“Aksioni Bitcoin”, Policia njoftim zyrtar: 18 të arrestuar dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim
TIRANË- Policia e Shtetit ka arrestuar 18 persona dhe ka shpallur në kërkim dy të tjerë nga Maqedonia e Veriut në lidhje me operacionin e koduar “USDT-1”, kundër mashtrimeve ekonomike dhe kriptomonedhave.
Drejtoresha e Drejtorisë për Hetimet e Krimeve Kibernetike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtuese e Parë Ervina Gjana, në një prononcim për mediat dha më shumë detaje rreth këtij informacioni. Gjana, tha se gjatë operacionit janë kryer kontrolle në 32 ambiente, ku janë sekuestruar 13 pajisje kompjuterike, 27 celularë dhe rreth 750.000 euro, që dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie të jashtëligjshme.
“Jam sot këtu, për t’ju informuar për rezultatet e operacionit policor të koduar "USDT-1". Operacioni, i pari në vendin tonë, dhe shumë i rëndësishëm në nivel rajonal, kishte objektiv dokumentimin me prova ligjore dhe goditjen e këmbimit të kundërligjshëm të parave në monedha virtuale dhe anasjelltas.
Për shkak të rëndësisë së madhe që paraqet goditja e kësaj veprimtarie kriminale, nisur nga shtrirja globale e saj, multinacionaliteti i autorëve, vështirësia e provimit të autorësisë dhe veprimtarisë në vetvete, hapësira virtuale e kryerjes së këtij aktiviteti dhe probabiliteti për t’u shndërruar në terren ku pastrohen paratë e krimit, hetimi nga Drejtoria për Hetimet e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, të cilën gjej rastin ta falënderoj, ka qenë kompleks, disamujor dhe është kryer me metoda speciale.
Gjatë periudhës hetimore është mundësuar dokumentimi me prova bindëse i kësaj veprimtarie kriminale që kryhej individualisht, duke përdorur si mjete komunikimi rrjetet sociale, si dhe nëpërmjet disa subjekteve ekonomike, në Tiranë dhe në Shkodër. Në vijim të veprimeve hetimoro-procedurale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Dretjorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë ekzekutuar masat e sigurisë, të caktuara nga Gjykata e Tiranës, për 18 shtetas.
Konkretisht:
-është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit: G. S., R. B., A. K., L. L., M. S., A. R., A. A., S. Gj., A. Gj., D. D., T. A., F. S., P. V., D. V., E. S., J. L. dhe A. B., të akuzuar për veprat penale “Ushtrimi pa licencë i veprimtarive financiare” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
-është ekzekutuar masa e sigurisë “Detyrimi për t'u paraqitur në policinë gjyqësore”, për shtetasin V. L., si akuzuar për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Gjithashtu, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 2 shtetas të implikuar në këtë veprimtari kriminale, me shtetësi të RMV-së.
Si rezultat i hetimeve është provuar se 18 shtetasit e arrestuar, individualisht ose me cilësinë e administratorëve të subjekteve ekonomike në Tiranë dhe në Shkodër, këmbenin monedha virtuale ne para dhe anasjelltas, pa qenë të pajisur me licencën e nevojshme për kryerjen e kësaj veprimtarie. Nga kontrollet e kryera në 32 ambiente, janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale: 13 pajisje kompjuterike, 27 celularë dhe rreth 750.000 euro, që dyshohet se i shërbenin kësaj veprimtarie të jashtëligjshme.
Në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, po vijojnë hetimet për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë shtetasit e implikuar në këtë veprimtari kriminale, të cilët kanë përdorur kriptomonedhat si mekanizma pagese nëpërmjet grupeve kriminale.
Drejtoria për Hetimet e Krimeve Kibernetike falënderon qytetarët dhe median për denoncimet e herëpashershme për krime në këtë fushë. Si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me ta, administrimit të menjëhershëm të indicieve, fushatave sensibilizuese të vazhdueshme dhe koordinimit me strukturat homologe në Europë, janë finalizuar një sërë operacionesh policore, të cilat kanë identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorët e veprimtarive të ndryshme kriminale që kryheshin në hapësirën virtuale, kryesisht në rrjete sociale.
Në këtë kuadër ftoj qytetarët dhe përfaqësuesit e medias që ta vijojmë dhe intensifikojmë këtë bashkëpunim, nëpërmjet denoncimit të menjëhershëm të çdo indicieje për krime kibernetike, te njësitë tona fizike pranë drejtorise qendrore, drejtrive vendore të Policisë, si dhe te platformat tona zyrtare dhe te ato të Policisë së Shtetit”, tha Gjana. /ZËRI
"Thyenin" ILEGALISHT monedhat e bitcoin/ Aksioni në Tiranë, kush janë të arrestuarit (EMRAT)
TIRANË- Një operacion i Policisë së Shtetit po zhvillohet në Tiranë e Shkodër kundër një rrjeti të gjerë mashtrimi ekonomik me kriptomonedha. Sipas të dhënave të deritanishme, Policia ka vendosur në pranga 17 persona, mes tyre 6 pronarë të pikave të këmbimit valuator. Deri më tani janë mësuar emrat e personave të vendosur në pranga deri më tani.
Personat e arrestuar janë identifikuar si: Arlin Kajo; Lidra Leka; Pirro Verdhi; Valentino Leka; Riduan Bajrami; Ridvan Nuhiji; Nexhmedin Sali; Muhamed Saraçi; Aurora Bregu; Evis Sopi; Frederik Sinanaj; Aldi Ruli; Tedi Agastra; Arberor Agastra; Spartak Gjoçi; Armando Gjoçi; Jonid Lazaj; Genci Sula; Dorian Dodaj dhe Denard Dani.
Po ashtu, siç bën me dije Policia e Shtetit, në kuadër të operacionit “USDT-1” janë kontrolluar 32 ambiente të ndryshme. Gjatë këtyre kontrollebve janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash. Më shumë detaje ende nuk janë zbuluar pasi operacioni është ende në vijim./ZËRI
32 kontrolle në Tiranë e Shkodër/ Policia jep detaje nga AKSIONI: Kemi 17 të arrestuar, operacioni vazhdon!
TIRANË- Aksioni është ende në vijim, por Policia e Shtetit ka dhënë një informacion paraprak lidhur me atë që po ndodh në Tiranë. Në njoftimin e bërë me dije për mediat, Policia sqaron se deri më tani 17 persona kanë përfunduar në pranga nga kontrollet e kryera në Tiranë dhe Shkodër. Në kuadër të operacionit “USDT-1” janë kontrolluar 32 ambiente të ndryshme. Gjatë këtyre kontrollebve janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash. Më shumë detaje ende nuk janë zbuluar pasi operacioni është ende në vijim.
NJOFTIMI I POLICISË:
Policia e Shtetit
Në përgjigjje të interesit të medias, mbi një operacion policor, aktualisht në zhvillim, ju sqarojmë se: Si rezultat i një hetimi disamujor, me metoda speciale, po zhvillohet sot, operacioni policor i koduar “USDT-1”. Zhvillimi i këtij operacioni, rezultat i punës së mirorganizuar të Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik së DPPSh-së, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Deri tani, në kuadër të këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për 17 shtetas, si dhe janë kryer kontrolle në 32 ambiente në Tiranë dhe në Shkodër.
Në cilesinë e provës materiale, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash. Operacioni është në vijim. Në përfundim të tij, Policia e Shtetit do të japë njoftim të detajuar për median dhe qytetarët./ZËRI
SËRISH AKSION! Krimi Ekonomik dhe SPAK kontrolle në Tiranë, në fokus edhe pikat e "Exchange", disa persona të ndaluar
TIRANË- Një tjetër aksion po zhvillohet në Tiranë, por kësaj here në lidhje me kriptovalutat. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit kanë zbuluar një rrjet që ka lidhje me mashtrimin ekonomik dhe kriptomonedhat.
Kontrolle po kryen edhe në disa pika të këmbimit valutor, "Exhange". Raportohet se deri tani ka disa dhjetra persona të ndaluar, por ende nuk ka asnjë emër dhe shifër konkrete.
Ajo që është mësuar deri më tani është se kontrollet janë kryer në Vorë, Laknas, Kamëz, Fushë Krujë, lagjet Mëzez, Kashar, Fresk, por edhe në lagje të tjera të kryeqytetit.
Aksioni vjen dy ditë pasi në vendin tonë u zbulua një laborator kokaine me bazë në Fushë-Krujë. Nga aksioni u arrestuan 10 persona, ndërsa hetimet vazhdojnë për goditjen e të gjithë grupit./ZËRI