LIVE UPDATES

Ofendimet mbyllin seancën/ Deputetët e PS braktisin Kuvendin, Zhupa-Braçes: M** të ha goja! Bardhi: Turp

➤Seanca plenare u mbyll mes tensioneve. ➤Debatet filluan me propozimin e Partisë Socialiste për projektligjin e faljes së gjobave për ndërtimet pa leje. ➤Opozita kundërshtori, duke akuzuar mazhorancën se ligji po hartohej në moment dhe nuk kishte asnjë shkresë. Debatet pasuan dhe me bllokimin e foltores, ku garda ndërhyri. ➤Situata u agravua sërish në momentin që deputetja demokrate Ina Zhupa mori fjalën duke e etiketuar si ‘kone’, deputetin Erion Braçe. ➤Deputetët e PS dhe ministrat u larguan nga salla, ndërsa Zhupa mbante fjalën në foltoren e Kuvendit për interpelancën e kërkuar për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani. ➤Kuvendi nisi me dy kërkesat e kreut të grupit të Partisë Demokratike Gazment Bardhi. Bardhi ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama, duke i bërë apel kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali që të ndërpriste seancën dhe të thërriste kreun e qeverisë. ➤ Por, Spiropali tha se kryeministri nuk mund të jetë në Kuvend sot për shkak të agjendës, por seancën e radhës.➤Më pas si çështje të dytë kreu i grupit të Partisë Demokratike, kërkoi të vihen në dispozicion draft-opinioni i Komisionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës e cila është vënë në dispozion nga Komisioni. ➤ Ndërsa Spiropali tha se nuk ka një dokument zyrtar nga Komisioni i Venecias!

13 artikuj për këtë temë.
2 MUAJ ME PARE

Ligji 'ndezi' Kuvendin, zbardhet drafti i PS: Falen të gjitha gjobat e vendosura nga viti 2015

Ofendimet mbyllin seancën/ Deputetët e PS braktisin Kuvendin,
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË- Është zbardhur drafti për faljen e gjobave të vendosura nga viti 2015 dhe të paekzekutuara ende. Projektligji për faljen e gjobave u propozua në Parlament nga Partia Socialiste dhe u kundërshtua ashpër nga opozita. Drafti u firmos nga 40 deputetë, ndërsa opozita akuzoi mazhorancën se ligji po hartohej në moment dhe nuk kishte asnjë shkresë.

Ligji prek ata që janë gjobitur për ndërtime dhe ndërhyrje në shtëpi banimi deri te personat e gjobitur gjata pandemisë për shkelje të rregullave anti-covid. Në projektligj parashikohet që të anulohen të gjitha masat administrative të paekzekutuara, të vendosura nga data 1 janar 2015 deri në 30 nëntor 2024 në zonat rurale për sa i takon masave administrative vendosur nga Inspektoriatet Vendore të Mbrojtjes së Territorit, Inspektoriatit Qëndror i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në zbatim të nenit përfitojnë “të gjitha subjektet të cilët kanë bërë ndërtime dhe ndërhyrje në shtëpi banimi në zonat rurale, ndërtime dhe ndërhyrje në objekte ku kryhen veprimtari të prodhimit, magazinimit, përpunimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, mbajtjes të mjeteve të punës e inputeve bujqësore dhe blegtorale.

Të gjitha subjektet që merren me aktivitetin e prodhimit, përpunimit, ruajtjes, tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale. Të gjithë individët dhe subjektet në territorin e Republikës së Shqipërisë që nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës Covid-19 gjatë periudhës së pandemisë”.

Projektligji:

“PËR ANULLIMIN E MASAVE ADIMINISTRATIVE”

Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozim të një grupi deputetësh, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

V E N D O S I:

Neni 1

Të anullojë të gjitha masat administrative të paekzekutuara, të vendosura nga data 1 janar 2015 deri në 30 nëntor 2024 në zonat rurale për sa i takon masave administrative vendosur nga Inspektoriatet Vendore të Mbrojtjes së Territorit, Inspektoriatit Qëndror i Mbrojtjes së Territorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit dhe Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Neni 2

Në zbatim të nenit 1 të këtij ligji përfitojnë:

1. Të gjitha subjektet të cilët kanë bërë ndërtime dhe ndërhyrje në shtëpi banimi në zonat rurale, ndërtime dhe ndërhyrje në objekte ku kryhen veprimtari të prodhimit, magazinimit, përpunimit, ruajtjes dhe tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale, mbajtjes të mjeteve të punës e inputeve bujqësore dhe blegtorale.

2. Të gjitha subjektet që merren me aktivitetin e prodhimit, përpunimit, ruajtjes, tregtimit të produkteve bujqësore dhe blegtorale në zonat rurale.

1.  Të gjithë individët dhe subjektet në territorin e Republikës së Shqipërisë që nuk kanë zbatuar rregullat e vendosura për administrimin e situatës Covid-19 gjatë periudhës së pandemisë.

Neni 3

Ngarkohen me zbatimin e këtij ligji Këshilli i Ministrave, organet e qeverisjes vendore, të gjitha agjensitë dhe inspektoriatet në varësi të tyre.

Procedurat e zbatimit të anullimit së masave administrative të papaguara miratohen nga Këshilli i Ministrave me vendim të posaçëm brenda 10 ditëve nga hyrja në fuqi të këtij ligji.

Neni 4

Ky ligj hyn në fuqi 15 dite pas botimi në “Fletoren zyrtare”.

2 MUAJ ME PARE

Senaca plenare u mbyll pasi ofendoi Braçen, Zhupa: E meritoi, nuk lejoj të më fyejë një burrec

Ofendimet mbyllin seancën/ Deputetët e PS braktisin Kuvendin,
Ina Zhupa

TIRANË- Deputetja e PD-së, Ina Zhupa ka reaguar pas mbylljes së seancës parlamentare në Kuvend, ku u shpreh se i qëndron fjalëve që i tha ndaj ligjvënësit socialist Erion Braçe. Zhupa u shpreh se nuk lejon askënd që ta ofendojë. 

Ina Zhupa: Ajo që ndodhi sot është skenim për të mos lejuar interpelancën, për të mos lejuar Manastirliun të fliste aty gëk-mëk sepse vetëm 5% e shkollave kanë lidhje interneti, pse shkollat tona janë kthyer në çerdhe krimi, s’kishte arsye për të thënë pse dalin pedagogët në Sky dhe për t’iu shmangur kriminalizmit të arsimit, krijuan inskenim që u indinjuan për fjalorin e përdorur ndaj Braçes. Nuk lejoj asnjë burrë të më ofendojë, jo më burrec. Gjithçka që u tha në Kuvend është publike, i qëndroj fjalëve të mia, i qëndroj 100% asaj që thash dhe mbi të gjitha i qëndroj akuzave me fakte e prove për dështimin e kësaj mazhorance në arsim. Asaj interpelance dhe fjalori dhe asaj që i thash Braçes, mos të hajë shumë miza. Ne i qëndrojmë përballë dhe nuk trembemi jo nga zoti Braçe por nga askush tjetër. Nëse ka një fjalor për tu dënuar është fjalori i zotit Rama që e ka përdor m si m dhe na ka thënë të gjithave plehra. Të marrin masa për zotin Rama e bracën, pastaj për ne të tjerët.

Seanca plenare u mbyll pas një debati mes deputetes të Partisë Demokratike Ina Zhupa dhe deputetit të Prtisë Socialiste Erion Braçe. Më pas në shenjë proteste të gjithë socialistët, deputetët e ministra u larguan nga salla, duke lënë Zhupën të mbajë fjalimin e interpelancës./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Degradon situata në Kuvend, mazhoranca largohet, Zhupa-Braçes: O Erion t'u rrit boja...

Ofendimet mbyllin seancën/ Deputetët e PS braktisin Kuvendin,
Ina Zhupa dhe Erion Braçe

TIRANË-Seanca plenare po zhvillohet mes tensioneve, ku debati ka agravuar në ofendime. Grupi i deputetëve dhe ministrave të Partisë Socialiste kanë braktisur sallën e Kuvendit, pasi demokratja Ina Zhupa replikoi ashpër me deputetin socialist, Erion Braçe. Deputetja Ina Zhupa iu përgjigj Erion Braçes, duke e etiketuar si ‘kone’ në sallë e Kuvendit, pasi ky i fundit pak më herët i kishte thënë ruse.

Zhupa: Në mungesë të dhënies së fjalës për replikë me zotin Xha Sulo nga filmi Kapedani alias Erion Braçe, dua të them që po zoti Braçe keni problem të madh me gjatësinë por nuk ta zgjidh unë dot këtë problem dhe unë nuk i dëgjoj ata nën 1 e 50 metra. Unë nuk e di kush ta jep të drejtën që të quash si ruse, se unë nuk ja jep vetes të drejtën të të quaj kone, edhe pse të quajnë të gjithë. Por megjithatë kjo është çështje personale. Me thënë të drejtën nga anët e mia, nga unë vi, fëmijët ne i trajtojmë me shumë respekt dh ei mbajmë mirë dhe kur futën në çështje të të mëdhenjve ne kemi nëj shprehje dhe themi ‘O Erjon t’u rrit boja, sa shumë m** të ha goja.

Spiropali: U bëj thirrje të gjithëve deputetëve të Kuvendit të përmbahen. Nuk është e hijshme kjo. Zonja Zhupa ju lutem.

Zhupa: E meriton plotësisht. Tani zonja Spiropali dhe Balluku, ke bërë dje një tryezë për dhunën gjinore dhe lejuat që deputeti Braçe të etiketonte parfumin, thotë, gjatësinë dhe ti nuk reagove. Ti që mbajte dje një fjalim për parfumin. Nëse nuk reagoni mbajeni dhe këtë se e meritoni plotësisht. Çështja për të cilën unë e kam thirrur këtë seancë, është çështje shumë më serioze se sa zotëria i cili e meritonte plotësisht. Është ngjarje tragjike, ngjarja e humbjes së jetës së Martinit dhe plagosjes së Luizit. Ishte një ngjarje që çdo njeri normal s’do bënte zhurmuesin këtu nga një thënie, por do duhej të ishte prekur nga ngjarja. Ajo zonjë e cila u zgërdhi në Kuvend nga një ngjarje e rëndë, është shumë e irrituar nga shprehjet popullore të popullit tonë të dashur dhe të mençur.

 

2 MUAJ ME PARE

Bardhi kërkoi interpelancë për Becchetin, Rama: Do shkoj kur të mbyllet hetimi për Olsin

Ofendimet mbyllin seancën/ Deputetët e PS braktisin Kuvendin,
Edi Rama dhe Gazment Bardhi

TIRANË-Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur me një postim në rrjetin social "X" kërkesës së kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhit për interpelancë. Deputeti demokrat kërkoi gjatë seancës së Kuvendit interpelancë me Ramën për çështjen e Francesko Becchetit dhe gjobës 110 milionë eurot dhënë nga Gjykata e Arbitrazhit në Belgjikë. Në kërkesën e depozituar në Kuvend nga Gazment Bardhi, kërkohet më shumë informacion nga kreu i qeverisë, pasi sipas tyre nuk ka pasur asnjë sqarim lidhur me çfarë ka ndodhur deri më tani.

"Ne kemi kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama për pagesën 110 milionë euro të shtetit shqiptar, për biznesmenin italian Francesco Becchetti. Pse nuk është përfshirë në rend dite dhe do duhet të ndërprisni seancën dhe të thërrisni kryeministrin. Çështja është madhore për interesin publik. E vërteta është se ai ka marrë më shumë se fondi që keni planifikuar për bonusin e pensionistëve,"-u shpreh Bardhi.

Në replikën e tij, Rama ka deklaruar se do t’i shkojë Bardhit në interpelancë pasi të dalin përfundimet e hetimeve nga SPAK, për trafikun e drogës, ku akuzohet vëllai i kryeministrit. Ai thekson se nëse vëllai i tij del trafikant nuk do të jetë më kryeministër dhe as person publik. 

"Unë do t’i shkoj në çdo interpelancë Gazmend Bardhit, por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës,  që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare. Por pa u zgjidhur e zbardhur plotësisht nga drejtësia kjo çështje, unë nuk kam sy e faqe të përballem me zbuluesin që pretendon me zë shumë të lartë, se ka hedhur dritë jo vetëm mbi aktivitetin kriminal të vëllait tim, po edhe mbi përfshirjen time kriminale në fshehjen e “personit të paidentifikuar, 45 vjeç, me kapele”, i cili sipas Gazmendit na qenka Olsi Rama dhe unë, duke abuzuar me detyrën dhe madje shpërblyer dy prokurorët e dosjes së laboratorit të drogës në Xibrakë, ia paskam fshehur drejtësisë. Kam muaj e muaj që pres të vërtetën nga SPAK-u, ku Gazmend Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e  kriminelët e qeverisë sime dhe nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi!,"-shkruan Rama në postin e tij.

Ndërkohë sa i përket çështjes së Becchetti, kreu i qeverisë thotë se opozita e rikthen dosjen sa herë afrojnë zgjedhjet parlamentare, por përgjigjen ia kanë dhënë në zgjedhjet e fundit qytetarët shqiptarë.

"Më thonë që Gazmend Bardhi më paskërka kërkuar sot urgjent në Kuvend për “100 e kusur milionë Eurot”, se sipas tij i paskërka marrë nga shteti shqiptar ai krimineli italian, të cilin partia e B-ve e ka një nga komerdaret e vjetra, që e nxjerr si rregull përpara se sa të mbytet nga dallga popullore në zgjedhjet e radhës!,"-thuhet në postim.

Reagimi i plotë: 

Më thonë që Gazmend Bardhi më paskërka kërkuar sot urgjent në Kuvend për “100 e kusur milionë Eurot”, të cilat sipas tij i paskërka marrë nga shteti shqiptar ai krimineli italian, të cilin partia e B-ve e ka një nga komerdaret e vjetra, që e nxjerr si rregull përpara se sa të mbytet nga dallga popullore në zgjedhjet e radhës! Këto “100 e ca milionët” ua treguan me të madhe shqiptarëve, si të marra e të futura në xhep prej italianit në fjalë edhe në 2021-shin, edhe në 2023-shin! Madje prodhuan edhe ca fletushka bakalli, që ua vinin njerëzve në xhamat e makinave, ku bënin thirrje për të votuar kundër meje dhe Partisë Socialiste për inat të “100 e ca milionë Eurove” të humbura për shkakun tim. Dihet se si votuan njerëzit, që qyshse i çuan në opozitë me 1 milionë shpulla dhe i lanë thuajse pa asnjë bashki së fundmi, nuk e kanë ngrënë asnjëherë për djathë sapunin e B-ve të mëdha e të vogla të Partisë Demokratike. Po pyetja sot është: A janë vallë kaq injorantë këta sherrxhinj e gënjeshtarë pa din e as iman, sa të mos e dinë që kur nga ky shtet dalin lekë, për çdo detyrim për diçka apo ndaj dikujt, ka dokumenta shtetërorë ku shkruhet shlyerja e detyrimit apo janë vallë kaq të poshtër, sa megjithëse e dinë që në këtë rast nuk ekziston asnjë dokument i tillë, vazhdojnë me avazin e kësaj shpifjeje të vjetër, për të ngritur akuza dhe helmuar popullin për zgjedhjet e reja?! Nuk e di, me shumë gjasë janë të dyja bashkë. Fakti që s’e luan topi është, se deri në këtë çast që flasim, ai kriminel i dënuar 17 vjet nga gjykata për tërë të zezat, nuk ka marrë akoma asnjë kokërr leku nga shteti shqiptar dhe nuk ka asnjë dokument shtetëror që të provojë të kundërtën! Madje ai ka hyrë tanimë në ca hesape të reja e të vështira shumë me shtetin shqiptar, që e ka denoncuar në prokuroritë e në gjykatat e disa shteteve, për korruptim flagrant të gjykatës së arbitrazhit, ku korrupsioni dhe manipulimi i procesit kundër Shqipërisë është provuar me letra, me zëra e me figura kriminelësh ndërkombëtarë me këmishë dhe kravatë! Tani këta katranë me bojë dinë vetëm të shpifin, pastaj shpifjen ta përhapin në kanalet e ujrave të tyre të zeza mediatike dhe pastaj të kërkojnë komisione hetimore e intepelanca, për të kërkuar llogari nga ne për shpifjet e tyre! Mirëpo kjo lojë nuk ecën dot fare me ne dhe gjykata e llogarive tona e të tyre do të na dëgjojë e do të na japë hakun në pranverë, kur populli shqiptar, brenda po edhe jashtë kufijve këtë herë, do të vendosë se kush duhet të qeverisë dhe kush duhet të rrijë në opozitë e me kismet, të mësojë se si mund të qeverisë në të ardhmen. Megjithatë, unë do t’i shkoj në çdo interpelancë Gazmend Bardhit, por vetëm pasi të ketë dalë përfundimi i hetimeve të SPAK-ut për trafikantin e drogës, që ai ka zbuluar në familjen time dhe vetëm nëse Olsi Rama nuk del siç pretendon ky zotëria që vetëm zotëri nuk është. Sepse nëse im vëlla del trafikant nuk do të kem si të shkoj, përkundrazi, nuk do të jem më jo vetëm as kryeministër, po as person publik hiçfare. Por pa u zgjidhur e zbardhur plotësisht nga drejtësia kjo çështje, unë nuk kam sy e faqe të përballem me zbuluesin që pretendon me zë shumë të lartë, se ka hedhur dritë jo vetëm mbi aktivitetin kriminal të vëllait tim, po edhe mbi përfshirjen time kriminale në fshehjen e “personit të paidentifikuar, 45 vjeç, me kapele”, i cili sipas Gazmendit na qenka Olsi Rama dhe unë, duke abuzuar me detyrën dhe madje shpërblyer dy prokurorët e dosjes së laboratorit të drogës në Xibrakë, ia paskam fshehur drejtësisë. Kam muaj e muaj që pres të vërtetën nga SPAK-u, ku Gazmend Bardhi shkon shpesh për të luftuar korrupsionin e kriminelët e qeverisë sime dhe nuk do lodhem së prituri, përpara se sa të bëj njërën nga të dyja. O të tërhiqem nga politika përgjithnjë, o të paraqitem në interpelancat e Gazmendit dhe pastaj shohim e bëjmë si vete kjo mesele më tutje, në sy të shqiptarëve e në rrugën e mëtejshme të drejtësisë, ku o do gjykohet im vëlla, o do gjykohet Gazmend Bardhi!

SPAK vendosi që të rihapë hetimet për dosjen Xibraka, pas denoncimit të Bardhit, se një person i paidentifikuar, i moshës 45 vjec, rezulton të ketë përdorur automjetin me targa AA 653 DM. Sipas të dhënave TIMS, Olsi Rama është përdorues i këtij automjeti, sëbashku me tre drejtuesit e tjerë të organizatës kriminale. Bardhi iu referua dokumenteve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të dhënave të sistemit TIMS për të provuar sipas tij faktin se Olsi Rama ka përdorur gjatë vitit 2014 të njëjtën makinë me të dënuarit e tjerë të dosjes “Xibraka”, ku policia zbuloi atë kohë një laborator të përpunimit të kokainës në fshatin me të njëjtin emër. Sipas Bardhit, filli lidhës mes Ramës dhe anëtarëve të tjerë të grupit ishte makina me targa AA 653DM, e përdorur prej tyre dhe e regjistruar në sistemin TIMS në hyrjet dhe daljes nga vendi.

Dokumentet e TIMS të vëna në dispozicion nga Bardhi tregojnë se Olsi Rama ka hyrë në territorin e Shqipërisë tre herë me këtë makinë më 8 qershor 2014, 13 korrik 2014 dhe 8 gusht 2014; respektivisht nga pikat kufitare të Kapshticës, Qafë Thanës dhe Qafë Botës. E njëjta makinë është përdorur disa herë nga Gentian Gjonaj nga prilli deri në nëntor të vitit 2014 dhe nga Ermal Hoxha, nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha, në nëntor 2014./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Ligji për faljen e gjobave, Manja: E miratojmë në dhjetor! Bardhi: Mos bëni sikur ju digjet barku

Ofendimet mbyllin seancën/ Deputetët e PS braktisin Kuvendin,
Gazment Bardhi dhe Ulsi Manja

TIRANË-Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja është shprehur me tone të larta në foltoren e Kuvendit se gjobat për ndërtimet pa leje në zonat rurale do të anulohen. Opozita gjatë fjalës së tij vijoi të kundërshtojë projektligjin për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje, ku kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi u shpreh se ky ligj bie ndesh me Kushtetutën e Republikës.

Manja: Ne si maxhorancë kemi numrat dhe do i anulojmë këto gjoba. Një pjesë është ekzekutuar e një pjesë jo, sepse ishte e pamundur. Do ta bëjmë se kemi numrat dhe kemi mandatin për ta bërë këtë gjë. Dakor. Parlamenti do ta miratojë brenda dhjetorit.

Bardhi: Është Gjykata Kushtetuese që ju ka thënë që ai ligj që keni miratuar bie ndesh me Kushtetutën e Republikës, boll na sollët dëngla e bëni sikur ju digjet barku për qytetarët. Jeni kapur me presh në duar në xhepat e qytetarëve të varfër. Gjobat për ndërtime për strehim janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr. 15/2022. Po ekzekuzoni vendimin me dy vjet vonesë. I grabitët qytetarët me gjoba të padrejta.

2 MUAJ ME PARE

Replika e ministrit Balla për pr/ligjin e anulimit të gjobave: Unë të isha në opozitë do ngrija dy kartona, jo një

Ofendimet mbyllin seancën/ Deputetët e PS braktisin Kuvendin,
Taulant Balla

TIRANË- Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin replikoi pas reagimeve të opozitës lidhur me pr/ligjin e ri për anulimin e gjobave për ndërtimet pa leje në zonat rurale. Sipas ministrit Balla rregullorja është e qartë dhe në këtë rast nuk ka shkelje siç deklaruan deputetë të opozitës lidhur me kalimin me procedurë të përshpejtuar.

Kemi disa raste, shumë raste të penalizimit të padrejtë të qytetarëve për riparim çatie theksoi Balla, për një mur mbajtës të një shtëpie apo avllie.

“Dhe në këtë kontekst, deputetë të PS, do ftoja edhe ata të PD-së që ta përmirësojnë draftin kur të diskutohet në komision. Ajo që po thotë kryetarja me shumë të drejtë është që në fund të seancës, pasi të shpërndahet te të gjithë deputetët drafti i propozuar, sepse e ka të përcaktuar rregullorja si bëhet, njohja me draftin bëhet në komision sipas rregullores”- tha ministri.

Procedura e Kuvendit është shumë e qartë. Nuk ka ndodhur asnjëherë që sapo të depozitohet një nismë ta kenë të gjithë deputetët”, tha ministri për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.    

“Unë të isha në opozitë do ngrija dy kartona, jo një, sepse ka të bëjë me qytetarët”- tha ai. /ZËRI

2 MUAJ ME PARE

“Dezinformimi”, debate në Kuvend, Braçe-Zhupës: Mos u lyej me parfum dhe pri thonjtë! Më dukesh si ruse

Ofendimet mbyllin seancën/ Deputetët e PS braktisin Kuvendin,
Ina Zhupa dhe Erion Braçe

TIRANË- Debate të ashpra ndodhënm mes deputetit të Partisë Socialiste Erion Braçe dhe deputetes së Partisë Demokrate Ina Zhupa. Demokratatja tha se Komisioni i Dezinformimit duhet të mbyllet, pasi PS kërkon të persekutojë mediat.

“Kam një kërkesë prej jush. Mbyllni komisionin e dezinformomini, këta duan të persekutojnë mediat, se nuk u çojnë ujë qeverisë,”- u shpreh Zhupa.

Por, Braçe iu përgjigj ashpër duke thënë se ajo duhet të mos lyhet më me parfum dhe të presi thonjtë. Më tej ai shtoi, se Zhupa duhet të hetohet për dezinformim, pasi duket si ruse.

“Si mund ta lë pa replike kur kjo e di median si rubinet. Media që nuk çojnë ujë te qeveria, unë di që uji mbahet në kanale, tub. Jo ne media. Mos u lyej me parfum, pri thonjtë. Kjo është e para, reflektuar… e dyta, në asnjë sekondë, moment të mbledhjes së djeshëm, nuk kam kërkuar të hetonte mediat, gazetarët. Kam thënë të mbahen përgjegjës autorët dhe kam kërkuar dhe do e bëj që autoritetet të hetojnë dezinformimin që ka një qëllim politik. Tije një nga ato që duhet të hetohesh për dezinformim. Që ti nuk di të lexosh, këtë e di. Nuk di të lexosh, por që nuk dëgjon, ky është problem tjetër. Deklaratat janë publike, mëri dëgjoji, po nuk dite të shkruash, ti zbardh unë. Mua ti më dukesh si ruse, por nuk je ruse,”- tha Braçe. /ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Përplasje në Kuvend/ Opozita bllokon foltore, Noka tërheq nga kostumi gardistin

Ofendimet mbyllin seancën/ Deputetët e PS braktisin Kuvendin,
Flamur Noka

TIRANË- Seanca e sotme po zhvillohet mes tensioneve ku deputetët e opozitës kanë tentuar herë pas here të bllokojnë foltoren. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka është përplasur fizikisht me Gardën, ndërsa deputetë të opozitës bllokuan foltoren. Në pamje ai shihet teksa tërheq nga krahu një prej gardistëve. Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali i ka kërkuar Gardës që të largohet.

Shkak për përplasjen u bë propozimi i socialistit Erion Braçe për faljen e gjobave ndaj qytetarëve. Opozita e kundërshtoi duke thënë se mazhoranca po bën amnisti për vota. Noka akuzoi se, ligji nuk është përgatitur, por Erion Braçe ndodhet në sallën ngjitur duke e hartuar.

"Të vish këtu, të gënjesh, kur gënjeni ju, live në sy të të gjithë parlamentit dhe shqiptarëve, imagjinoni çfarë i keni bërë ju ligjeve pronave, dhe këtij shteti pas kuintave. Ky akt, ky moment është një akt mjaft domethënëse. Ju the deputetëve, ju the shqiptarëve të ju thuash se nuk është gati, por jo. Erion Braçe është në sallën matanë duke hartuar, duke e shtypur,"-u shpreh Noka.

2 MUAJ ME PARE

Tensione në Kuvend, opozita ngjitet në foltore, rrethohet nga garda

Ofendimet mbyllin seancën/ Deputetët e PS braktisin Kuvendin,
Garda rrethon foltoren

TIRANË- Propozimi i Partisë Socialiste për projektligjin për të falë gjobat për ndërtimet pa leje në zonat rurale ka shkaktuar tensione në Kuvend. Deputeti i Partisë Demokratike Bledion Nallbati ngriti zërin nga foltorja ku tha se projektligjet iu vinë me SMS, ku akuzoi mazhorancën se po masakrojnë qytetarët. Por, fjala iu ndërpre nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, e cila tha se kjo nuk është procedurë. Kjo ka shkaktuar tensione në sallë, pasi deputetët e opozitës iu afruan foltorës, gjë që bëri që Garda të rrethojë menjëherë foltoren.

Bledion Nallbati: U duk ashiqare që ato fletët e bardha paçavure ishin fletë të bardha me firma dhe s’kishte asnjë projektligj. Ju s’mund të talleni, u vijnë ligje me sms dhe na i prezantoni në minutë të fundit. Pse si bëjmë ndryshe, i votojmë sot dhe i shqyrtojmë javës tjetër. S’ka problem e bëjmë edhe këtë se ky Parlament nuk është se ka ndonjë rol tjetër.

Elisa Spiropali: Nëse doni të kapeni me faljen e gjobave, kapuni, por nuk besoj se u bën nder. Nuk është procedurë.

Bledion Nallbati: Fjalën ma dhe mua apo vetes.

Spiropali i ndërpret fjalën sërish. Opozita ngjitet në foltorë, rrethohet nga Garda.

Bledion Nallbati: E ke ves të keq që i ndërhyn çdo deputeti në fjalë. A ka mundësi të mos i ndërhysh më deputetëve në fjalën e vet. Nuk i mëson ti se çfarë do thonë. Me këtë dhembshurinë e faljes së gjobave na këputët shpirtin, ju që keni 12 vite që i masakroni njerëzit, nuk guxoni ti ndalni ata që ndërtojnë pallate e kulla në mes të Tiranës, ua legalizoni ndërtimet pa leje. Kemi 12 vjet që arrestoni hallexhinj që mbulojnë çatinë se u shiu brenda, tani vutë zemrën dhe u bëtë të dhimbsen. Na jepni ndonjë mjekim se po pësojmë ndonjë goditje zemre nga dhembshuria e madhe e këtyre që masakrojnë njerëzit. /ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Debat i ashpër Kuvend/ PS propozon falje gjobash për ndërtimet pa leje, Bardhi: Ik p*rdhu

Ofendimet mbyllin seancën/ Deputetët e PS braktisin Kuvendin,
Gazment Bardhi

TIRANË-Tensionet nuk kanë munguar në seancën e sotme ku deputetët u përfshinë në debat pas një propozimi të Partisë Socialiste për një ligj për falje gjobash për ndërtimet pa leje ne zonat rurale. Kryetari i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi kërkoi që ligji të vihej në dispozicion dhe mungesa e shkresës hapi debat.

Bardhi: Nuk u njoftuam tek njoftimte në nisje të çdo seance. Nëse ju duhet kohë të uleni të mblidhni firmat s'mund ta trajtoni si dyqan personal kuvendi, silleni sipas rregullores këtë propozim, njoftojeni në seancë sa më parë. S’mund të njoftohet një kërkesë në fund të seancës dhe respektoni rregulloren.

Spiropali: Mos abuzoni, është kërkesë e 40 deputetëve.

Bardhi: Silleni ku e keni.

Spiropali: I lutem sekretarisë sillni kërkesën e 40 deputetëve.

Bardhi: Ku e keni kërkesën, tregojeni,

Spiropali: Mos bëni teatër,

Gjatë një momenti tensioni Bardhi iu drejtua deputetit Erjon Braçe duke i thënë “ik pirdhu, legen”.

Bardhi: Ligjet nuk vijnë me sms, tregoje. Gënjyet Kuvendin. Po e çon tani, ke letra dhe firma me fletë të bardhe.

Ndërkohë kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali kërkoi që kjo shkresë me 40 firma të deputetëve të PS t’i vihet në dispozicion edhe deputetëve të PD./ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Ndërpritet seanca plenare/ PS propozon ligj për falje gjobash, opozita: Nuk jemi njoftuar

Ofendimet mbyllin seancën/ Deputetët e PS braktisin Kuvendin,
Elisa Spiropali

TIRANË- Partia Socialiste propozoi një projektligj për faljen e gjobave për ndërtimet pa leje dhe kërkoi që të kalojë me procedurë të përshpejtuar. Por kjo kërkesë shkaktoi debat në Kuvend, pasi opozita tha se nuk ishte në dijeni të këtij propozimi.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali vendosi që të ndërpresë për 10 minuta seancën në mënyrë që opozitës t’i vendoset në dispozicion projektligji. /ZËRI

2 MUAJ ME PARE

Bardhi kërkon interpelancë me Ramën: Ndërprit seancën, na vini në dispozicion draftin e Venecias

Ofendimet mbyllin seancën/ Deputetët e PS braktisin Kuvendin,
Gazment Bardhi

TIRANË-Seanca plenare nisi me dy kërkesat e kreut të grupit të Partisë Demokratike Gazment Bardhi. Bardhi ka kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama, duke i bërë apel kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali që të ndërpriste seancën dhe të thërriste kreun e qeverisë.

Bardhi:Ne kemi kërkuar interpelancë me kryeministrin Edi Rama për pagesën 110 milionë euro të shtetit shqiptar, për biznesmenin italian Francesco Becchetti. Pse nuk është përfshirë në rend dite dhe do duhet të ndërprisni seancën dhe të thërrisni kryeministrin. Çështja është madhore për interesin publik. E vërteta është se ai ka marrë më shumë se fondi që keni planifikuar për bonusin e pensionistëve. Do mjaftonte ajo shumë që të parashikonim të njëjtin bonus për vitin 2025.

Spiropali: Kërkesa juaj është marrë dhe kryeministri për shkak të axhendës nuk do zhvillohet sot por në seancën e radhës.

Më pas si çështje të dytë kreu i grupit të Partisë Demokratike, kërkoi të vihen në dispozicion draft-opinioni i Komisionit të Venecias për mandatin e Olta Xhaçkës e cila është vënë në dispozion nga Komisioni.

Bardhi: E kam me email nga drejtori i komisionit të Venecias, që drafti ju është dorëzuar ju. Deputetët e maxhorancës e kanë draftin, na jepni dhe ne. Meqë ju keni bërë delegacion një partiak. Do na hiqni dhe të drejtën të japim sugjerime e këshilla? Do përjashtoni opozitën nga ky proces? Nuk ju pëlqen drafti?

Spiropali: Nuk ka asnjë dokument zyrtar të Komisionit të Venecias për të ndarë. Sapo të vijë do ndahet sipas rregullave të Komisionit të Venecias. Shumica nuk ka asnjë draft të komisionit të Venecias. Nesër është seanca, sipas rregullave të tyre bëhet publik. Mos spekuloni, nuk ka asnjë draft për të ndarë, sepse bëhet sipas rregullave të tyre. Do jem në seancë si kryetare e Kuvendit, si kërkesë që kam bërë. Unë ju kam bërë ftesë në çdo vizitë, kam kërkuar edhe prezencë të deputetëve të opozitës. Shpesh kemi marrë përgjigje refuzuese edhe për shkak të situatë politike e prezencës së deputetëve në Kuvend. Do konsultohem nëse ai draft është publik dhe nëse duhet shpërndarë. Kryetari I Kuvendit nuk e ka shpërndarë draftin në grup.

2 MUAJ ME PARE

Vrasja e Martin Canit, opozita interpelancë me ministren Manastirliu, çfarë do të ndodhë sot në Kuvend

Ofendimet mbyllin seancën/ Deputetët e PS braktisin Kuvendin,
Kuvendi i Shqipërisë

TIRANË- Gjatë seancës së sotme parlamentare është kërkuar një interpelancë urgjente me ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, bëri kërkesën për interpelancë me Manastirliun pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani në shkollën “Fan Noli” në Tiranë. Po ashtu, në rendin e ditës do të shqyrtohet projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese me shkëmbim letrash të marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Për përmirësimin e sistemit të shëndetësisë”, ratifikuar me ligjin nr.57 /20 15″.

Më tej do të shqyrtohet projektvendim “Për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve administrative pas përfundimit të mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit”. Gjithashtu do të shqyrtohet edhe projektvendimi “Për miratimin e organikës dhe klasifikimit të pagave të punonjësve administrative pas mbarimit të mandatit të Komisionerëve Publikë”.

Ndërsa, në seancën e kaluar plenare, më 3 dhjetor pas 7 orësh Kuvend u miratua edhe Buxheti i vitit 2025 me 75 vota pro nga mazhoranca dhe 24 kundër nga opozita. Buxheti 2025 ka një vlerë prej 8.2 miliardë euro dhe u miratua nen për nen me 75 vota pro nga Socialistët, të cilët rrëzuan të gjithë amendamentet e Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë. Fillimisht u rrëzuan dy amendamentet e propozuara nga kreu i PD-së, Sali Berisha dhe amendamentet e kreut të grupit parlamentar Gazment Bardhi. Në total ishin 34 amendamentet të propozuara nga deputetët e PS-së, LSI-së dhe PD-së. Por të gjitha kanë marrë kartonin e kuq nga maxhoranca.

Shpenzimet janë ndarë në paga, investime, mbrojtje sociale, rindërtimin, interesa borxhi, fonde rezervë, për pushtetin vendor, ndihma ekonomike, kompensime, bujqësia dhe skema të tjera. Sipas relacionit të projekt buxhetit rreth 1/3 nga shpenzimet do të shkojë për mbrojtjen sociale, sigurimet shoqërore, skemën e pensioneve, për ndihmën ekonomike, pagesa e papunësisë apo kompensimi ish-pronarëve me në total 291.9 miliardë lekë, ose rreth 3 mld euro.

Projekt buxheti u miratua më datë 19 nëntor, ku opozita dhe qytetarët zhvilluan një protestë që zgjati pothuajse një orë jashtë Parlamentit për të kundërshtuar miratimin e projekt buxhetit. Protesta u thërrit nga kreu Partisë Demokratike, Sali Berisha. Ndërsa, seanca e sotme shënoi edhe rikthimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili pas 11 muajsh ishte pjesë e seancës plenare. Në fjalën e tij, Berisha u shpreh se 11 muaj më parë u tentua të varrosej demokracia. /ZËRI

Poll

MOS HUMB