i cili do të paraqesë raportin e punës për vitin 2025. Ky raportim bëhet në kuadër të detyrimit ligjor parashikuar në nenin 105, të Ligjit nr. 97/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për të raportuar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë lidhur me ecurinë e veprimtarisë së këtij institucioni”, thuhet në njoftim.
Në raportin e publikuar SPAK njofton se gjatë vitit 2025 janë hetuar gjithsej 871 procedime penale, nga të cilat 294 janë procedimet të reja, ndërsa rreth 570 janë të mbartura nga viti 2024. Po ashtu, janë sekuestruar 45.5 milion euro, ndër to edhe kriptomonedha, të krimit të organizuar. Ndërsa, në luftën kundër Korrupsionit, gjatë vitit 2025, janë hetuar 27 raste të procedimeve penale me 30 persona nën hetim apo të pandehur, të cilët janë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë.
SPAK bën me dije se në total gjatë vitit 2025 janë interceptuar 3004 pajisje telefonike, që do të thotë se mijëra komunikime të personave nën hetim janë monitoruar në kuadër të hetimeve të institucionit./ZËRI