Aksion në Elbasan, SPAK arreston ish-gjyqtarët

TIRANË- 21 masa sigurie janë ekzekutuar në kuadër të një operacioni që ka zhvilluar Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në qytetin e Elbasanit. Nga të dhënat e publikuara deri më tani raportohet se bëhet fjalë për 18 masa sigurie “arrest me burg”, një “arrest shtëpie” dhe dy “detyrim paraqitjeje”. Në burg janë lënë edhe dy ish-gjyqtarë dhe një zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit. Deri më tani, mediat kanë raportuar së bëhet fjalë për ish-gjyqtarët Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahun si dhe Dedan Gjonin. Në “arrest shtëpie” është lënë avokatja e grupit të Suel Çelës, Blerina Beqiri, ndërsa në detyrim paraqitjeje, dy gazetarët, Artan Hoxha dhe Elton Qyno. SPAK pritet të bëjë publik njoftimin zyrtar me detajet dhe akuzat që rëndojnë mbi të arrestuarit.
SPAK 'godet' në Elbasan! Arrestohet në Itali “truri financiar”!

TIRANË- SPAK ka 'prerë' 21 masa sigurie pas aksionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm në Elbasan. Nga 18 urdhërarreste të prera nga SPAK, janë ekzekutuar vetëm disa prej tyre, ku në mesin e të arrestuarve, është Marsel alias Bujar Shega, administrator i dy kompanive "Viola Green" dhe "Wonder Green". Mësohet se Shega është prangosur në Milano.
"Viola-Green SHPK” është themeluar në vitin 2015. Ka si objekt pastrimin dhe përpunimin e mbetjeve. Kompania është në pronësi të Fatos Jaupit me 33% të aksioneve, Marsel Shega ka 34% të aksioneve dhe Sherif Kapllani 33% të aksioneve. Por Marsel Shega është administrator i kompanisë. Ndërsa kompania tjetër "Wonder Green", është në pronësi të Marsel Shegës me 50%; dhe pjesën tjetër e ka Zehni Demo.
Përmes kompanisë së fundit, Shega nuk ka përfituar fonde publike, ndërsa përmes "Viola Green" ka fituar 10 tendera i vetëm dhe 4 të tjerë në bashkëpunim me "Bardhi shpk".
Shega, që njihet ndryshe edhe si Marsel Shega, është i skeduar për lidhje me trafikun e drogës me Suel Çelën. Në një dosje të Prokurorisë së Elbasanit, e publikuar nga "INA Media", Shega dyshohet se është pjesë e një hetimi të hapur për pastrim parash në vitin 2018. Personi, që bëhet shkaktar për nisjen e këtij procedimi, është Emiliano Shega, kushëri i Bujar Shegës, si person i bashkëlidhur me të është edhe i vëllai, Gentian Hoxha (Shega).Ky hetim dyshon për një rrjet trafikimi të kokainës nga Guayaquil, Ekuador, drejt Europës, i cili dyshohet se drejtohet nga Gentian Hoxha.
"SPAK pranon se është në dijeni që ka një hetim pastrimi parash nga Elbasani për të gjithë personat e lartpërmendur, por që nuk është ende në dijeni për një vendimmarrje nga Prokuroria e Elbasanit. Kartela e Emiliano Shegës evidenton se ai ishte arrestuar në vitin 2009 në Londër dhe ishte dënuar me dhjetë vjet burg për trafikim narkotikësh. Në krye të katër viteve e katër muajve dënim, Shega u deportua nga Mbretëria e Bashkuar,"-shkruhej në artikullin e "Ina Media-s".
Po ashtu, ky procedim (nr. 1440) është pezulluar nga Prokuroria e Elbasanit, OFL referoi në SPAK sekuestrim të 14 pasurive të vëllezërve Shega, Emiliano dhe Gentian.
Ndërsa gazetarja Klodiana Lala bën me dije se Shega njihet për njohje dhe lidhje të forta në politikë. Sipas saj, përmes kompanive të tij, dyshohet se Shega pastronte paratë e disa grupeve, përfshirë dhe një grupi të fuqishëm më bazë me Dubai, që ka investuar në Tiranë në pasuri të paluajtshme./ZËRI
Gazetarët dalin nga SPAK, Qyno: Thjesht morëm provat!

TIRANË- Dy gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno sapo kanë dalë nga ambientet e SPAK, ku edhe kanë marrë vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për caktimin e masës së sigurisë "detyrim paraqitje". Gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno qëndruan për rreth 1 orë në ambientet e SPAK dhe dolën me dosje në duar.
"Thjesht morëm provat,"-tha Qyno për kolegët.
Para se të futeshin në SPAK, ata iu pohuan kolegëve se u ishte kryer kontroll në banesa dhe se u ishin sekuestruar telefonat celularë. Ende, SPAK nuk ka dalë me një njoftim zyrtar për operacionin, por jozyrtarisht raportohet se gazetari Artan Hoxha akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale, ndërsa gazetari Elton Qyno për korrupsion pasiv në sektorin privat./ZËRI
PROFIL- Kush janë 3 ish-gjyqtarët në rrjetën e SPAK?
TIRANË- 3 janë ish-gjyqtarët që janë "goditur" nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në aksionin e nisur në orët e para të mëngjesit, 2 prej tyre kanë përfunduar në pranga pasi dyshohet se kanë dhënë vendime korruptive duke favorizuar Suel Çelën dhe grupin e tij. Në pranga kanë përfunduar ish-gjytarët Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu, ndërsa SPAK ka ushtruar kontrolle në banesën e ish-gjyqtarit tjetër Taulant Tafa. Megjithatë, në mungesë të një njoftimi nga SPAK, ende nuk dihet se cilat janë aktet që kanë kryer si dhe ishte ushtruar kontroll në banesën e ish-gjyqtarit tjetër Taulant Tafa. Por kush janë 3 ish-magjistratët?
Taulant Tafa
Ish-gjyqtari Taulant Tafa u shkarkua nga detyra në prill të vitit që lamë pas nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK. Para se t'i nënshtrohej procesit të Vettingut, në korrik 2022, Tafa u përball me një procedim disiplinor në Këshillin e Lartë Gjyqësor për vendimin e tij për uljen e dënimit me 720 ditë për Arben Grorin. Inspektori i Lartë i Drejtësisë argumentoi se vendimi kishte favorizuar të dënuarin për vrasje dhe kërkoi shkarkimin e Tafës, por KLGJ vendosi masën e pezullimit 3-mujor për subjektin. Po ashtu, subjekti kishte probleme edhe me justifikimin e pasurisë dhe me lidhjet me persona që kishin probleme me ligjin. Nga hetimi u gjet se Tafa kishte marrëdhënie shoqërore me E.S., i dënuar në Itali për veprën penale të “shitjes së narkotikëve”. Por gjatë seancës dëgjimore, ish-gjyqtari ishte justifikuar se ishin rritur bashkë në të njëjtën lagje, dhe që nga ajo kohë nuk kishin pasur më kontakte. Megjithatë asnjë nga pretendimet e tij nuk u mor parasysh nga trupa gjykuese, ndaj u vendos për shkarkimin e tij nga detyra.
Zihni Shahu
Zihni Shahu, ish-kryetar i Gjykatës së Elbasanit, dha dorëheqjen rreth 7 muaj pas nisjes së procesit të Vettingut. Më 20 korrik të vitit 2020, ai dërgoi me postë kërkesën për t'u përjashtuar nga sistemi. Por, KPK vuri në dukje se pas këtij vendimi u vendos ndërprerja e procesit të Vettingut ndaj tij dhe Komisionoi e sanksionoi që t’i ndalohej të ishte pjesë e sistemit për 15 vjet.
Pajtime Fetahu
Pajtime Fetahu ajo akuzohet për korrupsion, ndërsa dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, vetëm pak ditë para kur duhej t’i nënshtrohej procesit të vettingut. Ish-gjyqtarja sipas SPAK dyshohet se mori 11 mijë euro, një monedhë floriri dhe priste edhe një aparat celular nga anëtarë të grupit kriminal “Çopja”. Ish-gjyqtarja e Elbasanit mjaft e përfolur Pajtime Fetahu është një nga njerëzit e Drejtësisë që akuzohet nga SPAK për korrupsion në shumën 11 mijë euro plus një monedhë flori që dyshohet se ka marrë nga Mikael Kamami dhe bashkëpunëtori i tij, Arzen Mama, djali i “Dine Çamit”. Vetë gjyqtarja Fetah, e cila thirrej me nofkën “Komshia”, nuk del në asnjë komunikim të drejtpërdrejtë me anëtarët e kësaj organizate, por SPAK thotë se ka evidentuar dy raste ku Pajtime Fetahu ka marrë nga Mikael Kamami, nëpërmjet Arzen Mamës, shumën monetare prej 10 mijë euro, 1 mijë euro në rastin e dytë dhe një monedhë floriri në rastin e tretë, në shenjë dhurate për nder të lindjes së mbesës së saj, pasi Pajtimja ishte bërë gjyshe./ZËRI
Operacioni i SPAK/ Burg për ish-gjyqtaren Pajtime Fehahun dhe Dedan Gjonin, 'detyrim paraqitje' për gazetarët Qyno dhe Artan Hoxha

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë një njoftim paraprak lidhur me operacionin e zhvilluar në Elbasan. SPAK ka bërë me dije se nga organi i akuzës janë prerë 21 masa sigurie, nga të cilat 18 janë "arrest me burg". Sipas të dhënave të para të SPAK, mes të arrestuarve janë një ish-gjyqtare (Pajtime Fetahu), një zyrtar i lartë i Policisë së Shtetit, Dedan Gjoni dhe avokatja e grupit të Suel Çelës, Blerina Beqiri. Kjo e fundit është lënë në "arrest shtëpie". Ndërsa dy gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxha, SPAK ka caktuar masën e sigurisë "detyrim paraqitje".
NJOFTIMI PARAPRAK I SPAK:
Në kuadër te hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, me kërkesë të Prokurorisë se Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyre gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë. Masat e caktuara të sigurisë janë si më poshtë: Arrest me burg - 18 persona (përfshire ish gjyqtarin dhe zyrtarin e lartë të policisë së shtetit); Arrest në shtëpi - 1 avokat; Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore - 2 gazetarë. Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim. Me qëllim ruajtjen e integritetit të këtij operacioni, Prokuroria e Posaçme do të publikojë më shumë të dhëna rreth këtij hetimi ditën e nesërme./ZËRI
VIDEO- GJKKO i ka lënë në "detyrim paraqitje", gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno shkojnë në SPAK

TIRANË- Dy gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxha janë paraqitur në ambientet e SPAK. Të dy bashkë kanë shkuar në ambientet e Prokurorisë së Posaçme pasi GJKKO ka lëshuar masën “detyrim paraqitje”. Megjithatë, edhe pse kanë shkuar sot në ambientet e SPAK, sërish Prokuroria e Posaçme nuk ka dalë në një njoftim për mediat për të sqaruar pozitën e dy gazetarëve.
MOMENTI ME VIDEO:
Po ashtu, SPAK ka zhvilluar sot edhe një aksion në Elbasan, ku ka vendosur në pranga ish-gjyqtaren Pajtime Fetahu dhe ish-kreun e Gjykatës së Elbasanit, Zihni Shahu. Në masë sigurie "arrest shtëpie" është caktuar edhe ndaj avokates Blerina Beqiri, e cila ka përfaqësuar në gjyq, anëtarë të grupit të Suel Çelës./ZËRI
Aksioni në Elbasan/ “Nuk dëgjon Tomi”, emrat e gjyqtarëve dalin në bisedat e "SkyECC"

TIRANË- Zbulohen detaje nga aksioni i SPAK në Elbasan! Gazetarja Anila Hoxha bën me dije se emrat e ish-gjyqtarëve, Zihni Shahu, Pajtime Fetahu dhe Taulant Tafa janë përmendur në aplikacionin "SkyECC" për zbutjen e një mase sigurie. Për të njëjtën çështje dyshohet se është lënë në "arrest shtëpie" edhe Blerina Beqiri, avokate e grupit të Suel Çelës.
"Burime jo zyrtare thonë se në një moment bashkëbiseduesit ankohen “nuk dëgjon Tomi” për ish gjyqtarin Tomorr Kullolli, i cili pas ankesave u përjashtua nga trupa gjyqësore,"-bën me dije gazetarja.
Gjatë operacionit të SPAK, ranë në pranga dy ish gjyqtarë, Pajtime Fetahu dhe Zihni Shahu. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e ish-gjyqtarit Taulant Tafa./ZËRI
Aksioni në Elbasan/ SPAK kontrolle edhe në banesën e ish-gjyqtarit Taulant Tafa

ELBASAN- Me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar janë ushtruar kontrolle në banesën e ish-gjyqtarit Taulant Tafa në Elbasan. Kontrolle në banesë i janë ushtruar edhe ish-kreut të Gjykatës së Elbasanit, Zihni Shahut.
Taulant Tafa u shkarkua nga detyra në prill të vitit që lamë pas nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK.
Para se t'i nënshtrohej procesit të Vettingut, në korrik 2022, Tafa u përball me një procedim disiplinor në Këshillin e Lartë Gjyqësor për vendimin e tij për uljen e dënimit me 720 ditë për Arben Grorin. Inspektori i Lartë i Drejtësisë argumentoi se vendimi kishte favorizuar të dënuarin për vrasje dhe kërkoi shkarkimin e Tafës, por KLGJ vendosi masën e pezullimit 3-mujor për subjektin. Po ashtu, subjekti kishte probleme edhe me justifikimin e pasurisë dhe me lidhjet me persona që kishin probleme me ligjin. Nga hetimi u gjet se Tafa kishte marrëdhënie shoqërore me E.S., i dënuar në Itali për veprën penale të “shitjes së narkotikëve”.
Por gjatë seancës dëgjimore, ish-gjyqtari ishte justifikuar se ishin rritur bashkë në të njëjtën lagje, dhe që nga ajo kohë nuk kishin pasur më kontakte. Megjithatë asnjë nga pretendimet e tij nuk u mor parasysh nga trupa gjykuese, ndaj u vendos për shkarkimin e tij nga detyra./ZËRI
Detaje të reja nga aksioni i SPAK, masë "arrest shtëpie" edhe për një avokate në Elbasan

TIRANË- Zbulohen detaje të reja nga aksioni i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mësohet se SPAK ka vendosur masë "arrest shtëpie", për një avokate në Elbasan. Bëhet fjalë për Blerina Beqirin, e cila ka mbrojtur në seancat gjyqësore në Gjykatën e Elbasanit, Suel Çelën./ZËRI
SPAK në Elbasan/ Zbulohen emrat e gjyqtarëve të arrestuar

ELBASAN- SPAK ka zhvilluar në orët e para të mëngjesit të sotëm një aksion blic në Elbasan. Nga aksioni janë vendosur në pranga ish-gjyqtarja Pajtime Fetahu, ndaj së cilës GJKKO caktoi më parë masën “arrest në shtëpi” pasi emri i saj doli në dosjen e njohur për publikun si "Çopja", ku SPAK goditi dy vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja.
Po ashtu, në pranga është vendosur edhe ish-kreu i Gjykatës së Elbasanit, Zihni Shahu. Ky i fundit dha dorëheqjen disa muaj pasi filloi procesi i Vettingut. Por mesa duket janë gjetur prova për bashkëpunimin e tij me personazhe të botës së krimit në qytet./ZËRI
SPAK masa sigurie ndaj gazetarëve Artan Hoxha dhe Elton Qyno

TIRANË- Gazetarët e njohur të kronikës, Artan Hoxha dhe Elton Qyno janë vënë nën masa sigurie nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Për të dy ka masa sigurie, por ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht nga SPAK. Prokuroria e Posaçme nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar./ZËRI