11 Maji: Midis matematikës së sondazheve dhe skeptikëve/ A treguan shqiptarët të vërtetën?

TIRANË- Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 janë më afër se kurrë. Me të gdhirë dita e nesërme, që prej orës 7 të mëngjesit, qytetarët shqiptarë me të drejtë votimi do t'i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë e 4 viteve të ardhshme! Si në çdo zgjedhje, edhe kësaj here, gara më e fortë është dy partive të mëdha, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, por në skenë kanë hyrë edhe parti të reja politike që premtojnë dhe njëkohësisht kërkojnë shumë. Por sesa do t'i besojnë shqiptarët, do ta mësojmë (sipas kreut të KQZ-së) pasditen e 12 majit. Me orët që kalojnë, ankthi për rezultatin shtohet. Si zakonisht, kuriozitetin e "shuajnë" sondazhet e fundit të publikuara nga mediat më të rëndësishme në vend si “Top Channel”, “News24”, “Euronews Albania” dhe “Report TV”. Të gjithë sondazhet kanë një emërues të përbashkët, fitoren e Partisë Socialiste. Sipas pyetësorve që këto kompani kanë bërë në terren tregon se Partia Socialiste vijon të mbajë avantazhin në nivel kombëtar, duke u shkëputur ndjeshëm nga opozita.
Tashmë që shumë pak orë na ndajnë nga mbushja e kutive të votimit, ZËRI ju sjell një vëzhgim të të gjithë sondazheve që kanë qarkulluar ditët e fundit në vendin tonë. Sesa të vërteta janë, do ta mësojmë pas më shumë se 24 orësh.
Notosondaggi
Lidhur me prirjen e votuesve, News24 dhe Notosondaggi kanë intervistuar 2005 persona në periudhën 11-13 prill nga i gjithë vendi dhe të grupmoshave të ndryshme. 46% janë përgjigjur se do të votonin PS-në. Shumë më poshtë renditet Partia Demokratike!
PS- 46%
PD- 35%
Mundësia- 6.5%
“Nisma-Shqipëria Bëhet”- 5%
PSD- 2.5%
Koalicioni Euroatlantik- 2%
Lëvizja Bashkë- 1.5%
Koalicioni “Djathtas për Zhvillim”- 1%
Të tjera: 0.5%
Piepoli
Sondazhi ekskluziv i Piepolit në bashkëpunim me Report Tv, i publikuar vetëm 6 ditë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, e projekton Partinë Socialiste fituese. Për këtë sondazh, marzhi i gabimit përllogaritet +/- 2.8%.
PS- 48.4%
PD- 35.4%
Mundësia- 4.8%
"Nisma Shqipëria Bëhet"-7.6%
PSD- 2%
Lëvizja Bashkë- 1.4%
Koalicioni EuroAtlantik- 0.1%
Djathtas për Zhvillim- 0.1%
Të tjerë- 0.2%
BAROMETRI
"Barometri" i Euronews Albania publikoi më 5 maj matjet përfundimtare për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Për këtë sondazh janë pyetur 1600 qytetarë nga data 24 Prill – 04 Maj në të gjithë vendin. Edhe për këtë sondazh, fitues janë socialistët.
PS-43.3 %
PD-25.5%
Mundësia- 7.3%
"Nisma Shqipëria Bëhet"-10.2%
PSD- 1.8 %
Lëvizja Bashkë- 2%
Të tjerë- 0.7%
Edhe për sondazhistët e Top Channel, zgjedhjet parlamentare fitohen nga Partia Socialiste e Edi Ramës me 49.4% të votave në rang kombëtar, kundrejt koalicionit opozitar “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” të Sali Berishës, që sipas “McLaughlin and Associates”, merr 34.9% të votave. “Rezultati” është përgatitur nga të dhënat e periudhës 26 prill-3 maj, ku janë pyetur 1200 qytetarë.
PS- 49.4%
PD- 34.9%
Mundësia- 5.3 %
"Nisma Shqipëria Bëhet"-3.3 %
PSD- 3.1 %
Lëvizja Bashkë- 1.1%
Të tjerë- 0.9 %
Por e gjithë kjo panoramë është e bazuar në sondazhet që kryedemokrati Sali Berisha thotë që nuk i beson duke marrë si shembull presidentin Donald Trump, i cili sipas “exit-polleve” duhet që ta shihte nga shumë shumë larg Shtëpinë e Bardhë. Në fakt, e kundërta ndodhi! Për kryeministrin Edi Rama, gjithçka është ndryshe! Kryeministri Edi Rama ka përmendur vetëm John McLaughlin – sondazhist amerikan i njohur për fushatat e Donald Trump. Kreu i qeverisë e quajti super sondazhist dhe vuri theksin te fakti që në zgjedhjet e fundit në SHBA ishte nga ata që nuk iu bashkuan sondazheve që nxirrnin përpara Kamala Harris apo flisnin për një garë të ngushtë. Por në të njëjtën kohë, Rama ngriti edhe pikëpyetjen që John McLaughlin mund ta ketë sjellë strategu amerikan i kontraktuar nga PD-ja, Chris Lacivita.
“Aaa, që të mos harroj se po shkojmë drejt mbylljes, sondazhisti i Donald Trumpit pashë që është kontaktuar dhe kontraktuar nga Top Channel. E ka sjellë Latifi. Kush e ka sjellë? Nuk e di, nuk ka pikë rëndësie, po di që kam qenë ndjekës shumë i vëmendshëm i fushatës amerikane, ai është një super sondazhist sepse dilte edhe i binte ndesh sondazheve në përgjithësi, që jepnin Kamalën përpara ose që jepnin Trumpin prapa ngushtësisht, etj dhe i doli fare, kështu që deri tani nuk kam parë ndonjë sondazh që të dalin , që ka një vërtetësi, jo se s’janë të vërteta, të gjitha të vërteta janë ato se ata i bëjnë vërtetësish se janë me emër po që duke qenë se ne e ndjekim, e anketojmë popullin shqiptar çdo muaj prej 12 vjetësh, i kemi të gjitha kapicë trendet, gjërat,”- deklaroi Rama.
Por sesa të vërteta janë sondazhet e amerikanit mund ta thoshte vetëm dikush…miku i tij i afërt, këshilltari i Partisë Demokratike, Chris LaCivita. Dje, në krah të Berishës që tha hapur se nuk njihte asnjë lloj sondazhi, LaCivita komentoi në Top Story sondazhin e “McLaughlin and Associates”. Ai u shpreh se McLaughlin është një mik i tij shumë i mirë dhe po ashtu, dha versionin e tij se përse Partia Socialiste del fituese në këto sondazhe.
“McLaughlin është një mik shumë i mirë. Sondazheve në SHBA i besoj. Fakti është që sondazhet përfaqësojnë disa aspekte në kohë dhe çka ato nuk arrijnë të kapin, nuk kapin se çfarë ndodh në terren. Unë e di që sondazhet këtu në Shqipëri zhvillohen derë më derë dhe flet me çdo person. Shumë njerëz nuk duan të flasin me një të huaj që po u troket në derë dhe i pyet kë do të votojnë, kur udhëheqësi i tyre është një diktator si Edi Rama. Është një logjikë më se e arsyeshme dhe pjesa e natyrës njerëzore t’u thuash njerëzve atë që dëshirojnë të dëgjojnë.”
Por kush ka të drejtë në këtë betejë interpretimesh?
Rama, që i referohet përvojës së vetë dhe sondazheve afatgjata që ndjek çdo muaj?
Berisha, që ngre dyshime mbi çdo shifër? Apo LaCivita, strategu që thotë se njerëzit në Shqipëri kanë frikë të thonë të vërtetën e votës së tyre? E vetmja e vërtetë e padiskutueshme është se fitorja e çdo pale, e madhe apo e vogël, vendoset në terren, në atë që ndodh në heshtje, në atë moment kur kutia e votimit bëhet vendi më i sinqertë në një shoqëri që ende nuk ka mësuar të besojë plotësisht as sondazhet, as fjalët.
Socialistët duket se mbajnë epërsinë. Demokratët besojnë te vala e heshtur. Partitë e reja po tentojnë të bëjnë çarjen e parë në murin e politikës tradicionale, ndërsa votuesit janë të thirrur të zgjedhin në një garë ku, për herë të parë, nuk është vetëm pushteti që ka peshë, por edhe besimi.
Surprizë mund të jetë vota e diasporës, një shifër prej gati 200 mijë vota që askush nuk i ka parashikuar me saktësi, por që mund të jenë përcaktuese, ashtu siç ndodhi në Kosovë. Po ashtu, shkalla e votave të pavlefshme, një plagë që rihapet në çdo cikël zgjedhor, është një faktor i errët me ndikim të drejtpërdrejtë.
Kjo e nesërmja nuk është thjesht një proces teknik. Është një referendum i brendshëm për secilin qytetar: për atë çfarë dëshiron të mbajë, të ndryshojë, ose të harrojë. Dhe përballë kësaj të drejte, asnjë sondazh nuk ka peshë më të madhe se një votë.
11 maji është dita e tyre. 12 maji është dita jonë për të kuptuar ku jemi nisur./ZËRI
Një historik i shkurtër i zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri

Që nga viti 1991, kur shqiptarët votuan për herë të parë në zgjedhje pluraliste, vendi ka zhvilluar dhjetë palë zgjedhje parlamentare, ndërsa të dielën do të votojë për herë të njëmbëdhjetë. Nga këto dhjetë palë zgjedhje, gjashtë janë fituar nga partia në pushtet, ndërsa në katër raste pushteti ka ndryshuar krah. Në dy nga të katra rastet që pushteti ka humbur, ndryshimi është shoqëruar me trazira të mëdha civile, më 1992 dhe 1997. Në dy herë të tjera kur pushteti ka ndryshuar, më 2005 e 2013, sërish ndryshimi nuk ndodhi pa telashe. Në rastin e parë më 2005, një aktivist i opozitës u vra në Tiranë ndërsa në vitin 2013, një aktivist i LSI, e cila ndryshoi krah dhe ruajti pushtetin, u vra në Laç. Me pak fjalë, Shqipëria nuk ka përjetuar deri më sot një ndryshim pushteti pa gjak.
Në zgjedhjet e 31 marsit 1991, shqiptarët votuan për herë të parë për të zgjedhur mes Partisë së Punës, e cila e pati marrë pushtetin më 1945, dhe Partisë Demokratike e disa partive të tjera të vogla, për të zgjedhur një parlament të ri. Partia e Punës fitoi mbi 75% të votave ndërsa dy ditë më vonë, në Shkodër, protestat qytetare kundër fitores së saj u mbyllën me vrasjen e katër protestuesve. Vrasjet e tyre nuk u hetuan kurrë profesionalisht dhe vijojnë të mbeten edhe sot formalisht pa autor.
Fitorja e Partisë së Punës dhe ngjarjet tragjike të Shkodrës dy ditë më vonë, demonstruan gatishmërinë e partisë në pushtet për të abuzuar me pushtetin shtetëror dhe lehtësinë që ky lloj abuzimi krijon për të fituar zgjedhjet. Gjithsesi, Partia e Punës, e cila gjashtë muaj më vonë ndryshoi emrin në Partia Socialiste e Shqipërisë, fitoi zgjedhjet në atë që Ismail Kadare e cilësoi “një fitore të mjerë”, për shkak se pati një ndasi të madhe mes qendrave urbane që votuan për opozitën dhe zonave rurale, ku banonte në atë kohë 63% e popullsisë, të cilat votuan për partinë e qeverisë. Vetë udhëheqësi komunist i kohës, Ramiz Alia, humbi zgjedhjet maxhoritare në Tiranë përballë një kandidati pak të njohur të opozitës.
Shumë trazira ndodhën, shumë njerëz humbën jetën gjatë trazirave, dhe dhjetëramijëra u arratisën nga vendi, veçanërisht në 6 mars 1991 dhe në korrik 1991 nga Porti i Durrësit para se Partia Socialiste të pranonte se nuk ishte në gjendje të qeveriste, duke lejuar tranzicionin e pushtetit.
Katër vjet më vonë, Partia Demokratike në pushtet u akuzua se manipuloi zgjedhjet në të gjitha mënyrat e mundshme, dhunoi opozitën me polici dhe pastaj u detyrua të dorëzojë pushtetin pak më shumë se një vit më vonë, duke lënë vendin djerrë në mes të trazirave të vitit 1997 që shkaktuan mbi 1800 vdekje të dhunshme.
Në vitin 2001, maxhoranca socialiste kreu gjithashtu manipulimet e saj, blerjet e votave me thasë mielli dhe ndryshimin e rezultatit në Gjykatën Kushtetuese, krahas fenomenit të njohur si Dushku, ku disa manovrime jo tërësisht të ligjshme prodhuan 11 mandate deputetësh në vetëm një zonë elektorale, para se të detyrohej, nën trysninë e ndërkombëtarëvve, të arrinte një marrëveshje me opozitën në vitin 2003, marrëveshje që i hapi rrugën zgjedhjeve thuajse normale dhe ndryshimit të pushtetit më 2005.
Ndryshimi ishte thuajse normal sepse shumë nga kandidatët, veçanërisht nga maxhoranca, garuan duke ofruar thuajse haptazi thasë me miell, shishe vaji apo pagesa të listave të borxheve të të varfërve nëpër dyqanet e ushqimeve si pjesë e përpjekjes për të bindur votuesit se ishin oferta më e mirë. Dhe, më 2005, njësoj si edhe sot, shumë drejtorë nga pozicionet famëkeqe për korrupsion, tatime e dogana, ishin garues në zgjedhje për maxhorancën.
Në vitin 2008, udhëheqësi i maxhorancës Sali Berisha, dhe ai i opozitës Edi Rama ranë dakord për të reformuar sistemin zgjedhor, duke krijuar sistemin aktual të proporcionalit rajonal. Sistemi i zgjedhur prej tyre tentoi një duopol për pushtetin mes PS-së dhe PD-së por njëkohësisht, për shkak të listave të mbyllura dhe mungesës së demokracisë së brendshme në partitë respektive, i bëri deputetët efektivisht të emëruar nga kryetarët dhe jo të zgjedhur nga votuesit.
Abuzimi me pushtetin ishte diçka pa të cilën qeveria nuk bënte dot në zgjedhjet e vitit 2009, kur, nga njëra anë, PD i bënte presion administratës për të dalë në mitingje e për të mobilizuar vota dhe nga ana tjetër, kryetari i Bashkisë së Tiranës dukej se bënte të njëjtën gjë me administratën e vet lokale. Kur zgjedhjet përfunduan me rezultat të ngushtë, Partia Socialiste në opozitë kërkoi rinumërim të votave, me pretendimin se një pjesë e komisionerëve të saj në qendrat e numërimit ishin blerë nga qeveria. Protestat për “hapjen e kutive” vazhduan me vite. Pastaj, në dhjetor 2010, ministri i Energjisë Dritan Prifti nxorri një video në të cilën ai dhe shefi i partisë së tij, Ilir Meta shfaqeshin duke diskutuar korrupsion dhe ndërhyje të paligjshme në sistemin e drejtësisë. Ndërsa Partia Socialiste nxorri protestuesit më 11 janar 2011, qeveria iu përgjigj dhunës me dhunë akoma më brutale, gjë që solli vrasjen në bulevard të katër protestuesve.
Zgjedhjet e vitit 2009 shënuan gjithashtu për herë të parë përdorimin masiv të “kasetave”, materialeve të parapërgatitura nga zyrat partiake të cilat transmetoheshin në mediat mbështetëse përkatëse në formën e “lajmeve”. Partitë politike filluan gjithashtu rreth kësaj periudhe të kontrollonin prezencën në emisionet e debatit, me pjesëmarrës të caktuar prej tyre, me tema të parapërgatitura, me zhurmues, pra opinionistë të caktuar për të shkaktuar zhurmë në debatet publike me qëllim mbytjen e argumenteve.
Mes viteve 2009 dhe 2013, modeli i makinerisë politike, e cila shfrytëzon pushtetin në mënyrë sistemike për të mobilizuar vota, u shfaq me Lëvizjen Socialiste për Integrim, e cila në mënyrë të famshme kërkoi një kuotë 20% në të gjithë administratën publike. Krahas saj, Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet filloi të marrë fiziononimë e makinerisë elektorale duke fituar katër mandate deputetësh në zgjedhjet e vitit 2013, ku dy nga katër deputetët e saj ranë më vonë në grackën e procesit të dekriminalizimit të politikës.
Kur LSI vendosi të ndryshojë krah, në vitin 2013, ky vështirë se ishte ndryshimi i vetëm. Në fakt, në dy muajt e fundit para zgjedhjeve, Berisha ruajti maxhorancën qeverisëse dhe, rrjedhimisht, kontrollin e parlamentit, pasi bleu deputetët që i mungonin nga zgjedhjet e vitit 2009 nga radhët e socialistëve. Njëri prej tyre, Kastriot Islami, u bë më vonë deputet i PD-së.
Zgjedhjet e vitit 2013 shënuan edhe suksesin e parë politik në shkallë të gjerë të strukturave të shumta kriminale në zgjedhjet shqiptare. Ndërsa më herët gangsterët patën qenë më së shumti figurantë të dorës së dytë, më 2013, në të dyja krahët e politikës, numri i të fortëve që çanë përmes listave të mbyllura të kryetarëve për në Kuvendin e Shqipërisë u rrit në mënyrë dramatike.
Rasti më domethënës ishte ai i deputetit Arben Ndoka, i cili është aktualisht në arrati, i akuzuar për pjesëmarrje në krim të organizuar, vrasje e mbetur në tentativë e krime të tjera, në atë që njihet si Dosja e Shtatë Bandave.
Si një tregues i masivitetit të blerjes së votave, pak para ditës së zgjedhjeve të vitit 2013, Kisha Katolike lëshoi një deklaratë të pazakontë ku tregonte se rrjeti i saj i priftërinjve dhe i punonjësve socialë ishte informuar nga qytetarët për oferta të shumta për blerje votash dhe ajo i bëri thirrje besimtarëve të mos pranonin para. Në zgjedhjet e vitit 2017, socialistët arritën të fitojnë të vetëm pasi votuesit e opozitës duket se refuzuan në një masë të konsiderueshme të dalin në zgjedhje. Fitorja e PS-së gjithsesi erdhi pjesërisht prej fatit, pasi ata morën 48% të votës popullore dhe 74 mandate ose 53% të ndenjëseve dhe diferenca prej 4 apo pesë mandatesh u sigurua nga votat e djegura të partive të vogla opozitare.
Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2021, suksesi i PS-së duket se erdhi nga transformimi i kësaj partie në një makineri të stërmadhe elektorale, në atë që, pas zgjedhjeve, vetë kryetari i saj e përshkroi si “mungesë fatale” të “ndjenjës së brendshme të përkatësisë përtej interesit vetjak”. Me pak fjalë, PS u kthye në një LSI apo PDIU të madhe, pasi bleu një pjesë të konsiderueshme të aktorëve lokalë të të dyja këtyre partive, me më shumë sukses me blerjet nga PDIU në Elbasan, strukturë që u sanksionua më vonë nga Departamenti i Shtetit.
Që nga zgjedhjet e vitit 2009, asnjë parti e vogël me përjashtim të makinerive të fuqishme elektorale nuk ka arritur të çajë duopolin PS-PD. Lëvizja Socialiste për Integrim ishte ajo që arriti të mbijetojë pasi fitoi katër deputetë në vitin 2009 dhe mori statusin e gurëkyçit në krijimin e maxhorancës qeverisëse, forcës së vogël, mandatet e së cilës krijojnë maxhorancën. Ajo e ruajti pozicionin e njohur në anglisht si kingmaker në vitin 2013, kësaj here duke siguruar 16 mandate.
Situata duket se është ndryshe në këto zgjedhje, ku minimalisht tre dhe maksimalisht pesë parti të vogla duket se shpresojnë për mandate dhe po i shpresojnë këto mandate, jo nga votat për interes që sigurohen zakonisht nga makineritë elektorale të së shkuarës, por nga votat me ndërgjegje të dhëna nga qytetarët që nuk presin prej këtyre partive ndonjë kompensim.
Në këtë konteks, zgjedhjet e së dielës mundet të kthehen në pikënisje për një kapitull të ri politik dhe data kur shqiptarët kanë mundësinë që t’i kundërvihen moçalit të interesave të politikanëve që abuzojnë me burimet shtetërore për të fituar zgjedhjet dhe fitojnë zgjedhjet për të abuzuar me atë që është e përbashkët.
Sa i përket faktit që pushteti politik, aq herë sa ka ndryshuar deri më sot, ka kërkuar sakrificë njerëzore, ky është një mallkim që nuk është shkulur ende./BIRN
"Vullnet Sinaj blen vota"/ Berisha denoncon skemën e blerjes së votave në Vlorë

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka denoncuar blerjen e votave nga kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Vlorë, Vullnet Sinaj. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se një qytetar e ka informuar se Sinaj, me ndihmën e një “armate” të kamufluar, ka përgatitur listat dhe zarfat për shpërndarjen e votave në këto zona.
Postimi i plotë i Berishës:
Krimineli Vullnet Sinaj blen vota! Dënoj me forcën më të madhe krimin e tij të shëmtuar. Lexoni denoncimin e qytetarit digital! I nderuar Doktor! E para uroj te kemi nje fitore sa me te thelle. Po ju dergoj nje informacion shume te sakte dhe teper sekret per ne territorin e Bashkise Selenice dhe lumin e vlores. Deputeti Vullnet Sinaj me armaten e tij te kamufluar, mbreme kane bere listat e fundit per shperndarje te zarfave ne zone dhe sot do bejne veprimet e tyre. I pari qe jane listat eshte karburanti ne Peshkepi me emrin Mesa oil i shtetasit Mirosh Hoxhaj. Kryatari partise ne Vllahine Florjan Muça ka marre listat mbreme me zarfat qe mund te kapen ne flagrance. Soklo Hodaj ne selenice dhe biznesi ne vlore kane marre lista me zarfat. Engjelush Bellaj njehkosisht babai i kryetarit bashkise selenice ne zone dhe ne biznesin e tij ne vlore do gjeni lista me zarfa. Menaxheri kryesor i big market Arsen Devollaj e keni ne zone te lumit vlores dhe ne bregdet ne himare me zarfat. Te lutem denoncoje ne menyre sekrete jo ne polici se kane mbeshtetje pi shikoj vete mundesine duke me ruajtur dhe mua anonimitetin./ZËRI
Sondazhi i ZËRI-t, kush janë fituesit e "11 majit"

TIRANË- Ndjekësit e "ZËRI" kanë zgjedhur partinë e tyre fituese në zgjedhjet parlamentare të 11 majit që do të mbahen ditën e nesërme. Në një sondazh ku kanë marrë pjesë thuajse se 1000 votues, partia fituese është Partia Demokratike. Për opozitën kanë votuar 45% e votuesëve në uebin e faqes zyrtare të ZËRI-t. Vendin e dytë e mban Partia Socialiste e Shqipërisë me 19%; ndërkohë podiumi tjetër është "zënë" nga Lëvizja Bashkë, e kryesuar nga Arlind Qori. Më pak të votuarat në sondazhin e ZËRI-t është Lëvizja Atdheu, Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare dhe Partia SocialDemokrate që kanë siguruar 1% të votave.
REZULATET E SONDAZHIT:
Koalicioni "Partia Demokratike-Aleanca për Shqipërinë Madhështore" - 45%
Lëvizja Bashkë- 11%
Lëvizja Atdheu- 1%
Koalicioni Euroatlantik- 2%
Partia Socialiste e Shqipërisë -19%
Koalicioni "Nisma Shqipëria Bëhet"- 6%
Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare -1%
Partia Aleanca Demokracia e Re -1%
Koalicioni "Djathtas për zhvillim" - 2%
Partia Mundësia-10%
Partia SocialDemokrate- 1%./ZËRI
FOTO-LAJM/ Kryeministri Rama takohet me vëzhguesit e OSBE

TIRANË- Teksa na ndajnë pak orë nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me vëzhguesit e OSBE/ODHIR në Tiranë. Në takim ishin të pranishëm Koordinatorja Speciale e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për zgjedhjet në Shqipëri, Farah Karimi; kreu i Delegacionit të AP të OSBE-së, Björn Söder dhe Koordinatori i EPP në Parlamentin Europian, Michael Gahler.

Ndërkohë që sot, Shqipëria është në heshtje zgjedhore ndërsa të dielën e 11 Majit, të gjithë qytetarët me të drejtë votimi do t'i drejtohen kutive të votimit. Këto zgjedhje, kutitë do të mbushen edhe nga vota e diasporës./ZËRI
“S’kemi raste flagrante të përdorimit të fondeve shtetërore”/ Zgjedhjet, Celibashi: Rezultat dalin të hënën pasdite!

TIRANË- Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka folur për atmosferën zgjedhore dhe gjithë procesin, kur vetëm pak orë na ndajnë nga nisja e votimeve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Gjatë një interviste për emisionin “Kjo Javë”, Celibashi u shpreh se është i kënaqur me mbarëvajtjen e fushatës, duke i vënë theksin bashkëpunimit me institucionet e drejtësisë. Në fjalën e tij, ai u shpreh se gjatë 30 ditëve fushatë janë regjistruar 35 procedime penale për deformim të votës.
Celibashi: Iniciativë e cila mund ta them pa hezitim që ka prodhuar efektin që ne donim. Ndoshta me siguri mendon krejt ndryshe, por jam i bindur që qoftë edhe afirmimi publik i angazhimit të katër institucioneve për të adresuar shpejt problematikat zgjedhore e ka dhënë impaktin e vet. Nuk kemi raste masive të shkeljeve apo veprave në fushën e zgjedhjeve. Besoj ka qenë një kontribut pozitiv për integritetin e procesit. Nëse flasim për rezultate, ka disa raste ndalimesh apo arrestimesh. KQZ u është përgjigjur në kohë rekord çdo kërkese të strukturave për dokumentacion për prova që sipas tyre janë të nevojshme për procedime të caktuara penale. Deri më sot bashkëpunimi ka qenë konkret, ka ardhur si rrjedhojë e vetë institucioneve që janë palë në bashkëpunim, nuk ka qenë i imponuar nga faktorë vendas apo ndërkombëtarë dhe mendoj se është reflektim i pjekurisë institucionale të këtyre institucioneve për të reaguar dhe vepruar si duhet të veprojnë. Jemi në komunikim të përditshëm me këto struktura. Do të vazhdojnë ta shohin me skepticizëm këtë bashkëpunim, ka paragjykime për të gjithë institucionet dhe ne si individë, por është e vështirë t’u thuash njerëzve ta bazojnë gjykimin në fakte. Disave thuaji çfarë të duash dhe do vazhdojnë ta mendojnë si duan, pa predispozitën dhe dëshirën për të qenë realistë. Për fat këta janë pakica sepse ajo që konstatojmë, shumica e qytetarëve shqiptarë dhe shumica e faktorit politik dhe atij jo politik e shohin që gjërat po funksionojnë. Me siguri dikush pret edhe më shumë, apo e quan të realizuar nëse ka nja 200 veta në burg, por nëse nuk ka për të dënuar, nuk ka.
Në lidhje me përdorimin e burimeve shtetërore për qëllime elektorale, Celibashi tha se nuk janë konstatuar raste flagrante. Sa i përket rezultateve të votimit, kryekomisioneri Celibashi tha se rezultat e para nga numërimi i votave në vend mund të dalin pasditen e së martës.
"Besoj se e marta pasdite do të na gjejë me të dhëna të plota për votimin brenda vendit. Po shikojmë se çfarë do të përmirësojmë nga pikëpamja infrastrukturore organizative që edhe për votimin nga jashtë që ky rezultat të jetë publik brenda këtij afati,"-shtoi kreu i KQZ./ZËRI
PS-KQZ: Afati i votimit në Vlorë të shtyhet deri në orën 22:00, rrugët do bllokohen nga “Giro D’Italia”! PD kundër

VLORË- Drejtues Politik i Partisë Socialiste në Vlorë, Bledi Çuçi, në një shkresë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në shkresë kërkohet që të shtyhet orari i mbylljes së disa qendrave të votimit në këtë qark. Kjo për shkak se Çuçi shprehet se arsyeja është aktiviteti i sportiv ndërkombëtar “Giro D’Italia”, që zhvillohet në Vlorë ditën e zgjedhjeve, më 11 Maj. Sipas Çuçit, ndalimi i qarkullimit në 14 akse kryesore rrugore në qytetin e Vlorës mund të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit të kësaj Bashkie. Ndaj për të zgjidhja është shtyrja e orarit të votimit.
“Bazuar në këtë informacion dhe duke vlerësuar se lëvizja e qytetarëve drejt këtyre qendrave mund të jetë e vështirësuar apo e pamundur për një pjesë të ditës, kërkojmë që për të gjitha këto qendra të shtyhet orari i votimit deri në orën 22:00,”-thuhet ndër të tjera në shkresë.
KËRKESA E PS VLORË:
Në vijim të komunikimit me Bashkinë e Vlorës, ju informoj se në datën 11 Maj 2025, në territorin e kësaj Bashkie do të zhvillohet aktiviteti sportiv ndërkombëtar “Giro D’Italia”. Masat e ndërmarra për organizimin e këtij eventi do të përfshijnë bllokimin e 14 akseve kryesore rrugore në qytetin e Vlorës dhe zonat përreth, shumica e të cilave do të qëndrojnë të bllokuara për më shumë se 4 orë.
Sipas informacioneve të marra nga Bashkia e Vlorës, bllokimi i këtyre akseve rrugore do të ndikojë në aksesueshmërinë e 55 qendrave të votimit të kësaj Bashkie. Në përgjigje të kërkesës për informacion, Bashkia e Vlorës na ka vendosur në dispozicion një listë të detajuar të akseve rrugore që do të bllokohen dhe qendrave të votimit të cilat do të afektohen nga ky bllokim, të cilën mund ta gjeni bashkëlidhur kësaj shkrese”, thuhet në kërkesën e PS.
Për shkak të kufizimit të lëvizshmërisë për më shumë se 4 orë në 14 akse kryesore në Bashkinë Vlorë, socialistët thonë se do të pengohet ushtrimi i të drejtës votës për shumë qytetarë dhe për këtë kërkon shtyrjen e orarit të votimit nga ora 19:00 deri në 22:00
“Bazuar në këtë informacion dhe duke vlerësuar se lëvizja e qytetarëve drejt këtyre qendrave mund të jetë e vështirësuar apo e pamundur për një pjesë të ditës, kërkojmë që për të gjitha këto qendra të shtyhet orari i votimit deri në orën 22:00. Vlerësojmë se kjo shtyrje e orarit është e domosdoshme për të garantuar ushtrimin e së drejtës kushtetuese për të votuar dhe për të siguruar një proces zgjedhor të papenguar, ku çdo qytetar të ketë mundësi për të ushtruar të drejtën e tij për të zgjedhur.
Por Partia Demokratike kundërshton kërkesën e PS paraqitur në KQZ për shtyrjen e orarit të votimit në disa qendra në qytetin e Vlorës, për shkak të zhvillimit të aktivitetit sportiv “Giro d’Italia”. Në një shkresë dërguar komisionerit Ilirjan Celibashi, PD shprehet se është kategorikisht kundër këtij propozimi. Në shkresën e depozituar në KQZ, opozita pretendon se zgjedhjet nuk mund të përshtaten me orarin e propagandës qeveritare.
"Është procesi zgjedhor që duhet të ketë përparësi absolute. Nëse aktiviteti sportiv bie ndesh me rregullsinë e zgjedhjeve, atëherë përgjegjësia bie mbi organizatorët dhe jo mbi qytetarët apo institucionet zgjedhore. Për më tepër, një ndërhyrje e tillë e kërkuar nga PS vetëm pak orë para zgjedhjeve, cënon besueshmërinë e procesit dhe krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen. Kjo nuk është thjesht një çështje orari – është një çështje parimi dhe standardi demokratik. PD–ASHM kërkon me forcë që kërkesa e PS të mos merret në konsideratë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Çdo vendimmarrje në këtë drejtim do të konsiderohej nga ana jonë si një ndërhyrje e papranueshme në barazinë e garës dhe një minim i rëndë i integritetit të zgjedhjeve jo vetëm në qytetin e Vlorës, por në të gjithë qarkun,"-shkruhet ndër të tjera në reagimin e PD.
Reagimi i PD:
I nderuar z. Celibashi,
Duke iu referuar kërkesës së paraqitur nga Partia Socialiste për shtyrjen e orarit të votimit në disa qendra në qytetin e Vlorës, për shkak të zhvillimit të aktivitetit sportiv “Giro d’Italia”, ju informojmë se Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD–ASHM) është kategorikisht kundër këtij propozimi. Ky aktivitet, i organizuar nga vetë qeveria aktuale në ditët më kritike të fushatës zgjedhore, përfshirë ditën e heshtjes dhe tani edhe ditën e zgjedhjeve, ka karakter të qartë propagandistik dhe shërben më shumë për qëllime elektorale dhe promovimi. Të shpenzosh mbi 7 milionë euro nga fondet publike për një shfaqje të tillë, dhe më pas të kërkosh edhe shtyrje të orarit të votimit për t’ia përshtatur axhendës së kësaj ngjarjeje, është një abuzim i papranueshëm me procesin zgjedhor.
Duhet shtuar se për dy ditë me radhë është ndaluar lëvizja e lirë në territorin e Tiranës, janë pamundësuar aktivitetet politike të opozitës dhe i është mohuar e drejta kushtetuese subjekteve politike për të komunikuar me qytetarët në ditët vendimtare të fushatës. Ky precedent shkel parimet themelore të një procesi të lirë dhe të ndershëm zgjedhor. Qëndrimi ynë është i qartë: zgjedhjet nuk mund të përshtaten me orarin e propagandës qeveritare. Është procesi zgjedhor që duhet të ketë përparësi absolute. Nëse aktiviteti sportiv bie ndesh me rregullsinë e zgjedhjeve, atëherë përgjegjësia bie mbi organizatorët dhe jo mbi qytetarët apo institucionet zgjedhore. Për më tepër, një ndërhyrje e tillë e kërkuar nga PS vetëm pak orë para zgjedhjeve, cënon besueshmërinë e procesit dhe krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen. Kjo nuk është thjesht një çështje orari – është një çështje parimi dhe standardi demokratik. PD–ASHM kërkon me forcë që kërkesa e PS të mos merret në konsideratë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Çdo vendimmarrje në këtë drejtim do të konsiderohej nga ana jonë si një ndërhyrje e papranueshme në barazinë e garës dhe një minim i rëndë i integritetit të zgjedhjeve jo vetëm në qytetin e Vlorës, por në të gjithë qarkun.
Pavarësisht pretendimeve, KQZ ende nuk ka marrë asnjë vendim./ZËRI
'Votimet nesër të jenë të mbara'/ 24 orë para zgjedhjeve, Rama telefonatë me Erdogan, çfarë u diskutua

ANKARA- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan. Sipas medias "Anadollu", telefonata kishte si çështje kryesore marrëdhëniet dypalëshe, çështjet rajonale dhe zhvillimet globale. Edhe për shkak se është zhvilluar një ditë para zgjedhjeve parlamentare, zbulohet se gjatë telefonatës, presidenti turk shprehu urimin e tij që votimet që do të mbahen në Shqipëri nesër të jenë të mbara.
Drejtoria e Komunikimit e Turqisë njoftoi se presidenti Erdoğan gjatë bisedës telefonike vlerësoi miqësinë dhe dialogun e saj me Shqipërinë, duke deklaruar se bashkëpunimi midis dy vendeve do të vazhdojë të forcohet në periudhën e ardhshme. Duke theksuar se organizimi i samiteve të Komunitetit Politik Evropian dhe Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Shqipëri është një dëshmi e profilit ndërkombëtar në rritje të Shqipërisë, Erdoğan shprehu urimin e tij për sukses.
Ndërkohë, lajmi për bisedën është bërë me dije nga mediat turke, ndërsa kryeministri Edi Rama nuk ka ndarë asnjë detaj nga biseda telefonike që ka pasur me presidentin turk, të cilin e cilëson si një mik shumë të ngushtë./ZËRI
U denoncua nga një qytetar se i kërkoi votën, Policia çon në Prokurori Gjin Gjonin

LEZHË- Gjin Gjoni ka një tjetër çështje të hapur në Prokurorinë e Lezhës. Kandidati për deputet në listën e hapur të Partisë Demokratike për qarkun e Lezhës është kallëzuar sërish, kësaj here nga një qytetar. Sipas një 66-vjeçari të identifikuar me inicialet V.K., kandidati i ka shkuar në banesë për t'i kërkuar votën. Ndaj edhe e ka kallëzuar.
Çështja është referuar tashmë nga Policia në Prokurori.
“Në ngarkim të shtetasit Gj. Gj. 55 vjeç, banues në Lezhë ( kandidat për deputet i subjektit politik “Partia Demokratike”, pasi ndaj tij është bërë kallëzim nga shtetasi V. K., 66 vjeç, banues në Lezhë, se i ka shkuar te banesa duke i kërkuar votën,”-njofton Policia.
Lidhur me çështjen, në një intervistë për Syri TV, Gjin Gjoni pretendon se akuzat ndaj tij janë të pabaza. Sipas tij, kjo është një tentativë për të ushtruar presion ndaj tij dhe qytetarëve në prag të zgjedhjeve.
"Dua të flas është një ngjarje e turpshme, e cila është bërë publike nga Drejtoria e Policisë Lezhë dhe është i dyti rast që Drejtoria e Qarkut Lezhë është vënë në shërbim të pushtetit, dhe padyshim sot kanë nxjerrë një deklaratë se specialistët e hetimit të krimeve të Komisariatit të Policisë kanë kryer hetime proceduriale, duke referuar materialet hetimore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, në ngarkim të shtetasit Gjin Gjoni, pasi ndaj tij është bërë kallëzim se shtetasi Vlash Kuka, 66 vjeç, i ka shkuar në banesë për t’i kërkuar votën. Po të lexosh këtë deklaratë, nuk është aspak profesionale e ligjore, por Drejtoria e Policisë dhe specialistët e hetimit të krimeve pranë Drejtorisë së Policisë Qarku Lezhë janë jo profesionale dhe janë me ngarkesa politike për një arsye shumë të thjeshtë: si mund të bëhet kallëzim dhe të jepet deklaratë për shtyp se ka shkuar në banesë një person për t’i kërkuar votën?
Në asnjë vend të botës, por edhe në demokraci 34 vjeçare, këtë demokraci të broshte nuk është shkelje të shkosh të kërkosh votën qytetarit në banesë, dhe policia me dashje e ka përcjellë këtë për t’i dhënë material medias që janë të lidhura me pushtetin e sotëm për të ushtruar presion ndaj qytetarëve, dhe që ndaj Gjin Gjonit ka nisur çështje penale penal, e kjo nuk është aspak e vërtetë,"-tha në fjalën e tij Gjoni.
Por sërish çështja është dërguar për hetimet të mëtejshme në Prokurorinë e Lezhës./ZËRI
Shtruan rrugën në Belsh gjatë fushatës elektorale, Prokuroria ndalon 2 persona, 2 të tjerë në kërkim

ELBASAN- Prokuroria e Elbasanit ka ndaluar 2 persona, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim për "asfalt elektoral". 4 persona, punonjës të Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit në Belsh akuzohen se lejuan shtrimin e rrugëve në Belsh gjatë fushatës elektorale. Rasti është denoncuar me video nga kreu i Partisë Demokratike në Belsh, Dritan Cani.
Sipas Prokurorisë, punonjësit kanë lejuar që subjekti ‘V.H’ shpk të shtrojnë rrugët e Belshit, edhe pa pasur një projekt. Aktualisht janë ndaluar Fation Muça dhe Lorenc Hoxha, ndërsa në kërkim janë shpallur administratorët e subjektit ndërtues, Besnik Hysa e Dhiogjen Kristo.
Lejuan shtrimin e rrugëve në Belsh në funksion të fushatës elektorale, Prokuroria Elbasan ndalon 4 persona
NJOFTIMI I PROKURORISË:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr. 446 të vitit 2025 për veprën penale të “Shpërdorim detyre”, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”, “Ndërtim i paligjshëm” dhe “Moskallëzim i krimit” të parashikuar nga nenet 248, 328/a/4, 199/a/3 dhe 300 i K.Penal. Në datë 05.05.2025, ora 08:30, nga këqyrja në rrjetin social “Facebook”, është shfaqur postim “Asfalt elektoral në Belsh”, në video dallohet një kamion me mbishkrimin “V. H.” dhe mbrapa saj një mjet që shtron asfalt. Në këmbë gjendet kandidati i një koalicioni zgjedhor shtetasi D.C. Ky shtetas në video mes të tjerash relaton se: “I bëj thirrje Kryetarit të Bashkisë Belsh, që pse shtrohet ky asfalt tani, një javë para zgjedhjeve”.
Në kuadër të këtij procedimi janë kryer disa veprime hetimore si kqyrja e vendit të ngjarjes, kqyrja dhe sekuestrimi i dokumentacionit mbi punimet në rrugë (praktika e mbajtur nga ana e Bashkisë Belsh dhe nga subjekti “V.H” shpk), administrim i deklarimeve të personave që kanë dijeni rreth veprës penale. Në tërësi të veprimeve hetimore të kryera deri në këto momente, rezulton se ka dyshime të arsyeshme që punonjës të IMT Bashkia Belsh kanë kryer veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, pasi me mosveprimet e tyre kanë lejuar që subjekti “V.H” shpk të shtrojnë pa projekt rrugë të brendshme në qytetin e Belshit, të dyshuara të kryera në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet e datës 11.05.2025. Nga ana e subjektit “V.H.” shpk është kryer vepra penale e “Ndërtimit të paligjshëm” parashikuar nga neni 199/a/3 i Kodit Penal. Sa me sipër në datë 10.05.2025 nga Prokurori i çështjes është urdhëruar ndalimi i të dyshuarve për një krim shtetasve F.M., L.H., Dh.K. dhe B.H. Nga policia gjyqësore është ekzekutuar ndalimi për dy shtetas, jane ushtruar kontrolle vendesh si dhe është bërë shpallja në kërkim e dy shtetave Dh.K. dhe B.H./ZËRI
Berisha e mohoi se kërkoi vizë për në SHBA, zbulohen dy letrat e lobueseve për Marco Rubion

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i shpallur “non grata” në maj 2021 prej administratës Biden, mohoi të kishte kërkuar marrjen e një vize amerikane për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara. Në një dokument të publikuar nga "TopChannel" duket se përpjekjet e Berishës për të shkuar në SHBA kanë nisur që në 25 mars të këtij viti, shumë pak ditë para nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Siç edhe bëhet me dije nga kontrata e lobimit, përfaqësues të disa organizatave në Tiranë, i janë drejtuar 2 herë Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, me kërkesë për vizë në SHBA. Mesa duket përfaqësuesit ose siç i citon Berisha, "patriotët" kanë kërkuar që Berisha të zhvillonte një takim me ta, siç është vepruar kudo në Diasporë para dhe gjatë fushatës zgjedhore.
Por nuk dihet nëse ka pasur dhe cila ka qenë përgjigjia e sekretarit amerikan të shtetit.
KËRKESA:
Ne, udhëheqësit e nënshkruar të organizatave të mëposhtme shqiptaro-amerikane, së bashku me anëtarët dhe mbështetësit tanë brenda komuniteteve tona, jemi të nderuar të paraqesim këtë kërkesë zyrtare për lëshimin e një vize hyrje-daljeje për Prof. Dr. Sali Berishën, Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë, për të vizituar Shtetet e Bashkuara. Prof. Dr. Sali Berisha është ftuar zyrtarisht nga organizatat tona për t'u takuar me komunitetin shqiptaro-amerikan në Shtetet e Bashkuara. Si qytetarë të Shteteve të Bashkuara dhe anëtarë aktivë të komuniteteve tona, ne e njohim rëndësinë themelore të angazhimit dhe pjesëmarrjes demokratike në të ardhmen politike të Shqipërisë. Me zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Shqipëri të planifikuara për 11 maj 2025, ne kërkojmë praninë e Prof. Dr. Berishës për t'iu drejtuar komunitetit tonë dhe për të ofruar udhëzime se si mund të kontribuojmë më së miri në procesin demokratik në atdheun tonë. Prof. Dr. Berisha është një figurë historike në politikën moderne shqiptare, duke luajtur një rol kyç në tranzicionin e Shqipërisë nga një nga regjimet më të ashpra komuniste në një shoqëri të lirë dhe demokratike. Karriera e tij e gjerë politike përfshin shërbimin si ish-President, dy herë Kryeministër dhe anëtar dhjetëvjeçar i Parlamentit të Shqipërisë. Nën udhëheqjen e tij, Shqipëria ndërmori reforma kritike demokratike, duke përfshirë rivendosjen e lirive fetare, krijimin e një ekonomie të tregut të lirë dhe pranimin e Shqipërisë në NATO. Për më tepër, përpjekjet e tij ishin të rëndësishme në sigurimin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë në Evropë. Përtej kontributeve të tij në Shqipëri, Prof. Dr. Berisha ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të partneritetit strategjik midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ai ishte udhëheqësi i parë shqiptar që zhvilloi takime të drejtpërdrejta me presidentët e SHBA-së dhe ka luajtur një rol kyç në forcimin e lidhjeve diplomatike dhe ekonomike midis dy vendeve tona. Takimet e tij me presidentët George H.W. Bush dhe Bill Clinton, si dhe vizita zyrtare e një presidenti në detyrë të SHBA-së në Shqipëri, z. George W. Bush, demonstrojnë angazhimin e tij për të nxitur marrëdhënie të ngushta midis dy kombeve tona. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se Prof. Dr. Sali Berisha është udhëheqësi i Partisë Demokratike të Shqipërisë, e cila ndan një linjë ideologjike dhe politike të gjatë si parti motër me Partinë Republikane të Shteteve të Bashkuara. Kjo lidhje e rrënjosur thellë nënvizon vlerat e ndërsjella të lirisë, të drejtave individuale dhe qeverisjes demokratike të përbashkëta nga të dyja partitë dhe mbështetësit e tyre. Për më tepër, komuniteti shqiptaro-amerikan në të gjithë Shtetet e Bashkuara ka qenë i rëndësishëm në forcimin e këtyre lidhjeve dhe ka luajtur një rol kyç në mbështetjen e lëvizjeve demokratike jashtë vendit. Në veçanti, komuniteti shqiptaro-amerikan ishte gjithashtu një kontribues i rëndësishëm dhe i zëshëm në suksesin zgjedhor të Presidentit të 45-të dhe të 47-të të Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump. Ky angazhim aktiv qytetar nxjerr në pah angazhimin e qëndrueshëm të komunitetit tonë ndaj demokracisë amerikane dhe vlerave të politikës së saj të jashtme. Në dritën e këtyre konsideratave, ne i kërkojmë me respekt Departamentit të Shtetit të SHBA-së të lëshojë një vizë hyrje-daljeje për Prof. Dr. Sali Berishën, duke i mundësuar atij të marrë pjesë në këto angazhime të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara. Prania e tij do të përforcojë lidhjet e forta midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke çuar më tej angazhimin tonë të përbashkët ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit. Ne e vlerësojmë shqyrtimin tuaj të kësaj kërkese dhe presim me padurim përgjigjen tuaj pozitive.
Por çfarë deklaroi Sali Berisha lidhur me ketë çështje vetëm pak ditë më parë?
Mw 8 maj, kreu i Partisë Demokratike reagoi lidhur me një qëndrim të Departamentit të Shtetit, të cilin e bëri me dije gazetari amerikan, Marc Caputo. Në "X", ai zbuloi mundësinë e udhëtimit të Sali Berishës në SHBA. Lajmin më pas e konfirmoi edhe një burim nga DASH për mediat e huaja. Për këtë çështje, Berisha dha një deklaratë për mediat nga selia blu, duke u shprehur se lajmin e kishte marrë vesh në media dhe se kurrë më parë nuk kishte kërkuar vizë.
“Unë të kërkoj vizë? Jo, nuk kam kërkuar vizë që kur kam lënë detyrën e Kryeministrit, asnjëherë”, u shpreh ai.
Mbase vetë Berisha nuk ka kërkuar leje udhëtimi, por të tjerë në emër të tij, duket se po. Se cila ka qenë përgjigjia e DASH, nuk dihet./ZËRI
'The Daily Signal': Berisha do udhëtojë pas zgjedhjeve në SHBA! Rama nuk jep asnjë koment

TIRANË- Gazeta “The Daily Signal” ka botuar një shkrim referuar lajmeve të fundit për kryedemokratin Sali Berisha. Pas postimit të gazetarit amerikan Marc Aputo se kryedemokrati Sali Berisha mund të vizitojë Shtetet e Bashkuara sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, e gjithë vëmendja është drejtuar në kreun e PD-së. “Daily Signal” në artikullin e saj shkruan se lajmi i dhënë nga Caputo, po ashtu është konfirmuar edhe nga një zyrtar i DASH. Mirëpo nuk jep identitetin e burimit, në mënyrë për të ruajtur privatësinë. Teksa, iu drejtua Berishës për një koment në lidhje me këtë vendim, ky i fundit është përgjigjur se do të udhëtojë në SHBA pas zgjedhjeve të 11 majit.
Shkrimi i Plotë:
Një kundërshtar i hapur i megadonatorit hungarezo-amerikan George Soros më në fund mund të vizitojë Shtetet e Bashkuara pasi administrata Biden e ndaloi atë në vitin 2021, duke e akuzuar për korrupsion.
Sali Berisha, ish-kryeministri i Shqipërisë dhe kryetar i partisë opozitare Partia Demokratike në zgjedhjet e së dielës, ka akuzuar vazhdimisht Sorosin dhe kryeministrin aktual të Shqipërisë Edi Rama për komplot me Sekretarin e Shtetit Antony Blinken për ta penguar atë të vizitonte SHBA-në. Kur përfaqësuesi i atëhershëm Lee Zeldin, RN.Y., i kërkoi Blinken prova për korrupsionin e supozuar të Berishës, Departamenti i Shtetit e pengoi atë, tha Zeldin.
Berisha, i cili shërbeu si president i Shqipërisë nga viti 1992 deri në vitin 1997 dhe si kryeministër nga viti 2005 deri në vitin 2013, fillimisht i mirëpriti investimet e Sorosit në Shqipëri, por ka kundërshtuar influencën e Sorosit për dekada të tëra.
Këtë javë, një përfaqësues i Departamentit të Shtetit tha se Berisha mund të vinte në SHBA.
“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare”, i tha përfaqësuesi gazetarit të Axios, Marc Caputo.
“Si të tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme ose marrëdhënia me Shqipërinë të mbahen peng nga vendimet e politizuara të epokës së Bidenit.”
Një zyrtar i Departamentit të Shtetit e konfirmoi në mënyrë të pavarur këtë lajm për The Daily Signal.
“Planifikoj të udhëtoj menjëherë pas zgjedhjeve”, i tha Berisha gazetës The Daily Signal në një mesazh me tekst të premten. Ai e quajti vendimin e fundit të Departamentit të Shtetit “të dobishëm”.
“Vendimi i Blinken u bazua në lobimin e korruptuar të Edi Ramës dhe George Soros me përfshirjen e thellë të McGonigal të famshëm.”
Ish-zyrtari i FBI-së, Charles McGonigal, u dënua me dy vjet burg në vitin 2024 për marrjen e rreth 225,000 dollarëve nga qeveria shqiptare. Sipas një analize nga Partia Demokratike e Berishës të aktakuzës kundër McGonigal, agjenti i FBI-së bëri një komplot me qeverinë e Ramës për të synuar Partinë Demokratike të Berishës. Avokati i McGonigal nuk pranoi të jepte komente për këtë artikull.
“Marco Rubio dhe ekipi i tij ribalancuan peshoret dhe shpëtuan demokracinë në Shqipëri me vendimin për të hequr listën e “non grata” të Berishës”, tha për The Daily Signal Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara.
“Ky vendim jo vetëm që është i saktë, por edhe i vonuar dhe tregon një keqpërdorim dhe politizim më të gjerë të sanksioneve 7031(c) nga administrata Biden”, shtoi Nesho. Ai argumentoi se masa “ishte një masë ekstreme dhe e motivuar politikisht, e lobuar nga regjimi i Edi Ramës dhe e sjellë në jetë nga grupe interesi si Fondacionet e Shoqërisë së Hapur dhe Alex Soros dhe interesat e tij të biznesit, të cilat kërkonin ta mbanin Ramën në pushtet”.
“Departamenti i Shtetit i SHBA-së bëri një zgjedhje të mençur duke i dhënë vizë Berishës, njësoj si kur SHBA-të i dhanë vizë kryeministrit indian Narendra Modi vite më parë, përpara se ai të kandidonte për kryeministër të Indisë”, tha për The Daily Signal të premten James Carafano, një këshilltar i lartë në Fondacionin Heritage.
“Uashingtoni nuk duhet të tolerojë shkeljet e ligjeve në vendet e tjera ku regjimet përpiqen qëllimisht të heshtin opozitën politike duke manipuluar sistemin ligjor”, shtoi Carafano. “Shqipëria ka qenë shembulli i abuzimit gjyqësor dhe ligjor.”
Zgjedhjet e ardhshme
Përmbysja e politikës vjen pak para zgjedhjeve të 11 majit, në të cilat Sali Berisha po udhëheq Partinë Demokratike (pa lidhje me Partinë Demokratike të SHBA-së dhe, në fakt, e lidhur me Partinë Republikane Amerikane) kundër Partisë Socialiste të Ramës. Rama ka shërbyer si kryeministër që nga viti 2013. Partia e tij Socialiste, pasardhëse e Partisë Komuniste të Punës, ka një shumicë të plotë prej 76 vendesh në legjislaturën me 140 vende.
Sipas Associated Press, Berisha punësoi Chris LaCivitën, bashkë-menaxher të fushatës zgjedhore të Presidentit të SHBA-së Donald Trump për vitin 2024, për ta ndihmuar në zgjedhjen e tij.
Berisha e ka paraqitur veten si një figurë të ngjashme me Trumpin, duke përdorur sloganin “Ta bëjmë Shqipërinë përsëri të madhe”.
Rama ka lidhje edhe me familjen Trump. Në dhjetor, kabineti i tij miratoi fillimin e negociatave me Atlantic Incubation Partners LLC, në pronësi të dhëndrit të Trump, Jared Kushner, për të zhvilluar një vendpushim luksoz prej 1.6 miliardë dollarësh në ishullin Suzan. Kompania e Investimeve Strategjike i dha kompanisë së Kushner statusin e investitorit strategjik për 10 vjet.
Shqipëria më parë ishte nën ndikimin e Bashkimit Sovjetik, me Enver Hoxhën që sundonte vendin nëpërmjet Partisë së tij të Punës. Partia Socialiste ndryshoi imazh pas rënies së komunizmit në vend dhe tani Rama ka ndërtuar reputacionin e tij duke u përpjekur të bashkohet me Bashkimin Evropian.
Qeveria e Ramës nisi reformat gjyqësore në vitin 2013 për të adresuar korrupsionin në vend, reforma që BE i konsideron të nevojshme për të pranuar Shqipërinë.
“Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj pastrimit të parave për shkak të korrupsionit, rrjeteve në rritje të krimit të organizuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare”, sipas një raporti të Departamentit të Shtetit të vitit 2019. “Shqipëria shërben si bazë operacionesh për organizatat e krimit të organizuar që veprojnë në Shtetet e Bashkuara, Evropë, Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Jugut.”
Raporti vuri në dukje se reformat në drejtësi “kanë krijuar një trajektore pozitive për Shqipërinë për të adresuar pastrimin e parave dhe krimet financiare”. Megjithatë, raporti vëren se përpjekjet “ende sfidohen nga korrupsioni i përhapur”.
Ndikimi i Sorosit
Vitin e kaluar, Alex Soros ka postuar shtatë foto të tij me Kryeministrin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, duke e quajtur shpesh udhëheqësin “vëllain” e tij. Fondacionet e Shoqërisë së Hapur—të cilat i themeloi George Soros dhe i udhëheq tani Alex Soros—themeluan dhe financuan kaq shumë organizata joqeveritare në vend saqë kritikët thonë se ato dominojnë shoqërinë civile, dhe paratë e taksave amerikane të transferura përmes Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar përputhen me Financimin e Shoqërisë së Hapur.
Kritikë si Berisha thonë se Shoqëria e Hapur nxit politika “anti-familjare” në Shqipëri dhe punoi për të forcuar pushtetin e Ramës. OSF-ja reklamoi ndikimin e saj në një “postim” të vitit 2021 mbi vendin ballkanik. Fondacioni i George Sorosit—i cili do të bëhej OSF—shpenzoi më shumë se 57 milionë dollarë për ndërtimin e 275 shkollave dhe kopshteve në të gjithë vendin në fillim të viteve 1990, dhe OSF-ja reklamoi se pothuajse 70% e popullsisë “ka përfituar nga këto shkolla”.
OSF festoi trajnimin e “më shumë se 90 gazetarëve të rinj shqiptarë studentë” përmes një programi katërmujor në studiot e Qendrës Media Aktive, të cilës Departamenti i Shtetit i dha një grant prej 50,000 dollarësh në vitin 2019. Open Society gjithashtu vuri në dukje mbështetjen e saj për Res Publica, një firmë ligjore me interes publik që gëzon gjithashtu fonde nga National Endoëment for Democracy, e cila ka marrë qindra mijëra në grante të Departamentit të Shtetit.
Në janar, gazetari shqiptar Sami Neza tha se Sorosi e ka dominuar aq shumë hapësirën e OJQ-ve saqë asnjë grup i shoqërisë civile nuk mund të ekzistojë jashtë ndikimit të tij. Ai tha se mund të numërojë në njërën dorë numrin e stafit në OJQ-të shqiptare pa lidhje me Sorosin. Neza shërben si drejtor ekzekutiv në Qendrën për Transparencë dhe Liri Informacioni, e cila mori një kontribut nga Instituti Charles Koch në vitin 2020.
Sipas të dhënave të vitit 2021, Open Society caktoi 600,000 dollarë për të mbështetur procesin e rishikimit të sistemit gjyqësor. Rovena Gashi, atëherë prokurore e përgjithshme në Shqipëri, i dërgoi një letër Kongresit, të cilën e dorëzoi në procesverbal në maj 2017, duke përshkruar lidhjet e ngushta midis Fondacionit Soros dhe organeve që zbatojnë reformën në drejtësi. Kritikët pretendojnë se Shoqëria e Hapur dhe Partia Socialiste kanë aleatët e tyre në sistemin e drejtësisë pasi rrëzuan gjyqtarët e mëparshëm të korruptuar.
“Emërimet në organet gjyqësore shpesh përfshijnë individë me lidhje me Partinë Socialiste”, shkroi Instituti Konservator Shqiptar në një raport për The Daily Signal.
“Duket se ndërsa Soros dhe OSF po përpiqen të ndikojnë në shumë vende në Evropë, Shqipëria është ‘shënjestruar’ për vëmendje shtesë”, tha për The Daily Signal Steven Bucci, një bashkëpunëtor vizitor në Fondacionin Heritage dhe një ish-oficer i Forcave Speciale të Ushtrisë, i cili qëndroi në Shqipëri për rreth dy vjet.
“Duket se Sorosi e ka shndërruar Shqipërinë në një laborator virtual të konvertimit socialist”, shtoi Bucci. “Nëse Amerika dëshiron të kundërshtojë axhendën ndërkombëtare të Sorosit/OSF-së, Shqipëria është vendi ku duhet të angazhohet!”
As Fondacionet e Shoqërisë së Hapur, as EWMI dhe as Rama nuk iu përgjigjën kërkesave të The Daily Signal për koment. Reformat krijuan Strukturën Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ose SPAK-un. SPAK ngriti akuza kundër Sali Berishës në tetor 2023. Procedurat penale datojnë që nga viti 2020, kur Ministri i Brendshëm i atëhershëm, Taulant Balla, akuzoi Berishën për aferë korruptive, i cili akuzohet se i dha dhëndrit të tij kompleksin “Partizani” në një përpjekje privatizimi. (Për shkak të historisë së trazuar të Shqipërisë nën pushtimin nga Italia gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më vonë nga Bashkimi Sovjetik, qeveria ua ka rishpërndarë tokën pronarëve të saj të mëparshëm, dhe Berisha pretendon se paraardhësit e dhëndrit të tij kishin një pretendim për tokën në fjalë.)
“Dosja e Klubit Partizani, siç është vërtetuar nga dokumentet zyrtare, bazohet në akuzën e rreme të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, si dhe në shpifje, manipulim, falsifikim dhe fshehjen e qindra dokumenteve nga prokurorët politikë që tejkalojnë imagjinatën njerëzore”, tha kryeministri i vendit, Berisha, për The Daily Signal në një deklaratë me email.
“Ndërsa shënimet zyrtare të vitit 1942 vërtetuan se ajo tokë u përkiste gjyshërve të dhëndrit tim dhe pronarëve të tjerë dhe se ajo tokë nuk ishte shpronësuar kurrë”, shtoi ai. “Dokumente të tjera vërtetuan se toka ishte konfiskuar nga regjimi komunist në vitin 1946.”
Ish-kryeministri vuri në dukje se përpjekjet për privatizim filluan nën paraardhësin e tij dhe përfshinin shpërndarjen e tokës te “disa qindra pronarë”.
“Unë dhe familja ime nuk kemi përfituar kurrë në mënyrë të paligjshme nga fondet ose asetet publike”, këmbënguli ai.
SPAK ndoqi penalisht edhe Ilir Metën, pasi ai u largua nga Partia Socialiste dhe themeloi partinë e tij politike, raportoi Bloomberg. Meta kishte shërbyer si kryeministër i Shqipërisë ndërsa ishte anëtar i Partisë Socialiste nga viti 1999 deri në vitin 2002. Meta, i cili u largua nga Partia Socialiste për të themeluar partinë e tij përpara se të ndiqej penalisht vitin e kaluar, i dënoi akuzat kundër Berishës si jokushtetuese dhe të paligjshme.
Megjithatë, SPAK nuk ndoqi penalisht vetëm kundërshtarët e Partisë Socialiste. Në shkurt, ai arrestoi Erion Veliajn, kryetarin e bashkisë së kryeqytetit, Tiranës dhe anëtar të Partisë Socialiste, raportoi gjithashtu Bloomberg. Rama e ka mbrojtur Veliajn, i cili prej kohësh konsiderohej pasardhësi i mundshëm i kryeministrit, kundër akuzave për korrupsion dhe shpenzime për mallra luksi.
Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, ka hedhur poshtë pretendimet për motivim politik, sipas Bloomberg.
Veprimi i Blinkenit
Në maj të vitit 2021, Blinken ia ndaloi Berishës hyrjen në SHBA sipas Seksionit 7031(c) të Aktit të Ndarjes së Programeve të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe të Ngjashme. Ai përmendi "përfshirjen e dyshuar të Berishës në korrupsion të konsiderueshëm".
Përfaqësuesi Lee Zeldin, RN.Y., kërkoi vazhdimisht informacion mbi korrupsionin e dyshuar, por ai tha se Departamenti i Shtetit i pengoi kërkesat e tij.
“Për muaj të tërë, Departamenti i Shtetit i Bidenit ka refuzuar vazhdimisht të japë përgjigje të vërteta dhe të hollësishme në lidhje me akuzat për ‘korrupsion të konsiderueshëm’ të përdorura për të sanksionuar ish-presidentin shqiptar Sali Berishën, një aleat i të dy presidentëve Bush dhe kundërshtar i donatorit kryesor të Partisë Demokratike dhe aktivistit progresiv George Soros”, tha Zeldin për The Ëashington Free Beacon në dhjetor 2021.
“Pavarësisht kërkesave të shumta për takim dhe informacioneve shtesë nga zyra ime, Departamenti i Shtetit ka dhënë vetëm përgjigje sporadike dhe të kujdesshme që i anashkalojnë pyetjet dhe nuk adresojnë veprimet specifike të z. Berishë që kualifikohen si ‘korrupsion’ ose procesin e vendimmarrjes që Administrata përdori për të përcaktuar nëse sanksionet ishin të përshtatshme”, shtoi Zeldin.
Berisha i mohoi akuzat e ngritura ndaj tij dhe akuzoi George Sorosin se i frymëzoi ato.
“Kjo ndodhi tetë vjet pasi unë nuk kisha më asnjë rol udhëheqës politik, as ndonjë lloj pushteti ekzekutiv”, i tha ai gazetës The Washington Diplomat në vitin 2022. “Isha thjesht një anëtar i parlamentit. Dhe gjatë kohës sime në pushtet, kisha marrëdhënie shumë të mira me Shtetet e Bashkuara. Nuk i kurseva kurrë përpjekjet për të marrë vendime duke pasur parasysh interesat e SHBA-së.”
Ai shtoi, "Nën Trump, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë."
Në shkurt të vitit 2024, senatori amerikan Jim Risch, republikan nga Idaho, i dërgoi një letër presidentit të atëhershëm Joe Biden duke shprehur shqetësime në lidhje me atë që ata e përshkruan si keqpërdorim të sanksioneve të Seksionit 7031(c). Marco Rubio, tani sekretar shteti nën Trump, hodhi nënshkrimin e tij në letër.
“Që nga janari i vitit 2021, shumica dërrmuese e emërtimeve publike të bëra sipas Seksionit 7031(c) kanë synuar zyrtarë në qeveritë e Amerikës Latine dhe Karaibeve që kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara për interesa strategjike diplomatike dhe të sigurisë kombëtare”, shkruan senatorët. “Në të kundërt, administrata juaj ka injoruar rastet e dokumentuara mirë të korrupsionit të konsiderueshëm nga zyrtarë të qeverive të huaja që dëmtojnë në mënyrë aktive interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe mbështesin kundërshtarët e SHBA-së në Amerikën Latine dhe Karaibe.”
Risch, kryetar i Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, i përsëriti këto shqetësime në një deklaratë për The Daily Signal kur iu kërkua të komentonte mbi situatën e Berishës.
“Është e rëndësishme që SHBA-të të shqyrtojnë se si i përdorim të gjitha mjetet për të ndihmuar aleatët tanë të mbeten të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm, në mënyrë që ata të mund të punojnë më së miri me ne për të çuar përpara interesat e SHBA-së jashtë vendit”, tha ai.
Babai dhe njerka e Blinken, Donald dhe Vera Blinken, dhuruan shuma të mëdha parash për Arkivat e Shoqërisë së Hapur, një departament mësimdhënieje dhe kërkimi në Universitetin e Evropës Qendrore të themeluar nga George Soros. Arkivat mbajnë emrat e tyre si Arkivi i OSA-së i Blinken.
Gazeta Daily Signal kontaktoi vazhdimisht, firmën konsulente që Blinken themeloi dhe Universitetin e Pensilvanisë, ku ai punoi në Qendrën Penn-Biden, duke kërkuar koment nga ish-sekretari i shtetit./Përshtati “ZËRI” nga “The Daily Signal”
Zgjedhjet parlamentare të 11 majit/ A do shkoni të votoni nesër?
30 ditë cep më cep! Fushatë, stil dhe...batuta!

TIRANË- Fushata zgjedhore në Shqipëri u mbyll dhe nesër votohet, por përpos programeve dhe thirrjeve për vota, figurat politike u karakterizuan edhe me stilet e tyre në veshje apo me mënyrën e komunikimit se si ju drejtuan njëri-tjetrit. Një fushatë, me figura politike jo vetëm në garë për të qenë fitues por edhe në atë të imazhit. Ndryshe nga fushatat e tjera, retorika politike në Shqipëri ka treguar një larmi epitetesh që vihen në përdorim nga udhëheqësit e partive politike. Por le ti shohim me radhë çfarë na ‘ofruan’ politikanët në një muaj fushatë?
Politikanët në kornizën e veshjes!
Kryeministri Edi Rama vendosi të prezantohej gjatë takimeve elektorale me një pamje të thjeshtë sportive. Ngjyra e zezë dominon në paraqitjet e Ramës, shoqëruar me atletet e bardha sportive, të personalizuara me numrin 5, numri që mban Partia Socialiste në fletën e votimit. Bluza e zezë me yllin pesëcepësh të stampuar me konturet blu (ngjyra simbol e BE-së) e më tej me ngjyrat kuq e zi (simbolet kombëtare), ndërsa numri 5, nuk mungoi në kapelen sportive që ai mbajti gjatë takimeve në disa qytete. Një aksesor tjetër ishin edhe syzet e diellit me skelet rozë, të kombinuara me veshjen e zezë sportive.
Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste përgjithësisht ndoqën stilin e kreut të qeverisë, duke u paraqitur me bluzën e bardhë me në qendër, yllin e stampuar, simbol të BE-së. Por gjithashtu nuk mungoi numri “5” i shndërruar në simbolika të ndryshme, por me të njëjtin mesazh: Na votoni ne!
Ndryshe nga Partia Socialiste, ajo demokratike qëndroi kryesisht në linjën “serioze”. Kreu i PD-së, Sali Berisha u prezantua me kostum dhe këmishë, por kësaj radhe shtoi edhe një kapele blu me numrin 1, numri rendor i ‘Aleancës për Shqipërinë Madhështore’ në fletën e votimit. Në disa takime Berisha u shfaq më sport, me jelek në vend të xhaketës, apo atlete në vend të këpucëve serioze, duke na dhënë një portret ndryshe të vetes. Madje ndonjëherë, gjatë takimeve, njëjtë si Rama edhe Berisha riktheu syzet e diellit me stilin ‘aviator’.
Edhe pse nuk ka preferuar që të dalë nga korniza e tij, Berisha i është dorëzuar hera-herës edhe “shijes” së demokratëve. Në disa nga takimet elektorale, si psh. në Krujë, artizanët i dhuruan dhe i veshën Berishës një xhamadan dhe një qeleshe, pjesë të trashëgimisë së pasur të veshjeve tradicionale shqiptare. Edhe gjatë një takimi elektoral në Mirditë, Berisha në vend të kapeles me numrin 1, u shfaq me një plis në kokë. Në këto raste, Berisha i ka lënë dorë të lirë mbështetësve që ta “stilojnë”.
Por jo vetëm veshje e aksesorë tradicionalë, kreydemokrati befasoi nga takimimi në Bulqizë, lu u shfaq me kapelen e minatorit.
Por pse nuk e shohim gjithë kohës Berishën me kostum? Arsyen e ndryshimit të stilit në veshje, Berisha ia la kushteve të motit.
“Me këtë ndryshim klimatik, m’u imponua sportiviteti. Natyra është forcë madhore!”
Fushatë me këngë, valle, iso e poezi
Partia Socialiste nisi me një tubim të madh në Sheshin ‘Skënderbej”, me këngë e valle nga grupe kërcimtarësh dhe artistësh të cilët u binin daulleve. Ekipet e qyteteve u prezantuan duke performuar me këngë tradicionale të zonës që përfaqësojnë.
Ndryshe nga PS, Partia Demokratike paraqiti një nisje “alla Trum”, me fjalime politike nga kandidatët për deputet. Në sfond luhej “Eye of the tiger”, një lajmmotiv që Berisha e përdor prej kohësh, që në kohën e “Foltores” kur luftonte për të marrë drejtimin e Partisë Demokratike. Por trendit të popullores nuk i shpëtoi as Sali Berisha. Kryedemokrati u prit me iso në Sarandë, por edhe me poezi në Belsh.
Isot shoqëruan edhe kryeministrin Edi Rama. Edhe së fundmi, kreu i qeverisë u prit me këngë polifonike dhe raki nga banorët e Kuçit.
‘Beteja’ me epitete
Ndryshe nga fushatat e kaluara elektorale, drejtuesit e Partive Politike në daljet e shpeshta publike i shoqëronte dhe një ‘buf’ në tavolinë, por jo vetëm.
“Bufi i kënetës”, ky ka qenë togfjalëshi që nuk ka munguar në fjalorin e kryeministrit Edi Rama duke iu referuar në këtë mënyrë kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha. Sipas Ramës, këneta nuk është bullizim, por metafora e një realiteti shumë konkret dhe shumë të prekshëm. Opozita sipas tij është 'kënetë' dhe 'ujë i ndenjur'. Gjatë takimeve elektorale,
Kreu i PD nuk e ka lënë pa një epitet kryministrin dhe i është referuar për herë të parë Ramës me termin “zogu sqep këpucë”. Sipas kreut të PD-së, ky zog ka aftësinë të hajë zogjtë e tij, duke iu referuar “të besuarve” të kabinetit të kryeministrit që kanë përfunduar pas hekurave të qelisë. Por as kjo nuk e ka ndaluar Ramën që në çdo mundësi që i jepet t’i referohet si “buf”. Në bashkëbisedimin në rubrikën sy më sy, Rama ka mbajtur në tavolinë krah vetes një buf ngjyrë gold. Në përgjigje të Ramës, Berisha prezantoi në një nga konferencat për shtyp një skulpturë të një bufi të bardhë, të cilin vendosi ta mbante në tavolinë. Bufi i ndoqi edhe në fushatat elektorale në qytete, ku Rama në Vlorë e mori si dhuratë, ndërsa Berishës iu ofrua një nga një shitëse një skulpturë me formën e bufit.
Për të demontuar fushatën negative që Rama po i bënte, Berisha iu rikthye mitologjisë duke e cilësuar shpendin si një simbol të mençurisë dhe të dijes.
“Më ka quajtur mua buf, por ai nuk e di se më ka dhënë epërsi të jashtëzakonshme. Ju premtoj se do përdor gjithë mençurinë time për ta përzënë më 11 maj,”- tha Berisha.
Kështu, bufi u kthye në një simbol fushate, ku edhe këshilltari i fushatës së Sali Berishës, Chris LaCivita, nuk i shpëtoi dot përdorimit të tij. Si një sinjal për Ramën që nuk e ka kursyer as atë në sulmet e fushatës, në disa raste publikoi video të një bufi që ha një mi. Nëse për Ramën, LaCivita është “Latifi nga Amerika”, për kryestrategun e fushatës së Trump, Rama është miu që ushqen bufin.
Në thelb, edhe kjo fushatë zgjedhore u dominua nga shkëmbimet e sulmeve dhe akuzave politike, ku nuk munguan tonet fyese e denigruese ndaj kundërshtarit. Edhe kësaj herë, në asnjë studio nuk kishte përballje mes kundërshtarëve dhe përplasje programesh, por batuta, thirrje, ofendime dhe pak muzikë rep. Se sa kanë bindur politikanët me retorikën e tyre, do ta mësojmë më 12 maj./ZËRI
11 Maji/ Shpërndahen materialet zgjedhore në disa qarqe të vendit, procesi u zhvillua i qetë

TIRANË- Komisioni Qendror Zgjedhor ka nisur shpërndarjen e fletëve të votimit në vend. Prej mëngjesit janë shpërndarë materialet zgjedhore në disa qarqe në vend. Deri më tani, nuk raportohet për problematika dhe procesi ka qenë i qetë. Në Elbasan janë shpërndarë kutitë në 511 qendra votimi, ndërsa qyteti ofron 14 mandate në këto zgjedhje. Procesi ka vijuar i qetë deri më tani.
Prej orës 11 të mesditës ka nisur edhe shpërndarja e materialeve zgjedhore në Dibër. Edhe në këtë qark raporothet se procesi po vijon i qetë. Edhe në Shkodër ka nisur pocesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore, teksa në këtë qark raportohet se kanë të drejtë vote mbi 74 mijë persona. Në Lezhë, procesi i shpërndarjes së kutive të votimit nisi në mëngjes, po ashtu edhe në këtë qark nuk raportohet për probleme, ndërsa ka qenë i qetë.
Nga ana tjetër, në Durrës ende nuk ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore, por pritet të nis në orën 16:00./ZËRI
11 Maji/ Proda takim me efektivët e Policisë: Profesionalizëm në përmbushjen e detyrave

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, mesazh për të gjithë punonjësit e Policisë. Ndërkohë, gjatë instruktazheve në të gjitha DVP-të, punonjësit e Policisë janë pajisur me librin e xhepit, ku janë të pasqyruara detyrat e punonjësve të Policisë. Paraditen e sotme, në ambientet e Drejtorive Vendore të Policisë, përfundoi instruktazhi me punonjësit e Policisë që janë planifikuar për ruajtjen fizike të objekteve zgjedhore, ku do të zhvillohet procesi i votimit.
Në instruktazh kanë marrë pjesë drejtuesit e Drejtorive dhe të Komisariateve, të cilët u kanë përcjellë punonjësve të Policisë porositë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për angazhim, profesionalizëm, barazlargim dhe gjakftohtësi në përmbushjen e detyrave. Drejtor Proda për punonjësit e Policisë: “Ju përgëzoj për përkushtimin dhe profesionalizmin e deritanishëm nga ana juaj dhe e drejtuesve tuaj, dhe ju inkurajoj që këto ditë finale të jenë pasaportë besimi dhe vlerësimi nga qytetarët dhe ndërkombëtarët për Policinë e Shtetit. Maturi, gjakftohtësi dhe ligji si udhërrëfyes, për ta përmbushur me sukses këtë detyrë të shenjtë në interes të qytetarëve dhe të vendit.”
Të gjithë punonjësve të Policisë të angazhuar në procesin zgjedhor u janë shpërndarë librat e xhepit me detyrat që duhet të përmbushë çdo punonjës policie i angazhuar në fazën finale të këtij procesi. Ky libër është prodhuar nga Policia e Shtetit. Punonjësit e Policisë janë shpërndarë në vendet e planëzuar për shërbim, për ruajtjen e objekteve zgjedhore./ZËRI
Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve urdhëron partitë: Respektoni heshtjen zgjedhore

TIRANË- Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve përmes një deklarate në rrjetet sociale ka njoftuar të gjitha subjektetet zgjedhore duke urdhëruar respektimin e heshtjes zgjedhore. Përmes deklaratës së saj, KQZ shprehet se ndalon çdo lloj fushate përfshirë edhe ato në rrjetet sociale.
“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve urdhëron respektimin e plotë të heshtjes zgjedhore, e cila ndalon çdo lloj fushate apo thirrjeje elektorale, përfshirë edhe atë në rrjetet sociale.
Subjektet zgjedhore nuk duhet të adresojnë mesazhe politike apo elektorale gjatë heshtjes zgjedhore, në asnjë formë”, thuhet në deklaratë./ZËRI
Zgjedhjet e 11 majit, nis shpërndarja e kutive të votimit

TIRANË- Nis procesi i ndarjes së kutive të votimit në qendrat përkatëse! Ditën e sotme KZAZ kanë nisur shpërndarjen e materialeve zgjedhore nëpër qendrat e votimit. Sipas pamjeve të mëposhtme, KZAZ e Bashkisë së Lezhës ka nisur shpërndarjen e materialeve në qendrat përkatëse.
Më 11 maj Shqipëria do të mbajë zgjedhjet parlamentare. Pas disa javësh takime elektorale, nesër qytetarët do të drejtohen drejt qendrave të votimit. Ndryshe nga më parë, në këto zgjedhjet parlamentare voton për herë të parë edhe diaspora shqiptare./ZËRI
Shqipëria në heshtje zgjedhore, ndalojnë aktivitetet politike, qytetarët drejtohen nesër drejt kutive të votimit

TIRANË- E premtja shënoi përmbylljen e fushatës zgjedhore në Shqipëri, ndërsa sot mbizotëron heshtja elektorale në vend. Heshtja zgjedhore do të zgjasë deri nesër më 11 maj, ku shqiptarët do t’i drejtohen kutive të votimit. Pas disa javësh të ngarkuara me takime elektorale dhe me premtime politike, ku nuk munguan as sulmet dhe akuzat ndaj kundërshtarëve politikë, vendi ynë ndodhet në një moment reflektimi, teksa qytetarët do t’i drejtohen nesër kutive të votimit për të bërë zgjedhjen e ty
Partia Socialiste përmbylli fushatën e saj me një takim elektoral të madh pranë Parkut Olimpik në Tiranë. Nga ana tjetër, kolacioni opozitar “Partia Demokratrike- Aleanca për Shqipërinë Madhështore”, përmbylli fushatën në Bulevardin e Ri në Tiranë.
Ditën e sotme, ndalohet çdo aktivitet politik publik, sipas Kodit Zgjedhor që garanton një ditë qetësie për qytetarët para ditës së zgjedhjeve. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme, kësaj here do të votojë për herë të parë edhe diaspora shqiptare, deri më tani në vendin tonë kanë mbërritur 174 mijë zarfe, ku shqiptarët nga çdo cep i botës do të ushtrojnë vullnetin e tyre./ZËRI