Përplasja me BKH, Agron Kapllanaj "njihet LIVE" me pretendimet e BKH: Nuk na thanë se kush ishin...

FIER- Bashkëthemeluesi i partisë "Djathtas 1912", Agron Kapllanaj ka folur sërish lidhur me përplasjen që patën të afërmit e tij me agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Teksa jepte versionin e tij lidhur me ngjarjen, pati edhe një reagim zyrtar nga ana e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për atë që ndodhi mbrëmjen e djeshme. Sipas bashkëpunëtorit të Enkelejd Alibej, disa persona kishin shkuar pranë biznesnit të tij, e aty, drejtori i kompanisë u kishte bërë një foto targës për t'ja nisur Kapllanajt dhe këtu sipas tij ka nisur përplasja dhe kërcënimi i parë. Gjithashtu në prononcimin për "ReportTv", shton se në momentin kur ka shkuar që të bëjë kallëzimin, nipërit e tij dhe një punonjës i kompanisë e kishin hasur makinën në rrugë dhe e kishin ndalur për të pyetur lidhur me identitetin e tyre. Në këto momente ka ndodhur edhe përplasja. I vendosur përballë reagimit zyrtar që bëri SPAK për ngjarjen, Kapllanaj vazhdon dhe pretendon se agjentët nuk ishin identifikuar se cilët ishin, madje shton se kishin nxjerrë edhe armët e zjarrit. Për këtë ngjarje, paralajmëron se do të bëjë edhe një kallëzim në Polici.
Agron Kapllanaj: Kanë ngritur një dron dhe kanë bërë një filmin, kanë ikur dhe janë rikthyer. Kur janë rikthyer, unë, drejtori i kompanisë dhe dy specialistë të tjerë kemi qenë në zyrë. Roja tha se një makinë ka ardhur dy herë në parkimin tonë. Roja merr në telefon drejtorin dhe thotë ‘a mund t’i pyes se pse po filmojnë ambientet tona’. I pyet dhe thonë çfarë problemi keni. Këtu keni parkuar. Zonja i thotë ne jemi të interesuar për të blerë një tokë dhe prandaj kemi ngritur dronin. I thotë drejtori i kompanisë, gjeni vendin e duhur dhe filmoni pronën se këtu parkingu është i kompanisë dhe prona këtu nuk është në shitje. Drejtorit i kërkova që të bënte një fotot të targës të makinës me ditur se me kë kemi të bëjmë. Në momentin që drejtori bëri foton, dikush nga këta i thotë se duhet ta fshish. Drejtori i kompanisë time bën foto të targës dhe ma nis mua, dikush nga ata i thotë fshije foton, dhe ai i thotë "nuk kam pse ta fshij". Në këtë kohë një person që nuk dilte nga makina që ishte në timon, i thotë "do ta fshish atë foton se nuk e imagjinon dot se çfarë do të të ndodhë ty". Ai i thotë unë foton ia nisa pronarit, dhe ai ia kthen: Do të të bëj ropt ty dhe pronarit. Sa zbrita menjëherë poshtë, makina me 4 personat u largua. Pashë që drejtori i kompanisë time ishte shumë i irrituar, madje po i shpëtonin lotë nga sytë. Më tha se ishte shumë i prekur dhe kërkoi që të bënte kallëzim në Polici. Unë shkoj dhe i them policit roje se desha të bëja një kallëzim. Teksa po prisja, zgjati pak, i thashë efektivit që të fliste edhe njëherë që nxitonte se mund të agravohej situata. Më konfirmon që të shkoja dhe të takoja shefin e Komisariatin. Gjatë kësaj kohe drejtori i kompanisë dhe nipërit e mi janë përballur me këtë mjet dhe i kanë kërkuar sqarim. I kërkuan sqarim se kush ishin? Tre të tjerët ishin shumë korrekte, vetëm njëri, ai që ishte në timon shau.
*reagon SPAK
Në asnjë moment nuk na thanë që ishin punonjës policie, madje po të kishin thënë që ishin punonjës policie do u kisha ofruar kushte me të mira, do i kisha futur brenda. Po të na kishin thënë do të kishin edhe mbështetjen tonë. Në të tilla kushte nuk e di se me kë kam të bëj. Shoferi ka nxjerrë armën dhe i ka thënë "bëni prapa se ju vrava". Në momentin kur ka ndodhur përplasja, ka nxjerrë armën e zjarrit, efektivi shkoi që ta arrestonte. Mua nuk ma ka marrë njëri kallëzimin penal, kam ndenjur deri në orën 4 të mëngjesit. Nëse nuk ma marrin edhe sot, do ta bëj nëpërmjet një avokati dhe do ta çoj aty ku duhet çuar. Kjo ishte e gjithë ngjarja dhe nuk ka asnjë lloj sulmi nga ana jonë. E gjitha ka ndodhur prej arrogancës së një personi, se të tjerët ishin korrektë, përveç faktit që duhet të ishin identifikuar.
Sipas Policisë, BKH dhe operacionalja ka qenë në Fier për veprime hetimore kur janë konfliktuar me të afërm të Agron Kapllanajt. Për ngjarjen janë vendosur në pranga nipërit e politikanit, Ledion dhe Klaudio Kapllanaj, së bashku me Gerald Kollçakun./ZËRI
Përplasja me njerëzit e Kapllanajt në Fier, SPAK: Agjentët e BKH u sulmuan pa asnjë motiv

TIRANË- Byroja Kombëtare e Hetimit ka konfirmuar incidentin e ndodhur një natë më parë në Fier me nipat e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj. Në njoftim bëhet me dije se mbrëmjen e 15 prillit, rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier–Patos, agjentët e BKH-së janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier. Bëhet fjalë për dy nipat e Kapllanajt, Ledjan Kapllanaj, Klaudio Kapllanaj dhe një person të afërt me ta, Gerald Kollçaku. BKH thekson se agjentët po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, por nuk jep detaje të tjera në lidhje me aksionin në fjalë.
Njoftimi zyrtar:
Byroja Kombëtare e Hetimit konfirmon sulmin që ndodhi mbrëmjen e datës 15 Prill kundër hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe oficerëve të Policisë së Shtetit në qarkun e Fierit. Hetuesit e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit po kryenin detyra hetimore të deleguara, në kuadër të një hetimi të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Mbështetur në informacionin e përcjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë, Fier (DVP) dhe verifikimet e kryera, ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:20 minuta, në aksin Fier–Patos. Ndërsa hetuesit e BKH-së dhe oficerët e Policisë së Shtetit po kryenin detyrën, janë sulmuar pa asnjë motiv nga persona tashmë të identifikuar dhe shoqëruar në DVP, Fier. Të gjitha veprimet hetimore dhe proceduriale lidhur me ngjarjen janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm, Fier. SPAK nënvizon se të gjitha veprimet e ndërmarra nga BKH janë në përputhje me ligjin dhe nën vëzhgimin direkt të prokurorëve të posaçëm. SPAK u bën thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet e drejtësisë dhe të respektojnë autoritetin e hetuesve dhe Policisë së Shtetit që veprojnë në zbatim të detyrës së tyre. Integriteti dhe siguria e hetuesve të BKH-së dhe efektivëve të Policisë së Shtetit është thelbësore në angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Çfarë ndodhi një natë më parë?
Sipas dëshmisë së dhënë nga Kapllanaj, bashkëthemeluesi i “Djathtas 1912”, në kompaninë e tij në Fier, dy herë gjatë ditës është shfaqur në vendin e parkimit të firmës një automjet. Ai pretendon se pas sinjalizimit nga punonjësit dhe kërkesës për t'u larguar, personat në fjalë janë kamufluar se po filmojnë me dron pasi janë të interesuar për toka aty pranë. Në këto kushte përfaqësues të kompanisë kanë kërkuar largimin nga prona e tyre, por ata sërish nuk janë larguar dhe kjo gjë ka sjellë përplasje mes tyre. Kapllapanaj shtoi se ata kishin nxjerrë edhe armët e zjarrit. Edhe të prangosurit janë shprehur se nuk e dinin kush ishin personat me të cilët u konfliktuan pasi nuk kishin logo.
EMRAT-Dy nipërit e Agron Kapllanajt dhe një i tretë dhunuan agjentët e BKH në Fier

FIER-Dy nipërit e Agron Kapllanajt u përfshinë në incidentin e ndodhur mbrëmjen e 15 prillit në Fier, ku u dhunuan agjentët e BKH-së, si edhe forcave operacionale. Ledion dhe Klaudio Kapllanaj, së bashku me Gerald Kollçaku janë përplasur fizikisht me hetuesit e BKH. Të tre ndodhen në pranga dhe pritet dëshmia e tyre për të sqauar motivin dhe dinamikën e ngjarjes.
Sipas Policisë, BKH dhe operacionalja ka qenë në Fier për veprime hetimore kur janë konfliktuar me të afërm të Agron Kapllanajt. Ndërkohë vetë Kapllanaj, nga Komisariati i Policisë deklaroi se personat që u sulmuan ngritën dron disa herë dhe nuk ishin prezantuar se çfarë detyrë mbanin. Po ashtu, shtoi se efektivët kishin nxjerrë edhe armët e zjarrit./ZËRI
Hetimi sekret/ Përplasja e njerëzve të Agron Kapllanajt me BKH! 3 persona në pranga, agjentët ngritën një dron...

FIER-3 persona janë vendosur në pranga pas incidentit në Fier ku agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit u përplasën me afërmit e Agron Kapllanajt. Ngjarja ndodhi në zonën e Lulishtes, në Fier ku hetuesit e BKH, operacionales janë goditur për shkak të detyrës nga njerëzit e bashkëthemeluesit të “Djathtas 1912”, Agron Kapllanaj. Motivi dhe dinamika e ngjarjes është ende e paqartë.
Çfarë e shkaktoi incidentin?
Sipas Policisë, BKH dhe operacionalja ka qenë në Fier për veprime hetimore kur janë konfliktuar me të afërm të Agron Kapllanajt.
"Rreth orës 19:20, të mbrëmjes së sotme, në aksin rrugor Fier - Patos, shërbimet operacionale të Policisë dhe hetuesit e BKH-së janë goditur për shkak të detyrës nga disa persona, të cilët janë identifikuar dhe shoqëruar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier për veprimeve të mëtejshme. Të gjitha veprimet hetimore e procedurale janë duke u kryer nga Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier,"-thuehj në njoftimin zyrtar.
Ndërkohë vetë Kapllanaj, nga Komisariati i Policisë deklaroi se personat që u sulmuan ngritën dron disa herë dhe nuk ishin prezantuar se çfarë detyrë mbanin. Po ashtu, shtoi se efektivët kishin nxjerrë edhe armët e zjarrit.
Konkretisht ish-kryebashkiaku i Mallakastrës u shpreh se në kompaninë e tij në Fier, dy herë gjatë ditës është shfaqur në vendin e parkimit të firmës një automjet. Ai pretendon se pas sinjalizimit nga punonjësit dhe kërkesës për t'u larguar, personat e paidentifikuar, por në dukje agjentë të BKH dhe të Policisë, janë kamufluar se po filmojnë me dron pasi janë të interesuar për toka aty pranë. Në këto kushte përfaqësues të kompanisë kanë kërkuar largimin nga prona e tyre.
Vetë Byroja Kombëtare e Hetimit nuk ka ende asnjë reagim./ZËRI