REAGIMI/ Dimal: Mishin se futëm ne! AMG ia kalon topin AKU: Dhamë faturat!

TIRANË- Kompania “diMal Inc.” dhe “AMG FOOD” kanë reaguar zyrtarisht për lajmet e publikuara se në vendin tonë është shitur në treg 13.5 mish me salmonelë. Përmes deklaratës, kompania “diMal”, në pronësi të Mondi Goxhas shprehet se nuk është importuesi i mishit të papërpunuar të pulës dhe pasi u njoftua se ka dyshime për kontaminim të mishit ndërmori masat paraprake.
Më tej, në deklaratë “diMal” shton se asnjë nga lotet me mish të kontaminuar nuk është përdorur në prodhimin e produkteve apo nënprodukteve.
“Të nderuar konsumatorë dhe partnerë,
Lidhur me njoftimet e fundit në media të ndryshme online dhe në rrjete sociale, lidhur me importin e mishit të pulës së papërpunuar, kompania DIMAL Inc. dëshiron të sqarojë publikisht sa më poshtë:
Së pari, sqarojmë se kompania jonë nuk importon drejtpërdrejt mish pule të papërpunuar, pra nuk është kompania jonë importuesi i mishit të pulës së papërpunuar që raportohet ne media të ndryshme online dhe në rrjetet sociale. Ky proces kryhet ekskluzivisht nga një prej furnitorëve tanë të jashtëm, i cili mban përgjegjësinë e plotë për kontrollin, dokumentacionin dhe përputhshmërinë e produktit me standardet ligjore dhe shëndetësore në fuqi. Pas një njoftimi zyrtar nga furnitori ynë mbi dyshime për kontaminim të mundshëm në një sasi të kufizuar të mishit të papërpunuar, kompania DIMAL Inc. reagoi menjëherë, duke ndërmarrë të gjitha masat paraprake të nevojshme për të garantuar sigurinë e zinxhirit tonë të prodhimit. Ne konfirmojmë se asnjë sasi nga lotet e kontaminuara nuk është përdorur në prodhimin e produkteve ose nënprodukteve tona dhe se grupi i identifikuar nuk është aktualisht në prodhim.
DIMAL Inc. zbaton me përpikmëri standardet më të larta të kontrollit të cilësisë dhe sigurisë ushqimore, duke përfshirë certifikimet HAÇP, ISO 22000, ISO 9001, ISO 14001 dhe ISO 45001, dhe është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse për të garantuar transparencë të plotë. Për këtë arsye, i bëjmë thirrje të gjitha palëve që kanë shpërndarë, publikuar apo ripublikuar këto informacione të rreme, që të përditësojnë lajmet për raportimin e duhur në të gjitha mjetet dhe platformat e tyre të komunikimit (faqe interneti, rrjete sociale, grupe diskutimi, etj.). Mosrespektimi i kësaj kërkese, përveçse përhapjes së një paniku te panevojshëm në publik dhe dëmtimit të një industrie të tërë, do të pasohet me ndjekje të të gjitha rrugëve ligjore për mbrojtjen e imazhit dhe integritetit të kompanisë sonë. Kompania DIMAL Inc. mbetet e përkushtuar në respektimin e standardeve më të larta të sigurisë ushqimore dhe sigurimit të cilësisë për të gjitha produktet e saj”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Ndërsa, kompania “AMG Food”, edhe kjo në pronësi të Mondi Goxhës, pranon se në fakt në treg është shitur mish i kontaminuar. Pra, për ta kuptuar të dyja kompanitë janë pronë e Mondi Goxhës, dhe Dimal deformon të vërtetën kur thotë se nuk ka lidhje me furnitorin. Pasi furnitori është kompania tjetër e pronarit.
Por le të sqarojmë reagimin. Sipas deklaratës, sapo Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar se mishi është i kontaminuar, kompania në fjalë ka tërhequr produktet nga tregu. Sipas “AMG Food” kompania ka vendosur në disapozicion të AKU 154 fatura të produktit të shitur të kontaminuar në treg dhe janë njoftuar konsumatorët.
“Shoqëria AMG dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me lajmet e përhapura mbi kontaminimin e mishit me salmonelë, të importuar nga shoqeria jone. Shoqëria jonë nuk ka pasur asnjë djeni në lidhje me praninë e Salmonelës. Në momentin që kemi marrë dijeni nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) për analizat laboratorike që treguan praninë e salmonelës, kemi vepruar me përgjegjshmëri dhe kemi tërhequr menjëherë produktet nga tregu. Gjithashtu, kemi bashkëpunuar plotësisht me autoritetet dhe kemi vendosur në dispozicion të AKU-së të gjitha informacionet dhe dokumentet e nevojshme për gjurmueshmërinë e produktit. Në përputhje me legjislacionin në fuqi, shoqëria jonë ka siguruar 154 fatura të shitjeve të produktit të kontaminuar, duke mundësuar që të njoftohen konsumatorët dhe të merren masat për tërheqjen e produktit nga tregu. Ky veprim ka qenë një hap i menjëhershëm dhe i domosdoshëm për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e sigurisë ushqimore. AMG ka vepruar gjithmonë me transparencë dhe ka qenë e angazhuar për të garantuar standardet më të larta të cilësisë dhe sigurisë së produkteve të saj. Ne dëshirojmë të theksojmë se shoqëria ka bashkëpunuar në çdo moment me autoritetet për të siguruar një reagim të shpejtë dhe të duhur ndaj situatës dhe është e hapur për çdo verifikim”, thuhet në deklaratë.
Por, ditën e sotmë në një deklaratë për “Klan News”, drejtori i Menaxhimit të Riskut në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), Martin Jorgaqi tha se pasi u konstatua mishi i pulës me salmonelë, kompania nuk ka bashkëpunuar me autoritetet dhe nuk ka dhënë informacion të saktë rreth faturave, se në cilat pika shitjesh u shpërnda ky produkt. Jorgaqi tha se mes AKU-s dhe kompanisë nuk ka bashkëpunim dhe nuk kanë komunikuar për hapat e mëtejshme
“AKU kryen funksion e vet dhe në pikat e inspektimit kufitar, në të cilat në bazë të planit, në bazë të rrisku dhe marrjes së monstrave që AKU zhvillon aktivitetin e vet, është marrë monstër në subjektin importues dhe monstra e këtij subjekti rezultoi që ishte me salmonelë. Menjëherë me marrjen e informacionit, analizat janë kryer në labarotarin e referencës në ISUV, i cili është laborator i akredituar për këtë lloj analizash dhe sapo merret njoftimi alert nga lobaratori i ISUV për këtë produkt, AKU shkon mbrapa me dokumentacion dhe identifikon kodin, gjejmë emrin e operatorit dhe po me të njëjtën ditë që na erdhën informacionet mbi praninë e salmonelës në produkt, shkuam në subjekt dhe filluam aktivitetin kontrollues lidhur me produktin dhe gjurmëshmërinë e tij. Sasia prej 7.8 ton, 7890 kg mish, e cila është pjesa përfaqësuese e lotit, ku bë analizimi dhe demostrimi i produktit. Me shkuarjen në ambientet ku ushtron aktivitetin subjekti importues, duhet thënë që nuk patëm një bashkëpunim të frytshëm dhe nuk gjetëm një dokumentacion gjurmshmërie i cili të na udhëhiqte dhe të na e bënte më të lehtë punën për mbledhjen mbrapsht të produkteve. Megjithatë inspektorët tanë arritën që të gjenin një sërë faturash dhe adresash të shitësve ku ky furnitorë kishte shpërndarë produktin e vet. Nuk patëm një bashkëpunim qoftë në cilësinë e informacionit që morëm, ashtu edhe për dhënie e këtij informacioni për vazhdimin e hapave më tejshëm që ne tashmë jemi duke e kryer. Është shpërndarë në 10 qarqe të vendit”, tha Jorgaqi sot për “Klan News”.
Gjatë ditës së sotme, ZËRI ka mundur që të kontaktojë me pronarin e kompanisë, i cili e ka pranuar se malli (ajo që ka mbetur) me salmonelë është i porositur prej tij. Por shton se nuk di të thotë një shifër ekzakte sesa ka shitur në treg. Të vetmin koment për situatën e krijuar ka faktin që ndihet nën presion.
"Kam shitur nga malli që ka ardhur i importuar, por nuk kam dijeni sesa. Tani jam nën presion,"-ka thënë në një prononcim për ZËRI-n, Mondi Goxha.
Por nuk jep asnjë koment tjetër se përse ka shkelur "filozofinë" e kompanisë që ka ngritur. Sërish në faqen e tyre zyrtare shkruhet se: Cilësia e ushqimit vjen nga burimi, prandaj ne përzgjedhim mishin më të mirë dhe erëzat më cilësore për produktet tona. Me pasion dhe përkushtim përgatisim recepturat origjinale për të sjellë produkte të shijshme Dimal, në zemren e çdo tryeze!
E në fakt kësaj filozofie nuk i kanë qëndruar gjatë duke shpërfillur rregullat për kontrollin e mallit dhe duke u dhënë konsumatorëve të tyre një produkt me salmonelë, një bakter që edhe pse jo vdekjeprurës është i rrezikshëm nëse bie në kontakt me organizmin e njeriut./ZËRI
Skandali me mishin e Pulës/ Zyrtari i AKU e konfirmon: Kompania “diMal” nuk bashkëpunoi me ne!

TIRANË- Drejtori i Menaxhimit të Riskut në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), Martin Jorgaqi, ka folur në lidhje me skandalin e publikuar në media ditën e sotme, ku mijëra ton mish pule me salmonelë ka përfunduar në treg. Mishi me salmonelë është futur në vendin tonë nga Brazili dhe është shpërndarë në treg nga kompania “diMal”. Jorgaqi ka konfirmuar për “Klan News” se pasi u konstatua mishi i pulës me salmonelë, kompania nuk ka bashkëpunuar me autoritetet dhe nuk ka dhënë informacion të saktë rreth faturave, se në cilat pika shitjesh u shpërnda ky produkt.
Jorgaqi shtoi se ky produket është shpërndarë në 10 qarqe të vendit, por sasia më e madhe përfundoi tregjet e Tiranës.
“AKU kryen funksion e vet dhe në pikat e inspektimit kufitar, në të cilat në bazë të planit, në bazë të rrisku dhe marrjes së monstrave që AKU zhvillon aktivitetin e vet, është marrë monstër në subjektin importues dhe monstra e këtij subjekti rezultoi që ishte me salmonelë. Menjëherë me marrjen e informacionit, analizat janë kryer në labarotarin e referencës në ISUV, i cili është laborator i akredituar për këtë lloj analizash dhe sapo merret njoftimi alert nga lobaratori i ISUV për këtë produkt, AKU shkon mbrapa me dokumentacion dhe identifikon kodin, gjejmë emrin e operatorit dhe po me të njëjtën ditë që na erdhën informacionet mbi praninë e salmonelës në produkt, shkuam në subjekt dhe filluam aktivitetin kontrollues lidhur me produktin dhe gjurmëshmërinë e tij.
Sasia prej 7.8 ton, 7890 kg mish, e cila është pjesa përfaqësuese e lotit, ku bë analizimi dhe demostrimi i produktit. Me shkuarjen në ambientet ku ushhtron aktivitetin subjekti importues, duhet thënë që nuk patëm një bashkëpunim të frytshëm dhe nuk gjetëm një dokumentacion gjurmshmërie i cili të na udhëhiqte dhe të na e bënte më të lehtë punën për mbledhjen mbrapsht të produkteve. Megjithatë inspektorët tanë arritën që të gjenin një sërë faturash dhe adresash të shitësve ku ky furnitorë kishte shpërndarë produktin e vet. Nuk patëm një bashkëpunim qoftë në cilësinë e informacionit që morëm, ashtu edhe për dhënie e këtij informacioni për vazhdimin e hapave më tejshëm që ne tashmë jemi duke e kryer. Është shpërndarë në 10 qarqe të vendit. Pjesa më e madhe është shpërndarë në Tiranë sepse kjo shkon me numrin e operatorëve të biznesit dhe numrin e konsumatorëve”, tha Jorgaqi.
Por, gjatë intervistës së tij, ai nuk tha asgjë rreth faktit se përse AKU nuk e bllokoi sasinë e mishit, deri në momentin që të dilnin analizat, ose përse pati një vonesë në daljen e analizave. Skandali është zbuluar mbrëmjen e djeshme në media, por deri më sot nuk kishte asnjë njoftim as nga Ministria e Mjedisit dhe as nga AKU-ja. Kjo e fundit u detyrua që të reagonte sot për të thënë vetëm se çështja i ishte referuar Prokurorisë së Tiranës. Ndërkohë injoruan faktin se nuk kishin bërë asnjë njoftim për të lajmëruar qytetarët që të mos e blinin mishin e shitur nga kjo kompani, duke vënë kështu, rrjedhimisht jetën e konsumatorëve në rrezik./ZËRI
Skandali me mishin e infektuar me salmonelë, kush mendoni se është përgjegjës?
ITINERARI- Skandali me salmonelën, 'diMal' i shiti filetot në Kukës dhe markete pa pritur analizat e AKU

TIRANË- Zbulohen detaje të tjera lidhur me skandalin e mishit me salmonelë që është importuar nga Brazili dhe është shitur në vendin tonë. Burime për ZËRI-n bëjnë me dije se mishi ka hyrë në vendin tonë më datë 11 mars me vulën dhe certifikatën e cilësisë, por mostrat janë marrë vetëm pak ditë më vonë nga ana e agjentëve të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit.
Rezultatet e analizave kanë dalë pas 3-4 ditësh që nga marrja e monstrave, kur në fakt duhet që të dilnin brenda 24 orëve.
Sipas analizave të kryera në ISUV, u zbulua se mishi ishte infektuar me "Salmonella Typhimurium", por që në këtë kohë, mishi ishte shitur.
Të njëjtat burime i thanë ZËRI-t se AKU ka tentuar që të gjurmojë produktin përmes faturave të shitjeve, duke zbuluar se është dërguar gjithsej në 142 subjkeve të ndryshme. Gjithsej, nga 27 ton, janë shitur 13.5; shumica në qarkun e Kukësit, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë nëpër marketet e gjithë vendit. Vetë kompania "diMal" thotë që është distributor/shpërndarës në Big Market, Xhangolli, Euromarket dhe Joena. Por nuk dihet nëse është shitur edhe në markete të tjerë.
Skandali është zbuluar mbrëmjen e djeshme në media, por deri më sot nuk kishte asnjë njoftim as nga Ministria e Mjedisit dhe as nga AKU-ja. Kjo e fundit u detyrua që të reagonte sot për të thënë vetëm se çështja i ishte referuar Prokurorisë së Tiranës. Ndërkohë injoruan faktin se nuk kishin bërë asnjë njoftim për të lajmëruar qytetarët që të mos e blinin mishin e shitur nga kjo kompani, duke vënë kështu, rrjedhimisht jetën e konsumatorëve në rrezik.
E njëjta "skemë" është përdorur edhe sa herë të tjera ka pasur skandale të ngjashme ushqimore. Pak javë më parë, u zbulua edhe skandali i mandarinave me pesticide, të cilat pasi u refuzuan nga vendet e Bashkimit Europian, në rastin tonë Kroacia, u kthyen dhe u shitën për shqiptarët. Për këtë gjë, askush nuk mban përgjegjësi./ZËRI
SKANDALI ME MISHIN E PULËS! "Salmonella Typhimurium", ky është bakteri vdekjeprurës që u gjet tek "Dimal"

TIRANË- Një tjetër skandal me ushqimet ka ndodhur në vendin tonë! 27 ton mish pule janë futur në vendin tonë, të importuar nga Brazili. Konteineri është futur në vendin tonë më 11 mars dhe më pas, në port, i është marrë një mostër për analiza. Por pa i pritur përgjigjet e analizave kompania "Dimal" ka nisur me shitjen e produktit.
Sipas fotove të siguruara nga "Piranjat.al", të analizave të kryera në ISUV, zbulohet se mishi ishte infektuar me "Salmonella Typhimurium", e cila shkakton ethet tifoide. Ndryshe nga salmonela e zakonshme,"Typhi" jeton vetëm te njerëzit. Personat me ethe tifoide bartin bakteret në qarkullimin e gjakut dhe në traktin e zorrëve. Simptomat përfshijnë temperaturë të lartë të zgjatur, lodhje, dhimbje koke, nauze, dhimbje barku dhe kapsllëk ose diarre. Disa pacientë mund të kenë skuqje apo dhe krruajtje.
Sipas OBSH-së, ethet tifoide janë një infeksion kërcënues për jetën e shkaktuar nga bakteri Salmonella Typhi. Zakonisht përhapet përmes ushqimit ose ujit të kontaminuar. Pasi bakteret Salmonella Typhi gëlltiten, ato shumohen dhe përhapen në qarkullimin e gjakut. Sipas vlerësimeve të vitit 2019, ka 9 milionë raste të etheve tifoide çdo vit, duke rezultuar në rreth 110 000 vdekje në vit.
Pra, në këtë rast, konsumatorëve shqiptarë i është rrezikuar seriozisht jeta. Ndërkohë AKU nuk mban asnjë përgjegjësi dhe as nuk ka zbuluar sesa sasi nga 27 ton që janë futur në vend janë konsumuar nga qytetarët. Burime për ZËRI-n kanë bërë me dije se gjithsej janë shitur 13.5 ton, ndërsa se çfarë ka ndodhur me sasinë tjetër, nuk dihet. Lidhur me këtë çështje, kanë nisur hetimet nga Prokuroria e Tiranës./ZËRI
Si u lejuan 13.5 ton mish të kontaminuar të Dimal të përfundonin në tryezën e shqiptarëve

TIRANË- Në fillim të muajit, një ngarkesë prej 13.5 ton fileto pule e importuar nga Brazili, e destinuar për tregun shqiptar nga kompania Dimal Inc, rezultoi me prani të bakterit të rrezikshëm Salmonela, sipas analizave të kryera në laboratorët e ISUV. Por ajo që ndodhi më pas është më skandaloze sesa prania e bakterit vetë. Pavarësisht alarmit të laboratorit, pjesa më e madhe e këtij mishi përfundoi në supermarketet Big Market, Xhangolli, Joena dhe dyqane të tjera, përpara se analizat përfundimtare të konfirmonin zyrtarisht rrezikun. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) dhe Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) heshtën. Për më tepër, nuk morën asnjë masë për të bllokuar produktin, duke i lejuar konsumatorët shqiptarë të vendosnin në pjatë mish potencialisht të rrezikshëm.
Ajo që institucionet nuk po tregojnë
Përmes burimeve brenda AKU, mësuam se analizat e para, të kryera menjëherë pas mbërritjes së ngarkesës në Portin e Durrësit, identifikuan prani të salmonelës në mostrën e marrë. Pavarësisht kësaj, ISUV kërkoi një analizë të dytë, ndërkohë që ngarkesa nuk u bllokua, por u lejua të shpërndahej.
Në datën 13 mars, rezultati përfundimtar konfirmoi praninë e salmonelës. Por deri atëherë, pjesa më e madhe e mishit ishte shitur.
Çfarë ndodhi në këtë periudhë kohore? Si është e mundur që produktet me salmonelë nuk u bllokuan menjëherë? Këtë institucionet tona nuk mund ta thonë. Ata presin që skandali të shuhet për të bërë pazarin e radhës.
Roli i kompanisë Dimal Inc
Në qendër të kësaj historie qëndron kompania Dimal Inc, në pronësi të Mondi Goxha. E kontaktuar për një koment, kompania nuk pranoi të përgjigjej mbi pyetjen thelbësore: A e informuan ata rrjetet e shitjes mbi rrezikun e ngarkesës?
Nga të dhënat e siguruara, rezulton se kompania nuk mori asnjë nismë për të pezulluar shpërndarjen e produktit deri në konfirmimin zyrtar të analizave. Mishi erdhi me probleme, u gjet me probleme dhe u shit në çdo rrjet ku kompania ka marrëveshje.
Rreziku për konsumatorin shqiptar
Salmonela është një bakter që shkakton helmime të rënda ushqimore, sidomos për fëmijët, të moshuarit dhe personat me imunitet të dobët. Deri më sot, AKU nuk ka bërë publike nëse ka pasur raste të helmimeve që mund të lidhen me këtë mish.
Ndërkohë, konsumatorët shqiptarë, të cilët besojnë se supermarketet dhe institucionet mbrojnë shëndetin e tyre, nuk janë informuar asnjëherë për këtë skandal. Produkti i rrezikshëm është konsumuar pa dijeninë e publikut.
Është historia e një sistemi që lejon tregtinë e rrezikut, ku institucionet e sigurisë ushqimore heshtin, kompanitë private përfitojnë, dhe konsumatori mbetet viktimë e një zinxhiri abuzimesh, neglizhence dhe, ndoshta, korrupsioni.
Tani është radha e Prokurorisë që të mos heshtë. Çështja ka trokitur në Prokurorinë e Tiranës e cila njëherë e mirë duhet të tregojë që abuzues të tillë përfshirë zyrtarë publikë apo biznesmenë të marrin përgjegjësitë që iu ngarkon ligji, kur tryezat që duhet të ishin mbushur me ushqim i kanë ushqyer me helm./Dosja.al
Kompania e ngritur me fondet e IPARD/ “diMal” nxorri në treg mishin me salmonelë, pronari flet për ZËRI

TIRANË- Kompania "diMal" ka importuar 19 ton mish pule me salmonelë në vendin tonë. Edhe pse Autoritetet i Kontrollit të Ushqimit nuk e ka bërë me dije emrin e kompanisë, ZËRI ka mundur të mësojë se bëhet fjalë për kompaninë në pronësi të Mondi Goxhas. Kompania është themeluar në vitin 2019 me synimin për të hyrë në tregjet e përpunimit të mishit dhe eksportit si Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, operon edhe në vendin tonë. Sipas faqes së tyre zyrtare, furnizojnë me produktet e tyre disa nga rrjetet më të mëdha të supermarketeve në vendin tonë. Ndër to përmendin: Big Market; Xhangolli, Joena dhe EuroMarket.
ZËRI ka mundur që të kontaktojë me pronarin e kompanisë, i cili e ka pranuar se malli (ajo që ka mbetur) me salmonelë është i porositur prej tij. Por shton se nuk di të thotë një shifër ekzakte sesa ka shitur në treg. Të vetmin koment për situatën e krijuar ka faktin që ndjehen nën presion.
"Kam shitur nga malli që ka ardhur i importuar, por nuk kam dijeni sesa. Tani jam nën presion,"-ka thënë në një prononcim për ZËRI-n, Mondi Goxha.
Por nuk jep asnjë koment tjetër se përse ka shkelur "filozofinë" e kompanisë që ka ngritur. Sërish në faqen e tyre zyrtare shkruhet se: Cilësia e ushqimit vjen nga burimi, prandaj ne përzgjedhim mishin më të mirë dhe erëzat më cilësore për produktet tona. Me pasion dhe përkushtim përgatisim recepturat origjinale për të sjellë produkte të shijshme Dimal, në zemren e çdo tryeze!
E në fakt kësaj filozofie nuk i kanë qëndruar gjatë duke shpërfillur rregullat për kontrollin e mallit dhe duke u dhënë konsumatorëve të tyre një produkt me salmonelë, një bakter që edhe pse jo vdekjeprurës është i rrezikshëm nëse bie në kontakt me organizmin e njeriut. Ndërkohë, autoritetet e shtetit heshtin para këtij skandali! AKU nuk jep detaje sesa mish të infektuar kanë konsumuar qytetarët. Edhe nga Ministria e Bujqësisë ka heshtje dhe nuk mbahet askush përgjegjës për dëmin që i është shkaktuar konsumatorëve, që blejnë me të ardhurat e tyre ushqime për të cilat shteti duhet të dalë garant si kontrollues.
Por përkundrazi, biznesmeni ka pasur mbështetje! Në vitin 2023, ai u mor si shembull nga asokohe ministria e Bujqësisë, Frida Krifca. Në një postim në rrjetet e saj sociale ajo zbuloi se Goxha kishte përfituar nga programi i IPARD-it për të siguruar të ardhura shtesë për të krijuar fabrikën, tek e cila përpunohen edhe mishrat e infektuar që arrijnë të futen më pas edhe në treg.
Asokohe, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca e përmendi si shembull të një kompanie që merret të përpunimit të mishit me standardet më të mira dhe që garanton siguri ushqimore maksimale në treg dhe për eksport. Por me skandalin e zbuluar sot, eksporti është thjesht një fasasë ose ëndërr e biznesmenit që mishin e infektuar ka mundur që të gjejë rrugët për ta shitur vetëm në Shqipëri.
Ndërsa Goxhaj shprehej se, në vitin 2019 aplikoi pranë AZHBR-së, për mbështetje nga IPARD, për ndërtimin e stabilimentit sipas të gjitha kritereve që vendosura nga programi IPARD II.
“Mbështetja e Programit IPARD ka qënë shumë e rëndësishm për kompaninë tonë,”-thoshte ai. Ndërkohë që sot nuk denjon që të flasë dhe të japë shpjegime për cënimin e shëndetit që u bën qytetarëve./ZËRI
Shqiptarët konsumuan 15.000 kg mish pule me salmonelë, AKU: Bëmë kallëzim në Prokurori!

TIRANË- 19 ton mish pule me salmonelë janë importuar nga Brazili në vendin tonë. Pasi sasia e mishit është importuar në Shqipëri dhe është hedhur në treg pa e pritur rezultatin e analizuave. Sipas artikullit të publikuar nga "OraNews", me hyrjen e sasisë së mishit në treg u kryen dy shkelje.
E para ka lidhje me laboratorin nën varësinë e Ministrisë së Bujqësisë ka nxjerrë përgjigjen e analizave me 5 ditë vonesë, ndërsa nga ana tjetër Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, që duhet të mbante mishin e bllokuar, e ka nxjerrë në treg. Nga 19 mijë kilogramë mish është bllokuar vetëm 4000 kg. E gjithë pjesa tjetër është shitur në supermarkete dhe në restorante; pra rrjedhimisht edhe është konsumuar nga qytetarët.
"AKU ka trokitur në derën e subjektit që ka importuar mishin, në mënyrë që të tërhiqet nga tregu. Inspektorët e AKU i kanë kërkuar subjektit importues faturat e shpërndarjes, por përfaqësuesi i subjektit i ka “treguar muskujt” inspektorëve duke refuzuar t’i vendosë në dispozicion faturat,"-shkruhet ndër të tjera në artikull.
Sot, kur lajmi është bërë publik, ka pasur një sqarim nga ana e AKU-së. Sipas tyre, pasi analizat kanë dalë më 21 mars, AKU ka ndërhyrë për të hequr produktin me salmonelë nga tregu. Edhe pse nuk e bëjnë me dije emrin e subjektit që ka importuar mishin, pretendojnë se lidhur me rastin kanë dorëzuar një kallëzim në Prokurorinë e Tiranës për dy vepra penale: mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.
"Referuar analizimit në ISUV në datën 21.03.2025, për prani të Salmonella Typhimurium në një mostër produkt pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit në fjalë, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës. Është inspektuar subjekti importues për ndjekjen e gjurmueshmërisë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme proceduriale, për sa i takon elementëve të veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë,"-bën me dije AKU, por pa zbuluar as sa sasi me mish është konsumuar dhe as sa kanë mundur që të sekuestrojnë dhe ta heqin nga tregu.
Por edhe pse ka dalë me një njoftim zyrtar, AKU nuk i përgjigjet pyetjeve se kur ka hyrë ngarkesa në Shqipëri.
Njoftimi i plotë i AKU-së:
Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, si dhe për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme dhe të strukturuara për të adresuar një situatë të identifikuar disa ditë më parë gjatë kontrolleve të produkteve ushqimore të importuara në Portin e Durrësit. Pas analizës së realizuar në ISUV më 21.03.2025, ku u identifikua prania e Salmonella Typhimurium në një mostër produkti pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës. Është inspektuar subjekti importues për të siguruar gjurmueshmërinë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme proceduriale lidhur me elementët e veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.
Edhe pse AKU nuk e bën me dije emrin e kompanisë, është mësuar se bëhet fjalë për kompaninë "diMal", e cila furnizon të paktën 4 rrjete supermarketesh në vend.
Ndwrkohw burime konfirmojnë se për hetimin e këtij rasti është caktuar, me short, prokurori Platin Aliçka, i cili pritet që brenda 15 ditësh të regjistrojë procedimin penal.
Çfarë shkakton salmonela?
Infeksioni i salmonelës (salmoneloza) është një sëmundje e zakonshme bakteriale që prek traktin e zorrëve. Bakteret e salmonelës zakonisht jetojnë në zorrët e kafshëve dhe njerëzve dhe derdhen përmes jashtëqitjes (feces). Njerëzit mund të marrin infeksion nga Salmonela nga një sërë burimesh, duke përfshirë: Ngrënia e ushqimit të kontaminuar ose pirja e ujit të kontaminuar; Prekja e kafshëve të infektuara, feçeve të tyre ose mjedisit të tyre.
Disa njerëz me infeksion të salmonelës nuk kanë simptoma. Shumica e njerëzve zhvillojnë diarre, ethe dhe ngërçe në stomak (bark) brenda 8 deri në 72 orë pas ekspozimit. Shumica e njerëzve të shëndetshëm shërohen brenda disa ditësh deri në një javë pa trajtim specifik./ZËRI