LIVE UPDATES

Nesër negociatat në Pakistan/ Trump paralajmëron: Pranoni marrëveshjen, ndryshe do sulmojmë termocentralet dhe urat- Irani nuk zbut tonet

➤Irani ka njoftuar sërish mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. Sipas raportimeve, 23 anije tregtare janë kthyer mbrapsht ose janë detyruar të ndryshojnë kurs, ndërsa nuk ka aktualisht lëvizje në ngushticë.➤ Organizata britanike për sigurinë detare UKMTO, raportoi edhe për incidente të armatosura iraniane dhe sulme ndaj cisternave, ku të paktën një anije është dëmtuar, por pa viktima. ➤Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi nga Zyra Ovale se po zhvillohen “bisedime shumë të mira” me Iranin. Ai theksoi se nuk do të lejojë që Teherani të “shantazhojë” SHBA-në në lidhje me Ngushticën e Hormuzit. ➤Ditën e nesërme do të zhvillohet takimi i radhës në Pakistan, ku Irani dhe SHBA do të diskutojnë për një marrëveshje paqeje mes tyre. Sot presidenti Trump përmes plaformës X ka paralajmëruar Iranin se duhet të pranojë marrëveshjen e paqes, përndryshe do të përballet me pasoja ndaj nfrastrukturës strategjike të Iranit, duke sulmuar termocentralet dhe urat. ➤Ndërsa Irani vazhdon të mos zbusë tonet. Zëdhenësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqei përmes një postimi në X e ka cilësuar bllokadën amerikane në portet iraniane një shkelje të armëpushimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

6 artikuj për këtë temë.
2 MUAJ ME PARE

Irani i përgjigjet Trump-it: Me bllokadën detare shkelët amrëpushimin

Nesër negociatat në Pakistan/ Trump paralajmëron: Pranoni
Donald Trump dhe Esmaeil Baqei

IRAN- Zëdhenësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqei përmes një postimi në X e ka cilësuar bllokadën amerikane në portet iraniane një shkelje të armëpushimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai iu përgjigj Trump, duke e cilësuar këtë lëvizje nga amerikanët si krim lufte dhe një krim kundra njerzimit.

"E ashtuquajtura bllokadë amerikane e porteve ose vijës bregdetare të Iranit nuk është vetëm një shkelje e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Pakistani, por është gjithashtu e paligjshme dhe kriminale"- shkruan Esmaeil Baqei.

Donald Trump akuzoi sot Iranin për shkelje të armëpushimit duke qëlluar anijet në Ngushticën e Hormuzit, në të cilën momentalisht nuk ka asnjë lëvizje./ZËRI

 

2 MUAJ ME PARE

Trump paralajmëron Iranin: Pranoni marrëveshjen e paqes, në të kundërt do sulmojmë termocentralet dhe urat

Nesër negociatat në Pakistan/ Trump paralajmëron: Pranoni
Donald Trump

SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin se duhet të pranojë marrëveshjen e paqes, përndryshe do të përballet me pasoja të rënda, sipas një postimi të tij në rrjetin social “X”.

Ai deklaroi se, në rast refuzimi të marrëveshjes së propozuar, Shtetet e Bashkuara mund të ndërmarrin veprime të ashpra ndaj infrastrukturës strategjike të Iranit, duke sulmuar termocentralet dhe urat.

Trump gjithashtu bëri të ditur se përfaqësues amerikanë janë nisur drejt Islamabadit, ku pritet të zhvillohen bisedime paqeje nesër në mbrëmje. Sipas tij, këto negociata janë pjesë e një përpjekjeje për të arritur një zgjidhje të re diplomatike.

“Irani vendosi të qëllojë dje me plumba në Ngushticën e Hormuzit - Një shkelje totale e Marrëveshjes sonë të Armëpushimit! Shumë prej tyre kishin për qëllim një anije franceze dhe një anije mallrash nga Mbretëria e Bashkuar. Kjo nuk ishte mirë, apo jo? Përfaqësuesit e mi do të shkojnë në Islamabad, Pakistan - Ata do të jenë atje nesër në mbrëmje, për negociata. Irani njoftoi së fundmi se po e mbyllte Ngushticën, gjë që është e çuditshme, sepse BLLOKADA jonë e ka mbyllur tashmë. Ata po na ndihmojnë pa e ditur, dhe janë ata që humbasin me kalimin e mbyllur, 500 milionë dollarë në ditë! Shtetet e Bashkuara nuk humbasin asgjë. Në fakt, shumë anije po shkojnë, tani, drejt SHBA-së, Teksasit, Luizianës dhe Alaska, për t'u ngarkuar, komplimente të IRGC-së, duke dashur gjithmonë të jenë "djali i fortë!" Ne po ofrojmë një MARRËVESHJE shumë të drejtë dhe të arsyeshme, dhe shpresoj që ta pranojnë sepse, nëse nuk e bëjnë, Shtetet e Bashkuara do të shkatërrojnë çdo termocentral dhe çdo urë në Iran. JO MË Z. DJALI I MIRË! Ata do të rrëzohen shpejt, do të rrëzohen lehtë dhe, nëse nuk e pranojnë MARRËVESHJEN, do të jetë nderi im të bëj atë që duhet bërë, të cilën duhet t'ia kishin bërë Iranit presidentët e tjerë, gjatë 47 viteve të fundit. ËSHTË KOHA QË MAKINA VRASËSE E IRANIT TË MARRË FUND!”- shkruan Trump/ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur, Irani kthen mbrapsht dy anije nafte

Nesër negociatat në Pakistan/ Trump paralajmëron: Pranoni
Ngushtica e Hormuzit, pamje të marra nga MarineTraffic

IRAN- Agjencia e lajmeve iraniane Tasnim ka njoftuar se, si pasojë e vazhdimit të bllokadës detare të Iranit, forcat e armatosura iraniane kanë kthyer sot dy anije të tjera nafte nga kalimi në Ngushticën e Hormuzit.

Dy anijet, që i përkisnin Botsvanës dhe Angolës, kishin tentuar të kalonin përmes Hormuzit, por u detyruan të ndryshojnë drejtim dhe të tërhiqen pas veprimeve të forcave iraniane.

Që nga mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, satelitët dhe faqja e gjurmimit të anijeve MarineTraffic tregojnë se aktualisht nuk ka anije që po kalojnë në këtë rrugë detare.

Të dhënat tregojnë se shumë anije ndodhen të ankoruara në Gjirin Persik, veçanërisht pranë brigjeve të Omanit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ky zhvillim vjen pas njoftimit iranian se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur derisa Shtetet e Bashkuara të heqin bllokadën ndaj porteve iraniane./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

BBC: Çfarë ka deklaruar SHBA për bllokadën ndaj porteve iraniane?

Nesër negociatat në Pakistan/ Trump paralajmëron: Pranoni
Foto ilustruese

SHBA- Bllokada detare e SHBA-së ndaj trafikut që hyn dhe del nga portet iraniane ka vijuar edhe gjatë këtij fundjave. Donald Trump e shpalli bllokadën një javë më parë, më pak se një ditë pasi bisedimet e gjata mes SHBA-së dhe Iranit në Pakistan dështuan të prodhonin një marrëveshje.

Forcat amerikane kanë bërë të ditur se do të ndalojnë ose do të detyrojnë të kthehen pas anijet që udhëtojnë drejt ose nga brigjet iraniane, pavarësisht kombësisë së tyre. Shtetet e Bashkuara synojnë të ushtrojnë presion ndaj Iranit duke kufizuar aftësinë e tij për të përfituar nga eksportet e naftës.

United States Central Command (CENTCOM) njoftoi këtë fundjavë se ka detyruar 23 anije të kthehen mbrapsht pranë Ngushticës së Hormuzit që nga fillimi i bllokadës. Në një postim në rrjetet sociale, të publikuar rreth një orë më parë, CENTCOM deklaroi se “bllokada ka ndalur plotësisht tregtinë ekonomike që hyn dhe del nga Irani përmes detit”.

Megjithatë, BBC Verify ka gjurmuar të paktën katër anije që janë nisur nga portet iraniane dhe që duket se kanë kaluar vijën e bllokadës së SHBA-së./Marrë nga BBC

2 MUAJ ME PARE

Mbyllja e Hormuzit, reagojnë Irani dhe SHBA, Trump: Nuk do lejojmë të na shantazhojnë me Ngushticën

Nesër negociatat në Pakistan/ Trump paralajmëron: Pranoni
Mohammad Bagher Ghalibaf dhe Donald Trump

IRAN- Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, u shpreh se negociatat me Shtetet e Bashkuara për t’i dhënë fund konfliktit mbeten ende “larg një marrëveshjeje përfundimtare”, edhe pse sipas tij është bërë një përparim i vogël.

Ghalibaf, i cili është gjithashtu pjesë e ekipit negociator iranian, zhvilloi javën e kaluar bisedime në Pakistan me përfaqësues amerikanë, mes tyre edhe zëvendëspresidentin JD Vance. Deri tani nuk është bërë e ditur asnjë datë për raundin e radhës të negociatave.

Nga ana tjetër, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi nga Zyra Ovale se po zhvillohen “bisedime shumë të mira” me Iranin. Ai theksoi se nuk do të lejojë që Teherani të “shantazhojë” SHBA-në në lidhje me Ngushticën e Hormuzit. Trump u shpreh para gazetarëve se Irani po sillet “paksa me hile, siç ka bërë prej 47 vitesh”.

Ai kujtoi gjithashtu se SHBA do të vazhdojë bllokadën ndaj porteve iraniane derisa “marrëveshja jonë me Iranin të jetë 100% e përfunduar”./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Irani mbyll sërish Ngushticën e Hormuzit, raportohet për sulme ndaj cisternave të naftës

Nesër negociatat në Pakistan/ Trump paralajmëron: Pranoni
Anijet në Ngushticën e Hormuzit

IRAN- Irani njoftoi të shtunën se ka mbyllur sërish Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës.

Sipas agjencisë iraniane Fars, një zyrtar ushtarak deklaroi se Shtetet e Bashkuara “vazhdojnë të angazhohen në banditizëm dhe pirateri detare”, duke paralajmëruar se situata në ngushticë do të mbetet nën kontroll të rreptë për sa kohë nuk garantohet “liria e plotë e lundrimit”.

Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) bëri të ditur se të paktën 23 anije janë detyruar të ndryshojnë kurs dhe të kthehen mbrapsht që nga fillimi i bllokadës këtë javë, sipas udhëzimeve amerikane.

Situata është përkeqësuar më tej nga raportimet për incidente të armatosura në zonë. Sipas një zyrtari amerikan të mbrojtjes dhe organizatës britanike për sigurinë detare UKMTO, forcat iraniane kanë qëlluar mbi cisterna nafte në ngushticë.

Sipas Axios, të paktën tre sulme ndaj anijeve tregtare janë regjistruar të shtunën, ndërsa UKMTO raportoi dy incidente të ndara. Të paktën një anije është goditur dhe ka pësuar dëme, por nuk raportohet për të plagosur.

Regjistrimet audio nga incidentet tregojnë se një prej anijeve kishte marrë leje për të hyrë në ngushticë, por më pas është qëlluar, duke u detyruar të tërhiqet. Sipas të dhënave, dy prej anijeve të sulmuara ishin indiane, njëra prej të cilave transportonte rreth 2 milionë fuçi naftë nga Iraku.

Këto zhvillime vijnë vetëm pak orë pasi Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se priste arritjen e një marrëveshjeje me Iranin “brenda një ose dy ditësh”. Ai kishte pohuar më herët se Teherani kishte rënë dakord me disa kushte të SHBA-së, përfshirë ndalimin e përhershëm të pasurimit të uraniumit./ZËRI

Poll

MOS HUMB