Mbyllet pas 3 orësh protesta e opozitës, zhbllokohen rrugët në kryeqytet

TIRANË- Mbyllet pas 3 orësh protesta e opozitës. Partia Demokratike dhe Partia e Lirisë për disa orë rresht bllokuan disa nga akset kryesore në kryeqytet. Zonat e bllokuara në Tiranë ishin kryqëzimi i Rrugës së Elbasanit, sheshi Willson, Pallati me Shigjeta, Zogu i Zi dhe Bashkia e Tiranës.
Në një moment të dytë, protestuesit në Sheshin Willson janë nisur për t’iu bashkuar atyre te Bashkia e Tiranës. Gjatë gjithë protestës ka pasur përplasje me forcat e Policisë, ndërsa disa tubuesëve i ka rënë të fikët gjatë tubimit. Po ashtu, gjatë protestës janë lënduar edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi dhe Belind Këlliçi. Ky i fundit pretendon se është qëlluar me shishen e një spray nga një efektiv policie. /ZËRI
Protestuesit largohen nga Sheshi Willson, zhvendosen para bashkisë së Tiranës

TIRANË- Protesta e opozitës u zhvendos nga zona e Sheshit Wiillson drejt bashkisë së Tiranës. Raportohet se në Sheshin Willson, zonë e cila ishte bllokuar nga protesta, është hapur sërish qarkullimi për automjetet. Tashmë protestuesit ndodhen para bashkisë së Tiranës, ku do të qëndrojnë deri në orën 20:00, siç ka marrë leje PD. Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi akuzoi Policinë se në vend që të arrestojë bandën e Elbasanit, po ndalon qytetarët që po protestojnë.
“Janë ekzekutuar vetëm 5 edhe këta jashtë territorit. Në vend që të arrestonte bandën e Elbasanit ishite sot kundër qytetarëve. Provuan që janë narko-polici kundër qyetarëve të ndershëm. Një polici që drejtohet nga ministri i Brendshëm ushtar i provuar i bandës së Durrësit. Lidhje e vjetër e trafikut të drogës. Secili prej këtye fakteve do bëhet publik në vijim”, tha Bardhi. /ZËRI
Protesta e opozitës, Këlliçi: Policët na goditën me spraj

TIRANË- Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi tha se është lënduar nga uji që kanë hedhur efektivët e policixsë, për të shpërndarë protestuesit në Bashkinë e Tiranës. Këllçi tha për “A2CNN” se atë e kanë goditur policët me bombulën e sprajit në fytyrë.
“Hodhën ujë me piper. Arsyeja e përplasjes është se një grua u palos në tokë dhe ne po i thonim shoferit të makinës së policisë që po hidhte ujin që të ndalonte. Aty më goditën mua dhe kryetaren e degës nr. 9. Na goditën policët me bombula me spraj në fytyrë. Nuk ishte aspak e nevojshme. Nuk kemi asgjë me policët, u kemi kërkuar vetëm që të qëndrojnë larg, por vetëm kanë provokuar”, tha Këlliçi. /ZËRI
FOTO- Protesta e opozitës, lëndohet Gazment Bardhi

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi është lënduar gjatë protestes. Sipas pamjeve të mëposhtme, Bardhi është lënduar në këmbë, në momentin kur policia po hidhte gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
/ZËRI
Përleshje dhe kaos te Bashkia e Tiranës, Policia hedh ujë për të shpërndarë protestuesit

TIRANË- Edhe protesta e sotme e opozitës po zhvillohet me përplasje mes qytetarëve dhe efektivëve të Policisë së Shtetit. Efektivët kanë bërë disa herë thirrje që qytetarët të shpërndaheshin. Por kur kanë hasur në kundërshti, Policia ka përdorur një autobot me ujë për të shpërndarë turmën e mbledhur tek Bashkia e Tiranës.
Përplasje me efektivët, protestuesit kanë pasur edhe te zona e Zogut të Zi, Pallatit me Shigjeta, rrugën e Elbasanit dhe sheshin Uillson./ZËRI
Noka përplaset me Policinë: Po përmbushim misionin e opozitës

TIRANË- Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka ka mbajtur një deklaratë të shkurtër për mediat gjatë protestës që po zhvillon opozita në 5 kryqëzime të kryeqytetit. Në deklaratën e tij për mediat, Noka akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka rekrutuar banda me uniformë për të kërcënuar opozitën. Po ashtu, pasi ka mbaruar fjalën e tij për mediat, demokrati ka pasur sërish përplasje me efektivët e Policisë që kërkojnë lirimin e rrugëve.
"Po përmbushim misionin e opozitës. Banditët me uniform të rekrutuara nga rilindja kërkojnë të intimidojnë dhe të kërcënojnë opozitën. I them nipit të Enver Hoxhes dhe Ramës…largoni duart nga qytetarët. Ky është një mesazh që ua përcjell sot nga ky vend. Asgjë nuk mund të ndalojë, jo mercenarë, jo kriminele jo trafikantët, askush nuk e ndal dot mosbindjen civile. Janë të tmerruar, vala e revoltës qytetare do të mbërrijë edhe në Surrel. Po përmbushim misionin e opozitës është përpjekje në përmbushje të misionit tonë. Banditët me uniformë të rekrutuar nga rilindja tentojnë të intimidojnë e kërcënojnë opozitën. Sokol Bizhga njeriu që nxori në pritë Gjergj Mehmetin në ‘97 është shpërblyer për urrejtjen që ka ndaj PD-së dhe vjen këtu të drejtojë falangat e krimit kundër qytetarëve,"-tha në fjalën e tij Noka./ZËRI
Bardhi "diskutim" me efektivin e Policisë: Nuk e hap rrugën...më rrezikohet jeta!

TIRANË- Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka debatuar me një nga drejtuesit e Policisë së Shtetit. Teksa Bardhi dhe deputetë të tjerë të opozitës kanë bllokuar një nga rrugët e Tiranës, shefi i Policisë po u kërkon që të hapin një aks. Por Bardhi e kundërshton me pretendimin se nëse do të hapte një aks, do i rrezikohej jeta nga mjetet.
MOMENTI ME VIDEO:
"Nuk hapet rruga se jam në protest. Më rrezikohet jeta mua po të hapet një segement dhe të qarkullojnë automjetet. Nuk bëj dot tubim unë ashtu se më rrezikohet jeta,"-dëgjohet në diskutimin e tij me efektivin e Policisë së Shtetit, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi./ZËRI
E RËNDË! Protestuesit i bie të fikët në protestë...e lagin me ujë

TIRANË- Protesta e opozitës ka nisur me një incident. Një prej qytetarëve që ishte pjesë e tubimit, ka rënë në tokë pa ndjenja. Qytetarët e tjerë thanë për kamerat e pranishme se i riu ishte dhunuar dhe qëlluar me shkelm nga një efektiv i Policisë së Shtetit. Pasi i dhanë ndihmën e parë, në vendtubim shkoi dhe një ambulancë që do të dërgojë në spital protestuesin që humbi ndjenjat./ZËRI
Nis me tensione protesta e opozitës, kapen 2 protestues, ndërhyn Oerd Bylykbashi

TIRANË- Protesta e opozitës nisi me tensione dhe përplasje me policinë. Policia ndaloi dy protestues për t'i shoqëruar në komisariat, por ndërhyu deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili i tha efektivëve të mos prekin protestuesit.
Pjesë nga debati:
Bylykbashi: Ik, ik, ik!
Polici: Hiqi duart! Mos prek punonjësin e policisë me dorë.
Bylykbashi: Mos guxoni të shoqëroni protestuesit, ose…
Polici: Ore mos prek punonjësin e policisë!
Bylykbashi: Do merremi ne me juve pastaj!
Polici: Merru sa të duash!
Bylykbashi: Kur të merrem unë nuk ju ikën shejtani pastaj! /ZËRI
Protesta e opozitës/ Policia e Shtetit nuk jep leje për tubim: Do bllokoni rrugët, është vepër penale!

TIRANË- Prej disa ditësh opozita ka lajmëruar një protestë që do të bllokojë disa nga akset kryesore të kalimit në kryeqytet. Por duket se Policia e Shtetit nuk jep leje për të zhvilluar tubimin. Sipas një njoftimi të lëshuar sot nga zyra e shtypit në Policinë e Shtetit, bllokimi i disa segmente rrugore në Tiranë krijon probleme dhe cënon rendin publik, ndaj konsiderohet vepër penale. Kështu, uniformat blu paralajmërojnë se nëse opozita vijon me planin e saj, përgjegjësi ligjore do të mbajë organizatori, drejtuesi i tubimit dhe të gjithë pjesëmarrësit në tubim.
"Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve. Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative. Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve,"-shkruhet në njoftimin e Policisë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë
Në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Sekretari Organizativ i subjektit politik “Partia Demokratike e Shqipërisë” ka paraqitur kërkesën për zhvillim të tubimeve, nga ora 17:00 deri në orën 20:00 të datës 26.11.2024, në disa akse rrugore kryesore në Tiranë, konkretisht: Unaza e vogël, rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “ëilson” dhe nga pallati me shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.
Në zbatim të germës “a” të nenit 6 të ligjit nr. 8773, datë 23.04.2001, “Për Tubimet”, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë i ka kthyer përgjigje subjektit politik se organizimi i tubimeve në disa segmente rrugore në bashkinë Tiranë krijon probleme dhe premisa për cenime të rendit publik dhe sigurisë së shtetasve të tjerë, pengon qarkullimin e automjeteve të emergjencës, cenon të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të shtetasve, si dhe pengon lëvizjen e lirë të automjeteve të transportit publik dhe privat.
Gjithashtu, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka bërë me dije Sekretarin Organizativ të Partisë Demokratike se bllokimi i rrugëve është vepër penale dhe se për veprime në kundërshtim me ligjin, organizatori, drejtuesi i tubimit dhe pjesëmarrësit në tubim, do të mbajnë përgjegjësi administrative dhe penale, në zbatim të germës a, të nenit 24 të ligjit nr.8773, datë 23.04.2001 “Për Tubimet” dhe nenit 293 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Policia e Shtetit garanton të drejtën për tubim, të drejtat dhe liritë e pjesëmarrësve në tubime, por pa cenuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve. Për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në akset rrugore të mësipërme, Policia e Shtetit ka ndërmarrë masa që në rast bllokimi, të devijojë qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative. Policia e Shtetit apelon dhe një herë për zbatim të ligjit dhe respektim të lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe automjeteve, gjatë orarit të tubimeve./ZËRI
Protesta e opozitës, bllokohen 5 pikat kryesore të Tiranës (AGJENDA)

TIRANË- Partia Demokratike do të mbaj sot protestën e radhës në Tiranë, ku ka paralajmëruar bllokime në rrugët kryesore të kryeqytetit. Protesta do të zhvillohet në disa zona të ndryshme dhe do të udhëhiqet nga drejtuesit e degëve të PD-së dhe nga deputetët. Protesta do të mbahet te bashkia, te rreth rrotullimi Zogu i Zi, Rruga e Elbasanit, Sheshi Ëillson dhe te Pallati me Shigjeta. Kreu i PD-së, Sali Berisha u shpreh se opozita do të vijojë me mosbindjen civile kundër “narko-regjimit dhe diktaturës”.
“PD do të vijojë me mosbindje civile, strategji tjetër është dhuna e forca, por ne nuk jemi për luftë guerile. Sot kemi mbështetje si kurrë më parë, por kjo është një rritje e përgjegjësisë sonë. Sirenat e fitores së PD po ushtojnë. Kërkojnë nga qytetarët opozitarë të meritojnë fitoren me mosbindje civile! Është radha jonë”, tha Berisha.
Deputeti i PD-së, Flamur Noka, u bëri thirrje qytetarëve të vërshojnë sot drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën e thirrur nga opozita në kryeqytet.
AGJENDA DHE RRETHRROTULLIMET QË DO TË BLLOKOHEN
1 BASHKIA
Deget 7, 9, 10 dhe 14
Deputetet: Edi Paloka, Dhurata Cupi, Lodovik Hasani, Tritan Shehu, Ina zhupa
Kryesi: Aldo Bumci, Belind Kellici, Besart Xhaferri, Grigels Mucollari, Ylli Asllani, Ervin Minarolli
2 RRETH RROTULLIMI ZOGU I ZI
Deget 11, Kamëz, Vore, Durres, Kavaje, Rrogozhine, Kukes
Deputete: Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Ferdinand Xhaferri, Andia Ulliri, Petrit Doda, Flamur Hoxha, Isuf Cela, Asllan Dogjani
Fisnik Qosja
Kryesi: Floriana Garo, Gent Strazimiri, Fatbardha Kadiu, Jola Hysaj, Bislim Ahmetaj
3 RR ELBASANIT, URA TE XHAMIA
Deget 1, 2, 3, 4, 8, Qarku Diber, Qarku Elbasan, Qarku Korce
Deputete: Flamur Noka, Tomorr Alizoti, Xhelal Mziu, Jozefina Topalli, Jorida Tabaku, Kreshnik Collaku, Edmond Spaho, Sorina Koti, Andrea Mano, Qani Xhafa, Zheni Gjergji, Dashnor Sula
Kryesi: Ivi Kaso, Edit Harxhi, Clirim GJata, Florion Mima, Eleina Qirici, Mimoza Hajdarmataj, Megi Balliu
4 Sheshi Willson
Deget 5, 12, Qarku Fier, Berat, Vlore
Deputetet: Gazmend Bardhi, Bujar Leskaj Luan Baci, Bledion Nallbati, Lefter Geshtenja, Eralda Bano, Ilda Dhori, Saimir Korreshi,
Kryesi: Enno Bozdo, Keltis Kruja, Genc Deromemaj, Indrit Hoxha
5 Pallati me Shigjeta
Deget 6, 13, 15, 16 Qarku Lezhe, Qarku Shkoder
Deputete: Agron Gjekmarkaj, Elda Hoti, Kastriot Piroli, Lindita Metaliaj, Helidon Bushati, Emilia Koliqi, Ramadan Lika, Greta Bardeli
Kryesi: Luciano Boci, Bardh Spahia, Ledina Mandia, Lorenc Luka, Klevis Balliu /ZËRI