Fluksi i emigrantëve në kufi, thirrja e Prodës: Asnjë pengesë s'dua nga strukturat tona, të gjithë në detyrë!

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda i ka kërkuar nga Kakavija të gjitha shërbimeve të Policisë Kufitare angazhim maksimal për të eliminuar çdo pengesë, duke ju krijuar lehtësirat ligjore qytetarëve që përdorin pikat e kalimit kufitar.
“Me kënaqësi e them që nga strukturat e Policisë Kufitare në të gjithë Shqipërinë, jam shumë i kënaqur, padyshim edhe nga struktura juaj këtu në Kakavije, ku nuk mund të lë pa përmendur bashkëpunimin e shkëlqyer me FRONTEX. Këto janë momente ku qytetarët tanë kthehen për të festuar vitin e ri në shtëpitë e tyre. Këto janë ditë festash dhe për të gjitha shërbimet e Policisë Kufitare kërkohet më shumë angazhim. Të gjithë në detyrë; asnjë pengesë artificiale nuk dua të vijë nga strukturat tona. Vlerësim maksimal, çfarë të kemi mundësi tua lehtësojmë lëvizjen. Bashkëpunoni me homologët, që lëvizja të jetë e njëtrajtshme nga të dyja anët e kufirit. Edhe njëherë, ju uroj festat gjithë punonjësve dhe familjeve të tyre, qytetarëve, gjithë bashkatdhetarëve që vijnë për të festuar vitin e ri dhe, pa diskutim, edhe gazetarëve që kontribuojnë në përcjelljen e punës tonë dhe të mesazheve te qytetarët!,”-tha Proda.
Ndërkohë, gjatë bisedës me Drejtorin e Policisë Kufitare të Janinës Diamantis Dimitrios, Proda i kërkoi që në pikën e kalimit në palën greke të punohet me të njëjtin numër sportelesh, duke mundësuar lëvizjen e njëtrajtshme dhe eliminimin e radhëve në hyrje apo dalje./ZËRI
Fluks emigrantësh edhe në Qafë-Thanë! Pritje deri në 40 minuta, punohet me 4 sportele

QAFË-THANË-Fluksi i emigrantëve ka prekur edhe pikën kufitare me Maqedoninë, Qafë-Thanën. Pika e kalimit kufitar në Qafë Thanë, po përballet me një fluks të lartë kalimesh nga drejtimi i Maqedonisë për në Shqipëri, por edhe anasjelltas.
Situata ka shkaktuar pritje të gjata që arrijnë deri në 40 minuta.
Autoritetet doganore kanë rritur kapacitetin duke vendosur katër sportele për të përshpejtuar kalimin e automjeteve./ZËRI
Fluksi i emigrantëve për festat e fundvitit, Hoxha në Kakavijë: Greqia mori masa për lehtësim kalimi

KAKAVIJË- Në vendin tonë pikat kufitare në Morinë dhe në Kapshticë po përballen me fluks të lartë lëvizjeje. Raportohet se përgjatë 24 orëve të fundit janë përpunuar në total 9500 shtetas nga të cilët 6300 në hyrje dhe 3200 në dalje, në pikëkalimin doganor të Kakavijës.
Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda zhvilluan një vizitë inspektuese në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavije, që lidh Shqipërinë me Greqinë, për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve në dy anët e kufirit. Ata u takuan me autoritetet vendore dhe më pas takuan përfaqësues të policisë greke në Qendrën e përbashkët të Koordinimit.
"Sot bashkarisht me drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe drejtorin e departamentit të Policisë Kufitare vizituam pikën kufitare të Kakavijës. Në inspektim pata mundësinë të takoja edhe drejtuesit e policisë greke që ndava disa shqetësime. Javën e kaluar pata një bisedë me ambasadoren greke mbi planin e masave për të përballuar fluksin e qytetërëve shqiptar në pikën kufitare Kakavijë dhe pikat e tjera. Masat janë marrë në përballimin e këtij fluksi. Bashkë me drejtuesin e policisë greke vizituam edhe qendrën e kordimimit, e cila është ngritur në zbatim të marrveshjeve ndërqeveritare, funskionon si e tillë në bashkëpunim me forcat greke dhe shqiptare. Falënderoj përfaqësuesit e Frontex-it. Në bazë të marrëveshjes që kemi nënshkruar me Frotenx-in dhe qeverisë shqiptare për migracionin e paligjshëm. Kemi pasur suksese në nivele shumë të mira, emigracioni i paligjshëm është ulur deri në 60%. Bashkëpunimi midis policive është i ndërsjelltë ka prioritet lehtësimin e lëvizjes së qyterarëve. Ketë vit kemi një përmirësim sa i përket menaxhimit të kalimit të qytetarëve në pikat kufitare,"-u shpreh Hoxha.
Ministri u ndal edhe tek shpërblimi për efektivët për festat e fundvitit, ku nënvizoi se beson se Këshilli i Ministrave do të miratojë këtë projekt-vendim nesër (30 dhjetor).
“Ministria e Brendshme ka bërë një propozim për heqjen e kritereve dhe përjashtimit të policisë së shtetit për sa i pëtket një kriteri i cili që vitet e tjera nuk ka qenë për shkak të buxhetit. Të hënën Këshilli i Ministrave do të miratojë projekt-vendimin të cilin kemi propëzuar për shpërblimin e Policisë së Shtetit. Orët shtesë dhe suplementare janë të përfshira", përfundoi ai.
Fluks pasagjerësh në Portin e Vlorës

VLORË-Festat e fundvitit kanë rikthyer emigrantët në vend. Fundjava ka sjellë një fluks të madh udhëtarësh në portin detar të Vlorës, ku gjatë dy ditëve të fundit kanë mbërritur mbi 1,150 pasagjerë dhe 242 automjete.
Të shtunën në mëngjes, 543 pasagjerë dhe 142 makina u regjistruan në port, kryesisht emigrantë shqiptarë që kthehen për festat, si dhe një numër i vogël shtetasish të huaj. Ndërsa të dielën, shifrat u rritën, me 618 pasagjerë dhe 100 automjete që mbërritën në port.
Fluksi për festat e fundvitit në Vlorë pritet të vazhdojë edhe në ditët në vijim.