LIVE UPDATES

PD bojkoton Kuvendin/ Balla përplaset me Muçin dhe Kaprin, socialisti kallëzim për Shehaj? E kam dosjen gati!

♦Kuvendi është mbledhur sot në seancë plenare. ♦Edhe këtë të enjte, deputetët e Partisë Demokratike nuk janë të pranishëm në sallë, duke vijuar bojkotin e tyre. ♦Në rendin e ditës është parashikuar hedhja në votim e disa projektligjeve, si edhe shqyrtimi i një sërë projektrezolutash për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura gjatë vitit 2025. ♦Megjithatë, tensionet dhe përplasjet nuk kanë munguar as sot, mes Ballës dhe 'opozitës së re', deputët Redi Muçi dhe Erald Kapri. ♦Këta të fundit kërkuan llogari për çështje si deklarata e ministrisë serbe për spastrimin etnik të Kosovës, duke akuzuar qeverinë shqiptare për mungesë qëndrimi. ♦Nga ana tjetër, Balla ka mohuar akuzat, teksa gjatë përplasjes me Kaprin, risolli edhe një herë çështjen e pasurisë së Agron Shehajt, duke paralajmëruar edhe një kallëzim këtë të fundit pasi deklaroi se e ka gati dosjen. ♦Ndërkohë, jashtë godinës së Kuvendit, janë vendosur efektivë të policisë dhe gardh metalik pas incidenteve gjatë protestës së 2 korrikut.

7 artikuj për këtë temë.
2 ORE ME PARE

Deklarata e ministres serbe, Muçi: Pse s’ka reagim? Balla: Mos bëni karagjozin, laj gojën kur përmend Ramën

PD bojkoton Kuvendin/ Balla përplaset me Muçin dhe Kaprin,
redi muci-taulant balla

TIRANË- Deklarata e ministres serbe, Snezhana Paunoviç, është bërë pjesë e diskutimeve në seancën e sotme në Kuvend. Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, pyeti se cila është arsyeja që ministrja nuk është shpallur non grata nga Shqipëria, ashtu siç veproi Kosova.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Muçi kërkoi një reagim nga qeveria shqiptare, duke akuzuar mazhorancën për mungesë qëndrimi.

“Çfarë pret qeveria shqiptare dhe kryeministri për të reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe Paunoviç për spastrimin etnik të Kosovës dhe mbështetjes që i dha zv/kryeministri serb? Kosova e ka shpallur non grata ministren. Ky që merret me armiqtë e popullit si ka mundësi që nuk mban qëndirm për një deklaratë të ministres serbe? Ndoshta sepse bashkë me mikun e tij, Vuçiç, i ka zënë i njëjti hall: fakti që rinia i përçmon”, tha Muçi.

Nga ana tjetër, kreu i Grupit të PS-së, Taulant Balla, u shpreh se reagimi ka qenë i menjëhershëm në të gjitha nivelet e nevojshme. Balla theksoi më tej sipas tij se, kryeministri Rama e ka mbrojtur Kosovën në mes të Serbisë. 

“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme, por indinjuese dhe të rëndë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme. Këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, të një kadeti të ri në Kuvend. Nuk tallemi me çështjet kombëtare, s’jemi karagjozë si puna jote! Qëndrimin e kemi mbajtur në nivelin e qeverisë nga ministri i Jashtëm, në nivel politik, kam reaguar përpara teje, ti ishe në gjumë kur kam reaguar unë bashkë me ata që ke në kafazin tënd politik. Ky akt është dënuar nga autoritetet politike përfaqësuese. Sa i përket Edi Ramës, ti dhe shokët e tu duhet të lani gojën mirë se është i vetmi kryeministër që nga 1912 që ka ngritur çështjen e Kosovës”, ia përgjigj Balla.

3 ORE ME PARE

"Gones ia kam bërë dosjen gati"/ Balla-Kaprit: Në 4 vite pesëfishoi vlerën, nga paratë e vilës je paguar edhe ti!

PD bojkoton Kuvendin/ Balla përplaset me Muçin dhe Kaprin,
taulant balla

TIRANË- Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka rikthyer edhe një herë në vëmendje çështjen e papsurisë së kreut të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, gjatë një replike të ashpër me deputetin e Erald Kapri.

Balla e cilësoi skemën e pasurimit të Shehajt si një rast unik në botë, e cila sipas tij po zbardhet tashmë plotësisht, teksa shtoi se e ka gati dosjen për të. 

Gjatë debatit, Balla i tha Kaprit se ka zgjedhur të bëjë një karrierë politike në mënyrë aspak të mirë, duke pretenduar se pagesat e tij deri në vitin 2025 janë financuar nga paratë e Shehajt.

"Ti ke marrë për model, modelin më të keq. Nuk ka model më të keq në politikë se sa të vish këtu dhe të bësh sulferin e Gones. E nise karrierën politike nga paratë e Gones, sot paguhesh si asistent i Gones. Teksa po zbardhet e gjithë skema e parave të Agron Shehajt, i cili brenda katër eurosh pesëfishon vlerën e një aseti. Rast unik në botë. Ia kam bërë të gjithë dosjen Gones. Sepse nga paratë e vilës së Gones je paguar ti deri në vitin 2025”, tha Balla.

Çështja e pasurisë së Shehaj u risoll në vëmendje edhe në seanën e fundit të Kuvendit, ku i kërkoi publikisht kreut të Partisë Mundësia që të japë shpjegime për një transaksion të deklaruar në pasurinë e tij, ku thuhet se ka shitur një pronë me sipërfaqe totale 251 metra katrorë për vlerën 15 milionë euro.

Pas diskutimeve dhe reagime që pësuan, reagoi edhe vetë kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i cili mohoi akuzat duke theksuar se pasuria e tij është ndërtuar me punë të pastër dhe është e deklaruar në institucionet përkatëse. 

Sipas deklaratës së ndryshimit të pasurisë të depozituar nga Shehaj, në shtator të vitit të kaluar, ai ka deklaruar shitjen e një pasurie të paluajtshme në Itali, të përbërë nga truall dhe ndërtesë me sipërfaqe totale 251 metra katrorë, me vlerë 15 milionë euro. Kjo shumë ka ngritur pikëpyetje për shkak të diferencës së dukshme me çmimet e zakonshme të tregut për prona të ngjashme./ZËRI

3 ORE ME PARE

'Marrëveshja për Shqipërinë e re', Spiropali dorëzon mocionin në Asamble: E mbajta premtimin ndaj kryetarit, nuk synoj përçarje

PD bojkoton Kuvendin/ Balla përplaset me Muçin dhe Kaprin,
elisa spiropali

TIRANË- Ish-ministrja Elisa Spiropali ka dorëzuar në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste mocionin për hapjen e debatit mbi “Marrëveshjen për Shqipërinë e re”.

Në një prononcim për mediat para nisjes së seancës plenare, Spiropali deklaroi se dokumenti nuk është një nismë personale, por një platformë e hapur për të gjithë anëtarët e Partisë Socialiste.

Ajo tha se ka mbajtur premtimin e dhënë dhe se mocioni i është drejtuar kryetarit të PS-së, Edi Rama, Asamblesë Kombëtare dhe të gjithë anëtarësisë së partisë, ndërsa shtoi se dokumenti do të jetë i hapur edhe për publikun.

Sipas Spiropalit, nisma nuk ka si qëllim përçarjen brenda socialistëve, por hapjen e një procesi diskutimi dhe bashkimin e energjive brenda partisë dhe shoqërisë shqiptare.

"E mbajta premtimin sot dhe sapo dorëzova në Asamblenë e Partisë Socialiste mocionin për hapjen e debatit për marrëveshjen e re për Shqipërinë. Nga ana ime premtimi u mbajt dhe iu përgjigja thirrjes së kryetarit. Nuk është vetëm një dokument imi, është i hapur për të gjithë anëtarët e PS. Ia kam drejtuar kryetarit të PS, anëtarëve, kryeministrit dhe Asamblesë. Do të jetë e hapur sepse çdo marrëveshje për Shqipërinë s’mund të hartohet nga 1 apo 10 individë por të shprehë vullnetin e shumicës shqiptare që në këtë moment kërkon më shumë përfaqësim, demokraci, drejtësi shoqërore, marrëdhënie më të drejtë mes shtetit dhe qytetarit, model ekonomik që i përgjigjet nevojave dhe të rinjtë që janë në pararojë të kërkesave për ndryshim, janë ata që presin më shumë na ne dhe unë kam gjithë besimin që kjo shumicë qeverisëse dhe PS i ka të gjitha mundësitë për t’iu përgjigjur kësaj kërkese.

Kjo s’është kërkesë për fraksion apo përçarje, është kërkesë për bashkim të të gjithë energjive progresiste të PS. Ne duhet t’u përgjigjemi qytetarëve jo me arrogancë, por me përulësi duke i dëgjuar dhe kanalizuar në rrugë edhe institucionale kërkesave të tyre”, tha ajo./ZËRI

3 ORE ME PARE

PS propozon pr.ligjin për turizmin: Pezullohen të gjitha ndërtimet në bregdet gjatë sezonit të verës

PD bojkoton Kuvendin/ Balla përplaset me Muçin dhe Kaprin,
Taulant Balla

TIRANË-Partia Socialiste ka propozuar një projektligj të ri për turizmin, i cili parashikon pezullimin e të gjitha punimeve të ndërtimit në zonat bregdetare gjatë sezonit veror. Ishte kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i cili nga Kuvendi njoftoi se me anë të këtij projektligji do të garantohet cilësi më e lartë ndaj turistëve në Shqipëri. 

Balla deklaroi se një tjetër pjesë e projektligjit lidhet me krijimin e një regjistri elektronik të turistëve, ku do të regjistrohen personat që akomodohen në strukturat hoteliere. 

Taulant Balla: Kemi propozuar që në pr.ligjin për turizmin, të pezullohen punimet e ndërtimit gjatë kohës së sezonit turistik, duke garantuar cilësi më të lartë të ofertës turistike në vendin tonë. Pjesa tjetër ka të bëjë me regjistrin elektronik të turistëve. Të ketë një sistem të regjistrimit të personave që akomodohen në atë strukturë hoteliere. Përfshirë këtu edhe një rast që e kam bërë publik bashkë me deputetë të Kavajës, lidhur me pamundësinë por edhe paaftësinë, rasti i bashkisë së Kavajës është më uniku, ku një bashki pjesën e administrimit të mbetjeve e ka lënë jashtë kontrolli, ndërkohë që strukturat akomoduese duhet të kenë një vend të caktuar të tyre për administrimin e mbetjeve. Nuk mund të shkojë hoteli ti hedhë mbetjet në koshin e plehrave të lagjes.

4 ORE ME PARE

Nis seanca në Kuvend, bojkoton PD

PD bojkoton Kuvendin/ Balla përplaset me Muçin dhe Kaprin,
kuvendi

TIRANË- Kuvendi ka nisur këtë të enjte seancën plenare, por edhe këtë herë opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në punimet e saj. Partia Demokratike ka vijuar bojkotin, me argumentin se kërkesat e protestuesve nuk janë marrë parasysh nga mazhoranca.

Ndërkohë, në rendin e ditës së seancës së sotme janë parashikuar për votim disa projektligje, si dhe shqyrtimi i një sërë projektrezolutash për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura gjatë vitit 2025./ZËRI

5 ORE ME PARE

Pas pak seanca, policia "blindon" Kuvendin, forca policie dhe gardh metalik (VIDEO)

PD bojkoton Kuvendin/ Balla përplaset me Muçin dhe Kaprin,
kuvendi

TIRANË- Kuvendi është rrethuar nga një kordon sigurie pak përpara nisjes së seancës plenare të ditës së sotme, e cila pritet të zhvillohet në orën 10:00. Përreth godinës së Kuvendit janë vendosur barriera metalike, ndërsa në terren ndodhen forca të shumta policie.

Masat e sigurisë vijojnë prej datës 2 korrik, kur përpara Kuvendit disa protestues hodhën vezë drejt deputetëve dhe penguan daljen e tyre nga godina. Situata kaotike rrethoi Kuvendin, kryesisht pas daljes së deputetëve në përfundim të seancës, ku nuk munguan incidentet dhe arrestimet nga ana e Policisë./ZËRI

6 ORE ME PARE

Kuvendi mblidhet sot në seancë: Interpelanca dhe votim projektligjesh! A do të vijojë bojkotin opozita?

PD bojkoton Kuvendin/ Balla përplaset me Muçin dhe Kaprin,
kuvendi

TIRANË- Kuvendi do të mblidhet sot në seancën e radhës plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar disa interpelanca. 

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu një sërë projektligjesh, si edhe raportet vjetore të disa institucioneve për punën e zhvilluar gjatë vitit 2025.

Ndërkohë, opozita pritet të bojkotojë edhe këtë seancë plenare, duke vijuar qëndrimin e mbajtur në seancën e së hënës, kur deputetët e saj nuk morën pjesë në punimet e Kuvendit.

Rendi i Ditës:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 13.7.2026.

2. Njoftime.

3. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputetja Jorida Tabaku.

4. Projektligji “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”.

5. Projektligji “Për censin e bujqësisë”.

6. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 27/2016, “Për menaxhimin e kimikateve”, të ndryshuar”

7. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 103/2016, “Për akuakulturën””.

8. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9244, datë 17.6.2004, “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, të ndryshuar”.

9. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunim teknik 2025”.

10. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i hekurudhës TiranëDurrës dhe ndërtimi i lidhjes hekurudhore me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës: zgjerimi i projektit”.

11. Projektligji “Për ratifikimin e Konventës për Byronë e Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil, bërë në Bernë, më 30 gusht 2025″.

12. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9616, datë 27.9.2006, “Për librin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

13. Projektvendim “Për emërimin e një anëtari të Këshillit të Statistikave”.

14. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2025″.

15. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për vitin 2025”.

16. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2025”.

17. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare për vitin 2025″.

18. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Institutit të Statistikave për vitin 2025”.

19. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2025”.

20. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Radiotelevizionit Shqiptar për vitin 2025”.

21. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Mediave Audiovizive për vitin 2025”.

22. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Entit Rregullator të Energjisë për vitin 2025”.

23. Miratimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Entit Rregullator të Ujit për vitin 2025”.

24. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

Poll

MOS HUMB