Miratohet me 77 vota pro projektligji për 'Barazinë gjinore'
TIRANË-Kuvendi ka miratuar projektligjin për 'Barazinë gjinore' me 77 vota por dhe 36 vota kundër. Projektligji kaloi vetëm me votat e Partisë Socialiste, pasi opozita votoi kundër. Opozita deklaroi gjatë seancës plenare se ky pr.ligj dëmton thelbin e familjes, por mazhoranca sqaroi se ka vetëm burrë e grua dhe se përkatësia e shumëfishtë nënkupton statuset sociale.
Në versionin fillestar të projektligjit, përkufizimi i gjinive ishte i kufizuar në dy kategori: burrë dhe grua. Megjithatë, pas reagimeve nga Aleanca LGBT dhe aktorë të tjerë, drafti u ndryshua për të përfshirë një përkufizim më gjithëpërfshirës të gjinive, duke njohur identitete të tjera gjinore përtej dy kategorive tradicionale. Termat që u përfshinë ishin:“gjini gjithëpërfshirëse”, “diversitet gjinor”, “identitet gjinor” e “shprehje gjinore”.
Pas shumë reagimesh dhe dikutimesh në Komisione Parlamentare, ligji i ri për barazinë gjinore do të zbatojë vetëm dy kategori gjinore: burrë dhe grua. Me 22 amendamente të dorëzuara në Kuvend, Partia Socialiste propozoi heqjen e termave. Tashmë drafti u miratua në seancë plenare./ZËRI
A i kërkon falje ambasadorit? Berisha: E ka thënë vetë që është martuar me burrë... kërkoj ndjesë
TIRANË-Kreu i PD, Sali Berisha ka deklaruar nga jashtë Parlamentit se i kërkon falje ambasadori të Bashkimit Evropian, Silvio Gonzato, nëse ky i fundit e ka konsideruar si fyerje deklaratën e tij më herët ditën e sotme. Kreu i PD deklaroi se qëllimi i tij nuk ka qenë të ofendojë dhe se komentet e tij lidhen me informacione të mëparshme të ambasadorit për jetën e tij private.
“Gjëja më e thjeshtë për mua është të kërkoj falje. Por nëse ambasadori Gonzato, në një deklaratë të bërë publike nga vetë ai, ka thënë se ka qenë i martuar dhe tani jeton me një partner burrë, dhe unë e kam përmendur këtë pa asnjë intencion fyerjej– atëherë nuk e konsideroj këtë si fyerje. Nëse ai e konsideron fyerje, unë do e rikonsideroj qëndrimin tim, i kërkoj të falur por kjo nuk përbën fyerje,”-tha Berisha.
Berisha gjatë fjalës së tij tha se ambasadori nuk mund t'i imponojë Shqipërisë bindjet e veta dhe i kërkoi t'i tregojë se cila direktivë e BE-së e përmban diversitetin gjinor. Berisha theksoi se fjala e tij ishte një përsëritje e asaj që ambasadori kishte bërë publik më parë.
Deklarata për Gonzaton, PS kërkon përjashtimin e Berishën për 30 ditë: Nuk kam fyer asnjë ambasador
TIRANË-Grupi Parlamentar i PS ka kërkuar përjashtimin e kreut të Partisë Demokartike, Sali Berishës nga Kuvendi me 30 ditë, si shkak i deklaratave nda ambasadorit të BE Silivio Gonzato.
“Bazuar në nenin 10, ndalimi i ngacmimit seksual, deputetit i ndalohet çdo sjellje me natyrë seksuale që prek dinjitetin e cilit do, bazuar në nenin 65 fraksion 1, masa disiplinore përjashtim nga pjesëmarrja nga komisione dhe seanca plenare. Zoti kryetar ju informoj që i jemi drejtuar komisionit të etikës për të kërkuar përjashtimin për 30 ditë të deputetit Sali Berisha”, tha Taulant Balla.
Në një përgjigje për kërkesën e Taulan Ballës dhe reagimit të komisioneres për Zgjerimin e Bashkimit Evropian, Marta Kos, Berisha u shpreh nga Kuvendi se nuk ka fyer asnjë ambasador. Kreu i PD kërkoi sërish të dijë se cila direktivë e BE përdor terminologjinë e përkatësisë së shumëfishtë gjinore.
"T’i përgjigjesh një shpifësi të denatyruar moralisht dhe në integritetin e tij njerëzor, nuk ia vlen të humbasësh kohë.
Por ajo që dua të them edhe njëherë, nuk kam bërë asnjë fyerje ndaj asnjë ambasadori, por kam shprehur mendimet e mia këtu, siç do t’i shpreh haptas në çdo rast. Kam kërkuar nga ky parlament, dhe jashtë këtij parlamenti, nga ambasadori Gonzato, të na tregojë se cilën direktivë, se ai ka mbështetur këtë ligj dhe zonja Marta Kos deklaron se ai ka mbajtur qëndrimin e BE. Plotësisht dakord. Por përsëri, cila direktivë e BE- BE funksionon me direktiva- cila direktivë e BE përdor terminologjinë e përkatësisë së shumëfishtë gjinore. Ta shoh, ta di, sepse ekspertë të shquar që unë njoh, më kanë konfirmuar se asnjëra nga direktivat e BE nuk kanë këtë terminologji, por janë që të gjitha në binaritet,flasin për burrin dhe gruan. Kjo është e tëra. Çdo lloj interpretimi sui generis është problemi i atij që e bën. Por unë përsëri dhe përsëri deklaroj këtu se jam kundër çdo forme diskriminimi dhe pabarazie, por jam në mënyrë kategorike kundër çdo përpjekje për të riformatuar antropologjinë njerëzore, binaritetin e gjinisë, Kushtetutën e Shqipërisë, kodet e vendit, të cilat sanksionojnë këtë binaritet si themel juridik të rendit kushtetues të Shqipërisë,"-u shpreh Berisha në Kuvend.
Çfarë deklaroi Berisha sot në Kuvent për Gonzaton?
Sali Berisha në deklaratën e tij ndaj ambasadorit Gonzato, e akuzoi se po “imponon bindjet e tij personale” në lidhje me projektligjin për barazinë gjinore.
"Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit, i kërkoi të nderuarit ambasador të nxjerrë cilat direktiva të BE e kërkon një gjë të tillë. Cila direktivë t’u thotë shqiptarëve se direktivat aty, sepse ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE sepse ky ligj është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016, se u mohon prindërve të drejtën e edukimit. Ky ligj de fakto në shoqërinë post marksiste, godet familjen. Çfarë ka bërë ky grup sororianësh që ka pushtuar shtetin shqiptar. Edhe ajo që erdhi e rritur e pasuruar pasurisht me fondet e Soros dhe tani këtë ligj kërkojnë ta votojnë në 2 të natës. E Kanë vendosur në pikën 17 të rendit të ditës. Këtë ligj i cili defakto përmbys kodin e familjes,"-deklaroi Berisha.
Berisha sulmoi Gonzaton! Marta Kos: E papranueshme! Barazia gjinore pjesë e ligjit të BE. Rama: Kërkojmë ndjesë
TIRANË-Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka reaguar pas deklaratave në Kuvend të Sali Berishës ndaj ambasadorit të BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, lidhur me projektligjin për barazinë gjinore. Berisha gjatë fjalës së tij sulmoi ambasadorin e BE-së, duke thënë se nuk mund t'i imponojë Shqipërisë bindjet e veta dhe i kërkoi t'i tregojë se cila direktivë e BE-së e përmban diversitetin gjinor.
"Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit, i kërkoi të nderuarit ambasador të nxjerrë cilat direktiva të BE e kërkon një gjë të tillë. Cila direktivë t’u thotë shqiptarëve se direktivat aty, sepse ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE sepse ky ligj është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016, se u mohon prindërve të drejtën e edukimit. Ky ligj de fakto në shoqërinë post marksiste, godet familjen. Çfarë ka bërë ky grup sororianësh që ka pushtuar shtetin shqiptar. Edhe ajo që erdhi e rritur e pasuruar pasurisht me fondet e Soros dhe tani këtë ligj kërkojnë ta votojnë në 2 të natës. E Kanë vendosur në pikën 17 të rendit të ditës. Këtë ligj i cili defakto përmbys kodin e familjes”, deklaroi Berisha në Kuvend.
Në reagimin e saj Kos ka dënuar komentet e kreut të Partisë Demokratike dhe thekson se barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së dhe jo kërkesë private e ambasadorit.
Marta Kos: Barazia gjinore dhe mosdiskriminimi janë pjesë integrale e ligjit të BE-së. Përputhja me të është pjesë e procesit të pranimit në BE. Kjo nuk është një kërkesë private e Ambasadorit të BE në Shqipëri. Çdo sulm ndaj tij është i papranueshëm.
Gender equality and non-discrimination are an integral part of EU law.
— Marta Kos (@MartaKosEU) November 6, 2025
Aligning with it is part of the EU accession process.
This is not a private demand of the Ambassador of @EUinAlbania
Any attacks on him are unacceptable.
Pas reagimit të Kos, një kërkim faljeje ka ardhur nga kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë i ka kërkuar ndjesë komisioneres për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, duke u shprehur se ligji është keqpërdorur për të shtrembësuar opinionin publik.
Edi Rama; Kërkojmë ndjesë për mënyrën fyese se si një ligj shumë fisnik, plotësisht në përputhje me parimet e BE-së për barazinë gjinore dhe mosdiskriminimin, është keqpërdorur për të shtrembëruar perceptimin publik, si dhe për mënyrën se si Ambasadori i BE-së është shfrytëzuar për një qëllim kaq të ulët. Megjithatë, siç themi në shqip, qentë le të lehin, karvani ecën përpara.

Në Kuvend sot votohet Projektligji për barazinë gjinore. Opozita thotë se ky pr.ligj dëmton thelbin e familjes, por mazhoranca sqaron se ka vetëm burrë e grua dhe se përkatësia e shumëfishtë nënkupton statuset sociale.
Në versionin fillestar të projektligjit, përkufizimi i gjinive ishte i kufizuar në dy kategori: burrë dhe grua. Megjithatë, pas reagimeve nga Aleancaâ¯LGBT dhe aktorë të tjerë, drafti u ndryshua për të përfshirë një përkufizim më gjithëpërfshirës të gjinive, duke njohur identitete të tjera gjinore përtej dy kategorive tradicionale. Termat që u përfshinë ishin:“gjini gjithëpërfshirëse”, “diversitet gjinor”, “identitet gjinor” e “shprehje gjinore”. Pas shumë reagimesh dhe dikutimesh në Komisione Parlamentare, ligji i ri për barazinë gjinore do të zbatojë vetëm dy kategori gjinore: burrë dhe grua. Me 22 amendamente të dorëzuara në Kuvend, Partia Socialiste propozoi heqjen e termave./ZËRI
'S'ka doktor për ty'/ Zegjine Çaushi përplaset me Klevis Balliun: Ti bukurosh vjen nga një familje hajdutësh
TIRANË-Debatet mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës vijojnë në Kuvend, ku një përplasje me akuza ka ndodhur mes Klevis Balliut dhe Zegjine Çaushit. Pas përfundimit të fjalës së deputetit të PD, Klevis Balliu, foltoren e mori deputetja e PS, Zegjine Çaushi.
Gjatë fjalës së tij, Balliu nuk kursye kritikat ndaj administratës: “Ta quash administratë europiane, duhet të jesh i çmendur. Kërkoni ndjesë, administrata vetëm ka vjedhur. Nuk është administratë, por organizatë e mirëfilltë kriminale.”
Pas tij fjalën e mori deputetja socialiste, Çaushi e cila ironizoi Balliun, duke i thënë se ishte personi që nuk duhet të flasë për administratën.
“Si mund të dalë një bukurosh këtu dhe të na flasë për administratën. Ti je i fundit që mund të dalësh këtu dhe të flasësh… më dëgjo bukurosh më dëgjo se do të rifreskoj memorien ty dhe kolegëve. Ti përveç se vjen nga një fis i bukur, vjen dhe nga një familje hajdutësh, hajdutësh rrugësh madje, dhe vjen dhe bërtet se mendon se si ti bëjnë të gjithë. Në 2007 sapo u sistemuat në këto karrige të mazhorancës, yt at bashkë me tezen tënde, se vjen dhe na flet këtu për familjarët, Blerina Agolli hapin një shoqëri, shoqëri që kishte një fat të ndritur, të merrte të gjitha fondet e qeverisë, sepse ishte sekretare e përgjithshme në ministrinë e Kulturës. Ja të mbaroj unë zoti Këlliçi dhe pastaj orientoje se çfarë mund të flasë.”
Pas mbylljes së fjalës, Çaushi i dha mundësinë Balliut të replikonte: “Tani i dashur bukurosh mund ta marrësh fjalën për replikë, dhe të thuash siç të mësoi Këlliçi.”
Balliu iu përgjigj duke mbrojtur veten dhe duke insistuar tek e vërteta: “Mund të të përgjigjesha edhe ty si koleges që s’ka doktor që të merr përsipër… Mbase nuk është shumë e edukuar ajo që thashë, por unë kam një problem, nuk gënjej dot, kjo është e vërteta.”
'8.2 mln lekë gjobë për 15 kg gjizë pa faturë' Braçe: U paguan ilaçe për njerëz të vdekur, hemodializa rrjedh para
TIRANË-Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe gjatë fjalës së tij në Kuvend, ka risjellë gjetjet e KLSH, por edhe abuzimet në Dogana dhe Tatime. Braçe nxorri një dokument të një gjobe të vënë ndaj një biznesi të vogël në periferi të Tiranës, më konkretisht 8.2 milionë lekë të vjetra për 15 kilogramë gjizë që i gjetën pa faturë tatimore. Deputeti vlerësoi se KLSH kishte bërë gjetje të rëndësishme në shumë raste, duke nxjerrë në pah qasjen abuzive të drejtorive të caktuara. Sipas tij shpesh zyrtarët tatimorë dalin jashtë çdo sistemi kontrolli, duke shmangur kamerat apo GPS-in gjatë inspektimeve.
“Shqetësim është ligjshmëria në fushën e të ardhurave dhe KLSH sjell në vëmendje dy elementë: e para klientizimin që funksionon ende në dogana, veçanërisht në metodat për vlerësimin e transaksioneve sae nuk sjell vetëm evasion fiskal por cenon edhe konkurrueshmërinë në treg. E njëjta gjë vlen edhe për tatimet por ajo që vjen në evidencë ka të bëjë me borxhin sepse do të kemi një ligj. KLSH sjell në vemndje që borxhi i akumuluar po rritet më shesjt sesa masa e arkëtimit të këtij borxhi në harkun e një viti. Por më i madh bëhet shqetësimi kur inspektorëtr dalin jashtë sistemit elektronik të inspektimit, fikin kamerat e GPS dhe kjo evidentohet në raportin e KLSH. Organet fiskale e kanë këtë qasje dhe sjellje, që sillen egër me të dobëtin dhe mungojnë në kontrolle në dy drejtoritë më të rëndësishme edhe në Tatim paguesit e mëdhenj dhe në të Tiranës. Dhe nuk kam se si të mos sjell në vëmendje këtë akt konstatimi apo gjobe, vendosur në një biznes në Tiranë, në periferi dhe më ka bërë përshtypje. Thuhet se në momentin e kontrollit u vërtetua se nuk lëshon faturë tatimore, autofaturim për gjizën, me çmim 229 lekë për njësi, në sasinë 15.82 kg dhe gjoba është 820 mijë lekë të reja ose 8.2 milionë lekë të vjetra për 15 kg gjizë. Ndërkohë që kontrolli në dy drejtoritë më të rëndësishme të tatimeve mungon”, tha ai.
Braçe u ndal edhe tek Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH), për të cilin tha se duhet të shkrihet. Ashtu si në Komisionet Parlamentare deputeti socialist evidentoi gjetjet e KLSH-së për abuzimet në shëndetësi dhe konkretisht ilaçet e rimbursueshme. Braçe thotë se koncesioni për hemodializën rrjedh para, jo gjak, dhe pagesat nga buxheti i shtetit bëhen për shërbime të pakryera. Ai zbulon se i ka kërkuar KLSH-së të auditojë plotësisht këto kontrata në shëndetësi pasi janë në fund të afateve dhe të ndihmojë vendimmarrësit.
"Gjetjet e KLSH që janë paguar ilaçe të rimbursueshme për njerëz të vdekur, është një element që skema është korruptuar. Gjetja e KLSH të një lidhjeje në këtë skemë midis mjekëve duke përdorur pacientët, recetat e tyre, farmacive për brande të caktuara të ilaçeve është gjetje që sjell në vëmendje që skema është korruptuar duke bërë të pavlerë politikën e rimbursimit të ilaçeve. Kjo politikë të ndryshojë që vërtet njerëzit që janë në nevojë të marrin ilaçe të rimbursura 100% dhe ata që korruptojnë skemën të mos jenë pjesë e saj. Mos ka ardhur koha që ndryshimi i kësaj skeme të shoqërohet nga përjashtimi i kompanive që korruptojnë skemën. Kontratat e PPP-ve janë duke përfunduar dhe gjetjet e KLSh-së duhet të vlejnë si evidencë për fundin e këtyre kontratave. Një koncesion që vjen vit për vit nga KLSh është ai i hemodializës, që ka brenda një trajektore jo gjaku, por para, që shkojnë nga njëra dorë në tjetrën dhe në fund janë pagesa nga buxheti i shtetit për një shërbim të padhënë,"-tha Braçe.
PS dhe PD bëhen bashkë! Votohen anëtarët e rinj të Komisionit Rregullator në KQZ, mes tyre Ristani
TIRANË- Mazhoranca dhe opozita janë bërë bashkë për votimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Rregullator në KQZ. Me më shumë se 100 vota, deputetër zgjodhën dy anëtarët e rinj të propozuar nga Partia Demokratike Helga Vukaj dhe Arben Ristani, ndërsa nga PS Ilirjana Nano (kryetare) dhe Bledar Skënderi e Dritan Çakaj anëtar.
Si u ndanë votat
Ilirjana Nano- kryetare e Komisionit Rregullator
116 pro 2 abstenim 2 kundër
Arben Ristani
112 pro 2 abstenim 7 kundër
Dritan Çaka
116 pro, 2 abstenim, 2 kundër
Bledar Skënderi
113 pro, 1 abstenim, 5 kundër
Helga Vukaj
112, 3 abstenim, 6 kundër
/ZËRI
“Janë nja dy që lehin këtu…”, krahasoi kolegët me qentë, Taulant Balla kërkon ndjesë, PD kërkon përjashtimin e tij
TIRANË- “Zoti kryetar, janë nja dy që lehin këtu…”, ishin këto fjalët që Taulant Balla i drejtoi kolegëve të opozitës në sallën e Kuvendit, që shkaktuan më pas dhe zemërimin e ligjvënësve demokratë, të cilët kërkuan përjashtimin e tij nga seanca.
Deputeti demokrat, Belind Këlliçi, kërkoi përjashtimin nga seanca të kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla, pasi sipas tij ka fyer vazhdimisht kolegët e opozitës.
“Kërcënoi Balliun duke i thënë ‘ta tregoj unë ty’ dhe na tha ‘nuk jam si raca e këtyre’! Kërkoj përjashtimin nga seanca të deputetit Taulant Balla për fyerje ndaj deputetëve të opozitës, dhe ndërprerje 10 minuta të seancës për shqyrtimin e pamjeve filmike, a i ka thënë apo jo”, tha Këlliçi.
“Kjo nuk mund të vazhdojë më!”, përfundoi deputeti, ndërkohë që Balla kërkoi ndjesë për fjalorin, por tha se duhet t'i jepet fund interferimeve nga përfaqësuesit e opozitës.
“Zoti kryetar i Kuvendit, kësaj zhurme iu referova…. Sa i përket reagimit, gjatë kohës që secili prej nesh flet, vjen një zhurmë që nuk e di si tia vëj emrin. Por gjithsesi nëse dikush ndihet i fyer kërkoj ndjesë. Por do të kërkoja mirëkuptimin tuaj, që të kemi një dakordësi, që kur flisni ju të mos ketë zhurmë, dhe kur flasim ne të mos ketë asnjë zhurmë. Nëse doni që të mos ketë zhurmë, hiqeni atë zotërinë që e paguani vetëm për atë lloj pune (I referohet Klevis Balliut)”, tha Balla gjatë fjalës së tij./ZËRI
“Respektojmë orientimin seksual të secilit”, Balla: Dënojmë sulmin e Berishës ndaj ambasadorit Gonzato
TIRANË- Ka nisur me debate seanca e sotme parlamentare, ku në rendin e ditës është dhe votimit i projektligjit për barazinë gjinore, që kundërshtohet nga opozita.
“Respektojmë orientimin seksual të gjithsecilit”-tha Berisha, por ky ligj sipas tij është kundër familjes, ndërsa kërkoi nga ambasadori i BE, që të citonte direktivën e BE, që kërkon identifikimin e përkatësive të shumëfishta gjinore.
Pas fjalës së Berishës, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla dënoi sulmin që sipas tij kreu i PD i bëri ambasadorit të BE, ndërsa tha se do të kërkohet masë nga emisioni i etikës.
Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, Balla tha se ligjin e anti-diskriminimit vetë PD e ka votuar në vitin 2010.
“E dënoj ashpër sulmin që sapo ndodhi në këtë foltore kundrejt ambasadorit të BE në Shqipëri. Ky sulmi përsëritur kundër ambasadorëve të SHBA, kundër të tjerëve të vendeve mike, ambasadorit të BE, bie ndesh me parimet e Konventës së Vjenës. BE mbetet partneri ynë më i rëndësishme dhe se brenda 2030 Shqipëria do të jetë në BE, pavarësisht orientimit tuaj në këtë aspirate historike. E duam Shqipërinë si gjithë Europa.
Sa i përket këtij sulmi, do depozitojmë kërkesë pranë komisionit të etikës që deputeti në fjalë të japë shpjegimin dhe që Kuvendi të ndalë sulmet. Një prej arsyet e shpalljes non grata janë sulmet ndaj ambasadorëve.
Zotëria sapo gënjeu publikisht. Merre lexoje ligjin, e keni votuar me firmën e Sali Berishën. Në ligj sanksionohet qartë që gjini ka vetëm burra dhe ka vetëm gra. Kjo është rregulluar edhe me amendamentin e propozuar prej meje dhe dy kolegëve të tjerë. Informoj publikun shqiptar që do e nxjerrim lakuriq atë që gënjen sot, është konventa e Stambollit e ratifikuar nga ky Kuvend në vitin 2012. E kam votuar edhe unë por nuk jam burracak. Gratë dhe burrat do të paguhen të gjithë njësoj, është qëndrimi i kësaj shumice që sot”, u shpreh Balla.
Berisha shigjeton Gonzaton: Cila direktivë e BE kërkon votimin e projektligjit për barazinë gjinore?
TIRANË- Ish-kryeministri Sali Berisha ka kundërshtuar projektligjin për barazinë gjinore, që pritet të kalojë sot në Kuvend. Sipas Berishës, projektligji është kundër familjes, ndërsa nuk kurseu as ambasadorin e BE, Silvio Gonzato.
“Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit, i kërkoj të nderuarit të nxjerë se cila direktivë e BE-së e kërkon një gjë të tillë. Cila direktivë u thotë shqiptarëve këtë gjë? Ky ligj nuk ekziston në 21 vende anëtare të BE-së, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në 2016-ën, de-facto u mohon prindërve të drejtën e edukimit të tyre, me dhuntinë që u ka dhënë Zoti, vajzë dhe djalë! Ky ligj gjobit udhëheqësit fetarë e shpirtërorë.
De-facto në shoqërinë post-marksiste të shtetit post-marksist godet familjen të bazuar në binaritetin biologjik!”, u shpreh nga foltorja kreu i PD-së.
“Kanë vendosur ta miratojnë në orën 12 të natës”, theksoi ai.
“S’ka ndodhur ndonjëherë që komunitetet fetare të vijnë të na protestojnë, po ktheni kulturën ateiste të Enver Hoxhës”, tha me tonë të larta Berisha.
DEKLARATA E PLOTË E BERISHËS NË KUVEND
Të dashur qytetarë dhe qytetare, kjo seancë është një seancë krejt tjetër nga çdo seancë që keni ndjekur gjer sot.
Këtu kanë sjellë një ligj të quajtur në thonjëza për barazinë gjinore, por një ligj kryekëput ideologjik, i cili bazohet absolutisht në përmbysjen e rendit gjinor binar shekullor dhe mijëvjeçar.
Në përmbysjen e familjes dhe vlerave të saj.
Në përmbysjen e librave të shenjtë dhe moralit të tyre.
Në përmbysjen e të drejtës prindërore për edukimin e fëmijës së tij.
Në përmbysjen e çdo standardi të njohur gjer sot.
Theksoj dhe ritheksoj një mijë herë se do mbetem i paepur në bindjet e mia dhe në programet e partisë për barazinë midis burrit dhe gruas, për barazinë midis nënës dhe babait, midis motrës dhe vëllait.
Por, pikërisht kjo barazi sot zhduket.
Sot merr goditjen më fatale sepse kjo barazi e bazuar në binaritetin grua dhe burrë, femër dhe mashkull, nënë dhe baba, tashmë transformohet në përkatësi të shumëfishta gjinore.
Tashmë transformohet në gjini me diversitet të gjerë duke përmbysur Kushtetutën e Shqipërisë, nenet themelore të saj të lirive dhe të drejtave të njeriut, të lirisë së besimit, të të drejtave të prindërve mbi fëmijët e vet.
Përmbyset kodi i familjes dhe kodet e tjera.
Të dashur qytetarë dhe qytetare, ky ligj i doktrinës post-marksiste, ekstremit të majtë më të rrezikshëm të kohërave, sepse Marksi nuk shkoi më përçudnimin dhe transfigurimin e familjes.
Marksi përcaktoi shkatërrimin e pronës private për ndërtimin e njeriut të ri.
Kushti i Marksit për njeriun e ri, ishte njeriu pa pranë.
Kushti i post-marksistëve për njeriun është njeriu pa familje.
Qytetarë dhe qytetare, sillet në emër të direktivave të BE. Ekspertë të shquar kanë pohuar se nga 10 direktiva të BE, në asnjërën prej tyre nuk flitet për përkatësi të shumëfishtë gjinore.
Në asnjërën prej tyre nuk flitet për gjini me diversitet të gjerë.
Një gazetar më tha se ambasadori Gonzato ka kërkuar votimin e ligjit.
I kërkoj të nderuarit ambasador të nxjerrë cila direktivë e BE e kërkon një gjë të tillë.
T’u thotë shqiptarëve, se direktivat janë aty.
Sepse ky ligj, është hedhur poshtë në 21 vende anëtare të BE.
Sepse ky ligj, është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese franceze në vitin 2016.
Sepse ky ligj, de facto, u mohon prindërve të drejtën e edukimit të fëmijëve të tyre bazuar në dhuntinë që u ka dhënë Zoti, vajzë apo djalë. Apo natyra për ata që nuk besojnë Zotin.
Sepse ky ligj, gjobit udhëheqësit fetarë, shpirtërore, në qoftë se ata besimtarëve do u parashtrojnë mësimet e Kuranit, Biblës, Talmudit.
Sepse ky ligj, de facto, në shoqërinë post-marksiste godet familjen, godet identitetin familjar të bazuar në bizaritetin biologjik.
“E ka bërë demoni Xhorxh Soros”, Berisha kundër projektligjit për barazinë gjinore: Po përmbysni kodet e vendit
TIRANË- Një protestë është duke u mbajtur këtë të enjte në kryeqytet, kundër projektligjit për “Barazinë Ligjore”. Protesta ka nisur pak para nisjes së seancës së sotme plenare në Parlament.
Pak para se të futet në Kuvend për të ndjekur seancën plenare, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim para gazetarëve. Ai e konsideroi projektligjin si pjesë e një “doktrine postmarksiste” që, sipas tij, synon të shkatërrojë familjen si qeliza themelore e shoqërisë.
Deklarata e Berishës:
Sjellin në parlament një ligj të doktrinës post-marksiste, doktrinës më çnjerëzore që qarkullon sot në botë, doktrinë që dallon nga ajo e Marksit, sepse ajo bazohej në shkatërrimin e pronës private, kurse kjo shkon edhe më tej në shkatërrimin e familjes si qeliza, si themeli i një shoqërie.
Ky ligj, i bazuar fund e krye në ideologjinë e ekstremit të majtë, përmbys Kushtetutën e vendit.
Përmbys kodet e vendit.
Përmbys trashëgiminë pozitive mijëravjeçcare dhe penalizon, ndëshkon të gjithë ata të cilët duhet të mbrojnë familjen dhe vlerat e saj, binaritetin e saj natyral, biologjik.
Penalizon ligjet, Kushtetutën e vendit, nenet e familjes.
Penalizon dhe përmbys nenet e lirisë së besimit.
Nenet e lirisë së mendimit dhe shprehjes së tij.
De facto, në emër të përafrimit me direktivat evropiane, që është edhe mashtrimi më i madh, ligji çon me shpejtësi drejt totalitarizmit.
Ky ligj, për shqiptarët, i garantoj se është identik dhe i njëjtë me atë ligj që shpalli Shqipërinë shtet ateist në Kushtetutën më të keqe të vendit, atë të vitit 1974.
Në germë nuk e shpreh këtë ligji, por ligji duke detyruar iudeoligjinë e gjinisë me përkatësi të shumëfishtë, e gjinisë në të gjithë diversitetin e vet, ligji de facto dorëzon përfundimiisht Kuranin, Biblën, Talmudin në duart e censurës dhe të shtetit.
Dhe pas miratimit të këtij ligji, asnjë nga udhëheqësit moralë të besimeve fetare, nuk do mund t’i lexojnë ato ashtu siç janë sepse do konsiderohen se diskriminojnë.
Por ligji ndëshkon prindërit, të cilët do mund të penalizohen në rast se duan që djali i lindur i tyre djalë, këta duan që ai të rritet djalë dhe vajza, vajzë.
Pra në qoftë se ata i çojnë në shkollë me qëllim që t’u respektohet identiteti gjinor, ata do dënohen sepse faktikisht tani e tutje identitetin gjinor nuk do e përcaktojë natyra, biologjia, por do e përcaktojë shkolla dhe shteti me shumësinë e identiteteve gjinore, me diversitetin e tyre.
Të gjitha kodet e vendit bien.
Edhe njëherë, pretendimi se ky është përafrim me BE është mashtrimi më i madh në ëktë ligj, sepse direktivat e BE, që citohen në materialin e këtij ligji, në asnjë rresht, në asnjë frazë nuk bëjnë fjalë për shumësi, për gjini me diversitet të gjërë, nuk bëjnë fjalë për përkatësi gjinore të shumëfishta.
Pra, janë të gjitha mashtrime që bëhen në emër të një ideologjie demoni i së cilës, monstra e së cilës është Xhorxh Sorosi me miliardat e tij.
Ligji, de facto, shënon vendosjen e ekstremit të majtë, pasi pas miratimit të tij zhvlerësohen të gjitha përcaktimet ligjore të mëparshme të Kushtetutës, kodeve dhe triumfon çnjerëzorja, triumfon ajo ideologji, e cila për ët krijuar njeriun e ri, komunizmi njeriun e ri do e krijonte njeriun pa pronë, kurse post-marksisti, njeriun e ri e ka me gjini të shumëfishtë apo me diversitet të gjerë gjinor.
Kjo është një lloj tiranie ideologjike që vendoset mbi këtë popull.
Dhe i garantoj shqiptarët që do vazhdojmë betejën tonë të pandërprerë gjer në anulimin e këtij ligji.
Ky ligj nuk mund kurrë të pranohet me këto qëllime kaq të mbrapshta, kaq çnjerëzore, kaq antishqiptare, kaq antifamiljare.
Kuvendi mban 1 minutë heshtje për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano
TIRANË- Seanca plenare në Kuvend sot ka nisur ndryshe. Kryeparlamentari Niko Peleshi njoftoi hapjen e seancën me mbajtjen e një minutë heshtje në shenjë respekti të ish-kryeministrit dhe socialistit Fatsos Nano, me kërkesë të ligjvënësve. Të pranishëm edhe deputetë të opozitës, që respektuan kujtimin e ish-kryeministrit, duke mbajtur minutën e heshtjes.
Peleshi, shprehu ngushëllimet duke thënë “Ishte një nga themeluesit e PS dhe ka shërbyer si kryeministër duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në orientimin e Shqipërisë drejt integrimit europian. Ai do të kujtohet si një njeri që la gjurmë të thella në historinë e Shqipërisë“.
Ndërkohë që menjëherë më pas, ka nisur zhvillimi normal i senacës, ku n ë rend dite parashikohet zgjedhja e anëtarëve të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendor të Zgjedhjeve. Gjithashtu, pritet të raportojnë disa institucione, si KLSH, Komisioni i Prokurimeve Publike dhe ai i administratës Publike, ndërsa pritet diskutimi i projektligjit për barazinë gjinore./ZËRI
“Larg duart nga fëmijët”- protestë kundër projektligjit për barazinë gjinore, i bashkohet dhe Berisha
TIRANË- Është duke u mbajtur përpara Kuvendit protesta në kundërshtim të projektligjit për barazinë gjinore. Protesta është thirrur nga “Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës”. Me pankartat “deputetë, mos votoni kundër fëmijëve”, “projektligji i barazisë gjinore, anti-familje”, “largoni duart nga fëmijët”, ata kërkojnë të mos miratohet projektligji.
Pastori Akil Pano, i bëri thirrje kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, që të heqin dorë nga kalimi i projektligjit, që dëmton familjen, dhe shkakton një tymnajë në opinionin publik, sipas tij. Protestës i është bashkuar dhe kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ndërsa deputetët e opozitës kanë kërkuar një projektligji për barazinë gjinore të kalojë në referendum.
Kundër këtij projektligji janë shprehur edhe grupe të ndryshme interesi dhe Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë, të cilët e kanë cilësuar atë si një cenim të traditave shqiptare dhe konceptit tradicional të familjes burrë-grua.Sipas organizatorëve, tubimi zhvillohet në mënyrë paqësore përpara godinës së Kuvendit, ku janë mbledhur mbështetës të opozitës, qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile që kundërshtojnë miratimin e nismës ligjore.
Mblidhet sot Kuvendi, në fokus barazia gjinore dhe zgjedhjet në KQZ
TIRANË- Sot, në orën 10:00, Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare, ku në rend dite janë raportimet e disa institucioneve për veprimtarinë e tyre gjatë vitit 2024, projektligji shumë i diskutuar për barazinë gjinore si dhe zgjedhja e anëtareve të Komisionit Rregullator në KQZ.
Kontrolli i Lartë i Shtetit, Departamenti i Administratës Publike, Komisioni i Prokurimit Publik, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, do të jenë institucionet që do të raportojnë.
Votimi për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit Rregullator dështoi në seancën e kaluar, për shkak se deputetët e opozitës braktisën sallën pasi maxhoranca rrëzoi kërkesën e tyre për ngritjen e dy komisioneve hetimore, për Charles McGonigal, si dhe për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ndërsa, projektligji për barazinë gjinore është diskutuar me debate e tensione mes palëve. Projektligji nuk do të ketë më konceptin “gjithëpërfshirëse” për gjininë por do të njohë vetëm burrë e grua. PS depozitoi 22 amendamente ku hiqen termat “gjithëpërfshirës” dhe “diversitet gjinor”, duke i zëvendësuar me formulime të qarta në vetëm dy gjini.
Akti normativ për disa ndryshime dhe shtesa në buxhetin e vitit 2025 dhe akti normativ për "Planifikimin dhe zhvillimin e territorit", po ashtu janë parashikuar në rend dite./ZËRI