Në pak minuta shi, përmbytet sërish Vlora, banorët: Të na lënë gomone të kalojmë

VLORË- Rrugët e qytetit të Vlorës janë përmbytur në vetëm pak minuta shi. Disa prej zonave të qytetit janë momentalisht në ujë, ku situata paraqitet më kritike në zonën “Albano dhe Romina”, zona e “Biblotekës”, zona e “Skelës”, dhe rrugët pranë shkollës “Halim Xhelo”. Sipas banorëve, kjo situatë ndodh gjithmonë që ka reshje shiu. Ata i bëjnë apel kryebashkiakut të shokojë situatën dhe të marrë masa.
"Të lënë ndonjë gomone të kalojmë. Radhën e kaluar uji deri këtu u mbyllën bizneset. Pak shi, mbytet Vlora”, tha një nga banorët.
Në tetor të vitit 2024, Vlora u përmbyt nga një stuhi që pushtoi vendin. Për shkak të prurjeve, 33 familje me 55 anëtarë u evakuuan nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në konviktin e qytetit. Pas përmbytjes, Partia Demokratike e degës së Vlorë ka bërë një kallëzim në Prokurorinë e rrethit lidhur me përmbytjet në qytetin bregdetar prej shirave të 4 tetorit. Për mediat, kreu i PD-së së Vlorës, Atird Hoxha zbuloi se ka depozituar një serë faktesh në Prokurori, duke bërë thirrje që të zbulohet se kush duhet të mbajë përgjegjësi për dëmin e shkaktuar./ZËRI
VIDEO/ Shtëpia totalisht nën ujë, qytetarja denoncon për ZËRI: Nuk kam ku shpërngulem, vajzën dhe djalin i kam të sëmurë

DURRËS- Një qytetareje i është përmbytur shtëpia dhe nuk ka ku të jetojë. Ajo ka dërguar një video në redaksinë e ZëRI-t, ku duke qartë që i gjithë ambienti ku jeton zonja në fjalë bashkë me dy fëmijët, është nën ujë. Zonja gjithashtu rrëfen se nuk ka mundur të lidhet me Emergjencat Civile dhe se nuk ka ku të jetojë apo shpërngulet.
Vajzën dhe djalin e ka të sëmurë dhe u bën apel autoriteteve që t'i vijnë në ndihmë. Ajo jeton në lagjen nr.17 në zonën e Ish-kënetës në Durrës.
Moti i keq në vend/ Rrugë të përmbytura dhe bllokim qarkullimi, situatë kritike në Durrës

DURRËS- Për shkak të reshjeve të dendura të shiut situata paraqitet kritike në qytetin e Durrësit. Rrugët janë përmbytur dhe kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve por edhe në lëvizjen e këmbësorëve. Ministria e Mbrojtjes lajmëron se situata më kritike paraqitet në disa zona në qytet si: Shkozet, Ish-magazinat e Agrotransportit, Zona e Plazhit, Ish-Këneta, Stadiumi dhe Lagja “17 Nëntori” dhe Ura e Dajlanit.
Sipas Ministrisë, në terren po punon një eksavator për të pastruar kanalet në mënyrë që të bëhet i mundur qarkullimi i ujit. Ndërsa disa toka bujqësore janë përmbytur në Sukth.
"Për shkak të reshjeve të intensifikuara të shiut, në qytetin e Durrësit janë shfaqur disa problematika, të cilat po monitorohen dhe trajtohen nga strukturat përkatëse. Një eskavator i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit ka mbërritur në Kanalin e Ujrave të Larta për ndërhyrje dhe pastrimin e kanaleve. Ka rritje të nivelit të ujit në rrugë, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve si dhe prani të ujit në disa zona të qytetit si dhe në Shkozet, Ish-magazinat e Agrotransportit, Zona e Plazhit, Ish-Këneta, Stadiumi dhe Lagja “17 Nëntori”. Uji ka depërtuar gjithashtu në oborret e disa shtëpive në zonën e njohur si “Ura e Dajlanit” dhe Ish-Këneta. Niveli i ujit në Kanalin e Ujrave të Larta në unazën e qytetit ka arritur në një nivel kritik.
Po ashtu, ka prani të ujit edhe në sipërfaqe bujqësore në njësinë administrative Sukth. Strukturat vendore janë angazhuar për të riparuar pasojat e krijuara dhe po punojnë intensivisht për të menaxhuar situatën. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të vijojë të ndjekë situatën, për të koordinuar forcat deri në normalizimin e situatës", njofton Ministria e Mbrojtjes./ZËRI
Reshje shiu në të gjithë vendin, parashikimi i motit për sot

TIRANË-Sot vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike me mbizotërim të motit të vranët dhe me reshje të herëpashershmesh shiu prej orëve të para të 24-orëshit e gjatë gjithë ditës.
Reshjet e shiut parashikohen me intensitet të ulët dhe shtrëngata të izoluara afatshkurtra në pjesën e parë të ditës, ndërsa në orët e vona të pasdites pritet që i gjithë vendi të përfshihet nga reshje shiu me intensitet mesatar. Në Alpe dhe relievet e larta malore në verilindje-juglindje do të kemi rikthim të reshjeve të dëborës, me intensitet të ulët.
Temperaturat parashikohen në zonat malore 4 deri 12°C, në zonat e ulëta 7 deri 18°C dhe në zonat bregdetare 10 deri 18°C.
Era do të fryjë me drejtim juglindje-verilindje me shpejtësi mesatare 2-7m/s, ndërsa në lugina dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës pritet të fitojë shpejtësi 8-13m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 2-3ballë./ZËRI