VOA: Rasti Veliaj, të dhëna për “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurish”

TIRANË- Në Tiranë SPAK-u bëri të ditur të premten se në lidhje me hetimet që kanë përfshirë kryebashkiakun e Tiranës Erjon Veliaj dhe familjarë të tij, ka të dhëna konkrete jo vetëm për “korrupsion pasiv”, por edhe me vepra të tjera penale si “korrupsion aktiv”, “pastrim parash” dhe “fshehje pasurish”.
SPAK ia atribuon këto gjetje hetimeve paraprake dhe provave të mbledhura deri në këtë fazë, lidhur me procedimin penal të regjistruar në muajin shkurt. Nga hetimet e deritanishme, sipas prokurorisë, “konstatohet se ekzistojnë të dhëna konkrete që anëtarë të ngushtë të familjes si dhe familjarë të tjerë të afërt me Kryetarin e Bashkisë Tiranë, kanë marrë përfitime të paligjshme përmes disa shoqërive dhe individëve, të cilët kanë interesa të drejtpërdrejta në Bashkinë Tiranë”.
Gjatë hetimeve, po sipas prokurorisë, “janë evidentuar veprime konkrete të cilat përfshijnë transaksione financiare, kontrata të dyshimta dhe fatura të dyshuara fiktive të realizuara përmes disa shoqërive, të cilat janë në pronësi të regjistruar ose që kontrollohen faktikisht nga familjarët e ngushtë dhe familjarë të tjerë të Kryetarit të Bashkisë”.
Prokuroria e Posaçme shtoi se ky procedim u bazua në informacionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila verifikoi të dhënat dhe administroi provat dokumentare, pas kallëzimit të një shtetasi (i vetidentifikuar si N.A). Në kuadër të këtij procedimi, kryebashkiaku i Tiranës, Erjon Veliaj ishte të enjten për më shumë se pesë orë në SPAK. Ai nuk komentoi për gazetarët pasi doli nga Prkuroria e Posaçme. Zoti Veliaj tha para Këshillit Bashkiak se në SPAK ai ishte denoncuar nga një qytetar i quajtur Nesti Angoni, i cili siç u shpreh ai, “nuk ekziston", megjithatë shtoi se ka qenë bashkëpunues me drejtësinë, ndërsa e cilësoi denoncimin si një kurth të sajuar anonim, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Disa ditë më parë në SPAK ishte për afro tre orë edhe bashkëshortja e zotit Veliaj, Ajola Xoxa, në zyrat e kompanive të së cilës u bënë kontrolle nga agjentët e BKH-së, me vendim të Gjykatës së Posaçme, në fillim të dhjetorit dhe iu sekuestrua telefoni celular. Kontrolle u kryen edhe në banesat e vëllait të zotit Veliaj, të cilit iu sekuestrua telefoni celular. Gjykata e Apellit rrëzoi ankimimin e tyre kundër këtyre kontrolleve. Ndaj zotit Veliaj nuk ka një akuzë, ndërsa vijojnë hetimet paraprake mbi procedimin penal, të nisur në shkurt për “korrupsion pasiv”, të cilit u janë shtuar tashmë edhe dyshimet e provat për korrupsion aktiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. /VOA
Nën hetim nga SPAK për 4 vepra penale, mbrojtja e Veliaj: E qëllimishme! Berisha: Kallëzimi u bë nga Rama (E PLOTË)

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka nisur një hetim ndaj kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Dje kryebashkiaku u thërrit në SPAK ku dëshmoi për 5 orë. Pas daljes nga SPAK, Veliaj nuk dha asnjë koment për mediat dhe tha se do të fliste në mbledhjen e Këshillit Bashkiak. Gjatë takimit të Këshillit Bashkiak, ai tha se ishte thirrur për të "bashkëpunuar" me SPAK, pasi në Prokurorinë e Posaçme kishte mbërritur një denoncim një qytetar anonim. Sipas kryebashkiakut të Tiranës, që Veliaj thotë se quhet Nesti Angoni, ndërsa shton se ky qytetar nuk ekziston. Kryebashkiaku i Tiranës e konsideroi denoncimin anonim ndaj tij si një kurth, teksa bëri me dije se do të jetë bashkëpunues me drejtësinë.
Ndërsa sot, SPAK doli me një njoftim zyrtar ku dhe sqaroi akuzat për të cilat po hetohet kryebashkiaku i Tiranës. Struktura bëri me dije hetimi ka nisur pas kallëzimit të bërë në shkurt të këtij viti nga një person i vetëidentifikuar si "N.A.". Ndër të tjera në njoftimin e bërë publik, zbulohet se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, kanë nisur një procedim penal. Fillimisht hetimi nisi për veprën "Korrupsion pasiv", por deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, Prokuroria e Posaçme thekson se Veliaj po hetohet për 4 vepra penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal.
Po ashtu, pas SPAK mbrojtja e Veliajt, mbajti një qëndrim zyrtar ku e konsideroi këtë hetim si keqdashës, të qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin. Sipas tyre, po veprohet për të denigruar qëllimisht figurën e kryebashkiakut. "Vepra për të cilat është kallëzuar Veliaj nuk kuptohet, është fshehur fakti i vendosjes nën hetim të Veliajt dhe familjes së tij, kërkesa për kontroll është bërë pa mandate, janë intimiduar dhe ushtruar dhunë agresive ndaj të thirrurve si persona nën dijeni apo janë tejkaluar afatet hetimore”. Mbrojtja shpreh shqetësime dhe për dalje në media të informacioneve mbi hetimin.
Por, deklaratat e forta kanë ardhur dhe nga radhët e opozitës. Kryedemokrati Sali Berisha tha se vetë kallëzimin për Veliajn në SPAK e ka bërë kryeministri Edi Rama. Sipas Berishës, pas personit me emrin Nesti Agoni është kryeministri. Më tej, kryedemokrati ka theksuar gjatë fjalës së tij, se opozita ka luajtur një rol të rëndësishëm në zbardhjen e veprimeve korruptive të qeverisë, duke përdorur prova dhe dokumente zyrtare për të ngritur akuza të forta. Por, ai nuk u ndal deri këtu, përveç kallëzimeve, sipas Berishës, janë gjetur dokumente dhe prova që zbulojnë një nivel ekstrem të degradimit moral dhe etik në disa institucione të shtetit, duke përfshirë këtu aktivitete dhe festa që ai i quajti “festa erotike”. Ai ka akuzuar SPAK për fshehje të këtyre skandaleve dhe ka njoftuar ngritjen e një komisioni hetimor nga ana e opozitës për të hetuar këto zhvillime.
Ndaj Veliajt ka nisur hetimi i pasurisë, dhe SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, vëllai i tij, Arbër Veliaj dhe nëna e tij, Shqiponja Veliaj. Fillimisht hetimi ndaj Vekiajt nisi për veprën "Korrupsion pasiv", por deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, Prokuroria e Posaçme thekson se Veliaj po hetohet për 4 vepra penale. /ZËRI
Mbrojtja e Veliajt i përgjigjet SPAK: Tetë pikat që vërtetojnë se hetimi është kundër ligjit!

TIRANË- Pas sqarimit zyrtarisht nga ana e SPAK për akuzat për të cilat po hetohet kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, një sqarim ka ardhur dhe nga pala mbrojtëse. Mbrojtja e kryebashkiakut Erion Veliaj ka dalë me një deklaratë zyrtare duke mbajtur një qëndrim zyrtar në lidhje me hetimet e SPAK. Në një njoftim zyrtar, mbrojtja e Veliajt, në 8 pika, e konsideron hetimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si keqdashës, të qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin. Sipas tyre, po veprohet për të denigruar qëllimisht figurën e kryebashkiakut.
"Vepra për të cilat është kallëzuar Veliaj nuk kuptohet, është fshehur fakti i vendosjes nën hetim të Veliajt dhe familjes së tij, kërkesa për kontroll është bërë pa mandate, janë intimiduar dhe ushtruar dhunë agresive ndaj të thirrurve si persona nën dijeni apo janë tejkaluar afatet hetimore”.
Mbrojtja shpreh shqetësime dhe për dalje në media të informacioneve mbi hetimin.
Argumentet e Mbrojtjes:
Hetim keqdashës, i qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin:
1. Nisja e procesit hetimor pa dyshim të arsyeshëm
• Procesi hetimor është iniciuar mbi bazën e një kallëzimi anonim dhe të dhënave të supozuara (fiktive), pa u paraqitur prova ose indicie të mjaftueshme që të krijojnë dyshimin e arsyeshëm ligjor.
• Nuk kuptohet qartë vepra penale për të cilën është kallëzuar ose dyshohet EV.
• Nëse kallëzimi është bërë konkretisht në emër të EV, prokurori kishte detyrimin ligjor ta regjistronte emrin e tij në regjistrin e veprave penale. Nga ai moment duhej të fillonte edhe llogaritja e afatit gjashtëmujor të hetimit.
2. Fshehja e faktit të vendosjes në hetim të EV dhe familjes
• EV dhe familja e tij janë vënë në hetim faktik që në muajin mars 2024, por ky fakt është mbajtur i fshehtë nga Prokuroria, me pretendimin se hetimi po bëhej “për veprën penale” dhe jo “kundër personit”.
• Megjithatë, veprimet hetimore të kryera kanë qenë të përqendruara realisht te persona konkretë, duke krijuar situatën e një hetimi substantivisht individual ndaj EV (dhe të tjerëve), pa e njoftuar zyrtarisht këtë status.
3. Kërkesa për kontrolle dhe sekuestrimin e telefonave pa mandat
• Prokuroria ka kërkuar kontrolle dhe ka kryer sekuestrimin e telefonave, në mungesë të një urdhri të posaçëm gjyqësor (mandati), duke shkelur procedurën ligjore në fuqi.
• Telefoni është marrë jo vetëm pa vendim gjykate (madje gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e prokurorit), por edhe pa pëlqimin e përdoruesit. Ai nuk është sekuestruar si një objekt me të cilin është kryer një vepër penale, por me qëllimin për të kërkuar të dhëna që mund të përdoreshin në një vepër të supozuar. Me fjalë të tjera, ka qenë një sekuestrim në kërkim të veprës, jo i provës për një vepër penale të përcaktuar.
4. Intimidimi dhe dhuna agresive ndaj të thirrurve si “persona në dijeni”
• Personat e thirrur me cilësimin “persona në dijeni” janë përballur me qasje kërcënuese dhe dhunë të stilit “sigurims”, duke u detyruar përmes presioneve dhe frikësimit të dëshmojnë kundër vetes.
5. Keqpërdorimi i cilësimit “persona në dijeni” për EV dhe AX
• Edhe pse EV dhe AX janë de facto nën hetim, janë thirrur nga Prokuroria si “persona në dijeni” me qëllim që t’i detyrojnë të dëshmojnë kundër vetes ose anëtarëve të familjes, duke i privuar kështu nga e drejta e detyrueshme për avokat mbrojtës.
6. Tejkalimi i afateve hetimore
• Afatet hetimore janë tejkaluar. Sipas ligjit, periudha gjashtëmujore e hetimit duhet të fillojë që në momentin kur ndaj EV dhe AX kanë nisur veprimet hetimore specifike, e jo më vonë.
7. “Fishing expedition”
• Hetimi duket i qëllimtë ndaj një individi, jo për një vepër penale të caktuar, por për vetë personin (EV), me synimin për ta kapur medoemos në një shkelje, qoftë penale apo administrative.
8. Dalja në media e informacioneve mbi hetimin
• Informacione të ndryshme lidhur me hetimin janë transmetuar në media, duke krijuar hapësirë për interpretime keqdashëse dhe denigruese ndaj figurës së kryetarit të bashkisë. Kjo ka nxitur një perceptim publik të fajësisë së EV, duke dëmtuar parimin e prezumimit të pafajësisë dhe duke cenuar barazinë e palëve në proces.
• Një veprim i tillë mund të përbëjë shkelje të rënda, qoftë përmes dashjes apo neglizhencës, pasi përbën keqadministrim të hetimit dhe dëmton integritetin e procedurës penale.
Sot, një ditë pas marrjes në pyetje për më shumë se 5 orë të Veliajt, SPAK doli me një njoftim zyrtar. SPAK bëri me dije hetimi ka nisur pas kallëzimit të bërë në shkurt të këtij viti nga një person i vetëidentifikuar si "N.A.". Vetë kryebashkiaku i Tiranës e zbuloi se bëhej fjalë për një person të identifikuar si Nesti Angoni, por që shtoi se nuk ekziston. Ndër të tjera në njoftimin e bërë publik, SPAK zbulon se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, kanë nisur një procedim penal. Fillimisht hetimi nisi për veprën "Korrupsion pasiv", por deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, Prokuroria e Posaçme thekson se Veliaj po hetohet për 4 vepra penale./ZËRI
Veliaj në SPAK/ Berisha: Kallëzimin e ka bërë Edi Rama, Prokuroria ka video, mesazhe për party erotike në Bashki

TIRANË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dalë me denoncime të forta lidhur me Bashkinë e Tiranës dhe kryebashkiakun, Erion Veliaj. Në një konferencë për mediat, Berisha denoncoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për rolin e tij në aferën e inceneratorëve dhe u ndal gjatë tek thirrja e tij në SPAK. Sipas kryedemokratit, kallëzimi ndaj Veliajt, nën emrin Nesti Angoni është bërë nga kryeministri Edi Rama. Kryetari i PD-së, Sali Berisha ka theksuar gjatë fjalës së tij, se opozita ka luajtur një rol të rëndësishëm në zbardhjen e veprimeve korruptive të qeverisë, duke përdorur prova dhe dokumente zyrtare për të ngritur akuza të forta. Por përveç kallëzimeve, sipas Berishës, janë gjetur dokumente dhe prova që zbulojnë një nivel ekstrem të degradimit moral dhe etik në disa institucione të shtetit, duke përfshirë këtu aktivitete dhe festa që ai i quajti “festa erotike”. Ai ka akuzuar Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për fshehje të këtyre skandaleve dhe ka njoftuar ngritjen e një komisioni hetimor nga ana e opozitës për të hetuar këto zhvillime.
FJALA E PLOTË E BERISHËS:
Siç e patë, Erion Veliaj njeriu që prej vitesh rrah gjoksin dhe pretendon se është dyshi dhe pak më shumë i PS-së, dje kolegët e telendisën me 5 orë të tjera, në Skapin e partisë dhe kjo erdhi pas një bastisje të shtëpisë dhe studiove të madamë Veliajt. Por të dashur qytetare e qytetarë. Me lutjen time të njerëzishme mbani parasysh, Erion Veliaj është bashkautori i vjedhjes së shekullit me inceneratorët. Dokumente zyrtare të pakundërshtueshme faktojnë se Erion Veliaj është iniciatori i ndërtimit me koncesion të djegësit të Tiranës. Dy, është njeriu që ka marrë përsipër me firmë dhe vulë, me firmën e tij se Bashkia e Tiranës dhe të qarkut të Tiranës do të përballojnë shpenzimet për ndërtimin e tij. Është njeri që me firmë dhe vulë është zotuar se do të ndjekë punimet e këtij objekti dhe do të rakordojë muaj për muaj edhe me situacionin për ecurinë e këtyre punimeve. Sot të dashur qytetare e qytetarë, nuk ekziston asnjë gjurmë për djegësin e Tiranës përveç se një mal plehrash që quhet mali Veliaj dhe një qytetar me të drejtë propozonte që një bust të vendosej mbi këtë mal dhe të ishte busti i Dumanit dhe kishte shumë të drejtë qytetari. Por për këtë grabitje të tmerrshme, për këtë zhdukje të 130 milionë euro të taksave të shqiptarëve, Erion Veliaj nuk ka asnjë akuzë. Altin Dumani zgjodhi të lëshojë mandat arresti për Arben Ahmetaj i cili mbi bazën e dokumenteve zyrtare e ka kundërshtuar katër herë ndërtimin e djegësit të Tiranës dhe herën e fundit, ka shkrojtur ‘no coment’ pasi Erion Veliaj kishte firmosur se Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar financimin e tij. Jo vetëm këshilli bashkiak, por edhe këshilli i qarkut të Tiranës. Në këto kushte, ju garantoj se Arben Ahmetaj ka qenë në mbrojtje të kushtetutës së vendit. Pse? Sepse kushtetuta nuk lejon qeverinë qendrore të ndërhyjë në asjë projekt që merr përsipër të financojë qeveria lokale, përveç se projekte që mund të kenë të bëjnë me sigurinë kombëtare dhe që në këtë rast është spiral i tërë veprimesh që duhen krye për të frenuar një projekt që kërcënon sigurinë kombëtare. Pra ‘no comment’ i Arben Ahmetaj ka qenë respekt i Kushtetutës. Dhe Altin Dumani firmos urdhër arresti për njeriun që kundërshtoi 5 herë ndërtimin e djegësit të Tiranës dhe nuk lëshon një pyetje të vetme për Erion Veliajn që është edhe promotori kryesor bashkë me Edi Ramën i ndërtimit të djegësit të Tiranës. Pra të dashur qytetarë, do të dal unë se pse është thirrur dhe pse do po dënohet. Është tjetër problem, ky është problemi i degradimit politik të Erion Veliajt. Pra mund të imagjinoni ju se, ky njeri që ka firmosur që në propozimin për ndërtimin e tij, ka firmosur për financimin e tij, ka firmosur për kontratën për pikë të tij, ky njeri ka firmosur për mbikëqyrjen e zbatimit të projektit, ky njeri nuk ka asnjë përgjegjësi sipas Dumanit, ndërkohë që Arben Ahmetaj ‘arrestohet’, që e ka kundërshtuar 4 herë, që se ka fare as për vëzhgim as për mbikëqyrje, që nuk ka qenë dakord, që nuk e ka propozuar. Pra në vend të Erion Veliajt dhe Edi Ramës servilet Arben Ahmetaj si kokë turku. Dhe kjo është e vërteta. Nuk ka fyerje më të madhe për shqiptarët se kjo. Dhe kjo vetëm e vetëm sepse lalë vjedhësi fijet i ka me Edi Ramën, paratë i ka ndarë me Edi Ramën dhe shqiptarët nuk duhet të mësojnë se ku shkuan ato para, si u ndanë ato para. Nuk duhet. Ka një telefonatë, por nuk duan ta marrin. Le të marrin telefonatën e Ahmetajt me Lefter Kokën, ta bëjë publike SPAK, por nuk e bën dot se akuzon veten rëndë. Paratë janë ndarë midis Erion Veliajt dhe Edi Ramës. Çështja tjetër. Ju e patë se u mbaj 5 orë dhe normalisht që secili qytetar, tha që ky ka të bëjë me kompaninë 5D. Me rastin e parë në histori që vidhet 100%, pas inceneratorit, fondet, modeli i vjedhjes 100%. Asnjë pyetje, asnjë fjalë Erion Veliajt. Që të gjitha këto pa përjashtim përgjegjësi direkte e tij.
Hoteli 20 katësh vazhdon të ndërtohet, që punonjësja me të drejtë thoshte është i Lalë vjedhësit. Asnjë hetim. Jo, mos ti ngatërrojmë gjërat. Dosja ka shkuar në gjykatë pa Veliajn. Po pse, sepse prore flasin, që në hotel është bashkëpronar dhe Olsi. Po e kam denoncuar këtu para jush këtu unë. Pra mbyllet hoteli me ata drejtorët që janë arrestuar dhe kaq, mbyllet vjedhja e tmerrshme. Kanë shembur blloqe të tëra pallatesh për të vjedhur, për të ndërtuar pallate vetë ata me fonde të bashkisë. Asnjë gjë. Tani të vijmë të e treta. Pse u mbaj, pse u denatyrua ky, ka 5 orë. Dhe është sjellë në mënyrë harbutshme dhe pastaj e kanë zbutur se i kanë nxjerrë dokumentet e atij Nestit. Dosja Nesti nuk ka asnjë lidhje me këto që ju thashë unë ju. Jo asnjë lidhje. Kush është ai që mund të çojë dosjen me të dhëna TIMS, me regjistrime, me fatura hotelesh, udhëtimesh fabuloze, një avion fantazëm i 2004-2011-2014 me të cilin ka udhëtuar Veliajt. Këto nuk mund ti çojë asnjeri tjetër në Shqipëri, përveç Edi Ramës. Nesti është Edi Rama. Unë e mora vesh se nëpër studio kanë aluduar se është Lubia. Nuk është, nuk dua ta mbroj kurrë atë njeri, se e kuptoni vetë se çfarë kam unë ndaj saj, por ama edhe që të shesin sapunin për djathë në tregun mediatik, nuk mund të ndodhë. Ju garantoj se nga të dhënat që kam unë nga ajo dosje, ajo mund të përpilohet jo nga 1, por nga disa institucione shtetërore së bashku dhe këtë fuqi e ka vetëm kryeministri dhe askush tjetër, asnjë njeri tjetër. Nuk ka asnjë lidhje me kushtetutë dhe ligj zv/kryeministrja e SHISH. Nuk ka asnjë lidhje me kushtetutë dhe ligj zv/kryeministrja me sekretet e Ministrisë së Brendshme. Do të ju sqaroj edhe një moment, se dua ti them të vërtetat siç janë. Aty po zhvillohet një betejë e tmerrshme midis tyre. I patë ju skenat në parlament, ajo ishte betejë mes tyre shumë e egër. E patë Elizën që kërceu vallen e fundit mbrëmë, aktive shumë edhe kjo në këtë betejë. Pra çfarë ndodhi ajo që patë në parlament ju. Ndodhi një gjë që nuk ka ndodhur kurrë në 32 vite. Ndodhi që një deputet thërret një ministër në interpelancë, apo kryeministër, apo një person tjetër dhe interpelanca bëhet. Rregullorja e parlamentit neni 81 i saj, përjashton në mënyrë kategorike intepelancë tjetër për atë çështje brenda 6 muajve. Nuk mund të thirret. Lubia ishte thirrur nga Elda Hoti 1 muaj para për atë rrugë, për rrugën Ura e Limuthit-Thumanë, Elda Hoti ishte njeriu që kishte protestuar në mënyrën më të fuqishme gjersa u bë riadaptimi i projektit. Elda Hoti i shtroi çdo çështje, por tani Eliza e cila është pëllumbesha që është në krahun e Lalë vjedhësit, për ta kryqëzuar edhe njëherë Lubinë para shqiptarëve i vendos në rend dite një interpelancë që nuk mund ta vendoste në mënyrë absolute pa kaluar 6 muaj.
Pse e them unë këtë, e them se nuk mund të përdoret rregulloja e parlamentit për luftë të brendshme. Këta i hanë kokat njëri tjetrit. Dhe këtë e bëri Spiropali. Ju siguroj që e ka vallen e fundit. Unë e di se, sapo të dalim nga kjo sallë zelltarët, në media të Edi Ramës dhe jo vetëm atij, do të ndërmarrin një sulm të egër kundër meje se po publikoj foto personale. Kështu bënë kur unë vura në Facebook foton e Klajdi Meçes, sekserit midis Altin Dumanit dhe Erion Veliajt dhe që është kushëriri i parë i zonjës Dumani, dhe ai e kishte postuar në Facebook e tij, një foto me zonjën Dumani dhe Altin Dumanin në ditëlindjen e këtij të fundit. E kishte postuar në Facebook dhe FB është mjet publik, nuk ka. Dhe tani pse unë publikova këtë foto, si dëshmi e lidhjes së ngushtë, urë mes Dumanit dhe Veliat u vërsulën se paskam bërë krim se paskam publikuar foton e zonjës Dumani dhe ajo minorene nuk ishte që ti vija një shirit fund i fundit, se po të ishte do ta vija, por ajo është nënë fëmijësh kështu që nuk kishte asnjë problem. Por këtu ju mendoni se kjo, këtu është gracka. Shikoni me vëmendje këtë foto. Ju të gjithë mendoni se, kjo është Linda Rama. Jo nuk është Linda Rama. Kjo është Louise Cazzal dhe zonja Verliaj që e poston këtë kastile, Velica për ti quar nervat asaj, ka marrë me dhjetëra komente ku i thonë paske dalë me zonjën e parë. Nuk i përgënjeshtron në asnjë rresht. Këto duhet ti ndiqnit ju, jo unë. Është e vërteta apo jo. Unë betejën e vazhdoj. Ja urdhëro se gjer ku zbret lufta. Tani ç’ndodhi. Zonja Rama i tha rri me Louise Cazzal. Unë nuk them se, kjo foto kishte rol kryesor, por edhe pa rol nuk është. Se unë 100 herë do ta vlerësoja si foto të zonjës së parë dhe të dytë në atë pamjen e parë. E kuptoj që zelltarët do të më kritikojnë, por e kanë më kot, se këto janë të gjitha nga burime publike. Është Edi Rama sepse edhe Erion Veliaj dje bën fjalë për politikanët e vjetër, që kur i interesojnë bëjnë sikur mbështesin drejtësinë dhe krenohen me reformën. Po të keni dëgjuar ndonjëherë ju, se njeri tjetër përveç Edi Ramës që krenohet me reformën nuk ka. Dhe për më tepër kur aty bëhet një krahasim që e dekonspiron plotësisht Ramën. Krahasohet procesi i Erion Veliajt me kafetë e Nexhmijë Hoxhës. Tani ju nuk e keni të qartë atë kohë dhe nuk keni pse ta keni, por e vërteta është që Nexhmije Hoxhën e burgosi Ramiz Aliaj. Çka do të thotë se, Erion Veliajt, ky shkrimtari i palodhur i Erion Veliajt, me krahasimin që bën me Nexhmijen, i thotë Ramës se njëlloj si Ramizi që arrestoi Nexhmijen ti po arreston Erion Velaijn.
Të gjitha këto janë pra dëshmi e një luftë të egër brenda llojit e cila po e shndërron në copë, copë, partinë e krimit, partinë e rilindjes, ashtu siç është ajo. Dhe ky është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv, për të cilën meritën absolute e ka opozita që arriti me durim dhe me dokumente zyrtare tu faktojë shqiptarëve, aktet madhore të vjedhjeve të kryer nga këta qeveritarë. Ishte opozita me dëshmitë e saj para qytetarëve në media, në parlament dhe në protesta, ajo që solli më së fundi shpërthimin e kësaj lufte që nuk ka të ndalur, nuk ka të ndalur dhe që do të vazhdojë gjersa secili prej tyre të dalë para ligjit për krimet që ka kryer.
***
Mariglen Kume, MCN: Prokuroria e Posaçme ka reaguar në lidhje me thirrjen e Veliajt dje në SPAK dhe thotë që janë regjistruar veprat penale në bazë të një kallëzimi të një shteti N. A., dhe thotë që janë regjistruar për veprën penale, të mosdeklarimit ose refuzim të deklarimit të pasurisë dhe korrupsion të të zgjedhurve. Si e gjykoni këtë reagim dhe në një farë mënyre i rrëzojnë këto akuza që ju keni për SPAK?
Sali Berisha: Nëqoftëse prokuroria do të ishte, të themi çerek e pavarur, ajo lëshonte dje komunikatën, apo jo. Ajo e kishte për 5 orë, defakto nënkryetarin e PS, njeriun më të fuqishëm, gjithnjë kryetari i bashkisë së Tiranës është njeriu më i fuqishëm pas kryeministrit. Mos të kemi iluzion për këtë. Por prokuroria heshti, heshti, se kishte urdhër të mos lëshonte komunikatën. Tani e ka lëshuar komunikatën, por nuk e ka të plotë.
Tani dua t’ju them ju dhe edhe qytetarët ti informoj, sepse disponohen dokumente shumë kompormentuese për disa party të shtruara në bashki, që tejkalojnë çdo standard dhe të panjohura, të papërsëritura që nga themelimi i shtetit shqiptar, gjer sot. Këto, quajini si të doni, po i quajmë festa erotike, janë dëshmi e një degradimi ekstrem sipas denoncimeve të atij institucioni. Pse mbahen këto? Mbahen se ato qenkan bërë një lloj standardi dhe për kryeministrinë dhe institucionet e tjera.
Ju garantoj se grupi parlamentar i PD do të paraqesë me urgjencë kërkesën për një komision hetimor, për këto zhvillime. Çfarë ka rrjedhur.
Ka rrjedhur se në telefonat e sekuestruar, e konfiskuar të drejtorëve dhe punonjësve, janë gjetur mesazhe dhe video që tejkalojnë imagjinatën normale se mund të ekzistojnë. Prokuroria nuk mund ta mbyllte këtë, sepse këtu kemi të bëjmë me një shkallë degradimi moral ekstrem.
Dhe ne do ta hetojmë këtë.
Partia Demokratike do ta hetojë këtë, nga kryeministria gjer tek të gjitha institucionet, se pikërisht se këto janë një lloj standardi, ato e mbajtën të fshehur në prokurori, e mbajtën të fshehur. Por këto nuk i mban asnjë vend në botë të fshehura.
Jo, zyrtari është i detyruar të zbatojë një kod serioziteti dhe etike në çdo vend të botës dhe në zyrat e tij. Ndaj dhe ç’thonë ata pas 24 orësh, ata thonë ato që u thotë Fuga, i cili dhe vetë është nga më të implikuarit. Ata nuk e shkrojtën.
E keni konstatuar ju jë gjë. Ky është i vetmi institucion. Kush është zëdhënësi i tyre? Ata flasin për zëdhënës dhe nuk kanë zëdhënës. Dmth zëdhënësi i tyre është Fuga. Kështu hidhi në kosh këto që thanë. Pse nuk thanë mbrëmë.
Pse e thirrën Belind Këlliçin. E thirrën Belind Këlliçin në të njëjtën kohë, vetëm e vetëm për të sfumuar 5 orëshin e Erion Veliajt. Dhe çfarë e pyetën? Na thuaj pak për diplomën. Belind Këlliçi ta dijë çdo shqiptar, është së bashku me një mikun e tij, Etion Kapedani, janë dy shqiptarët që kanë dalë të parët në 1 mijë studentë dhe kanë diplomat më të shkëlqyera të asaj shkolle ku kanë studiuar. Kjo është e vërteta e diplomës së tij.
Ç’është kjo fotografik me Trump. Vazhdojnë këta me Sorosin, sikur ka bërë fotografi me armikun e botës. Ta ketë për nder atë fotografi. Çfarë ligji shqiptar ka thyer Belind Këlliçi me fotografinë me presidentin e zgjedhur Donald Trump, pse ka bërë fotot me të. Të thuhet se po e heton ligji amerikan. A McGonigalin që Edi Rama i ka dhënë thesin me 225 mijë dollarë nga zyra e tij, nuk e hetojnë Edi Ramën për këtë. Nuk e pyesin Edi Ramën. Pyesin Belind Këllçin për foton që ka bërë me presidentin e SHBA-së. Ja pra se çfarë janë, këto kanë lëshuar sot, është e Fugës. Ta nxjerrin zëdhënësin, të thonë që filan gazetar, apo gazetare, jurist është zëdhënës i Altin Dumanit. Nuk ka, sepse është Fuga.
Ermal Rizaj, SYRI TV: Ju denonconi se ka video e fakte erotike përsa u përket zyrtarëve të bashkisë. Ju i keni këto video, apo ju ka informuar BKH dixhitale siç e quani ju?
Sali Berisha: Këto që them unë, janë denoncuar publikisht, por janë, por janë. Jo unë nuk i kam, po ti kisha unë, nuk bëj publike atë gjini faktesh, nuk merrem me atë. Mirëpo shteti është i detyruar të merret sepse tregon një dhunim flagrant të kodit të zyrtarëve dhe është e papranueshme.
Hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, SPAK reagon zyrtarisht: Ekzistojnë të dhëna për 4 vepra penale

TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar zyrtarisht lidhur me hetimet ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Përmes një njoftimi të bërë publik, SPAK bën me dije hetimi ka nisur pas kallëzimit të bërë në shkurt të këtij viti nga një person i vetëidentifikuar si "N.A.". Vetë kryebashkiaku i Tiranës e zbuloi se bëhej fjalë për një person të identifikuar si Nesti Angoni, por që shtoi se nuk ekziston. Ndër të tjera në njoftimin e bërë publik, SPAK zbulon se hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, kanë nisur një procedim penal. Fillimisht hetimi nisi për veprën "Korrupsion pasiv", por deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, Prokuroria e Posaçme thekson se Veliaj po hetohet për 4 vepra penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal.
Përgjigja e SPAK:
Në përgjigje të interesit tuaj ju komunikojme: Mbi bazën e informacionit për referimin e veprës penale i datës 08.02.2024- i përpiluar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rregjistruar Procedimin Penal nr.27/2024, i cili fillimisht bën fjalë për veprën penale:“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Informacioni për referimin e veprës penale mori shkas nga një kallëzim i bërë nga shtetasi i vetëidentifikuar si N.A. Hetuesit e BKH-së, pas verifikimit të të dhënave dhe administrimit të provave dokumentare, referuan informacionin përkatës për veprën penale, mbi bazën e të cilit u rregjistrua procedimi penal i mësipërm.
Deri në këtë fazë të hetimit paraprak, nga provat e grumbulluara, është arritur në konkluzionin se ekzistojnë të dhëna konkrete, të cilat lidhen jo vetëm me veprën penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal, por edhe me veprat penale: “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” i parashikuar nga neni 245, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim” parashikuar nga neni 257/a, pgf 2 i Kodit Penal. Këto vepra janë pasqyruar tashmë edhe në Rregjistrin e Njoftimeve të Veprave Penale pranë Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ndaj Veliajt ka nisur hetimi i pasurisë, dhe SPAK ka kërkuar t’i vendoset në dispozicion çdo veprim bankar dhe çdo transaksion financiar i bërë nga kryebashkiaku, bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, i vëllai Arbër Veliaj dhe nëna e tyre, Shqiponja Veliaj. Kjo është hera e dytë që Veliaj paraqitet në SPAK, pasi herën e parë u paraqit më 30 prill të këtij viti. Në atë kohë kryebashkiaku qëndroi për 8 orë në SPAK lidhur me hetimet e Prokurorisë së Posaçme për inceneratorin e Tiranës. Por kësaj here, Veliaj nuk dha detaje. Edhe pasi doli, u shpreh para gazetarëve se fjalën e tij do ta jepte gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës./ZËRI