Bllokohet aksi Strugë-Qafë Thanë-Prrenjas, radhë kilometrike

QAFË-THANË-Aksi rrugor Strugë-Qafë Thanë-Prrenjas është i pakalueshëm. Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar bllokimin e qarkullimit të automjeteve. Mësohet se radha e mjeteve të bllokuara është rreth 1 km e gjatë.
Borëpastrueset janë në terren në zonën e Qafë Thanës për të mundësuar kalimin pa probleme në të gjitha akset rrugore. Policia iu bën thirje të gjithë përdoruesve të rrugës, që të shmangin lëvizjen e panevojshme në rrugë, të jenë të kujdeshëm, dhe në rast emergjence të kërkojnë ndihmën e policisë./ZËRI
Reshjet e borës! Situata në vend, Mbrojtja: Rruga e Kombit dhe aksi Elbasan-Qafë Thanë probleme në qarkullim

TIRANË-Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacion mbi situatën e krijuar nga rënia e papritur e temperaturave që ka sjellë reshje bore në disa qarqe të vendit kryesist në lindje dhe verilindje. Në njoftim thuhet se disa akse rrugore si; Rruga e Kombit, Elbasan-Qafë Thanë kanë probleme në qarkullim për shkak të dendësisë së dëborës. Bëhet me dije se borë pastrueset po punojnë për pastrimin e rrugëve. Në aksin rrugor Bogë-Theth kalimi bëhet vetëm nga mjetet e kalueshmërisë së lartë dhe të pajisura me zinxhirë.
NJOFTIMI:
Informacion mbi situatën datë 06.04.2025 ora 21:00
Sipas raportimeve nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, situata deri në këto momente paraqitet si më poshtë.
1. Akset rrugore
Në “Rrugën e Kombit” si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës gjatë ditës së sotme, po punohet me 27 borëpastruese dhe hedhëse kripe njëkohësisht, ku 8 borëpastruese po punojnë në pjesën e aksit që shtrihet në territorin e Qarkut Lezhë, ( bashkia Mirditë), kurse pjesa tjetër e mjeteve, 19 mjete, po punojnë në pjesën e këtij aksi në territorin e Qarkut Kukës. Aksi është i kalueshëm.
Ne aksin rrugor nacional Elbasan-Qafë Thane, në Qafë Thanë ka prezencë të reshjeve të dëborës dhe ne terren janë mjetet e firmës kontraktuese qe po bëjnë pastrimin e aksit nga dëbora. Prezence dëbore rreth 10 cm kemi edhe ne aksin rrugor nacional Zgosht-Ura Cerenecit. Edhe aty po punohet me mjet borëpastrues për mbajtjen hapur te qarkullimit te mjeteve.
Në Qarkun e Korçës kanë filluar reshjet e dëborës në të gjithë territorin në lartesitë mbi 700 m.
Subjektet kontraktore janë në gatishmëri duke mundësuar mirëmbajtjen dimërore të akseve turistike kryesore dhe dytësore në bashki. Nuk paraqiten problematika në këtë Qark.
Territori I Qarkut Dibër në lartësinë mbi 500 metra mbi nivelin e detit është përfshirë nga reshje dëbore të cilat variojnë nga 3-15 cm dhe vazhdojnë të jenë të pranishme me intensitet mesatar. Situata në infrastrukturën rrugore si nacionale apo rurale vazhdon të jetë e aksesueshme në të gjithë territorin. Nga subjektet kontraktore po punohet me mjete e lëshim kripe në segmente që shfaqen problematika.
I gjithë territori i Qarkut Kukës është përfshirë nga reshje shiu e borë, ku dhe në këto momente vazhdojnë të jenë të pranishme. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht. Nga subjektet kontraktore vazhdon puna për pastrimin nga bora dhe kriposjen e atyre segmenteve ku ka qenë e nevojshme me qëllim mbajtjen funksionale të tyre.
Ne Qarkun Shkodër, të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme. Në aksin rrugor Bogë-Theth kalimi bëhet vetëm nga mjetet e kalueshmërisë së lartë dhe të pajisura me zinxhirë. Aktualisht në këtë aks po punon një mjet borëpastruese e cila e ka të pamundur mbulimin e gjithë segmentit. Aksi rrugor Tamarë - Vermosh është i kalueshëm por rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe zinxhirëve.
3. Lumenjtë dhe rezervuarët
Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.
Parashikimi motit për nesër datë 07.04.2025
Reshjet: Sot priten reshje mesatare në qarkun Dibër, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje të dobëta deri lokalisht mesatare shoqëruar me shtrëngata. Në zonat malore në Veri, Verilindje, Lindje dhe Juglindje të vendit, në lartësitë mbi 500 m nga niveli i detit reshjet do të jenë në formë dëbore.
Temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: 5 / 12 °C
në vendet e ulëta: 2/ 13 °C
në vendet malore: -4 / 4 °C
Era: pritet të fryjë e lehtë deri mesatare.
Vijon monitorimi dhe koordinimi me të gjitha institucionet qendrore dhe vendore për të menaxhuar në kohë çdo situatë emergjente që mund të krijohet.
Reshje dëbore në Elbasan dhe Lezhë, gurët dhe dherat bllokojnë aksin Librazhd-Prrenjas

LEZHË-Reshjet e dëborës kanë përfshirë disa qytete të vendit. Pasditja e kësaj të diele ka sjellë reshje të dendura bore në zonat e larta të Lezhës, ku ka prekur kryesisht segmentin rrugor Kallmet-Ungrej, në të cilin raportohen vështirësi në qarkullim.
Qytetet dhe fshatrat e Qarkut të Elbasanit u përfshinë nga moti i keq i shoqëruar me reshje të dendura shiu dhe bore. Në zonat e thella malore të bashkive Librazhd, Prrenjas, Gramsh por edhe Elbasan kanë filluar reshjet e dëborës por me trashësi të papërfillshme për momentin.
Nga mbizotërimi i motit me reshje ka pasur rënie inertesh në disa segmente të rrugës kombëtare Elbasan-Librazhd-Prrenjas, veçanërisht në vendet e quajtura “Kthesat e Murrashit”, “Kthesat e Dragostunjës” dhe “Kthesat e Pishkashit”, ku nga lartësitë e kodrave kanë rënë gurë si edhe ka pasur rrëshqitje masivesh me dhera.
Megjithatë, fatmirësisht nuk ka pasur incidente dhe situata është menaxhuar mjaft mirë. Autoritetet kanë ndërmarrë masat e nevojshme për pastrimin e rrugëve dhe për garantimin e sigurisë në këto zona./ZËRI
Moti i keq në vend! Reshje dëbore edhe në Pogradec

POGRADEC-Juglindje e vendit është përfshirë sot nga reshjet e borës, të cilat fillimisht zbardhën Qafë Thanën.
Por edhe në qytetin e Pogradecit janë regjistruar reshje dëbore me intensitet deri në mesatar, një fenomen i pazakontë për këtë periudhë të vitit. Aktualisht, nuk janë raportuar problematika në qarkullimin rrugor. Nuk dihet ende nëse ky episod i papritur i dimrit do të ketë ndikim në bujqësi./ZËRI
Rikthehen reshjet e borës! Policia apel drejtuesve të mjeteve

KUKËS- Rënia e temperaturave ka sjellë reshje të dendura dëbore në veri dhe juglindje të vendit. Kukësi, Dira, Puka e Shkodra janë përfshirë nga moti i keq me era, reshje shiu e dëbore si dhe ulje temperaturash.
Borëpastrueset në Shkodër e Pukë mësohet se janë në terren për të pastruar rrugët dhe siguruar kalueshmërinë, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve dhe përdorimin e gomave dimërore. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht ndonëse nën trysninë e rënies së gurëve dhe inerteve.
Njoftimi i policisë:
Si pasojë e motit të keq me reshje dëbore në Dibër, Kukës dhe Shkodër, Policia e Shtetit apelon për KUJDES TË SHTUAR për drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve. Drejtuesit e automjeteve këshillohen të ulin shpejtësinë dhe të ruajnë distancën e sigurisë me mjetet e tjera. Është e rëndësishme të respektohet sinjalistika rrugore, të ndiqen udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore dhe të shmangen lëvizjet e panevojshme në zonat me vështirësi qarkullimi, kyesisht në zonat malore. Në rast të udhëtimeve në zonat e prekura nga reshjet e dëborës, automjetet duhet të jenë të pajisura me goma dimërore dhe zinxhirë. Borëpastrueset dhe fadromat vijojnë intensivisht punën për pastrimin e borës dhe hedhjen e kripës. Në rast nevoje, telefononi në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e Policisë do t’ju vijnë menjëherë në ndihmë.
Bora është rikthyer edhe në disa zona në juglindje të vendit./ZËRI
Dëborë në pranverë në Kukës, akulli ‘pushton’ rrugët

KUKËS- Edhe pse jemi në pranverë, Veriu i vendit duket se nuk ia ka dhënë ende lamtumirën dimrit. Në Kukës, është raportuar për reshjet dendura dëbore, shi dhe mot me erë të fortë. Kjo gjë ka sjellë problematika në qarkullimin e automjeteve.
Në zonat si Arrën, Shishtavec, Kalisë, Gryk Çajë, Zapot, Topojan, Kishaj, Cahan, Valbonë, Dragobi bora ka arritur deri në 5 cm.
Segmentet ku duhet bërë kujdes është në Kam-Qaf Luzhë, Ura e Topojanit-Shishtavec, Kolosjan-Bushtricë-Kala e Dodës apo Kalimash-Qaf Shllak-Qaf Mali, pasi ka prezencë akulli.