TIRANË- Ergys Agasi dyshohet se kishte marrë informacion mbi ecurinë e veprimeve hetimore për automjetin e tij të sekuestruar në 'Equos Resort' përmes komunikimeve me Fatjon Kalluçin shefin e sektorit të laboratorit në Policinë Shkencore. Në dosjen e hetimit të SPAK dalin në pah mesazhe dhe fotografi që lidhen me ekzaminimin e automjetit tip 'Land Rover Defender' dhe provat e gjetura brenda tij.
Komunikimet datojnë në muajin gusht përpara arrestimit të Agasit. Sipas të dhënave të bëra publike, Kalluçi dyshohet se i ka përcjellë atij tri fotografi nga ekspertiza e automjetit ndërsa e informonte edhe për procedurat që do të ndiqeshin me materialet e sekuestruara.
Bëhet fjalë për nëntë faqe dokumentesh sekrete të SHISH të cilat ishin gjetur gjatë kontrollit të automjetit. Këto materiale ishin paketuar dhe dërguar në laboratorin përkatës ku pritej t'i nënshtroheshin ekzaminimit për gjurmë ADN- je.
Interesi i Agasit nuk kufizohej vetëm te ekzaminimi i provave. Në bisedat me Kalluçin ai kërkonte të dinte se në çfarë momenti ishte kontrolluar automjeti dhe çfarë dokumentacioni ishte mbajtur për sendet e gjetura në të.
Nga ana tjetër zyrtari i Policisë Shkencore i kishte sqaruar se këqyrja e automjetit nuk ishte kryer nga laboratori, por nga vetë hetuesit. Kalluçi i kishte thënë gjithashtu se do të kërkonte procesverbalin e këqyrjes me qëllim që t'ia dërgonte./ZËRI