Rama: Çdo bashki duhet të hapë një zyrë juridike në ndihmë të kadastrës
TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me kryebashkiakët socialistë tha se bashkitë duhet që të krijojnë zyrë të ndihmën juridike për kadastrën. Sipas tij, zyra duhet të ndërtojë planet e legalizimit dhe përcaktimin e zonave prioritare. Rama tha se zyra do të ndiqet nga ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo.
“Kadastra, në bashkëpunim me çdo bashki, por këtu duhet angazhimi juaj, të ndërtojë planet prioritare të legalizimit. Në mënyrë që të legalizojmë procesin dhe ta bëjmë më të drejtë e transparent për aplikuesit duke vendosur një sistem ku ata që kanë aplikuar më parë janë të parët për të marrë përgjigje, po ashtu përcaktimi i zonave prioritare. Të kemi një punë të përbashkët dhe të koordinuar më të mirë. Duhet patjetër që bashkitë të hapin një zyrë të ndihmës juridike për kadastrën. Ka shumë ankesa për kadastrën, por shumë prej tyre vijnë nga moskryerja e aplikimit në mënyrë të rregullt ligjore. Nuk ka asnjë problem që bashkitë të hapin një zyrë të ndihmës juridike enkas për shërbimin e kadastrës dhe legalizimeve. Është diçka që do të lehtësojë maksimalisht qytetarët në mënyrën e kuptimit sesi bëhet një legalizim. Këtë do ta ndjekë ministri i Pushtetit Vendor”, tha Rama./ZËRI
Mbrojtja nga zjarret/ Rama: Do prodhojmë zjarrfikëse!
TIRANË- Kryeministri Edi Rama gjatë mbledhjes me kryebashkiakët socialistë deklaroi se do të ndërtohen automjetet zjarrfikëse. Rama u shpreh se projekti është miratuar dhe do të realizohet nga një kompani shtetërore dhe private, e cila është krijuar nga Ministria e Mbrojtjes. Kryeministri bëri me dije se mjetet zjarrfikëse do t’iu vendosen në dispozicion bashkive pas prodhimit të tyre.
“Jemi të vetëdijshëm për mangësitë e trashëguara në logjistikën që lidhet me zjarrfikësit. Për këtë arsye kemi miratuar një projekt të paraqitur nga ministri i Pushtetit Vendor lidhur me mobilizimin e një financimi të nevojshëm duke shfrytëzuar kapacitetet e kompanisë që është një shoqëri e përbashkët shtetërore dhe private e krijuar rishtaz në sistemin tonë të ministrisë së Mbrojtjes. Do nisim të vëmë në dispozicion të bashkive automjetet zjarrfikëse që janë të domosdoshme”, tha Rama./ZËRI
“Ndërtimi i 1 mijë laboratorëve”, Rama- kryebashkiakëve: Identifikoni nevojat për shkolla dhe konvikte
TIRANË- Kryeministri Edi Rama zhvilloi takim me kryebashkiakët socialistë sot. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se sipas programit të qeverisë do të ndërtohen 1 mijë laboratorëve të dedikuar për teknologjinë. Rama iu drejtua kryebashkiakëve se duhet të organizojnë një sistem që të rinjve t’iu jepet mundësia që të kenë akses në laboratorë edhe pas orëve të mësimit. Më tej, ai shtoi se duhet të ndërtohen shkolla të tjera profesionale dhe konvikte.
“Laboratorë të dedikuar për teknologjinë në klasat e shkollave të cilat sot që flasim janë mbi 300, ndërkohë që me programin e qeverisë do të shkojnë në 1 mijë. Nuk mund të jenë laboratorë për nxënësit vetëm gjatë orës së mësimit, por edhe të mësimit të teknologjisë pas orës së mësimit. Për këtë duhet angazhimi dhe puna e drejtorive e bashkive për të organizuar një sistem ku të rinjve t’iu jepet mundësi të kenë akses në këto laboratorë. Domosdoshmëri për të forcuar strukturën e arsimit profesional. Do ju lutesha që të jeni aktivë në këtë aspekt dhe sa u përket konvikteve për arsimin profesional, kemi hartuar disa ndërhyrje. Duhen identifikuar prej jush nevojat për shkolla të tjera profesionale dhe konvikte", tha Rama./ZËRI