Ky është “viktima” e parë politike pas gjendjes ushtarake në Korenë e Jugut

SEUL- Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut ka dhënë dorëheqjen e tij pas vendimit të presidentit Yoon Seok-gil për të shpallur në fuqi ligjin ushtarak. Kështu u bë "viktima" e parë e ligjit. Ndaj sot, në një konferencë për mediat, Kim Jong-hyun kërkoi falje dhe ofroi dorëheqjen e tij.
“Më vjen shumë keq dhe marr përgjegjësinë e plotë për konfuzionin dhe ankthin e shkaktuar në publik nga ligji ushtarak. I kam dorëzuar dorëheqjen presidentit"-tha Kim në një deklaratë.
Koreja e Jugut ka qenë nën ligjin ushtarak rreth 10 herë që nga themelimi i Republikës së Koresë në vitin 1948, por hera e fundit ishte më shumë se katër dekada më parë kur gjenerali Chun Duhwan mori pushtetin dhe sundoi vendin që nga viti 1980 deri në vitin 1988. Dje, Yoon shpalli gjendjen ushtarake, por e pezulloi vendeimin e tij pasi parlamenti rrëzoi dekretin./ZËRI
Trazirat në Seul/ Qytetarët dhe opozita në rrugë, kërkojnë dorëheqjen e presidentit Yoon

SEUL- Fati i presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, i cili ka ngjallur trazira në vend pas përpjekjes për të vendosur ligjin ushtarak, mund të mbetet pezull për një kohë të gjatë. Mijëra njerëz po protestojnë në rrugët e Seulit qendror me destinacionin përfundimtar zyrën presidenciale në distriktin Yongsan. Ata kanë një kërkesë të vetme; të largojnë Yoon nga pushteti. Gjithashtu politikanët nga Partia Demokratike, pra opozita e vendit e cila u akuzua nga presidenti për mbështetjen e "forcave pro-koreane", po mbajnë një tubim jashtë Asamblesë Kombëtare.
Lideri i partisë Lee Yae Myung organizoi protestën pas ngjarjeve të mbrëmshme.
Pse largimi i presidentit mund të vonohet
Dy të tretat e Asamblesë Kombëtare prej 300 anëtarësh do të duhet të votojnë në favor të mocionit të shkarkimit, ndërsa 6 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese prej 9 anëtarësh do të duhet të votojnë pro mocionit.
"Problemi tani është se ka vende vakante në Gjykatën Kushtetuese. Ata nuk kanë mjaft gjyqtarë për të gjykuar çështjen. Pra, çështja shkon në një lloj zone gri ose në pritje ligjore. Nuk e di se si do ta zgjidhin këtë,"- thotë Daniel Pinkston, një pedagog i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Nëse mocioni i shkarkimit është i suksesshëm, Koreja e Jugut do të duhet të zhvillojë zgjedhje të reja presidenciale brenda 60 ditëve.
Çfarë po mendonte presidenti kur shpalli gjendjen ushtarake?
Edhe pse askush nuk mund ta dijë se çfarë kishte në mendje, ka disa të dhëna në fjalimin e Yoon. Ai ishte i frustruar me parlamentin e kontrolluar nga opozita. Në fjalimin e tij të martën mbrëma, ai e quajti kuvendin "një përbindësh që po shkatërron sistemin liberal demokratik". Referenca ndaj një kërcënimi nga Koreja e Veriut dhe "forcat anti-shtetërore" sugjeron se ai gjithashtu shpresonte të merrte mbështetje nga konservatorët e krahut të djathtë në Korenë e Jugut që i etiketojnë politikanët liberalë "komunistë".
Deklarata e tij ishte një kujtesë rrëqethëse e një periudhe që shumë në Korenë e Jugut janë përpjekur ta harrojnë. Në TV, drejtuesit e lajmeve dridheshin. Në vitin 1980, kur aktivistët pro-demokracisë, shumë prej tyre studentë, dolën në rrugët e qytetit të Gunaju për të protestuar kundër ligjit ushtarak, ushtria u përgjigj me dhunë dhe rreth 200 njerëz u vranë. Në ato vite Koreja e Jugut ishte e mbushur me dyshime dhe aktivistët antiqeveritar quheshin spiunë komunistë, të cilët arrestoheshin ose vriteshin.
Si e anuloi Yoon projektin dy-vjeçar?
“Ai ishte një president shumë pro-perëndimor, pro-amerikan, pro-biznes, pro-Trump dhe gjithçka që ai u përpoq të bënte tani do të ketë shumë pak ndikim,”- thotë analisti Michael Clarke për Skynews. Ai beson se nuk ka gjasa që SHBA, e konsideruar si një nga aleatët më të fortë dhe më të mëdhenj të Koresë së Jugut, tani t'i frikësohet një presidenti që do të zëvendësojë Yoon.
Rruga e tij është e trazuar
Kjo nuk është hera e parë që presidenti i Koresë së Jugut shkakton stuhi reagimesh. Në fund të vitit 2022, ai u kritikua për reagimin e qeverisë së tij ndaj përplasjes së tmerrshme të turmës së Halloween që vrau 159 të rinj në Seul. Më pas, pati thirrje që gruaja e tij të hetohej pasi ajo u kap duke pranuar një çantë "Dior" si dhuratë - një skandal që i përmendet edhe sot. Në prill të këtij viti, partia e tij u mposht në zgjedhjet parlamentare. Vetëm këtë javë ai është përfshirë në një betejë politike me ligjvënësit e opozitës për buxhetin e vendit.
Por edhe përpara se t'u thoshte koreano-jugorëve se po ua pezullonte të drejtat, vlerësimi i tij në publik ishte nën 20%./ZËRI
Gjendja e jashtëzakonshme në Korenë e Jugut/ Çanta "Dior", skandalet dhe polemikat rreth Zonjës së Parë

SEUL- Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, shpalli "ligjin ushtarak emergjent" të martën në një fjalim televiziv duke shkaktuar valë tronditëse në të gjithë botën. Gjithashtu ai akuzoi partitë opozitare dhe tha se masa e ndërmarrë është e nevojshme për të mbrojtur rendin e lirë dhe kushtetues të vendit.
Mes kësaj trazire politike, vëmendja është kthyer edhe te Zonja e Parë Kim Keon-hee, e cila është përballur me shumë akuza dhe është në qendër të polemikave në vitet e fundit, nga manipulimi i aksioneve te pranimi i një çantë dore luksoze Dior.
Polemikat dhe skandalet e shumta që rrethojnë çiftin mund të kenë kontribuar në rënien e vlerësimeve të presidentit, sipas BBC. Edhe opozita ka tentuar të nisë një hetim të posaçëm kundër saj.
Kush është Kim Keon-hee?
E lindur si Kim Myeong-sin më 2 shtator 1972 në Yangpyeong, ajo ndoqi shkollën e mesme të vajzave Myungil. Ajo u diplomua nga Universiteti Kyonggi me një diplomë arti. Ajo ndryshoi emrin e saj në Kim Keon-hee në vitin 2008. Babai i saj vdiq kur ajo ishte ende në shkollën e mesme. Nëna e saj Choi Eun-sun u gjykua dhe u lirua nga akuzat për drejtimin e një spitali që ofronte kujdes për të moshuarit nga viti 2013 dhe 2015, por nuk zotëronte asnjë licencë mjekësore. Aktualisht, ajo po vuan një dënim prej një vit burg për mashtrim me pasuri të paluajtshme pasi u dënua në 2023. Ndërsa Zonja e Parë që nga viti 2009 është drejtoreshë ekzekutive dhe presidente e kompanisë së ekspozitës së artit, Covana Contents.

Më poshtë ju sjellim skandalet që është përfshirë Kim Keon-hee, Zonja e Parë e Koresë së Jugut dhe gruaja e Presidentit Yoon Suk Yeol:
Mospagesa e taksave (2019)
Sipas disa raportimeve në media në vitin 2019, ndaj saj ka pasur akuza për mospagim të taksave. Kim ishte gjithashtu nën hetim për marrje ryshfeti për organizimin e ekspozitave të artit.
Pasaktësi në profesionin e saj (2021)
Në dhjetor 2021, Kim u kritikua për pasaktësi të mëdha në rezymetë e saj, ndërsa ajo aplikoi për pozicione mësimdhënëse midis 2007-2013. Ajo u akuzua për ekzagjerim ose falsifikim të kredencialeve të saj. Më pas ajo kërkoi falje publike.
Falsifikimi i identitetit (2021)
Në dhjetor 2021, Kim u akuzua për ekzagjerim ose falsifikim të kredencialeve të saj në CV-të e paraqitura për pozicionet e mësimdhënies në 2007 dhe 2013. Ajo kërkoi falje publike për shkaktimin e shqetësimit, pavarësisht nëse pretendimet ishin të sakta.
Akuzat për plagjiaturë (2022)
Kim u akuzua për plagjiaturë në shkrimet e saj akademike. Në gusht 2022, Universiteti Kookmin, ku Kim mori një doktoraturë, tha se nuk gjeti sjellje të pahijshme. Deklarata ndezi reagime të forta brenda komunitetit akademik. Një panel prej 16 profesorësh nga institucione të ndryshme shqyrtoi pretendimet dhe paraqiti gjetjet që vërtetonin pretendimet për plagjiaturë në tezën e masterit të Kim Keon-hee në Universitetin e Grave Sookmyung dhe tezën e doktoraturës në Universitetin Kookmin.
Manipulimi i aksioneve (2020-2024)
Kim e gjeti veten në mes të një tjetër polemike kur u përball me akuzat për përfshirje në një skemë manipulimi të aksioneve prej 63.6 miliardë ëon (rreth 61 milionë dollarë) lidhur me Deutsche Motors. Megjithatë, ajo nuk u padit për shkak të mungesës së provave ose për vetëdijen ose pjesëmarrjen e saj në skemë, sipas Straits Times.
Skandali i Dior (2024)
Një video që u publikua në fillim të këtij viti tregoi Kim duke pranuar një çantë dore Christian Dior dhe sende të tjera luksoze nga një pastor, gjë që ngriti shqetësime rreth shkeljeve të mundshme të ligjeve të Koresë së Jugut kundër ryshfetit, të cilat kufizojnë vlerën e dhuratave që zyrtarët publikë dhe bashkëshortët e tyre mund të pranojnë. Presidenti Yoon kërkoi falje për 'sjelljen e pamatur' të gruas së tij. Në tetor 2024, prokurorët e pushuan çështjen, duke përcaktuar se dhuratat ishin personale dhe nuk kishin lidhje me detyrat zyrtare.
Akuzat për ndikim politik (2024)
Në shtator 2024, Kim dhe presidenti Yoon u akuzuan për ushtrim të ndikimit të panevojshëm në përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet e pjesshme parlamentare në vitin 2022, siç thuhet me urdhër të anketuesit Myung Tae-kyun. Bisedat e rrjedhura treguan përfshirje të mundshme në procesin e nominimit. Presidenti Yoon i mohoi akuzat dhe çështja mbetet një temë e debatit politik. Polemikat rreth Zonjës së Parë Kim Keon-hee kanë tërhequr vëmendjen e publikut dhe politikanëve, duke shtuar sfidat me të cilat përballet administrata e Presidentit Yoon Suk Yeol. Ndërsa hetimet dhe debatet vazhdojnë, këto çështje mbeten një pikë qendrore e politikës së Koresë së Jugut. /ZËRI
Koreja e Jugut anulon ligjin ushtarak, SHBA përshëndet vendimin: Mosmarrëveshjet politike zgjidhen paqësisht

UASHINGTON- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha të martën se ai mirëpret vendimin e presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol për të anuluar vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend.
“Ne vazhdojmë të presim që mosmarrëveshjet politike të zgjidhen në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit”, tha sekretari Blinken përmes një deklarate të martën vonë.
Më herët zyrtarët amerikanë thanë se po ndjekin "me shqetësim të thellë" situatën në Korenë e Jugut, ku presidenti Yoon Suk Yeol shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të martën vonë, duke përmendur nevojën për të mbrojtur vendin nga forcat komuniste të Koresë së Veriut dhe për të eliminuar elementët anti-shtetërorë.
Disa orë më vonë, zoti Yoon hoqi gjendjen e jashtëzakonshme pasi ligjvënësit e Koresë së Jugut votuan kundër vendimit të tij dhe protestuesit u mblodhën jashtë parlamentit. Të befasuar, zyrtarët amerikanë po angazhohen në mënyrë aktive me homologët e tyre koreano-jugor në Uashington dhe Seul, duke mbledhur fakte dhe duke vlerësuar situatën në terren.
"Ne nuk u njoftuam paraprakisht për vendimin e Presidentit Yoon", u tha në një konferencë për shtypin zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Vedant Patel të martën.
"Nuk kam asnjë vlerësim mbi kërcënimin nga Koreja e Veriut në kontekstin e kësaj situate", tha zoti Patel për Zërin e Amerikës kur u pyet nëse Shtetet e Bashkuara kishin marrë informacion për kërcënime specifike në 24 orët e fundit nga Koreja e Veriut.
Ndërkohë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Seul njoftoi anulimin e takimeve të zakonshme konsullore me qytetarët amerikanë dhe aplikantët për viza të mërkurën. Ambasada u kërkoi gjithashtu qytetarëve amerikanë në Korenë e Jugut që të ndjekin lajmet lokale, udhëzimet zyrtare, të shmangin zonat, ku po zhvillohen protesta dhe të kenë kujdes pranë tubimeve të mëdha ose protestave, sepse edhe protestat paqësore mund të përshkallëzohen papritur.
Zëvendës Sekretari amerikan i Shtetit, Kurt Campbell, tha më herët të martën se Shtetet e Bashkuara po ndjekin "me shqetësim të thellë" zhvillimet në Korenë e Jugut dhe shpreson dhe pret që "çdo mosmarrëveshje politike të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe në përputhje me sundimin e ligjit".
Presidenti Joe Biden, këshilltari për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan dhe Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, janë informuar mbi zhvillimet në Seul, sipas zotit Campbell. Presidenti Biden u informua për zhvillimet më të fundit në Korenë e Jugut, ndërsa ai po udhëtonte drejt hotelit të tij në Luanda, kryeqyteti i Angolës. Ai ndodhet në udhëtimin e tij të parë në Afrikë si president.
Në Pentagon, zëdhënësi Patrick Ryder u tha gazetarëve gjatë një konference për shtypin se ai nuk besonte se shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të ndikonte ndjeshëm në rreth 28,500 trupat amerikane të dislokuara në Korenë e Jugut. Zoti Ryder shtoi se ushtaritë e dy vendeve aleate janë "në kontakt", por nuk ka patur asnjë kërkesë për ndihmë nga Seuli.
Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol shpalli gjendjen e jashtëzakonshme të martën vonë, duke u zotuar se do të eliminonte forcat "anti-shtetërore" ndërsa lufton kundër një opozite që kontrollon parlamentin e vendit, duke e akuzuar atë për simpati ndaj Koresë së Veriut komuniste.
Më pak se tre orë më vonë, parlamenti votoi kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. Kryetari i Parlamentit të Koresë së Jugut, Woo Won Shik pas votimit e shpalli "të pavlefshëm" vendimin për gjendjen e jashtëzakonshme dhe theksoi se ligjvënësit "do të mbrojnë demokracinë bashkë me popullin".
Presidenti Yoon kishte thënë më herët se partitë opozitare kishin marrë peng procesin parlamentar. Ai u zotua se do të çrrënjosë "forcat e paturpshme anti-shtetërore pro-koreane të Veriut" dhe tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrte masën për të mbrojtur rendin kushtetues. /VOA
Shpalli gjendjen e jashtëzakonshme, kërkohet shkarkimi i presidentit të Koresë së Jugut

SEUL- Partitë opozitare të Koresë së Jugut e dorëzuan të mërkurën një mocion për shkarkimin e presidentit Yoon Suk Yeol, i cili po përballet me trysni për të dhënë dorëheqje disa orë pasi përfundoi ligji jetëshkurtër ushtarak i shpallur nga ai. Mocioni, i dorëzuar bashkërisht nga partia kryesore opozitare, Partia Demokratike, dhe pesë parti të tjera më të vogla opozitare, mund të hidhet në votim hiç më larg se të premten. Këshilltarët e lartë dhe sekretariati i Yoonit e kanë ofruar dorëheqjen kolektivisht. Ndërkohë, anëtarët e kabinetit të tij, përfshirë ministrin e Mbrojtjes Kim Yong Hyun, përballen gjithashtu me thirrje për dorëheqje.
Të martën në mbrëmje, Yoon papritur e shpalli ligjin ushtarak, duke u zotuar t’i shfaroste forcat “antishtetërore”, pasi hasi në vështirësi për ta shtyrë përpara agjendën e tij në Parlamentin e mbizotëruar nga opozita. Por, ligji i tij ushtarak u zbatua për vetëm rreth gjashtë orë, pasi Asambleja Kombëtare votoi për ta rrëzuar atë. Partia Demokratike liberale në opozitë, e cila ka shumicën në Parlamentin me 300 ulëse, tha të mërkurën se deputetët e saj vendosën t’i bënin thirrje Yoonit të japë dorëheqjen menjëherë, ose ata do të ndërmarrin hapa për ta shkarkuar atë.
“Shpallja e ligjit ushtarak nga presidenti Yoon Suk Yeol ishte shkelje e qartë e Kushtetutës. Nuk i përmbushi asnjë nga kërkesat për shpalljen e tij”, tha Partia Demokratike në një komunikatë.
“Shpallja e ligjit ushtarak nga ai ishte fillimisht e pavlefshme dhe shkelje e rëndë e Kushtetutës. Ishte një akt i rëndë rebelimi dhe ofron baza të përsosura për shkarkimin e tij”, sipas saj.
Për ta shkarkuar Yoon nevojiten dy të tretat e votave në Parlamentit, apo votat e 200 nga 300 anëtarët e tij. Partia Demokratike dhe partitë e tjera të vogla opozitare së bashku kanë 192 ulëse. Por, kur Parlamenti e rrëzoi shpalljen e ligjit ushtarak nga Yoon, me një votim 190-0, 18 deputetë nga partia e Yoon, Fuqia e Popullit, votuan për ta rrëzuar ligjin ushtarak, sipas zyrtarëve të Asamblesë Kombëtare.
Nëse Yoon shkarkohet, atij do t’i hiqet pushteti kushtetues derisa Gjykata Kushtetuese të vendosë për fatin e tij. Kryeministri Han Duck-soo, njeriu numër dy në Qeverinë e Koresë së Jugut, do t’i marrë përsipër përgjegjësitë presidenciale. Të paktën gjashtë nga nëntë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet ta mbështesin mocionin e paraqitur nga deputetët që Yoon të shkarkohet nga detyra. Por, tani për tani gjykata ka vetëm gjashtë gjyqtarë pas daljes në pension të tre prej tyre, që është një më pak se minimumi prej shtatë gjyqtarësh të nevojshëm për ta trajtuar një çështje si shkarkimi i presidentit.
Pas vendimit të Yoon për ta shpallur ligjin ushtarak, trupat e pajisura me armatim të plotë luftarak, përfshirë pushkë, tentuan t’i mbanin protestuesit larg Asamblesë Kombëtare, ndërsa helikopterët ushtarakë fluturonin mbi dhe përreth dhe ateronin në afërsi. Nuk është e qartë se si 190 deputetët ishin në gjendje të futeshin në sallën e Parlamentit për të votuar për rrëzimin e vendimit të Yoon për shpalljen e ligjit ushtarak.
Nuk është raportuar se ka pasur dhunë të madhe. Ushtria dhe policia u larguan vonë nga mjediset e Asamblesë Kombëtare pas votimit të deputetëve për ta rrëzuar ligjin ushtarak. Lideri i Partisë Fuqia e Popullit, Han Dong-hun, i kërkoi Yoon-it të shpjegojë pse e mori atë vendim dhe ta shkarkojë ministrin e Mbrojtjes Kim Yong Hyun, i cili e kishte këshilluar ta shpallte ligjin ushtarak.
Sipas Kushtetutës së Koresë së Jugut, presidenti mund ta shpallë ligjin ushtarak gjatë “kohës së luftës, situatave të ngjashme me luftën, ose gjendjeve të tjera emergjente kombëtare”, të cilat kërkojnë përdorimin e forcave ushtarake për ta kufizuar lirinë e shtypit, tubimeve dhe të drejtave të tjera për të ruajtur rendin. Shumë vëzhgues vënë në dyshim nëse Koreja e Jugut është aktualisht në një gjendje të tillë.
Kushtetuta gjithashtu thekson se presidenti duhet ta respektojë kërkesën e Asamblesë Kombëtare për heqjen e ligjit ushtarak me një votim shumice. Disa ekspertë thonë se Yoon qartazi ka shkelur Kushtetutën në mënyrën se si ai e shpalli ligjin ushtarak. Ndërsa ligji ushtarak lejon “masa speciale” për të kufizuar liritë individuale dhe autoritetin e agjencive dhe gjykatave, Kushtetuta nuk lejon që puna e Parlamentit të kufizohet. Por, duke e zbatuar vendimin e Yoon të martën, Ushtria e Koresë së Jugut shpalli pezullimin e aktiviteteve parlamentare dhe dërgoi trupa për të mos i lejuar deputetët të hynin në Asamblenë Kombëtare. /REL