LIVE UPDATES

1.7 mln euro drogë/ Lihen në burg efektivët e arrestuar, grupi drejtohej nga vëllai i Edmond Papës (BISEDAT)

➤ Shkëlzen Ruska, me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë; Ervis Alisinanaj, me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë; ish-efektivi Erdit Hazizaj i cili gjithashtu ka kandiduar për kryetar bashkie në Roskovec më 2023 në siglën e “Bashkë Fitojmë” janë vënë në pranga, ndërsa Elvis Dervishi me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, është shpallur në kërkim. ➤ Arrestimi i tyre u krye në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar që goditi një grup kriminal dhe të katërt akuzohen se jepnin informacione për aksionet e Policisë së Shtetit, në mënyrë që trafikantët tu shpëtonin prangave. ➤ Grupi ku rezultojnë të përfshirë në trafikun e drogës, 4 shefa të komisariateve të policisë, drejtohet nga Kristo Qirici, i njohur ndryshe edhe si Jetmir Qirici (Hoxha), që është dhe vëllai i Edmond Papës, i cili u ekzekutua në Tiranë në dhjetor të vitit 2022. ➤ Papa dyshohet se u ekzekutua për hakmarrje pas vrasjes të Aleksandër Sadikajt me eksploziv në Tiranë, nipit të Adriatik Kalemit. ➤ Të dyja palët rezulton të kenë pasur konflikte prej vitesh. Bashkëdrejtues me Qiricin në këtë grup kriminal rezulton të jetë edhe Eldian Allushi. ➤ Në total, ky grup kriminal gjatë periudhës 2019-2021, ka trafikuar rreth 1.7 milionë euro drogë në drejtim të Greqisë. ➤ Qirici dhe Allushi për momentin janë vënë nën hetim nga SPAK, bashkë me anëtarët e tjerë të grupit kriminal, si: Xhino Nebi dhe disa të tjerë. ➤ E gjithë skema është zbardhur përmes bisedave të gjetura në aplikacionin SKYECC, në të cilin është përmendur dhe një takim mes Ruskës dhe Edmond Papës.

2 artikuj për këtë temë.
3 MUAJ ME PARE

“Kam investuar 250 dhe do fitoj 650 mijë euro”, zbardhen mesazhet e efektivëve të arrestuar në SKYECC, lista vijon dhe me zyrtarë të tjerë

1.7 mln euro drogë/ Lihen në burg efektivët e arrestuar, grupi
Foto Ilustruese

TIRANË- Janë zbardhur mesazhet që efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët u vunë në pranga me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kanë shkëmbyer me persona të botës së krimit. Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha ka publikuar mesazhet që në të cilat një trafikant tregon i shqetësuar “kam investuar 250 dhe do fitoj 650 mijë euro” dhe sipas tij po humbiste shumë, “megjithëse lidhjet i kam me shtet”.

Trafikanti shkruan se herë tjetër do veprohet jashtë vendit duke kujtuar dëmin qe i është bërë prej 1.7 milionë euro pasi iu bllokua në Greqi. Sipas gazetares së Top Channel, oficerët e arrestuar dhe një tjetër në kërkim, ndihmonin për dhënien e informacionit për aksionet antidrogë.

Ndërkohë që në listën e të kërkuarve që jetojnë jashtë dhe janë në kërkim nga SPAK përveç Kristo Qiricit janë edhe Benci Toska, Shkëlqen Kraja, Xhino Nebi, Luic Bala. Dy kryesorët nga hetimi i deritanishëm janë Kristo Qirici dhe Eldjon Alushaj, ndërsa në bisedat e Sky ECC nga të dyshuarit përmenden edhe emra të tjerë oficerësh të policisë si dhe zyrtarë.

Operacioni i SPAK u zhvillua dy ditë më parë. Në pranga janë vënë: Shkëlzen Ruska, me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë; Ervis Alisinanaj, me detyrë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë; ish-efektivi Erdit Hazizaj, kandidat i Berishës për kryetar bashkie në Roskovec më 2023, ndërsa Elvis Dervishi me detyrë Shef i Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, është shpallur në kërkim.

 

3 MUAJ ME PARE

U vra në Tiranë, Edmond Papa del në mesazhet e policëve të arrestuar, kush është Kristo që i lë takim tek hoteli

1.7 mln euro drogë/ Lihen në burg efektivët e arrestuar, grupi
Edmond Papa

TIRANË- Janë zbardhur mesazhet që efektivët e Policisë së Shtetit, të cilët u vunë në pranga me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kanë shkëmbyer me persona të botës së krimit. Gazetarja e Top Channel Anila Hoxha ka publikuar mesazhet që oficeri i policisë Shkëlqen Ruska përmes aplikacionit SKYECC ka shkëmbyer me të kërkuarin Kristo Qirici, kreu i një grupi kriminal i njohur ndryshe edhe si Jetmir Qirici (Hoxha).

Në një nga këto komunikime teksa flasin për një dhomë hoteli, Kristo shkruan që duhet të flasë me Mondin, që sipas SPAK është Edmond Papa, i cili u vra në Tiranë në dhjetor të vitit 2022. Ngjarja dyshohet se ndodhi për hakmarrje, pas atentatit me tritol ndodhur në të njëjtin vit në Tiranë, ku mbeti i vrarë Aleksandër Sadikaj, nip i fisit Kalemi në Memaliaj.

Oficeri Ruska në një rast tjetër kërkon ndërhyrjen e Qiricit nëse njihte ndokënd tek spitali infektiv pasi po dërgonte me urgjencë të atin i cili ishte prekur nga covidi. Ditë më vonë pasi i ati i ndërron jetë oficeri ngushëllohet nga Qirici.

Në vazhdën e ndihmave qe oficerët kanë ofruar është ajo e këshillimit që grupi të gjente lidhje pranë Shik sepse siç shkruan në Sky ECC një tjetër oficer policie “në 2016 dëmi për drogën kur u kultivua e bëri Shik sepse dërgonte informacione në polici dhe policia s’kishte çfarë të bënte”

Edhe shefi i policisë Elvis Dervishi që është identifikuar si përdorues i Sky flet me Qiricin dhe në biseda ata flasin për të ndërhyrë që oficeri të ngrihet në detyrë. Ndërsa ish-shefi i Sarandës Eljon Alushaj komunikon po në SkyECC në datën 17 shtator 2020, ditë në të cilën forcat Shqiponja ndalojnë shtetasin Xhino Murati. Ky shtetas ia lë armën kushëririt të tij mosha 15 vjeç.

“Kanë kapur Xhinon le ta mbajë ai i vogli 15 vjeç e ta nxjerrin Xhinon, i thamë nxirre. Kishin bërë postbllok nëntë veta të Shqiponjave tek Spitali”.

Më pas i njëjti oficer i shkruan duke e njoftuar “Doli Nojzi”.

Poll

MOS HUMB