"Dyfisho ndërmarrjen tënde", Rama prezanton programin: Mbështetje për bizneset në Shqipëri
TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot në podcastin "Flasim", nisëm e quajtur “Dyfisho ndërmarrjen tënde”. Bëhet fjalë për një program të ri qeveritar që synon të mbështesë rritjen e bizneseve të vogla dhe të mesme në vend.
Kjo nismë sipas Ramës, pritet të zbatohet së shpejti, teksa shtoi përfaqëson një hap të ri për mbështetjen e sipërmarrjes në Shqipëri. Kreu i qeverisë tha se programi do t’u japë mundësi sipërmarrësve që kanë ngritur biznese të vogla apo të mesme të zgjerojnë aktivitetin e tyre dhe të rrisin kapacitetet prodhuese.
“Pas Paketës së Maleve vjen edhe një program i ri i qeverisë së Shqipërisë, së bashku me Bankën e Shqipërisë dhe me bankat e nivelit të dytë, i cili së shpejti do të firmoset për të nisur rrugëtimin e tij dhe për të pritur në këtë rrugëtim të gjithë ata, të cilët duan të dyfishojnë ndërmarrjen e tyre.
Një program i fuqishëm kreditimi me interesa më të arsyeshme sesa ato komerciale të bankave të nivelit të dytë dhe me garanci nga qeveria e Shqipërisë, po bëhet më në fund gati për t’i shërbyer të gjithë atyre shqiptarëve dhe shqiptareve që me kurajë, me vullnet, por edhe me largpamësi kanë zgjedhur të hapin rrugën përmes sipërmarrjes; kanë zgjedhur të krijojnë një biznes të vogël i cili tanimë është gati të rritet, por ka nevojë për mbështetjen financiare që përndryshe ata nuk mund ta sigurojnë dot. Kjo është një rrugë e re dhe së shpejti, të gjithë ata që kanë një ndërmarrje të vogël apo të mesme, të gjithë ata që kanë një pikë prodhimi, që duan ta dyfishojnë dhe ta rrisin, të gjithë ata që kanë një start-up dhe që duan ta transformojnë në një ndërmarrje prodhuese, fitimprurëse, do të kenë të hapur derën e programit “Dyfisho ndërmarrjen tënde”.”, tha Rama./ZËRI
Siguria ushqimore, Rama: Sfida drejt BE-së, produktet në Shqipëri do të përmbushin standardet europiane
TIRANË- Kryeministri Edi Rama deklaroi se siguria ushqimore dhe përafrimi me standardet e Bashkimi Europian mbeten ndër prioritetet kryesore të qeverisë. Në podkastin e tij të së dielës, Flasim, Rama theksoi domosdoshmërinë që produktet ushqimore në Shqipëri të garantojnë siguri për konsumatorët vendas.
Por, jo vetëm kaq. Sipas Ramës, njëkohësisht duhet të plotësojnë kërkesat e tregut europian, ku vendi synon të integrohet.
"Një sfidë aktuale më të ndërlikuar të procesit tonë të anëtarësimit në Bashkimin Europian", theksoi Rama, teksa shtoi se integrimi europian nuk duhet parë si një listë detyrash formale, por si ndërtim i një sistemi funksional që garanton cilësi, besim dhe zbatim real të standardeve në praktikë.
“Në fokus të kësaj jave ka qenë ajo që do të jetë në fokus të të gjitha javëve më pas, në një mënyrë a një tjetër, siguria ushqimore dhe përafrimi me standardet e Bashkimit Europian. Në një takim të organizuar me operatorët e sipërmarrjes ushqimore, ne u ndalëm në një temë shumë konkrete.
Si do të garantojmë që çdo produkt që konsumojnë qytetarët, jo thjesht të jetë i sigurt, por të jetë një produkt i pranuar dhe i suksesshëm në tregun e nesërm të përbashkët të Europës, ku ne do të jemi anëtarë me të drejta, por edhe me detyrime të barabarta.
Dhe kjo lidhet me një sfidë aktuale më të ndërlikuar të procesit tonë të anëtarësimit në Bashkimin Europian, që është sigurimi i të nesërmes për të gjithë ata, të cilët kanë ndërtuar të sotmen mbi themelet e një pike grumbullimi, përpunimi apo prodhimi të nënprodukteve ushqimore, që do të thotë që nga gjëja e gjallë deri te produktet e paketuara.
Një proces që shpesh keqkuptohet si një listë detyrash që duhen përmbushur për të tjerët, ndërkohë që në thelb është diçka që lidhet drejtpërdrejt, jo thjesht vetëm me shëndetin e shqiptarëve këtu në Shqipëri, e konsumatorëve këtu në Shqipëri, por edhe me misionin tonë të përbashkët kombëtar të Shqipërisë në Bashkimin Europian në vitin 2030. Nuk është një çështje rregullash në letër, është një çështje e ndërtimit bashkërisht të një sistemi funksional prodhimi, kontrolli, cilësie dhe besimi në çdo hallkë.
Në këtë fazë, Shqipëria nuk bën vetëm harmonizimin ligjor me Bashkimin Europian, por edhe duhet të sigurojë zbatimin konkret të ligjeve në realitetin e përditshëm. E prandaj, ne po ndërveprojmë dhe do të ndërveprojmë gjithmonë e më aktivisht me sipërmarrësit dhe sipërmarrjet në bujqësi, sipërmarrësit dhe sipërmarrjet që kanë të bëjnë me produktet shtazore dhe nënproduktet e tyre, sipërmarrësit dhe sipërmarrëset që kanë të bëjnë me gjithçka që sot del nga toka e Shqipërisë, falë punës dhe duarve të tyre të arta.”, tha ai./ZËRI
Takimi me Mitsotakis, Rama: Bëmë një bilanc...brenda vitit i japim përgjigje të gjitha çështjeve të mbartura Shqipëri-Greqi
TIRANË- Kryeministri Edi Rama, në podkastin e tij “Flasim”, bëri një përmbledhje të zhvillimeve kryesore të javës, duke u ndalur veçanërisht te vizita në Greqi, ku mori pjesë në Forumi Ekonomik i Delfit. Rama theksoi rëndësinë e përfaqësimit të Shqipërisë në një forum me peshë ndërkombëtare, ku diskutohen drejtimet kryesore të zhvillimit global, por edhe të atij rajonal dhe të marrëdhënies me vendin fqinj.
Gjatë qëndrimit në Athinë, ai zhvilloi edhe një takim me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, të cilin e cilësoi si një “mik të vyer të Shqipërisë”. Sipas Ramës, palët kanë bërë një bilanc të punës së grupit të përbashkët, të ngritur për të adresuar çështjet e mbartura mes dy vendeve. Madje, sipas Ramës, brenda vitit do të konfirmojnë përmes një dokumenti të ri të Partneritetit Strategjik, bashkëpunimin mes dy vendeve.
“Ndalimi në Athinë ishte i një natyre tjetër, por i lidhur me pozicionin e Shqipërisë dhe dëshirën për ta parë Shqipërinë të përfaqësuar në nivelin më të lartë dhe për të dëgjuar qëndrimet dhe opinionet tona, posaçërisht në këtë rast, në një forum ekonomik me reputacion dhe prestigj ndërkombëtar, ku për shkak të fqinjësisë dhe historisë, Shqipëria kishte një vend të posaçëm në atë platformë, ku diskutohen drejtimet kryesore të zhvillimit global, por edhe të atij rajonal, por edhe të marrëdhënies me vendin fqinj. Shkova të marrë pjesë në forum, por pata kënaqësinë të pritesha nga kryeministri i Greqisë Mitsotakis, një mik i vyer i Shqipërisë, me të cilin bëmë një bilanc të ecurisë së punës së grupit të përbashkët që kemi ngritur, për t’i dhënë njëherë e mirë përgjigje të gjitha çështjeve të mbartura dhe për ta çuar në një nivel të ri marrëdhënien ndërshtetërore mes Shqipërisë dhe Greqisë. Më vjen shumë mirë të them se nga ana e Mitsotakis ka një vullnet absolut për të bërë adresimin e të gjitha çështjeve të mbartura dhe për të konfirmuar brenda këtij viti përmes një dokumenti të ri të Partneritetit Strategjik, natyrën shumë speciale të marrëdhënies mes dy vendeve dhe nga ana tjetër për ta mbështetur Shqipërinë gjithmonë në rrugën drejt BE. Jam besimplotë se do të arrijmë të adresojmë çështjet e mbartura dhe do të forcojmë edhe më shumë marrëdhënien tonë përmes një kujdesi të posaçëm, qoftë për minoritetin grek në Shqipëri dhe qoftë për shqiptarët në Greqi”, tha mes të tjerash Rama./ZËRI