LIVE UPDATES

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashki/ Pjesëmarrje e ulët në Vlorë, denoncime në Cërrik, kandidatët thyejnë heshtjen zgjedhore

➤Vlora, Berati, Cërriku, Mati e Tepelena zhvilluan sot zgjedhjet e pjesshme. ➤Prej orës 07:00 deri në 18:00 në pesë bashki të Shqipërisë ishin hapur qendrat e votimit. ➤ Mbi 334 mijë qytetarë të vendit kishin të drejtën të ushtronin votimin për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive me mandat të pjesshëm. ➤Në garë janë 13 kandidatë. Pjesëmarrja në votime deri në orën 17:00 është 18.20 %. Bashkia me më shumë pjesëmarrje është Mati, ndërsa me më pak interes ajo e Vlorës.➤Në këtë proces zgjedhor, Partia Demokratike dhe opozita nuk kanë kandidatë nën siglën e tyre, por kanë deklaruar mbështetjen për disa kandidatë të pavarur. ➤Në Tepelenë garojnë Gramoz Sako i PS dhe Gabriel Guma, i pavarur, i mbështetur nga PD. ➤Në Mat garojnë 3 kandidatë, Altin Bojni (PS), Eduart Brahilika (i pavarur, i mbështetur nga PD) dhe Suzana Pasha, e pavarur, e shkëputur nga PS. ➤Në Berat në garë janë Ervin Ceca (PS) dhe Pavlo Shkarpa (i pavarur, i mbështetur nga PD).➤ Ndërsa në Cërrik, Florenc Doka i PS do të kandidojë përballë kandidatit të pavarur Amarildo Hoxha, të cilin e mbështet edhe Partia Demokratike dhe Eligert Hima, nën logon e partisë ‘Lëvizja Shqipëria Bëhet’. ➤Në Vlorë, Brunilda Mersini e PS do të garojë përballë dy demokratëve, Dionis Sota dhe Gjergj Nika, anëtari i Këshillit Bashkiak.

12 artikuj për këtë temë.
7 MUAJ ME PARE

PROCESI/ Përfundon votimi në 5 bashkitë e vendit, Vlora mbyllet me pjesëmarrje tejet të ulët 

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashki/ Pjesëmarrje e ulët në
Brunilda Mersini, kandidate e PS ne Vlore

TIRANE- Sot në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme vendore në pesë bashki, Vlorë, Berat, Mat, Cërrik dhe Tepelenë, ku në total 13 kandidatë garuan për drejtimin e tyre. Procesi u zhvillua pa fushata të zakonshme elektorale, pasi as Partia Socialiste dhe as Partia Demokratike nuk organizuan mitingje apo takime të mëdha publike.

Megjithatë, dita e votimit u shënua nga një pjesëmarrje mjaft e ulët. Nga mbi 334 mijë zgjedhës me të drejtë vote, deri në orën 17:00 kishin votuar vetëm rreth 30 mijë qytetarë, që përbëjnë 18.2% të totalit, sipas të dhënave të KQZ-së. Më e larta pjesëmarrje u regjistrua në Mat, me gati 40%, ndërsa më e ulëta në Vlorë, me vetëm 12.6%. Në bashkitë e tjera, shifrat ishin: Tepelenë 33.16%, Cërrik 24.94% dhe Berat 18.91%.

Për herë të parë, KQZ publikoi edhe statistika të detajuara sipas grupmoshave, nga të cilat rezultoi se më aktivët ishin votuesit mbi 65 vjeç, ndërsa të rinjtë treguan interes minimal.

Procesi i votimit në përgjithësi u zhvillua qetësisht, me disa vonesa të vogla në hapjen e qendrave. Rreth 19% e tyre u hapën disa minuta më vonë, dhe në disa raste u raportua mungesë e përkohshme e komisionerëve të PD-së. Megjithatë, situatat u zgjidhën dhe në të gjitha qendrat u përdor identifikimi elektronik.

Në Mat, deputetja demokrate Denisa Vata ngriti pretendime për presion ndaj votuesve, por kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, deklaroi se verifikimet nuk zbuluan shkelje apo ankesa nga partitë politike. Edhe në Cërrik, policia mohoi akuzat e kandidatit të lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Eligert Hima, për intimidim të votuesve.

Një incident i vetëm u raportua në Cërrik, ku një grua në pamundësi për të votuar vetë kërkoi ndihmën e bashkëshortit, çka u interpretua nga një vëzhgues si votim familjar. Rasti u referua në KQZ, por procesi nuk u ndërpre.

Risi e këtyre zgjedhjeve ishte testimi për herë të parë i inteligjencës artificiale në numërimin e votave në Tepelenë, me rezultatet që do të publikohen online dhe do të krahasohen me numërimin manual.

Në këtë proces, Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha dhe aleatët e saj nuk kishin kandidatë zyrtarë, por mbështetën disa garues të pavarur që përballen me kandidatët socialistë dhe disa të tjerë të pavarur.

Kryebashkiakët që do të zgjidhen sot do të kenë një mandat të shkurtër, vetëm një vit e gjysmë, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të radhës lokale, të planifikuara për pranverën e vitit 2027./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Si u thye heshtja zgjedhore/ Kandidatët e pavarur, Balla e Mazniku zgjedhin të japin mesazhe politike ditën e votimit

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashki/ Pjesëmarrje e ulët në
Dionis Sota dhe Pavlo Shkarpa

TIRANE- Kandidatët e pavarur në Berat dhe Vlorë kanë thyer sot heshtjen zgjedhore. Edhe pse sot ishte dita e votimit, ata kanë përçuar mesazhe politike. Siparin e nisi kandidati i pavarur për Bashkinë e Beratit, Pavlo Shkarpa, i cili foli për planet e tij për qytetin duke deklaruar se ai ka projektin më të mirë për këtë bashki. 

“Dua ta projektoj te ardhmen e këtij qyteti. Unë luftën e kam me shtetin, ne jetojmë ne diktature, edhe pse thuhet qe jetojmë ne demokraci. Berati është i yni, ne kemi nevoje për këtë qytet, Berati s’ka nevoje për ne. Berati sot duhet te zgjedhe njeriun me te mire. Unë kam projekte te mëdha për këtë qytet se kam dëshirë ta ndryshoj. Këta janë bere te pasur me taksat e qytetareve. Po e mora unë bashkinë bashkia do jete e popullit te thjeshte”, tha Shkarpa.

Të njëjtën deklaratë e bëri edhe kandidati i pavarur me dy emra në bashkinë e Vlorës, Dionis Sota. 

“Kam programin më të mirë, dhe jam një djalë që jam lindur e rritur në këtë lagje dhe jam një djalë jo vetëm që e dua me shpirt, por e kam marrë aromën e këtij qyteti qëkur kam lindur. Jam idealist i vërtetë dhe këtë e them me shpirt”, tha Sota. 

Heshtjen zgjedhore e theu dhe deputeti socialist, Arbjan Mazniku. Mazniku përçoi një mesazh politik se qytetarët duhet të votonin projektin më të mirë për Cërrikun. 

“Jemi duke kaluar ditë të mirë për Cërrikun, ka pasur një votim që është i kënaqshëm. Ditë e qetë ditë e mirë për demokracinë shqiptare, njerëzit ti ftojmë të dalin sërish në numra dhe të shprehin vullnetin e tyre për zhvillimin e mëtejshëm të Cërrikut. Cërriku ka para më të mirën për një seri projektesh dhe pikërisht për këtë zhvillim, vecanërisht me fokus tek integrimi europian, ftojmë qytetarët që me gjithë qetësinë që kemi treguar gjatë kësaj dite, të vijojnë të votojnë”, tha Mazniku.

Të njëjtin gabim e përsëriti edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili u ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë për kandidatët e PS, duke thënë se PS po e mban premtimin për rritje pensionesh e pagash.

“Prej mëngjesit qytetarët e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit dhe Tepelenës po votojnë për kryebashkiakët e rinj për të vazhduar rrugën drejt Shqipëria2030 me Edi Rama dhe Partia Socialiste e Shqipërisë Ne socialistët shqiptarë po mbajmë zotimin tonë në zgjedhjet e majit se ky mandat do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve pagave dhe mandati i anëtarësimit në Bashkimin Europian. Kështu pensionistët tanë, përveçse do të marrin këtë dhjetor, bonusin e fundvitit, duke filluar nga janari, do të kenë një rritje tanimë të shtrirë në çdo muaj të katër viteve që kemi përpara përmbi indeksimin e përvitshëm, natyrisht. Prandaj ju ftoj të dilni masivisht dhe të votoni kandidatët tanë”, shkruan Balla në rrjetet sociale. 

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashki/ Pjesëmarrje e ulët në
Taulant Balla postim

A do të marrë masa KQZ? Mbetet për tu parë!/ZËRI

7 MUAJ ME PARE

ZGJEDHJET-Vlonjatët më pak të interesuar, Dukati 2 orë pa asnjë votues, qytetari shkon pa kartën e identitetit: Nuk kam fuqi...

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashki/ Pjesëmarrje e ulët në
PAMJE NGA VENDNGJARJA

VLORË- Teksa dy orë ndajnë nga përfundmi i procesit të votimit për zgjedhjen e kryebashkiakut në 5 Bashki, Vlora vijon me një pjesëmarrje të ulët. Në fshatin Dukat, në qendrën e votimit të vendosur në shkollën “Hasan Mëhilli”, anëtarët e komisionit raportuan se për më shumë se dy orë nuk ishte paraqitur asnjë votues.

I vetmi banor që mbërriti në qendër nuk mundi të votojë, pasi kishte harruar kartën e identitetit në shtëpi. Megjithëse anëtarët e komisionit ofruan ta ndihmonin për ta shoqëruar me makinë deri në banesë, ai refuzoi, duke thënë se “nuk ka fuqi të kthehet përsëri”. 

Konkretisht në bashkinë e Vlorës deri në orën 15:00 pjesëmarrja në votim është 10.68 %. Në Vlorë, Brunilda Mersini e PS garon përballë dy demokratëve, Dionis Sota dhe Gjergj Nika, anëtari i Këshillit Bashkiak.

7 MUAJ ME PARE

Deri në 12:00 votuan 11.02% e qytetarëve! Mati vijon me pjesëmarrjen më të lartë

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashki/ Pjesëmarrje e ulët në
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka pubikuar pjesëmarrjen në votimet e pjesshme në 5 bashki të vendit deri në orën 12:00. Deri më tani bashkia me pjesëmarrjen më të lartë të zgjedhësve është Mati me 24.24% ndërsa numrin më të ulët të votuesve e ka Vlora me 7.03%. Në Berat kanë votuar 10.84%, Cërrik 15.04%, Mat 19.21%, Tepelenë 21.03%.

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashki/ Pjesëmarrje e ulët në
shifrat

Prej orës 07:00, në pesë bashki të Shqipërisë ka nisur procesi i votimit për zgjedhjen e kreyabshkiakut. Mandati i kryebashkiakëve të rinj do të jetë vetëm një vit e gjysmë, derisa të mbahen zgjedhjet lokale në pranverën e vitit 2027.

7 MUAJ ME PARE

Sot qytetarët votojnë/ Celibashi: Numërimi i votave do jetë live, rezultati të hënën në drekë

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashki/ Pjesëmarrje e ulët në
Ilirjan Celibashi

TIRANË-Kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka folur rreth procesit zgjedhor që po zhvillohet në 5 bashki të vendit. Celibashi ka raportuar se deri në këto momente nuk janë raportuar problematika, ndërsa thekson se në të gjithat Qendrat e Votimit po aplikohet identifikimi elektronik dhe nuk ka asnjë problematikë.

“Në masën 81% janë hapur në orën 07:00, vetëm 19% e qendrave janë hapur rreth orës 07:00 dhe 08:00 të mëngjesit. 34% e komisioneve janë të përbërë me 7 anëtare, 18% me 6 anëtarë, 29% me 5 anëtarë. Vetëm në 3 QV në hapje të procesit të votimit, kishte mungesë të kuorumit, por u mundësua pasja e koriumit dhe ka nisur procesi i votimit. Deri në momentin që po flasim s’janë raportuar problematika në lidhje me procesin e votimit, nuk kemi asnjë problem të raportuar në lidhje me përdorimin e pajisjeve të identifikimit elektronik, 100% e QV janë me operator. Nuk kemi transmetim në kohë reale nga 18 QV, por ndërkohë jemi duke marrë informacionin në mënyrë alternative. Sa i përket pjesëmarrjes është 2.42%”, tha Celibashi.

Ndër të tjera, kreu i KQZ tha se procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e pjesshme do të përfundojë të hënën në drekë dhe do të transmetohet në kohë reale, për shkak të numrit të vogël të KZAZ.

"Dreka e ditës së nesërme do jetë përfundimi i procesit të numërimit në të 5 bashkitë. Qartazi varet nga pjesëmarrja, por nëse pjesëmarrja do jetë ajo e vitit 2023, me shumë mundësi do ta përfundojmë ne mesin e ditës së hënë. Për 9 KZAZ do ketë pamje live të vendit të numërimit të votave."-tha Celibashi.

Vlora, Berati, Cërriku, Mati e Tepelena mbajnë zgjedhjet e pjesshme. Prej orës 07:00, në pesë bashki të Shqipërisë janë hapur kutitë e votimit./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Zgjedhjet në Mat, deputetja e PD denoncon: Po intimidohen votuesit, i bëj thirrje SPAK

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashki/ Pjesëmarrje e ulët në
qendër votimi në MAT

MAT-Në disa qendra votimi të Bashkisë Mat janë konstatuar probleme që prej orëve të para të mëngjesit. Ndërkohë një denoncim ka ardhur edhe nga deputetja e Partisë Demokratike, Denisa Vata e cila me anë të një video në rrjetin social Facebook pretendon se po intimidohen votuesit. Sipas saj jashtë ambjenteve të qendrave të votimit ndodhen punonjës të shtetit të cilët po mbajnë shënim dhe po numërojnë të gjithë njerëzit që futen dhe dalin nga votimi.

Denisa Vata: Jam te gjimnazi 28 nëntori, këtu përballë ndodhet një kafe, ku janë drejtorë të administratës shtetërore, punonjës që mbajnë shënime pranë qendrës së votimit dhe numërojnë të gjithë njerëzit që futen dhe dalin nga qendra e votimit, i bëj thirrje prokurorisë së qarkut Dibër dhe SPAK të marrin masa të mos infitmdojnë qytetarët, edhe mbrëmë kemi bërë thirrje, ku e kam paralajmëruar këtë sipas informacioneve që vinin nga PS. Po e bëj publike sepse është e pamundur të çash me policinë, me strukturat e tjera që merren me këto punë, këta persona këtu nuk duhet të lejohen.

Në Mat garojnë 3 kandidatë, Altin Bojni (PS), Eduart Brahilika (i pavarur, i mbështetur nga PD) dhe Suzana Pasha, e pavarur, e shkëputur nga PS./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Zgjedhjet në 5 bashki/ KQZ publikon sa është pjesëmarrja në orët e para, kryeson Mati

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashki/ Pjesëmarrje e ulët në
FOTO

TIRANË-Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka pubikuar pjesëmarrjen në votimet e pjesshme në 5 bashki të vendit deri në orën 09;00. Sipas të dhënave pjesëmarrja më e lartë deri tani është në Mat, ndjekur nga Tepelena.

Në bashkinë e Vlorës deri në orën 9:30 pjesëmarrja në votim është 1.33 %, në bashkinë e Beratit pjesëmarrja është 2.35%, në bashkinë e Cërrikut 2.9%, në Mat 6.2 % dhe në bashkinë e Tepelenës pjesëmarrja është 4.4%.

7 MUAJ ME PARE

Voton kandidati i “Shqipëria Bëhet” për Cërrikun, Eligert Hima: Ftoj qytetarët të marrin pjesë masivisht

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashki/ Pjesëmarrje e ulët në
Eligert Hima

CËRRIK-Kandidati i Shqipëria Bëhet për Bashkinë e Cërrikut, Eligert Hima kaushtruar të drejtën e votës, teksa ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në votim.

“E vetmja mënyrë e mjet që kemi për të vënë në punë bashkinë e Cërrikut është vota. I ftoj qytetarët të votojnë masivisht”, tha ai.

Eligert Hima është në garë përballë Florenc Dokës i PS dhe kandidatit të pavarur Amarildo Hoxhës, të cilin e mbështet edhe Partia Demokratike. Vlora, Berati, Cërriku, Mati e Tepelena mbajnë zgjedhjet e pjesshme. Prej orës 07:00, në pesë bashki të Shqipërisë janë hapur kutitë e votimit./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Tepelena voton ndryshe! Numërimi i votave me inteligjencë artificiale

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashki/ Pjesëmarrje e ulët në
FOTO ILUSTRUESE

TEPELENË-Inteligjenca artificiale edhe në zgjedhje! Në pesë bashki të Shqipërisë janë hapur kutitë e votimit, por Tepelena vjen me një risi. 

Risia e këtyre zgjedhjeve në Tepelenë është përdorimi për herë të parë i Inteligjencës Artificiale (AI) në procesin e numërimit të votave. Ky aplikim do të ketë karakter eksperimental dhe rezultatet e dalë nga AI nuk do të kenë vlerë zyrtare, por do të shërbejnë për të testuar efikasitetin dhe besueshmërinë e sistemit për zgjedhjet e ardhshme.

Në këtë mënyrë, në Tepelenë po zhvillohen dy procese të paralela numërimi: njëri tradicional, nga komisionet, dhe tjetri i automatizuar, nëpërmjet teknologjisë së inteligjencës artificiale. 

Në garën për kryebashkiak të Tepelenës janë Gramoz Sako, kandidat i Partisë Socialiste, dhe Gabriel Guma, i pavarur i mbështetur nga Partia Demokratike. Janë 334.539 mijë votues në bashkitë, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë që pritet të votojnë sot. Procesi i votimit do të mbyllet në orën 18;00./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Zgjedhjet në Mat, voton kandidati i PS-së Altin Bojni: Dita e fjalës së qytetarëve, dilni në votim

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashki/ Pjesëmarrje e ulët në
Altin Bojni

MAT-Kandidati i Partisë Socialiste, Altin Bojni ka ushtruar të drejtën e tij të votës në bashkinë e Matit në qendrën 9030 “Lagja e Re". Bojni garon përballë Eduart Brahilikës (i pavarur, i mbështetur nga PD) dhe Suzana Pashës, kanddate e pavarur, e shkëputur nga PS.

“Sot është një ditë e rëndësishme. Është dita e fjalës së qytetarëve. Ju ftoj të dilni të gjithë në votime me qetësi dhe me dinjitet”, tha Bojni.

Pesë bashki të vendit zgjedhin sot kryebashkiakët e rinj. Janë 334.539 mijë votues në bashkitë, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë që pritet të votojnë sot./ZËRI

7 MUAJ ME PARE

Problemet e para! Në Vlorë mungojnë anëtarët e komisioneve, në Cërrik, problem me pajisjen e identifikimit

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashki/ Pjesëmarrje e ulët në
FOTO ILUSTRUESE

VLORË-Janë shfaqur problemet e para në nisjen e procesit zgjedhor. Prej orës 07:00, në pesë bashki të Shqipërisë janë hapur kutitë e votimit. Në Vlorë raportohet se ka pasur vështirësi me pajisjen PEI për identifikimin elektronik të votuesve, si dhe vonesa për shkak të mungesës së anëtarëve të komisioneve.

Procesi ka nisur me vonesë dhe pjesëmarrja vijon të jetë e ulët, për shkak të reshjeve të shiut dhe kushteve të vështira atmosferike.

Ndërkohë sipas informacioneve nga KZAZ e Cërrikut, procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme lokale ka nisur normalisht në të gjitha qendrat e votimit të kësaj bashkie. Përjashtim bën vetëm qendra e votimit nr. 25/45, e cila ndodhet në një nga zonat periferike të Cërrikut, ku është raportuar një problem teknik me pajisjen e identifikimit biometrik (PEI).

7 MUAJ ME PARE

Zgjedhjet e pjesshme në 5 bashki, Rama fton qytetarët: Votoni për kryebashkiakët e rinj

Mbyllet procesi i votimit në 5 bashki/ Pjesëmarrje e ulët në
Edi Rama

TIRANË-Kryeministri Edi Rama me anë të një postimi në rrjete sociale u ka bërë thirrje për qytetarëve të 5 bashkive të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakët e rinj.

Edi Rama: Mirëmëngjes dhe me ftesën për qytetarët e Vlorës, Beratit, Cërrikut, Matit e Tepelenës, për të votuar sot në zgjedhjet e pjesshme vendore për kryebashkiakët e rinj, ju uroj një të diel të paqtë.

Pesë bashki të vendit zgjedhin sot kryebashkiakët e rinj. Janë 334.539 mijë votues në bashkitë, Vlorë, Berat, Cërrik, Mat, Tepelenë që pritet të votojnë sot./ZËRI

Poll

MOS HUMB